Home

Një veprim që kaloi gati pa hetuar dhe pa shumë bujë këto ditë, kur vëmendja e gazetarëve dhe analistëve politik është përqëndruar te nisja e procesit të negociatave dhe zgjedhjes së kryetarit të ri të vendit, ishte gjesti i PDK-së për përvetësimin e një identiteti ideologjik të partisë. Lideri i kësaj partie, Hashim Thaçi, me praninë e tij si vëzhgues në takimin e Internacionalës Socialiste, dha një indikacion në dukje të qartë për orientimin ideologjik social-demokratik që synon kjo parti. Këtë e konfirmoi edhe zëdhënësja e PDK-së në Prishtinë, duke pohuar në media se “qendra e majtë” është pozicioni ideologjik me të cilën ndjenë afërsi PDK-ja.

Në anën tjetër dihet se, qysh prej kohësh, zyrtarë të ndryshëm të LDK-së me bujë kanë deklaruar për orientimin e djathtë të kësaj partie, apo më saktësisht, një orientim i “qendrës së djathtë”. Tani, sigurisht, edhe LDK-ja post-Rugoviste do ta ndjejë nevojën e qartësimit të saj ideologjik, sidomos në qoftë se statusi i ardhshëm i Kosovës i jep pushtetit vendor tipare të një shteti funksional dhe jo thjesht atij administrativ me të cilin ballafaqohemi sot, dhe mbi këtë parti që aktualisht kontrollon qeverinë do të fillojnë të rëndojnë presionet popullore për performansë dhe rezultate konkrete të qeverisjes.

Duhet sigurisht të theksohet se polet “i majtë” dhe “i djathtë” janë thjesht abstraksione akademike në kontekstin kosovar, ndërsa ato “të qendrës” edhe më të paqarta, nga fakti se në historinë politike të Kosovës, e majta ka qenë e përfaqësuar nga socializmi titist (pa harruar edhe disidentizmin enverist të lëvizjeve ilegale), kurse e djathta në mënyrë përmbajtësore me episodin e okupimit italian e më pas atij gjerman, në trajtën e nazizmit dhe fashizmit. Rrjedhimisht, barra e totalitarizmit — sado që ai titist ishte, të paktën në fazën e mëvonshme, relativisht më i lehtë për t’u bartur se ai stalinist — rëndon mbi supet e ideologjive kosovare, që, mbase, historikisht, janë karakterizuar pothuaja pa dallim nga nacionalizmi. Por nacionalizmi në vetëvete nuk përmban domosdoshmërisht një trajtë konkrete ideologjike. Nacionalizmi jep kornizën historike, atë të bazës popullore mbi të cilën ndërtohet korniza politike e shtetit, por jo edhe përmbajtjen ideologjike të saj, e as vizionin për strukturat politike dhe ekonomike të shoqërisë së ngërthyer nga shteti i ri. Nacionalizmi si doktrinë nuk është përjashtimisht as i majtë e as i djathtë. Janë mjaft të kota dhe thjesht të nxitura politikisht pretendimet se, në historinë moderne të Kosovës, lëvizjet e majta apo të djathta ishin “më patriotike”, “më kombëtare” apo “më nacionaliste”. Nacionalizmi ka qenë fryma emancipuese e çdo lëvizjeje politike moderne në Kosovë, mirëpo nacionalizmi, në kuptimin e ngushtë të tij si doktrinë mbi kombin siç e quan Ernest Gellner, vetëvetiu nuk jep përgjigje mbi pyetjen nëse shteti i ri kombëtar do të jetë një monarki trashëgimtare, një demokraci liberale apo një diktaturë fashiste. Ky është problem i luftës politike gjatë dhe pas krijimit të shtetit, siç dëshmon edhe historia politike e Shqipërisë në periudhën menjëherë pas pavarësisë.

Në anën tjetër, duhet konsideruar se historikisht, modernitetin politik, shoqëror dhe kulturor në Kosovë e ndërtoi një regjim i majtë, i cili Kosovës i dha gjithashtu identitetin e saj politik si njësi territoriale e administrative. Si pasojë, ata që sot pretendojnë çfarëdo orientimi ideologjik, i imponohet një pozicionim karshi kësaj të kaluare. Dhe veçanërisht ato grupe politike që sot pretendojnë një orientim të djathtë liberal, kur fakti qëndron se liberalizmi si doktrinë dhe ideologji nuk ka asnjë histori në Kosovë.

