Home

Apo, baza ideologjike e projektit shtetformues në Kosovë

Që tri vite, administratorët, politikanët dhe komentatorët e Kosovës bëjnë fjalë për “tranzicion”. Në kuptimin e rëndomtë, kjo fjalë domethënë ndryshimi nga një trajtë në tjetrën. Mirëpo kuptimi konkret i tranzicionit në realitetin kosovar mbetet shpesh i paartikuluar. Çka dhe kush po ndryshon? Çka ishte ajo që po ndryshohet dhe në çka po ndryshon? Ambiguiteti kaq i madh në përdorimin e këtij termi lë përshtypjen se ose ata që e përdorin nuk e kanë vetë të qartë se për çka e kanë fjalën, apo se problemi është te vetë fjala. I mbetët lexuesit të gjykojë se ku qëndron problemi.

Sidoqoftë, përkufizimi i saktë termit “tranzicion” nuk është temë e këtij artikulli. Por në vazhdën e ndryshimeve që po ndodhin në Kosovë, është një ndryshim specifik të cilin dëshiroj ta shtjelloj. Ky është ndryshimi, në dekadën e fundit dhe sidomos pas vendosjes së Kosovës nën administrimin ndërkombëtar, i natyrës dhe karakterit të shtetit. Kjo është çështje që normalisht kërkon vëllime të tëra. Mirëpo shpresoj që përmes këtij artikulli të hedh dritë mbi disa aspekte të cilat po e përcaktojnë rrugën e zhvillimit të shoqërisë kosovare, sidomos në aspektin e organizimit ekonomik. Organizimi i ekonomisë kosovare – dhe rolit të shtetit në të (qoftë ky UNMIK-u apo institucionet e autonomisë substanciale) – vazhdon të mbetët problem kyç në projektin shtetformues në Kosovë. Por është kjo një problematikë që është zgjidhur dhe vazhdon të zgjidhet kryesisht pa pjesëmarrjen e kosovarëve. Dhe në momentet e vendimmarrjes, klasa politike kosovare luan rolin e pranuesit pasiv, duke shfaqur mangësitë e veta në kuptimin e thellësisë, domethënies dhe pasojave konkrete të zgjidhjeve të caktuara. Klasa politike kosovare, si dhe pjesa më e madhe e komentatorëve dhe analistëve medialë, po ashtu nuk kanë arritur të kuptojnë dhe zbërthejnë koncepsionet ideologjike që çojnë në zgjedhjen e modeleve të caktuara të organizimit ekonomik dhe politik. Duke pranuar rol inferior karshi “ekspertëve” perëndimorë të administratës ndërkombëtare, të cilëve u besohet vendosja edhe e çështjeve më të ndieshme politike në saje të “ekspertizës” së tyre, kosovarët nuk arriten që t’i kundërvihen politikave të administratës ndërkombëtare në mënyrë serioze e as të artikulojnë modele alternative për zgjidhjen e çështjeve të caktuara ekonomike që po vendosin konturat e organizimit ekonomik në Kosovë.

Shteti paternalist dhe shteti neoliberal

Titulli i këtij artikulli me qëllim përmban termet “shtet paternalist” dhe “shtet neoliberal”. Të dy këta emra nënkuptojnë një strukturë të caktuar të organizimit politik e ekonomik dhe një rol të caktuar të shtetit në ekonomi dhe në mirëqenien sociale të popullsisë. I pari aludon në natyrën e shtetit socialist, i tillë çfarë ekzistoi dhe e ndërtoi shoqërinë moderne të Kosovës deri në fillimvitet 1990. Ishte ky një shtet që, meqë legjitimohej si shtet i proletariatit dhe kundër dominimit të kapitalit dhe pronës private, kishte për bazë organizimin e ekonomisë në bazë të planifikimit shtetëror. Një ndër aspektet e planifikimit ishte edhe mirëqenia sociale e popullsisë. Domethënë, përveç organizimit të prodhimit, shteti përkujdesej për furnizimin me ushqime, me zgjidhjen e problemeve të banimit, me financimin dhe drejtimin e arsimit, me ofrimin e shërbimeve shëndetsore, me subvencionimin e kulturës etj. Edhe pse utopia e barazisë sociale mbeti utopi, shteti socialist megjithatë ofronte mënyra të ndryshme që popullsia mund të shfrytëzonte për të përmbushur nevojat elementare të jetesës. Për këtë arsye ky shtet mund të quhet shtet paternalist, meqë kryente shërbime të përhershme sociale për popullsinë, pavarësisht se çmimi i kësaj ishte mohimi i shumë të drejtave politike.

