Home

Një sondazh i kryer në Kosovë nga UNDP në kuadër të një programi të rregullt të anketimit të qytetarëve të Kosovës nxori në pah një fakt shumë interesant. Ky është fakti se qytetarët e Kosovës, të paktën sipas këtij sondazhi, janë më të gatshëm të protestojnë kundër gjendjes ekonomike se sa kundër asaj politike.

Sondazhi tregon se rreth 37 për qind të kosovarëve janë të gatshëm të protesojnë kundër gjendjes politike. Ndarë sipas përkatësisë etnike, dallimet janë të shënueshme – 42 për qind të shqiptarëve janë të gatshëm të protesojnë, kurse vetëm 30 për qind të serbëve dhe 24 për qind të anëtarëve të minoriteteve tjera kanë shprehur gatishmërinë për të protestuar kundër gjendjes politike. Kjo dallon dukshëm nga sondazhi i mëhershëm, i bërë në dhjetor 2005. Asokohe, 55 për qind të shqiptarëve dhe 83 për qind të serbëve ishin të gatshëm për të protestuar.

Megjithatë, edhe pse zhvillimet e fundit politike mund të kenë zbutur gatishmërinë e kosovarëve për të protestuar për arsye politike, kosovarët janë më të gatshëm të protestojnë kundër gjendjes ekonomike. 62 për qind të shqiptarëve janë të gatshëm të protestojnë kundër situatës ekonomike në Kosovë (shifra për serbët është paksa më e vogël, por jo e paneglizhueshme, 36 për qind). Dhe, çfarë është më interesantja që nxjerr në pah ky sondazh, është se nuk janë vetëm të papunët që janë të gatshëm të dalin në rrugë për të shprehur zemërimin e tyre. 54 për qind e respondentëve të sondazhit që janë deklaruar si të punësuar janë deklaruar se janë të gatshëm të protestojnë kundër gjendjes ekonomike. Esenca pra del të jetë diçka ndryshe se ‘common sense’-i i establishmentit tonë politik e medial – se njerëzit janë të pakënaqur sepse nuk kanë punë. Del se edhe ata që janë në punë nuk janë të kënaqur me situatën ekonomike, që provon shumë forcërisht se problemi ekonomik në Kosovë është më shumë se thjesht një problem punësimi.

Kjo bjen në sprovë çështje më fundamentale, e për të cilat në Kosovë, nën maska të llojllojshme ideologjike, nuk është bërë asnjë debat serioz. E ky është se problemi ekonomik është gjithashtu një problem social, që domethënë se është fundamentalisht një problem politik. Cili është ky debat i neglizhuar, i lënë pas dore, gati i ndaluar në Kosovën e pasluftës? Ky është debati mbi problemin social – më saktësisht, problemin e pabarazive sociale, që nën kushtet e një regjimi ekonomik që mund të mbiquhet turbo-kapitalizëm, po marrin karakter drastik. E në esencë, ky është debat për aspektet fundamentale të sistemit ekonomik e social që ekziston sot në Kosovë.

Këtu duhet filluar nga një fakt primar. Interesi ekonomik i shumicës në Kosovë ka ngelur në harresë. Edhe më keq, shumica në Kosovë shkilet ekonomikisht për hir të pasurimit të një pakice. Kjo situatë është rezultat i disa shkaqeve. E para, UNMIK-u, si një burokraci e stërzmadhuar, nuk ka pasë asnjëherë asnjë interes për zhvillimin ekonomik në Kosovë. Edhe më keq, ajo, nën pretekste dubioze juridike, mbajti peng situatën ekonomike në Kosovë me vite të tëra, përderisa toleroi (sigurisht edhe për kalkulime politike) mbirjen e korrupsionit brenda institucioneve që i krijoi vetë. UNMIK-u në asnjë moment nuk zhvilloi në Kosovë një diçka që mund të quhet politikë ekonomike. Në qoftë se mund të themi se ka ekzistuar një politikë ekonomike e UNMIK-ut, ajo, hiq disa zgjidhjeve formulaike neoliberale që i futi në disa fusha, përbën një politikë që përfundoi me zhytjen katastrofike të Kosovës në një varfëri të thellë.