Por në këtë mori çështjesh mbi orientimet ideologjike të lëvizjeve politike në Kosovë, janë disa probleme shumë më themelore. Po qe se i kthehemi doktrinës së dikurshme marksiste-leniniste, që e para pretendoi, përmes një lëvizjeje të dyfishtë teorike, të jetë jo vetëm një pozicionim ideologjik në vete, por edhe metodë për shpjegimin e burimeve sociale të pozicioneve ideologjike të tjera, atëherë e pranojnë konstatimin se orientimet ideologjike në politikë nuk janë çështje idealizmi e voluntarizmi, pra orientimi ideologjik nuk është i barazueshëm me petkat që ndërrohen simbas rastit, por me strukturat shoqërore që, në një mënyrë, krijojnë premisat për validitetin apo viabilitetin e një doktrine të caktuar politike. Kjo premisë, përkundër problemeve teorike që ka (të cilat nuk është vendi të elaborohen në këtë shkrim), mund të amendohet me një vështrim sociologjik mbi strukturat e socializimit politik të grupeve shoqërore, pra të raporteve të dominimit simbolik dhe epistemik që i japin jetë reprodukimit të strukturave të caktuara mendore, si kategori epistemike të formuara historikisht. Siç argumentoi, ndër të parët, Karl Mannheim, në projektin e tij për themelimin e një sociologjie të dijes, pozicioni strukturor i individit si pjesëtar i një klase të konceptuar relacionalisht, në shumë mënyra determinon pikëpamjen ideologjike që ai formon (gjithashtu në grup) mbi rendin social, ku pozicionet dominante prihen drejt konservatorizmit dhe mirëmbajtjes së raporteve ekzistuese, ndërsa pozicionet e dominuara drejt ndryshimeve radikale të rendit shoqëror. Sociologjia e dijes është mjeti themelor për kontekstualizimin e hapësirës shoqërore (në kuptimin që këtij termi i jep Pierre Bourdieu) në të cilën lindin interesat sociale dhe grupore (të cilat krijojnë kushtet e formimit të atyre që gjuha e rëndomtë gazetareske i quan “interesa personale” të X apo Y politikani), që çojnë në deduksionin e premisave operative ideologjike (dhe jo ato të pretenduara deklarativisht) mbi të cilat ngriten pozicionimet politike të grupeve politike në Kosovë. Ideologjia në këtë rast kuptohet si një pozicionim normativ dhe etik, brenda një game pozicionesh të mundshme, karshi përdorimit të mjeteve politike — shtetit, me një fjalë — për ndërtimin e rendit social, duke konsideruar gjithmonë kontekstin historik dhe konjukturat globale të momentit.

Pra, si shembull, fjala vjen, sot është punë e lehtë të jesh një liberal në një botë ku dominon neo-liberalizmi, nocioni se liria politike garantohet vetëm nga një shtet liberal, se zhvillimi ekonomik vjen përmes reduktimit drastik të intervencionizmit shtetëror në ekonomi dhe në jetën sociale, dhe se për vendet e varfëra, rruga drejt rritjes ekonomike është vetëm dhe vetëm hapja e plotë e tregjeve dhe krijimi i lehtësimeve për investimet nga kompani të jashtme. Natyrisht, siç kanë vënë në pah autorë të ndryshëm, në reprodukimin dhe legjitimimin e këtij diskursi ndërhyn edhe sistemi i lartë akademik, i cili në një mënyrë, në emër të teknokracisë dhe administrimit post-politik, funksionon gati si formë e sofistikuar e indoktrinimit ideologjik, gjer në masën sa përvetësuesit e diskursit në fjalë nuk janë në gjendje ta pranojnë se pozicionimi i tyre është një pozicionim ideologjik, dhe jo thjesht teknik apo teknokratik (siç është popullarizuar sot në Kosovë nën rubrikat teknokratike të “administrimit efektiv” dhe “qeverisjes së mirë”). Dhe nuk është i habitshëm fakti se bartësit më të shquar dhe të sinqertë të kësaj ideologjie, janë të rinjë me grada Masters-i të fituara sidomos në shtetet anglo-amerikane, ku në institucionet universitare dominon, veçanërisht në shkencat politike dhe në ekonomi, si doktrinë gati e natyralizuar, një pozicionim politik neo-liberal. Këtë mund ta them jo vetëm mbështur në studimet që janë bërë nga të tjerët, por edhe nga përvoja ime personale universitare në SHBA.

Duhet theksuar se grupi i lartpërmendur social (dhe, duhet gjithashtu theksuar, se fjala është për një grup, një bashkësi, dhe jo thjeshtë individë të veçantë), në pjesë të madhe nuk bën pjesë në organizimet partiake në Kosovë, por vepron, në forma të ndryshme, në strukturat administrative, jo-politike të pushtetit. Me këtë dua të ndërlidhem me diskutimin e pozicioneve ideologjike partiake në hyrje të këtij shkrimi, për të dhënë një vështrim ndaj pozicioneve të tjera të pretenduara ideologjike në politikën kosovare. Pjesëmarrja e kryetarit të PDK-së në takimin e Internacionalës Socialiste mund të kuptohet si një dëshirë për përvetësimin nga partia të një identiteti social-demokratik, por do të theksoja se fakti i pjesëmarrjes (edhe pse në cilësinë e një vëzhguesi) nuk tregon vetëvetiu se PDK-ja e ka qartësuar, politikisht, qëndrimin e vet si parti social-demokratike, aq më pak të ketë filluar ndërtimin e një mbështetjeje shoqërore për një projekt social-demokratik.

