Home

Fundamentalisht jemi një shoqëri jorefleksive, jo në kuptimin që nuk jemi refleksiv si individë (shoqëria nuk është thjesht një mbledhje aritmetike individësh), por se kemi mungesë institucionesh që janë në shërbim të refleksivitetit, të kuptuar si një aktivitet që ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së kolektivit për vetëvetën. Disfunksionaliteti, apo, më saktë, kapitulimi, në radhë të parë intelektual i institucioneve që do të duhej ta krijonin hapësirën për refleksivitet – Akademisë, universitetit dhe instituteve kërkimore, ka çuar në mënjanimin e plotë të veprimtarisë refleksive nga sfera publike, tashmë e dominuar, në mos dhe e hegjemonizuar në totalitet, nga diskursi zyrtar politik.

Jemi në një gjendje aq katastrofike sa që nuk është në pyetje vetëm autonomia dhe pavarësia politike e institucioneve tona të dijes, por e gjithë ekzistenca e tyre është në sprovë. Akademia është shndërruar në një klub honorifik që tubon herë pas here ca pleq të thinjur, me një rol krejt margjinal në jetën publike, e me një jetë edhe më margjinale shkencore. Po të mos ishte për rolin e saj të dikurshëm në fushën e albanologjisë, nuk mund të flitet për ndonjë kontribut që vlen të theksohet në asnjë nga fushat e dijes. Edhe më keq, mbitheksimi që historikisht Akademia jonë i ka bërë albanologjisë ka bërë që ajo, si institucioni më i lartë i diijes në Kosovë, të përforcojë nocionin aq dominant se një intelektual shqiptar di të flas vetëm për shqiptarët, apo, më saktë, një intelektual shqiptar ka legjitimitet të flas vetëm mbi të ashtuquajturën “çështje shqiptare”, dhe se çdo temë tjetër është jashtë diapazonit të njohurive të tij dhe diçka për çfarë ai nuk ka legjitimitet të diskutojë. Kështu, tirania e albanologjisë ka lënë në hije shkencat tjera, i bën ato epistemologjikisht të padëshirueshme, sepse për Akademinë tonë, kur ato nuk janë në shërbim të albanologjisë, janë aq të pavlera sa që nuk vlejnë as të përmendën. Për fat të keq, kontributet e astronomisë dhe biologjisë në albanologji nuk ekzistojnë, e kjo mbase është dhe arsyeja pse nuk kemi arritur deri aty që Akademia jonë të legjitimojë edhe një astronomi albanologjike ose biologji albanologjike (megjithëse ca kripto-racistë në mesin tonë do të angazhoheshin edhe për këtë të fundit). Në realitet, Akademia jonë i ka kontribuar dhe vazhdon të kontribojë në mirëmbajtjen e neurozës sonë kolektive, atë që na bën që obsesivisht të merremi me dukjen tonë, “imazhin” tonë, identitetin tonë. Neurotiku, sipas Freud-it, ka në vetëdijën e tij si objekt të pashmangshëm vetëvetën, duke ndjerë deri në pikën e ankthit nevojën që ekzistencën e vetës ta legjitimojë duke e gjykuar atë nga pozicioni i Tjetrit, pasi vetëm përmes Tjetrit ai mund të justifikojë atë vlerë që ia jep vetës. Kjo mbase është edhe arsyeja pse në Akademi, jo vetëm që pranohen vetëm shqiptarët që shkruajnë për shqiptarët, por edhe për jo-shqiptarët kusht pranimi është që të shkruajnë për shqiptarët, sepse duket që për Akademinë tonë, shkenca vlen vetëm përderisa konfirmon ekzistencën tonë, përderisa na bën të tillë çfarë duam të jemi (por që asnjëherë nuk arrijmë të bëhemi) në sytë e Tjetrit, sipas standardeve të Tjetrit dhe kërkesave të Tjetrit.

