Home

Si i kemi punët sot me korrupsionin? Korrupsionin duhet ta kuptojmë në dy nivele: në kuptimin pozitiv (çfarë përdoret në një shqyrtim juridik apo studim sociologjik), korrupsioni është akt që shkel një normë të caktuar ligjore apo morale, përmes të cilit individi përfiton diçka në një mënyrë që nuk i takon. Mirëpo, përveç këtij përkufizimi, kemi edhe një anë tjetër të korrupsionit, shumë më të rëndësishme se ky i pari: anën fenomenologjike të tij, në kuptimin e ekzistencës kolektive të tij si diskurs, si formë ligjërimi me të cilin ndërtohet përshkrimi i jetës shoqërore. Në këtë kuptim, korrupsioni nuk është kategori që përshkruan një akt konkret, por një shënjues i përgjithshëm që mbërthen përshkrimin e tërë transformimeve politike dhe ekonomike në Kosovë që nga viti 1999. Pikërisht ky është kuptimi i saktë i korrupsionit në diskursin politik kosovar. Përderisa rastet e dënimeve përmes proceseve juridike të rasteve të korrupsionit janë të pakta dhe të neglizhueshme, diskursi i përgjithshëm dëfton se korrupsioni është i gjithanshëm dhe gjithpërfshirës. Atë e gjen që nga niveli i ulët i administratës (ku, për një shërbim të vogël, duhet të paguash rryshfet), deri tek majat e larta të politikës, ku zihen lidhje të ngushta në mes të politikës dhe biznesit, ku manipulohet me fonde publike nga e cila individë të caktuar nxjerrin përfitime personale etj. Korrupsioni prandaj nuk është vetëm akt, ai është, në këtë diskurs, gjendje shoqërore. Është pjesë normale e rregullimit shoqëror gjatë “tranzicionit”, ku gojëdhënat dhe thashethemet për aferat e ndryshme korruptive të filanit apo fistekut shpërthejnë si rrufe nëpër diskutimet private. Ky diskurs nuk është i veçantë për Kosovën; të njëjtin e gjen në të gjitha vendet postsocialiste, që nga Rusia deri në Shqipëri. Aq shumë sa që mundemi saktësisht dhe pa ironizime ta mbërthejmë gjithë periudhën e “tranzicionit” në vendet e ish-Bllokut socialist në një tranzicion në një gjendje të përhershme të korrupsionit.

 

Korrupsioni, në këtë kuptim e tij si diskurs, pra, si ideologji, nuk ka të bëjë me rastet konkrete të korrupsionit, me shfaqje konkrete të tij, me një vlerë sasiore të tij. Përkundrazi, diskursi i korrupsionit përkufizohet nga papërcaktueshmëria e tij: sipas tij, në këtë kohë, GJITHKUSH është i korruptuar, aq më tepër kur fjala është për njerëzit e pushtetit – ata janë, pa dallim, të gjithë të korruptuar, të gjithë vjedhin. Por, në ekstrem, e dimë se sociologjikisht, një sistem shoqëror i tillë është i pamundur: çdo sistem shoqëror ndërtohet sipas disa normave, qofshin ato edhe perverzione të drejtpërdrejta të normave zyrtare të atij sistemi shoqëror. Korrupsioni total është i pamundur si fakt sociologjik: rezultati i tij është i imagjinueshëm vetëm në botën Hobbesiane të luftës së secilit kundër secilit, në një botë pa rregulla dhe pa kufij i cili ekziston vetëm hipotetikisht. Prandaj, vetë korrupsionin duhet ta kuptojmë si dukuri sistemike, me një fjalë, siç na mësojnë edhe studimet sociologjike, korrupsioni ekziston në vetëvete i normuar nga sistemi shoqëror: ka rregulla të korrupsionit, situata në të cilat korrupsioni është rrjedhë normale e gjërave, norma që i rregullojnë aktet korruptive (p.sh., deri në çfarë mase është e “lejueshme” që të plaçkitet paraja publike, sa është “çmimi” joformal që duhet të paguhet për një shërbim publik etj.). Korrupsioni është proces i dyanshëm: ai domosdoshmërisht kërkon dy palë, pra një bashkëveprim në krim, edhe pse palët nuk janë gjithnjë të barabarta. Në këtë mes, ndalesat formale kundër korrupsionit (p.sh. ligjet kundër vjedhjeve dhe malverzimeve me arkën e shtetit, procedura për rregullimin dhe kufizimin e shkëmbimeve monetare të fondeve publike, monitorimi publik i shpenzimeve buxhetore dhe sjelljes së zyrtarëve etj.) kryejnë efektin e nxitjes së vetë korrupsionit: me vetë ekzistencën e tyre ato provokojnë shkeljen e normës zyrtare dhe japin standardin karshi të cilit matet niveli i patologjive shoqërore. Mirëpo, ekzistenca e akteve korruptive nuk domethënë se sistemi shoqëror është disfunksional – ai mund të jetë disfunksional karshi ideologjisë dhe normave zyrtare të tij – por jo karshi ideologjive “praktike” të pjesëtarëve të saj, i cili shkon përtej normave dhe rregullave zyrtare për të pohuar se “në këtë vend/në këto rrethana, kështu bëhen punët”. Ideologjia pra nuk ekziston në rregullat formale të sistemit, por në të çarat që plotësojnë të metat e tij, që bëjnë sistemin të funksionojë si sistem.

