Home

Merret vesh se këto ditë në Prishtinë, i ashtuquajturi krah i Nexhat Dacit në LDK do të ndahet nga kjo parti për ta formuar një parti të re. Akoma nuk dihet emri i kësaj partie të re të përfolur, por siç raportohet, ky krah ka siguruar një numër të mjaftueshëm të deputetëve për ta formuar një grup të vetin parlamentar brenda Kuvendit. Kjo nënkupton edhe paqëndrueshmërinë e koalicionit aktual, pasi që ajo do ta humbasë mazhorancën e nevojshme për mbajtjen e qeverisë – përveç nëse koalicioni zgjerohet për ta përfshirë në gjirin e saj edhe partinë e re (pasi që, siç përflitet, në krahun e Dacit bëjnë pjesë edhe një numër ministrash brenda qeverisë aktuale). Sido që të jetë, spekulimi për konfiguracionet e reja qeveritare është i rëndësisë dytësore. Qeveria aktuale, sikur ato të mëparshme, kanë një mision të madh historik por një funksion të ngushtë politik – ato kanë synuar realizimin e pavarësisë së Kosovës, por politikisht, roli i tyre ka qenë i rendit dytësor në të gjitha proceset e deritanishme politike. Edhe pavarësia formale për të cilën po përflitet në media, është një pavarësi që do të merret përkundër, dhe jo si rezultat, i qeverisë. Roli i qeverive unmikiane ka qenë më shumë ideologjik se sa praktik, më shumë administrativ se sa politik. Kjo e fundit mund të tingëllojë si paradoksale, sepse duket paradoksale të jesh politikisht ideologjik kurse praktikisht administrativ, mirëpo në Kosovë ka ndodhur paradoksi – administrimi është shndërruar në ideologjinë dominante, kurse ideologjia objekti kryesor i administruar. Hapësira për politikë të vërtetë ka mbetur vetëm jashtë institucioneve të administrimit ideologjik.

Sido që të jetë, rikonfigurimet në fushën politike kanë një domethënie të vetën që është shkon përtej asaj se kush dhe cili do t’i mbajë titujt ministror. Kjo sepse kësaj radhe po ndodh një ndarje e vërtetë e partisë më të madhe të Kosovës. Them pikërisht një ndarje e vërtetë sepse ikjet e mëparshme nga kjo parti kanë qenë kryesisht individuale. Në rastin e para disa viteve, Edita Tahiri iku nga partia duke formuar një grup të ri politik, por karriera e saj politike me këtë u shkurtua drastikisht, që u dëshmua në disfatën e partisë së re të saj gjatë zgjedhjeve parlamentare. Ikja e saj e la bazën e LDK-së pothuajse të paprekur. Ikja e saj, sikur e të tjerëve para saj, nuk ishte një ikje nga LDK-ja, por një ikje nga Rugova. Mirëpo nga Rugova tani më nuk mund të iket, tani grupet rivale brenda LDK-së nuk duan të ikin nga Rugova; përkundrazi, ata luftojnë se cili do ta marrë Rugovën me vete.

Pikërisht për këtë arsye, kësaj radhe nuk kemi të bëjmë me një ikje nga LDK-ja në stilin e Edita Tahirit dhe të gjithë ish-drejtuesëve të tjerë që braktisën këtë parti vit pas viti. Kësaj radhe kemi të bëjmë me një çarje, një frakturë brenda vetë trupit partiak (që u dëshmua edhe nga dhuna e manifestuar gjatë kuvendit të partisë). LDK-ja, nga gjiri i saj, po e lindë LDK-në e katërt.

Pse them LDK-në e katërt? Sepse deri tani i kemi pasur edhe tri LDK-ja tjera. Të gjitha vetitë që i ka mishëruar LDK-ja– si organizatë politike: informalizmin, jotransparencën, liderizmin dhe pseudodemokracinë e brendshme; politikisht: mosgatishmërinë për të vepruar, konfuzionin ideologjik dhe nënshtrimin servil ndaj UNMIK-ut dhe diplomacisë perëndimore – me kohë i kanë përvetësuar si të vetat tri partitë tjera kryesore, PDK-ja, AAK-ja dhe ORA. Për të mos thënë se të gjitha këto parti janë në esencë parti lideriste. Jo domosdoshmërisht në kuptimin që këto parti, si organizata partiake, kanë trajtuar liderët e tyre sikur LDK-ja Rugovën, por në faktin se Rugova ka përfaqësuar për liderët e partive tjera modelin e liderit që duhet imituar. Si ndryshe shpjegohet intelektualizmi patetik i Thaçit, aura e paprekshmërisë e Haradinajt, dhe rugovizmi i vonshëm i Surroit? A nuk janë këta tre trashëgimtarët më të denjë të liderizmit rugovist? Këta, te Rugova kanë parë Tjetrin e tyre, dhe duke bërë përpjekje që ta minojnë rolin e tij politik, kanë përvetësuar sjelljet e tij politike. Konkluzioni i tyre i përbashkët, por të cilin e kanë arritur secili në rrugë të vet, ka qenë se për ta mposhtur Rugovën, për ta zëvendësuar atë, duhet të bëhesh sikur ai, duhet të “titoizohesh” si lider, ashtu siç LDK-ja e “titoizoi” Rugovën. Natyrisht se për këtë gjë, ata e kanë fajësuar popullin. Populli, si një njerkë e keqe, i ka detyruar këta që të rugovizohen.

