Home

Kushdo që është i interesuar ta kuptojë politikën e Ibrahim Rugovës, nuk duhet ta lexojë programin e LDK-së, por ‘Interpretimin e ëndrrave’ të Frojdit. Skena politike kosovare është përplot personazhe neurotike, njerëz që ballafaqohen me komplekset e tyre të inferioritetit, me sindromet e persekutimit, viktimizimit, të heroit të cilit nuk i njihet sakrifica, e të çrregullimeve të tjera neurotike që i shfaqin para soditjes së publikut. Për të mos përmendur narcisoidët e shumtë, ata që vetën shpallin të pagabueshëm, të përjetshëm, etj., që përbëjnë një kategori të veçantë në topografinë shoqërore të jetës politike në Kosovë.

Por askush nga këta nuk ka pasë shansën të ndajë jetën e vet psikike me publikun kosovar, aq thellë dhe aq gjatë sa Ibrahim Rugova. Për çdo paraqitje të Rugovës në publikun kosovar, ne hetojmë simptomatikën e neurozave të njeriut që kombinon narcisiodin me pafajshmërinë infantile, sindromin e persekutimit me atë të heroit të pakënduar, e të boemit që me pamjen dhe manerizmat e tij të tepruara mshef inferioritetin dhe ndjenjat e pasigurisë që shpesh krijojnë njerëz të kategorisë së tij sociale, që nga një origjinë obskure fshatare shndërrohen në figura kosmopolitane. Por pavarësisht nga këto, sepse Rugova nuk është i përveçëm me neurozat që ka (të gjithë jemi ngapak neurotik, do të thoshte Lacan-i), ajo që është interesante te Rugova është imagjinarja e tij, ndaj të cilës populli i Kosovës i nënshtrohet tash e pesëmbëdhjetë vjet, si dhe obsesioni i tij i pashuar për simbole, rituale dhe ceremoni.

Imagjinarja rugoviane përbëhet në thelb nga imazhi që ka ai për vetën si shpëtimtar i popullit të lashtë dardan nga varri i historisë evropiane, e që, përmes thirrjeve të vazhdueshme te Papa, do ta lidhë atë sërish me botën e madhërishme krishtere. Mania e tij e dhurimit të gurëve nga “nëntoka e pasur e Kosovës”, në stilin e një guvernatori kolonial që me një gjest të tillë i fton të tjerët ta eksploatojnë popullin që e sundon, është tashmë botërisht e njohur dhe, për të mos thënë, e përqëshur nga shumë diplomatë që vijnë në Kosovë. Qendisja e flamujve dhe vulave presidenciale, që ai ia imponon popullit të Kosovës si simbole zyrtare pa kurrfarë debati publik, është tregues i fuqishëm i autokracisë simbolike që ai ka vendosur mbi identitetin politik të Kosovës. Sikur një diktatoruc i subsaharasë afrikane, i cili në vend të uniformës dhe syzave të zeza ka xhemperin e kuq dhe shallin, Rugova është konstantërisht i preokupuar me petkun e jashtëm të presidencës së tij (që përbëka “kulmin e shtetit” sipas idhtarëve të Rugovës), me simbolet, ceremonitë dhe ritualët kultike, në një formë të shkëputjes ekstreme nga realiteti politik e shoqëror. Në një intervistë të paradokohshme ai madje shkoi aq larg sa që të sugjerojë se shifrat e papunësisë në Kosovë janë të bazuara “në llogaritje të vjetra”, sepse ekonomistët nuk e dikan se Kosova paska një ekonomi në zhvillim të hovshëm. Kjo është distanca të cilin Rugova është i gatshëm ta kalojë për të ikur nga realitetet shoqërore dhe për t’u mbyllur në botën e tij imagjinare të asaj që një analist një herë quajti “mbretëri dardane”.

