Home

Dikujt mund t’i duket paradoksal propozimi që gjatë vitit të kaluar ia pata bërë Albinit për qëllimin përfundimtar të Lëvizjes Vetëvendosje! Gjatë vitit 2006, kur po bëhej e qartë se të paktën në disa qarqe të bashkësisë ndërkombëtare po përkrahej ideja për shkëputjen formale të Kosovës nga Serbia – gjë që tashmë po propozohet tërthorazi në letrën e Ahtisaarit – insistimi i Lëvizjes në pavarësi ndërsa kundërshtonte negociatat dukej paradoksal. Kjo për arsyen se Lëvizja kundërshtonte negociatat që, tashmë po merrej vesh, ishin dezajnuar nga sponsorët diplomatik të tyre që, në njëfarë forme, ta pavarësonin Kosovën nga Serbia. Problemi pra nuk ishte pavarësia formale (tek e fundit, po arrihet ajo që kërkonte vazhdimisht Ibrahim Rugova, “njohja formale e pavarësisë”), prandaj pavarësia nuk do të duhej të ishte aspak në thelb të mesazhit politik të Lëvizjes. Përkundrazi, propozimi im për Lëvizjen ka qenë ky: që të radikalizoheshin kërkesat, mesazhi themelor i Lëvizjes do të duhej të ishte “Jo Pavarësi! Vetëvendosje!”

Në slloganin e mësipërm qëndron e kondensuar e tërë problematika e procesit aktual nëpër të cilin po kalon sot Kosova. Dhe unë në këtë pikë duhet të them se shpreh pajtimin tim të plotë me diplomacinë ruse, ndonëse nuk ndaj motivet cinike dhe interpretimet selektive të saj: PO, Kosova nuk është rast i veçantë, por ËSHTË precedent në botë. Të pakten, DUHET TË JETË precedent në politikën botërore. Një luftë progresiviste politike në Kosovë nuk mund ta kishte për qëllim një objektiv të ngushtë politik, një parim të kufizuar politik që vlen vetëm për kohën dhe hapësirën e vet imediate, të tillë çfarë e kanë konceptuar negociatorët kosovarë në konceptin e tyre të pavarësisë. Jo, liria e Kosovës nuk duhet të jetë një eveniment politik me relevancë vetëm për hapësirën tonë dhe atë të rajonit ballkanik. Liria dhe çlirimi i Kosovës duhet të bëjë jehonë duke ngjallur shpresën e të gjithë popujve të vegjël dhe të shtypur në botë që sot luftojnë për pavarësinë e tyre, për emancipimin dhe lirinë e tyre. Vetëm atëherë liria e Kosovës do të mund të ishte një dukuri e përmasave të historisë botërore, dhe jo vetëm një eveniment lokal politik.

Pikërisht për këtë arsye pata insistuar që projekti themelor politik i Lëvizjes duhet të jetë jo pavarësia, por pikërisht vetëvendosja. Duke e lënë anash këtë parim, pikërisht kjo na kërcënohet sot: një pavarësi e jashtme pa vetëvendosje të brendshme.

Ç’është vetëvendosja? Vetëvendosja është një koncept që është popullarizuar në fillim të shekullit XX nga presidenti amerikan Woodrow Wilson (i cili më vonë u pendua për të) dhe nga Lenini, sidomos përmes traktit të tij të famshëm, “E drejta e kombeve për vetëvendosje” (për të cilën nuk ishte penduar asnjëherë). Mirëpo mishërimi dhe konkretizimi i vërtetë i vetëvendosjes si praktikë dhe si parim është bërë në periudhën e luftërave çlirimtare të dekolonizimit. Është periudha midis viteve 1950-1960, ndoshta një nga periudhat më progresive të shekullit XX, kur vetëvendosja u shndërrua në një parim themelor të ligjit ndërkombëtar, që, bashkë me zgjerimin e konceptit të të drejtave të njeriut, mund të thuhet se ishte një nga elementet më emancipuese të sistemit ndërkombëtar gjatë gjysmës së dytë të shek. XX.

