Home

Lexova me vëmendje analizën e botuar në The Economist të përgatitur nga Economist Intelligent Unit për mundësinë që Rusia të vendos veto ndaj rezolutës së re për statusin e Kosovës, apo që ky proces të vonohet për disa muaj. Në atë moment më shkuan ndërmend dy gjëra. Së pari m’u kujtua titulli i librit të Zizekut të botuar pas katastrofës së 11 shtatorit 2001 në Amerikë – Welcome to the Desert of the Real. Në fakt, titulli është huazim nga filmi The Matrix, ku Morpheus, pasi Neo ta ketë marrë vesh se bota ku kishte jetuar kishte qenë një iluzion virtual ndërsa realiteti i vërtetë ishte një katastrofë, ia thotë po këtë: “Welcome to the desert of the real”. Për Zizekun, “the Real” normalisht ka konotacion Lacanian. Realja për Lacanin nuk është “realiteti” ashtu siç e përdorim këtë fjalë në gjuhën e përditshme, por një mangësi, një traumë e cila plotësohet nga përfytyrimet që pengojnë shfaqjen e reales dhe përbëjnë atë që ne e njohim si “realitet”. Po kjo më shkoi ndërmend si mesazh që duhet t’u thuhet të gjithë kosovarëve – veçanërisht atyre që kanë besuar naivisht se pavarësia është një punë e kryer dhe se gjithçka kryhet lehtë se “ashtu don Amerika”: Welcome to the desert of the real! Sidoqoftë, vetoja ruse, nëse ndodh, do ta ketë anën e saj pozitive sepse do të jetë një zgjim nga gjumi për kosovarët që i janë nënshtruar këtij lidershipi të nënshtruar dhe pa bosht politik.

E dyta, më shkoi ndërmend se në çfarë mënyre jokompetente Perëndimi e ka trajtuar çështjen e Kosovës që nga qershori 1999, por sidomos procesin e negociatave për statusin, duke llogaritur se gjithçka do të shkojë kollaj, do të imponohet Ahtisaari dhe do të hapet një kaptinë e re në marrëdhëniet në Ballkan. Por e kaluara nuk lëshon pe aq kollaj. Në vend të një politike decidive karshi Kosovës (që atë do ta pavarësontë qysh më 1999, ose shpejt pas marrjes nga NATO-ja, kur dhe ka qenë momenti i volitshëm, pa ledhatime dhe dashamirësi ndaj Beogradit), ajo e zvarriti punën e Kosovës me vite duke e zëvendësuar paqen e qëndrueshme me një aparaturë burokratike për ta sunduar Kosovën si një kamp të madh refugjatësh.

Sidoqoftë, në vijim janë disa shënime nga tetori 2005, që i kam shkruar rreth çështjes së negociatave, por që nuk janë botuar askund:

Edhe adresimi i çështjes së statusit të Kosovës nga diplomacia perëndimore vazhdon në po të njëjtën mënyrë siç zhvilluar politika perëndimore ndaj Kosovës që nga përfundimi i luftës — me shenja kontradiktore, pavendosmëri dhe një preferencë perverse për ambiguitete dhe paqartësi.

Tek e fundit, edhe pse zgjidhja e çështjës së statusit është përmendur shpesh vitet e fundit, adresimi i saj nuk u shqyrtua seriozisht nga diplomacia evropiane dhe amerikane deri pas ngjarjeve të marsit 2004. Siç është dëshmuar disa herë gjatë dekadave të fundit në raport me vendet e ish-Jugosllavisë, diplomacia perëndimore reagon vetëm pasi ndonjë akt i dhunshëm të ketë kërcënuar paqen e brishtë. Pastaj, duke luajtur rolin e dyfishtë të një zjarrfikësi dhe pontifi moralizues, merr për të rishqyrtuar politikën e vet të deriatëhershme, për të emëruar ndonjë të dërguar të posaçëm dhe për ta recituar refrenin tashmë të njohur mbi një dekadë e gjysëm: status quo-ja është e paqëndrueshme.

Ekstremistët qysh moti e kanë mësuar formulën e një diplomati amerikan, i cili pat thënë se interesi i vetëm amerikan në Ballkan është stabiliteti. Leksioni për t’u mësuar është se nëse do vëmendjen e diplomacisë perëndimore, prishe stabilitetin. Në qoftë se këtë e bën me sukses, të nesërmen do të ftohesh në takim me ndonjë diplomat apo të dërguar të posaçëm për ta diskutuar paqen.

