Home

Pluralizmi nuk është një risi në Kosovë, por duket se për një pjesë të opinionit intelektual kosovar është një mysafir i bezdisshëm i kësaj kohe. Nga fundi i luftës, në sferën publike në Kosovë, dhe jo vetëm në mediat që shpesh cilësohen si “ekstremiste,” është i pranishëm një diskurs fashist, që me çdo diferencë përballët me një denoncim moral, e shpeshherë edhe me thirrje për eliminim. E para është e domosdoshme për të funditën, sepse çdo thirrje për eliminimin, ekskomunikimin apo përjashtimin e diferencës kërkon një bazë morale, me të cilën e ndryshmja cilësohet jo vetëm si e keqe, por e papranueshme, madje edhe e dëmshme për shoqërinë.

Ky diskurs nuk drejtohet vetëm ndaj minoriteteve etnike, në veçanti atij serb, por edhe ndaj individëve, grupeve dhe segmenteve të shoqërisë që me bindjet, sjelljet dhe dëshirat e veta nuk përputhen me mitin totalitar të Popullit, një ideologji e ndërtuar dhe praruar nga aparati ideologjik i Shqipërisë së Enver Hoxhës, si dhe nga nacionalizmi popullor i socializmit jugosllav.

Miti i Popullit është mit sepse ai lloj populli për të cilin flet ideologjia nacionaliste enveriste, nuk ekziston në realitet. Megjithëse mbrapa një miti të tillë ka qëndruar një aparaturë e tërë e dijes, siç janë institutet shkencore dhe veçanërisht ato të prodhimit historiografik, që i japin peshë “shkencore” dijes për popullin, dije të cilën intelektualë të ngjyrave të ndryshme e nxjerrin pandalë në diskursin e tyre, ai megjithatë nuk përbën ndonjë pasqyrë që reflekton ndonjë esencë të realitetit historik dhe shoqëror, por një konstruksion historik, i cili në më shumë se një mënyrë është i infektuar nga dominimi, autoriteti dhe tendenca për vendosjen e një hegjemonie, një hegjemoni që shërbën për legjitimimin e një morali të caktuar shoqëror, një politikë të caktuar të organizimit shoqëror.

Funksioni i mitit të Popullit, në Shqipërinë enveriste nuk ishte reflektimi i një realiteti historik, por fiksimi me forcë i një hegjemonie ideologjike që legjitimonte represionin, denoncimin dhe politikën thjesht vrastare të diktaturës “së ndritur” të Prijësit të Madh. Në Kosovë, kjo ideologji u përvetësua, sidomos nga grupe të caktuara marksiste-leniniste (ish-pjesëtarët e të cilëve, pa ndonjë shtjellim serioz publik, sot na paraqiten si demokratë të reformuar pro-amerikanë), për legjitimimin e idesë së Bashkimit Kombëtar, ide që justifikimin e luftës politike e sheh në natyrën e procesit historik që sipas tyre, ashtu sikur Marksi tregonte se çdo shoqëri feudale kapërcen në kapitalizëm, dhe çdo shoqëri kapitaliste në komunizëm, çdo popull e ka të natyrshme rrugën drejt krijimit të shtetit të tij kombëtar. Racionaliteti teleologjik i Marksit, që historinë e sheh si një rend shkallësh të rendeve shoqërore, përputhet plotësisht me teleologjinë nacionaliste, që ndërtimin e kombit e sheh si një proces të natyrshëm dhe pandalshëm historik. Tensioni midis marksizëm-leninizmit dhe nacionalizmit kështu është jo vetëm i reduktueshëm por lehtë i anulueshëm nga kjo pikëpamje, prandaj edhe transformimi i ish-marksist-lenistëve në nacionalistë nuk është një proces që duhet të ngreh çudi, sepse nacionalizmi aktual që dominon në qarqe të ndryshme në Kosovë dhe Shqipëri është pikërisht ky nacionalizëm popullor i enverizmit.

