Home

Më rastin e trazirave të 1968-ës, psikanalisti Jacques Lacan iu kishte drejtuar masave të studentëve italianë që ishin ngritur në protestë: “si subjektë histerikë, ju kërkoni një Master të ri. Dhe do ta keni!” A s’mund të thuhet e njëjta për studentët e Universitetit të Prishtinës? Por, ajo që Lacan-i kishte parë tek studentët italianë të ’68-ës në sjelljen e tyre kolektive (ata, të paktën, ishin çuar në protesta kundër padrejtësive që përjetonin), për studentët e UP-së mbi dyzet vjet më vonë mund të vihet re në sjelljen e tyre individuale. Sigurisht, në UP bëhen abuzime të mëdha, ka korrupsion të theksuar, nuk zbatohet respekti elementar për dinjitetin e studentit, profesorët mbajnë dhjetëra poste (shumica e tyre qeveritare dhe partiake). Por nuk është e pështirë sjellja e profesorëve, përmes së cilës nuk shprehet asgjë më shumë përveç faktit se në Kosovë, rrënimi bazës institucionale për punë akademike, shkencore dhe pedagogjike, tashmë ka kapërcyer kulmin. Përkundrazi, e pështirë është sjellja e studentëve, që përballojnë dhunën e hapur që i bëhet ardhmërisë së tyre përmes ankesave dhe ofshamave tashmë neveritëse për korrupsionin, shkeljet, padrejtësitë etj. Me një fjalë, reagimi i tyre ndaj padrejtësisë është histerik. A s’është tragjik fakti që nga viti 1999, në UP nuk u vërejt asnjë shkëndi origjinaliteti politik, aspak përpjekje për ndryshimin e gjërave nga ana e studentëve, asnjë lëvizje për ndryshime rrënjësore në UP, si prelud për ndryshime rrënjësore në shoqëri (me përjashtim, mbase, të lëvizjës jetëshkurtër “Tjetërqysh”)? Është e qartë se tashmë UP është përtej ndryshimeve, përtej reformave. Kjo sepse UP-ja nuk shpreh vetëm realitetin e një universiteti, ai shpreh një realitet shoqëror. Ajo që shohim në UP është arritja e një gjendje të re homeostatike, një balansi të ri forcash, një forme të re e dominimit strukturor.

 

UP-ja na paraqitet si modeli i ri politik – ajo që shohim aty s’është gjë tjetër vetëm se funksionimi i këtij modeli në praktikë. Pushteti abuzon dhe përdhunon, deri në shkallën sa shkelja e çdo norme është normalizuar. Kurse viktima e këtij abuzimi dhe përdhunimi, viktima që paguan dhe do ta paguaj në vazhdimësi çmimin e shkeljeve dhe përdhunimeve, ofshan, ankohet, dhe aspak fshehurazi. Drama e vërtetë e pushtetit të korruptuar nuk janë vetë aktet e pështira të pushtetit, por është shndërrimi i ofshamës dhe ankesës së viktimave të tij në spektakël, në paradigmën kulturore të shoqërisë. Me një fjalë, është adaptimi nga të dominuarit i pozicionit të subjektit histerik. Në dallim prej Freud-it, që histerinë e përkufizoi nga aspekti i tij simptomatik (dhembje dhe paraliza trupore pa një shkak të dukshëm fizik, shkëputja e egos nga imago e trupit etj.), Lacan-i e përkufizon histerinë si strukturë, si marrëdhënie që subjekti ka me rendin simbolik. Si e tillë, histeria është problemi i pozicionit të subjektit në rendin seksual; histeriku përballet me një dramë të përhershme ekzistencialiste, ai përherë pyet vetën, “jam mashkull apo femër?” Si strategji përballjeje me këtë pasiguri të pozicionit të tij në rendin simbolik, subjekti histerik identifikohet tërësisht me dëshirën e Tjetrit – siç argumenton Lacan duke shfrytëzuar rastin e pacientës së Freud-it Dora, histeriku do ta mbajë gjallë dëshirën e Tjetrit, por nuk do të jetë vetë objekt i asaj dëshire, sepse një gjë e tillë është mbytëse për egon e tij. Nuk është pra, që subjekti histerik ankohet për padrejtësinë e Master-it sepse do ta ndryshojë sjelljen e tij; ai ankohet sepse do ta mbajë të gjallë dëshirën e Master-it për dominim. Ai ankohet me qëllim që ankesa e tij ta ushqejë fantazinë e Masterit për dominim, t’ia bëjë me dije Master-it se ajo që bën është pjesë e jouissance-es (kënaqjes) së tij – e ngjashme kjo me femrën që do ta kryejë aktin seksual me një mashkull, por që, për shkak të normave shoqërore që lehtësinë e pranimit të aktit seksual nga femra e cilësojnë si kurvëri, pajtimin për aktin seksual ajo ia shpreh jo përmes mohimeve – “jo, nuk dua!” (që ushqen fantazinë mashkullore për dhunimin si një akt të kërkuar dhe të pëlqyer nga femra – “nuk e dhunova unë, ajo vetë donte!”). Prandaj dhe ankesat dhe ofshamat e histerikut nuk janë të fshehta (siç janë ato të neurotikut obsesiv), ato janë të hapta, të bëra publikisht, të shpallura deklarativisht sepse për histerikun është me rëndësi që Master-i ta dëgjojë ankesën e tij. Kjo është pjesë e jouissance-ës (kënaqjes) së tij, kjo është simptoma e nevojës që histeriku ta ndjejë vetën përherë si viktimë dhe ta luaj këtë rol karshi Master-it, nga vetë fakti se subjekti histerik nuk mund ta përjetojë vetën ndryshe përpos si viktimë.