 

Gjatë viteve 1950 dhe 1960, në sociologjinë amerikane lindi një degë e veçantë e sociologjisë që më vonë filloi të njihet si sociologjia e organizatave. Interesi i kësaj dege të sociologjisë lidhej me teoritë dominantë kohës, paradigmës së funksionalizmit, ku roli i sociologut shihej pothuajse sikur të një terapisti shoqëror, i ngarkuar me zbulimin e “defekteve” dhe “disfunksionaliteteve” dhe rasteve të “keqintegrimit” që mund të korrigjoheshin me intervenime korrigjuese politike, juridike dhe organizative. Mirëpo, ajo që zbuloi kjo degë e studimeve nuk ishte aspak në ndihmesë të “stabilizimit” të funsionimit të organizatave, por diçka shumë më subverzive: që organizatat të funksionojnë, shumë më të rëndësishme se rregullat formale, procedurat, aktet normative etj., ishin rregullat implicite, joformale, “praktike” që mundësonin akterëve të organizatës që “të kryejnë punë”. Mirëpo, duhet të shkohet edhe një hap më tej: a nuk është bota joformale e çdo organizate parakusht për ekzistencën e vetë organizatës formale? Organizimi modern burokratik prodhon anën e lapërdhishme të tij, ku që të kryhet puna dhe të nxirren rezultate efektivisht kërkohet shkelja e normave dhe rregullave formale të organizatës.

 

Lidhur me këtë, është mirë të kujtojmë një barcoletë nga koha e Enver Hoxhës. Një zyrtar i Sigurimit i drejtohet një qytetari: “çfarë mendimi ke për Patinë?!” Ky, i terrorizuar, i përgjigjet, “unë mendoj atë që e mendon ti”. Sigurimsi ia kthen: “jo, se po e mendove atë që e mendoj unë, duhet të të arrestoj në vend!”. A nuk ishin barcoletat mekanizmi ideologjik i cili plotësonte të çarat e ideologjisë së diskredituar zyrtare të sistemit socialist? Të njëjtin funksion sot, në epokën e ndërtimit të kapitalizmit, e kryen diskursi për korrupsionin. Korrupsioni rrallë herë ka objekt specifik, por kryen funksion ideologjik: Nuk është që diskursi për korrupsionin, siç thotë versioni liberal, “fsheh një të vërtetë, se zyrtarët janë të korruptuar, se biznesi është i korruptuar, por me ligje dhe implementim më të fuqishëm të tyre këto raste do të minimizohen etj.”, e vërteta është më skandaloze se kaq. Diskursi për korrupsionin, në fakt, është forma praktike e implementimit të normave dhe ideologjisë zyrtare të sistemit shoqëror (“demokracia parlamentare”, “sundimi i ligjit”, “ekonomia e tregut” etj.). Me një fjalë, duke aluduar në farsën që është ideologjia zyrtare, diskursi për korrupsionin shpreh të vërtetën e procesit historik që po e kalon shoqëria kosovare: një ndryshim radikal të kuptimeve thelbësore për normat shoqërore, të një ribërje klasore të shoqërisë dhe një rikategorizimi të hierarkive shoqërore dhe statusore. Aq sa që kjo na jep leje ta përmbysim shprehjen e dikurshme të marksizëm-leninizmit dogmatik: “rruga për në komunizëm kalon kah socializmi” (pra, që burokratizmi i tepërt socialist dhe intervenimet e ndryshme të aparatit shtetëror ishin një domosdoshmëri historike për të arritur tek një shoqëri komuniste), në këtë: “rruga për në kapitalizëm kalon kah korrupsioni” (që korrupsioni dhe të këqijat tjera janë domosdoshmëri për ndërtimin e një ekonomie kapitaliste). Këtë e dimë edhe nga Marksi, i cili kategorikisht hedh poshtë rrëfimet mitike për origjinën e kapitalizmit, që ato gjehen në natyrë, në shkëmbim, në arsye, por në procesin historik të asaj që ai e quan “akumulimi primitiv i kapitalit”. Ky proces ndodh në mënyrën më ilustrative në Anglinë e shekullin XVI, kur me ligje të reja nga Parlamenti, tokat dhe kullotat kolektive u shndërruan në prona private të aristokracisë, pas së cilave pasoi dëbimi i bujqëve dhe fshatarëve nga toka. Në këtë rast, siç shprehet Marksi, dhuna kishte funksion ekonomik, ndërsa akumulimi primitiv i kapitalit ishte parakusht për ndezjen e qarkut të akumulimit të vazhdueshëm kapitalist.