Këtij grupi liderësh dhe partish do t’i bashkohet LDK-ja e katërt e Nexhat Dacit. Mirëpo ndryshe nga partitë tjera që janë shndërruar në LDK, kjo LDK e katërt del drejtpërsëdrejti nga gjiri i vetë LDK-së. Pikërisht për këtë arsye, dinamika, por edhe rëndësia e kësaj ngjarje është krejt tjetërfare. Kjo sepse rugovizmi i LDK-së së katërt të Dacit është i drejtpërdrejtë dhe autentik – kjo parti, në të vërtetë, mëton të jetë, siç thonë nismëtarët e saj, “ndjekësja e vërtetë e frymës dhe vizionit të Rugovës”, duke shkuar deri aty sa që emrin e Ibrahimit të fusë edhe si pjesë në një nga emrat e propozuar të partisë. Kjo parti nuk do ta zëvendësojë aurën rugoviste duke u bërë një kopje e zbehtë e LDK-së së udhëhequr dikur nga Rugova, qëllimi i saj është përkundrazi një parti që sublimon Rugovën në simbolizmin themelor që justfikon vetë qenien e partisë. Partia e Dacit do të jetë partia e vërtetë e fesë rugoviste. Për nga forma, LDK-ja përçahet ashtu sikur është përçarë çdo lëvizje fetare pas vdekjes së profetit. Po ky ishte fati i krishtërimit pas Krishtit (ndarja në ndjekësit e mësimeve të Palit kundrejt gnostikëve), apo edhe e islamit pas Muhametit (ndarja midis sunitëve dhe shiitëve, ndjekësve të imamit Ali). Dhe meqë për LDK-në, Rugova kishte po këtë rol dhe pozitë, atë të një profeti shekullar dhe modern të identitetit nacional të Kosovës, LDK-ja e sotme ndahet pikërisht mbi këto baza – midis besimtarëve të Rugovës dhe besimtarëve të vërtetë të Rugovës. Ndërsa liderët e opozitës së LDK-së janë bërë rugovistë duke qenë anti-Rugova, lëvizjet politike që do ta dalin nga LDK-ja janë parti që do ta kultivojnë rugovizmin pa Rugovën. Problemi i tyre është, cilën variantë të rugovizmit do ta kultivojnë?

Sigurisht se lexuesi mund ta ketë vërejtur një lajthitje në numrimin e partive. Nëse partia e re e Dacit do të jetë LDK-ja e katërt, tri LDK-të tjera janë PDK-ja, AAK-ja dhe ORA, ku mbeti atëherë LDK-ja e vërtetë? A domethënë kjo se LDK-ja origjinale është LDK-ja e pestë? Përgjigja është jo: pas ndarjes së grupit të Dacit, LDK-ja e vërtetë nuk do të jetë më as LDK-ja e parë e as e pesta. Mirëpo kjo kërkon një shtjellim tjetër.

Përderisa LDK-ja ka qenë modeli themelor i organizimit partiak dhe Rugova modeli i vetëm i liderit politik, partitë tjera në mënyrë gati të pavetëdijshme janë modeluar sipas atij kallëpi. Mirëpo përderisa ato mbesin të ngarkuara me barrën e historisë së pavetëdijshmës së tyre, kurse partia e ndjekësve të Dacit gjen në idolatrizimin e Rugovës vlerën e vetme të saj politike, LDK-ja e vërtetë shkon, paradoksalisht, duke u de-LDK-izuar. Pas frakturës së brendshme, kjo parti nuk do të jetë më ajo që ka qenë.

