Home

Negociatorët kosovarë dhe disa prej shteteve të Grupit të Kontaktit që favorizojnë një përmbyllje më të shpejt të negociatave midis Prishtinës dhe Beogradit mund të besojnë se me përmbylljen e negociatave të drejtpërdrejta ka përfunduar një pjesë e vështirë e procesit për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Në anën tjetër, politikanët dhe mediat kosovare kohëve të fundit janë preokupuar me çështjen e shtyerjes së dokumentit të Ahtisaarit dhe ditës kur propozimi i tij do të vihet në tyrezën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Por, megjithëse statusi juridik ndërkombëtar i Kosovës është padyshim pika themelore e marrëveshjes së Ahtisaarit, boshti tjetër paralel i cili po merr krejt pak vëmendje është decentralizimi. Deri më tani nuk është ngritur fare çështja e implementimit të kësaj pjese të marrëveshjes, pavarësisht nëse Kosovës vërtetë i hapet rruga për njohje ndërkombëtare, siç po përflitet në media.

Si pika tjetër kritike e marrëveshjes me Serbinë, decentralizimi do t’i qëndrojë varë mbi qafë Kosovës në jetën e saj të ardhshme si entitet politik. Megjithatë, kjo çështje deri më tani ka pasë një trajtim kurioz, meqënese ajo është konsideruar si pjesë e “kompromisit” që Kosova po bën ndaj bashkësisë ndërkombëtare, si çmim për pavarësinë. Në të vërtetë, të gjitha kërkesat për “kompromis” ndaj palës kosovare nga diplomacia perëndimore janë interpretuar nga këta të parët si kërkesa për të lëshuar pe pikërisht në çështjen e decentralizimit – gjë që ata e kanë bërë. Nga oferta 5 + 1 (pesë komuna me shumicë serbe dhe status të vëçantë për veriun e Mitrovicës), gjatë negociatave ata i janë afruar kërkesës së Beogradit për disa dhjetëra komuna të reja ose të zgjeruara, me shumicë serbe. Madje, gjatë kulmit të negociatave në verën e shkuar, ministri për qeverisje lokale, Lutfi Haziri pat deklaruar troç se serbëve po u jepet në administrim 30 përqind e territorit të Kosovës. Është akoma i paqartë niveli i kompetencave që do të kenë komunat me shumicë serbe, lidhjet midis tyre dhe midis tyre dhe Serbisë. Por kjo është një element kyç që do të vijë si befasi në dokumentin përfundimtar të kryendërmjetësit të OKB-së Ahtisaari, rreth përmbajtjes të së cilës akoma ka spekulime por shumë pak transparencë.

Megjithatë, përderisa disa nxisin frikën se njësitë e reja komunale me shumicë serbe do t’i mbeten Serbisë apo do të integrohen me Serbinë, unë besoj se epilogu i decentralizimit do të jetë edhe më i keq se kaq. Më saktësisht, besoj se, pavarësisht statusit juridik që do t’i jepet Kosovës, decentralizimi si projekt ka gjasa të mëdha të dështojë, ashtu siç ka dështuar deri më tani, duke rezultuar në një situatë permanente konfikti lokal etnik, me potencial për të prodhuar konflikt edhe në ato pjesë të Kosovës ku deri më tani nuk ka pasur. Kjo mund të ndodh pavarësisht përmbajtjës konkrete të dokumentit zyrtar për decentralizimin, pasi që gjenerator i problemeve do të jenë, ashtu siç kanë qenë deri më sot, realitetet politike dhe jo imtësitë juridike të dokumentit. Ndërkaq, askush përpos elitës politike të Prishtinës së tubuar pranë IPVQ-ve dhe institucionit pasardhës të UNMIK-ut, nuk do të kenë interes politik për implementimin praktik të decentralizimit. Në qoftë se fati i kësaj marrëveshjeje do ta ndjek trajektorën e Marrëveshjës së Dayton-it në Bosnjë (dhe Kosova gjithnjë e më shumë po i afrohet organizimit të brendshëm sipas modelit etno-territorial të Bosnjës), atëherë epilogu i statusit të ardhshëm nuk do të jetë ai përfundimi i krizës së vazhdueshme politike çfarë të gjithë presin që ai të jetë, por do të përbëjë hapjen e një kaptine të re ku kriza e trashëguar nga vitet 1990 thjesht zhvendoset në premisa të reja dhe do të marrë nje dinamikë tjetër. Kjo do të ndodh edhe nëse arrihet, siç po përflitet nëpër media të ndryshme vendëse dhe ndërkombëtare, shkëputja formale e Kosovës nga Serbia.