E dyta, nën ombrellën politike dhe institucionale të UNMIK-ut, në Kosovë u instalua sistemi aktual i kriptokracisë partiake, që për klikat e ngushta partiake domethënë një rehati e mirë në mirëqenien e vet personale e familjare ekonomike. Në qoftë se në Kosovë ka krizë ekonomike, këtë krizë nuk e ndjejnë të nderuarit përfaqësues politikë të këtij vendi. Nuk besoj se ndonjëri nga ta, sikur shumica e të anketuarve kosovarë, do të dilnin të protestonin kundër gjendjes ekonomike – me përjashtim mbase të Nexhat Dacit, që përjashtimi nga udhëheqsia e Kuvendit e la pa makinën super të blinduar dhe televizionin plasma në vilën e tij në Brezovicë, lluks ky i mundësuar nga djersa e popullit të varfër kosovar. E edhe po të dilnin të protestonin, kundër kujt do të protestonin këta pos kundër vetës së tyre, pasi që janë të parët në rend sipas përgjegjësisë politike për situatën?

Por nuk është koha të merremi me shkaqet dhe fajet. Sepse fundamentalisht, problemi nuk është i disa zyrtarëve të korruptuar që lënë popullin pa bukë. Më fundamentalisht, problemi është te një kuadër i dështuar ekonomik që kërkon një ndryshim të menjëhershëm. Dhe ky kuadër ekonomik nuk do të ndryshohet nga nisma e krerëve politikë dhe partiakë, që nuk kanë hall kur interesat e tyre ekonomike i kanë realizuar në kuadër të kleptokracisë aktuale turbo-kapitaliste.

Çka duhet të bëjë një lëvizje e majtë?

Në një shkrim të mëhershëm pata argumentuar pse ekziston nevoja për një të majtë ideologjike dhe politike, me qëllim të rithemelimit të një alternative politike bazuar në një vizion tjetër ideologjik nga ai që mbisundon sot. Kjo alternativë duhet të jetë alternativë e ndërtuar në bazë të kritikës themelore të strukturave aktuale dhe jo thjesht rezultat i dëshirës tashmë të shndërruar në klishe, për të qenë “tjetër” ose “ndryshe”. Nuk mund të jesh tjetër ose ndryshe pa ndërtuar një bazë ideologjike me themel të qëndrueshëm filozofik, historik e politik, përndryshe rrezikon që kjo “ndryshe” të banalizohet në atë që është sot, një ndryshe që paraqet asgjë më shumë se variacion të dominantës, një amballazh më të bukur për një produkt njësoj të keq.

Me këtë rast dua të ravijëzoj tri fusha konkrete ku mund të themelohet një kritikë e fuqishme e majtë. Këto janë disa nga problemet më imediate intelektuale që duhet t’i paraprijnë çfarëdo aktiviteti politik – jo për të kërkuar vendosjen e politikës mbi ndonjë bazë totale filozofike, por për ndërtimin e strategjive të nevojshme të intervenimit përmes së cilave do të thyhet hegjemonia aktuale shoqërore, të arrihet një konstelacion tjetër forcash shoqërore që çon në transformime të tilla politike e shoqërore që kthen qytetarin në epiqendër të politikës, ndërsa si vlera themelore ka demokracinë qytetare dhe barazinë sociale. Fjala pra është për hapjen e mundësive të çeljes dhe thellimit të një demokracie të vërtetë (kam frikë të quaj popullore për shkak të abuzimeve që iu bënë këtij termi nga stalinizmi) ku artikulimi politik buron nga thellësia e jetës sociale, e jo të imponohet nga aparatet politike që, në emër të një demokracie formale, vëzhgojnë dhe marrin vendime nga lartë.

Këtu pra do t’i artikuloj vetëm tri detyra të së majtës në Kosovë.

