Home
Në vijim është përgjigja ime ndaj artikullit të fundit të Shkëlzen Gashit. Tërë debatin, i cili po zhvillohet në Kohën Ditore, mund ta lexoni më poshtë.  
 
Me Shkëlzen Gashin jemi pak a shumë dakord rreth pjesës më të madhe të çështjeve substanciale mbi problemin e sovranitetit në Kosovë. Ai numron kufizimet e shumta për ushtrimin efektiv të sovranitetit të brendshëm në Kosovë që rrjedhin nga Pakoja e Ahtisaarit, mbi të cilat jemi pak a shumë dakord (një detaj i rendësishëm: e ashtuquajtur “shumicë e dyfishtë” ku kërkohet shumica e votave të përfaqësuesve të minoriteteve për aprovimin e një ligji, nuk vlen për çdo ligj, por vetëm për ato të “interesit vital” për komunitetet – shih draft-Kushtetutën e Kosovës). Kontestuese midis nesh mbetët çështja e vazhdimësisë së sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën. Shkëlzeni vazhdon të pohojë se ky sovranitet vazhdon, në një mënyrë të sofistikuar, siç e quan ai. Unë pata argumentuar se një konstatim i tillë është i pasaktë. Të shohim tani ku qëndrojnë dallimet rreth karakterizimit të situatës dhe cilat janë arsyet për to.
Megjithëse ndarja konceptuale që ia bën sovranitetit politikologu Stephen Krasner (të cilin e citoi Shkëlzeni) është e dobishme, për hir të lexuesve dhe për hir të argumentit unë sovranitetin do ta thjeshtëzoja këtu vetëm në dy aspekte themelore: (1) kontrollin e brendshëm të territorit (ushtrimin efektiv të pushtetit), përfshirë dhe monopolin mbi përdorimin legjitim të mjeteve të dhunës (funksionimi i forcave të armatosura si ushtria dhe policia), dhe (2) legjitimiteti ndërkombëtar mbi territorin. Në qershor 1999, Serbia efektivisht e ka humbur formën e parë të sovranitetit mbi Kosovën. Me njohjen ndërkombëtare pas 17 shkurtit, Serbia e humb edhe formën e dytë të sovranitetit mbi Kosovën. Format e mbetura të ushtrimit të pushtetit të Serbisë në Kosovë, që bëhet përmes të strukturave paralele administrative, do mund ta cilësonim si një ushtrim të pjesërishëm të autoritetit sovran, mirëpo ato nuk përbëjnë ushtrim të sovranitetit mbi Kosovën SI TËRËSI. Në vijim do t’i adresoj çështjet e hapura.
Me Shkëlzenin jemi kryesisht dakord rreth rëndësisë historike të njohjes ndërkombëtare të Kosovës. Mirëpo Shkëlzeni thotë se përkundër njohjes, kufizimet tjera mbi pushtetin në Kosovë megjithatë nuk e vendosin Kosovën në raport të barabartë me Serbinë si dy shtete të pavarura dhe sovrane. Kjo është e saktë, por kjo nuk rrjedh nga fakti se Serbia ruan sovranitetin e saj ndërkombëtar mbi Kosovën. Kjo rrjedh nga fakti i kufizimeve të sovranitetit që Serbia nuk i ka. Serbia nuk sundohet nga një mision ndërkombëtar por një qeveri sovrane. Serbia gjithashtu është anëtare e OKB-së dhe organizatave tjera ndërkombëtare. Serbia gjithashtu nuk e trajton Kosovën si shtet të pavarur sepse nuk e njeh si të tillë, por e sheh si pjëse të territorit të saj. Por njohja ndërkombëtare e Kosovës megjithatë ia anulon Serbisë sovranitetin ndërkombëtar mbi Kosovën (që e gëzonte me Rezolutën 1244 dhe me UNMIK-un, deri në momentin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës), pasi që për shtetet që e njohin Kosovën, Kosova dhe Serbia tashmë përbëjnë dy subjekte të ndryshme ndërkombëtare. Ky është fakti kryesor, pavarësisht pretendimeve të Serbisë se Kosova është akoma pjesë e territorit të saj. Dhe ky është aspekti i “efekteve në terren” të njohjes – njohja përbën më shumë se një akt simbolik, siç po e lë të kuptohet Shkëlzeni. Njohja i jep legjitimitet një pushteti, pavarësisht se sa kontroll të brendshëm ka