Home

Kaloi edhe një valë zgjedhore në Kosovë. Rirreshtimet e partive nëpër asambletë komunale nuk janë tepër drastike, mirëpo ajo që zuri vëmendjen e të gjithëve ishte pjesëmarrja tejët e ulët e elektoratit. Gati gjysma e kosovarëve nuk morën mundin që, të shtunen e 26 tetorit të rreshtohen para vendvotimeve. Komentatorët dhe analistët e ndryshëm shpjegimin e kërkojnë tek ofertat partiake. Për një pjesë të madhe të elektoratit, nuk ekzistoi asnjë alternativë solide ndaj trekëndëshit tashmë të etabluar partiak. Por, siç vunë në dukje analistë të tjerë, asortimentet partiake në nivel lokal sivjet u pasuruan jo pak — në zgjedhje konkurroi Partia e Re e Bujar Bukoshit, ndërsa në skenë u paraqiten një sërë iniciativash të reja qytetare që përfaqësonin një karakter të sforcuar lokal karshi platformave “nacionale” të partive të mëdha. Në shumë asamble komunale do të marrin pjesë deri në gjashtë e shtatë parti të ndryshme, që tregon se pluralizmi partiak, gjykuar për nga numri i partive, nuk është iluzion. Se kjo mund të mos ketë mjaftuar për të motivuar një pjesë të zgjedhësve të dalin në zgjedhje është argument legjitim, sidoqoftë ajo që i ka munguar çdo analize të deritanishme është shqyrtimi i kontekstit më të gjërë politik e juridik në të cilin janë zhvilluar këto dhe të gjitha zgjedhjet para këtyre. Fakt është se këto zgjedhje kaluan me një pjesëmarrje dhjetëra përqind më të ulët nga mesatarja evropiane. Ajo që e rrit peshën e këtij fakti është devijimi nga tendeca e vërejtur në të gjitha shtetet tranzicionale, që dy-tri zgjedhjet e para gjithmonë kanë kaluar me pjesëmarrje të madhe.

Sidoqoftë, ky shkrim nuk ka aq të bëjë me spekulimin rreth shkaqeve të pjesëmarrjes joadekuate në zgjedhje, sa me disa probleme kyçe të cilat kanë lindur nga prerja midis fenomenit të zgjedhjeve dhe statusit të padefinuar të Kosovës. Vëmendja nuk do t’i kushtohet çështjes tashmë të stërdebatuar të problemit të statusit karshi Kosovës si entitet politik, por anës tjetër, po aq e ndoshta edhe më të rëndësishme: pozitës së kategorisë së qytetarit në një gjendje të të ashtuquajturit “sovranitet të suspenduar”. Është kjo një çështje që nuk adresohet në mënyrë adekuate (për arsye politike), meqë nxjerr në pah kontradiktën mbi të cilën është ndërtuar pushteti i administratës ndërkombëtare në Kosovë. Është kjo kontradikta e dyfishtë midis pretendimit të demokracisë dhe një realiteti jodemokratik, dhe midis një strukture politike e cila synon të ndërtojë demokraci përmes një pushteti jodemokratik. Vetëm brenda një shqyrtimi të tillë mund të kuptohet esenca e pozitës së qytetarit, si kategori legale dhe politike, në Kosovën e sotme, si dhe në kuadër të kësaj, rolit të zgjedhjeve në një kontekst të tillë.

