Home

Këto ditë u kumtua lajmi për gjykimin e sërishëm të Albin Kurtit, kësaj radhe nga prokuroria dhe gjykatësit e EULEX-it. Albin Kurti kishte qenë më parë subjekt i drejtësisë ndërkombëtare, duke u gjykuar nga prokuroria dhe gjykatësit e UNMIK-ut në vitin 2007. Atëherë, sikur kësaj radhe, akuza është e njëjtë, dhe ka të bëjë me rolin e tij në protestën e Lëvizjes Vetëvendosje të shkurtit 2007, e cila kishte rezultuar në vrasjen e dy protestuesve nga policia ndërkombëtare dhe lëndimin e dhjetëra të tjerëve nga dhuna policore. Atëherë, sikur sot, kemi të bëjmë pak apo aspak me drejtësinë, dhe shumë me përdorimin politik të instrumenteve ligjore dhe represive kundër kundërshtarëve politikë të regjimit aktual dhe të kritikëve të sundimit ndërkombëtar në Kosovë.

Pavarësisht se sa kanë luajtur rol motivet politike në nxitjen e vendimit të prokurorisë së EULEX-it për rigjykimin e Albinit, këtu qartë kemi të bëjmë me një rast ku ligji, përmes kryerjes së një padrejtësie, shërben si mjet për legjitimimin dhe shpërlarjen e padrejtësive tjera. Në fakt, kemi të bëjmë me një varg padrejtësish, që ndjekin pas si fantazmë karrierën gjyqësore të kësaj lënde.

Padrejtësia e parë është vetë lënda gjyqësore si e tillë. Gjykimi kundër Albin Kurtit, i mbajtur gjatë vitit 2007 nën përkujdesjen e prokurorisë së UNMIK-ut, u dëshmua atëbotë si një debakël total juridik. E para, ekzistonte një kontest serioz rreth bazës materiale të akuzës, që pandeh se Albini ka nxitur turmën në dhunë gjatë protestës së Lëvizjes Vetëvendosje të shkurit 2007. Nga video-xhirimet e protestës, që janë të shumta dhe gjehen kollaj në Internet, shihet qartë se elementi i dhunshëm në demonstratë kanë qenë jo protestuesit, por policia. Sipas hetimeve të bëra nga një panel i UNMIK-ut, është konstatuar se njëri nga viktimat e protestës është qëlluar nga pas, domethënë kur ka qenë në ikje e sipër nga policia, që tregon se në këtë rast, dhuna policore është përdorur në ofansivë, jo në mbrojtje. Për më tepër, në asnjë moment nuk ka pasë sulm nga protestuesit kundër policisë e as vërsulje drejt ndërtesave qeveritare që policia ka qenë angazhuar t’i mbrojë. Përgjegjësi kryesor për eskalimin e dhunës në protestën e shkurtit 2007 kanë qenë dhe janë njësitet e policisë së UNMIK-ut.

E dyta, për ta mbuluar skandalin e vet, atë të policëve rumunë të UNMIK-un që efektivisht ekzekutuan dy protestues, ajo tentoi që përgjegjësinë t’ia hedhë Albinit si udhëheqës të protestës, të organizuar nga një lëvizje që nuk bëri asgjë më shumë se sa të ushtrojë të drejtën elementare qytetare për t’u tubuar dhe shprehur pakënaqësinë e vet. E treta, gjykimi që pasoi u ndoq gjatë tërë kohës me gabime serioze procedurale, ikjen e njëpasnjëshme të avokatëve mbrojtës dhe arrogancën e gjykatësve që tejkalonte çdo mandat juridik. Për shkak të paaftësisë dhe jokompetencës së prokurorëve dhe gjykatësve ndërkombëtarë, Albini vuajti nëntë muaj nëpër burgje – edhe pse gjykata nuk arriti të dëshmojë asnjëherë se Albini ka kryer çfarëdo akti kriminal. Mirëpo, nga fakti se procesi gjyqësor tani, me EULEX-in, nuk vazhdon, por fillon nga e para (efektivisht duke e gjykuar Albinin dy herë për të njëjtën akuzë, diçka që është e ndaluar me ligj), kjo i bie që, sipas EULEX-it, Albini kurrë nuk ka qenë në paraburgim, me çka hapet rruga për burgosje të sërishme, pavarësisht nëse gjyqi arrin të dëshmojë fajësinë kriminale apo jo.

Dhe, padyshim, padrejtësia më e madhe është se vrasësit e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, dy protestuesve që e pësuan fatalisht më shkurt 2007, asnjëherë nuk u sollën para asnjë gjykate. Shpejt pas incidentit, UNMIK-u liroi nga detyra njësitin rumun, i cili me shpejtësi iku andej prej nga erdhi, që vrasësit të vazhdojnë jetën e tyre thuajse nuk ndodhi asgjë, aq më tepër duke u kompezuar për “shërbimet” e tyre me pagë nga buxheti i OKB-së. Paneli hetues i UNMIK-ut, në raportin e tij të qershorit 2008, konkudoi se vrasjet e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt ishin “të panevojshme dhe të shmangshme”, dhe se kishin ndodhur nga përdorimi i tepërt i dhunës policore. Por, në vend të drejtësisë për viktimat, atëherë, sikur sot, gjykohet Albin Kurti, në një përpjekje për ta bërë atë përgjegjës për dhunën e asaj dite, dhe duke tentuar që t’i dërgojë mesazh të qartë kërcënues Lëvizjes Vetëvendosje dhe çdo lëvizje tjetër që me kërkesat dhe veprimet e tij tejkalon kufijtë e të lejueshmës politike në Kosovë.