Shteti neoliberal është radikalisht ndryshe nga ai paternalist. Është ky një tip shteti që, megjithëse i modeluar sipas tipit të shtetit kapitalist perëndimor, nuk ekziston si realitet as në Perëndim. Por idetë qëndrore të neoliberalizmit janë shtyllë kryesore mbi të cilin ndërtohen politikat ekonomike të këtij tipi të shtetit. Ky është modeli i shtetit i cili, gjykuar nga politikat ekonomike të tri viteve të fundit, po shfrytëzohet për organizimin ekonomik në Kosovë.

Së pari dy fjalë për neoliberalizmin. Neoliberalizmi (apo neo-klasicizmi) ekonomik është ideologji politike që si shtyllë kryesore ka individin si aktor të pavarur ekonomik i cili vazhdimisht synon pasuri, pronën private dhe tregun vetërregullues si sferë të pavarur nga shteti. Ideologjia e liberalizmit ekonomik është artikuluar fillimisht në shekullin XVIII e XIX nga autorët britanikë si Adam Smith, Robert Malthus e David Ricardo, në kohën e reformave anti-absolutiste në Britaninë e Madhe. Parimet e këtyre autorëve klasikë, që në kohën e tyre kanë qenë radikale, janë përvetësuar nga një segment i ekonomistëve modern, që rrjedhimisht kanë marrë etiketën neoliberal. Kjo rrymë e mendimit sot zakonisht klasifikohet si rrymë konservatore, dhe si bazë ka idenë e shtetit minimalist dhe e mosndërhyrjes së shtetit në treg (pasi që kjo sferë, sipas tyre, është vetërregulluese). Meqë tregu është vetërregullues, brenda tij individët si synues të pasurisë do të angazhohen për pasurimin e vetës. Si pasojë, nga pikënisja e individit të etshëm për pasuri, tregu krijon pasuri për të gjithë. Çdo ndërhyrje e shtetit në këtë sferë të aktivitetit njerëzor prish strukturën e motiveve që i bën individët të angazhohen për të mirën e tyre. Prandaj, për shumë prej autorëve neoliberalë, funksionet e shtetit si asistenca sociale, shkollimi publik, subvencionimi i kulturës e të tjera të këtij lloji janë të dëmshme për tregun. P.sh. asistenca sociale krijon varshmëri në shtetin dhe zvogëlon motivin për punë. Andaj, sipas kuptimit neoliberal, i varfëri është vetë fajtor për varfërinë e tij (edhe pse papunësia është e pashmangshme edhe në ekonomitë më të avancuara). Subvencionimi i kulturës është gjë e keqe sepse e cënon autonominë e shoqërisë (i definuar si treg) nga shteti, i cili si rol kryesor duhet ta ketë mbrojtjen e pronës private. E kështu me radhë.

Një vizion i tillë mbetët utopik sepse nuk ka ekzistuar askund asnjëherë. Ekonomistë, historianë e sociologë kanë sjellë argumente për gabimet në premisat themelore të neoliberalëve mbi të cilët ndërtojnë teoritë e tyre. Ata tregojnë se njeriu nuk është thjesht krijesë që kërkon pasuri, por edhe qënie shoqërore që e realizon vetën duke u njohur dhe identifikuar me të tjerët. Të tjerët kanë sjellë prova se si ndërhyrja e shtetit ka qenë gjithmonë e domosdoshme për zhvillimin e tregut dhe funksionalizimin e tij. Dy nga ekonomitë më të suksesshme të pas-Luftës së Dytë Botërore, Gjermania dhe Japonia, kanë një strukturë ekonomike ku shteti luan gjithmonë rol aktiv. Edhe “yjet” ekonomike të Azisë Juglindore, si Korea Jugore, po ashtu kanë histori të thuktë të pjesëmarrjes së shtetit në organizimin dhe zhvillimin e ekonomisë. Ishte vetëm gjatë 1980-ave, me ardhjen në pushtet të Margaret Thatcherit në Britani dhe Ronald Reaganit në Amerikë, ku idetë neoliberale ripërtëritën forcën e vet. Sot ato janë dominante, sidomos në fushën e politikave zhvillimore të shteteve të varfëra.

