Home

Është bërë e zakonshme nëpër mediume informative që të theksohet rritja e popullaritetit të Kapitalit të Marksit me shpalimin shokant të krizës globale financiare gjatë muajve të fundit. Në anën tjetër, disa nga e majta tashmë kanë filluar të shpallin triumfalisht fundit e projektit neoliberal dhe ardhjen e një epoke të re ku, sipas këtyre, do të shohim ardhjen në shprehje të formave më ‘socialiste’ të organizimit ekonomik, siç janë nacionalizimi i bankave (që tashmë po ndodh gjithandej vendeve postindustriale), taksa në shkallë progresive dhe masa të tjera që i japin fund ekceseve të kapitalizmit financiar që ishin shkaktarët fundamental të krizës aktuale. Në Amerikë kjo frymë ka marrë hov gjithashtu me fitorën elektorale të Barack Obama-s dhe të demokratëve, duke shpallur kështu sipas disave një epokë të re post-neoliberale.

Rreziku i pranimit të kësaj narrative qëndron në atë se ai fokusohet në trendet afatshkurtëra dhe nxjerr krizën aktuale nga kuadri më i gjerë i transformimeve ekonomike që kanë ndodhur gjatë tri dekadave të fundit në vendet e zhvilluara kapitaliste. Padyshim, edhe ekonomistët më të regjur neo-klasikë (baballarët ideologjikë të neoliberalizmi) kanë parasysh se kriza e sotme tejkalon përmasat e një krize “normale” ciklike të akumulimit kapitalist, të të ashtuquajturve “business cycles” në të cilat tregu i riadaptohet një ekuilibri të ri të raportit ofertë-kërkesë. Kriza dhe falimentimi i shpejt i shumë bankave dhe institucioneve financiare dhe e institucioneve të mëdha të siguracioneve sikur American International Group (AIG), në një formë që përnjeherë kanë reduktuar praninë e kreditit në ekonomitë e zhvilluara (aq të domosdoshëm për investime si dhe për mbajtjen e nivelit të konsumit) qartazi shkon përtej një krize afatshkurtër dhe një tkurrje normale ekonomike çfarë pritet prej një recesioni. Intervenimi i paprecedent i shteteve në subvensionimin e humbjeve ekonomike të bankave dhe institucioneve financiare të mëdha dhe humbja e qindra triliardë dollarëve në vlerë të tregjeve globale financiare dëshmon për shkallën e jashtëzakonshme të krizës aktuale. Kjo, natyrisht përbën vetëm efektin ekonomik të krizës. Efekti i tij përmes ngarkesave të përnjëhershme që ajo i ka bërë buxheteve shtetërore, duke shkaktuar rënien e të hyrave tatimore, obligimin për të ndërhyrë me para të reja në ekonomi për të parandaluar një kolaps total ekonomik, ngarkesat e reja në shërbimet sociale si pasojë e rritjes së papunësisë, janë pasojat tjera të krizës të cilat tashmë po gjenerojnë dinamika dhe kriza të reja politike në gjithë globin.

Tashmë për shumëke është gjithashtu i qartë shkaku themelor i krizës. Ishte vetë aparatura globale financiare që, përmes produkteve ‘inovative’ financiare, të të ashtuquajtura ‘securitization’, e nxitur nga korniza e dobët rregullative e favorizuar me dekada nga ideologjia neoliberale (nocioni që tregu nuk ka nevojë për mbikëqyrje sepse vetëvetiu korrekton gabimet e veta etj.) dhe dominancës gjithnjë e më të madhe të kapitalit financiar karshi atij prodhues si motor të akumulimit kapitalist, ajo që ushqeu rritjen spekulative të profitit përmes investimeve financiare. Rritja ndodhi pothuajse krejtësisht në krah të tregjeve të patundshmërisë, ku përhapja e kredive nxiti blerjen masive të patundshmërive, gjë që artificialisht ngriti çmimet e tyre deri në shkallën kur mospagesat e kredive nga blerësit çoi në tërheqjen e tyre nga tregu, ndërsa bankave u mbetën në duar prona të lidhura për letra krediti pa vlerë në treg. Kolapsi i këtij tregu spekulativ, në në vitin 2008 kishte vlerë nominale prej afër 800 biliardë dollarëve (11 herë më e madhe se gjithë ekonomia globale), mbi të cilin ishte ndërtuar ngrehina e re financiare, ishte nyja e parë në zinxhirin financiar që tërhoqi me vete struktura të tëra financiare, duke na çuar në situatën në të cilën gjendemi sot.