Kosova jodemokratike

Larg retorikës së bujshme mbi demokracinë dhe demokratizimin, Kosova sot de fakto dhe de jure qeveriset nga një strukturë që nuk ka asgjë të përbashkët me demokracinë, siç njihet dhe praktikohet ajo. Pa hyrë në detajet historike që çuan në vendosjen e Kosovës nën “protektoratin” (edhe pse ky term nuk përdorët zyrtarisht) e përbashkët të Kombeve të Bashkuara dhe NATO-s, realiteti i sotëm, tri vjet pas ikjes së forcave serbe dhe kthimit të gati një milion kosovarëve të dëbuar me dhunë, Kosova vazhdon të qeveriset nga një autoritet i jashtëm, e drejtuar nga zyrtarë të emëruar nga jashtë, një shkelje e drejtpërdrejtë e normave demokratike që kërkon që pushteti të përbëhet nga të zgjedhurit e popullit. Dikush mund të thotë, por ja ku e keni Qeverinë, Kuvendin dhe Presidentin tuaj, të zgjedhur me votë. Mirëpo roli simbolik i këtyre institucioneve, që ishte definuar në Kornizën Kushtetuese, tani është i dukshëm edhe në praktikë. Kosova sot ka një Kuvend dhe Qeveri jo vetëm pa ushtri e polici, por edhe pa kontroll mbi resurset buxhetore, mbi politikën fiskale e tatimore, mbi procesin e hartimit të ligjeve (edhe pse miratimi i ligjeve bëhet sipas procedurave formale, nominalisht demokratike), mbi organizimin territorial (të brendshëm por edhe të jashtëm, siç dëshmoi humbja e mbi 2500 hektarëve tokë në llogari të Maqedonisë). Përkundër faktit se Kuvendi, Qeveria dhe Presidenti përdorin retorikën e pushtetit, domethënë, flasin dhe sillen si pushtetarë, ata janë të zhveshur nga çfarëdo funksioni real qeverisës. Në aranzhmanin aktual politik ata vetëm shërbejnë si legjitimues të politikës reale që caktohet dhe zbatohet nga administrata ndërkombëtare. Në fakt, gjuha e tyre prej pushtetarësh, e motivuar më tepër nga konkurrenca e ndërvetshme politike dhe prepotenca personale, është drejtpërsëdrejti në funksion të mirëmbajtjes së iluzionit se këto institucione paraqesin struktura reale qeveritare. Në vend se t’i flasin direkt realitetit të boshësisë pushtetore, retorika e pushtetit pa pushtet real vetëm se vazhdon bindjen e rrejshme se Kosova ka institucione të veta pushtetore, se ato njëmend qeverisin me Kosovën.

Konflikti, kontestimi dhe delegjitimimi i përhershëm, veçori të demokracisë, në Kosovë nuk ekzistojnë. Gjithçka duket se bëhet me mirëkuptim dhe konsensus midis drejtuesve ndërkombëtarë dhe të zgjedhurve kosovarë, ndërkohë ajo që i ofrohet “qytetarëve” (edhe kjo një kategori problematike, siç do të diskutohet më vonë), është premtimi. Krejt politika në Kosovë është e ndërtuar mbi premisën e premtimit, shikimit drejt ardhmërisë. Prosperiteti dhe mirëqenia ekonomike vijnë dikur në të ardhmen. Siguria dhe sundimi i ligjit vijnë dikur në të ardhmen. Arsimi i një niveli adekuat vjen dikur në të ardhmen. Problemi i Mitrovicës do të zgjidhet, dikur në të ardhmen. Pensionet adekuate vijnë dikur në të ardhmen. Investimet e mëdha në ekonomi do të vijnë dikur në të ardhmen. “E ardhmja evropiane” vjen dikur në të ardhmen. Demokracia vjen dikur në të ardhmen. Ky mekanizëm retorik ka efektin tepër konvenues të injorimit të realitetit të sotëm, e problemeve konkrete të së sotmes, të momentit aktual. Çdo problem shtrohet si problem që kërkon zgjidhje dhe do të zgjidhet, por dikur në të ardhmen. Nuk duhet të jesh filozof ta kuptosh se e ardhmja mbetët një ide, një spekulim, një krijesë fiktive, ndërkohë që realiteti i ftohtë i të sotmes është i pashmangshëm. Është pikërisht fakti i papërcaktueshmërisë se ardhmerisë ajo që e bën të mundshme që asaj t’i jepet çfarëdo përmbajtje dhe çfarëdo forme, që mund të dezajnohet, ndërtohet dhe ripunohet sipas nevojes. Theksimi i ardhmërisë kundrejt realitetit të së sotmes është ajo që e bën të durueshme dhe të pranueshme çdo cenim të së sotmës, meqë ky cenim arsyetohet si çmimi që duhet paguar për një të ardhme më të mirë. E ardhmja duket si e kundërta e të sotmes, e keqja e së sotmes bëhet e domosdoshme për të mirën e të ardhmes. Më konkretisht: papunësia astronomike arsyetohet nga ideja se nesër (dikur në të ardhmen) të gjithë do të jenë të punësuar; rrogat e ulta të arsimtarëve arsyetohen se nuk ka para në buxhet, por në të ardhmen, buxheti do të jetë më i madh dhe si rrjedhojë, edhe rrogat do të rriten; e kështu me radhë. Ikja nga realiteti është komplete, zhvendosja kohore e problemit është e suksesshme dhe, ajo që është më me rëndësi, përgjegjësia nuk shkon në adresën e vërtetë. Në të njëjtën kohë, tensioni midis realitetit të hidhur dhe premtimit, boshësia e të cilit bëhet gjithnjë e më e dukshme, shkon duke u shtuar, ndërsa pakënaqësia politike, sidomos për ata që nuk kanë pasë fatin për të “rënë butë” në ndonjë biznes me administratën ndërkombëtare apo me ndonjë lloj tregtie legale apo ilegale — pra e shumicës — bëhet gjithnjë e më e pranishme.