Decentralizimi i realizuar në praktikë

Udhëheqësit e IPVQ-ve të tubuar pranë Ekipit Negociator të Kosovës, institucion që sot ka peshë politike më të madhe se Qeveria dhe Kuvendi bashkë, do ta kenë të lidhur të gjithë kredon politike të tyre me marrëveshjen që do të dalë nga negociatat, veçanërisht komponentit të saj për decentralizimin, për realizimin e së cilës ata janë garantorët kryesorë. Një gjë është e qartë: për disa, marrëveshja e Ahtisaarit do të jetë bazë për avancimin e karrierës së tyre të lartë politike (Fatmir Sejdiu, Lutfi Haziri dhe aspirantët e tjerë të LDK-së post-rugoviste), për disa, do ta mundësojë vazhdimin e saj (Hashim Thaçi, Veton Surroi dhe bashkëpunëtorët e tyre të ngushtë të partive përkatëse), e për disa të tjerë edhe nisjen e një karriere të re për kundërshtimin e marrëveshjes (aktivistët e tubuar pranë Vetëvendosjes dhe grupeve të tjera radikale politike). Por përderisa kundërshtarët, ashtu sikur deri më tash, do të heshten apo thjesht edhe do të mënjanohen nga skena përmes injorimit nga mediat dhe masave represive policore, spektri politik i establishmentit aktual, si ai i pozitës dhe i opozitës, do të kenë një investim të patërheqshëm në implementimin e marrëveshjes së re. Paradoksi është se Ekipi Negociator i Kosovës, përderisa ka pranuar ndryshime drastike në organizimin territorialo-administrativ të Kosovës, nuk është ai që në instancë të fundit mund ta garantojë implementimin e marrëveshjes. Kjo u pa edhe gjatë protestave të paradokohshme në Gjilan dhe rrethe, ku vetë LDK-ja lokale u ngrit kundër vijes politike të strukturave të saj udhëheqse në Prishtinë. Është vështirë të besohet se zyrtarët e Prishtinës do të jenë ata që do të shkojnë e t’u shpjegojnë banorëve shqiptarë të Zhegrës, Novobërdës, Kllokotit, Suhadollit apo Mitrovicës veriore pse ata tash e tutje do të jetojnë në komuna ku ata do të jenë pakicë. Siç është bërë e zakonshme në traditën tonë të re politike, politikanët kosovarë me vrap dalin para kamerave kur është koha për ta marrë meritën për ndonjë ngjarje sado të parëndësishme politike, por nuk i gjen dot kur është koha për të marrë përgjegjësinë. Ekipi Negociator, qoftë kolektivisht, qoftë anëtarët e saj individualë, përderisa kalojnë kohën duke lobuar vendet që nga Washingtoni e gjer në Moskë, nuk kanë bërë pothuaj as më të voglën përpjekje për t’u ballafaquar sy më sy me banorët shqiptarë të komunave të reja për t’i bindur ata pse, sipas tyre, decentralizimi shkon në dobi të tyre. Në vend të kësaj, Ekipi Negociator, në një mënyrë krejt të papërgjegjëshme, pret që banorët shqiptarë të njësive të decentralizuara, në emër të të cilëve negocion, ta pranojnë decentralizimin si çmim dhe si sakrificë e tyre për pavarësinë. Dhe, në realitet, fatura kryesore për marrëveshjen e Ahtisaarit do t’u shkojë atyre – nuk është çudi atëherë pse i gjithë procesi i negociatave është përjetuar me kaq komoditet në Prishtinë. I ngjan kjo situatës së para pak viteve, kur pritej që luftën dhe vuajtjet t’i bënin fshatrat, ndërsa lirinë ta gëzonte kryeqyteti. Ironikisht, edhe ata që dikur luftuan janë bërë sikur ata që dikur pinin makiato në Prishtinë derisa Drenica digjej në flakë, me dallimin se ata sot jo vetëm që pinë ato makiatot të Prishtinës që mund t’i kenë lakmuar asokohe, por edhe marrin pjesë drejtpërdrejtë në proceset e riorganizimit territorial të Kosovës në baza etnike.