Neoliberalizmi në Kosovë dhe programet publike

Lexuesi i rastit mund të thotë se ato që u thanë më lartë janë gjëpura që s’kanë asnjë lidhje me ato që po ndodhin në Kosovë. Një vështrim më i thellë provon të kundërtën. Sistemi ekonomik i ndërtuar nga administrata ndërkombëtare është fund e krye i ndërtuar mbi bazat e neoliberalizmit. Kosova sot ka një ndër tregjet më të hapura dhe të pambrojtura në rajon dhe, si pasojë, destimulim të plotë të prodhimit vendor. Nivel i ikjes së kapitalit jashtë vendit është gati i barabartë me nivelin e hyrjes, domethënë paret ikin nga Kosova gati po aq shpejt sa hyjnë në të. Në anën sociale, përveç papunësisë masive të një niveli çfarë nuk ekziston askund në Evropë, kemi pensionerë pa pensione (që janë vazhdimisht në protesta), mësues me rroga simbolike (që sot janë në grevë) dhe institucione kulturore që bëjnë ekzistencë simbolike. Kombinimi i gjithë kësaj me një strukturë administrative që në esencë mohon pjesëmarrjen qytetare në procesin e vendimmarrjes po prodhon efekte katastrofike në të gjitha lidhjet dhe relacionet esenciale që përbëjnë bazën e kësaj shoqërie. Atomizimi, mosbesimi në njëri-tjetrin dhe mbështetja në rrethin e ngushtë familjar për sigurimin e ekzistencës është pasojë jo e papritur e gjithë kësaj. Dobësimi i strukturave shoqërore dhe i shoqërisë civile është ana tjetër e kësaj medalje.

Shoku i tranzicionit nga shteti paternalist, ku shteti veç të tjerash ishte edhe aparat për mirëqenien sociale, në shtet neoliberal, ku shteti është totalisht i shkëputur nga realiteti social i popullsisë së vet, ka prodhuar efekte drastike në shoqërinë kosovare. Kjo është përkeqësuar nga fakti se administrata ndërkombëtare, e cila përfaqëson shtetin e ri në Kosovë, nuk është në gjendje të përmbushë rolin e vet as në ato elemente të cilat dëshirohet nga neoliberalët – sigurinë fizike dhe mbrojtjen e pronës. Krimi, si ndaj personave ashtu dhe ndaj pronës, ka shkallë tepër të lartë në Kosovë. Shumë çështje fundamentale të transformimit të pronës nuk janë zgjidhur, duke ia çelur rrugën veprimeve jotransparente dhe korrupsionit. Sistemi gjyqësor është në gjendje të mjerueshme, nuk gëzon as besimin e autoriteteve ndërkombëtare, që vlerësojnë se për drejtësi në Kosovë ka nevojë për prokurorë dhe gjykatës jo-kosovarë. Nga ana tjetër, administrata ndërkombëtare, e cila me anë të një procesi jotransparent burokratik përcakton buxhetin publik të Kosovës, mban në nivele tepër joadekuate provizionet për asistencën sociale, për shëndetsinë, arsimin dhe për kulturën. Si rezultat, sot varfëria është në kulm, shëndetsia është në gjendje të mjerueshme, mësuesit janë në grevë kurse institucionet kulturore – ato që kanë fatin të financohen nga buxheti – ekzistojnë sa për sy e faqe, me përjashtimin e shquar të Radio-Televizionit të Kosovës. Edhe punonjësit e administratës publike marrin rroga që, sipas llogaritjeve të Bankës Botërore, përmbushin nevojat për mbushjen e “shportës” me ushqimet elementare, por që familjet kosovare i lë të mbështeten në mëshirën e fatit dhe lidhjeve familjare për të hangër bukë dhe për ta pasë një kulm mbi kokë.

Përsa i përket alokimeve të buxhetit, dikush mund të kundërargumentojë se problemi është mungesa e pareve. Por problemi më fundamental këtu është se destinacioni i pareve të mbledhura nga tatimet publike po vendoset nga disa burokratë anonimë ndërkombëtarë, në bazë të vlerësimeve dhe interesave të tyre për nevojat buxhetore. E gjithë kjo bëhet nën maskën e vlerësimit ekspert. Me këtë trivializohen çështjet fundamentale të organizimit ekonomik të Kosovës, duke i devalvuar çështjet e prioriteteve buxhetore në çështje teknike.