Akademia e dikurshme provinciale e shkencave provincializuese sot po shndërrohet në Akademi pa legjitimitet si institucion i mirëfilltë akademik. Megjithatë, kjo krizë e legjitimitetit i ka kapluar të gjitha institucionet tona të dijes. Si pasojë, ato synojnë që vlerën e vet ta rigjenerojnë si institucione politike, pra si krah intelektual i pushtetit. Prandaj dhe universiteti ynë kryesor dhe i vetëm publik, në një mënyrë krejt të turpshme, është pushtuar nga rivalitetet partiake, duke i imponuar atij rolin e jo më shumë se një resori të IPVQ-ve. Ndërsa për “riakademizimin” e universitetit merren masa politike, tentohet që përmes masave politike të kompenzohet ai autoritet i humbur shkencor, pedagogjik dhe publik që duhet ta ketë një universitet. Ndëhyrja politike në universitet është shenjë e politizimit total të këtij institucioni, turp që në radhë të parë do ta mbartin ata që janë pjesë e këtij institucioni dhe që efektivisht kanë hequr dorë prej tij.

Si pasojë, në vend të ekzistimit të hapësirave autonome ku refleksiviteti mund të shkojë gjer në shkallën e kundërshtimit, deri tek përmbysja, e dëshirave të autoritetit politik, deri tek prodhimi i një diskursi të pakuptueshëm dhe të papërdorshëm për nevojat e autoritetit politik, institucionet tona të dijes kanë pranuar që ta paguajnë çmimin e kapitulimit karshi politikës në shkëmbim për mbijetesën e tyre formale organizative. Ndërkaq, heqja dorë nga autonomia institucionale për institucionet e dijes domethënë edhe heqje dorë nga autonomia personale për intelektualët (autonomia fitohet kolektivisht, ose s’fitohet fare), të cilët me pak ngurrim, bashkë me kolegët e tyre nga “shoqëria civile”, iu futën garës për t’u shndërruar në shërbëtorë të zellshëm të autoriteteve të ndryshme politike.

Me sjelljen e institucioneve të dijes buzë shkatërrimit, anti-refleksiviteti ka arritur gjer në atë shkallë sa që vetë refleksiviteti shihet si anomalik, i panevojshëm, një humbje kohe, kjo që përkufizon frymën anti-intelektuale që mbizotëron në shoqërinë tonë në përgjithësi. Në një situatë të tillë, intelektualët nuk mund të intervenojnë në politikë – përkundrazi, politika intervenon te ata. Pa bazë të qëndrueshme institucionale që do të fokusonte energjitë mendore dhe punën shkencore të atyre që pretendojnë rolin e intelektualit, intelektualëve i mbetët që politikës t’i kundërvihen vetëm me mjetet e politikës, e që ka si rezultat shndërrimin e tyre në mjet politik për politikanët e vërtetë. Rrjedhimisht, nuk merren intelektualët me politikë, por politika merret me ta.

Simptomatika më e vrojtueshme e kësaj është se referencat e debateve “intelektuale”, që në thelb janë debate politike me petk intelektual (kam ndërmend këtu debatet nga ato për “identitetin kosovar” deri te ato për decentralizimin), jo vetëm që nuk shkojnë përtej referencave të fushës politike, por janë në varshmëri të plotë nga ato. Në vend se intelektualët të ndryshojnë premisat e debateve politike, politika përcakton premisat e debatit intelektual, duke i futur intelektualët në rolin e apologjetikëve të konjukturave aktuale politike dhe strukturave të pushtetit. Përmes këtij procesi, arrijmë te ngritja e një barazvlere midis diskursit intelektual dhe atij politik, që nënkupton, në esencë, korruptimin total të këtij të parit.

