Home
A ka gabim më të madh se të thuhet se zgjedhjet e fundit dëshmuan se tashmë në Kosovë është tejkaluar kulti i personalitetit, se tashmë partitë janë konsoliduar dhe se tashmë qytetarët janë racional me votën e tyre. Thuhet madje që këto zgjedhje kanë dëshmuar se mund të tejkalohet mendësia e deritanishme shoqërore, ku njerëzit nuk votojnë për programe partiake por për persona, për individë, për emra të përveçëm. A nuk qëndron problemi pikërisht te dallimi që vendoset midis “kultit të personalitetit” dhe “programit të partisë”? Pse të mos jenë dyjat: pse nuk mund të thuhet se njerëzit votojnë edhe për kultin e personalitetit, edhe për programin partiak? Madje, a nuk mund të thuhet se ndërtimi i kultit të personalitet është pikërisht komponenti themelor, edhe pse i pashprehur, i programit partiak! A mund madje të shkojmë aq larg sa që të themi se partitë kosovare nuk janë gjë tjetër pos struktura kolektive për prodhimin e personaliteteve të kultit politik, e ku krejt e ardhmja kolektive e vendit duket se qëndron e varur nga karizma dhe karakteri personal i këtij apo atij lideri?

Këtë gjë e pjesërisht e siguron sistemi proporcional zgjedhor që përdorët në Kosovë. Implementimi i sistemit të listave të hapura ka qenë menduar si metodë për të dobësuar lidershipin partiak në mënyrë që partitë të nxjerrin kandidatë të besueshëm nga elektorati. Por a nuk është kjo, hapja publike e listave me emra, pikërisht metodë për ta shndërruar luftën elektorale në një luftë që krejtësisht lidhet me personalitete? Ma thuani, cilën e kanë lexuar njerëzit më me kujdes: listën numerike të emrave kandidatë, apo pikat e programit partiak? Kuptohet që këtë të parën, sepse të gjithë e dinë që ai është programi i vërtetë i partisë. Vota iu është dhënë personaliteteve, kurse personalitetet jo vetëm dominojnë politikën por edhe përcaktojnë gjithë përmbajtjen e saj.

Dëshmia më e fuqishme për vërtetësinë e këtij konstatimi është fushata elektorale e LDK-së. Vëzhgues të ndryshëm e kanë diskutuar mjaft gjestin e LDK-së gjatë fushatës, e cila kishte vendosur që ta përfaqësojë partinë në fushatë me portretin e Ibrahim Rugovës. A nuk e dëshmon kjo pikërisht hendekun që ekziston midis personit fizik dhe funksionimit të shënjuesve politik, siç është Rugova – për LDK-në nuk është me rëndësi nëse Rugova është ndër të gjallët apo të amshuarit, sepse primare është pikërisht ekzistenca e tij e vazhdueshme si shënjues, si objekt që përfaqëson një dëshirë politike. Dhe në këtë pikë mund të pajtohemi me kritikët e LDD-së: me këtë akt LDK-ja nuk i bëri nderim njeriut Rugova, pasi që atë e trajtoi si asgjë më shumë se sa një logotip të partisë. Shembulli tjetër është Behgjet Pacolli. I pyetur për një reklamë kontraverse gjatë fushatës, ku shfaqeshin individë të ndryshëm që kishin pranuar ndihma financiare nga Pacolli duke folur lavdata për të, ky i fundit ishte përgjigjur se shfaqja e asaj reklame nuk kishte qenë vendim i tij, por i udhëheqsve të fushatës pranë partisë së tij, duke u distancuar kështu nga fushata që kishte vetën e tij si objekt. Kjo pra vërteton atë që po e argumentoj këtu: partitë kanë nevojë për personalitetet shumë më tepër se sa personalitetet kanë nevojë për partitë. Në një mënyrë (dhe këtu qëndron i gjithë ankthi i partive kosovare), përderisa liderët partiakë paraqiten si figura të fuqishme, në realitet janë partitë, në ekzistencën e tyre si organizata, si entitete burokratike, e si krijesa amorfe kolektive, që i zotërojnë liderët e tyre, e jo liderët që i zotërojnë partitë. Pikërisht në këtë konsiston edhe gabimi trashanik i Veton Surroit. Në vend se partia ta gjenerojë autoritetin e tij në elektorat, ai kishte tentuar që me autoritetin e tij personal ta forconte influencën elektorale të partisë. Dhe kjo formulë atij i kushtoi shtrejtë.