Skema e re pensionale

Tëhollimi i buxhetit për programet publike është vetëm njëri aspekt i projektit neoliberal në Kosovë. Ristrukturimi i sistemit të asistencës sociale, në këtë rast të sistemit pensional, është zhvillimi tjetër që në Kosovë kaloi pa tepër diskutim pas shpalljes së tij nga administrata ndërkombëtare. Nga një sistem pensional që ofron mbështetje për të gjithë nga një fond i përgjithshëm pensional, sistemi i ri e vë barrën te individi që vetë të përkujdeset për kursimet e veta që duhet t’i shfrytëzojë në kohën kur pensionohet. Kjo domethënë se, po qe se kursimet fillojnë sot, Kosovës do t’i duhen edhe të paktën dy gjenerata derisa niveli i pensioneve të arrijë shkallë normale. Të gjithë ata që sot janë mbi 35 vjet dhe që kanë fatin e mirë të jenë të punësuar, do ta kenë vështirë të kursejnë gjatë karrieres së tyre shuma të mjaftueshme për një pension normal. Ata mbi 50 vjet dhe të papunët duhet të kënaqën që kohën e pleqërisë ta kalojnë me 28 eurot që i ofron pensioni bazik, shuma minimale që i garantohet të gjithë të pensionuarve nga buxheti shtetëror.

Kjo s’është e tëra. Kursimet pensionale të kosovarëve do të investohen në tregjet e jashtme, domethënë do t’i kontribojnë ekonomive të huaja, gjoja për ruajtjen dhe shtimin e kursimeve. Edhe pas kolapseve spektakulare të skemave të ngjashme të kursimeve pensionale në Amerikë, që mbështeteshin në investimin e kursimeve në bursën tashmë të devalvuar, askush në administratën ndërkombëtare nuk shfaq skepticizëm rreth skemës së re pensionale në Kosovë. Përkundrazi, themelimi i Trustit të Pensioneve u përcoll me deklarata pompoze se Kosova e ka sistemin më të avancuar pensional në Evropë. Vendi më i varfër i Evropës ka sistemin më të avancuar pensional në kontinent! Për paratë nuk ka asnjë garancë, këtë e thotë vetë udhëheqësi i Bordit të Trustit, sepse po qe se kursimet pensionale të kosovarëve humbin pas investimeve spekulative në tregjet e jashtme (të bëra sipas diskresionit të një Bordi të pazgjedhur), faji për zhdukjen e tyre do t’i lihet rreziqeve dhe paparashikueshmërisë së tregjeve! Ndërsa pensionistët kosovarë le të bëjnë hajër me “shportën” e 28 eurove, aq sa një burokrat ndërkombëtar i shpenzon për një darkë të mirë në një nga restorantet e Prishtinës. Por sërish, tragjedia më e madhe këtu është që edhe ky vendim u hartua dhe implementua në mënyrë jotransparente. Ai iu imponua kosovarëve pa kurrfarë debati a shqyrtimi paraprak. Ndërsa partitë politike, komentatorët medial e të tjerë, si zakonisht u zunë papritmas dhe as që kuptuan konsekuencat e një politike të tillë. Madje si injorantë të hatashëm iu bashkuan korit të ndërkombëtarëve që i këndonin serenata “sistemit më të avancuar pensional në Evropë” ndërsa mediat, në mënyrë krejt jokritike, bartën lajmin naiv se qytetarët, “mjetet e kursyera do t’i kenë të sigurta”.