Sido që të jetë, procesi i adresimit të statusit të Kosovës është hedhur në binarë, mirëpo i tërë procesi deri më tani tregon simptomat e një mosorganizimi dhe pavendosmërie. E para, është shenjë jo e mirë që çështja e adresimit të statusit i është lënë Kombeve të Bashkuara. Fllimisht, çështja e adresimit të statusit iu la në dorë një emisari të OKB-së, Kai Eide, i cili ishte ftuar që në bazë të vëzhgimeve të tij të jepte sinjalin për fillimin apo jo të adresimit të statusit. Si ndërmjetës në këtë proces, pritet të emërohet një i dërguar i Kofi Anan-it, i cili aktualisht flitet të jetë ish-presidenti finlandez dhe negociatori i paqes së 1999-ës me Millosheviqin, Maarti Ahtisaari. Idealisht nuk do të duhej të ishte kështu, por praktika diplomatike deri më tani tregon se OKB-ja ftohet për të ndërmjetësuar vetëm në ato konfikte ku nuk ekziston ndonjë interes urgjent i fuqive të mëdha.

E dyta, çështja e orareve dhe kohëzimit nuk është përcaktuar. Dikujt akoma mund t’i kujtohen deklaratat diplomatike të vitit të kaluar, kur thuhej se statusi i Kosovës do të jetë i zgjidhur deri në mesin e 2005-ës. Mesi i 2005-ës kaloi ndërsa zgjidhja është shtyer — të paktën nëse mund t’i besohet deklaratave aktuale — deri në mesin e 2006-ës. Por edhe kjo periudhë nuk është stabile. Fillimisht, Serbia është akoma e papërgatitur për bisedime, ndërkohë që flitet që edhe Qeveria e koalicionit e Koshtunicës mund të bie. Jostabiliteti politik në Serbi mund ta vonojë edhe për më tej adresimin e statusit, sidomos nëse atje shpallen zgjedhje të reja dhe, në skenarin më të keq, pushtetin e marrin radikalët sheshelistë.

E treta, ambiguiteti rreth zgjidhjeve të mundshme shkon duke u shtuar. Përveç Zvicrës neutrale që është deklaruar për pavarësinë e Kosovës, asnjë palë diplomatike nuk është deklaruar për preferencën e vet ndaj statusit të ardhshëm. Edhe përfaqësuesi diplomatik amerikan Nicholas Burns deklaroi se për SHBA-të, në tavolinë janë edhe autonomia edhe pavarësia, që megjithatë nuk është qëndrim konkret. Ndërkohë që, ironikisht, mediat flasin për qëndrimet e ndryshme në mbrapaskenën e qarqeve diplomatike, ku gjithnjë e më shumë flitet se zgjidhja e preferuar është një formulë e paqartë: pavarësi e kushtëzuar. Nuk është e qartë nëse theksi në këtë tog vihet më tepër te pavarësia apo të kushtëzimet: me një fjalë, a është fjala për një shtet sovran i cili mbetët i monitoruar, apo për një entitet me pushtet të vetin por pa sovranitet të vetin, zyrtarisht pjesë e Serbisë.

Tek e fundit edhe sundimi nga UNMIK-u është një lloj “pavarësie e kushtëzuar”. Edhe në federatën jugosllave, Kosova ishte një lloj “republike e kushtëzuar”. Të gjitha këto formula ambiguoze deri më tani janë treguar si të paqëndrueshme dhe potencialisht katastrofike.

12 mendime mbi “Disa shënime nga tetori 2005 për negociatat

  1. A paske marre zemer pak prej kercenimeve te Rusise a? Nuk te zgjat shume. Kosova do te jete e pavarur se ashtu duan shumica e shqiptareve te Kosoves dhe ashtu do Amerika. Aty ku je ne Amerike, njerezve si ti u thone ‘smart-ass’. Shpresoj se nuk do te te zgjas shume kjo krekosje dhe gjithashtu shpresoj se populli i Kosoves nuk do te kene nevoje ‘te zgjohet nga gjumi’ ashtu sic a parafytyron ti. Shko merru me mire me studimet tua te malesorve te veriut atje e hiqu politikes se pervec moralizimit te kote kerkun nuk ia ke qillu deri tash. Hin e rilexoji shkrimet tua.