Të dyja këto çështje të diskutuara më lart paraqesin dy aspekte të organizimit politik në Kosovë. Aspekti i parë është ai i ushtrimit të pushtetit, me fjalë të tjera kryerja e funksioneve të qeverisjes. Përveç kryerjes së funksioneve margjinale, siç janë ato të natyrës administrative (lëshimi i çertifikatave të lindjes, i diplomave shkollore e i letërnjoftimeve, puna me palë, zbatimi i procesit arsimor etj.), funksionet kyçe të qeverisjes nuk kryhen nga institucionet e dala nga Korniza Kushtetuese, por nga struktura më e madhe politike e cila ndërtoi këto institucione — administrata ndërkombëtare. Aspekti i dytë vën në pah vetëm njërën nga teknikat retorike që përdorët për legjitimimin e kësaj gjendjeje, ajo që e bën atë të pranueshme për kosovarët të cilët mbi dhjetë vjet janë përcaktuar për një shtet të vetin — nocioni se e sotmja nuk është aq e rëndësishme se sa e ardhmja, se çdo e hidhur e së sotmes është parakusht dhe domosdoshmëri për një të ardhme të ndritur.

Suspendimi i qytetarit

Sundimi i tillë i Kosovës në pikëpamjen juridike dhe politike justifikohet me idenë se administrata ndërkombëtare është vendosur në Kosovë duke e suspenduar juridikisht, nëpërmjet Rezolutës 1244, sovranitetin jugosllav mbi Kosovën. Kosova përbën rastin e parë në histori kur një trup ndërkombëtar vendos që të “suspendojë” sovranitetin e një shteti mbi një territor të caktuar. Shikuar në nivelin e entiteteve politike, suspendimi i sovranitetit mund të jetë i argumentueshëm mbi baza të ligjit ndërkombëtar. Por ana tjetër e këtij suspendimi juridik, ajo që rezulton si rrjedhojë e suspendimit të sovranitetit të shtetit — suspendimi i të drejtave të qytetarëve të cilët derivonin të drejtat e tyre nga ai shtet — është shumë më problematik. Një praktikë e panjohur deri më tani, implikimet e një veprimi të tillë tani po bëhen më të qarta, sidomos për një strukturë politike siç është UNMIK-u, që pretendon të ndërtojë demokraci, ndërkohë që koncepti i individit si qytetar me të drejta të caktuara shërben si bosht themelor i sistemit demokratik.