Kjo e fundit ka pasoja tjera të vrojtueshme. E para, është pritja e pashmangshme që puna intelektuale të shkojë në favor të “proceseve”. Kjo nënkupton që intelektualët duhet të shndërrohen në ndjekësit e rendit të ditës të caktuar nga autoritetet politike (UNMIK-u, qeveria, zyrat diplomatike etj.), pra jo që intelektualët të kontribojnë që problemet shoqërore t’i ngrisin në probleme politike, por që t’i ndihmojnë pushtetit në orvatjet e tij që problemet e veta t’i shndërrojë në probleme intelektuale. Në Kosovë gjendja është edhe më alarmante, duke marrë parasysh se diskursi mbi “proceset”, ai që ato i shndërron në objekte fetishi, është dhe mjeti më i fuqishëm legjitimues për aranzhmanet aktuale politike në Kosovë, ku gjithçka legjitimohet nga “proceset”. Negociatat për statusin përbëjnë kështu vetëm një intensifikim të logjikës dominante të pushtetit të sotëm politik, që, nga një vështrim psikoanalitik, mbështetet mbi një kërkesë të përhershme për sakrifikimin e jouissance, të asaj ekstaze që ne e presim nga fitorja përfundimtare (në diskursin tonë politik, pavarësia është e barazvlefshme me pritjen e padurueshme për momentin e orgazmit – në këtë kuadër, negociatat janë vetëm indikatore e nisjes së aktit seksual). Ndërkaq, “intelektualët” tanë, larg ngritjes së një kritike pushtetit përmes distancës kritike që duhet ta ruajnë nga ai, përkundrazi marrin përsipër që të bëhen shpjeguesit dhe përligjësit e “proceseve” (dje ishin “standardet”, sot decentralizimi) – domethënë pranojnë rolin e përkthyesve ideologjik të pushtetit. Duke marrë këtë rol, ata vetën e shohin si interpretues të dëshirave të pushtetit (ata pohojnë: “Amerika/Brukseli/Peterseni dëshiron që ta bëjmë X, prandaj duhet ta bëjmë në mënyrë që nesër ta marrim pavarësinë”), por në esencë ata projektojnë inferioritetin e tyre mbi situatën, dhe këtë inferioritet ia imponojnë kolektivit si identitet (pohimi i tyre në të vërtetë ka këtë kuptim: “ne [si shoqëri] duhet të jemi në shërbim të dëshirave të Amerikës/Brukselit/Petersenit, sepse vetëm kështu kemi vlerë si diçka”).

Simptomi i dytë është lehtësia me të cilën politikanët vihen në rolin e intelektualit. Në rivalitet për pozicionin e privilegjuar të interpretuesit të dëshirave dhe fantazive të pushtetit të jashtëm, të Tjetrit të Madh, politikanët kaplohen nga fantazitë personale për vetën në rolin e intelektualit, ndërsa qenia e tyre fillon e mbizotërohet nga një qëndrim narcisist ndaj diskursit të tyre, duke e imagjinuar vetëvetën si sovranin suprem të diskursit të vet, një mishërim total të subjektit të gjithdijshëm kartezian. Kjo natyrë obsesive e shumë politikanëve tanë, që pjesërisht gjenerohet nga konteksti social në të cilin ata veprojnë (është, në realitet, dinamika e rrethit shoqëror, me tendencat e saj përulëse para figurave të autoritetit politik, që i bën ata të bindën se janë, ndër të tjera, edhe intelektualë), inskenimi i rolit të intelektualit atyre i bëhet i mundur nga fakti i njëjtësimit të fushës politike dhe asaj intelektuale, apo, thënë më saktë, nga reduktimi i të dytës në të parën, që është në thelb deformim i saj dhe i vetë figurës shoqërore të intelektualit. Fakti që figura e intelektualit, apo, më saktë roli shoqëror i tij, mund të uzurpohet kaq kollaj nga politikanët, fakti që vija ndarëse mes politikanit dhe intelektualit është zhdukur, dëshmon se roli i këtij të fundit efektivisht është abroguar, ndërsa këtij të parit ju ka ofruar edhe një mjet për ta legjitimuar e rolit të vet si protagonist i skenës historike, një histori, definicionin e së cilës e jep ai vetë dhe që, njëkohësisht, e definon atë. Përderisa figura e intelektualit është abroguar, kredoja e intelektualizmit vazhdon të bëjë një jetë perverse, pasi që ajo bazohet në një vend ku nuk mund të ketë bazë, sepse, po ta ndjekim përkufizimin klasik të Sartre-it, intelektuali që merret me politikë, që ka si profesion politikën dhe kalon ditën duke u marrë me të, nuk është më intelektual.