E para, duhet të zhvillohet teorikisht dhe empirikisht relacioni shkak-pasojë midis korrupsionit dhe varfërimit ekonomik. Por, duhet edhe të vihen në pah relacionet strukturore që e mirëmbajnë një gjendje që e bën të mundur vjedhjen sistematike të pasurive publike. Termi “korrupsion”, që tash është një term gjithpërfshirës, jo-preciz dhe që nënkupton gjithçka dhe asgjë, duhet të transformohet në koncept domethënës etik e politik. Kjo gjë nuk mund të bëhet nga një distancë akademike duke krijuar tipologji të pafundme të korrupsionit, kritere gjysëm-fiktive që pretendojnë të “masin” korrupsionin dhe ta paraqesin atë si një vlerë kuantitative, por duke e zbërthyer praktikën e korrupsionit në esencë. E ky zbërthim në esencë domethënë më shumë se zbulimin e rasteve individuale të vjedhjeve, pandershmërisë dhe abuzimeve të zyrtarëve individualë (edhe pse është për çdo lëvdatë puna e gazetarëve që raportojnë për raste të tilla). Korrupsioni aktualisht përshkruhet si një aktivitet joligjor që mbijeton në një sferë ligjore, duke e shndërruar kritikën kundër korrupsionit në një denoncim juridik. Në vend të denoncimit juridik, kritika kundër korrupsionit duhet të de-legalizohet, pra të marrë përmasa politike. Korrupsioni është problem kriminal, por më shumë se kaq është problem politik. E kjo domethënë se bazën e ka diku tjetër nga dështimet morale të zyrtarëve të korruptuar. Kjo bazë është sistemike, pra është integrale në organizimin e jetës ekonomike në Kosovë. E në mënyrë që të eliminohen shkaqet sistemike, duhet shpërbërë ose eliminuar ato struktura shoqërore që janë të organizuara ose të grupuara rreth atyre interesave që përfitojnë nga situata ekzistuese. Për korrupsion gjithmonë nevojiten dy palë, kurse korrupsion nuk do të kishte po të mos ishte profitabil për të gjitha palët që marrin pjesë në të.

Në një mënyrë, mund të thuhet se korrupsioni, si dukuri e uzurpimit sistematik të pasurive publike nga një klasë e caktuar shoqërore, është në realitet esenca e turbo-kapitalizmit. Duhet pasë parasysh se turbo-kapitalizmi nuk është e njëjtë me formën dominante ekonomike e qendrës kapitaliste, pavarësisht se bazohet mbi parime të njëjta. Turbo-kapitalizmi është sistem ekonomik i periferisë, pra i tillë që shpreh në masë të ekzagjeruar simptome që në qendër janë të pahetueshme ose minore. Prandaj dhe për ta kuptuar turbo-kapitalizmin duhet t’i krahasojmë veçoritë e tij me kapitalizmin klasik. Kapitalizmi klasik u ndërtua mbi bazën e dominacës së klasës borgjeze, e cila dominoi por nuk kontrolloi tërësisht shtetin. Në fakt, historikisht, asaj ju desh të bëjë luftë të gjatë që të arrijë dominancën e saj. Kurse turbo-kapitalizmi lind mbi bazën e një lumpen-borgjezie, një klase e të pasuruarve brenda natës, që pasurohen duke e plaçkitur shtetin dhe duke e përvetësuar pasurinë publike, duke monopolizuar tregjet dhe duke vënë cepa për ta shtënë në dorë tërë jetën ekonomike. Kapitalizmi klasik e fitoi shtetin me luftë të gjatë politike, prandaj dhe borgjezia klasike ruajti strukturat themelore të shtetit. Por për turbo-kapitalizmin, edhe shteti është mall nga i cili përfitohet (mbase mund të themi se turbo-kapitalizmi kështu paraqet shkallën më të lartë të kapitalizmit!). Për borgjezinë klasike, çdo kalkulim përfitimi i nënshtrohej rregullës ligjore. Kur nuk mund të përfitonte, borgjezia në parlament i ndryshonte ligjet. Për lumpen-borgjezinë turbo-kapitaliste, çdo rregull ligjore (dhe morale) i nënshtrohet kalkulimit ekonomik. Kur nuk mund të përfitojnë, turbo-kapitalistët anashkalojnë procesin ligjor dhe e blejnë edhe ligjin – apo të paktën ata agjentë të ligjit (si doganierët dhe ministrat) që nga lakmia për jetën e kamur të nouveau riche-ve të kohës sonë, ofrojnë vetën si partnerë biznesi për turbo-kapitalistët. Përderisa në kapitalizmin e sotëm, zyrtarët e lartë dëshmojnë afërsinë e tyre me qarqet e biznesit duke kaluar nga politika në biznes menjëherë pas përfundimit të mandatit (siç dëshmon tubimi i famshëm vjetor në Davos, apo rasti konkret i Gerhard Schroeder-it në Gjermani), në turbo-kapitalizëm, biznesi dhe mandati zyrtar zhvillohen bashkë dhe në të njëjtën kohë!

