Home

Në vitet e fundit, është shtruar shpesh problemi i ideologjisë në Kosovë. Disa amatorë të filozofisë tashmë e kanë shpallur gjendjen e sotme historike si post-ideologjike, ndërkohë që problemet politike paraqiten kryesisht si probleme teknike; grupe të caktuara shoqërore, proto-intelektualë të mediave dhe të shoqërisë civile, kanë përqafuar doktrinat e neoliberalizmit, shpesh në kombinim me tezën naive fukuyamiste për fundin e historisë; ndërkohë që partitë, atëherë kur janë marrë seriozisht me ideologjinë, kanë përqafuar orientime nominale dhe jopërmbajtsore të djathta apo të majta (dhe gjithnjë afër qendrës).

 

Në fakt, në rrafshin politik, të gjitha këto janë vlerësime të sakta. Post-ideologjia është pjesërisht produkt i degradimit institutional dhe kulturor të filozofisë; ndërkohë që proto-intelektualët e shoqërisë civile, oportunizmit të tyre shkurtpamës ia kanë veshur një petk filozofik, ndërsa fundin e historisë e kanë pranuar si zëvendësim për injorancën e tyre ndaj saj; partitë kanë pranuar tezën e fundit të ideologjisë jo nga ndonjë bindje e thellë, por si kompenzim për shpronësimin e tyre nga mjetet e prodhimit ideologjik. Të zhveshura nga ideologjia (madje edhe doktrinat e vjetra nacionaliste tashmë, me censurë zyrtare, po dëbohen nga fusha politike), partitë kosovare, për ndërtimin e identitetit të tyre, detyrohen t’i kthehen formave më elementare të ruajtjes së kohezionit shoqëror; jo ideologjia por totemizmi është ajo që i karakterizon ato.

 

Të zhveshura nga identiteti ideologjik – rrjedhimisht, edhe nga identiteti shoqëror – partitë e sotme politike janë edhe pa identitet politik. Partitë e sotme i identifikon vetëm raporti i tyre me pushtetin: është ky apo ai në pushtet? Por politikisht, të gjitha partitë janë të lira të pretendojnë se përfaqësojnë gjithkë dhe gjithçka, sepse nuk përfaqësojnë askë konkretisht dhe asgjë politikisht. Deri rishtas të gjitha partitë identifikoheshin me kërkesën për pavarësi, por ky emblem politik tashmë është shpenzuar. Mungesa e bazës shoqërore që i bën ato përfaqësuese të një interesi dhe i jep atyre një identitet politik, i shtyn partitë që identitetin e tyre ta realizojnë në forma të tërthorta, duke anashkaluar tërësisht identifikimet sociale dhe klasore, madje edhe ato nacionale. Për ta legjitimuar vetëvetën si grupime politike, ato i kthehen niveleve më tradicionale, më primordiale, duke kërkuar nga ato që t’i furnizojnë me petkat dhe simbolet që do t’i mbartin në kryëzatat e tyre drejt integrimit në strukturat e kapitalizmit Evro-Atlantik. Politika kosovare vërtetë ka tejkaluar ideologjinë, por ajo nuk ka shkuar përtej ideologjisë; ajo është përfundi saj. Në vend të ideologjisë, politika kosovare shërbehet me totemë.

 

Siç mësojmë nga studimet e Levi-Strauss-it të shoqërive primitive, totemët që grupet zgjedhin si shenjë përfaqësimi të vetës si grup, janë reflektim i sistemit të klasifikimeve që ata përdorin për ta organizuar rendin shoqëror. Për shembull, në mesin e disa popullatave autoktone të Amerikës Veriore, emrat e fiseve merreshin nga emrat e kafshëve, ndërsa kafshet, bimët apo elementet tjera nga natyra shërbenin si shenja që identifikonin grupin. Nga besimtarët e tyre, totemët konsiderohen të shenjtë. Sipas Durkheim-it, totemi nuk është thjesht objekt; ai përbën, përkundrazi, një koncept, apo, siç e quan Durkheim-i, një përfytyrim kolektiv, i cili jo vetëm simbolizon grupin, por përmes të cilit ai zhvillon ekzistencën si grup. Totemi pra, qoftë ajo një kafshë apo bimë e shenjtë, nuk është objekt i rëndomtë apo i rastit, as nuk është shprehje e irracionalitetit të mendjes primitive që idolizon sendet e natyrës; përkundrazi, ai është emblem që përfaqëson grupin në ekzistencën e tij kolektive. Grupi ekziston përmes totemit, ai njeh veten përmes tij, prandaj dhe totemi i takon sferës së objekteve të shenjta.

