Home

Mbi ligjeratën e ambasadorit amerikan Christopher Dell mbi politikat ekonomike në Kosovë

Në muajin maj, u mbajt në Prishtinë një tubim në shenjë të përvjetorit të themelimit të institutit për hulumtime ekonomike Riinvest. Fjalën e rastit në këtë tubim e mbajti ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell. Hëpërhë, Dell u përqëndrua në zhvillimin ekonomik, në një fjalim që më shumë i ngjante një ligjerate se sa një përshëndetje ceremoniale të evenimentit, dhe që një gazete kosovare e botoi në katër vazhdime.

Është gjithmonë e rëndësishme çfarë deklaron ambasadori amerikan. Roli i ambasadorit në sistemin politik kosovar, brenda të cilit autoriteti dhe influenca e tij joformale tejkalon shumëfish herë autoritetin formal të tij prej një përfaqësuesi diplomatik, është i rëndësishëm sidomos kur jep deklarata të tipit politikbërës (policy). Drastikisht e mangët në këtë pikëpamje, si në kapacitetet intelektuale, ashtu dhe në ato politike, qeverisja aktuale në Kosovë gjithmonë ka të kthyera antenat e saj karshi mesazheve që transmetohen nga ambasadori (si një nga instancat kryesore që artikulimit të konturave ideologjike brenda të cilave bëhen politikat), në radhë të parë sepse politikbërjen, sikur të shtetbërjen, qeverisja aktuale e ka tërësisht të huazuar në përmbajtje, përderisa e improvizon në formë. Ambasadori, sikur instancat tjera (siç janë Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore), përcakton formën, e shpesh edhe përmbajtjen e politikave zyrtare ekonomike, sikur reduktimin e fundit të buxheteve publike të kërkuar nga FMN-ja; karshi këtyre, puna kryesore e qeveritarëve është që politikat zyrtare ekonomike t’i bashkërendojë me ekonominë jozyrtare politike, një sferë ku qeveritarët mbrojnë me xhelozi autonominë e veprimit nga ndërhyrjet e jashtme, ndërsa sintetizimi i këtyre dy proceseve të ndërvarura rezulton në realitetin ekonomik në Kosovë.

Kjo është asyeja pse ligjërata e Dell-it është e rëndësishme nga pikëpamja e asaj që u tha. Që t’i shmangemi perceptimit të ligjeratës së Dell-it si të një të vërtete hyjnore për çështjet e ekonomisë (ashtu siç do të perceptohet, mbase edhe pa qëllimin e z. Dell, fjalimi i tij), le të merremi me disa nga çështjet që ngriti z. ambasador.

Teza qëndrore e z. Dell, një tezë e përmendur shpesh nga ai, është se ekonomia e Kosovës duhet të shpëtohet nga pjesëmarrja e tepërt e shtetit në të. Shteti i Kosovës, sipas Dell-it, kontrollon së tepërmi ekonominë, gjë që pengon rritjen aq të nevojshme ekonomike, për t’i dalë ballë varfërisë dhe papunësisë së madhe. Çlironi ekonominë nga shteti (të cilën ai madje e eksklamon me thirrjen “përqafojeni lirinë!”), është formula e Dell-it për zhvillim ekonomik. Burokracia dhe kontrolli i tepërt shtetëror po e ngulfatë zhvillimin. Sidomos problematike, sipas Dell-it, qenka procedura e regjistrimit të një biznesi. Ai jep fakte nga Gjeorgjia, ku thotë se reformat që çuan në shkurtimin e procedurës së regjistrimit të një biznesi të ri nga 54 ditë në 10 ditë në këtë vend është shoqëruar me suksese të hatashme në rritje ekonomike. Padyshim se qytetarët e Kosovës meritojnë të lirohen nga barra e procedurave të tepërta dhe të panevojshme administrative. Por, pse duhet, në një shtet, të jetë më i lehtë regjistrimi i një biznesi, se sa marrja e një çertifikate të lindjes, një letërnjoftimi, një pasaporte, apo, në fund të fundit, edhe e një vize? A nuk paraqesin këto barriera për veprimtari ekonomike, gjithashtu? Në anën tjetër, regjistrimi i bizneseve në Kosovë nuk duket të jetë problem më i madh se sa ai i strukturës dhe kapaciteteve të tyre. Sipas të dhënave të Entit Statistikor, gjatë çerekut të fundit të vitit 2009, 73 mijë bizneseve të regjistruara të Kosovës i janë shtuar 1800 biznese të reja. Problemi është se 89 për qind e bizneseve janë në pronësi individuale, 98 për qind janë mikrondërmarrje (me 1-9 punëtorë) dhe 45 për qind të tyre aktivitet kryesor kanë tregtinë. Problemi në Kosovë nuk është mungesa e ndërmarrësisë, por e strukturës ekonomike që pengon lindjen e firmave në sektorët më vitalë ekonomikë, të tillë çfarë sjellin punësim dhe rritje ekonomike.