Sidoqoftë, mosgatishmëria e elitës aktuale politike për implementimin e marrëveshjës së Ahtisaarit do të thotë se barra kryesore për këtë gjë do të bie mbi institucionin pasardhës të UNMIK-ut. Përderisa UNMIK-u është garantori i përhershëm i implementimit të Rezolutës 1244, institucioni pasardhës i UNMIK-ut do të jetë garantori i implementimit në çdo pikëpamje të marrëveshjes së Ahtisaarit, përfshirë edhe të decentralizimit. Pra, larg ecjes drejt procesit të mënjanimit të kontrollit të jashtëm politik (çfarë duhet të ketë një shtet sovran), Kosova do të ecën drejt rrugës së konsolidimit të mëtejshëm të raportit vasal që do ta ketë me një institucion të jashtëm politik dhe administrativ. Kjo gjendje e vazhdueshme të një kolonializmi politik postmodern, në varshmëri të të cilët do të jetë për shumë kohë zhvillimi politik i Kosovës, do ta bëjë gjithnjë e më të largët perspektivën e një demokracie sovrane në Kosovë, ndërsa gjithnjë e më probabile vazhdimin e politikës në binarët e sotëm, ku në vargun e të këqijave dominon, ndër të tjera, korrupsioni institucional i pandalur, i pandëshkuar dhe i gjithanshëm.

Faktori tjetër që mund t’i rezistojë decentralizimit janë serbët e Kosovës. Përveç në komunat lindore dhe disa enklavave të tjera që priten të shndërrohen apo të bashkohen me komuna serbe, komunat e veriut në veçanti nuk do të kenë asnjë interes që të marrin pjesë në procesin e decentralizimit. Marrja pjesë në këtë proces për ta do të thotë legjitimimin e pushtetit në Prishtinë, çfarë ata nuk kanë gatishmëri ta bëjnë, veçanërisht nëse arrihet ndarja zyrtare e Kosovës nga Serbia që për ta është absolutisht e papranueshme. Serbia gjithashtu do të ketë një rol në këtë situatë, sidomos nëse Serbisë i imponohet shkëputja e Kosovës (gjë që nuk mund të bëhet ndryshe përveç me imponim). Siç kanë ngulur këmbë elitat politike të Beogradit, përfshirë ato të profilit “të moderuar demokratik”, Serbia asnjëherë nuk do të pajtohet me humbjen e Kosovës, gjë që për një shtet që ka një histori të njohur të hegjemonizmit, agresionit dhe luftërave etnike, nuk tingëllon thjesht si një retorikë boshe por një kërcënim që duhet të merret seriozisht. Kjo nuk do të thotë që Serbia do të intervenojë ushtarakisht për ta mbajtur Kosovën ose pjesë të territoreve të saj, pasi që kjo përbën një prishje e marrëdhënieve me Perëndimin, dhe rrjedhimisht një veprim me kosto shumë të lartë. Por Serbia ka opsione të tjera në dorë: p.sh., ajo nuk do t’i çmontojë strukturat e saj në Kosovë dhe përmes tyre mund të kontribojë në obstruksione të vazhdueshme të çfarëdo procesi të decentralizimit nëpër enklava. Ajo mund nxis incidente dhe lëvizje për shkëputje të komunave, sidomos ato të veriut, nga sistemi administrativ i Kosovës (ku ato nuk bëjnë pjesë as tani, pos formalisht). Për më tepër, as serbët e Kosovës nuk do ta pranojnë largimin e strukturave shtetërore të Serbisë nga enklavat, ndaj të cilave kanë një varshmëri jo vetëm politike, por për shkak të papunësisë që dominon nëpër enklava, edhe ekonomike, për të mos thënë edhe të thellë kulturore, si pasojë e inferioritetit që serbët e Kosovës përgjithësisht ndjejnë kundruall bashkëkombasve të tyre të metropolit, por edhe krizës së identitetit që ata duan ta evitojnë me çdo kusht, të shndërrimit përfundimtar në një bashkësi minoritare në një shtet që nuk qeveriset nga Beogradi. Ndërkaq, mjafton që serbët kosovarë t’i bojkotojnë apo kërcënojnë me bojkot apo mosnjohje institucionet kosovare, gjë ata kanë bërë edhe më parë, që të shantazhojnë çfarëdo procesi. Pa pjesëmarrjen serbe, decentralizimi në formën si po parashihet ai, është i pakuptimtë dhe i parealizueshëm.

