Home

Korrupsioni është padyshim një nga temat kryesore të debatit publik, kurse një prej shkaqeve të përfolura për mosndaljen e korrupsionit është, siç thuhet shpesh, mosefiksasiteti i sistemit të drejtësisë, në veçanti të prokurorëve dhe gjykatësve, në ngritjen e akuzave dhe dënimin penal të rasteve të mëdha të korrupsionit.

Mungesa e rasteve të gjykimit kundër aferave korruptive në qeveri dhe në administratë, përkundër shumëfishimit të instancave dhe zyrave qeveritare të angazhuara në luftë kundër korrupsionit, përkundër indikacioneve të qarta dhe të dokumentuara të keqpërdorimit të fondeve publike, shpesh ka çuar gazetarë, komentatorë medialë, por edhe qytetarë të rëndomtë, në përfundimin se një nga problemet themelore në Kosovë është mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë në luftimin e korrupsionit. Përshtypja është që në Kosovë nuk funksionin sistemi i drejtësisë, se korrupsioni shtrihet edhe brenda sistemit penal, se hetuesia, prokurorët dhe gjykatësit janë qoftë vetë të implikuar në korrupsion, qoftë të kërcënuar e të shantazhuar që të mos ndërmarrin asnjë gjykim të profilit të lartë kundër bosëve të lartë politikë në qeveri.

Një gjë të tillë e vërtetojnë burime të ndryshme që kanë analizuar nga afër punën e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Kritika drejt sistemit të drejtësisë i ka drejtuar Raporti i fundit i Këshillit Evropian, i cili konsideron se prokuroria dhe gjykatat janë pamjaftueshëm të angazhuara në luftë kundër korrupsionit. Sipas një raporti mbi sistemin e drejtësisë të hartuar nga organizata Çohu vitin e kaluar, Agjensioni Kosovar Kundër Korrupsionit (AKKK) gjithashtu ka nënvizuar sistemin gjyqësor si një nga resorët me numrin më të madh të rasteve të dyshuara të korrupsionit, pas qeverisë, për vitin 2008. Në raportin e fundit (2009), sipas AKKK sistemi gjyqësor tejkalon edhe qeverinë me raste të raportuara të korrupsionit.

Por, megjithëse është e vërtetë se sistemi i drejtësisë, edhe pse nën administrimin e pjesshëm të EULEX-it, nuk ka ndërmarrë deri më tani asnjë masë penale kundër çfarëdo zyrtari të lartë kundër korrupsionit, a është e saktë të thuhet se në Kosovë kemi të bëjmë me një sistem të drejtësisë totalisht joefektiv? Siç dihet, si nga UNMIK, tani edhe nga EULEX-i, sistemi penal ka qenë një nga prioritetet e investimit institucional në Kosovë, madje në shkallë më të lartë ndoshta se çfarëdo sektori tjetër i administratës shtetërore. Policia e Kosovës shpesh është marrë nga institucionet ndërkombëtare si model për rajonin; janë bërë investime në modernizimin e gjykatave dhe burgjeve, si dhe në trajnimin e prokurorëve dhe gjykatësve. Ku shihen efektet e këtij investimi?

Në fakt, sistemi i drejtësisë në Kosovë ka shënuar shkallë të theksuar rritjeje të efiçiencës në vitet e fundit. Pyetja është, ku është ndjerë kjo rritje e kapaciteteve, apo më saktësisht, cilat segmente të shoqërisë e kanë ndjerë këtë rritje të efiçiencës së sistemit penal dhe gjyqësor? Ashiqare, kjo rritje e efiçiencës (me përjashtim të rasteve, patjetër të motivuara politikisht, të gjykimeve kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së për krime të bëra para dhe gjatë luftës), deri më tani nuk ka prekur njerëzit në pushtet, njerëzit me lidhje me njerëzit e pushtetit, dhe të tjerë të kësaj kategorie sociale.

Për çfarë rritje të efiçiencës është fjala? Në fakt, statistikat zyrtare na bëjnë të njohur se në vitin 2003 janë zhvilluar 4.870 dënime për penale në gjykatat komunale (duke përjashtuar të miturit), ndërsa në vitin 2007 ky numër ka arritë në 11.096, domethënë për katër vjet kemi të bëjmë gati me një trefishim të numrit të të dënuarve! Jo vetëm kaq, por nëse llogarisim numrin e dënimeve (fjala është gjithmonë për dënime për ato raste që Kodi Penal i Kosovës i përkufizon si krime penale, jo për dënime për kundërvajtje, nga të cilat ka pasur mbi 130.000 raste në gjykata), del se numri i dënuarve penal në Kosovë (nëse supozojmë një popullsi, sipas vlerësimeve të Entit Statistikor të Kosovës, prej 2.100.000 banorë në vitin 2007) është 528 për çdo 100.000 banorë, shkallë që nuk është e vogël.