 

Nëse e marrim diskursin për korrupsion si shprehje të proceseve reale të ndërtimit të kapitalizmit (që nënkupton, në radhë të parë, formimin e një klase kapitaliste, ndërtimin, qoftë me mjete të “tregut”, siç janë monopolet dhe përvetësimi i aseteve të dikurshme publike, qoftë edhe me dhunën e plaçkitjes së hapur, shoqëruar me krijimin të hierarkive të reja shoqërore, të institucionalizimit të një sistemi klasor, të komodifikimit dhe monetarizimit të sa më shumë sferave shoqërore, të pjesëmarrjes në rrjetet e varshmërive dhe hierarkisë ekonomike globale etj.), çka nënkupton kjo për një politikë anti-korrupsion? Çka domethënë sot të denoncosh korrupsionin, pa rënë në grackën e koordinatave dominante ideologjike (“korrupsioni është i keq, por, me forcimin e shtetit, ai do të zhduket”,  apo “korrupsioni është i keq por, është i domosdoshëm për këtë fazë të zhvillimit të shoqërisë” etj.)?

 

Është interesant në këtë mes roli i ish-drejtorit në dorëheqje të RTK-së, Agim Zatriqi. Në Kosovë ka ndodhur një proces i ndryshëm nga vendet tjera ish-socialiste: përderisa atje, ishte burokracia e lartë e socializmit ajo që përfitoi më së shumti nga privatizimet dhe tregu liberal i “tranzicionit” (ku ish-drejtorët përvetësonin ndërmarrjet publike dhe shoqërore, duke u shndërruar në pronarë privatë të tyre dhe krijuar monopole të menjëhershme, ku ish-zyrtarët e sistemit socialist shpejt rimorrën pushtetin përmes zgjedhjeve etj.), diçka që prodhoi, sikur në rastin e Rusisë, një klasë të vogël miliarderësh brenda natës ndërsa varfëroi shumicën e popullatës, “korrupsioni” është asociuar shpesh me elitën ish-komuniste. “Po”, thonin liberalët e tranzicionit, “ne do të kishim demokraci, sundim të ligjit, treg të lirë etj., mirëpo problemi janë ish-komunistët e korruptuar që i zaptuan të gjitha!”. Ky diskurs u shfaq edhe në Kosovë me rastin e Zatriqit: ky akuzohej si “drejtor i keq” jo vetëm për shkak të aferave që kishin ndodhur në RTK gjatë kohës së tij, por nga fakti se Zatriqi ka qenë ish-aktivist politik në periudhën e socializmit, kishte mbajtur poste politike në ish-krahinën e Kosovës etj., pra ishte “komunist”. I njëjti diskurs përdorët edhe për gjykatësit dhe prokurorët: ata që kanë shërbyer në periudhën e krahinës së Kosovës shihen si të korruptuar, të padrejtë, të paaftë etj. (është intersant kjo marrje me kohën e autonomisë ndërsa shlyhet kujtesa e dhjetëvjetëshit nën Millosheviqin, kur shteti ishte njëmend represiv dhe i dhunshëm – ata që gëzonin privilegje politike dhe ekonomike në atë periudhë nuk shihen si problematik, nuk sfidohen dhe as kontestohet legjitimiteti i tyre). Por problemi në Kosovë është ky: Zatriqi është anomali në një kontekst ku “korrupsioni” nuk është karakteristikë e elitës ish-komuniste, por e asaj post-, madje edhe anti-komuniste. Në Kosovë, për korrupsionin nuk mund të fajësohen ish-komunistët, me formulën se, “po t’i hiqnim këta, gjithçka do të ishte në rregull”, pasi që “këta” nuk dominojnë sot në elitën politike dhe ekonomike të Kosovës.

 

Ku na lë kjo? Zhveshja e maskës ideologjike të korrupsionit si element i trashëguar nga e kaluara na e shpërfaq të vërtetën e aktualitetit historik: korrupsioni nuk është, as si ideologji, as si praktikë, mbeturinë nga e kaluara, por element konstituiv në ndryshimet aktuale shoqërore. Në këtë mes, thirrjet për forcimin e ligjit, për formcimin e shtetit, për denoncimin moral të korrupsionit janë reaksionare dhe thirrje për më tepër autoritarizëm. A nuk është po i njëjti sentimet që solli lindjen e putinizmit në Rusi, dhe nocionin e shtetit të fuqishëm, autoritar e represiv, me gjitha elementet fallike që lidhen me të? Paradoksi i këtij diskursi është se kërkesat e tij janë të realizueshme: shteti forcohet jo që të zhduk korrupsionin, por në mënyrë që të vazhdojnë më efektivisht proceset e nisura, duke vepruar në mënyra më autoritare dhe më të dhunshme, duke ngushtuar më tej hapësirat e veprimit të lirë politik e shoqëror. Prandaj, ndoshta më shumë se për denoncime të korrupsionit, sot kemi nevojë për denoncime të një sistemi politik dhe ekonomik i cili nuk mund të funksionojë pa të.

Botuar te Koha Ditore, 6 nëntor 2009

Një mendim mbi “Funksioni ideologjik i korrupsionit

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s