Kam shkruar në shumë raste se si kosovarët sot janë njerëz pa të drejta qytetare. Nuk ekziston asnjë dokument ligjor i cili shprehimisht përcakton të drejtat e patjetërsueshme të qytetarit kosovar. Një gjë të tillë nuk e bën as Rezoluta 1244, as Korniza Kushtetuese, të cilat vetëm u referohen konventave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Një gjë të tillë e ka vënë në dukje edhe Ombudspersoni i Kosovës, i vetmi i cili ka hedhë dritë mbi këtë problematikë, por i cili është injoruar dhe vazhdon të heshtet nga segmenti ekzekutiv i administratës ndërkombëtare. Në fakt, edhe vetë koncepti i qytetarit, në kuptimin ligjor dhe politik, është inekzistent. Terminologjia juridike e UNMIK-ut përdor termin “banor” (ang. resident), që të përcaktojë ata që jetojnë në Kosovë. Mirëpo juridikisht dhe politikisht “banori” nuk është i barabartë me “qytetarin”, i cili sipas traditës liberale demokratike gëzon të drejta të caktuara politike dhe shoqërore. Kjo lidhet pikërisht me nocionin e “sovranitetit të suspenduar”, mbi të cilin UNMIK-u mbështet autoritetin e vet për të sunduar mbi Kosovën.

Sipas traditës demokratike të vendosur në praktikë qysh nga Revolucioni Francez, qytetari është burim i sovranitetit, ndërsa pushteti sovran mbrojtes dhe garantues i të drejtave qytetare. Qytetari si kategori politike dhe juridike ka kuptim vetëm në bashkëdyzim me sovranitetin, i cili e bën kuptimplotë qenien dhe veprimin qytetar. Republikanizmi, pra përfaqësimi demokratik, funksionon dhe është kuptimplotë vetëm atëherë kur qytetari është i lirë, kur të drejtat i garantohen nga pushteti (pa të cilin ai nuk ka të drejta). Këtu qëndron esenca e përfaqësimit, idesë që qytetari me votë të lirë mund të zgjedhë se kush do ta përfaqësojë në arenën politike.

Çka ndodhë me të drejtat qytetare dhe me shtetësinë që garanton ato të drejta, kur suspendohet sovraniteti, ashtu siç ka bërë juridikisht Rezoluta 1244 dhe politikisht instrumenti ekzekutues i tij, UNMIK-u? Nuk suspendohet vetëm entiteti politik, por edhe të drejtat e atyre që të drejtat i derivonin nga po ai entitet politik. Me fjalë të tjera, suspendohet edhe qytetari dhe bashkë me të të gjitha të drejtat dhe liritë që duhet t’i ketë ai. Të njëtën gjë e bëri Millosheviqi para pesëmbëdhjetë vjetësh. Filloi duke e suspenduar sovranitetin e Kosovës, që e garantonte Kushtetuta e RSFJ-së e 1974-shit, dhe vazhdoi duke suspenduar çdo ligj dhe e shndërroi Kosovën në koloni klasike. Përdorimi i pushtetit të dhunës për shtypjen, vrasjen dhe dëbimin masiv të popullatës të cilën e kishte lënë pa të drejta, ishin hapa logjik që pasuan suspendimin e çdo të drejte dhe mbrojtjeje ligjore që kishte popullsia shqiptare në Kosovë.

Krahasimi i regjimit të Millosheviqit me administratën ndërkombëtare nuk duhet të mbitheksohet, sa që këto dy regjime të barazohen. Por aspekti juridik i lënies së popullsisë kosovare jashtë një kornize ligjore të të drejtave është një aspekt i përbashkët i sundimit të tyre në Kosovë. Përderisa në kohën e Millosheviqit, “qytetari” ekzistonte formalisht, kishte të drejta të caktuara me ligj, zbatimi dhe realizimi i atyre të drejtave bëhej sipas mëshirës së pushtetit. P.sh., ligji ndalonte policinë të zbatojë dhunë mbi qytetarët, por policia serbe haste në shumë pak pengesa për të keqtrajtuar dhe dhunuar këdo që donte në Kosovë.

Në rastin e UNMIK-ut të drejtat qytetare nuk ekzistojnë as formalisht. UNMIK-u zotohet në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sipas standardeve ndërkombëtare, por sipas vetë përkufizimit të drejtat e njeriut janë më elastike se sa të drejtat qytetare. Për mbrojtjen e të drejtave qytetare të domosdoshme janë jo vetëm policia dhe prokuroria për gjykimin e qytetarëve, por edhe gjyqësia që do ta gjykojë pushtetin në emër të qytetarëve. Veprimi qytetar është konkret dhe ka domethënie politike, meqë të drejtat e tij janë të drejta pozitive (për diçka, si p.sh. e drejta e votës së lirë), ndërsa të drejtat e njeriut janë të drejta negative (kundër diçkaje, si p.sh. abuzimit). Të drejtat qytetare janë të garantuara dhe mbrohen aktivisht nga pushteti, kurse të drejtat e njeriut janë norma të përgjithshme dhe nuk mbrohen nga askush.