Sidoqoftë, të shohim çfarë thotë tjetër z. Dell për pjesëmarrjen e shtetit në ekonomi. Pasi që z. Dell ngrit shumë pika, do të përqëndrohem vetëm në disa çështje.

Milton Friedman, babai i neoliberalizmit ekonomik amerikan, në libërthin e tij ideologjik Capitalism and Freedom, vendos një barazvlerë absolute midis lirisë ekonomike dhe lirisë si të tillë. Kur bën thirrje që pas liberalizimit ekonomik, ne do ta “përqafojmë lirinë”, z. Dell tregohet ndjekës i zellshëm i shkollës së Friedman-it. Kujtoj se sot ftesa për ta përqafuar “lirinë” e formës së z. Dell është e ngjashme me atë të lëvizjes radikale djathtiste e mbiquajtur “Tea Party Movement”, e cila sot ka dalë si kundërpërgjigje ndaj politikave të administratës së Barack Obamas në rrafshin e masave të ndërmarra karshi krizës ekonomike, përfshirë derdhjen e parave shtetërore për stimulim ekonomik dhe reformën e sistemit të sigurimit shëndetësor i cili ai dhe demokratët firmosën para disa muajsh. Në SHBA, shteti është në ofansivë, dhe jo në tërheqje, në intervenimet e saj në ekonomi. Këtë e bëri të domosdoshme pikërisht ajo doktrinë e promovuar nga z. Dell në Kosovë, të shpallur si të gabuar, në vetë hollin e Kongresit amerikan, nga ish-guvernatori i bankës federale, neoliberali i pandreqshëm Alain Greenspan. Duke konstatuar se kolapsi i sistemit financiar, përfshirë edhe rreziku i falimentimit të bankave më të mëdha në SHBA, ishte rezultat pikërisht i liberalizimit të tepërt të tregjeve financiare (“lirisë” së z. Dell), pikërisht sot administrata e Obamas dhe Kongresi po shqyrtojnë masa për shtimin e rregullativave dhe mbikëqyrjes shtetërore të sistemit financiar. Nevoja për reformë në sistemin e mbrojtjes shëndetësore në Amerikë, një nga sistemet më të dobëta në mbulesë të qytetarëve dhe më joefiçiente në kosto nga të gjitha vendet e zhvilluara, gjithashtu po dëshmon limitet e tregut. U desh ndërhyrja e shtetit federal, që Amerika të mos ngelet fare pa industri automobilistike dhe pa banka, ndërsa erozioni disa-dekadësh i klasës së mesme të përfundojë me kolaps. Siç është e qartë, pjesëmarrja e shtetit në ekonominë e SHBA-ve, qoftë në kontroll, qoftë në rregullim, qoftë në mbikëqyrje, qoftë edhe në mbështetje direkte me kapital, është në rritje, e jo në zvogëlim. Pa shtuar kësaj proteksionizmin që vazhdon të ushtrohet në sektorin e agrokulturës, përmes subvencioneve që shteti federal u ndan industrive bujqësore në Amerikë, rreth 20 miliardë dollarë në vit (BE-ja subvencionon agrokulturën e saj me rreth 48 miliardë euro në vit). Një studim i ekonomistit Gary Shilling tregon se 58 për qind e amerikanëve sot varen drejtpërdrejtë apo tërthorazi nga shteti për pjesën më të madhe të të ardhurave të tyre, përqindje që sipas tij mund të arrij deri në 67 për qind më 2018. Nuk e di çfarë qëndrimi z. Dell mban karshi këtyre fakteve, dhe nuk mëtoj t’i di me saktësi simpatitë politike të z. ambasador, por shihet qartë se ajo çka predikon ai në Kosovë është shumë larg nga ajo që bën shteti në Amerikë.