Minimi i dyanshëm i decentralizimit, si nga banorët shqiptarë të komunave të reja me shumicë serbe, ashtu dhe nga serbët e Kosovës dhe nga Serbia, do të thotë se implementimi i decentralizimit do të jetë në rastin më të mirë i pjesshëm, në rastin më të keq komplet i dështuar, duke ndjekur kështu fatin e decentralizimit të “Planeve A” dhe “Planeve B” të viteve të shkuara. Dhe refuzimi i pritshëm i po këtyre politikanëve që sot udhëheqin negociatat, që të marrin përgjegjësi për dështimin eventual të decentralizimit, do të thotë një rritje të dukshme të rolit politik të misionit të ri ndërkombëtar në Kosovë. Por efekti tjetër politik i kësaj është ky: me decentralizimin përfundimisht po arrihet zhvendosja e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë nga rrafshi i të drejtave kolektive të popujve dhe entiteteve politike, në një rrafsh komunitar etno-territorial, gjë që ka qenë synimi i përhërshëm i qeverive të njëpasnjëshme të Beogradit. Kjo do të thotë se imponimi i decentralizimit mund ta prodhojë një dinamikë të rrezikshme të nxitjes së konflikteve të brendshme etnike në Kosovë, në formën e demonstruar në mars 2004, ku u pa se në shpërthime të tilla të revoltës popullore, askush s’ka kontroll të plotë mbi situatën. Natyrisht se mirëmbajtjes së gjendjes së tensionuar i ndihmon edhe papunësia dhe papersektiva e madhe me të cilën po ballafaqohet shumica e rinisë kosovare. Është e pritshme, siç ka dëshmuar përvoja historike dhe rastet e shumë shoqërive tjera, se në situata të tilla shumë shpesh, tensionet sociale të shkaktuara nga kriza ekonomike përkthehen politikisht në gjuhën e platformave populliste dhe ekstremiste, dhe në fajësimin e Tjetrit etnik për situatën e pashpresë.

Kështu, në kontekstin potencial të një Kosove formalisht të pavarur, konflikti me Serbinë nuk përmbyllet por kalon në premisa tjera. Synimi i Serbisë nuk do të jetë, siç ka qenë deri më tash, mbajtja e Kosovës në kuadër të territorit të saj, por nxitja e destabilitetit në Kosovë në mënyrë që aty të vazhdohet mirëmbajtja gjendjes aktuale, që mund të përshkruhet si një gjendje e një konflikti të ngrirë. Serbia do të tentojë ta mbajë gjendjen e acaruar në Kosovë me qëllim që të “provojë” para aleatëve perëndimorë se Kosova është jostabile dhe e paqëndrueshme si entitet, se shqiptarët janë të paaftë për ta qeverisur vetën, me shpresën se herëdokur ajo do t’i kthejë disa nga territoret e humbura. Mund të thuhet se në disa pjesë të Kosovës, sidomos në veri, ka mbizotëruar gjendja e konfliktit të ngrirë qysh nga qershori 1999. Mirëpo rreziku qëndron në atë që një gjendje e tillë, siç ekziston sot p.sh. në Transnistri në Moldovë, në Abkhazi në Gjeorgji, apo në pjesën veriore të Qipros, të bëhet permanente edhe në Kosovë. Ndërhyrja e përhershme e shtetit serb do të jetë garantore e asaj që Kosova asnjëherë të mos jetë e qetë.