Objektiv i këtij shkrimi është jo vetëm që të ngritet problemi fundamental i refleksivitetit, por në radhë të parë të delegjitimohet nocioni se fusha politike, si arenë e konfliktit politik, mund të kryejë punën e refleksivitetit për shoqërinë, se vetëm politika mund të na përkufizojë kush jemi dhe çfarë duam. Këtë artikulim me kot ne e presim nga politika, sepse, si fushë e interesave instrumentale dhe parciale, politika nuk gjeneron dije, nuk gjeneron njohuri intelektuale, nuk gjeneron as vlera universale. Këto nuk i krijon politika, por i eksploaton ato që mundet, ato që i gjen dhe i qëllojnë afër, sepse edhe politika, në instancë të fundit, mbetët në vartësi të një instance etike të universalizimit të cilën ajo nuk mund ta monopolizojë. E për artikulimin e vërtetë të asaj etike universale, që është bazë e çdo jete kolektive, është i nevojshëm refleksiviteti, aktivitet që s’mund të pretendohet nga politikanët, aq më pak njerëzit që mbajnë poste zyrtare, e që vetëm mund të tentohet, dhe atë në kuadër të debatit, nga intelektualët.

Në qoftë se moderniteti, siç e përkufizon sociologu Anthony Giddens mbase nën një influencë Hegeliane, është vetëdija historike që ka një shoqëri për vetën, mungesa e refleksivitetit nuk na bën “paramodern” (sepse, përkundër bindjeve të disave, historia nuk bën përjashtime për askë). Pjesëmarrjes në histori nuk mund t’i ikim, prandaj dhe as pjesëmarrjes në modernitet, por pa një vetëdije historike ne mbesim viktima të modernitetit, na bën që të bëjmë jetë në margjinat e modernitetit, na bën objekt dhe jo subjekt të tij. Inferioriteti ynë, në mirëmbajtjen e të cilit marrin pjesë vetë, bën që modernitetin gjithmonë ta kuptojmë si pronë e Tjetrit, të cilën ne vetëm po e huazojmë, po e marrim në shfrytëzim deri sa kjo të jetë në kuadër të kufijve të caktuar nga Tjetri. Nga kjo gjendje, ne shpëtimin tonë vazhdojmë ta kërkojmë në suazat e politikës, vazhdojmë të presim nga politika që të prodhojë profetet e radhës që do të na shpalosin “udhën që duhet ndjekur” për t’u bërë si Tjetri – në vetëvete një projekt i pamundur, por indikative e inferiorizimit të thellë kolektiv që na kanë imponuar shtatë vite të dominancës neokoloniale. Por, përderisa shpëtimin tonë e presim nga politika, nga fusha politike stricto sensu, ne thjesht luajmë atë rol që na ka caktuar historia jonë, që është, në esencë, historia e margjinalizimit tonë si shoqëri, që ka si produkt një politikë margjinale të të margjinalizuarve kundër margjinalizimit të vet. Pikërisht kjo histori na ka sjellë në një situatë ku jo vetëm që lirinë tonë e kërkojmë nga Tjetri, por madje ndjehemi mirënjohës për lejën e Tjetrit për marrjen e saj, thuase liria është një objekt që falet nga një Autoritet, dhe jo hedhje në fushë të qenies ku vetëm Vendimi jonë i jep fund dilemave të qenies sonë kolektive. I lirë është vetëm ai që është i gatshëm të ballafaqohet me pasojat e dëshirës së tij, kurse ne, me sa duket, nuk jemi të gatshëm të ballafaqohemi me pasojat e dëshirës sonë për liri.

Botuar te Koha Ditore, 7 prill 2006

3 mendime mbi “Për refleksivitetin, ose pse shpëtimi nuk vjen nga politika

  1. Une pajtohem me ty kur eshte fjala e
    politizimit te “intelektualeve tane” por keta intelektuale qe ju i permendet nuk jane fare te tille.
    Ju keni shkruar se kur intelektualet mirren me politike ata pushojne se qeni intelektuale.
    Çfare jane atehere ata njerez te cilet deshirojne te ndryshojne sistemin tone politik dhe punojne dhe veprojne drejt vetedijesimit te qytetareve per situatat politike dhe shprehin vullnetin e tyre qytetar permes protestave apo aksioneve te ndryshme.Edhe keta jane njerez merren me politike apo jo?