Padyshim se zhvillimi institucional ekonomik i SHBA-ve është i pakrahasueshëm me Kosovën, por këto që i thanë më sipër le të qëndrojnë si kut për pozicionimin ideologjik të z. Dell në raport me politikat ekonomike në vendin që ai përfaqëson. Sepse kur ai shtjellon doktrinat e tij ekonomike, ai flet nga një pozicion ideologjik, dhe jo si ekonomist apo teknokrat i zhvillimit.

Ajo që është më interesant, është se në fjalën e tij, z. Dell ndërton një imazh krejt iluziv për ndërhyrjen e tepërt të shtetit në ekonominë kosovare. Z. Dell pohon se në Kosovë, shteti ka kontroll të tepërt mbi ekonominë. Përkundrazi, shteti i Kosovës është tepër pak i përfshirë në planifikim për zhvillim ekonomik, ndërsa i mungojnë disa nga levat themelore të politikave makroekonomike. Shteti i Kosovës, përmes Bankes së saj Qëndrore, nuk ka kontroll mbi normat e kamatave bankare – meqë nuk emeton monedhë, BQK nuk ka kontroll mbi lëshimin dhe tërheqjen e saj, dhe rrjedhimisht mbi shkallën e inflacionit. Si pasojë e këtij sistemi financiar, Kosova gëzon sot normat më të larta të interesit për kredi në Ballkan, mbase edhe në Evropë. Shteti i Kosovës zbaton politikë të hapur tregtare, duke ndjekur me përpikëmëri reçetën neoliberale të favorizuar nga z. Dell; si pasojë, Kosova është shndërruar në ekonomi profitabile për gjithkë përveç se prodhuesit e saj, të lënë krejtësisht pasdore dhe pa përkrahje. Këta prodhues do të mirëpritnin ndërhyrjen e shtetit në përkrahje të tyre, e nuk e konsiderojnë atë si barrë të tepërt, siç beson z. Dell. Edhe paratë e Trustit Pensional, si ato të fondit të privatizimit, të gjitha qëndrojnë jashtë ekonomisë së Kosovës, me arsyetimin se fondet jashtë qenkan investime më të sigurta. Nëse është më sigurt për paratë, atëherë duhet të jetë më sigurt edhe për njerëzit, prandaj pse të mos boshatiset fare Kosova nga e gjithë popullata e saj, për të kaluar në vendbanim në shtetet ku janë investuar paratë e tyre? Por, të lëmë ironinë mënjanë, për të theksuar se të gjitha këto ndryshime kërkojnë ndërhyrje të shetit dhe nuk janë çështje që zgjidhen nga sektori privat.