  2. Disa njerëz akoma jetojnë në botën e çudirave por çdo njeri me pak ndërgjegje e ka kuptuar seriozitetin e situatës ku gjendet Kosova sot, me mundësinë e bllokadës së rezolutës nga Rusia dhe nxjerrjen nga binarët të krejt procesit. Njerëzit veç kanë filluar të “zgjohen nga gjumi” ku i ka futur ky lidership me premtime boshe (ti duhet të jesh një nga ata që i ka besuar Agim Çekut kur e premtoi pavarësinë në maj — apo mos je ai që i ke besuar Bajram Kosumit kur ta ka premtuar në pranverë të 2006-ës?). Amerika është shtet i fuqishëm por çdo njeri i arsyeshëm e di se Amerika nuk e dikton fatin e botës dhe pasojat për Kosovën janë potencialisht shumë të mëdha nëse ky proces dështon në këtë stad kritik.

    Për komentet tjera të natyrës personale nuk po të përgjigjem, por në ndërkohë të ftoj që të vazhdosh të lexosh shkrimet e mia dhe ta vlerësosh nëse ia kam qëlluar apo jo, e të nxjerresh çfarëdo kënaqësie perverse që nxjerr nga këto “cheap shots” që i përdorë kundër meje. Meqë po e njihshe sllengun amerikan besoj se më kupton mirë çka po të them.

  3. I nderuari z.Besnik,
    Qeshtja e seriozitetit te situates se Kosoves, tani cdo dite e me teper po shifet se nuk eshte ashtu siq enderruam dhe qe lideret tane rregullisht propaganduan keta muajt e fundit. Po shifet qarte se me se paku shqetesohemi me problemet e ndertimit te shtetit ndersa merremi me prognozime te panevojshme. Realiteti eshte se sot me se shumti na shqetesojne problemet e perditshme jetesore nderkohe qe konjukturat udheheqese shteteberese po merren me vetevehten dhe keqeperdorimet e shumta qe tani cdo dite e me shume kane filluar edhe te dalin ne opinion. Sido qe te jete, me pare se te konfrontimi me prognozime te natyrave te ndryshme romantike, sot na nevojitet kompletimi-angazhimi i vazhdueshem i shtreses se udheheqesve me kualitete te mirefillta diplomatike (si psh. z. Veton Surroi etj.), qe jane ne gjendje te identifikojne qarte dhe sakte format dhe veprimet e caktuara per lobimin e sukseshem te pershpejtimit te qeshtjes madhore te statusit (siq ishte rasti i z. Veton Surri ne takimin e Prages me presidentin Bush, kur me nje fjali te vetme, sipas mendimit tim, arriti te zhvesh tendencat ruso-serbe rreth shtyerjes se statusit).

  4. Nuk munda pa e bërë një koment në këtë artikull pasi dje lexova një lajm në ballinën e gazetës Express ku thuhej: “Liderët indiferentë për varrin masiv”. Bëhet fjalë për një varr masiv në Serbi ku dyshohet se janë varrosur kufomat e afër 500 shqiptarëve të Kosovës. E kjo është poenta kryesore me të cilën është dashur të filloj artikulli që po komentohet këtu – se Ekipi Negociator në fillim e kishte bërë shumë të qartë se NUK KA BISEDIME ME SERBINE PER PAVARESI. Këto bisedime që do t’i zhvillojmë me Serbinë, thoshte Ekipi, janë vetëm bisedime për çështje teknike siç është GJETJA E FATIT TE TE ZHDUKURVE. Jo vetëm që Ekipi Negociator s’ka biseduar fare për fatin e të zhdukurve, por nuk don të dijë për ta edhe në rastet kur për fatin e tyre “kujdesen” policia dhe ushtria serbe që i vrau.
    Rreth indiferencës së politikanëve për këtë rast tragjik, me pëlqeu shumë një deklaratë e një analisti të cilën e botoj gazeta: “Këtyre [liderëve politik, ekipit negocator] nuk u intereson as për të gjallët, e lërë më për të vdekurit”.

