Home

A është për t’u mirëpritur fluksi i figurave publike që në javët e fundit ngarendën pas qerreve partiake, për të zën edhe ata diku një vend në mesin e “politikajve”? Fjala këtu nuk është për figura të vjetra politike (si Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, apo Kaçusha Jashari) që synojnë të kthehen në lojën nga e cila ishin përjashtuar më parë. Fjala është për figurat që deri dje mbaheshin si përfaqësues të “shoqërisë civile” dhe që ngarenden që, qoftë në figurën e kandidatit për deputet, qoftë në atë të këshilltarit partiak, kërkojnë të bëjnë për vete një strofull partiak duke u futur në lojën politike dhe duke u kapur dorë për dore me po ata politikanë dhe ato parti që deri dje i kishin denoncuar deri në kupë të qiellit, disa madje duke i cilësuar si përgjegjës për dukuritë ndër më të këqijat në Kosovën e pasluftës. Ç’është kjo dukuri dhe çka flet kjo për karakterin e asaj që vazhdon të njihet si “shoqëri civile”?

T’ia nisim nga e para. Ne që merremi me teori jemi shpesh në thumb të të ashtuquajturve “prakticientë” që mohojnë teorinë por që megjithatë mendojnë e veprojnë me koncepte të tilla që një kritikë teorike i dëshmon të jenë jo thjesht fiktive, por fiksione të tilla që japin një imazh të shtrëmbëruar të marrëdhënieve shoqërore e të rolit të grupeve e individëve në kuadër të tyre. Kjo vlen edhe për rolin shoqëror që këta “prakticientë” ia përcaktojnë vetëvetes. A nuk ishte kjo në themel të kritikës që Marksi i bëri politikës ekonomike, duke dëshmuar se kjo e ashtuquajtur “shkencë e ekonomisë” përbënte një ideologji që maskonte marrëdhëniet kapitaliste të shfrytëzimit? A nuk është kjo gjithashtu në themel të shkencës së sociologjisë – jo për të teoretizuar marrëdhëniet shoqërore sipas vetëpërshkrimeve që japin për veten dhe për aktivitetet e tyre aktorët shoqërorë, por për të zbërthyer mënyrat se si aktiviteti i aktorëve të caktuar shoqëror artikulon me marrëdhëniet dhe strukturat shoqërore në përgjithësi? Teoria nuk është një ushtrim i kotë intelektual (siç pretendojnë “prakticientët” anti-teorik), por ndërton bazën për ndërtimin e çfarëdo orientimi normativ politik e shoqëror. Në rastin tonë konkret të kritikës politike kemi të bëjmë me mënyrën e shfrytëzimit (dhe të keqpërdorimit) të konceptit – apo më mirë të themi, ideologjisë – të shoqërisë civile. A nuk është ky një koncept që vazhdon të shfrytëzohet vazhdimisht nga një segment njerëzish tani edhe pas angazhimit politik, si mbulesë e aktiviteteve të tyre, duke tentuar kështu të minimizojnë nga vetja përgjegjësinë që u takon atyre nga një angazhim i drejtpërdrejtë politik? Madje, shoqëria civile është shndërruar në një lloj “branding”-u që vazhdimisht i klasifikon disa individë të caktuar, thuajse jashtë qenies dhe frymës së tyre nuk ekziston asgjë që mund ta mbajë emrin e shoqërisë civile në Kosovë. Kështu, na krijohet përshtypja se “shoqëria civile” përbën ndonjë gradë të veçantë (siç është një diplomë shkollore apo gradë ushtarake) që individë të caktuar do të mbajnë përjetësisht me vete, kudo që i çon rrugëtimi i tyre jetësor. Madje edhe kur futen në politikë, ata janë aty vetëm si “përfaqësues të shoqërisë civile”. A ekziston ndonjë fyerje më të madhe për inteligjencën e çdo qytetari mesatar, se sa një manipulim i tillë ideologjik? Ky lloj privatizimi, personalizimi dhe sektizimi i shoqërisë civile ka një histori të vetën, por problemi tashmë bëhet shumë serioz kur disa tentojnë që “shoqërinë civile” ta përdorin si trampolinën kryesore mbi të cilën e mbështesin katapultimin e tyre në politikë.