 

Struktura histerike është strukturë e varur nga dominimi – funksioni i diskursit histerik, drama e ofshamave dhe ankesave të pangopshme, është që ta mirëmbajë raportin e dominimit, jo që ta përmbys atë. Studenti prototipik i UP-së, që ankohet për gjithkë dhe gjithçka në UP, ofshan dhe ankohet jo pse do ta përmbysë realitetin që sheh, por shpreh simptomatikisht formën politike që ai realitet përmban. Dhe pse të mos e zbërthejmë këtë formë të realitetit politik duke u nisur pikërisht nga UP-ja, pasi që dikur ishin studentët e UP-së ata që konsideroheshin popullata më subverzive politike. Nga bërthama e subverzionit politik dhe ideologjik, UP-ja është shndërruar në makineri të prodhimit të subjekteve histerike – shprehje kjo e një procesi të përgjithshëm kulturor që vërehet gjithandej. Pozicioni histerik është tashmë pozicioni i gjeneralizuar: dikur, të ankoheshe kundër pushtetit ishte krim i dënueshëm me burg; sot, të ankohesh kundër pushtetit është ushtrim i përditshëm, deri në shkallën e një obligimi shoqëror. Mbase, përderisa subjekti obsesiv ishte pozicioni dominant i totalitarizmit (ku mbizotëronte konspiracioni, dhuna e fshehtë, dosjet sekrete, ku pushteti merrte vendime të mëdha mbrapa skenës përderisa publikisht kultivohej një imazh i caktuar ideologjik etj.), mund të thuhet se subjekti histerik është pozicioni dominant i kapitalizmit të sotëm (ku mbizotëron spektalki, ku vjedhjet dhe korrupsioni janë publik, ku ka vetëm administrim dhe jo më ideologji, ku masa kryesore e shkallës së tragjedive botërore janë lëvizjet e tregjeve globale financiare etj.). Modeli politik i ndërtuar mbi këtë subjekt vepron në Kosovë, por në formën që ia ka përcaktuar historia e tij e veçantë.

 

Pozicioni histerik nuk ka të bëjë vetëm me shprehjen e realitetit të viktimizimit; përkundrazi, të qenit i viktimizuar është pjesë normale të qenit student i UP-së. Përvetësimi i pozicionit histerik lehtëson përjetimin e të qenit i pafuqishëm; gjeneralizimi i histerisë ndodh njëkohësisht me gjeneralizimin e pafuqisë si normalitet i të qenit qytetar, i shndërrimit në objekt pasiv (në kuptimin e plotë administrativ të fjalës) të pushtetit dhe, njëkohësisht, në subjekt aktiv që legjitimon këtë gjendje.

 