Politikat anti-sindikaliste

Sindikatat, shtyllë e organizimit të hershëm qytetar në Kosovë kundër okupimit millosheviqian, janë gjithashtu në shënjestër të politikës neoliberale të UNMIK-ut. Ato sot janë më pak sindikata e më shumë klube të të papunëve, kurse për një kohë të gjatë u shpërdorën për qëllimet e drejtorëve të vetëshpallur (zaptuesve) të ish-pronave shoqërore, që administrata ndërkombëtare i kishte lënë të vegjetojnë. Fuqia e tyre politike është zbehur totalisht nga shpërfillja, por edhe mosorganizimi i brendshëm. E vetmja sindikatë që ruajti dhe që sot ushtron rolin e saj politik është ajo e arsimit (SBASHK), e cila ishte shtyllë e organizimit të sistemit paralel të arsimit në Kosovë. Edhe kjo sindikatë ishte dhe vazhdon të jetë nën shënjestër të administratës ndërkombëtare. Michael Daxner, ish-drejtues i Departamentit të Arsimit, ishte ai që udhëhoqi këtë politikë anti-sindikaliste. Nën pretekstin e reformave, ky i vetëdeklaruar socialdemokrat imponoi në sistemin arsimor të Kosovës sistemin e kontratave individuale për mësimdhënës. Kontratat individuale dukshëm zbehin rolin e sindikatës e cila si përfaqësuese e mësimdhënësve duhet të negociojë kontrata kolektive, pra edhe të caktojë kushtet e punës dhe nivelin e rrogave për të gjithë mësimdhënësit si segment shoqëror. Kontratat individuale e rrisin fuqinë e Ministrisë sepse ajo mund të hedh nga puna mësimdhënës sipas nevojave të veta, ndërsa këta të fundit mbesin pa mbështetjen e sindikatës dhe pa kanale të ankesës dhe apelit, pasi që marrëveshja e tyre me Ministrinë për vendin e punës është në bazë individuale. Për fat të mirë sot SBASHK-u u zgjua nga gjumi dimëror trevjeçar dhe imponohet me anë të grevës si faktor politik, dhe sfidon tërë sistemin administrativ në Kosovë. Pse segmentet tjera të administratës publike nuk janë të organizuara në sindikata? Një gjë të tillë, meqë do të ishte përherë e rrezikuar nga grevat dhe kërkesat e punonjësve, UNMIK-u do ta pengonte me çdo kusht. Qeveria dhe Kuvendi në këtë mes dalin si mbreti lakuriq – pafuqia e tyre bëhet tepër aparente kur nuk janë në gjendje të kontrollojnë elementet bazike të qeverisjes, siç janë caktimi i buxhetit për shkolla. Ata mund vetëm të “solidarizohen” me kërkesat e mësuesve por jo të ndërmarrin diçka që të përmbushin kërkesat e tyre. Qeveria dhe Kuvendi në këtë mënyrë shfaqin një papërgjegjësi totale ndaj sistemit arsimor në veçanti dhe qytetarëve që kanë votuar për ta në përgjithësi.

Impotenca e institucioneve të autonomisë substanciale karshi kërkesave të qytetarëve (në këtë rast mësuesve) nxjerr në pah një mangësi fundamentale të programit të administratës ndërkombëtare për demokratizimin e Kosovës. Minimizimi i proceseve të negocijimit në hartimin e politikave në Kosovë, shndërrimi i tyre në çështje teknike (edhe pse çështjet si rrogat e arsimtarëve kurrë nuk janë çështje teknike!) mohojnë tërë historinë e zhvillimit të demokracisë në Perëndim. Është pikërisht pjesëmarrja e segmenteve të pavarura të shoqërisë, siç janë sindikatat, në procesin e hartimit të politikave, që i kanë dhënë trajtën e sotme demokracive perëndimore. Ato janë themel mbi të cilin janë ndërtuar orientimet partiake dhe ku partitë kanë formuar elektoratin e tyre. Partitë politike perëndimore sot përafërsisht ndahen në ato që i mbështesin sindikatat dhe ato që janë më afër biznesit, ato që janë për më shumë ose më pak asistencë sociale, për ose kundër një çështjeje të caktuar e kështu me radhë. Është e pamundur për partitë kosovare të orientohen në boshte të tilla meqë janë tërësisht jashtë procesit të vendimmarrjes. Ato nuk mund të orientohen pro ose kundër një politike të caktuar meqë nuk e bëjnë atë politikë, kurse politikat e UNMIK-ut nuk kanë arritur ende t’i zbërthejnë si duhet, meqë si pikë reference për vlerësimin e politikave gjithmonë kanë kriteret që administrata ndërkombëtare i cakton për vete. Edhe qytetarët, në mungesë të një shtrese intelektuale që mund t’i zbërthejë dhe debatojë problemet, e kanë të pamundur të kuptojnë epërsitë e mangësitë të një politike të propozuar karshi një politike alternative. Prandaj edhe orientimet partiake nuk mund t’i bëjnë në bazë të kritereve të tilla. P.sh., propozimi për një skemë të caktuar pensionale, apo i një sistemi të caktuar arsimor, që duhet të implementohet në Kosovë, kur nuk krahasohet me një skemë tjetër pensionale apo një sistem tjetër arsimor, që ekziston si alternativë. Madje, qytetari kosovar shpesh bindet se nuk ka alternativa tjera pos zgjidhjeve që i ofrojnë “ekspertët” e gjithdijshëm të administratës ndërkombëtare. Nëse zgjedhja midis politikave alternative është baza më fundamentale e demokracisë, sidomos për ato që prekin themelet e organizimit shoqëror e ekonomik, atëherë është fare e qartë se në Kosovë demokracia është thjesht një nocion formal.