  2. Kohe me pare, mbaj mend, ne nje takim mes Petersenit dhe Akademik Rexhep Ismailit, ky i fundit i pati thene PSSPse se popullit te Kosoves duhet t’i njihet e drejta per vetevendosje. Problemi eshte se te kerkosh me fjale eshte lehte e thjeshte, por cfare do te ndermarresh ti si person ne krye te nje Akademie te Shkencave dhe Arteve ne menyre qe fjala yte dhe e te tjereve qe perfaqeson te shkoj ne vend? Prandaj pajtohem me ju kur e beni te qarte se keta ‘intelektuale’ po behen dore e zgjatur e sistemit aktual dhe se nuk kane me kurrfare vlere dhe si te tille ‘…ato synojne qe vleren e vet ta rigjenerojne si institucione politike, pra krah intelektual i pushtetit.” Argumente shume te mira ne lidhje me kete ka edhe Albin Kurti ne artikullin e tij “INTELektualet”. Po shkepus nje pjese te shkurter shume interesante nga ky shkrim:
    “ Nuk ekziston, ashtu siç asnjëherë nuk ka ekzistuar, shkolla për intelektualët, shkolla për t’u bërë intelektual. Shkolla është sistemi. Intelektuali është jashtë shkollës dhe përballë sistemit. Intelektuali bile është një defekt i sistemit që mundohet ta korrigjojë ose ndryshojë sistemin. Me këtë rast, kuptimi i defekteve sipas intelektualit dhe sistemit janë të kundërta. Intelektuali do që t’i shkatërrojë kushtet që e kanë krijuar atë. Ai vepron për të mos pasur nevojë të ekzistojë.”

    Argumentet e shkrimit te Kurtit si edhe te shkrimit tuaj jane shume interesante porse une kam dy pyetje per te iu shtruar:
    1. Pse ndodh nje fenomen i tille ne shoqerine tone, pse intelektualet nuk jane ne fakt te tille, (ndoshta pyetje naive por fundja) cfare i frikeson ata te ngriten te thone mendimin e tyre dhe ta mbrojne ate, te vetedijesojne popullin, te jene refleksiv (siq shpreheni ju)? Apo ndoshta ata as qe e kane idene per zgjidhjen dhe me e lehta eshte te flasin kot (por duke shkaktuar dem te madh) ne mbrotje te sistemit dhe proceseve?
    2. Ne rrethanat politike e shoqerore ne te cilat ndodhet Kosova momentalisht, a ka shprese qe nje levizje politike sic eshte Levizja VETEVENDOSJE! mund te arrije sukses ne ndaljen e proceseve te demshme dhe vetedijesimin e popullit ne ate mase saqe populli vet te behet ndryshimi?

    Nga artikujt tuaj mesoj mjaft shume. Ju falenderoj paraprakisht edhe per pergjegjet.

  3. Ju falemnderit per komentet. Po ju pergjigjem dy pyetjeve meqe lidhen me njera-tjetren.

    Per pyetjen e Vullneses: Ata njerez do t’i quaja aktiviste. Nuk eshte se aktivizmi kerkon shkeputje komplete nga puna intelektuale, por si aktivitete jane te ndryshme. Puna intelektuale (kam fjalen ne radhe te pare per punen shkencore, jo dhe ate artistike dhe krijuese qe mundet gjithashtu te konsiderohet intelektuale) kerkon nje perkushtim tjeter, ka nje objekt tjeter si qellim te vetin. Nuk eshte se intelektuali nuk mund te kete synime politike, ama momenti kur ai kalon dhe i gjithe aktiviteti i tij eshte politik, ai pushon se qeni intelektual — sikur nje automekanik i cili shnderrohet ne sekretar partie pushon se qeni automekanik. Intelektualizmi eshte ne radhe te pare nje aktivitet i caktuar social dhe jo atribut i personave te caktuar qe si pasoje e statusit te intelektualit (te garantuar, ne radhe te pare, nga grada shkencore, nga anetaresia ne akademi etj., pra nga institucione me nje monopol te caktuar shoqeror dhe politik te garantuar nga shteti) kane ndonje autoritet te vecante ne perkufizimin e kerkesave te drejta apo te padrejta politike, e synimeve qe duhet dhe nuk duhet patur nje shoqeri. Ne fakt, ky privilegj qe intelektualet tane metojne ta kene (ata sillen sikur e kane) duhet t’u refuzohet atyre. Kjo lloj sjellje legjislative qe luhet nga intelektualet (ata bejne pohime sikur jane urdhera, si ligje morale per popullin, shkelja e se cilave perben blasfemi) duhet te rezistohet, ne fakt te luftohet si problem shoqeror.