 

Sipas Levi-Strauss-it, në shoqëritë primitive, logjika e organizimit totemik përkon me logjikën e organizimit shoqëror. Totemët kështu determinojnë kufijtë e grupit, mundësitë dhe pamundësitë e lidhjeve që grupet mund të krijojnë me njëra-tjetrën (përmes martesave), aleancat, miqësitë dhe armiqësitë. Në disa shoqëri, pjesëtarët e grupeve mishëronin atë që përfaqëson totemi: p.sh. në mesin e një popullate të caktuar, pjesëtarët e fisit Rakun jetonin nga peshkimi dhe frutat e egra, ata të fisit Puma jetonin në mal dhe jetonin nga gjuetia, ata të fisit Maca e Egër flinin ditën ndërsa natën dilnin në gjah pasi që konsiderohej se kishin sy të mprehtë etj. Përmes totemëve, fiset ndërtojnë koherencën e tyre si grup, formojnë identitetin e tyre grupor, ndërsa dallimi në mes të totemëve simbolizon njëkohësisht dallimin e tyre nga fisi tjetër.

 

Nuk është kritika moderne e ideologjisë, por logjika primitive e totemëve që shpjegon sistemin e identifikimeve partiake në Kosovë. Sistemi i identifikimeve partiake në Kosovë i ngjan identifikimeve totemike të grupeve primitive, me dallimin që totemët që i shfrytëzojnë partitë kosovare nuk i marrin nga natyra, por nga shoqëria; më saktësisht, nga familja. Klasifikimi i partive kosovare kështu i përngjan një klasifikimi gjenealogjik, edhe pse fjala nuk është për lidhje gjaku, por për lidhje grupore politike.

 

Për çka është fjala konkretisht? Partitë në Kosovë nuk i dallon ideologjia e as interesat e caktuara shoqërore që ata përfaqësojnë. Jo, ata i dallon në radhë të parë identifikimi me një emër familjar. Emri familjar është në themel të partisë; ai garanton legjitimitetin e saj, ndërsa është shumëfish më i vlefshëm se çfarëdo përcaktimi programor, që edhe nga kreu i lartë i partisë konsiderohet hiç më tepër se një dokument formal. Disa janë habitur se si me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, për të pranishmit, më e rëndësishme ishte përmendja e emrave të caktuar familjarë, se sa substanca politike dhe formalo-juridike e aktit. Por kjo sjellje e pakuptimtë në aspektin politik sqarohet kur merret parasysh aspekti i ritualit totemik. Fiset primitive idolizojnë totemët e tyre, qoftë ajo edhe një macë apo një pemë, dhe i konsiderojnë ata të shenjtë, edhe pse mund të mos kenë ndonjë shpjegim racional për lidhjen e tyre me to. Kjo ndodh sepse aspekti ritualistik i totemëve është i lidhur fundamentalisht me legjitimitetin e ekzistencës së tyre si grup. Pra fjala është për lidhje mitike, ashtu siç partitë kosovare kanë ndërtuar lidhje mitike me familje të caktuara. Duke i mitizuar familjet, partitë mitizojnë edhe vetëvetën e tyre duke zhdukur gjurmët historike të tyre dhe duke i zëvendësuar ato me mite burimore ku ato mund të gjejnë kuptimin parësor të ekzistencës së tyre si grup moral. Dhe partitë politike janë gjithmonë në radhë të parë bashkime morale: asnjë parti nuk mund të ekzistojë vetëm nga interesi i ngushtë, nga paraja, apo nga patronazhi. Paradoksi i partisë është anëtarët dhe krerët e tyre domodoshmërisht besojnë se bashkimi i tyre ka një rëndësi shoqërore dhe historike, pavarësisht nëse në praktikë konkrete, pjesëtarët e saj pjesën më të madhe të kohës e kalojnë në ndjekjen e interesave të ndryshme të ngushta, në afera korruptive, në manipulimin e së vërtetës etj.

 

Jo nga një ideologji politike që shpreh një pozicion shoqëror, por nga ideologjia  patriarkale e familjes që shpreh një pozicion pseudo-gjenealogjik, partitë nxjerrin legjitimitetin fundamental të ekzistencës së tyre. Familja nuk është ideologji politike (siç është shpesh p.sh. në ideologjitë moderne konservatore), por është politika që është kthyer në ideologji familjare. Pra, fjala nuk është për një lidhje përmbajtësore: identifikimi me familje nuk ka të bëjë me marrëdhëniet e solidaritetit vëllazëror që ato duan të ndërtojnë në shoqëri, që kanë si model marrëdhëniet familjare, por me identifikimet e veçanta që ato nxjerrin nga familjet, që janë dhe vlera që ato pretendojnë të përfaqësojnë shoqërisht. Të zhveshura nga përmbajtja ideologjike, partitë ringjallin primordializmin e emrit familjar në mënyrë që të huazojnë nga ai mjetet simbolike për ruajtjen e kohezionit të brendshëm dhe shprehjen e dallimit të jashtëm nga të tjerët.