ai. P.sh. Transnistria, Osetia jugore dhe Abkhazia kanë kontroll të brendshëm po aq sa shumë shtete të pavarura, por nuk gëzojnë njohje ndërkombëtare, prandaj dhe si rrjedhojë shihen si entitete jolegjitime dhe janë të privuara nga shumë privilegje që i takojnë vetëm shteteve të njohura. Bosnja-Hercegovina u njoh si entitet ndërkombëtar, dhe pavarësisht luftës që zhvilloi Millosheviqi, ai nuk arriti ta zhdukë këtë entitet, por u desh ta njoh ekzistencën e tij si shtet sovran. Pra njohja ndërkombëtare ka një efekt të vetin edhe “në terren”, sepse ndryshon rrënjësisht koniukturat ndërkombëtare brenda të cilave trajtohet një territor i caktuar. Çështja nuk është se a konstituohen shtetet nga brenda apo nga jashtë, me fakt në terren apo me njohje (në historinë e shteteve, kemi nga të dyja llojet). Çështja është se për të ekzistuar efektivisht një shtet sovran, i duhen dyjat: edhe pushteti brenda territorit, edhe njohja ndërkombëtare. Kosova tashmë është në proces të përfitimit të kësaj të fundit edhe pse mund të jetë e kufizuar në të parën. 
Çështja tjetër kontestuese është statusi i Pranisë Ushtarake Ndërkombëtare (PUN). Unë nuk pajtohem me konstatimet e Shkëlzenit që mandati mbi të cilin ndërtohet PUN tregon për vazhdimësinë e sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën. Arsyeja pse PUN (apo, më saktësisht, NATO) nuk ka një marrëveshje të llojit Status of Forces Agreement (SOFA) me Kosovën është në radhë të parë sepse NATO-ja vazhdon në Kosovë ta ketë rolin e një pranie paqeruajtëse me autoritete të gjera (ngjashëm me SFOR/EUFOR në Bosnjë). Në rastet e marrëveshjeve SOFA, ushtrisë së huaj i jepen disa të drejta të caktuara (shfrytëzimi i territorit, i bazave dhe hapësirës ajrore etj.), por jo edhe e drejta për zbatimin e funksioneve të sigurisë, siç janë intervenimet, arrestimet dhe operacionet ushtarake brenda vendit, siç i gëzon PUN. Ndërkaq, arsyeja pse bazë e mandatit të saj është Rezoluta 1244, është inercioni juridik – meqë Rusia bllokoi aprovimin e një rezolute të re, PUN duhet të shfrytëzojë si bazë të mandatit të saj paqeruajtës rezolutën ekzistuese, në mënyrë që të ketë legjitimitet ndërkombëtar. PUN, madje, nuk nxjerr autoritetin e saj vetëm nga Rezoluta 1244, por do ta nxjerr edhe nga Kushtetuta e Kosovës. Me një fjalë, nuk është vetëm mandati nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së por edhe autoriteti sovran i Kosovës që ia “falë” atë mandat dhe ia transferon PUN-së (dhe PCN-së) një pjesë të sovranitetit të saj (kuptohet, autoritetet e Kosovës janë të kushtëzuara politikisht dhe obligohen nga Pakoja e Ahtisaarit, të cilën e kanë pranuar, për ta bërë një hap të tillë, por interpretimi strikt juridik është ky). Asnjë nga këto nuk tregojnë pse Serbia do të vazhdojë të ruajë ndonjë lloj sovraniteti mbi Kosovën. Pavarësisht mandatit dhe statusit juridik të PUN në Kosovë, ai nuk do të jetë instrument i Beogradit. Të kesh sovranitet do të thotë të kesh pushtet komandues, e kjo nuk ka qenë e as nuk do të jetë e vërtetë për asnjë moment përsa i përket raportit midis Beogradit dhe PUN. Ndërkaq, interpretimi se FSK do të jetë segment i institucioneve të mbrojtjes të Serbisë më duket absurd. Në çdo pikëpamje, forcat e sigurisë, përfshirë dhe PUN, i nënshtrohen institucioneve civile, dhe përderisa nuk ekziston një pushtet civil i Serbisë mbi Prishtinën e as mbi PUN (i cili do të udhëheq FSK-në), nuk do të ekzistojë kurrfarë kontrolli i Serbisë mbi FSK-në. Ndryshe i bie se komanda civile e FSK-së do të jetë Ministria e Mbrojtjes e Serbisë, që është absurde.
