Home

Zyra e kryendërmjetësit të OKB-së për negociatat midis Kosovës dhe Serbisë këto ditë njoftoi se dokumenti i zyrës së tij për statusin e ardhshem të Kosovës do t’u shpaloset negociatorëve kosovarë dhe atyre të Serbisë më 2 shkurt. Agjensitë ndërkombëtare të lajmeve dhe disa gazeta tjera të jashtme kanë njoftuar se propozimi nuk do të përmbajë termin “pavarësi”, por në të njëjtën kohë njeh të drejtën e Kosovës për të kërkuar anëtarësim në institucione ndërkombëtare dhe hapë rrugën për njohje ndërkombëtare nga shtetet tjera.

Dihet gjithashtu se, ndonëse dokumenti i Ahtisaarit pritet që përfundimisht ta hapë mundësinë për shkëputjen formale të Kosovës nga Serbia, ajo gjithashtu do të përmbajë befasitë e pakëndshme që lidhen me autonominë e gjerë të komunave serbe që do të krijohen në Kosovë dhe me statusin e veçantë që do ta gëzojë Kisha Ortodokse Serbe, duke përfshirë këtu edhe krijimin e “zonave të veçanta” rreth objekteve të Kishës.

Për më tepër, publikimi i dokumentit të shumëpritur të Ahtisaarit nuk do të shënojë fundin e këtij procesi të komplikuar diplomatik dhe politik për zgjidhjen e statusit të Kosovës, por vetëm një kthesë në një rrugë që akoma pritet të jetë përplot vështirësi dhe paqartësi.

Kështu, tashmë është e qartë se statusi nuk do të jetë i zgjidhur menjëherë pas daljes së dokumentit ë Ahtisaarit, por mund të zvarritet të paktën deri në mars apo prill, në mos edhe më tej. Është e ditur se asnjë qeveri e Serbisë nuk do ta pranojë një marrëveshje që lejon shkëputjen përfundimtare të Kosovës. Është gjithashtu e ditur se trysnia ruse mbi anëtarët tjerë të Grupit të Kontaktit do të vazhdojë. Kështu që procesi, edhe me daljen e dokumentit të Ahtisaarit, nuk do të përmbyllet akoma.

Në prill, Britania e Madhe merr udhëheqjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, shtet ky i cili është treguar i favorshëm ndaj opsionit të pavarësisë. Udhëheqja e KS-së ia bën të mundur këtij shteti hedhjen në votë të një rezolutë të re për Kosovën, për t’i dhënë peshë ndërkombëtare propozimit të Ahtisaarit, i cili në formën e tanishme mbetët në nivelin e një propozimi, pra juridikisht një dokument i vdekur. Në një situatë të tillë, marrëveshja e Ahtisaarit duhet t’i imponohet Serbisë (ngaqë pritet që pala kosovare do ta pranojë pa vërejtje dhe ankesa). Ndërsa për shtetet e Grupit të Kontaktit që favorizojnë pavarësinë, rruga e preferuar e imponimit është Këshilli i Sigurimit.

Por përbrenda KS-së ekziston kërcënimi i përhershëm i vetos ruse, si anëtare e përhershme e këtij trupi. Rusia disa herë ka kërcënuar se çdo dokument i papranueshëm për Serbinë është i papranueshëm edhe për të, kështu që ky kërcënim mund të eliminohet vetëm nëse ndodhin pazare tjera të një niveli diplomatik midis shteteve të fuqishme, siç është mbështetja amerikane dhe evropiane për anëtarësimin e Rusisë në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT), një nga organizatat më të fuqishme ekonomike ndërkombëtare, gjë që Moska ka synuar vite me radhë, dhe koncesione të tjera që mund të kërkojë Rusia nga Perëndimi në sfera të ndryshme të interesave të saja politike dhe ekonomike.

Por në mungesë të lëshimit pe nga Rusisa, përdorimi i vetos nga ajo do ta sillte Kosovën në një situatë shumë paradoksale. Dështimi i një rezolute të re për Kosovën brenda KS-së gjatë pranverës domethënë se në letër do të ekzistojë marrëveshja e Ahtisaarit, por ajo s’do të ketë asnjë fuqi juridike. Në fuqi akoma do të vazhdojë të jetë Rezoluta 1244 e vitit 1999, që Kosovën e lë të sunduar nga UNMIK-u. Zgjidhja atëherë zvarritet deri në qershor, kur Rezoluta 1244 pret skadimin automatik. Në këtë situatë, Kosova vërtetë shndërrohet në një “tokë të askujt”, me të vetmën mundësi njohjen individuale nga shtetet e veçanta si shtet i pavarur – apo, nëse presioni vazhdon dhe rezistencës ruse i bashkohen shtete të tjera, sidomos nga radhet e BE-së, mund të kërkohet kthimi në tavolinën e negociatave për raunde të tjera bisedimesh midis Prishtinës dhe Beogradit. Kuptohet se vazhdimi i bisedimeve do të jetë vetëm në funksion të blerjes së kohës për diplomacinë ndërkombëtare, sepse në asnjë variantë nuk mund të pritet arritja e një marrëveshjeje për statusin midis palëve. Ndërkohë që vazhdimi i bisedimeve është në disfavor të plotë të palës kosovare, sepse në atë rast diplomacia ndërkombëtare mund të kthehet me një strategji tjetër, duke e përjashtuar komplet ndarjen midis Kosovës dhe Serbisë dhe duke imponuar një zgjidhje tjetër që domosdoshmërisht nënkupton ruajtjen e një lloj lidhjeje juridike midis Kosovës dhe Serbisë.