Në kohërat tona të cinizmit postmodern dhe relativizmit liberal, barra ka rënë mbi popujt e shtypur të kësaj epoke dhe forcat progresive brenda tyre që ta mbrojnë dhe avancojnë konceptin dhe praktikën e vetëvendosjes. Fatkeqsisht, popujt e shtypur të epokës sonë jo vetëm që nuk arriten të krijojnë ndonjë aleancë mes vete, as të shprehin solidaritetin me njëri-tjetrin në mënyra të tjera, por madje në mënyrë cinike minuan projektet politike të njëri-tjetrit (kujtoj këtu kundërshtimin e fuqishëm që bënë intelektualë si Edward Said dhe idhtarë të tjerë të çështjes së palestinezëve ndaj intervenimit të NATO-s në Kosovë, si dhe akuzat e ndyra që ata përdorën kundrejt shqiptarëve të Kosovës dhe veçanërisht UÇK-së). Dhe as kosovarët nuk kanë shfaqur ndonjëherë ndonjë interesim të veçantë për fatin e palestinezëve, të tamilëve, ose të çeçenëve.

Sigurisht se në negociata futen edhe palë që janë në luftë, por ajo që vlen për çfarëdo negociate, kur ajo nuk bëhet midis të barabartëve, është se cila palë i vendos kushtet. Në negociatat midis Kosovës dhe Serbisë, kushtet i vendosi një palë e tretë, UNOSEK-u i mbështetur nga Grupi i Kontaktit, që përcaktoi jo vetëm që palët duhet të takohen në bisedime, por edhe substancën e asaj që do të bisedohet (decentralizimin, rregullimin e brendshëm territorialo-administrativ dhe kushtetues të Kosovës). Pikërisht këto kushte ishin esenca e mohimit të vetëvendosjes – parimi i vetëvendosjes, siç është artikuluar p.sh. në Rezolutën 1514 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, i garanton popujve të çliruar LIRI TË PLOTË, PA KUSHTE, që domethënë se është populli sovran ai që vendos për rregullimin e brendshëm të shtetit në formim e sipër. Sigurisht se praktika historike ka qenë më e komplikuar (duke çuar në lindjen e diktaturave të egra post-koloniale apo të formave të reja kontrollit dhe influencës neo-imperialiste), por të paktën, parimi i njohur nga kjo rezolutë dhe të tjerat sikur ajo ka qenë ai i një lirie pa kushte që shtetet e reja në mënyrë të mëvetshme të organizojnë jetën shoqërore dhe politike të tyre. Mirëpo, është me rëndësi të theksohet kjo – kur them në mënyrë të mëvetshme nuk domethënë në mënyrë që refuzon çdo ndihmë ose ndërhyrje nga jashtë. Përkundrazi, mëvetësia domethënë edhe posedimin e autonomisë për të zgjedhur (dhe jo për t’u imponuar) modalitetet e asistencës dhe mbështetjes që merren nga jashtë. Çdo “mbështetje” apo “ndihmë” që “pranohet” me detyrim ose nën kërcënime mbetët në kuadrin e një raporti vasal, të pabarabartë, pavarësisht se liderët tanë retorikisht flasin për “miqësi” dhe “aleanca” që nuk janë aspak të tilla.

Është pikërisht në këtë pikëpamje që rruga që do të ndjek Kosova do jetë një rrugë e një pavarësie pa vetëvendosje – e një statusi formal të pavarur që imponohet dhe mbikëqyret nga jashtë, dhe i cili përcakton kushtet e veta. Substanca e dokumentit të Ahtisaari-t është rregullimi i brendshëm kushtetues dhe territorialo-administrativ që do të ketë Kosova, duke përjashtuar shprehimisht (në të fshehurën pikë 3.9 të Aneksit I) të drejtën e referendumit për akëcilin aspekt të marrëveshjes. Dhe jo vetëm përsa i përket decentralizimit, që për mua është problemi më i vogël: dokumenti propozon një mbikëqyrje dhe kontroll të gjithanshme politike dhe ushtarake të Kosovës, duke i imponuar jo vetëm kufizime drastike në mbrojtje (me shpërbërjen e TMK-së dhe krijimin e një ushtrie që numron më pak se një batalion i rregullt i ushtrive normale, të armatosur lehtë), por edhe një prani, mbikëqyrje dhe kontroll të thellë dhe të gjithashëm mbi tërë sistemin politik, juridik dhe ekonomik të Kosovës. Mbrojtja, ligji, ekonomia, administrata shtetërore, janë këto shtyllat kryesore të një shteti të pavrur – këto JANË shteti, “substanca e shtetit” siç shprehën negociatorët kosovarë (përkundrazi, mund të thuhet se neve po na imponohet pikërisht një shtet pa substancë). Sigurisht, ka raste historike kur kanë ekzistuar shtete që nuk kanë gëzuar kontroll të plotë mbi këto fusha – këto shtete janë njohur historikisht si shtete të okupuara ose si shtete koloniale. Lidhur me këtë, duhet shtuar: është më se e qartë se njohuria historike dhe teorike përbën bazën për çdo veprimtari politike, thjesht në mënyrë që politika të mos degjenerojë në një lojë fjalësh dhe retorikash çfarë është sot. Aspirtatat tona politike nuk mund t’i kuptojmë ndryshe, dhe ato duhet kuptuar në esencë dhe jo vetëm shqiptuar për hir të obligimit. Njohuria teorike dhe historike janë të pazëvendësueshme për veprimtari të qartë politike – jo indoktrinimi por njohuria e mirëfilltë kritike!

