Home

Trashëgimia politike e Ibrahim Rugovës është gjallë – ajo quhet LDK. Një prej arsyeve pse kjo parti sot është katandisur moralisht dhe politikisht është se gjatë udhëheqjes së tij të gjatë të kësaj partie, Ibrahim Rugova kishte lejuar degjenerimin gradual të mekanizmave demokratik brenda kësaj partie, duke ngritur gradualisht varshmërinë politike dhe organizative të partisë ndaj personit të tij deri në shkallë ekstreme – aq sa partisë as sot nuk i ka mbetur të identifikohet me asnjë ide dhe me asnjë vlerë përveç emrit të tij. Për një dekadë e gjysmë për sa e udhëhoqi këtë parti, Rugova mirëpriti shndërrimin e tij në figurë kulti, përderisa brenda partisë ndërtoi mekanizmat joformal të aleatëve, qofshin bashkëpunëtorë të ngushtë apo pjesë e armatës së madhe të poltronëve brendapartiakë, që siguronin që në çdo moment vendimtar, vullneti i tij të vendosej si vullnet i partisë, ndërsa kundërshtarët e brendshëm të heshten apo të detyrohen ta braktisin partinë, ashtu siç bënë shumë figura gjatë tërë kohës sa Rugova udhëhoqi këtë parti.

Është pikërisht ky stil autoritar i udhëheqjes që sot pretendohet të trashëgohet nga LDK-ja e Fatmir Sejdiut. Është simptomatike që Sejdiu i do pikërisht ato dy poste që për shumë vjet i mbajti Ibrahim Rugova – kryetar shteti dhe kryetar partie. Kjo nuk rezulton nga ambicia e Sejdiut për t’u bërë kopje e Rugovës; përkundrazi, Sejdiu ka arritur ta ndërtojë një identitet personal politik që përfundimisht e ka nxjerr atë nga hija e ish-liderit të partisë. Nuk është se Sejdiu do të bëhet si Rugova, por arritja e kontrollit politik brenda LDK-së e detyron atë që të përvetësojë stilin e udhëheqjes së Rugovës në raport me partinë. Ky është rugovizmi pa Rugovën.

Por kjo strategji e Sejdiut dhe mbështetësve të tij i ka kushtuar shumë LDK-së. Rugova mund të sundonte në mënyrë autoritare me partinë sepse ai, megjithatë, ishte Ibrahim Rugova – ai kishte një shkallë autoriteti karizmatik të pashoq në Kosovë, qoftë gjatë viteve 1990, qoftë edhe pas luftës. Për më tepër kur fjala e tij çonte peshë vendimtare në vendimet e brendshme të partisë. Por, karizma vdes bashkë me njeriun, ndërsa organizatat politike, si çdo organizatë tjetër, synojnë të mbijetojnë përkundër kalimit të individëve. Ardhja e Sejdiut në krye të partisë, ku mjetet e kontrollit janë joformale, ku aleancat krijohen dhe prishën sipas hyjeve dhe daljeve nga rrjetet klienteliste, ku kuvendët dhe forumet partiake nuk janë hapësirë për debate të brendshme dhe marrje vendimesh të vështira, por vend ekzekutimi skriptash të parapërgatitura më parë në takimet e mbyllura të natës paraprake, nuk mund të mos e këtë çuar LDK-në drejt fraksionalizimit që përjetoi kur Nexhat Daci mblodhi ndjekësit e tij dhe themeloi LDD-në.

Problemi është se ky përjetim traumatik, që LDK-së i kushtoi me shndërrimin e saj në parti të minorancës, nuk i shërbeu si leksion lidershipit e ri të kësaj partie. Në vend të një reflektimi dhe një përpjekje për rindërtim gradual organizativ e politik, udhëheqsia aktuale preferoi që në LDK të mbretërojë një gjendje e ngrirë organizative. Kjo u arrit edhe përmes pacifikimit të brendshëm, që u arrit pas shndërrimit të LDK-së në partner koalicioni me PDK-në, pasi që Sejdiu arriti të shpërblejë mbështetësit dhe klientelën e tij me poste pushteti e punësimi. Dhe Sejdiu insiston në ruajtjën e pozitës së kryetarit të LDK-së, tani edhe për një mandat, përkundër faktit të prerë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës kërkon që kryetari i shtetit të jetë një figurë jopartiake.