    Aktivizmi eshte gjithashtu marrje me politike, por eshte thelbesisht i ndryshem nga marrja me politike qe bejne politikanet. Aktivisti merret me politike nga kendveshtrimi shoqeror, nga ‘terreni’, nga fushebeteja, kurse politikani merret me politike nga pozicioni i institucionit, i struktures politike, i aparatit politik, i shtabit. Pra eshte hierarkia qe ia garanton atij rolin. Ne disa raste, politikani mund te jete pjese e problemit dhe jo pjese e zgjidhjes se tij, ne kuptimin qe vete struktura (e personifikuar ne te, ajo qe perfaqeson ai) mund te jete shkaku i efekteve negative, ashtu si ne totalitarizem, problemi nuk eshte se diktatori eshte i keq por se krejt struktura eshte e keqe.

    Per pyetjet e Jetes: Ne fakt, se sa here apo cfare deklaratsh publike japin akademiket dhe kreu i Akademise mua nuk me bezdis. Ne nje menyre, eshte me mire qe nderhyrja e shpeshte e Akademise ne politike nuk ndodh. Kritika ime ndaj Akademise eshte tjeterfare. Thjesht, nga pikepamja e nje sociologu, une shoh se Akademia ka bere shume pak ne ngritjen e punes shkencore ne Kosove. Sa seminare dhe ligjerata publike mbajne akademiket tane? Sa libra akademike botojne? (Nuk e kam fjalen per riciklimin e punimeve te vjetra, me cfare krenohet Akademia). Sa here sjellin ne Kosove shkencetare nga jashte? Sa mundohen qe te ngrisin interesimin publik per shkencen? Sa mundohen qe te fusin ne sferen tone publike pikepamje tjera mbi shoqerine, mbi problemet politike, jo ne baze te deklaratave politike por bazuar ne studimet empirike dhe shqyrtimeve sistematike qe kryhen nga vete ata? Ne cfare menyre ata adresojne historine e tyre si institucion, duke njohur origjinat e atij dhe rolin krejt jokritik qe shkenca ka pase tradicionalisht ne Kosove? Ne cfare menyre ata mundohen ta reformojne rolin e tyre si nje arkiv i dogmes tradicionale shkencore? Ne cfare menyre ata punojne qe te kultivojne gjenerata te reja te studiuesve te mirefillte shkencore? Ky eshte roli i deshtuar i Akademise, jo ai i marrjes se drejteperdrejte me politike, apo te dhenies se deklaratave politike. E ketu shihen edhe pasojat me te medha politike, sepse me deshtimin e Akademise sot politikanet dalin dhe jane ata qe pretendojne rolin e intelektualit, rolin e ‘kritikut’, rolin e monopolizuesit te dijes politike.

    Pikepamja ime eshte shume e afert me Albinin, mirepo une ndahem ne ate ku Albini sheh politizimin e skajshem te gjithckaje, kurse une megjithate insistoj ne kultivimin e autonomise se fushave te dijes. Albini pohon se akademiket dhe intelektualet tjere thjesht duhet te hidhen poshte, me idene se cdo shkrim qe behet sot duhet te trajtohet si trakt politik. Kurse une mendoj se lufta (politike) per krijimin e fushave autonome te prodhimit te dijes (ky eshte dhe ‘produkti’ i intelektualeve) — qofte edhe jashte institucioneve zyrtare te dijes — fusha qe jane autonome jo vetem ne pikepamje institucionale dhe ekonomike por edhe ne lirine e artikulimit te pikepamjeve dhe problematikave te tyre — se kjo eshte pjese integrale e luftes per demokratizimin e shoqerise.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s