 

Rendi familjar kështu përbën bazën mbi të cilën partitë ndërtojnë koherencën e tyre ideologjike, sepse ato konceptojnë vetën si një shprehje politike e të bëmave që karakterizojnë familjet me të cilat identifikohen (qoftë ajo sakrifica, trimëria, mençuria, pasuria etj.). Por përmbajtja e veçantë e vlerës që duhet të përfaqësojë çdo familje është më pak e rëndësishme, sepse fjala nuk është për një normë detyruese. Përmbajtja e caktuar e vlerës që përfaqëson akëcila familje nuk është me rëndësi primare, madje ato nuk janë as fikse sepse fjala është për objekte shoqërore, interpretimi i të cilëve është i ndryshueshëm. Më e rëndësishme se sa përmbajtja e vlerës është forma e identifikimit me këto vlera. Vetë identifikimi me familjen si burim i moralit individual dhe kolektiv tregon për homologjinë midis rendit familjar dhe rendit partiak – pikërisht ashtu siç Levi-Strauss kishte vënë re homologjinë midis rendit natyror të kafshëve dhe rendit shoqëror të fiseve në shoqëritë e vogla arkaike të Amerikës Veriore. Partia nuk merr nga familja vetëm identifikimin e vet totemik (të emrit, të vlerës së veçantë etj.), por identifikohet edhe me strukturën e saj patriarkale. Autoriteti partiak kështu është homologjik me autoritetin patriarkal në familje, hierarkia familjare e barazvlefshme me hierarkinë partiake. Siç e kishte vënë re Levi-Strauss, aleancat midis fiseve kryhen përmes shkëmbimit të femrave, pra, përmes martesës; aleancat midis partive kryhen përmes shkembimit të posteve shtetërore (mbase s’është krejt rastësi vepra e dezajnerit satirist Xenini, që formimin e koalicionit PDK-LDK e përfaqësoi përmes ritushimit të reklamës së ProCredit bankës ku shfaqet një çift i sapomartuar, me Hashim Thaçin si burrin dhe Fatmir Sejdiun si gruan).

 

Identifikimi i partive me familje prandaj ka një funksion tjetër shoqëror, që është huazimi nga familja i formës së lojalitetit politik. Forma e lojalitetit politik që përhapet nga ky identifikim, nuk është forma e solidaritet shoqëror të një republike qytetare, por e atij lloj detyrimi që fëmijet ia kanë babait. Ritualet kryesore politike tashmë nuk janë asgjë më shumë se sa rituale respekti ndaj Babait të familjes, prandaj dhe ritualet kryesore politike në Kosovë sot bëhen pranë varrezave…

 

Sipas kësaj strukture, obligimi politik përjetohet si borxh që secili ia ka Babës, Bacit, Dajës së Madh, autoritet që ka partitë si instrument imponimi në marrëdhëniet shoqërore e që e perverton familjen duke e kthyer atë në instrument politik. Ky konservatorizëm i gjithanshëm që thekson autoritetin patriarkal nuk është i rastësishëm, sepse është krejt ideologjik: lojaliteti i formës familjare kërkohet nga politika në kohën kur vetë ajo i kontribon shkatërrimit të familjes përmes pushtetit të saj mbi jetën ekonomike, mbi mundësitë e jetesës që përbëjnë bazën e ekzistencës së familjes në kuptimin e saj material. Totemizmi politik familjar përqafohet mu atëherë kur familja si koncept shoqëror gjendet në rrezikun e saj më të madh, si pasojë e presioneve të jashtëzakonshme ekonomike. Totemizmi politik familjar ndërton modelin e lojalitetit politik: lojaliteti nga ana e gjinisë bëhet zëvendësim për mungesën e solidaritetit nga ana e qytetarisë. Primordializmi kulturor i politikës kosovare arrin në shkallë të reja: për të, as etnia më nuk mjafton si bazë e veprimit politik, gjë që trazon thellë shpirtrat e akademikëve tanë nacionalist, që i kanë shpallë luftë biblike mullirit të erës që quhet identitet kosovar: ideologjia dominante tashmë ka shkuar përtej (apo, më mirë të themi, përfundi) etnisë dhe kombit, ajo imponon tribalizmin familjar si shenjë identifikimi politik. Për politikën e re kosovare, vula e fisit është simbol më i fuqishëm se sa flamuri i një populli, qytetaria e vlefshme vetëm përderisa ajo përkon me modelin e disciplinës patriarkale të Babës, lideri politik i mirë përderisa mishëron aftësitë Atësore të një Babe të Madh. Mirëpo, me këtë, totemizmi politik familjar nuk duhet të interpretohet si shenjë e fuqisë. Përkundrazi, shfaqja e tij është shprehje e krizës së thellë të autoritetit që ka kapluar këtë klasë politike dhe impotencës së saj të thellë për të vepruar politikisht. Vetëm në kohëra krize, njerëzit e luftojnë ankthin e pritjes duke kërkuar nga thesaret e arkaikës maskat e vjetra, simbolet e lashta dhe flamujt antikë që t’i japin njëfarë kuptimi dramës së tyre historike.

Botuar te Koha Ditore, 1 qershor 2008

 

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s