Çështja përfundimtare janë borxhet dhe strukturat paralele. Shkëlzeni nuk e shtron drejtë çështjen e borxheve dhe trashëgimisë, duke argumentuar se për shkak se ajo nuk është zgjidhur drejtë, do të thotë se Kosova vazhdon të jetë nën sovranitetin e Serbisë. Edhe ky konstatim është i pabazuar. Ndarja e Kosovës po konsiderohet ndërkombëtarisht si ndarje nga Serbia e jo nga ish-Jugosllavia, prandaj dhe Kosova nuk merr pjesë të barabartë në çështjet e sukcesionit të ish-Jugosllavisë. Mirëpo, fakti pse kjo çështje nuk është zgjidhur drejtë nuk do të thotë se si rrjedhojë, vazhdon sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën. Një çift i martuar mund të divorcohet dhe njëra palë të mbetët e dëmtuar për shkak të ndarjes së jobarabartë të pasurisë. Mirëpo, mosndarja e barabartë e pasurisë nuk e anulon faktin e divorcit. 
E vetmja pikë ku Shkëlzeni mund të argumentojë për një mbetje të ushtrimit të autoritetit të Serbisë në territorin e Kosovës, janë strukturat paralele administrative, edhe pse Shkëlzeni nuk e thekson këtë çështje dhe e trajton vetëm në kuadër të Pakos së Ahtisaarit dhe provizioneve të saj për decentralizimin. Mirëpo problemi kryesor nuk janë provizionet e Ahtisaarit (sado të këqija që janë) se sa fakti që Serbia ka ushtruar dhe vazhdon të ushtrojë një autoritet të pjesshëm në enklavat serbe përmes funksionimit të strukturave paralele. Mirëpo, duhet të jemi shumë të qartë kur flasim për strukturat paralele: ky autoritet është i pjesëshëm në formë, sepse përfshin kryesisht funksione administrative, arsimore dhe sociale, dhe nuk ka si pjëse të saj forca të uniformuara të rendit (të paktën jo legjitime dhe legale). E dyta, ky autoritet shtrihet vetëm në zona të fragmentuara nëpër Kosovë (kryesisht në veri, si dhe në disa enklava serbe). Kështu, ai përbën ushtrim të një autoriteti administrativ të Serbisë brenda pjesëve të territorit të Kosovës, por jo ushtrim i sovranitetit mbi Kosovën si tërësi. Duhet gjithashtu ta kemi parasysh se strukturat paralele janë dhuratë që UNMIK-u ia lë pas Kosovës së pavarur. Për nëntë vite, edhe pse do të duhej të  ishte autoriteti i vetëm juridik në Kosovë, UNMIK-u toleroi strukturat paralele dhe lejoi zhvillimin dhe zgjerimin e tyre (ndërsa liderët kosovarë toleruan tolerancën e UNMIK-ut). Pra, si fakt juridik, strukturat paralele edhe sipas Rezolutës 1244 janë krijesa jolegjitime dhe ilegale. Decentralizimi dhe Pakoja e Ahtisaarit janë përgjigje politike ndaj këtij realiteti, duke tentuar që të krijojë një strukturë të dyfishtë, apo, siç pat thënë në një rast vetë Ahtisaari, të pajtojë ekzistencën e strukturave autonome brenda një shteti unitar. Por, pavarësisht se çfarë thuhet në Pako, realiteti është se implementimi i decentralizimit mund të mbetët peng i politikës së Beogradit, përderisa vazhdon politika e tolerimit të strukturave paralele. Për decentralizimin mund të thuhet shumë (unë kam shkruar për rreziqet e saj qysh në vitin 2006), sepse ai po e shndërron problemin e ushtrimit të pushtetit të Kosovës në enklavat serbe në një problem afatgjatë, dhe ia jep Beogradit një levë të përhershme për të manipuluar me minoritetin serb. Mirëpo çështja thelbësore këtu është se as strukturat paralele, as decentralizimi nuk përbëjnë ushtrim as faktit e as juridik të sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën si entitet politik.