Megjithatë, një gjë është e qartë: pavarësia ahtisaariane e Kosovës përbën disfatën historike të vetëvendosjes dhe dëshmon paaftësinë tonë për ta mbrotjur dhe jetësuar këtë parim universal. Dështimi ynë për ta shndërruar në universale luftën tonë politike, dhe si pasojë për të qenë pjesë e universales, është dështim gjithashtu për ta gëzuar lirinë ashtu siç kuptohet ai si parim universal. Dhe liria mund të jetë vetëm universale, ose s’mund të jetë fare. Pavarësia ahtisaariane e Kosovës përbën heqjen dorë nga vetëvendosja dhe si pasojë, heqje dorë nga liria që na takon, zëvendësimin e saj me një liri të cunguar dhe të ngushtuar, që, rrjedhimisht, nuk përbën fare liri. Pavarësia ahtisaariane e Kosovës përbën përdhosjen e vetëvendosjes dhe legjitimimin e praktikave neokoloniale që nisen me UNMIK-un dhe që do të vazhdojnë në forma të tjera, duke nxitur gjithashtu forma të reja të rezistencës dhe rebelimit, çfarë do t’i dëshmojmë në vitet që vijnë.

Vetëvendosja ka qenë mesazhi radikal i lëvizjes me këtë emër, dhe vetëvendosja është vërtetë një koncept radikal në rrethanat tona politike. Ai është një mesazh që niset nga një realitet konkret dhe partikular por me një domethënie universale që tejkalon situatën ku lindë, por edhe veçantinë e kohës sonë, për të qenë një jehonë që trashëgohet nëpër breza në Kosovë por edhe përtej saj. Prandaj unë i mbetem besnik bindjes sime se akoma, mesazhi më radikal politik që mund të ekzistojë në Kosovë sot është ky: AS PAVARËSI JO, VETËVENDOSJE!

Botuar te gazeta Vetëvendosje!

5 mendime mbi “Pavarësia pa vetëvendosje e dokumentit të Ahtisaarit

  1. Ne fund te viteve 40, palestinezeve u ofruan planin me te cilin merrnin 2/3 e teritorit te sotem te Izraelit, Gazes dhe CisJordanise. Palestinezet me ndihmen e “vllezerve” arabe refuzuan planin.Epilogu ende nuk dihet, ndersa territoret jane humbur…
    Floskulat “akademike” per vetvendosje jane vetem per femijet qe kane nise me u rrite!Ekziston vetem “realpolitik”.

  2. Adnan,

    se pari, si 31 vjecar, e konsideroj veten mjaft te rritur.

    E kam veshtire t’ju jap nje pergjigje “akademike”, kur sot mora vesh se tre vete kane mbetur te vrare nga policia ne Prishtine, pikerisht duke protestuar per kete gje qe ju e quani “floskul akademike”. Ndoshta per ju kjo eshte loje femijesh, por duket se per regjimin qe sundon sot Kosoven, kjo gje eshte shume, shume serioze. Miresevjen ne realpolitik.

    -Besniku

  3. i dashuri besnik, e cmoj dhe jam shume mirenjohes qe me shkrimet e tuaja, i dhuron kontributin tend popullit tone (tend) te kosoves, mirepo: per mendimin tim ceshtja e kosoves nuk mund te pershkruhet ashtu siq e pershkruan t’i me analizat e tuaja te siperpermendura! problemi i kosoves eshte nje proces i cili duhet te trajtohet dhe te analizohet si i plote e jo vetem si nje kapitull i pasluftes! te pershendes perzemersisht shoku yt i klases, taulanti

  4. Krahasimi i Kosovës me Izraelin dhe Palestinën është jo relevant dhe nuk ka elemente të përbashkëta, në mesin e të cilave më kryesoret janë:

    1) Plani në Palestinë ndodhë para lufte, ndërsa në Kosovë pas lufte. Në Kosovë fajet i ka Ekipi Negociator i cili zhvillon bisedime në cilësinë e agresorit duke i dhënë mundësi Serbisë të paraqitet si viktimë. Ekipi Negociator është përgenjështrues i fakteve, kurse çifutët kanë bërë presion (jo me armë por me mençuri) që shtetet e ndryshme të nxjerrin ligje përmes të cilave përgënjështrimi se gjenocidi dhe holokausti kundër çifutëve gjatë luftës së dytë botërore nuk kanë ndodhur, rezulton me burgim të menjëhershëm. Gjermanët e Sudeteve u përzënë dhe për ta sot as Gjermania nuk bisedon për shkak se qeveria e saj në atë kohë ishte agresore.
    2) Çifutët kontrollojnë diku 20% të ekonomisë amerikane, qe në nivel botëror do të thotë 5%. Ne nuk e kontrollojmë as Kosovën dhe për çudi insistojmë me çdo kusht që atë ta kontrolloj dikush tjetër, kushdo qfoshin ata, të huajt apo kisha ortodokse serbe.
    3) Konflikti Izrealito-Palestinez nuk ka qenë dhe nuk është vetëm ndërmjet vet këtyre vendeve. A të kujtohet intervenimi i SHBA-së, Britanisë, dhe Francës në përkrahje të Izraelit kundër Egjiptit dhe Sirisë?
    4) Përendimi e përkrah Izraelin përderisa ky është në gjendje ta trazoj atë pjesë. Përndryshe, po të mos e kishte këtë vetevendosje, përendimi do ta shkatërronte Izraelin. Ne kur s’duam të vendosim për vete, atëher bëhemi të urryer edhe për përendimin. Ne edhe kur mundemi të bëjmë diçka, së paku për vetveten, nuk na lë mendja naive shkaku i lojalitetit të tepruar ndaj armikut. Çifutët janë i vetmi popull që e njohin vetëm vetvetën. Janë zhdukur me miliona në mënyra mizore por prapë e njohin vetëm vetveten qoftë edhe nëse zhduken në tërësi. Ne nuk duam të kemi mendje për vetëvendosje dhe kjo i ka irrituar shumë shtete të huaja.
    5) Epilogu në Palestinë ende nuk dihet, ndërsa në Kosovë me dokumentin e Ahtisaarit (po që se implementohet) dihet. Plani i Ahtisaarit e shkatërron kulturën autoktone të Kosovës, respektivisht tërë Kosovën e identifikon si objekt fetar serb. Në Izrael dhe Palestinë nuk është kështu. Jerusalemi konsiderohet si vend i shenjtë për Judizmin, Kristianizmin, dhe Islamizmin.
    6) Realpolitik me sa po e kuptoj unë d.m.th. heqjen e vetëvendosjes. Pra, ne s’paskemi nevojë as të votojmë, e as të zgjedhim përfaqësues, dhe as t’i ndëshkojmë kur ata tradhtojnë.
    7) Palestina e ka vetëvendosjen dhe shteti i tyre tanimë është realitet. Kur të vie ajo njohje formale e pavarësisë (psh. pas 50 viteve), i gjënë me vetëvendosje.
    8) As Izraeli e as Palestina nuk kanë UNMIK dhe pavarësia e tyre nuk është e mbikëqyrur.
    9) Vetëvendosja nuk mendoj se është floskul akademike për fëmijet pasi ata janë të varur dhe prindërit vendosin për ta. Vetëvendosja është për të rritur. Heqja e vetëvendosjes nga mendja i jep shkas çdokujt të të shtyp, edhe fëmijëve.
    10) Ato 2/3 e territorit të sotëm të Izraelit që ju kanë ofruar palestinezëve, nuk do të thotë se edhe ja u kishin dhënë. Ahtisaari po ja jep Kosovës 3/3 ose 100% të territorit, por me kusht që ai të bëhet përmes një serbizimi të egër, kolonizimit, dhe dehumanizimit të shumicës.

    Raste tjera, pak më relevante për krahasim:

    11) Edhe Britania ka mundur t’i thotë Indisë: ne ta ofrojmë këtë apo atë, 1/3 ose 2/3 e territorit.
    12) Timori Lindor, dhe Eritrea u bënë të pavarura duke vetëvendosur. Pse? S’kanë pasë Ahtisaar, Ekip Negociator dhe servilë të zellshëm ndaj të huajve për t’iu dhënë shkas ta dehumanizojnë popullsinë vendore.