Lidershipi aktual i LDK-së është i gatshëm që sërish ta rrezikojë të ardhmen e kësaj partie, për hir të mbrojtjes së interesave të një klani të ngushtë brenda partisë.

Sejdiu me aleatët e vet i kanë vënë në lëvizje mekanizmat joformal brenda partisë, që duket se funksionojnë për bukuri. Karshi lëvizjeve brendapartiake, qoftë asaj të Isa Mustafës, qoftë të Bujar Bukoshit, qoftë edhe deklarimin nga Ukë Rugova dhe figurave të tjera të partisë që Sejdiu duhet të lejojë që në krye të partisë të vijë një figurë e re, aleatët e ngushtë të Sejdiut, siç janë Ismet Beqiri dhe zëvendës-kryeministri Ramë Manaj, janë aktiv prapa skene për të siguruar se përkrahja formale për rizgjedhjen e Sejdiun në postin e kryetarit të partisë është e paluhatshme. Aq sa edhe Isa Mustafa, një nga figurat e LDK-së të dëshmuara me sukses elektoral, u detyrua t’i hesht kritikat e tij dhe t’i kthehet linjes zyrtare, po atëherë kur Ismet Beqiri shpalli ndalesën për fushata brendapartiake për kryetar partie. Në Forumin e Gruas të LDK-së aleatët e Sejdiut arritën që ta instalojnë një kryetare që nuk ka meritë tjetër përveç të qenit përkrahëse e paluhatshme e Sejdiut. Problemi është se, po qe se Sejdiu me grupin e tij tentojnë që gjendjen në parti ta mbajnë të ngrirë, ata do ta çojnë LDK-në edhe më tej drejt margjinalizimit dhe katandisjes.

Së pari, me rizgjedhjen e Sejdiut, i cili medoemos mbetet një kryetar joaktiv i partisë, bllokohet çfarëdo reforme brenda kësaj partie, aq të domosdoshme për rindërtimin e LDK-së, proces i cili nuk ka përfunduar që nga vdekja e ish-kryetarit Rugova. E dyta, mbajtja e kontrollit të Sejdiut dhe aleatëve të tij dëshmon se brenda partisë mungon institucioni i përgjegjësisë, sepse po e njëjta garniturë udhëhoqi partinë në disfatën e saj më zgjedhjet 2007, ashtu si në atë të zgjedhjeve lokale të 2009-ës. Nuk mund të mendohet në fitore, nëse të njëjtat fytyra kërkojnë votën e popullit më 2011. E treta, qëndrimi në udhëheqje i lidershipit të njëjtë partiak, ia pamundëson partisë zhvillimin e një platforme të bindshme se LDK-ja paraqet alternativë karshi PDK-së. Kjo për arsyen se figurat e tanishme, nuk kanë kredibilitetin e mbase as dëshirën që të zhvillojnë fushatë kundër PDK-së më 2011, mbase duke llogaritur në vazhdimin e një koalicioni të ngjashëm sikur këtij të tanishmit. Si pasojë, LDK-ja jo vetëm që do të dalë në zgjedhje pa ndonjë platformë alternative të vetën, ajo do të ndëshkohet politikisht edhe për pakënaqësinë popullore me qeverisjen e PDK-së dhe të Hashim Thaçit. Në vend të synimit të fitores, aktiviteti i LDK-së do të detyrohet të kthehet kah minimizimi i humbjeve.

LDK-ja është institucion historik i Kosovës dhe do të ishte tragjike sikur interesat e ngushta të disave ta çonin atë drejt margjinalizimit të mëtejmë.

Në një vend si Kosova, me një nevojë të pangopshme për ide të reja dhe për njerëz të ri, është katërcipërisht tragjike kur partitë politike, në vend se ta kenë rolin e mekanizmave për gjenerimin e këtyre, stagnojnë politikisht dhe shndërrohen në instrumente të interesave politike të atyre që i kryesojnë. Pikërisht kjo duket se do të ndodh në LDK, ku Fatmir Sejdiu me aleatët e tij bëjnë të pamundurën që partinë ta mbajnë nën zap, dhe me çdo kusht të pengojnë gufimin e gjakut të ri në LDK. Është mirë që LDK-ja t’i shpreh respekt të përhershëm kryetarit të saj historik, por me sa duket ajo akoma duhet të çlirohet nga barra e elementeve më negative të trashëgimisë së tij.

Botuar te Koha Ditore, 26 shtator 2010

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s