Fillimisht, në shtetet e zhvilluara kapitaliste, partitë social-demokratike janë zhvilluar historikisht si krah politik i lëvizjeve sindikaliste. Rritja e organizimit sindikal, që lindi si pasojë e tentimeve historike për organizim e klasës punëtore (subjektit revolucionar të identifikuar nga Marksi), bashkë me intervenimet e ideologëve si Karl Kautsky (që në fillim të shek. XX zhvilloi një sërë debatesh të furishme me Leninin për rolin dhe nevojën e revolucionit), ishte ajo që solli në jetë social-demokracinë në Perëndim, ndërsa fitorja elektorale e social-demokracisë solli zgjerimin e bazave të demokracisë dhe krijimin e shtetit social në Evropën perëndimore (po atij shteti që sot është në shënjestër të konservatorëve neo-liberalë). Si pasojë, është absurde që një parti, përmes dy-tri gjesteve politike, të profilizohet si parti e “qendrës së majtë”, pa një trajtim substancial të domethënies së social-demokracisë në rrethanat historike dhe aktuale të Kosovës, duke u nisur nga fakti i thjeshtë se sot në Kosovë klasa punëtore është neglizhente, në mos thuaja inekzistente, ndërsa partia që sot pretendon orientim të majtë deri tani jo vetëm që nuk shfaqi asnjë kundërshti, por shpesh edhe aplaudoi, një sërë politikash radikalisht të djathta të implementuara nga administrata ndërkombëtare.

E dyta, kjo domethënë se profilizimi ideologjik (dhe sqarimi i parimeve mbi të cilat ndërtohen pozicionet politike) i një partie nuk bëhet duke marrë parasysh preferencat ideologjike të liderit të partisë (shpesh të ndryshueshme simbas rrethanave dhe momentit), por të frymës dominante politike në gjithë organizatën partiake. Partitë kosovare, që në fund të fundit akoma funksionojnë si asociacione para-politike, nuk e kanë të qartë kolektivisht pozicionimin e tyre ideologjik, duke ilustruar se sa paradoksale është gjendja e partive kosovare, që veprojnë politikisht pa një vetëdije të plotë politike, pa identifikimin e subjekteve shoqërore që ata synojnë t’i përfaqësojnë politikisht dhe pa qartësuar qëllimet përfundimtare të aktivitetit politik (kjo nuk mund të jetë pavarësia e vendit, sepse pavarësia politike për një shoqëri nuk është qëllim në vetëvete, por mjet për realizimin e qëllimeve të tjera). Siç kam shkruar edhe më parë, në të shumtën e rasteve, pozicionimi ideologjik i partive kosovare duhet të konstantohet nga një analizë sociologjike e sjelljeve politike (e nganjëherë edhe me qasje psikoanalitike ndaj fantazive politike që shfaqin liderët partiakë), si dhe duke zbërthyer natyrën e “interesave reale” (në kuptimin strukturor të shprehjes) të cilëve ata u shërbejnë, më shumë se nga leximi i programeve partiake apo i trakteve ideologjike që faktikisht janë inekzistente.

E treta, që është pika me të cilën do ta përmbyll këtë ese, është fakti se në kohën kur pozicionimi neo-liberal, qoftë si një pozicionim i mirëfilltë ideologjik, qoftë si një përvetësim sipërfaqësor i ortodoksisë dominante të riprodhuar nga strukturat globale të dominimit simbolik dhe epistemik, mu në kohën e rritjes marramendëse të pabarazive sociale, në hovin e pandalshëm, që i reziston vetëm një inercion burokratik i trashëguar nga e kaluara, të shkatërrimit dhe degradimit sistematik të institucioneve publike, të një mbështetje parezervë ndaj liberalizimi total ekonomik të shndërruar në pozicion të natyrshëm dhe të pakontestueshëm (të mbështetur paradoksalisht edhe nga humbësit, siç është punëtoria e dikurshme industriale), lindë nevoja për atë që do ta quaja, për rrethanat tona, një të majtë post-majtiste. Kjo e majtë post-majtiste nuk mundet thjesht të përvetësojë etiketime politike sipërfaqësisht të majta, por duhet ta ndërtojë nga e para një pozicion të ri politik, duke identifikuar thellësisht interesat sociale që ajo mund të përfaqësojë, si dhe kahjet politike në të cilat mund ta çojë shtetin për çuarjen përpara të projektit progresiv të së majtës për demokraci me baza të gjera, lirisë politike kombinuar me drejtësinë sociale, si dhe të zhvillimit të mirëfilltë dhe të gjithanshëm shoqëror. Kuptohet, problemet për ndërtimin e një të majte të re, ku padyshim hyn edhe nevoja e ballafaqimit dhe shkëputjes reale nga trashëgimia e majtizmit totalitar (por edhe ballafaqimit të drejtpërdrejtë me tendencat kripto-fashiste që fshihen brenda shumë diskurseve kulturore), nuk janë objekt i këtij shkrimi dhe ato nuk mund të shtjellohen këtu. Por ajo që do ta theksoja është se ndërtimi i një të majte të re në Kosovë është çështje e një projekti të ri shoqëror dhe politik, si dhe domosdoshmërisht edhe një projekt intelektual, por ai definitivisht nuk mund të jetë rezultat thjesht i deklaratave dhe gjesteve politike.

Botuar te “Koha Ditore”, 13 shkurt 2006.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s