Por, kjo dukuri, përveç që shpreh këtë lloj logjike shoqërore, ka gjithashtu funksion institucional. UP-ja tashmë, nga një institucion universitar, është shndërruar në një makineri mobilizimi partiak. Dallimi midis pushtetit, kryesive partiake dhe profesoriatit është vetëm dallim formal – në praktikën substanciale, ata janë pjesë e së njëjtës strukturë. Një nga pikëpamjet e sociologut Karl Mannheim për partitë politike ishte se secila parti, me vetë organizimin e vet në strukturë të qëndrueshme hierarkike, zhvillon edhe inteligjencën e saj, intelektualët e vet partiakë. Kjo nuk vlen në Kosovë: partitë nuk kanë inteligjenci, nuk kanë intelektualë – legjitimitetin intelektual ato e huazojnë nga UP-ja, e cila tashmë institucionalisht është shkrirë dhe integruar si pjesë e subordinuar e partive politike. Krerët e partive politike, përmes pushtetit politik dhe atij arsimor që kanë monopolizuar, ndërtojnë konformitet ndaj partitokracisë. Partitokracia kështu shfrytëzon nevojën ekonomike për të prodhuar konformizëm masiv: për studentët që nuk vijnë nga famije ekonomikisht të privilegjuara, partia është i vetmi shpëtim i tyre; karriera e tyre e vetme e mundshme është jo në një ndërmarrje, por në parti, e përmes partisë në pushtet: fillimisht si pjesëtar i hierarkisë së organizatave studentore e rinore, më vonë si anëtar i kuvendit të përgjithshëm të partisë – me shpresën se kjo është rruga që çon në pushtimin e majave të pushtetit. Pushteti ushtron tiraninë e konformizmit duke ofruar vetën si shpëtim nga tmerri që ai vetë shkakton: je viktimë? Ka zgjidhje: bëhu edhe ti pjesë e strukturës, bëhu edhe ti pjesë e hierarkisë, ku është gjithmonë më mirë të jesh atje lart se këtu poshtë. Si mund të jetë ndryshe? Po ata që dikur ishin studentë në UP dhe ankoheshin për padrejtësitë, sot janë asistentë e profesorë në atë universitet, të tjerët ngjiten në poste pushteti, duke bërë po ato për të cilat ankoheshin dikur. Që t’i ikesh dhunës dhe abuzimeve duhet që ti vetë të bëhesh dhunuesi dhe abuzuesi.

 

Kjo është arsyeja e vërtetë pse në UP për gati një dekadë nuk pamë as më të voglën shenjë revolte, as shkëndijen më të vogël të një lëvizjeje shoqërore: përmes kësaj strukture institucionale që shfrytëzon terrorin që përbën deklasimi social dhe ekonomik (pikërisht në mënyrën se si deklasohet, në mënyrën më brutale dhe poshtëruese, ai që merr diplomë dhe përfundon i papunë), kultivohet shpresa e zgjidhjes individuale, duke e ofruar zgjidhjen individuale në formën e partitokracisë. Ambicia partiake për pushtet gjeneron si nënprodukt ambicien personale për pushtetmbajtje, shpresa për pushtetin dhe lidhja me njerëzit e pushtetit ofrohet si e vetmja formë shpëtimi nga terrori i deklasimit. Kështu pra, nga makro-struktura kalojmë në atë që Felix Guattari e quan mikro-fizikë të pushtetit: pushteti vepron në shkallë të vogël, në kapjen dhe orientimin e dëshirave individuale, në zbrapsjen e potencialit mobilizues duke e përvetësuar atë për vete, drejt qëllimeve të synuara nga ajo. Histeria pra nuk është shprehje thjesht e një konfiguracioni psikik. Përkundrazi, ajo gjenerohet në mënyrë strukturore ndërsa shpreh mungesën kolektive të vullnetit për t’u ballafaquar me realitetin që rutinizon dhe banalizon revoltën ndërsa shndërron në normë grumbullin e padrejtësive të vogla që bashkë krijojnë padrejtësitë sistemike.

 Botuar te Koha Ditore, 27 shkurt 2009

2 mendime mbi “UP si model politik

  1. Përgëzime për shkrimin, i paraqitje e dimensionit strukturalist të problemit të UP-së. Po fatkeqësisht kjo është e vërteta. Duke i marrë parasysh të gjitha këto rrethana, si mendoni prof. Besnik Pula, cila do të mund të ishte alternativa, për të dalë nga kjo gjendje, duke marrë parasysh studentët tanë konformist dhe skriptist? Cili ideal do të duhej mbjellë tek studentët, për nxitje të reformës? Pasi që vërtetë klithmat e studentëve, vetëm sa i kënaqin strukturat, e jo të inicojnë ndryshimin.

    Përshëndetje

  2. Një shkrim antologjik, por i vështirë për tu kuptuar nga audienca e gjerë.Do të të sugjeroja që psikoanalizën ta sjellësh në ground sepse është shumë diskutabile edhe ajo vetë. Aq më tepër për disa që ndoshta kanë nevojë për seanca psikoanalitike e të cilët po i quan inferiorë.Vërtetë janë inferiorë,…dhe shqetësohem se ky kompleks te ata studentë është masiv.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s