Tregu i hapur i quajtur Kosovë

Siç janë ankuar shpesh prodhuesit e paktë vendorë, politika fiskale e administratës ndërkombëtare destimulon prodhimin vendor duke favorizuar importet e artikujve më elementarë të konsumit. Filozofia neoliberale favorizon tregjet e hapura, të cilat janë shtyllë mbi të cilat ndërtohen orientimet programore të institucioneve me peshë globale si Organizata Botërore e Tregtisë (OBT). OBT është forum në të cilin shtetet më të pasura të botës përcaktojnë konturat e procesit që është mbiquajtur globalizim. Globalizimi është një proces i përgjithshëm në të cilin po kalojnë shtetet dhe ekonomitë e botës duke iu nënshtruar hapjes së tregjeve dhe lëvizjes së kapitalit. Logjika e neoliberalizimit thotë se hapja e tregjeve e hap rrugën e investimeve të jashtme, ristrukturon ekonomitë e shteteve duke i forcuar ato segmente ku i kanë epërsitë ndërsa duke i eliminuar sektorët joproduktivë. Në këtë proces, të gjithë përfitojnë. Kjo është ideologjia e globalizimit neoliberal. Realiteti është tjetër. Hapja e tregjeve pos që ka shkaktuar shkatërrimin e sektorëve të tërë ekonomikë në vendet e varfëra, ka mundësuar bartjen e kapitalit në vendet e varfëra ku krahu i punës është shumë më i lirë se në vendet perëndimore. Sot vendet si Malajzia, Taivani, Kina, Bangladeshi, Venezuela e Meksiko janë baza të prodhimtarisë të kompanive të fuqishme transnacionale, të cilët paguajnë shumëfish më pak krahun e punës në këto vende se sa në vendet e tyre amë. Me mbylljen e fabrikave në shtetet e veta janë shtuar radhët e të papunëve në vendet e pasura, veçanërisht në sektorët e industrisë, ndërsa si pasojë industria është në zvogëlim e sipër në shtetet e pasura. Prodhimi zhvendoset në shtetet ku krahu i punës është më i lirë, nuk ka rezistencë nga sindikatat, kushtet e punës janë zakonisht shumëfish më të dobëta dhe ka shumë më pak restriksione për mbrojtjen e ambientit. Vendet më të varfëra gjithashtu shndërrohen në tregje të hapura për prodhuesit e mëdhej, të cilat nuk i kanë më barrierat e tarifave doganore për eksportimin e mallrave të tyre. Sakaq prodhuesit vendorë, nga konkurrenca e ashpër, eliminohen nga tregu.

Kjo është vetëm një aspekt i globalizimit, një proces i cili shpesh paraqitet si problem që mund të shihet si gota gjysëm e zbrazët apo gjysëm e mbushur, varësisht nga këndvështrimi. Sido që të jetë, filozofia e tregut të hapur, premisa e globalizimit neoliberal, është parimi mbi të cilin mbështetet politika fiskale të administratës ndërkombëtare. Kosova është treg i hapur, barrierat për import dhe për hyrjen e kapitalit janë minimale. Por deri më sot hapja e tregut nuk ka rezultuar në investime masive në Kosovë. Përkundrazi, edhe ata sektorë ekonomikë që dikur kanë qenë të qëndrueshëm, siç është bujqësia, janë buzë zhdukjes totale si pasojë e vërshimit të tregut kosovar me produkte të jashtme (në anën tjetër, BE dhe SHBA i kanë plotësisht të izoluara sektorët e vetë të prodhimit bujqësor të cilat i subvencionojnë nga arka e shtetit me qindra miliona euro në vit). Hapja e tregut dhe statusi i partnerit special ekonomik që BE-ja ia ka dhënë Kosovës nuk ka rezultuar as në lidhje më të ngushta me ekonomitë e BE-së. Në fakt importi nga BE-ja është shumë i vogël (me SHBA-të është krejt i neglizhueshëm) ndërsa partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës janë Serbia dhe Maqedonia. Rezultati i gjithë kësaj është se Kosova, ekonomia më e varfër në Evropë, po shërben si një deponi e madhe e eurove që financon rritjen ekonomike të fqinjëve verior dhe jugor të Kosovës, ndërsa vetë gjallëron me një papunësi astronomike.