Reagimi i disave është që kriza dëshmon për nevojën e rikthimit të rregullimit, kontrollit dhe monitorimit shtetëror të aktiviteteve në tregjet financiare, proces që gjithashtu ndodhi pas kolapsit financiar të viteve 1930. Mirëpo kjo pikëpamje e ngushtë e aspektit rregullativ lë jashtë procesin e transformimeve institucionale të post-fordizmit, ku duhet ta kërkojmë shkakun më të madh të situatës së sotme politike dhe ekonomike. Teoria e fordizmit/post-fordizmit rrjedh nga e ashtuquajtura Régulation School e teorisë ekonomike, por që në dallim prej ekonomisë neo-klasike, koncepton kapitalizmin si një formë ekonomike që është në varshmëri të drejtpërdrejtë me institucionet dhe normat jo-ekonomike. Régulation School merr seriozisht vështrimin e Althusser-it se ajo që e dallon historikisht një formacion shoqëror kapitalist (kundrejt atij feudal etj.) është dominanca e instancës ekonomike mbi instancat tjera shoqërore, dukuri kjo e vënë re për ekonomitë e tregut edhe nga babai i traditës institucionaliste në ekonomi, Karl Polanyi. Kundrejt determinizmit njëkahësh të marksizmit ortodoks (se struktura ekonomike është shkak i superstrukturave shoqërore, politike dhe ideologjike), Régulation School kupton instancat apo fushat e ndryshme institucionale të një formacioni shoqëror si potencialisht autonome, megjithëse të ndërlidhura në mënyrë sistemike, përmes të ‘coupling’ (ndërlidhjeve komplekse kauzale por që megjithatë veçojnë dy sisteme kauzalisht të pavarura). Kjo e bën Régulation School më të afërt me traditën institucionaliste në sociologji se sa me ekonominë neoklasike apo edhe me ekonomitë politike klasike marksiste. Si pasojë, Régulation School thekson se kapitalizmi, në instancë të fundit, varet nga një mënyrë e riprodhimit (mode of reproduction) që krijon kushtet si shoqërore dhe kulturore (përmes vlerave shoqërore, institucionale etj.), si ato ekonomike (të regjimeve të akumulimit të kapitalit) për zgjerimin e qarqeve të prodhimit, qarkullimit dhe konsumimit të kapitalit. Mënyra e riprodhimit përbëhet nga dy elemente: mënyra e rregullimit shoqëror (institucionet, normat shoqërore, ideologjia etj.) dhe nga regjimi i akumulimit (rrjetet dhe strukturat të prodhimit dhe konsumit që mundësojnë akumulimin afatgjatë të kapitalit). Dyja këto struktura kanë pësuar ndryshime gjatë tri dekadave të fundit.