Por ku po na çon kjo tani në periudhën paszgjedhore, kur duhet të konstituohen kuvendi dhe qeveria e re? Po shihet gjithnjë e më shumë se përkundër premtimeve për “ndryshime” të partisë që fitoi mazhorancën në këto zgjedhje, të vetmin ndryshim substancial që do të shohim është ndryshimi i kryeministrit. Presionet e vazhdueshme për “unitet” dhe për një koalicion të “gjerë” (që domethënë përfshirjen e LDK-së) po e bëjnë të qartë se faktorët ndërkombëtarë duan përsëritjen e formulës së qeverisë Rexhepi, po kësaj radhe me primatin e PDK-së (dhe natyrisht, me përfshirjen edhe të partive tjera që janë shumuar në ndërkohë). Këtë e ka konfirmuar edhe vetë mandatari Hashim Thaçi duke deklaruar se etapën e re politike Kosova do ta fillojmë me një qeveri me bazë të gjerë politike. (Për Kuvendin as që po bëjmë fjalë, pasi që ai që moti ka humbur peshën e tij si institucion, i kthyer në asgjë më shumë se një shtab politik i qeverisë). Natyrisht, qeveria e re mund të mos përmbajë emrat e shumë prej ministrave aktual. Por a është kjo me të vërtetë një freski dhe shprehje e një fryme të re politike? Një kryeministër që do ta ndryshojë kahjen politike të një vendi instalon në pushtet ekipin e tij politik, të cilin e drejton dhe me të cilin bashkëpunon ngushtë, dhe mbi të cilin gëzon edhe mekanizma disiplinor. Thaçit, sikur kryeministrave të mëhershëm, do t’i imponohen njerëz mbi të cilët ai nuk do të ketë autoritet. Dhe ky autoritet është po ashtu i pakapshëm politikisht – Thaçi nuk do të mund ta disiplinojë asnjë nga aleatet e koalicionit duke i kërcënuar me nxjerrje jashtë qeverisë nga vetë fakti se partia e tij nuk e gëzon shumicën absolute në Kuvend për ta mbajtur pushtetin vetë. Dhe po qe se Thaçi lidh kompakt me LDK-në për formimin e qeverisë, trysnia e diplomatëve për mosprishjen e koalicionit do të jetë e jashtëzakonshme, në emër, gjithmonë, të “ruajtjes së stabilitetit politik” (thuajse ndonjë nga partitë e sotme vërtetë kanë paraqitur ndonjëherë kërcënim për stabilitetin politik duke qëndruar jashtë qeverisë). Por jo vetëm kaq, Thaçit i duhen partnerët për ta ruajtur postin e kryeministrit po aq sa Ibrahim Rugova duhej t’ia linte postin e kryeministrit partive minore për ta mbajtur vetë postin e kryetarit të Kosovës. Dhe me përfshirjen e mundshme të LDK-së në qeveri, çështja e autoritetit të kryeministrit mbi qeverinë veçsa do të komplikohet edhe më tej, e të mos flasim për shansat e realizimit të premtimeve të shumta elektorale – si do t’i rregullojë Thaçi shkollat dhe shëndetsinë dhe si do ta ndërtojë rrjetin e madh të rrugëve që aq shumë e premtoi gjatë fushatës, nëse ministritë përkatëse duhet t’ia ndajë partive rivale?