Por për kapitalizmin e sotëm ekzistojnë dy anë të medaljes, sepse pos atij të brendshëm, janë edhe mekanizmat e jashtëm të kapitalizmit global, që imponohen pashmangshëm në politikat ekonomike të vendeve të varfëra. Rrjedhimisht, duhet të fillojë një përgatitje për të rezistuar masat e shtuara të politikave neoliberale që do të instalohen në Kosovë nën petkun e “politikave për zhvillim ekonomik” e që do të vijnë me vulë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe institucione tjera ndërkombëtare financiare, sidomos pas zgjidhjes së çfarëdoshme të statusit. Duke qenë se Serbia e Millosheviqit ishte një regjim që, për nevojat e veta politike, kishte izoluar tregun e vet të brendshëm nga presionet e ekonomisë globale (duke i mbrojtur, si pasojë indirekte, edhe ekonomitë familjare kosovare nga presionet e globalizimit), problemi ekonomik i Kosovës në qershor 1999 ka qenë forma e integrimit të Kosovës në këtë ekonomi. Shtatë vitet e fundit kanë dëshmuar se si integrimi i Kosovës në tregun global është bërë në formën më të keqe të mundur. Nuk përfiton Kosova nga ekonomia globale, por përfiton ekonomia globale nga Kosova. Meqë shkalla e importit dhe eksportit është një nga indikatorët më të fortë të integrimit në ekonominë globale, deficiti i lartë tregtar që ka Kosova tegon se Kosova është integruar në këtë ekonomi jo për të përfituar, por për t’u shfrytëzuar nga ajo. Në matematikën e thjesht ekonomike kjo domethënë se në shkëmbim të mallrave që hyjnë në Kosovë, ajo nxjerr jashtë pare. Është paradoksale që vendi më i varfër në Evropë ka si mall kryesor eksporti paren, dhe atë një nga monedhat më të vlefshme në ekonominë e sotme botërore – euron. Me gati një miliardë euro në vit deficit tregtar, domethënë se po këtë shumë Kosova ia eksporton vendeve prej nga importon mallra, duke subvencionuar kështu rritjen e tyre ekonomike përderisa vetë Kosova shkon drejt humnerës.

Në lidhje me këtë më sipër, duhet të zhvillohen alternativa ndaj politikave kryesore ekonomike të sotme, përfshirë atë të privatizimit. Nga privatizimi duhet të mbrohen sidomos industritë strategjike siç janë telekomi, energjetika dhe uji, si dhe pasuria minerale e Kosovës duhet shfrytëzohet në atë mënyrë që të shkojë në favor të zhvillimit të gjithmbarshëm ekonomik dhe jo të kalojë në duart e ca kapitalistëve (të huaj ose të vendit) për përfitime të tyre. Ndërkaq fondi i deritanishëm i akumuluar nga shitja e ish ndërmarrjeve shoqërore duhet të vihet menjëherë në dispozicion të zhvillimit ekonomik të Kosovës, si dhe menjëherë t’u distribuohen pjesët e premtuara punëtorisë që krijoi dhe ndërtoi ndërmarrjet e shitura, kurse blerësit e ri të detyrohen të respektojnë kontratat e punës me punëtorët dhe të mos pengojnë organizimin sindikal në ndërmarrjet e reja private.