Sipas teoricientëve të Régulation School, ajo që vështrojmë në vendet e zhvilluara kapitaliste, që nga kriza ekonomike e viteve 1970 është një ristrukturim ekonomik që po zëvendëson formën e dikurshme ekonomike të mbështetur në rolin qëndror të shtetit në zhvillimin ekonomik dhe në nivelizimin e ekstremeve të pabarazive shoqërore përmes ndërhyrjeve Keynes-iane, një mënyrë e rregullimit që ata e quajnë Fordizëm, në një formacion të ri post-fordist. Post-fordizmi është pasojë e kontradiktave të vetë fordizmit, por edhe të transformimit në shkallë të rrjeteve të qarkullimit të kapitalit ku një ekonomi relativisht e vetëpërmbajtur kombëtare e një shteti është zëvendësuar me një ekonomi të ndërlidhur globale si një sferë gjithnjë e të unifikuar të investimit, prodhimit dhe konsumimit transnacional të kapitalit. Për dallim nga sistemi fordist, postfordizmi mbështetet në “akumulimit fleksibil”, që domethënë dominancën e kapitalit financiar, fluiditetin (dhe globalizimin) e qarqeve të prodhimit, me pasojë edhe “kazualizimin” e punës nga një garancë shoqërore çfarë ishte në fordizëm në një pozicion të pasigurt dhe të përkohshëm që çon komodifikimin individual në shkallë të reja duke kërkuar nga individi punonjës që të jetë “fleksibil” në tregun e punës për shkak të jostabilitetit të strukturës ekonomike, të ndjekur me erozionin e të drejtave të punës (pjesërisht pasojë e dobësimit të organizimit sindikal), humbjen e vlerës së punëtorit (sidomos në rangjet e ulta të tregut të punës) me automatizimin e procesit të punës dhe bartjes së prodhimit në vendet e Botës së Tretë, bashkë me vlerësimin e punës simbolike (të shërbimeve komplekse) që kërkojnë përgatitje të lartë arsimore, dhe të mënyrave të reja të organizimit të firmave që hierarkitë e pozitave dikur të distribuuar në bazë të stazhit punues e zëvendësojnë me konkurrencën e brendshme të punëtorëve. Roli dhe rëndësia e shtetit kombëtar në rregullimin ekonomik dhe social është debat që vazhdon në mesin e atyre që janë pjesë e Régulation School mirëpo padyshim, roli i shtetit në kushtet e globalizimit të sistemeve financiare është pa asnjë dyshim krejtësisht tjetër nga ai që mund të ishte para tri-katër dekadave, ku planfikimi qëndror në shkallë të shtetit kombëtar akoma ishte i realizueshëm, madje edhe në shtetet perëndimore si Franca, Gjermania apo vendet skandinave. Këtë po dëshmon edhe kriza e sotme ku po shihet se mjetet që shteti posedon janë – sidomos për shtetet më të vogla – shpesh joadekuate për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive një krize që ka si shkak forca që gjenden krejt jashtë sferës së kontrollit dhe jurisdiksionit të tij. Disa parashikojnë se kriza aktuale do të çojë në ngritjen e instancave globale rregullative të kapitalit financiar. Një gjë e tillë mbetët të shihet, megjithëse edhe kjo sjell rrezikun e ndërtimit të një oligarkie financiare që vazhdon t’i lë shtetet më pak të zhvilluara nën mëshirën e institucioneve ndërkombëtare financiare si të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Mirëpo është e qartë se karakteri themelor i krizës aktuale rrjedh nga fakti i vështruar nga teoricientët e Régulation School gjatë dekadave të fundit: se ristrukturimi ekonomik post-fordist po gjeneron, përveç rritjes së pabarazive sociale gjithandej vendeve të zhvilluara dhe të pazhvilluara, gjithashtu dhe krijimin e një strukture ekonomike që, për shkak se mbështetet mbi kapitalin financiar, gjithnjë e më shumë i nënshtrohet ekstremeve të lëvizjeve ekonomike dhe krijon kriza të përmasave globale që nuk kursen asnjë nga vendet që dikur mbijetonin krizat globale të paprekura. Prandaj me të drejtë, Marazzi e quan krizën aktuale “kriza e parë e unifikuar e postfordizmit”. Në dallim prej krizave regjionale (siç ishin recesioni japonez i veteve 1990, kriza financiare në Azinë juglindore në fundvitet 1990, kolapsi financiar në Argjentinë dhe Brazil etj.), kriza e sotme nuk ka kursyer asnjë nga ekonomitë e zhvilluara.

Në aspektin strukturor, ajo çfarë bën kriza aktuale është sjell në pikëpyetje gjithë rolin e kapitalit financiar në sistemin aktual ekonomik global. Siç bëjnë të ditur historianët ekonomik, roli i kapitalit financiar ka pësuar shpërthim që nga vitet 1970 duke përfshirë sot të gjitha aspektet e aktivitetit ekonomik. Në SHBA, p.sh., në vitin 1947 sektori financiar përbënte rreth 2,5 % të Prodhimit Bruto të Vendit (GDP), ndërsa në vitin 2006 kjo kishte arritur në mbi 8 %, duke bërë që shërbimet financiare të marrin pjesë me afër 40 % në strukturën e profiteve korporative. Rritja e sektorit financiar ndodhi gjatë dhe pas krizës së viteve 1970, paralelisht me ngritjen ideologjike të neoliberalizmit. Si pasojë, sot, në ekonomitë e zhvilluara, çdo veprim ekonomik, që nga investimi deri tek konsumi i produkteve, varen drejtpërdrejtë nga kapitali, në radhë të parë në formë të kreditit, i siguruar nga sistemi financiar. Prania e madhe e kreditit ka çuar gjithashtu në rënien e nivelit të kursimeve, jo vetëm në vendet e zhvilluara por edhe në shoqëritë si Japonia dhe Korea Jugore që dikur njiheshin për shkallë të larta kursimi. Kursimi mund të duket si gjithnjë e më i panevojshëm për shoqëri ku te kredia arrihet lehtë dhe përdorimi i tij është i thjeshtë për çdo aspekt të investimit dhe konsumit. Mirëpo, kjo logjikë dëshmohet problematike në momentin që, siç ndodhi tani, krediti zhduket nga ekonomia si pasojë e humbjeve të mëdha në investime spekulative që tërheqin me vete banka të tëra dhe gjithë bazën e kapitalit që furnizon ekonominë me kredi.