Pa dyshim, zgjedhja për t’u futur në politikë është, në një vend me demokraci përfaqësuese siç mëton të jetë Kosova, e drejtë e secilit individ. Me këtë shkrim unë nuk synoj (larg asaj) që ta kontestoj të drejtën e cilitdo që do të anëtarësohet në parti politike, të futet në politikën institucionale, të kandidohet për post politik, të ofrojë shërbimet e veta ndaj organizatave partiake etj. Mirëpo, për figura publike, për ata që deri dje mbaheshin si “figura të pavarura”, gazetarë e analistë, profesorë e specialistë, e aktivistë të sektorit jo-qeveritar, a nuk e meriton publiku kosovar një sqarim për zgjedhjen tuaj për t’u futur në politikë, për orientimet e juaja politike e ideologjike, për arsyet që ju afruan me partinë X apo liderin Y (aq më tepër kur ndaj të njëjtave subjekte politike, disa prej jush nuk kishit kursyer denoncimet nga më të poshtrat)? A meriton publiku kosovar një sqarim nga ju (siç bëri, p.sh., në mënyrë shembullore, Halil Matoshi, me letrën e tij përshëndetëse ndaj ish-kolegëve gazëtarë për largimin e tij nga gazetaria dhe kandidimin e tij për deputet)? Apo kemi të drejtë që, meqë ndërmerrni veprime kontradiktore pa dhënë sqarime të mirëfillta, të ju konsiderojmë thjesht si oportunistë të momentit, se ndoshta keni zbuluar se reputacioni i shoqërisë civile nuk kryeka punë në Kosovë, e se jeta nuk u bëka pa kultivuar “lidhje të forta” me njerëzit në pushtet e me ata që ndoshta nesër do ta marrin pushtetin?

 Nuk kam ndërmend të merrem me emra të përveçëm, aq më tepër kur fjala nuk është për veprime individuale por për një fluks të përgjithshëm që ka kapluar të ashtuquajturën “shoqëri civile”, për t’u vënë pas ndonjë partie apo ndonjë lideri politik dhe për ta kërkuar një vend në tyrezat e pushtetit. Mjafton të shikoni listat e kandidatëve për deputetë, apo listat e këshilltarëve partiakë, e do të shihni aty (siç e kanë vënë re edhe gazetarët) shumë emra të njohur publik që pas një distancimi shumëvjeçar nga aktiviteti i drejtpërdrejtë politik, vendosin t’i bashkohen garave elektorale dhe synimeve për pushtet. E përsëris se është e drejtë e secilit, edhe brenda këtij kuadri të dyshimtë e të brishtë të demokracisë në Kosovë, të vendos të kandidohet për post publik, të anëtarësohet në parti politike, të garojë për pushtet, të mbështes haptazi partitë që garojnë për pushtet etj. Por, përkundër aparencës, organizimet partiake nuk janë ndërmarrje private as vende ku synohet realizimi i aspiratave private apo karrieriste, siç bëhen ato në një firmë apo ndërmarrje. Organizimet partiake, si organizime politike që synojnë marrjen e pushtetit, janë në radhë të parë bashkime rreth një programi moralo-politik, domethënë bashkime të cilat për bazë kanë besimin në disa vlera fundamentale dhe në disa qëllime fundamentale politike. Është i papranueshëm ky instrumentalizim i partive, që tashmë po bëhet haptazi, si zgjedhje personale e individuale që bëhet për avancimin e karrierës personale apo realizimin e synimeve të formimit profesional, apo një angazhim që asyetohet thjesht si i shtyrë nga “dëshira për ta ndihmuar vendin”. Bashkëngjitja në çfarëdo forme një organizimi partiak nuk është çëshje karriere e as ndonjë vendimi që i takon ekskluzivisht sferës private të individit, por është në radhë të parë një akt personal politik, për më tepër është një akt publik, dhe si i tillë ai duhet të justifikohet. Kjo vlen sidomos kur ky akt personal politik ndërmerret nga figura publike që me vite e ndoshta edhe dekada janë përpjekur (apo të paktën kështu kanë pretenduar) t’i ndërtojnë e artikulojnë disa standarde politike e qytetare në Kosovë, kundër standardeve të jetësuara nga po ato parti politike që ata sot i përqafojnë me përmallim. Dhe ky akt individual politik duhet të justifikohet, sidomos nga ata që deri dje pretendonin të ruanin një distancë parimore nga pushteti, e nga ata që kanë obligim moral e profesional (siç janë gazetarët dhe profesorët universitarë) ta bëjnë një gjë të tillë. Por justifikime të këtilla për këto sallto mortale që i dëshmuam kohëve të fundit s’i dëgjuam publikisht nga asnjë nga figurat e deridjeshme publike që vendosen të angazhohen në organizma partiake (me përjashtim, edhe një herë, të deklarimit publik të Halil Matoshit).