    Rast tjetër që nuk mund të krahasohet:

    13) Qipro është shtet i pavarur i ndarë në pjesën turke dhe greke me një vijë gjeografike të qartë. Me planin e Ahtisaarit përmes decentralizimit në baza etnike dhe të kishave Kosova së pari ndahet në disa enklava serbe të lidhura drejtpërdrejt me Beogradin, e më vonë…. nuk e di se cili do të jetë epilogu.

    14) Etj, etj, etj.

  5. Besnik,

    gjithmone shkruan shume mire, per te mos thene perfekt, pervecse kur shkruan per gazeten Vetevendosje! E kam nje pershtypje qe kur shkruan per te sikur nuk je vetja. S’e kam te qarte sesi nje person si ti aq i shkolluar ne sociologji dhe aq i zoti flet per UNMIK-un si sistem neokolonialist. Ti duhesh te dish me shume sesa kaq per (neo)kolonializmin si sociolog qe je. Per mua UNMIK-u eshte vetem nje mekanizem, nje simptome, e marredhenieve te nderlikuara nderkombetare te vitit ’99 dhe te deshires se Amerikes dhe shteteve tjera per ta perfunduar luften me faqe te bardhe. Largimi i UNMIK-ut nga Kosova nuk i zgjidh problemet, sepse ai eshte vetem nje mekanizem. Nese mendon se te huajt jane fajtore atehere mendoj se duhet te protestoni para zyres amerikane e britanike sepse ata kontrollojne cdo gje ne Kosove (zvPSSP gjithmone ka qene amerikan dhe ka zbatuar politikat amerikane e jo te OKB-se).

    Pastaj, as ju e as Vetevendosja kurre s’e keni spjeguar sesi vetevendosja do i zgjidhte problemet e varferise, papunesise, korrupsionit e krimit te organizuar, etj, kur jane gjithmone “lideret” kosovare ata qe e vene nenshkrimin ne fund te fundit. Si do ta largonte e drejta per vetevendosje Ramush Haradinajn apo Ibrahim Rugoven nga skena politike? Si, kur keta i kane fituar zgjedhjet? Ju do te thuani se e drejta per vetevendosje sjell edhe te drejten per te percaktuar sistemin e brendshem apo te drejten per vetevendosje te brendshme. Mirepo, problemi eshte se ne referendum popullor prape do te fitonin te njejtit “lidere” te cilet Kosoven e kane sjelle ne nje kaos politik dhe socio-ekonomik. Nuk do te fitonte Albin Kurti apo kushdo tjeter qe do te propagandonte nje sistem tjeter pervec demokracise dhe kapitalizmit.

    Njerezit jane lodhur dhe kane nevoje per dike qe ua zgjidh problemet reale, e keto probleme reale mund te zgjidhen edhe pa u realizuar e drejta per vetevendosje. Bile zgjidhja e ketyre problemeve do ta bente te drejten per vetevendosje te pamohueshme dhe te domosdoshme, meqenese rezoluta 1244 e ka kufizuar Kosoven ne shume aspekte. Qeverisja e mire, efektive dhe e pergjegjshme do te ishte argumenti me i forte qe Kosova te lirohej nga kjo rezolute dhe t’i lejohej e drejta per vetevendosje ne menyre qe te zhvillohej edhe me tej.

    Por kemi deshtuar keqas. Sot ke mbikqyrje sepse edhe aty ku ke pasur kompetenca (arsim dhe shendetesi) nuk ke ditur dhe nuk ke dashur qe t’i shfrytezosh, perkundrazi, je zhytur ne krim te organizuar dhe korrupsion. Une pajtohem me argumentin se e drejta per vetevendosje eshte e drejte natyrale e cdo populli, te takon prej Zotit, por Vetevendosja! dhe ju e keni paraqitur si “cure all” per te gjitha problemet e Kosoves. Po e beni gabimin e ketyre “lidereve” tane qe po i kritikoni: pavaresia i hap rruge zhvillimit te Kosoves! Jo! Lideret e pergjegjshem dhe qytetaret aktiv dhe jo te politizuar e zhvillojne Kosoven! Me lejo te perdor nje klishe: shtepia ndertohet prej themeleve e jo prej kulmit! Problemi eshte te ne Besnik, e jo te UNMIK-u.

    Me nderime,

    Albani.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s