    Për zgjimin e shumë naivave nga gjumi qe besojnë se Amerika do ta fillojë luftën e tretë botërore shkaku i Kosovës, nuk di çka të them. Për ata që mendojnë kështu, po e huazoj një thënie të dikujt tjetër i cili i kishte përshkruar njërëzit e tillë, e citoj orgjinal nga anglishtja, si “heavily drugged minds”, qe në shqip më duket se do të thotë “mendje shumë të droguara”. Pra, ky Albani qenka i zgjuar nga gjumi dhe shumë aktiv, por vetëm si “heavily drugged mind”.

    Kosova do të jetë e pavarur, shtet, perandori, superfuqi e ku ta di unë, “sepse ashtu duan shumica e shqiptareve te Kosoves dhe ashtu do Amerika”. Këtë e duan vetëm ata duke pa ëndrra me sy çelë nën ndikimin e dozës së tepruar të drogës.

  5. More ti Lexuesi i rregullt i paske disa ide te budallta dhe qenke humorist.
    Zbrit ne toke e balafaqohu me realitetet e Vetonit:
    1. A eshte ky Vetoni qe shqiptaret e Kosoves i quante fashiste kur keta ishin viktime? A i ka quajtur najher Vetoni serbet fashisht. KURRE.
    2. A ashte ky Vetoni qe lobon fuqishem tek UNMIKu per me ja dhan 800 hektar toke shqiptare manastirit te Decanit? Bile thojke s’jan kurgja 800 hektar me ja dhan nje manastiri.
    3. A ashte ky Vetoni pjese e Ekipit te Unitetit qe diskutojne me ja u dhan 40 kishave ortodokse serbe qindra hektare. Edhe ja u dha sepse kete e permban Plani i Ahtisarit. Vetoni e ka aprovuar edhe hapatazi ate plan.
    4. Cfare tendencash ruso-serbe i ka zhveshur Vetoni? Mos e ki fjalen per ato tendencat e krijimit te zonave mbrojtese me qindra hektar rreth manastireve serbe? Prej te gjithe anetareve te Ekipit te Unitetit, vetem Vetoni ka lobuar suksesshem per krijimin eksterritorialit rreth kishave serbe.
    5. Ti po thu se me ni fjali Vetoni i zhveshi tendencat ruso-serbe per shtyerjen e statusit. A je kane aty ne Prage dhe a e ke ni ate fjale. Sa per informimin tuaj, STATUSI U SHTY. Hajt tash ti kallxona cka ka bisedu fshehurazi Vetoni me ruso-serbet.
    6. Prej te gjithe anetareve te Ekipit te Unitetit, Vetoni eshte me i neveritshmi. Po, ky eshte ne gjendje me i identifiku format e suksesshme te lobimit dhe pershpejtimit te qeshtjes madhore, e ato jane: shqiptaret e Kosoves jane fashista (por jo kriminelet serbo-qetnik), 800 hektar, plani i ahtisarit ashte i mire vetem masi ky t’i rekomandon me ju dhan qindra hektar secilit manastir serb e ma ba Kosoven prone te kishave, ashtu qe ajo pavaresi e kushtezuar te jete vetem e kishave serbe.

    Turp te kesh more rrenc. Shko e rrej tjeterkun. A MORE VESH?

  6. Kosova do te jete e pavarur se ashtu duan shqiptaret, ashtu do Amerika, ashtu do Bashkimi Evropian, ashtu do Sekretari i Pergjithshem i OKB-se ashtu duan shumica dermuese e anetareve te Keshillit te Sigurimit, ashtu duan fqinjet e Kosoves. Pakon e Ahtisarit momentalisht e kundershtojne vetem Rusia, Serbia dhe Levizja “Vetevendosje” ne Kosove, ideolog i se ciles eshte Besnik Pula. Besniku duket te jete njeri inteligjent, por ja qe ka zgjedhur ta kanalizoje kete inteligjence gabimisht. A nuk ishin keta te njejtit qe na thane se keto negociata po behen per ta kthyer Kosoven ne Serbi, thuajse ajo nuk ishte tashme ne Serbi? Po si mund te pavaresohet nje vend pa negociata? Forcat Aleate e mposhten teresisht Gjermanine ushtarakisht ne LDB po prape se prape u thane ta nenshkruajne kapitullimin formalisht. Prandaj, ju them me bindje se Kosova shpejt do te jete e pavarur, me ose pa veto te Rusise e cila nuk mund te kete veto ndaj krejt botes. Rezoluta 1244 nuk eshte e skalitur ne guri. Jam i vetedijshem se Rusia e ka te drejten e vetos dhe mund ta perdore. Por poashtu e di se rezolutat e OKB-se zbatohen per aq sa shtetet anetare vendosin qe ato te zbatohen. Shumica e rezolutave te OKB-se kane mbetur shkronje e vdekur ne leter. Prandaj, durim edhe mos u koritni per pak. Nuk ka gje me te lehte se te derdhesh tere mllefin mbi politikanet e Kosoves, te cilet megjithe te metat e shumta, kane ditur te rreshtohen drejt dhe te vendosin besimin dhe shpresat tek Perendimi. Kjo u deshmua te jete garanca me e forte per lirine dhe pavaresine e Kosoves. E kunderta eshte ‘zgjimi’ i Besnik Pules, i palestinizimit dhe intifadizimit te shqiptareve. Kosova nuk eshte Palestine dhe nuk ka nevoje per Hamas.