Nga ana tjetër, intelektualët e establishmentit socialist, shumë nga të cilët sot shiten si ish-disidentë, kur nuk kishin përqafuar vlerën e bashkim-vëllazërimit, ishin jo fort të largët në mendim me shokët marksistë-leninistë. Disa nga këta ishin “disidentë” pikërisht për arsyen se, siç dëshmon në memoaret e tij shkrimtari i njohur Anton Pashku, jo se kishin përqafuar ndonjë vlerë liberale, apo se kishin ngritë ndonjë kritikë me peshë kundër sistemit komunist, por sepse kultivonin një adhurim të fshehtë për marksizëm-leninizmin e Enver Hoxhës, për estetikën e soc-realizmit dhe idenë e diktaturës së ndritur të Prijësit të Madh. Të tjerët, “titistët,” ishin ata që kishin pranuar idenë e Jugosllavisë si një bashkësi shumëkombëshe, por parakushti i ekzistencës së shumëkombësisë është pikërisht kombësia, ekzistenca e kombit si entitet. Kështu, nga pikëpamja e diskursit nacionalist, kishte pak dallim nga njëra palë dhe tjetra, sepse edhe marksizëm-leninzmi, edhe ideja jugosllave për vëllazërim-bashkimin pranonte idenë e Popullit si një tërësi e pandashme shoqëroro-historike, me një esencë të patjetërsueshme dhe me prioritet të plotë si parim politik. Të dyja këto rryma kishin të përbashkët parimin leninist mbi kombin, i shtjelluar nga ai në periudhën menjëherë pas revolucionit bolshevik, në përpjekje për ta pajtuar universalizmin e komunizmit me partikularitetin e kombit, i implemetuar më pas nga Stalini në formë të ndarjeve territoriale-administrative të shtetit sovjetik, të politikave gjuhësore dhe të krijimit të hierarkive të kombeve më të rëndësishme dhe të atyre më pak të rëndësishme, skema që më pas u replikuan nga federalizmi jugosllav. Parimi leninist i kombit nuk e sheh kombin, ashtu siç e sheh tradita liberale, si një bashkësi individësh, por si një tërësi historike, një forcë shoqërore që përben esencën e pamohueshme të çdo individi, ashtu sikur racizmi e veçon një karakteristikë të caktuar të individit për ta cilësuar atë karakteristikë si esencë totale të identitetit të tij.

Përkundër presioneve të pluralizmit, që thyejnë çdo mitologji për Popullin si një totalitet, një esencë, një parim politik që tejkalon çdo parim tjetër, klima intelektuale në Kosovë nuk ka qenë në gjendje të dalë nga kjo kornizë mendimi, sado që kuptimi leninist i kombit tashmë është sedimentuar dhe është shkrirë në diskursin politik në forma që fshehin origjinën e saj historike. Kuptimi leninist i kombit – dhe konceptit homolog të tij – Popullit, në sistemet socialiste ka pasë funksionin e konstruktimit të një rendi të caktuar shoqëror, që legjitimon pushtetin diktatorial dhe dominimin e shtetit deri në sferat më intime të jetës. Ideja e Popullit ka, domethënë, jo vetëm një kuptim strikt politik, por edhe kulturor – p.sh., çdo formë estetike që nuk përputhet me estetikën e soc-realizmit (ajo që gjithnjë ka qenë “më e afërta me popullin” dhe ku “populli mund ta shoh vetën”), shihet si një formë revizioniste, “anti-kombëtare” e krijımtarisë artistike. Çdo lloj morali që nuk përputhet me “moralin popullor”, i portretizuar në konstruksionet folklorike të instituteve etnografike, dhe në prozën dhe poezinë romatike të shkrimtarëve “kombëtar” (të tillë që përbënin një klasë të privilegjuar intelektuale, por që pretendonin se shkrimi i tyre rrjedh nga “gjiri i popullit”), çdo devijim i këtij lloji cilësohet si dekadencë, që identifikohet qoftë me hedonizmin perëndimor, apo me “sjellje të prapambetura orientale”. Ky lloj morali totalitar është kushti i ekzistencës së pushtetit totalitar, pushtetit të ndritur të drejtuar nga parimet emancipuese të Iluminizmit, që çdo individ do ta krijojë sipas kallëpit “popullor”. Ky lloj mitologjizmi për Popullin është i pranishëm edhe sot, si në shembullin kur Ibrahim Rugova na tregon se Kosova qysh me shekuj feston, në traditën popullore, darkën e lamës, apo kur ish-udhëheqësit e UÇK-së sublimojnë rrethanat reale historike të lindjes së UÇK-së dhe e portretizojnë atë si një vazhdimësi organike të luftërave historike nga mitologjia kombëtare.