Dell gabon kur thotë se shteti i Kosovës ka kontroll të tepërt mbi ekonominë, mirëpo ai nuk ka gabuar nëse ka menduar se shteti i Kosovës ka pjesëmarrje të madhe të GDP-në (bruto prodhimin) e vendit karshi sektorit privat. Shpenzimet buxhetore të shtetit llogaritën të jenë diku rreth 60% e GDP-së, që është pjesëmarrje jashtëzakonisht e madhe. Prandaj z. Dell ka të drejtë kur angazhohet për rritje të sektorit privat, sidomos atij të prodhimit dhe eksportit, që mund të jenë burime të mbivlerës për ekonominë kosovare. Çështja është se, edhe në këtë kahje, shteti mund të luajë rol shumë më aktiv se sa t’i thjeshtëzojë procedurat e regjistrimit të bizneseve apo të marrjes së lejeve të eksportit. Ai mund të mbështes zhvillimin e sektorit privat, sidomos në fushat e prodhimit, me planifikim sektoral, me kredi, me investime në arsim dhe shkencë, si dhe me subvencionime të drejtpërdrejta (si p.sh. në bujqësi). Marrja e iniciativës për zhvillim ekonomik nga shteti nuk ka asgjë të bëjë me kufizimin e lirisë, madje, është pikërisht ngelja e kosovarëve në varfëri ajo që paraqet rrezikun më të madh për lirinë dhe demokracinë.

Por në momentin aktual, kuptohet, deklaratat e z. Dell lidhen më së shumti me privatizimin e ndërmarrjeve publike të Kosovës. Në konceptin e z. Dell, ndërmarrjet publike janë një e keqe e madhe që nuk duhet të ekzistojë. Kështu z. Dell angazhohet për shpronësimin e popullit të Kosovës nga asetet e tij publike, në çka gjen mbështetjen e plotë të qeverisë aktuale. Sipas kësaj, shteti i Kosovës duheshka të heqka dorë nga sektorët e telekomunikimit, i transporteve, i energjetikës, i minierave dhe i të gjitha fushave kyçe, edhe kur ato janë profitabile. Të mbrosh sektorin publik nuk do të thotë t’i thuash jo investimeve të jashtme, por ajo që po propozon z. Dell (ndërsa po implementon qeveria e tashme) është që shitja e aseteve publike të shërbejë si zëvendësim për këtë të fundit, për t’u çliruar shoqëria kosovare edhe nga ata pak sektorë të mëdhej ekonomik që mbesin nën kontroll të saj. Në vend se investimet e jashtme të orientohen drejt krijimit të sektorëve të rinjë të ekonomisë (që është strategjia e ndjekur nga shumë shtete në zhvillim), z. Dell angazhohet që përfitimet e sektorëve ekzistues të përvetësohen nga kapitali i huaj. Me një fjalë, sipas z. Dell, ekonomia vendore në Kosovë duheshka të përbëhej nga shitësit e vegjël dhe importuesit; ndërmarrjet e mëdha prodhuese dhe shërbyese duhet të jenë zotim i kapitalit të huaj. Ashtu siç ekspatriatët dominojnë Kosovën politikisht, do ta dominojnë Kosovën edhe ekonomikisht. Pa autonomi politike dhe ekonomike, çfarë distance pastaj do ta ndajë Kosovën nga një koloni klasike?