  7. Alban,

    unë nuk di ç’të them më tutje sepse këto që i pohon më sipër nuk përfaqësojnë aspak qëndrimet e mia. Madje të thuash se unë bëj thirrje për ndonjë lloj “intifade” apo se qenkam ideolog i Lëvizjes Vetëvendosje janë gjëra komplet absurde. Politika nuk është zgjedhje në mes të ekstremeve dhe fatmirësisht unë gjërat nuk i shoh bardh e zi.

    Kjo që ti pohon më sipër i ngjan një deklarate politike të ndonjë politikani. Urdhëro me deklarata politike dhe urdhëro nëse je i interesuar të kandidohesh për ndonjë post, por të lutem mos më shfrytëzo mua dhe tentimet e mia për t’i zbërthyer problemet në mënyrë racionale si “punching bag” për këtë.

    Më vjen keq që ky shënim i imi nxiti këtë varg kundërthëniesh dhe sulmesh siç vërehen në këtë faqe diskutimesh. Shpresoj se në të ardhmen diskutimet do të jenë më të fokusuara në çështjet me rëndësi ku edhe mospajtimet tona do të jenë parimore dhe do t’i respektojmë si të tilla, duke mos nxituar që të hedhim baltë mbi njëri-tjetrin.

  8. Mire se u ktheve Alban.
    Xhorxh Bushi po thote se zgjidhja e statusit per Kosoven do te jete pavaresia dhe nje zgjidhje qe i kenaq Kosoven, Serbine, BE-ne dhe Rusine. Po i permend (fatkeqesisht) edhe bisedimet dhe dikur po thote qe i themi stop kesaj pune. Kur do te ndodhe kjo, askush nuk e di.
    Sot i eshte zgjatur mandati UNMIK-ut edhe per 1 vit.
    Vetevendosja sot e lajmeroj protesten masive (jo vetem ne Prishtine por edhe ne qytete tjera dhe fshatra) qe do te mbahet me 30 qershor. Shpresoj e ke degjuar sot Xhorxh Bushin kur ka thene se do ta pershpejtojme procesin e pavaresise. Shpresoj po ashtu e ke degjuar Bushin me heret ne RTK se ka biseduar me Putinin ku i kish pas thane: look, we don’t wanna a conflict in the region; we have to resolve this issue (shiko, ne nuk duam konflikt ne rajon, dmth. ne Kosove e tjeterku aty afer; ne duhet ta zgjidhim kete ceshtje).
    Menyra e pershpejtimit te pavaresise (qe e tha sot Bushi) eshte protesta masive e Vetevendosjes e lajmeruar per 30 qershor. Cka ta merr mendja ty Alban, a eshte duke i organizuar keto protesta Amerika? Kthehu te biseda e Bushit me Putinin dhe raportet e ICG-se qe thone se Status Delay Maybe Risky. E me protesten e Vetevendosjes i dergohet nje mesazh i fuqishem BE-se dhe Rusise. Perndryshe, nese nuk don protesta, atehere Rusia mund t’i thote Amerikes: pse bre po i jep zor ksaj pune kur gjendja ekzistuese atje eshte OK. E protestat deshojne se gjendja nuk eshte OK.
    Alban, mos deshte ti me ardh Amerikanet e me protestu per pavaresine tuaj dhe timen?
    Lutesh te kesh respekt per grupacionet tjera te shoqerise sepse ne momente te caktuara KERKOHET VEPRIMI I TYRE per ate qe une, ti, Besniku dhe Kosova po e kerkojme, por qe ajo te jete me shume ne favor tonin, kerkohet heqja dore nga bindjet e njeanshme dhe mbyllja e syve ndaj problemeve qe po na sakatosin ne realitet sic eshte ky i shtyerjes se statusit disa here dhe genjeshtrat e Ekipit Negociator. Populli thote: “duhet me i dhan pak zjerm kesaj pune”, DESHEM E S’DESHEM. Ekipit Negociator (EN) i konvenojne bisedimet shtese sepse permes tyre pasurohen – kane meditje te majme. Mua, ty, Besnikut dhe shumices se popullsise nuk na konvenon sepse nga zhagitja ne vetem humbim – duke paguar per EN meditje te majme, me kusht qe ata (EN) vetem te na genjejne.