Mitologjisë totalitare dhe totalizuese të Popullit, diskursit që përbën bazën e çdo ideologjie fashiste, i kundërvihet realiteti i shumëngjyrshëm, pluralist, dhe thellësisht “anti-popullor” (sipas kritereve të Popullistëve) i shoqërisë kosovare sot. Dy faktorë kanë kontribuar në këtë. E para, shkatërrimi dhe delegjitimimi i aparaturës së shtetit totalitar, që i bën neo-fashistët e sotëm të zhurmshëm por impotentë në realizimin e ëndrrave të tyre totalitare. E dyta, përfshirja e Kosovës nga tregu global, që për nga natyra është indiferente karshi idesë kombëtare dhe në vend të kësaj, me një metodë kolonizuese, konsumon çdo formë kulturore në përshtatjen e saj me kulturën e komodifikimit (krijimin e objekteve për shitje, përfshirë këtu objektet “kulturore”). Kështu p.sh., edhe “objektet kombëtare”, si simbolet, veshjet “popullore”, skulpturat e personazheve historike, shndërrohen në objekt tregtie, një zhvillim që vazhdon të trazojë puristët që, edhe pse mund të botojnë në gazeta “të djathta”, realitetin shoqëror vazhdojnë ta shohin dhe interpretojnë me syzë marksiste-leniniste. Nga ana tjetër, natyra transkulturore e tregut global po ashtu transmeton vlera të reja kulturore, kështu që sot p.sh. në Kosovë shohim një boom sa i përket shumëllojshmërisë së identiteteve parciale, qofshin ato etnike, fetare, të stilit të jetës etj., të përcjellur me një boom të organizimit shoqëror nën nivelin shtetëror, sidomos me formimin e shoqatave dhe grupeve me interesa lokale dhe parciale që shkëputen nga hegjemonia e Kombit, si dhe formave të shprehjes artistike që shfaqin një shkëputje të plotë nga tradita soc-realiste. Natyra gjithpërfshirëse e tregut global, ku gati asnjë marrëdhënie nuk përjashtohet nga instrumentalizimi me qëllim të përfitimit material, gjithashtu bën të mundur paradokse si ato të patriotëve të furishëm që nuk e përjetojnë si dilemë morale tregtinë me serbë matanë kufirit. Në Kosovë po ashtu shihet kultivimi i një gjenerate të re, kryesisht të shkolluar në Perëndim, që favorizon prioritetet neo-liberale të funksionimit të mekanizmave të tregut dhe diferencimit që ai prodhon, karshi komunitaritetit dhe nivelizimit social që synon bashkësia kombëtare, duke mos bërë fare dallim midis diskursit të popullizmit totalitar dhe impulseve në shoqërinë kosovare për barazi sociale.

Është pikërisht ky pluralizëm dhe kjo shumtësi që i brenë neo-fashistët e sotëm, ata që asnjëherë nuk qenë në gjendje të reflektojnë mbi supozimet e pavetëdijshme që kanë, por që në arenën publike prodhojnë një diskurs që në dy apo tri dekadat e fundit ka pësuar jo më shumë se ndryshime kozmetike – të imponuar medoemos nga rrethanat dhe kalkulimi politik, por jo nga një rivlerësim dhe riorientim fundamental ideologjik. As rrethi i vogël i intelektualëve me prirje liberale nuk ka qenë në gjendje që t’i kundërvihet me sukses neo-fashistëve, duke mbetur një rreth i margjinalizuar dhe i përçarë që nuk mund të zhvishet nga një qëndrim elitist karshi “masës”. Kjo rrymë intelektuale nuk e zbërtheu idenë e Popullit për të nxjerr në shesh natyrën mitike dhe ideologjike të saj, por synon ndërtimin e pluralizmit kundër Popullit, të cilin e identifikon me shtresat margjinale, të “pamodernizuara” të shoqërisë, “katunarëve”, minoriteteve etnike, grupeve fetare etj. Njëkohësisht, premisat e neo-fashizmit janë homologët më të afërt – ndonëse në formë antagoniste – me neo-racizmin e administratës ndërkombëtare, diskurs që ajo prodhon nën iluzionin e “paanshmërisë” dhe “neutralitetit”, dhe që parimet nacional-populliste dhe diferencat e pakapërcyeshme që ajo i vendos, nuk i lufton por thjesht institucionalizon, brenda një kornize liberale, në formë të “balansuar” të “komuniteteve” përbërëse të “shoqërisë multietnike”.

Ndërkaq, sfida e sotme është njohja e pluralitetit, përqafimi i tij dhe potencialit demokratik që ai ka, për ndërtimin jo të një shteti popullor, por të një shoqërie plurale. Lufta ideologjike për shoqërinë e re kosovare përfundimisht nuk duhet të lihet në duar të armiqëve të pluralizmit.

Botuar te “Koha Ditore”, tetor 2003.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s