Mirëpo të gjitha këto paqartësi dhe e gjithë pasiguria rreth të ardhmes politike të Kosovës është simptomatike e asaj se si është menaxhuar i gjithë ky proces i ndërlikuar diplomatik dhe politik. Sigurisht se hyrja e shteteve të reja në bashkësinë ndërkombëtare nuk është një ngjarje e përditshme dhe as e shpeshtë. Bashkësia ndërkombëtare e shteteve mbetët një klub ekskluziv ku anëtarësimi mban një çmim të lartë dhe i cili i mohohet shumë grupeve aspirante nëpër botë, pavarësisht legjitimitetit të kërkesave të tyre (kujto këtu rastin e palestinezëve ose të kurdëve). Kështu që mospajtimet që rasti i Kosovës ka ngritur në qarqet e diplomacisë ndërkombëtare nuk është i jashtëzakonshëm dhe krejt i pritshëm.

Mirëpo sigurisht se ajo që spikat më së shumti në këtë proces është roli aspak vendimtar dhe aspak me peshë i palës kosovare. Edhe pas faktit se ajo ka pranuar të hyjë në negociata në kushte krejt të disfavorshme për Kosovën, ajo që nga momenti i parë nuk ka qenë proaktive në proces dhe nuk i ka prirë ngjarjeve, duke u mjaftuar me një pritje pasive të vendimeve dhe lëvizjeve që ndodhin tjetërkund. Ajo e ka pranuar defaktorizimin e vet si një nga premisat fundamentale të procesit, duke ia kaluar barrën e argumentimit dhe mbrojtjes së opsionit të pavarësisë SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe shteteve të tjera që jopublikisht kanë favorizuar këtë opsion.

Për të mos përmendur faktin që gjatë tërë procesit, Ekipi Negociator ka bërë koncesione deri edhe të panevojshme për rrethanat. Flitet madje se edhe zyrtarët e Departamentit amerikan të Shtetit janë habitur nga gatishmëria e tepruar e negociatorëve kosovarë për të lëshuar pe ndaj kërkesave të Beogradit në çështjet “teknike” të decentralizimit. Por kjo sjellje irracionale politike ka shpjegim në atë që mund të quhet “teori e vasalit të zellshëm”. Vasali i zellshëm është ai që i shërben padronit jo vetëm nga detyrimi dhe nevoja, por shërbimin e përbrendëson si dëshirë të veten. Shërbimi i padronit shndërrohet në bërthamën e identitetit personal të vasalit, ndërsa vlerësimi pozitiv i padronit në ushqimin kryesor të qenies së tij. Për më tepër, duke dëshiruar që të tregohet se është shërbëtor shembullor, ai mundohet jo vetëm që t’i plotësojë qejfet e padronit sipas kërkesave që bën ai, por edhe t’u paraprijë atyre. Si rezultat, ai jo vetëm u përgjigjet kërkesave të menjëhershme padronit, por ai aktivisht përpiqet që të anticipojë qejfet e ardhshme të padronit në mënyrë që ato t’i plotësojë para se ai ta këtë bërë kërkesën. Ky zell i tepruar i vasalit madje bëhet i neveritshëm për vetë padronin. E njëjta vlen për Ekipin Negociator të Kosovës, një grup vasalësh të zellshëm që lëshuan pe më tepër se që u kërkua nga ta, vetëm nga anticipimi se kjo mund t’u kërkohet nga padronët ndërkombëtarë, duke tentuar që me servilitetin e tyre të dëshmojnë me çdo kusht dëgjueshmërinë e tyre. Kujtoj këtu një nga vizitat e Ahtisaarit në Prishtinë, ku hamendja kryesore e negociatorëve kosovarë ishte jo si do t’i mbrojnë qëndrimet e tyre dhe interesat e Kosovës, por si do t’i përshtasin qëndrimet e tyre sipas kërkesave të Ahtisaarit — me fjalë tjera, si do ta kënaqin atë. Tashmë flitet se dokumenti i Ahtisaarit do të ketë elemente dukshëm të pakëndshme lidhur me çështjet “teknike”të negociuara, për të cilat publiku kosovar nuk ka qenë i njoftuar me kohë, si p.sh. duke garantuar autonomi të lartë territoriale për komunat e reja serbe të Kosovës dhe duke ua mundësuar këtyre komunave ruajtjen e lidhjeve institucionale me autoritetet e Serbisë.