Kjo ka çuar në një ndërhyrje të paparë të shtetit në shpëtimin e bankave dhe institucioneve të tjera financiare për subvencionimit dhe pjesëmarrjes direkte të shtetit në pronësinë e tyre. Në këtë pikëpamje, është përmendur shpesh fantazma e socializmit: a është e mundur se edhe në një vend si Amerika, fillon nacionalizimi i bankave dhe kompanive të mëdha? Mirëpo paradoksi i asaj që po shohim është vënë re nga të tjerët: nëse ky është ‘socializëm’, është i tillë vetëm për kapitalistët. Shteti fut paratë publike në shpëtimin e investitorëve spekulativ, duke shpërblyer riskun e tyre. Arsyetimi është se po të lihen të kolapsonin institucione bankare si Citigroup, Bank of America apo AIG, shoku ekonomik që do të shkaktohej në gjithë ekonominë amerikane dhe globale do të ishte katastrofik, duke marrë me vete në varr sektorë të tërë të ekonomisë dhe duke çuar në nivele të papara të papunësisë që nga depresioni i viteve 1930. Kapitalizmi është bërë tepër i madh për veten e tij, që bën të domosdoshme socializimin e humbjeve të mëdha ekonomike në shkallë historikisht të paparë, në mënyrë që të evitohen kriza edhe më të rënda ekonomike dhe shoqërore.

Ku i gjejnë këto transformime vendet në zhvillim si Kosova? Shoku i krizës është ndjerë në gjithë vendet “tranzicionale” të Evropës lindore në formën e rëniës së aktivitetit ekonomik, devalvimit valutor dhe rrezikut të vazhdueshëm të dështimit të sistemit financiar. Zhvillimi i tillë detyroi që, në vlugun e krizës në mars të këtij viti, shefat e gjithë bankave qendrore të vendeve evro-lindore të mbajnë një samit të përbashkët për të siguruar për stabilitetin e vazhdueshëm të sistemeve të tyre financiare, pas të dhënave alarmante për rrezikun e kolapsit financiar të lëshuara në fillim të këtij viti. Kriza ekonomike në Evropën lindore është e lidhur ngushtë me fatin e ekonomive të Evropës qendrore, të dominuar nga Gjermania dhe, më pak, nga Austria. Megjithëse rreziqet e kolapsit financiar janë evituar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) parasheh një rënie mestatare prej 5.2 % për prodhimit bruto (GDP) në gjithë rajonin, që përfshin edhe Ballkanin. Ironikisht, kjo rënie është më e madhe në shtetet baltike, që dikur merreshin si modele të transformimit të suksesshëm në ekonomi të tregut. Rënia e GDP-së në këto shtete për këtë vit sillet prej 10-12 %, fakti i varshmërisë së tyre të thellë me ekonominë globale. Edhe pse efektet e krizës kanë bërë që edhe FMN-ja të zbusë insistmet në balansimin e buxhetit dhe të tolerojë deficitet buxhetore që kanë rezultuar si pasojë e krizës ekonomike, në disa vende kriza financiare po përdoret politikisht si arsyetim për politika shumë më drastike buxhetore. Përderisa në vendet e zhvilluara shihet rëndësia e shpenzimeve buxhetore për rigjenerim ekonomik (si p.sh. në SHBA, ku qeveria miratoi shpenzime me vlerë rreth 800 miliard dollarë) në vendet e vogla kriza çon në shtrëngimin e mëtejmë të shpenzimeve publike. P.sh., për këtë vit, kryeministri estonez ka kërkuar reduktime në shpenzimet buxhetore prej 12 %, duke marrë shkas se kriza shërben “për zvogëlimin e mëtejmë të shtetit” siç ka deklaruar ai. Kurse, përderisa shtetet e vogla baltike dhe ato të Evropës qendrore dhe lindore ballafaqohen me krizën, shtetet me zhvillim të mesëm si Brazili dhe India synojnë që të dalin nga kriza me një rol më qëndror ekonomik dhe politik. Si përfundim, mund të themi se “kriza e unifikuar e postfordizmit” nuk po çon drejt një unifikimi në formën e masave politike që po merren nga shtetet, as në lindjen e një makro-strukture rregullative botërore, por në fragmentimin e mëtejshëm ekonomik dhe politik (të parë edhe në paaftësinë e BE-së për t’u përgjigjur, si bllok, krizës, duke i detyruar shtetet anëtare në marrjen e masave vetanake). Globalizimi ekonomik, ironikisht, po çon në fragmentimin e vazhdueshëm politik, me efekte që do të vërehen edhe gjeopolitikisht, por edhe në lëvizjet shoqërore brenda vetë shteteve. Mirëpo, ky fragmentim nuk po shkon drejt krijimit të autarkive të reja të ekonomive kombëtare (siç ndodhi në prag të Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore), por të ndarjes së globit në sisteme regjionale ekonomike të organizuara si bllok rreth një ekonomie të zhvilluar me rol dytësor prodhues dhe konsumues për shtetet periferike, me varshmëri të madhe te kapitali i jashtëm financiar për sigurimin e investimeve.