Këtë problematikë e ka vënë në dukje edhe mendimtarja e njohur Hannah Arendt, e cila thotë se ai që është i lirë nga abuzimi, nuk domethënë se ka liri politike. “As siguria fizike … as liria e mendimit nuk ndryshon aspak situatën e tyre fundamentale të qenies pa të drejta. Jeta e tyre mbahet nga vullneti i mirë dhe jo nga e drejta, meqë nuk ekziston asnjë ligj i cili i obligon të tjerët që t’i ushqejnë; liria e lëvizjes, nëse e kanë, nuk i jep asnjë të drejtë për të banuar, të cilën edhe një kriminel e burgosur e gëzon; ndërsa liria e mendimit është liri e budallait, sepse mendimi i tyre nuk çon aspak peshë”. Arendt shkroi pas Luftës së Dytë Botërore dhe e kishte fjalën për refugjatët dhe të tjerët që i takonin kategorisë së qenies pa shtetësi, por është kjo një situatë analoge e kosovarëve, të cilët fizikisht nuk janë të zhvendosur nga vendbanimi i tyre por janë pa shtet dhe pa shtetësi. “Privimi fundamental i të drejtave të njeriut, mbi të gjitha manifestohet në privimin e njeriut nga një pozitë ku mendimi i tij ka peshë dhe veprimi i tij është efektiv,” dhe kjo është pasojë e privimit të njeriut nga shtetësia dhe, si rrjedhojë, nga qenia qytetar.

Suspendimi i qytetarit në Kosovë nuk ka si pasojë mosekzistencën e asnjë rregulli dhe ligji dhe të mungesës së autoritetit politik (pushtetit). Përkundrazi, ligjet vlejnë, autoriteti politik nxjerr dhe zbaton ligjet e veta mbi të gjithë kosovarët. Por si rregull qytetari kosovar nuk merr pjesë as në mënyrë indirekte, përmes përfaqësuesve, për caktimin e përmbajtjes së atij ligji dhe zbatimin e tij. Prokurori ndërkombëtar nuk i përgjigjet një qeverie të zgjedhur nga vota, gjykatësi ndërkombëtar nuk i përgjigjet një kuvendi të zgjedhur nga vota, polici ndërkombëtar jo vetëm që nuk i përgjigjet asnjë instance qeveritare por gëzon imunitet ligjor për veprimet e veta në Kosovë. Dhe përfundimisht, autoriteti ligjvënes, ekzekutiv dhe gjyqësor i Kosovës, i institucionalizuar te personi i Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm, nuk është i zgjedhur nga kosovarët dhe nuk është përgjegjës para tyre për politikat e veta.

Pra, kosovarët janë të obliguar që t’i ndjekin ligjet, nën kërcënimin e ndëshkimit. Siç thotë Arendt për jo-shtetasit, paradoksalisht, ata bëhen qytetarë me të drejta vetëm atëherë kur e shkelin ligjin. “Si kriminel, edhe një jo-shtetas [person pa shtetësi] nuk do të trajtohet më keq se një kriminel tjetër, me fjalë të tjera, ai do të trajtohet si gjithë të tjerët. Vetëm si shkelës i ligjit ai fiton të drejtën e mbrojtjes nga ligji.” Me një fjalë, është vetëm përmes shkeljes së ligjit që pozita e tij ligjore, paradoksalisht, përmirësohet, sepse vetëm në ato momente ai trajtohet nga ligji si qytetar. Në çdo moment tjetër ai është jashtë mbrojtjes ligjore dhe pa të drejta.