Paradoksalisht, LDK-ja tashmë po merr tipare krejt tjera si formacion politik. Është e vetmja parti kosovare, brenda së cilës ka pasur një konkurrencë dhe ballafaqim real politik. Është e vetmja parti ku njerëzit që deri më tani kanë qenë anonim dhe të panjohur, kanë ardhur në krye të partisë. Dhe është e vetmja parti që, tash pasi Fatmir Sejdiu ngriu postin e kryetarit të partisë, do të udhëhiqet formalisht nga Ekrem Kryeziu, një figurë që personifikon antitezën e karizmës dhe liderizmit. LDK-ja po burokratizohet si parti, por në kuptimin e mirëfilltë të fjalës – ajo po shndërrohet në një makinë anonime dhe impersonale organizative që prodhon efekte pa nevojën që veprimet e saj të bekohen nga një figurë e përmasave mistike në krye të saj. Po shndërrohet në një makinë të vërtetë politiko-organizative. Partia që dikur ishte partia e vullnetit të Rugovës, po shndërrohet në partinë e vullnetit të asnjërit specifik. A s’është kjo esenca e revolucionit që në fillim të shekullit XIX, lindja e burokracisë moderne i bëri sundimit të monarkizmit absolutist? Sovrani nga një subjekt u shndërrua në emër – burokracia ekzekuton vullnetin e sovranit, por paradoksalisht qenia e tij konkrete bëhet irrelevante. Kujtoni këtu praktikën pothuajse universale moderne të vendosjes së portretit të kreut të shtetit (personifikuesit të sovranit) nëpër zyrat e ndryshme qeveritare. Përshtypja që krijohet nga kjo është se këto zyra shtetërore shfaqin në ambientet e tyre pamjen e sovranit, në mënyrë që të tregojnë se po veprojnë në emër të tij, pra po e zbatojnë në praktikën e tyre burokratike vullnetin e tij. Por a s’është realiteti krejt i kundërt nga kjo përshtypje? Larg së qeni implementuese të vullnetit të sovranit, këto zyra veprojnë përkundër dëshirave dhe vullnetit të tij, bëjnë një jetë të vetën, duke bërë gjëra në emër të sovranit krejt jashtë dëshirave, madje edhe jashtë dijenisë së tij (kujtojeni këtu korrupsionin nëpër zyra të ndryshme shtetërore, ndërsa vetë kreu i shtetit përherë flet se si po merren masa kundër korrupsionit). Emri i sovranit kështu shërben, paradoksalisht, si një mbulesë universale për veprime që nuk janë aspak të tijat, ndërsa esenca e shtetit modern gjendet (siç e kishte vënë re Hegeli dhe dramatizuar Kafka) aspak në figurën e sovranit por pikërisht në anonimitetin e këtyre zyrave. Kjo e shpjegon se pse prioriteti i parë i çdo kreu të ri të shtetit është reforma – që do të thotë se kreu i shtetit do të përpiqet (sërish) që t’i ndalojë zyrat e ndryshme administrative të shtetit që të bëjnë çfarë duan vetë, pra që ta përdorin emrin e sovranit për të vepruar si të duan, një përpjëkje që në mënyrë të paevitueshme çon në dështim.

Ky lloj revolucioni është pikërisht ajo që po ndodh me LDK-në. Pas vdekjes së Rugovës, shumë pjesëtarë të LDK-së kanë konsideruar se Rugova tashmë po shkon drejt një sublimimi, drejt një shenjtërimi për t’u hyjnizuar përherë si themelues i shtetit. Por jo – domethënia e vërtetë e vdekjes së Rugovës nuk është sublimimi i tij, por, paradoksalisht, sublimimi i LDK-së. Pas Rugovës, LDK-ja shndërrohet në diçka që nuk ka qenë, kurse Rugova edhe në jetën e tij të amshueshme mbetët po ai i njëjti. Mbase, kjo qëndron në thelb të ndarjes brenda LDK-së: pas Rugovës, ndarja është midis rugovistëve dhe LDK-istëve.

Mirëpo a është kjo shenjë se LDK-ja po shndërrohet në një Parti të Shtetit, nëse me shtetin e kuptojmë pikërisht atë forcë anonime dhe impersonale shoqërore që zbaton vendimet gjithashtu impersonale të sovranit (kujtojeni këtu idealin e anonimitetit të ligjeve dhe të drejtësisë, që duhet ta përfaqësojë Shteti)? Të mos e harrojmë edhe origjinën e vërtetë (dhe të ndrydhur dhe të papërmendur) institucionale (nëse jo politike), të LDK-së, Lidhjen Socialiste të Popullit Punonjës, atë aparatin burokratik parapolitik të socializmit që kishte për qëllim organizimin e masave punonjëse drejt ofrimit të një opozite (fiktive) karshi Partisë Komuniste. Burokratizimi përfundimtar i LDK-së kështu përbën një kthim në origjina (apo, më saktë, kthimin e vetë origjinës), një shndërrim në po atë institucionin anonim parashtetëror që kishte qenë dikur, me një funksion të pastër burokratik, një trup politik me emër por pa subjekt. Nuk ka më LDK të Rugovës, Rugova është ai që ka qenë i LDK-së.

Këtu qëndron edhe perspektiva e kësaj partie, që shkon drejt realizimit të vetës si Parti, ndërsa grupi politik i Dacit, mbrapa misticizmave dhe kultit do ta fsheh faktin se është një grup pa një substancë reale politike, apo që do të jetë pikërisht një parti e kultivimit të kultit. Kjo çarje e LDK-së është edhe çarje përbrenda vetë idesë rugoviste, që ka qenë gjithnjë kontradiktore, gjithnjë ambivalente midis idealit për demokraci që ka përfaqësuar dhe realitetit kultik, liderist dhe autoritar që ka mishëruar. Partia e vërtetë Shtetit do të jetë ajo që do ta arrijë vizionin rugovist duke e tejkaluar Rugovën e misticizmave që legjitimonin arbitratitetin autoritar dhe lirimin nga barra e përgjegjësisë politike, por duke e ruajtur atë lëvozhgën e jashtme të rugovizmit që simbolizonte shansën për demokraci dhe vetësundim të këtij populli. Ka ardhur koha që të ndahen rugovistët, në mënyrë që të lindë një parti e vërtetë e shtetit.

Botuar te Koha Ditore më 11 janar 2007.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s