  9. Per hire te nivelit te kesaj faqeje, komentimet e nivelit te z. I.Limaj nuk i vleresoj si kontribut i komunikimeve ndershqipetare dhe frytedhenese. Perkundrazi, ato me shume kane ngjyre ofenduese qe ne asnje menyre nuk na nevojitet. Qellimi i reagimit tim kishte te beje me faktin se neve sot, perveq trimerise etj., me shume se kurre na nevojitet nje diplomaci energjike dhe e zhdervjellet per te udhehequr me qeshtjet vendimtare qe shtrohen para vendit. Per kete, akoma mendoj se kalibri i z. Veton Surroi eshte i rralle nder ne, gje qe nuk do te thote se eshte i vetmi. Fjalia e Prages (se “Rusia dhe Serbia deshirojne te krijojne konflikt te ngrire ne Kosove”-ashtu siq ka dalur ne mjetet e informimit), mendoj se kishte qellime paralajmeruese dhe qe ishte ndikuese ne zhvillimet politike rreth Kosoves keto diteve te fundit. Ky eshte perceptimi im politik rreth kesaj. E sa i perket veprimeve politike te z. Surroi ne Grupin e Unitetit dhe rreth Planit te Ahtisarit, kete nuk do ta komentoj por do te them se ky plan eshte negocuar me aq sukses per aq sa kane qene kapacitetet e teresishme politike, intelektuale dhe profesionale te pjesemarresve ne te gjitha grupet e nengrupet punuese. Duket se ky ishte maksimumi yne ne keto negociata dhe per kete edhe u miratua ne Kuvendin e Kosoves. Per fund do te shtoj se ofendimet jane krejtesisht te panevojshme dhe te papranueshme.

  10. I perkrah protestat paqesore masive KUNDER shtyerjeve, kompromiseve te tjera, PER vendimin sa me te shpejte, njohjen e pavaresise. Nuk kam besim ne grupin “Vetevendosje”. Ata kane keqperdorur pakenaqesine e popullit duke e orientuar ne veprime te dhunshme kunder institucioneve tona dhe kunder policise se Kosoves. Sinqerisht me vjen gjynah nga SHPK kur sot ajo portretizohet si te ishte milici e Rrahman Morines kur dihet se aty ka edhe nje perqindje te konsiderueshme te ushtareve te UÇK-se e djemve te Kosoves. Kete po vazhdon ta beje Albin Kurti i cili per shkak te gabimeve te tij eshte tkurrur sot me vetem nje grusht simpatizantesh duke mohuar cdoke dhe cdo gje ne Kosove. Po te kishte pasur strategji tjeter e te mos largonte (alienate) qytetaret ai do te kishte sherbyer mire si kunderpeshe e Grupit Negociator. Po ja qe zgjodhi rrugen revolucionare e humbi perkrahjen. Sa ka simpati ai u verejt kur u arrestua dhe pothuajse askujt si beri pershtypje kjo. Kush nuk beri as levizjen me te vogel per te. Shpresoj te kete marre leksione. E ka gabim ai nese mendon se mund t’i aplikoje ne shek 21 parimet bolshevike avantgardiste. Prandaj, jam per protesta, po ato t’i organizoje dikush tjeter nga shoqeria civile me pankarta anglisht “No more delays”, “Independence Now” etc. Ato te organizohen edhe para OKB, ne kryeqytete perendimore. Si dikur, por tash me kerkesa tjera.