Kjo ka shumë pasoja, por një nga ato është e qartë. Ajo është se, larg zhvendosjes së dinamikës politike në çështjet thelbësore të zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të gjendjes së mjerueshme sociale, dinamika politike do të mbetët e përqëndruar në problemet e reja të karakterit etnik që do të vazhdojnë ta mbajnë peng politikën kosovare, gjë që gjithashtu do ta bëjë përherë të domosdoshme që Kosova të “monitorohet” (lexo: dominohet dhe kontrollohet) nga ndonjë mision i jashtëm administrativ me pushtete të larta dhe të gjera.

Logjika politike e decentralizimit

Sidoqoftë, ajo që është tashmë e qartë si loti është se decentralizimi nuk është për “afrimin e pushtetit me qytetarin” e përalla të ngjashme që na kanë treguar UNMIK-u bashkë me katër qeveritë e njëpasnjëshme që kishte Kosova. Decentralizimi është një formë e organizimit territorial të Kosovës sipas parimit etnik – diçka që nuk ka ekzistuar në Kosovë në asnjë nga pushtetet që historikisht e kanë sunduar atë (as në atë të Millosheviqit, as gjatë socializmit jugosllav, as kralevinës e as periudhës osmane). Por nomos-i i ri i Ballkanit të pas-Luftës së Ftohtë është ky: konfliktet etnike luftohen duke i shndërruar arritjet e tij në vlera institucionale. Artefakt i gjallë i kësaj është sot Republika Sërpska e Bosnjës, një entitet i krijuar përmes spastrimit etnik, një mishërim i mendësisë që problemet politike do t’i zgjidh përmes ndërtimit të strukturave komplekse institucionale mbi kategoritë etnike, proces që, nën nofkën e multietncitetit, ka filluar në Kosovë që nga qershori 1999. Prandaj nuk është e çuditshme që sot, territorializimi etnik i Kosovës shërben si parimi themelor mbi të cilën do të ndërtohet “zgjidhja” e “problemit etnik” të Kosovës, që në fakt nuk ishte asnjëherë i tillë. Me një fjalë, simptomat e një gjysëm-zgjidhjeje politike të qershorit 1999 – enklavat – sot shërbëjnë si një udhërrëfyese e asaj se si do të duket Kosova në të ardhmen. Me një fjalë, decentralizimi përbën institucionalizimin e enklavës si vlerë politike. Konflikti etnik është reduktuar në shkallë – ai tashmë nuk është i një niveli të lartë politik, pra ai nuk ndodh më midis ushtrive dhe elitave politike të një niveli nacional, por ai ndodh në mikro-zona – nëpër bashkësi, nëpër fshatra, nëpër komuna. Pikërisht këtu qëndron logjika e decentralizimit: harta e Kosovës do të zbërthehet deri në një pikë mikroskopike për të parë se cilat janë “fshatrat serbe” dhe “fshatrat shqiptare” dhe se ku do të vizatohen kufijtë e ri të dallimit, ashtu siç është bërë gjatë negociatave. Dhe kështu do të ndërtohet bashkësia politike e quajtur Kosovë – do të ndahet, copëtohet e veçohet fillimisht, paskëtaj do të themelohet si bashkësi, si shtet. Dialektika negative e fragmentimit territorial të entitetit politik që deri më tani e kemi njohur me emrin Kosovë, tashmë vihet në mocion. Çfarë tjetër pos një lloj detyrimi dhe presioni i përhershëm nga jashtë do t’i mbajë komunat serbe si pjesë të Kosovës? Çfarë interesi mund të kenë nëse për ta Kosova ka kuptim vetëm si pjesë e Serbisë? Nënshtrimi ndaj nomos-it global për Ballkanin është rezultat i dështimit në krijimin e një nomos-i vendor që nuk mbështetet ekskluzivisht mbi etninë. Kjo do të thotë se Kosova, qoftë edhe duke shkuar drejt rrugës për shtetësi formale, nuk po themelohet si një bashkësi e mirëfilltë politike, e as si shtet i vërtetë politik i një demokracie qytetare. Kosova e decentralizuar është Kosova e konfliktit të territorializuar etnik.

Botuar te Koha Ditore.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s