Shifra e të dënuarve nuk ka rënë as për vitin 2008, që është viti i fundit për të cilin janë botuar të dhënat. Të dënuar në Gjykatat Komunale gjatë këtij viti kanë qenë 10.785, ndërsa 1.687 nga Gjykatat e Qarkut. Rreth 70 për qind të rasteve në Gjykatat Komunale përfundojnë në aktgjykim dënues; për Gjykatat e Qarkut ky numër rritet në 85 për qind të rasteve. Pra në pjesën më të madhe, rastet që dalin para gjykatave përfundojnë në dënime. Ajo çka përbën interes është struktura e dënimeve të shqiptuara gjatë këtij viti, që tregon mjaft se çfarë lloji krimesh dhe, rrjedhimisht, cilat segmente shoqërore (meqë lloji i kriminalitetit lidhet ngushtë me pozitën shoqërore) janë në shënjestër të sistemit penal në Kosovë.

Pas qëndrimit të tij në burg gjatë vitit 2007, Albin Kurti në disa deklarime publike pat treguar se çfarë profili kriminelesh ka takuar nëpër burgjet e Kosovës. Sipas tij, aty nuk kishte takuar ish-zyrtarë, politikanë, menaxherë të ndërmarrjeve, bankierë, e as biznesmenë të mëdhej. Aty kishte takuar kriminelë ordinerë, ndonjë hajn që ka vjedh 100 euro nga arka e ndonjë minimarketi, ndonjë fallsifikator dokumentesh, e të tillë. Kjo përshtypje personale e Albinit e krijuar gjatë frekuentimit të tij të detyruar në burgjet e Kosovës, reflekton edhe në strukturën e krimeve të dënuara nga gjykatat. Rastet më të shumta janë të dhunës personale (mbi 1000 raste), kërcënimeve (afër 500 raste), falsifikime dokumentesh (mbi 1000 raste), veprim kundër rendit publik (mbi 2000 raste) dhe mbi të gjitha vjedhje (mbi 3000 raste, afër 4000 nëse përfshihen edhe rastet e vjedhjeve të pyjeve). Mbi 96 për qind të të dënuarve janë meshkuj. Kjo nuk nënkupton ndonjë mbrojtje të veçantë ligjore për femrat, sepse në vitin 2008 vetëm një rast dënimi (!) ekziston për dhunim seksual.

Gjithë këto fakte tregojnë se nuk është e saktë të thuhet se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk funksionon. Ai funksionon relativisht mirë, por funksionon vetëm për disa: hajnat e vegjël, mashtruesit e ndryshëm, fallsifikatorët, meshkuj që kapen në akte të dhunës ndërpersonale – të gjithë, mund të supozojmë kollaj, të rinjë, të papunë, të shtyrë në krim nga nevoja për sigurimin e ekzistencës dhe mungesa e oportuniteteve për avancim legjitim shoqëror dhe ekonomik. Por, përderisa pjesa më e madhe e përndjekjeve penale drejtohen në këto raste dhe ndaj kësaj kategorie shoqërore, duhet theksuar se në vitin 2008 ka pasë përndjekje penale edhe kundër abuzuesve të detyrës zyrtare: 72 raste, ndërsa katër prej tyre kanë përfunduar në dënime relativisht të larta, prej 2-5 vjet. Por këto rubrika sikur duhej të dukeshin më të plota në ditët e sotme, të paktën sipas atyre që na tregon AKKK, mediat dhe organizatat joqeveritare që merren me dokumentimin e korrupsionit. Aq më pak kur nga këto 72 raste, nuk kemi dëgjuar për ndonjërin të ketë qenë nga qeveria apo administrata e lartë e shtetit, pra sipas të gjitha gjasave kemi të bëjmë me nëpunës të ulët të administratës apo të nivelit komunal.

Sidoqoftë, ajo që është e qartë është që përfundimisht, problemi në Kosovë nuk është mosfunksionimi i gjykatave dhe i sistemit penal. Problemi është, dhe vazhdon të jetë, çështja se ku janë orientuar prioritetet dhe mjetet e sistemit të drejtësisë. Ai sot merret kryesisht me llojet e kriminalitetit që janë pasojë e krizës sociale në Kosovë, pra një aparat shtetëror i drejtuar në radhë të parë kundër të varfërve dhe të margjinalizuarve të shoqërisë, përderisa krimet më të mëdha të këtij vendi jo vetëm kalojnë pa u dënuar, por shpërblehen në të gjitha aspektet. Për këtë imunitet juridik dhe politik që gëzon krimi i lartë në Kosovë, ndër të tjera, padyshim se duhet t’i shprehim mirënjohjet tona edhe EULEX-it.

Botuar te Koha Ditore, 7 prill 2010 dhe te Gazeta, Nr. 12 (26), 7 prill 2010


Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s