Pas përpilimit të gradave e dekoratave të shumta që ai do t’ia ndajë kujtdo që mendon se e meriton, në aktin e tij më të fundit, Rugova shpalli një “ditë presidenti”, një festë shtetërore që do ta festojë kë tjetër pos — vetëvetën e tij. Përmbysja e këtillë e kuptimit historik të 24 majit, ditës kur populli i Kosovës doli për herë të parë në votime, dëshmon raportin që Rugova konsideron të ketë me popullin, me masën. Është ai, pastaj është populli në lidhje të drejtpërdrejtë me te, kurse të tjerët janë thjesht garnitura, teatër diplomatik dhe parlamentar, diçka sa për sy e faqe, sa për të thënë se këtu funksionon demokracia. “Formalitete” në terminologjinë rugoviane.

Por obsesioni simbolik i Rugovës është akoma më i madh. Rugova është treguar mjeshtër i rrallë për atë që historiani Eric Hobsbawm quan “shpikje e traditës” — siç është p.sh. darka e lamës, e konceptuar nga Rugova si një festë e barazvlefshme me Ditën e Falemnderimeve në Amerikë. Mania e Rugovës për të huazuar nga simbolika amerikane shihet edhe në tentativën e tij të vazhdueshme për të ndërtuar një “shtëpi të bardhë” të presidentit — por duket se për momentin ai është i kënaqur me renovimin e sallës së tij presidenciale, e pallatin e bardhë do ta ndërtojë sigurisht pas “njohjes formale” të pavarësisë, kohë sigurisht kur ai pret nga “populli” të shpërblehet me presidencë të përjetshme.

Ndoshta nuk është koinçidencë që mësuesi i Rugovës në Francë ishte linguisti Roland Barthes, i cili ishte ndër themeluesit e semiotikës, apo shkencës së studimit të shenjave. Por nuk besoj se Barthes — që politikisht njihej si marksist me prirje maoiste dhe që ka shkruar një libër të tërë për funksionin politik të miteve — e kishte menduar ndonjëherë se një nga ndjekësit e tij do ta përmbyste shkencën semiotike për ta shndërruar në praktikë politike, për ta nënshtruar një popull të tërë ndaj sundimit të imagjinatës personale të një njeriu. Por ky është transformimi personal që mbi pesëmbëdhjetë vjet lidershipi politik nxiten te Rugova. Nga një intelektual guximtar ai u shndërrua në një autokrat që konsideratë të fundit ka rregullin dhe ligjin, të cilat i bën dhe interpreton sipas nevojave të veta, sepse ligji i vetëm për të është vullneti i personal i këtij politikani-artist, që e ndjen nevojën e pashtershme për krijimtari objektesh të kultit politik. Edhe mania e tij, e shfaqur gjatë dy zgjedhjeve në Kosovë, për t’u bërë dhe mbetur president me çdo kusht, madje edhe në dëm të interesave të partisë së tij, është shenjë e degjenerimit personal që pushteti i ka bërë këtij njeriu, por edhe obsesionit të tij — vetëm si president ai është i autorizuar ta nënshtrojë popullin ndaj autokracisë simbolike, të pushtetit të plotë mbi simbolet kolektive, që ai ngreh. Disa përqeshnin Rugovën se insistonte të bëhej president, që sipas Kornizës Kushtetuese është post ceremonial. Pikërisht! Pikërisht kjo është ajo që kërkon Rugova, prandaj insistimi i tij për të qenë dhe mbetur president nuk është aspak i habitshëm, përderisa presidenca dhe asnjë post tjetër ia garanton autokracinë simbolike dhe kënaqjen e përhershme të epshit të tij neurotik të krijimtarisë simbolike.