Por çështja është edhe më e komplikuar se kaq, duke u nisur nga vetë konteksti ku duhet të veprojë qeveria e re. Përmendet shpesh me plot bujë se qeveria e re do të jetë qeveria e parë e Kosovës ndërkombëtarisht të pavarur. Por në realitet kjo qeveri do të funksionojë më shumë si një qeveri tranzicioni. Meqë partitë aktuale janë pajtuar me formulën e “pavarësisë së mbikëqyrur”, nëse në fillim të 2008-ës realizohet skenari tashmë i hartuar nga BE-ja për njohjen e njëanshme të Kosovës dhe startimin e misionit të saj, qeveria e re do ta ketë një prej detyrave parësore akomodimin e mbikëqyrësit të ri – largimin e UNMIK-ut dhe zëvendësimin e tij me misionin e BE-së. Qeveria e re, larg së marruri me çështjet e rëndësishme sociale dhe ekonomike të Kosovës, apo me luftën kundër korrupsionit brenda qeverisë dhe administratës, do të jetë e stërngarkuar gjatë viteve që vijnë me nxjerrjen e ligjeve dhe reformave të diktuara nga Pakoja e Ahtisaarit, implementimin e decentralizimit, adaptimin e strukturave administrative dhe zbatimin e reformave të reja institucionale që duhet bërë për t’u akomoduar (apo, më saktë, nënshtruar) misionit të ri mbikëqyrës. Dhe kjo është në fakt historia e qeverisjes në Kosovë që nga qershori 1999 – në Kosovë nuk qeveriset, por vazhdimisht organizohet dhe riorganizohet sistemi i qeverisjes, ndërsa debati i brendshëm politik mbetët peng i preokupimeve me probleme të natyrës administrative. A s’është ironik fakti se vetëm gjatë muajve të kaluar – dhe vetëm në saje të shokut që shkaktoi JO-ja ruse – lidershipi dhe publiku kosovar e kuptuan se akoma ekziston diçka e quajtur politikë.

Por pikërisht kjo mund të jetë shkaku i shndërrimit të politikës kosovare në pak më shumë se ndryshim emrash dhe garniturash. Është kjo simptomë jo e tepricës, por e mungesës së politikës. Në Kosovë, esencialisht, nuk bëhet politikë. (Në këtë, natyrisht, nuk po i përfshijë politikat e klientelizmit të partive, me afera biznesi, korrupsioni, punësimi miqësh e famijarësh etj., ku lidhen interesa të gjera e të mëdha. Por politika klienteliste është forma më e ulët dhe më e degjeneruar e politikës). Politikë mund të ketë vetëm në një fushë ku ekzistojnë disa shkarje fundamentale, shkarje për të cilat janë të vetëdijshëm edhe vetë pjesëmarrësit dhe të cilët mund t’u referohen atyre në luftërat e tyre politike. Po ta pyesesh liderin e partisë X se çka e dallon partinë e tij nga partia Y, përgjigja me gjasë do të ishte e thjeshtë: e dallon fakti se UNË jam në këtë parti e jo në atë. Loja politike në Kosovë ka degjeneruar në lojë egosh ku përimtësohen dallimet narcisiste, karakteristikë kjo e grupeve të vogla, siç e kishte vënë re Freud-i. Por dallime politike as që mund të ketë në një fushë të përkufizuar njëdimensionalisht, ku dallon vetëm raporti i secilit me hierarkinë pushtetore por jo raporti i secilit ndaj objekteve shoqërore të kontestit politik. Një akt i vërtetë politik në Kosovë do ta bënte pikërisht këtë, do ta thyente njëdimensionalitetin brenda së cilit nuk duket ekzistenca e dallimeve substanciale politike por duken vetëm dallime në njerëz dhe në emra, duke konstruktuar objekte të reja të kontestit politik – apo, të themi më mirë, objekte objektive të kontestit politik. Politika kosovare akoma jeton me jehonën e shkarjeve shoqërore e politike të 1999-ës, të 1989-ës, e për disa edhe të 1981-ës – këto janë momentet e përthyerjeve historike të cilat kanë strukturuar dhe të cilat legjitimojnë taborret aktuale të grupuara nëpër fraksione rivale partiake, por edhe furnizojnë bazat mbi të cilat këto parti e perceptojnë politikën. Në ndërkohë, rrethanat objektive shoqërore po ndryshojnë me shpejtësi të hatashme, duke filluar nga strukturat ekonomike, deri te ato institucionale dhe kulturore. E pikërisht ndryshimi i strukturave objektive po e imponon domosdoshmërinë e rigjenerimit edhe të strukturave subjektive, të mjeteve të perceptimit politik – me një fjalë, po vjen koha për një ndarje të re të frontit politik, në mënyrë që të fillojmë të merremi më pak me njerëz e më shumë me politikë.

Botuar te Koha Ditore, 24 dhjetor 2007 

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s