Mirëpo, në rastin e pushtetit ndërkombëtar në Kosovë, falë kompetencave të shumta që gëzon zyra e PSSP-së (pa i diskutuar “kompetencat” speciale dhe të papërcaktuara në ligje të shkruara që i gëzojnë forcat e KFOR-it), edhe në rastet e shkeljes së ligjit, të drejtat e përcaktuara në ligj të të akuzuarit janë po ashtu të pagarantuara dhe të suspendueshme. E drejta e PSSP-së për të vazhduar paraburgimet deri në pafundësi, edhe kur kjo nuk justifikohet nga provat dhe dëshmitë ekzistuese se i akuzuari ka kryer vepër penale, është një e drejtë speciale që nuk gjen mbështetje në normat e të drejtave të njeriut dhe në praktikën normale demokratike. Pra, pushteti dënon, por nuk garanton të drejta; ai ofron ligje penale, por nuk ofron mbrojtje ligjore. Ndërsa ndëshkimi është i caktuar dhe i zbatueshëm proceduralisht, të drejtat e të akuzuarit janë nën mëshirën e organit ekzekutiv dhe në çdo moment të suspendueshme.

Është edhe një aspekt i rëndësishëm i kësaj gjendjeje, e ajo është pozita e rreth gjysëm-milioni kosovarësh të cilët kanë braktisur Kosovën gjatë dhjetë viteve të fundit. Pozita e tyre e komplikuar juridike është dëshmi konkrete e qenies pa shtetësi dhe pa mbrojten dhe të drejtat që rezultojnë nga posedimi i shtetësisë. Siç shkruan Arendt, “humbja e mbrojtjes nga shteti … nuk rezulton vetëm në humbjen e statusit ligjor në shtetin e tyre por në të gjitha shtetet”. Qindra mijëra kosovarë, për shkak të rregulloreve të UNMIK-ut që definojnë se si banorë të Kosovës kualifikohen vetëm ata që kanë jetuar në Kosovë më 1999, nuk figurojnë as në listat e të regjistruarve si banorë të Kosovës. Pa shtetësi dhe pa mbrojtje shtetërore, kosovarët jashtë vendit janë ata që gjenden në pozitën më të vështirë dhe të komplikuar, të cilët, si jetimë legalë e politikë, e kanë gati të pamundur të sigurojnë madje edhe dokumente personale. Pozita e tyre e padefinuar ligjore i bën ata t’i nënshtrohen deportimit kolektiv, pavarësisht nga gjendja e tyre materiale dhe statusi ligjor. Në të njëjtën kohë, kosovarët pa shtetësi, edhe ata që jetojnë në Kosovë, kanë tejët të kufizuar të drejtën e lëvizjes, meqë nuk gëzojnë të drejtën e posedimit të një dokumenti të mirëfilltë udhëtimi (pasaportë), ndërkohë që targat e makinave kosovare shërbejnë vetëm për nevojat administrative të UNMIK-ut meqë ato nuk njihen ndërkombëtarisht. Shndërrimi i Kosovës në një birë të zezë juridike dhe privimi i kosovarëve nga shtetësia nuk është vetëm një abstraksion akademik por ka peshën e vet që çdo kosovar e ndjen përditë.

Institucionet dhe zgjedhjet

Më lart u bë fjalë për rolin dhe funksionin aktual të institucioneve të dala nga Korniza Kushtetuese. Korniza Kushtetuese, siç dihet, është rregullore e UNMIK-ut dhe jo ligj themelor. Mbititulli “kushtetuese” u vendos në këtë dokument vetëm si koncesion simbolik ndaj negociatorëve kosovarë, të cilët dëshmuan se për ta, simbolika e shtetit është më e rëndësishme se substanca e tij. Një rregullore tjetër e UNMIK-ut e nxjerrur në vitin 2000 shërben si akt legjislativ që themelon asambletë komunale, për të cilat u votua para pak kohe. Pra për nga natyra e tyre, këto institucione janë të themeluara nga UNMIK-u dhe të drejtat e tyre i gëzojnë nga ai. Rrjedhimisht, këto institucione janë përgjegjëse ndaj po kësaj instance, aktet e tyre të anulueshme dhe vetë ekzistenca e tyre e revokueshme nga ajo. Këtu edhe qëndron kontradikta midis zgjedhjeve, që duhet të sigurojnë pjesëmarrjen e qytetarëve në konstituimin e institucioneve qeveritare të tyre, dhe mosekzistenca e kategorisë qytetar, në kuptimin juridik dhe politik. Pra në njërën anë, kosovarët nuk janë shtetas dhe, rrjedhimisht, as qytetarë. Në anën tjetër, ata votojnë për institucione që të drejtën dhe arsyen e ekzistencës së tyre e derivojnë jo nga ata por nga një autoritet tjetër. Kurse çështja fundamentale është ajo se edhe “e drejta” për të votuar, edhe institucionet për të cilat votohet, janë juridikisht të eliminueshme dhe të pagarantuara, të dhëna kushtimisht dhe nga vullneti i mirë dhe jo permanente e të patjetërsueshme.