Laissez-faire, shteti i tëhuajtur dhe pjesëmarrja

Politika ekonomike laissez-faire është ajo që rekomandohet nga ndjekësit e shkollës neoliberale, që sot drejtojnë politikën ekonomike të Kosovës. Ajo politikë, siç u shpjegua në fillim, kërkon një shtet minimal në mënyrë që tregu ta bëjë magjinë e vet, meqë ai është vetërregullues – ai nuk ndihmohet por pengohet nga ndërhyrja e shtetit. Shteti duhet të mbajë duart larg nga ekonomia, por edhe nga sektorët tjerë të shoqërisë – gjithçka rregullohet nga iniciativa private. Se kjo është një mit po ashtu u ilustrua në fillim. Se projekti shtetformues në Kosovë është i bazuar në këtë frymë dhe është duke prodhuar pasoja katastrofike është argumenti i këtij shkrimi.

Katastrofës i shtohet shoku i transformimit të papritur në Kosovën e pasluftës, gjë që sot po shihet gjithnjë e më shumë me skamjen dhe gjendjen e pashpresë që ka kapluar një pjesë të madhe të kosovarëve. Ky është shoku nga transformimi i shtetit nga një shtet paternalist, që jep dhe furnizon të gjitha, në shtet neoliberal, që i lë qytetarët të gjinden për vete. Dhjetë vjet nën represionin e Beogradit mundësoi që kosovarët të krijojnë rrjete të mbijetesës, kryesisht me anë të të afërmve jashtë vendit. Janë këto rrjete që ia bëjnë të mundur shumicës së kosovarëve ekzistencën fizike në Kosovën pa vende pune. Diaspora ishte po ajo që financoi një pjesë të madhe të bumit ekonomik të pasluftës, sidomos atë të ndërtimtarisë, me rreth një miliard euro në vit që ajo dërgon në Kosovë. Por me kalimin e gjeneratave dhe presioneve demografike, kombinuar me një ekonomi joproduktive, mbetet një pikëpyetje e madhe nëse diaspora mund të vazhdojë ta financojë ekonominë kosovare në shkallën e duhur. Kjo domethënë se imigrimi do të mbetët një zgjidhje e imponuar për shumë kosovarë që duan të sigurojnë ekzistencën e vetes dhe familjeve të tyre. Trafiqet, kontrabanda dhe krimi i organizuar, i mbështetur në tregjet e zeza të pakontrolluara që kanë lulëzuar si pasojë e mungesës së një shteti funksional në Kosovë, është opcioni tjetër që i ofrohet shumë kosovarëve të rinjë në mungesë perspektive tjetër.

Logjika e tregut tashmë dominon çdo fushë të organizimit publik. Sot bëhet fjalë për privatizimin edhe të sektorëve që tradicionalisht janë mbajtur nga shteti, siç janë energjetika dhe telekomi. Pasojat e këtyre nuk janë menduar dhe si zakonisht, opinioni i kosovarëve për këto çështje është sekundar. Hapja e shkollave dhe universiteteve private minon edhe më tej sistemin publik të arsimit dhe krijon segmentime të reja në shoqërinë kosovare, duke vënë huj midis atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë. E ashtuquajtur shoqëri civile, që duhet të jetë sferë e organizimit të gjithanshëm shoqëror, është shndërruar në sferë të iniciativës private për përfitim privat. Partitë politike janë shndërruar në klube ekskluzive ku dominon klanizmi dhe ku programet politike nuk vlejnë as sa letra në të cilën shtypen. Institucionet publike janë shndërruar në vakufe private ku neoburokratët, në stilin e ish-drejtorëve socialistë, i vëjnë në funksion të paternalizmit të tyre.