Në fund, e theksoj sërish se me Shkëlzenin pajtohemi përsa i përket kufizimeve të shumta të ushtrimit të sovranitetit që do të ketë shteti i ri i Kosovës. Ky shtet i ri është i kufizuar në fushat kyçe që e bëjnë një shtet, që janë në radhë të parë forcat e rendit, drejtësisë dhe sigurisë. Prandaj dhe marrja e Shkëlzenit me këtë problematikë është me vend. Aty ku nuk pajtohem është që të gjurmojmë gjer në imtësi dokumente të ndryshme juridike për të kërkuar ekzistencën apo jo të sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën. Unë them se praktikisht dhe legalisht, ky sovranitet ka mbaruar. Realiteti ndërkaq duhet të kërkohet mu aty ku Shkëlzeni thotë se duhet të konstatohet ekzistenca e një shteti: kontrolli në terren. Përderisa Serbia gjen rrugë për ushtrimin e pushteteve të drejtpërdrejta administrative brenda zonave të caktuara të Kosovës, rreziku për paqe dhe stabilitet do të jetë i përhershëm. Ndërkaq, kufizimet e sovranitetit të brendshëm që rrjedhin nga Pakoja e Ahtisaarit mbajnë rrezikun e shndërrimit në një varshmëri të përhershme të Kosovës ndaj strukturave të jashtme për aspektet kryesore të pushtetit. Një shtet i tillë nuk është dhe nuk mund të jetë sovran dhe i pavarur në kuptimin e plotë të fjalës. Shkëlzeni mund ta quaj Deklaratën e Pavarësisë një Deklaratë të Varësisë, por kjo varësi nuk shkon në drejtim të Serbisë por në drejtim të strukturave tjera nga të cilat mbetët e varur Kosova. Përfundimisht, deklarata e 17 shkurtit për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran nuk ishte konstatim i një situate të krijuar, por shprehje e një aspirate të vazhdueshme, përpjekjet për të cilat tashmë do të zhvillohen në një terren të ri politik. Prandaj dhe rëndësia që këtë terren të ri politik ta perceptojmë drejtë dhe saktë.

Një mendim mbi “Sovraniteti i Kosovës dhe sovraniteti i Serbisë

  1. Me heret kam lexuar edhe serine e artikujve te meposhtem dhe per momentin eshte e pamundur te komentoj si duhet pa i lexuar njekohesisht te gjithe edhe nje here.
    Sidoqofte, shpallja e pavaresise dhe njohja e saj nderkombetare kane ardhur vetem pasi u konstatua se nuk ka ku te shkohet me, dhe se ekzistonte rreziku i madh per destabilizimin e situates se brishte. Pavaresia u perdor per ta qetesuar pak frustrimin ekonomik duke dhene shenja se priten dite me te mira. Perndryshe, ne frontin ekonomik kemi deshtim te plote dhe te tmerrshem te UNMIK-ut. Nuk ishte e rastesishme qe sekretarja amerikane e shtetit Condoliza Rice deklaroj se Kosova nuk ka ekonomi. Ne fakt Kosova nuk ka ekonomi, dhe ate qe e ka, e kontrollojne te huajt. Me pavaresi ekonomike jemi nen cdo minimum. Kjo e bene Kosoven te ndryshme nga Tajvani i cili politikisht nuk eshte i njohur si shtet, por ekonomikisht eshte vend i zhvilluar, i armatosur mire per t’i bere balle invazionit te mundshem kinez deri ne ate mase sa qe Kina llogarit nese ja vlen barra qirane po qe se e sulmon Tajvanin.
    Kosova do te jete shtet me atributet standarde per shtetin, por se a do te jete ky shtet i qytetareve te saj apo i te huajve, mbetet te shihet. Me draft kushtetuten e Kosoves nuk parashihen dite aq te mira sic kane menduar qytetaret diten e shpalljes se pavaresise dhe gjate euforise pas saj.

    Ky ishte nje koment i pergjithesuar, kerkoj falje qe s’isha fort ne fokusin e artikujve, por shpresoj se me vone do te jem me specifik dhe me i perqendruar.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s