Politikanët dhe mediat kosovare e kanë gojën plot me fjalën “qytetar”, sa që të krijojnë bindjen se në Kosovë vërtetë po lulëzon demokracia. Se pjesëmarrja e qytetarëve në debatimin e problemeve shoqërore është themelore, është vërtetë e padiskutueshme. Por se pjesëmarrja në një rrafsh simbolik, siç janë shprehja e mendimit rreth një problemi shoqëror apo hedhja e votës për një parti, përkthehet në substancë reale demokratike, është shumë e kontestueshme. Këtu vihet në sprovë edhe vetë kuptimi dhe funksioni i zgjedhjeve, që janë një nga shtyllat e domosdoshme por assesi të mjaftueshme për realizimin e substancës demokratike.

Institucioni dhe praktika e zgjedhjeve është e pakuptimtë pa qytetarët, si kategori definitive politike dhe juridike. Zgjedhjet, sipas përkufizimit që kanë, janë mekanizëm që krijojnë mundësinë e pjesëmarrjes. Domethënë zgjedhjet janë mjet për arritjen e qëllimit më substancial demokratik, që është pjesëmarrja në vendimmarje, por jo vetëm në marrjen e vendimit se kush do ta ketë cilin post, por se vota e dhënë do të rezultojë në një kahje konkrete të pushtetit, do ta ketë një efekt të drejtpërdrejt në jetën e votuesit. Në momentin që zgjedhjet bëhen qëllim në vetëvete, ato humbin jo vetëm kuptimin por edhe funksionin esencial që kanë. Jam i bindur se rënia kaq drastike e numrit të kosovarëve që marrin pjesë në zgjedhje pjesërisht është pasojë e asaj se shumë prej tyre e kanë kuptuar kotësinë e pjesëmarrjes në një ritual të votimit i cili ka fituar karakterin e po kësaj, një rituali pa funksion, një veprimi simbolik pa efekt konkret. Pra, arsyet e mospjesëmarrjes në zgjedhje, përpos në shkaqet imediate, duhet kërkuar edhe në vetë strukturën politike të ndërtuar në Kosovë, e cila shërbehet me një skenografi demokratike por në esencë funksionon në mënyrë jodemokratike, e cila në retorikën e vetë e glorifikon pozitën e zgjedhësit por në esencë ia mohon qenien qytetar.

Natyrisht, ky është një problem i thellë i cili nuk zgjidhet me reforma sipërfaqësore, siç janë propozimet e decentralizimit apo lëshimit të rregulloreve të reja. Të gjitha ato shkojnë në funksion të mjegullimit të problemit dhe zhvendosjes së debatit nga thelbi i tij, thelb që prodhon realitetin esencialisht jodemokratik në Kosovë. Thelbi i problemit është i ndërtuar përbrenda vetë konceptit të administratës ndërkombëtare, e cila mundet vetëm ta simulojë demokracinë, por asnjëherë ta realizojë atë. Parakusht i demokracisë janë ekzistenca e qytetarit me të drejta, kurse parakusht për ekzistencën e qytetarit është shteti i cili mbron dhe garanton ato të drejta. Deri atëherë, çdo mëtim se kosovarët janë qytetarë, se kosovarët si qytetarë marrin pjesë në zgjedhje dhe se zgjedhjet dëshmojnë se në Kosovë ka demokraci, janë sofizma të një kategorie jo vetëm të neveritshme por edhe revoltuese.

Botuar te “Koha Ditore”, nëntor 2002.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s