Megjithatë, fakti që ky njeri vazhdon të gëzojë popullaritet, nëse jo në shumicën absolute, atëherë te një numër të madh kosovarësh, tregon se kur flasim për Rugovën kemi të bëjmë me një dukuri më të gjerë se sa vetëm personale. Sepse njeriu që e nënshtron një publik të tërë ndaj neurozave të veta nuk ka ku të gjejë pëlqim dhe mbështetje pos ndër ata që tek Rugova gjejnë atë që Frojdi quan ego-ideal — egon që shërben si shembull që duhet të ndiqet e të imitohet. Mirëpo nuk është kjo aq shumë shprehje e dëshirës për imitim se sa simptomatikë e luftës për identitet, e theksuar edhe më shumë në këtë periudhë krizash dhe pasigurie fizike, sociale, ekonomike, institucionale e ideologjike. Duket se një pjesë e publikut kosovar ndjen nevojën për ritualistikë, ceremoni dhe simbolizëm, se kjo sjell garancë në qenien e vet e në identitetin e vet në këtë periudhë të posaçme që e definon ajo që kaloi (lufta) e ajo që duhet të vijë (pavarësia) por që emër të vetin nuk ka. Por në të njëjtën kohë projekti simbolik rugovian është simptomatikë e rrymës anti-demokratike që ka pushtuar kulturën tonë politike, e kjo rrymë nuk kufizohet vetëm me Rugovën dhe partinë e tij. Sepse fakti që Rugova është efektiv në projektin e vet politik, tregon se një pjesë e publikut tonë nuk kërkon një shtet si një bashkësi njerëzish të barabartë, por një shtet që nënkupton hierarkinë strikte, të mbështetur në pushtet absolut, në konformizëm dhe në autoritet të pakontestuar personal. Kjo është evidente nga vetë forma e krijimtarisë simbolike të Rugovës, që mund të përmblidhen me një shprehje të vetme: fetishizim i shtetit.

Fetishizimi i shtetit është kuptimi i shtetit i spastruar nga përmbajtja e vet si një bashkësi politike, e zëvendësuar me fetishet mbi autoritetin, mbi hierarkinë dhe, përfundimisht, por në mënyrë të pashprehur, mbi dhunën. Fetishizimi i shtetit e shndërron shtetin në një projekt estetik, në një punë simbolesh, teatri, ceremonie dhe rituali kolektiv. Shteti dhe shoqëria bëhën një dhe e vetme, kurse lideri-artist, Ai që do ta çojë shtetin drejt perfeksionit estetik. Ky perfeksion estetik kulmon me hierarkinë e pacënueshme, me rendin dhe disiplinën, me përuljen ndaj autoritetit dhe me nënshtrimin e publikut ndaj vullnetit të padebatueshëm të liderit-artist. Kjo është formë pushteti, që parësore ka vlerën estetike (shtetin, kombin dhe hierarkinë) e jo atë shoqërore (barazinë dhe solidaritetin).

Estetizimi i shtetit bën që shteti të zhvishet nga funksioni i tij publik dhe e legjitimojnë privatizimin dhe monopolizimin e tij, ashtu siç ka ndodh gjatë këtyre viteve të fundit. Estetizimi i shtetit gjithashtu funksionon si maskë, e tillë që furnizon një justifikim të përhershëm për dëbimin e qytetarit nga shteti, për shpërdorimin e shtetit qoftë për përfitime personale, qoftë për realizimin e fantazive për autoritet dhe dominim nga të cilat lëngojnë shumë burra në Kosovë. Estetizimi i shtetit, që është projekt kolektiv dhe jo vetëm personal i Rugovës (të tillë që e imitojnë edhe rivalët e tij), ia ka marrë frymën projektit për një demokraci autentike, për një shoqëri të lirë e të barabartë dhe për një shtet të drejtë. Estetizimi i shtetit, pos grabitçarëve dhe kompradorëve të brendshëm, gjithashtu ia ka hapë rrugën kapitalit global që të përfitojë nga ky vend i varfër, pa e hetuar askush — ashtu siç bëjnë bankat e huaja dhe fondi i pensioneve kosovare, përmes të cilave në mënyrë të sofistikuar dhe të pahetueshme, kompani të huaja financiare nxjerrin përfitime të majme nga djersa dhe nga kursimet e punëtorëve kosovarë. Obsesioni rreth shenjave dhe simboleve dhe reduktimit të shtetit në vlerë estetike të bëjnë të mendosh dy herë për të ardhmen e këtij vendi, për perspektivën demokratike dhe për rendin social që po ndërtohet në Kosovë. E në këtë pikëpamje, problemi nuk është vetëm i Rugovës.

Botuar te “Koha Ditore”, mars 2005.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s