Çështja themelore është pjesëmarrja. Shteti i dikurshëm paternalist i socializmit nuk kërkonte pjesëmarrje, por jepte. Shteti neoliberal i UNMIK-ut as nuk kërkon pjesëmarrje, as nuk jep. Nuk është fjala vetëm për pjesëmarrje me hedhjen e një vote një herë në dy vjet, por në pjesëmarrjen e përditshme nëpërmjet të sferës publike, në artikulimin e opinionit publik, në përcaktimin e politikave të shtetit, shteti që në fund të fundit i takon atyre. Karshi një shteti që mohon pjesëmarrjen, siç është ky i UNMIK-ut (pavarësisht nga pjesëmarrja e politikanëve në Kuvend e Qeveri dhe nga fushatat banale të OSBE-së për të nxitur pjesëmarrjen qytetare, që supozohen në vlerësimin se qytetari kosovar është një injorant që nuk i din interesat e veta), pasojë normale është apatia dhe mosinteresimi. Një qytetar që nuk mund të ndikojë në përmirësimin e arsimit për fëmijen e tij, që nuk mund të ndryshojë gjendjen e mjerueshme në shëndetsi, që nuk mund të komunikojë me politikanin që duhet ta përfaqësojë, që nuk mund të mbështetet në policinë për sigurinë e tij, që nuk mund të mbështetet në shtetin për kujdesin ndaj tij nëse mbetët i papunë dhe kur të arrijë moshën kur më nuk mund të punojë, nuk do të interesohet për shtetin. Shteti e ka përjashtuar nga proceset e vendimmarrjës, është tëhuajtur nga qytetari. Vota, si gjithmonë këto dhjetë vitet e fundit, mbetët një akt simbolik, me konsekuencë të vogël për fatin e qytetarit të rëndomtë. Të vetmën gjë që ai dëgjon është slloganin tashmë të shpenzuar “pavarësia do të na shpëtojë”, e shpreson se me aktin e votës do ta ndihmojë arritjen e kësaj, ku e ka mbështetur shpresën e fundit. Por edhe kjo shpresë po tretet përditë e më shumë, siç po dëshmohet nga interesimi i vogël i qytetarëve në periudhën aktuale parazgjedhore.

E gjithë kjo ka shpërfaqur varfërinë e tmerrshme intelektuale në Kosovë, e cila nuk diti t’i kundërvihet projektit neoliberal dhe politikës anti-sociale dhe në esencë anti-demokratike të administratës ndërkombëtare. Disa që konsiderojnë vetën intelektualë në Kosovë, vazhdojnë të bëjnë fjalë për thellimin e demokracisë, që po ndodh diku në etër. Kuvendi dhe Qeveria, bëjnë bujë ndonjëherë për ndonjë problem, por në fund prapë i nënshtrohen vijës së UNMIK-ut.

E atomizuar, shoqëria kosovare nuk mund t’i kundërvihet me sukses politikave që e dëmtojnë dhe në vendosjen e të cilave nuk pyeten fare. Greva e punonjësve të arsimit është shansi i parë që kosovarët të vetëdijësohen se i gjithë organizimi i jetës së tyre publike është reduktuar në një seri formulash dhe skemash burokratike në të cilat ata nuk figurojnë fare si faktorë, apo figurojnë vetëm si modele teorike. Por edhe çështja e arsimtarëve mund të kalojë pa konsekuenca të mëdha po qe së sërish reduktohet në një problem teknik, në një problem numrash në vend se të në një problemi substancial politik që prek fundamentin e rolit të institucioneve vendore të Kosovës në kornizën (kafazin) që e ka krijuar për të administrata ndërkombëtare në njërën anë, dhe margjinalizimin e plotë të shoqërisë civile dhe qytetarit në anën tjetër. Që kjo gjendje të ndryshojë, Kosovës i duhet një aktivizëm i ri, që do ta artikulojë një vizion alternativ dhe që nuk do t’i nënshtrohet qorrazi çdo gjëje që servohet nga administrata ndërkombëtare. Nuk do t’i bindet iluzionit se kjo që po ndërtohet në Kosovë është parakusht për prosperitet ekonomik, është demokraci. Kosova dhjetë vjet vuajti nga represioni dhe dhuna, a duhet që edhe dhjetë, njëzet e tridhjetë vjet tjera të vuajë nga skamja dhe agonia?

Botuar te “Koha Ditore”, tetor 2002

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s