Megjithatë, dy gjëra duhet të jenë të qarta: ata që kanë vendosur t’i bashkohen politikës institucionale, duhet të heqin dorë përfundimisht nga pretendimi i tyre se kanë lidhje me shoqërinë civile, qoftë kjo shoqëri civile e përfaqësuar nga aktiviteti shoqëror joqeveritar, nga mësimdhënia universitare, nga gazetaria, nga puna studimore, apo çfarëdo aktiviteti tjetër me peshë publike që zhvillohet në sektorin jo-qeveritar. Ju zonja dhe zotërinjë, që vendoset të futeni në politikën institucionale në poste politike (kjo vlen edhe për postin e këshilltarit partiak, që përkundër përshkrimeve sterile të disave, është post politik), që kapitalin tuaj akademik, intelektual e profesional e investoni në një grupim të caktuar politik, aq më tepër brenda një skene politike që vuan nga një krizë e përgjithshme legjitimiteti, e që është në zor të madh që ta kthejë kredibilitetin e vet duke rekrutuar jashtë radhëve partiake, tash e tutje do të trajtoheni si të tillë: figura partiake dhe persona që kanë politikën si vokacion (mu ashtu siç e ka përkufizuar këtë gjë para shumë dekadave Max Weber-i). Si figura politike, ndani përgjegjësinë e plotë me fatin (e tashëm dhe të kaluar, me të gjitha të mirat dhe të këqijat) të partisë dhe të lidershipit partiak që ju keni zgjedhur të përkrahni apo të së cilës jeni bërë pjesë. Si figura politike, nuk keni të drejtë të kërkoni mbulesë për veprimet tuaja dhe për përgjegjësinë tuaj të drejtpërdrejtë politike në një sferë jopolitike, në “shoqërinë civile”, në profesionalizmin e në integritetin tuaj personal, e në të kaluarën tuaj. Mos kërkoni që barrën tuaj politike ta lehtësoni duke pretenduar se në politikë po hyni “vetëm përkohësisht”, sa për “t’i ndihmuar proceset”, për “t’i kontribuar vendit” etj. Ju tashmë jeni pozicionuar politikisht, dhe jeni pozicionuar qartë! Bëhuni aq të denjë që t’i mbroni këto qëndrime politike, e mos u fshihni mbrapa “shoqërisë civile” e as mos e ruani atë si një lloj “dalje emergjente” (“emergency exit”) nga politika përmes së cilës do ta mohoni çdo përgjegjësi nga vetja për ato që do të ndodhin gjatë karrierës suaj politike.

E dyta, ju që i bashkoheni radhëve të partive dhe që në ndërkohë kërkoni që pozicionimin tuaj aty ta kategorizoni me etiketetën e shoqërisë civile, apo ta karakterizoni si një angazhim të thjesht profesional, mos na fyeni neve që vazhdojmë të besojmë se aktiviteti shoqëroro-politik mund të bëhet edhe jashtë kornizave të politikës institucionale, madje se një aktivitet i tillë është një domosdoshmëri e patejkalueshme për ndryshime qenësore në shoqërinë tonë. Mos abuzoni më tej me këtë term aq të keqpërdorur, duke provuar që të thirreni në shoqërinë civile për ta shpërlarë vetën nga barra e përgjegjësisë që keni marrë mbi vete nga momenti që keni vendosur të orientoheni politikisht e partiakisht, e sidomos nga përgjegjësia eventuale që do të mbani në të ardhmen për shkak të veprimeve të organizatave politike të cilave ju i takoni apo që tashmë i mbështesni në mënyrë të drejtpërdrejtë. Por ju, po qe se doni, shoqërinë civile mundeni edhe ta merrni me vete në postet zyrtare politike që do të mbani, por me këtë vetëm sa do të na bëni me dije neve të tjerëve se edhe aktivizmi juaj në “shoqëri civile”, edhe ai i sotmi politik, nuk paskësh qenë një angazhim parimor, por asgjë më shumë se një oportunizëm i kohës.

Botuar te Koha Ditore, 11 tetor 2007

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s