Ku qëndron Kosova në këtë mes? Me disa përjashtime (p.sh., fondin pensional), kriza ka kursyer Kosovën më masë të madhe për shkak të izolimit të saj relativ nga sistemi financiar global dhe qarku i investimeve spekulative që çoi në krizën aktuale. Mirëpo, izolimi i Kosovës, sado është një përparësi, është gjithashtu një problem, sepse mosintegrimi sado periferik në blloqet regjionale ekonomike po çojnë në shndërrimin e Kosovës në një vrimë të zezë në hartën ekonomike të Evropës, me probleme ekonomike që, prej prizmit evropian (siç është papunësia prej mbi 40%), duken se, edhe në kushtet e krizës aktuale, i takojnë një planete tjetër.

Problemi themelor është se Kosova nuk ka kapacitete të planifikimit dhe zbatimit të një programi zhvillimor ekonomik. Në dallim prej shumë vendeve të rajonit, Kosova nuk ka një agjension të zhvillimit ekonomik, as programe efektive që shkojnë drejtë nxitjes së eksportit si bazë për rritje ekonomike, ndërsa eksporti është nyja themelore që krijon lidhjet midis ekonomisë vendore dhe tregut global. Mirëpo problemi nuk është vetëm institutional, ai është edhe ideor – me një elitë të korruptuar politike dhe një sistem të dështuar të studimit të lartë universitar dhe akademik, Kosova nuk ka as kapacitetet e nevojshme intelektuale për t’u përballur me sfidat e zhvillimit ekonomik. Lëvizjet shoqërore, ndërkaq, mbesin tepër të fragmentuara dhe të paafta për krijimin e një platforme progresive që zhvillimin ekonomik do ta kishte bazë parësore të politikës. Si pasojë, edhe në kushtet e krizës aktuale globale, Kosova mbetet peng i zbatimit të politikave ekonomike të institucioneve globale financiare si FMN (në të cilën Kosova para pak kohe fitoi anëtarësinë). Problemi kryesor është se politikat e FMN-së nuk kanë synim zhvillimor – ato synojnë, në parim, stabilitetin makro-ekonomik të vendit, brenda disa kornizave konservatore ekonomike (mbrojtja nga deficitet buxhetore, stabiliteti i valutës, që në Kosovë nuk përbën problem për shkak të përdorimit të euros, dhe nga presionet e inflacionit), që i konsiderojnë si krjim të kushteve për investime. Mirëpo, sipas këtyre parametrave, mjedisi ekonomik në Kosovë ka qenë stabil që nga periudha e menjëhershme e pasluftës. Ndërsa problemi qëndror ekonomik në Kosovë vazhdon të jetë paaftësia e lidershipit politik për të kaluar nga një politikë konservatore e stabilitetit makro-ekonomik, çfarë favorizohet nga FMN, në një politikë aktive të zhvillimit që i jep shtetit rol qëndror në orientimin e programeve zhvillimore ekonomike.

Botuar te Ekonomia, qershor 2009

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s