I ballafaquar me dështimin e tij të radhës, pasi që po dëshmohej se UNMIK-u nuk di të organizojë as dhe një gjykim të mirëfilltë (duke dështuar, madje, në aspektet më elementare teknike dhe formale të gjykimit), më 2007 gjykata papritur kishte pezulluar lëndën. Por kjo, tashmë është e qartë, ishte taktikë vonuese – rasti do të futej në sirtar (përkujtojmë se kjo ishte periudha e ndjeshme e negociatave për statusin e Kosovës) deri në ardhjen e një momenti më të përshtatshëm politik për rinisjen e procesit. Në ndërkohë gjykimi kishte shërbyer funksionin politik të mënjanimit të Albin Kurtit nga çfarëdo interventimi dhe veprimtarie politike gjatë periudhës së negociatave të liderëve kosovarë me Serbinë, duke e izoluar atë në burg dhe duke tentuar që me këtë të dëmtohet dhe të dobësohet Lëvizja Vetëvendosje e cila ishte e vetmja forcë politike që aktivisht kundërshtonte negociatat dhe Pakon e Ahtisaarit.

Atëbotë mësuam edhe diçka nga puna e aparateve të sigurisë në Kosovë. Kjo është se sipas tyre, jo të gjithë të akuzuarit janë të njëjtë. Përderisa të akuzuarit me lidhje të fuqishme politike lirohen për t’u mbrojtur në arrest shtëpiak, lihen të shëtisin lirshëm, gjatë gjykimeve i “humbin” dëshmitë dhe dëshmitarët etj., disa të tjerë kategorizohen si “shumë të rrezikshëm” (siç u kategorizua Albini) dhe ndaj tyre përdorën masa të veçanta izoluese. Nëse niveli i demokracisë në një shoqëri shihet nga veprimtaria e aparateve të tij të sigurisë, e kuptuam se ky aparat në Kosovë funksionon në formë selektive dhe përjashtuese, duke penalizuar të pafuqishmit dhe duke garantuar imunitet për të fuqishmit. Ky regjim, padyshim, vazhdon edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në emër dhe firmë.

Padrejtësia sot sërish shfaqet nën firmën e sundimit të ligjit, që kësaj radhe mban mbiemrin EULEX. E para, vetë fakti se gjykatat në Kosovë mund të hapin një lëndë, ta pezullojnë atë për një kohë, dhe ta rihapin sërish në të ardhmen përbën asgjë më shumë se sa një mekanizëm shantazhi politik. Aq më tepër kur i akuzuari vuan burgim pa iu shqiptuar asnjëherë asnjë dënim. Këtu qartazi kemi të bëjmë shumë pak me ligjin dhe drejtësinë, e shumë më tepër me presionin politik që drejtohet apo gëzon mbështetjen e qarqeve të larta politike të EULEX-it dhe kompleksit diplomatiko-politik të Prishtinës që qëndron mbrapa tij.

E dyta, fakti se mu kjo lëndë është prioritet i lëndëve në sirtarin e EULEX-it flet shumë për karakterin e këtij institucioni. Qytetari mesatar në Kosovë ka shpresuar se EULEX-i do të angazhohet për të ndalur format më flagrante dhe më të rënda të kriminalitetit në Kosovë, disa nga të cilat ndodhin brenda apo nën ombrellën e qarqeve të larta politike. Mirëpo, po bëhet e qartë se EULEX-i preferon të gjykojë figura publike të pavarura si Albin Kurti, që nuk kanë padronë të fuqishëm politikë, ekonomikë e diplomatikë mbrapa tyre. Gjithmonë në emër të sundimit të ligjit.

Perversitetet e shumta të këtij procesi kanë shumë pak të bëjnë me drejtësinë. Gjykimi i sërishëm i Albin Kurtit vetëm na përkujton – tragjikisht dhe revoltueshëm – për njëanshmërinë, joefektivitetetin, politizimin dhe – thjeshtë – ideologjizimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe arrogancën e një sistemi juridik që shfaqet, in flagrante delicto, duke kryer padrejtësi.

Botuar te Koha Ditore, 30 janar 2010

Një mendim mbi “Sundimi i ligjit kundër drejtësisë

  1. Duke mos dashur te behem i njeanshem ne vlersimet se a duhet apo nuk duhet te gjykohet AK, deshiroj vetem te theksoj qe motivet e ketij gjykimi dhe bazat mbi te cilat ngrihet aktakuza jane thjeshte politike! Me se shpeshti aktakuza bazohet ne faktin se tubimi nuk ka qene i lejuar! Vetem te rikujtoj se vetem nga viti 1981 e deri ne perfundim te luftes (1999) ka patur me qindra tubime, demonstrata, etj, ku jane shprehur pikepamje tjera politike e te ndryshme nga ato te qeverive te atehershme, te njejtat nuk kane qene te lejume, ka patur viktima te shumta, dhe cka eshte shum e cuditshme, shum nga organizatoret qe sot i mbushin faqet e shtypit dhe shkruajne libra per rolin e tyre ne ate kohe, sot kane pozita me randesi ne institucionet vendore! E sa i perket bashkesise nderkombtare dhe thirrjes ne imunitet, vetem te rikujtoj gjykimin e ushtareve amerikane nga SHBA per keqtrajtimet e te zanunve rob ne Irak, apo edhe ne misione tjera neper bote! Me fjale tjera, imuniteti ipet per veprime politike, e jo per krime! (rasti i Joe Trutschler). Ironi se jo mahi!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s