E treta dhe e fundit, një forcë e majtë duhet të luftojë për rigjenerimin dhe përforcimin e shërbimeve sociale dhe publike si arsimi, shëndetsia dhe sistemi pensional. Në lidhje me këtë të fundit, duhet të abrogohet menjëherë skema skandaloze e kursimeve individuale që UNMIK-u ka imponuar si skemë pensionale në Kosovë. Për shkak të presioneve politike, qarqet konservatore dhe neoliberale deri më tani nuk kanë arritur që këtë lloj skeme pensionale ta instalojnë në vendet e zhvilluara perëndimore (një nismë për futjen e një sistemi të ngjashëm i dështoi edhe koalicionit konservator të presidentit George Bush në SHBA), por ajo i imponohet gjoja në emër të reformës dhe modernizimit të sistemit pensional vendeve më të varfëra, ku edhe po tregon shenja dështimi (si p.sh. në Çile, ku është vendosur një skemë e ngjashme). Ç’është më e keqja, në Kosovë kjo skemë pensionale ka edhe një dimension tjetër poshtërues – ai tubon paratë nga punëtorët kosovarë vetëm për t’i deponuar dhe investuar ato jashtë Kosovës, dhe pa asnjë garancë për sigurinë e tyre, duke i mundësuar kështu përfitime enorme dhe pa risk institucioneve financiare në Perëndim, në dëm të zhvillimit ekonomik të Kosovës – për më tepër duke e varfëruar Kosovën edhe më shumë me thithjen e pareve nga ekonomia e saj. Në vend se ky fond të kthehet në dobi të ekonomisë dhe mirëqenies në Kosovë, p.sh., duke ia mundësuar një familjeje kosovare marrjen e një kredie të lirë për blerjen e shtëpisë, ato shkojnë në favor të kompanive të jashtme financiare që të ngrisin më tej profitet dhe të ardhurat e tyre. Ky fond pensional duhet të shpërbëhet menjëherë, paratë që janë tubuar të kthehen në Kosovë, dhe nga ai fond duhet të krijohet fondi i përgjithshëm social për pensione dhe investime në Kosovë.

Këto janë vetëm disa nga fushat ku duhet të aktivizohet e majta në Kosovë. Ky është hapi i parë për spastrimin e paragjykimeve dhe stereotipeve me të cilat lidhet sot e majta në mendjen publike në Kosovë, që të majtën e barazon me stalinizmin. Por si mund të arrihet një gjë e tillë? Është e kotë që të pritet transformimi ideologjik i ndonjë nga partive ekzistuese kosovare. Ato, siç e pohojnë edhe vetë, janë parti “pa ideologji”, madje edhe për ideologjinë mund edhe të ulën e të diskutojnë bashkë sikur kjo të ishte thjeshtë një temë akademike – kjo sepse janë pa koncepte themelore politike, por më tepër, socializimin kryesor politik e kanë bërë në kushtet më të këqija të mundura, si shegërtë të zellshëm të UNMIK-ut, për të cilin ideologjia është një çështje e heshtur, e tejdukshme, tabu. Por nga pikëpamja strukturore, verbëria ideologjike e tyre është rezultat i shkaqeve tjera, e një nga ato është bashkërenditja e interesave të tyre personale me kapitalin e jashtëm dhe turbo-kapitalistët e brendshëm, që i bën partitë aktuale të shërbëjnë si instrumente legjitimuese për futjen dhe zbatimin e politikave të dëmshme në Kosovë. Një e majtë në Kosovë nuk mund të jetë vetëm një parti që e quan vetën të majtë (rrjedhimisht, partitë e majta të Shqipërisë janë modeli jo që duhet ndjekur por që duhet shmangur me çdo kusht). Një majtë e vërtetë do të fillojë dhe duhet të mbetët organikisht një lëvizje sociale, një lëvizje që tubon në aleancë ato forca dhe grupe progresive shoqërore që kanë interes primar transformimin shoqëror drejt barazisë qytetare dhe demokracisë së thellë. Një lëvizje sociale, që përfshin shtresat më të gjëra të shoqërisë, mund të jetë e vetmja bazë për zhvillimin e një force të vërtetë të majtë që do të veprojë politikisht kundër liderizmave e elitizmave partiake e ekonomike, por edhe kundër presioneve të mekanizmave të kapitalizmit global që kërkojnë ndjekjen e utopive neoliberale, që me gojë flasin për zhvillimin ndërsa me dorë ia marrin njerëzve deri edhe bukën e gojës, kurse në fund vetëm mundësojnë pasurimin e mëtejmë të të pasurve në kurriz të vendeve të varfëra si Kosova.

Botuar te Koha Ditore, më 26 gusht 2006.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s