E dyta, Ekipi Negociator nuk ka tentuar fare, madje i është shmangur me çdo kusht, një mobilizimi të përgjithshëm popullor lidhur me çështjen e statusit të Kosovës, duke privuar vetëvetën nga mjeti ndoshta më i fuqishmi politik që ka në dorë. Në vend të një politike mobilizuese, ajo është mjaftuar me premtime zemërgjera dhe me kërkesa të llojit rugovist të viteve 1990: “vetëm rrini urtë e mbani qetësinë burra, se po kryhet kjo punë!” Sigurisht se kjo indolencë dhe apati popullore e nxitur nga udhëheqësia politike e vendit — pos prishjeve të herëpashershme të kësaj qetësie artificiale nga Lëvizja Vetëvendosje — ka pasur efektet e veta në diplomacinë ndërkombëtare, duke ia hapur rrugën zvarritjeve dhe shtyrjeve të njëpasnjëshme çfarë mund të presim akoma, pasi që mesazhi kryesor politik që ka dalur nga Kosova gjatë vitit të fundit ka qenë ai i një gatishmërie të paparë të elitës politike kosovare për dëgjueshmëri deri në shkallë serviliteti ndaj Ahtisaarit dhe sponsorëve diplomatik të negociatave, dhe i një gatishmërie për të pranuar gjithçka, me kushtin e vetëm që ajo ta mbajë një lloj etikete të pavarësisë, sado të cunguar, kufizuar dhe të kontrolluar.

Kjo “njëfarë pavarësie”, që nuk është fare pavarësi në kuptimin e saktë të fjalës, është arsyeja pse statusi i ardhshem do të jetë një disfatë politike për Kosovën. Me pranimin riorganizimit të thellë territorial në baza etnike, Kosova formalisht e pavarur do të jetë politikisht dhe administrativisht një vend tjetër nga ai që është sot. Për të mos përmendur faktin se edhe më tej, Kosova do t’i nënshtrohet një kontrolli të jashtëm politik, nga misioni i ardhshem i BE-së, që do të jetë vazhdimësia institucionale dhe politike e UNMIK-ut në Kosovë. Në të gjitha dimensionet e mundura, Kosova formalisht e pavarur do të jetë një mini-Bosnjë, e fragmentuar etnikisht, e monitoruar politikisht dhe e trajtuar përherë si një entitet artificial politik. Do të bëhet më se e qartë, edhe për ata me kujtesë shumë të shkurtër historike, se kur në fillim të viteve 1990, populli i Kosovës nisi luftën e tij politike për pavarësi, ajo luftë nuk e kishte për qëllim që Kosovën ta shndërrojë në atë që do ta shndërrojë dokumenti i Ahtisaarit. Kundrejt aspiratave të veta, Kosova do të ketë dështuar. Këtu qëndron esenca e disfatës, edhe në qoftë se kjo disfatë mban maskën e fitorës së “njëfarë pavarësie”.

Botuar te Koha Ditore më 27 janar 2007.

Një mendim mbi “Statusi si disfatë

  1. Ne kete artikull me ka pelqyer shume sidomos ceshtja e servilizmit te Ekipit Negociator (EN) ndaj te huajve edhe ne rastet kur te huajt nuk e kerkojne nje gje te tille. Kjo eshte jashtezakonisht e neveritshme. Mjeranat e EN-se pas cdo raundi te bisedimeve ne Vjene e shpallnin veten fitimtare (a te kujtohet?). Edhepse nuk po kerkoj nga ju te jepni sqarime per genjeshtrat e Ekipit, kam vetem nje pyetje: mos eshte fjala ketu per njerez te shitur apo me defekte serioze ne koke? Tani edhe barinjet po i degjoj duke thene: e shiten Kosoven. Plani i Ahtisaarit mua po me duket okupim i Kosoves nga Serbia dhe defaktorizim i Kosoves. Le ta mbikeqyre BE-ja; pune e madhe!

    Komenti tjeter rreth EN-se, por del si rezultat i nje faze me te mevonshme pasi eshte botuar ky artikull, lidhet me nje interviste te Ahtisaarit ne RTK. Aty Ahtisaari e lidhi planin me ceshtjen e lobimit duke thene se Kosova nuk ka pervoje dhe kjo do te jete hendikep per te. Po te lexosh ndermjet rreshtave, ai ka dashur te thote se edhe ky plan eshte rezultat i asaj sa kane ditur EN-ja, qe ne realitet do te thote: EN-ja eshte aq budalla sa qe nuk meriton me shume; ata edhe ashtu po insistojne mos te kete ndryshime substaciale ne dokumentin qe permban disavantazhe te hatashme per ate “pavaresi te mbikeqyrur.” Pyetje: mos eshte duke ju bere servilizmi ekstrem i EN-se edhe Ahtisaarit i neveritshem, apo Ahtisaari nuk e deklaron kete deri sa t’i skadoj kontrata?
    (ja vazhdon EN-ja kontraten sepse Ahtisaari per ta eshte nje lloj kulti i personalitetit!).

    Faleminderit

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s