Sidoqoftë, shteti ka shumëçka që të bëjë në zhvillimin ekonomik – jo vetëm rritje ekonomike, por zhvillim të gjithmbarshëm. Si adhurues i shkollës së Çikagos, z. Dell duhet të kujtojë se, contra doktrinës friedmaniane, kapitalizmi neoliberal nuk është i barazvlefshëm me lirinë politike. Këtë na e demonstroi gjatë 1980-ave regjimi i Pinochet-së në Çili, ku doktrinat që promovon z. Dell gjeten zbatim të plotë në kushtet e një diktature ushtarake. Rritja ekonomike kapitaliste bashkëjeton bukur mirë me regjime autoritare, siç dëshmojnë Singapuri dhe Kina, ashtu si profitet enorme të korporatave multinacionale bashkëjetojnë bukur mirë me skamjen dhe mizerien e përgjithshme, siç na vërtetojnë shumë shtetet të ish-Botës së Tretë, në rang me të cilat Kosova rreshtohet shumë më parë se sa me shumë shtete evropiane. Por, këto janë çështje sekondare. Z. Dell duhet ta dijë këtë edhe nga historia e vendit të tij, dhe New Deal-it të presidentit Franklin D. Roosevelt, i cili me programe masive publike nxorri SHBA-të nga Depresioni i viteve 1930 dhe hapi rrugën për zbutjen e pabarazive dhe zhvillimin enorm të SHBA-vë pas Luftës së Dytë Botërore. Nuk është ekstremiste ta pranosh rolin e shtetit në zhvillim, dhe faktin se tregu është, në instancë të fundit, produkt politik dhe institucional. Ekstremizmi qëndron me ata që mohojnë faktet dhe historinë dhe insistojnë në fantazira ideologjike për një “liri” që ekzistoka pa shtetin dhe kundër tij.

Një mendim mbi “Utopia e ekonomisë pa shtet

  1. Excluding some of Mr. Dell’s glaring misconceptions on the relationship between “personal freedom” and “economic freedom” his underlying message of the role of policy learning –against the background of “outdated” economic infrastructure in Kosova—in a transitional state (not consolidated) is something worth noting (I disagree with his comparative “study”). I personally believe that Kosova suffers from an outdated doctrine of economic organization. Political mismanagement, notwithstanding (e.g corruption), a new economic doctrine of “efficient” management is imperative for Kosova’s long term prospects. I, too, believe that a new bargaining arrangement (e.g Wilensky) between the government and the economic interests—taking into consideration societal interests (something Mr. Dell fails to mention)—must be accomplished so that this “new” structure (political economy) promotes economic growth (and improves personal wellbeing).

    But, here lies the conundrum: by focusing solely on “horizontal” development (vis-à-vis government and the economic interests) and by completely ignoring the civil society’s role in economic innovation (horizontal development) greatly reduces the people’s chances in participating in the economy (and society). How is this not constraining personal freedom (I might ask Mr. Dell)?

    First and foremost, we need a policy (or philosophy) of proportional development (horizontal –Y axis—vertical X-axis) between these two sectors: economy and the society. The positive consequences associated with “policy learning” in fostering political (economic and social) development (by using World Bank’s policy suggestions and looking at other states in transition) wont ameliorate problems associated with unemployment (see previous paragraph). I would recommend to Mr. Dell that instead of turning to the Republic of Georgia for education, and instead focus our attention toward European states and their system of political economy as a point of reference. There is very little to learn from countries (states) outside our geographic circumference which Mr. Dell uses to build his argument (e.g Zimbabwe and Gerogia).

    Furthermore, although, scientifically immeasurable, Kosova’s unique political culture may prove to be an obstacle to Mr. Dell’s suggestions of “policy learning” (as you demonstrated in your article). Nevertheless, I agree with Mr. Dell that the state should not have a direct role in controlling the economy. Besides acting as an advocate for societal interests (in the aforementioned bargaining structure) the government should be there only for monitoring purposes (as it is in the U.S) and act only to correct a detrimental course of action (as it does in the U.S). Also, historically speaking, this action on behalf of the government in the U.S followed after an exogenous effect (e.g Depression of 1929 and the current financial crisis, to name only two) and in the case of the big depression of 1929, it was corrected not only as a result of FDR’s New Deal policies, but as a result of the manufacturing boom associated with WWII. In fact, one can make the argument that most of the new deal policies (with the exclusion of the Social Security Administration) were ineffective. With regard to the current financial crisis in the U.S (in an era of a mostly service economy) the current policy of pumping money into the economy and bailing out insolvent banks is the only logical way to go (Almunia et al 2009).

    I would also venture to argue that the current political class would very well agree with your conclusions, although they may lack the capacity to do anything about it.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s