  11. I pershendes te gjitheve ne debat, pasi qe tema eshte nje prej temave me te nxehta per fatin e Kosoves. Mendimi im eshte se ceshtja e statusit ka ngece seriozisht, dhe se faktoret qe kane shkaktuar kete stagnim nuk jane adresuar. Keshilli i sigurimit nuk eshte marre asnjeher me luften ne Kosove dhe zbardhjen e drejtesise per kete ceshtje. Antagonizmat nderkombetar, dhe polarizimi i skajshem te vetmen zgjedhje per statusin e Kosoves e kane gjete ne gjendjen e shtyerjet “shtyerje e qendrueshme.” Fatekeqsisht, “secili popull e meriton qeverine qe e ka,” prandaj edhe qeverite qe e i kemi pase kane qene refleksion i pranueshmerise se shtyerjes se statusit. Thjesht, populli po e pranon paradigmen se shtyerja eshte ma e mire se te behet dicka qe eshte e veshtire per tu arritur pavaresia. Nga kjo vijme deri te ajo se Albini eshte gabim, fakt te cilin une nuk mundem me e gjyku si te tille, pasi qe te gjitha deklaratat e Albinit kane mebeshtjetje faktike dhe jane deshmuar te verteta nga koha dhe rrjedhat e gjerave. Militanteve partiake ju kisha thene se ky ambient nuk eshte per propagande, mjaft i keni gazetat ditore se po pritoj edhe me ju lexu. Edhe nje gje, Besniku po i vendose ne reference burimet nderkombetare si Economist, ICG, etj, te cilat militantet tone partiake nuk dijne as me i lexu, se menxi shqip e lexojne krijimtarine ditore intelektuale te gazetave partiake. Asimetria e informacionit shkakton edhe difraksionin, dhe ne rastin e subjektit injorant prodhon sindromin e kompleksit te inferioritetit. Kompleksi i inferioritetit si simptom zakonisht e ka komunikimin pa dallim ne mes te subjektit dhe objektit, gjuha e ulet, fyerjet, dhe sharjet.

  12. se pari pershendes te gjitheve ne debat, pasi qe tema eshte nje prej temave me te nxehta per fatin e Kosoves. Mendimi im eshte se ceshtja e statusit ka ngece seriozisht, dhe se faktoret qe kane shkaktuar kete stagnim nuk jane adresuar. Keshilli i sigurimit nuk eshte marre asnjeher me luften ne Kosove dhe zbardhjen e drejtesise per kete ceshtje. Antagonizmat nderkombetar, dhe polarizimi i skajshem te vetmen zgjedhje per statusin e Kosoves e kane gjete ne gjendjen e shtyerjet “shtyerje e qendrueshme.” Fatekeqsisht, “secili popull e meriton qeverine qe e ka,” prandaj edhe qeverite qe e i kemi pase kane qene refleksion i pranueshmerise se shtyerjes se statusit. Thjesht, populli po e pranon paradigmen se shtyerja eshte ma e mire se te behet dicka qe eshte e veshtire per tu arritur pavaresia. Nga kjo vijme deri te ajo se Albini eshte gabim, fakt te cilin une nuk mundem me e gjyku si te tille, pasi qe te gjitha deklaratat e Albinit kane mebeshtjetje faktike dhe jane deshmuar te verteta nga koha dhe rrjedhat e gjerave. Militanteve partiake ju kisha thene se ky ambient nuk eshte per propagande, mjaft i keni gazetat ditore se po pritoj edhe me ju lexu. Edhe nje gje, Besniku po i vendose ne reference burimet nderkombetare si Economist, ICG, etj, te cilat militantet tone partiake nuk dijne as me i lexu, se menxi shqip e lexojne krijimtarine ditore intelektuale te gazetave partiake. Asimetria e informacionit shkakton edhe difraksionin, dhe ne rastin e subjektit injorant prodhon sindromin e kompleksit te inferioritetit. Kompleksi i inferioritetit si simptom zakonisht e ka komunikimin pa dallim ne mes te subjektit dhe objektit, gjuha e ulet, fyerjet, dhe sharjet.

Lini një Përgjigje te Albani Anuloje përgjigjen