Home

Përvjetori i përfundimit të luftës dhe vendosjes së Kosovës nën administrimin e Kombeve të Bashkuara zakonisht është kohë kur UNMIK-u numron të arriturat (e veta) dhe problemet (e kosovarëve) kurse politikanët kosovarë përsërisin qëndrimet e tyre për kalimin e kompetencave dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës. Këtij kori i bashkohen analistët dhe artikullshkruesit e ndryshëm nëpër gazeta, kush duke promovuar grupin e vet politik, kush duke sharë dhe kritikuar të gjithë pa dallim. Sikunder në rastet tjera, ajo që një mik imi quan “terrorizëm i aktualitetit” pengon marrjen më të thellësishme dhe më refleksive me realitetet politike dhe shoqërore të krijuara në Kosovë pas luftës. E gjithë kjo do të reflektohet në diskursin politik, ku të gjitha palët regjistrojnë ankesat, dëshirat dhe synimet, strategjia politike është inekzistente kurse mekanizmi, institucioni, apo organi i vendimit (dhe i përgjegjësisë) si gjithnjë mbetet i paidentifikuar.

Në njërën anë është naiviteti i personalizimit të burimeve të problemeve shoqërore, duke ua hedhur fajin individëve të caktuar apo grupeve të caktuara politike dhe duke iu shmangur zbulimit të shkaqeve strukturore dhe sistemike të realiteteve politike dhe shoqërore në Kosovë. Në anën tjetër, analizat që mëtojnë të jenë më sistematike nuk janë në gjendje ta kapërcejnë nivelin e një kronikimi sipërfaqësor, madje edhe ato me lëshime dhe shtrembërime të qëllimshme. Të gjitha monografitë më serioze që janë botuar në Kosovë rreth problemeve të administrimit ndërkombëtar në Kosovë nuk tejkalojnë shtjellimet empirike të ngjarjeve politike apo të rreshtojnë ndryshimet juridike. Kjo tregon se shtresa dominante intelektuale në Kosovë, ka rënë në një humnerë nga e cila nuk po mund të dalë — kolapsi i saj nuk është vetëm shoqëror, ai është gjithashtu një falimentim intelektual. Ndërkaq problemi i Kosovës së administruar nga UNMIK-u nuk është vetëm problem politik, ai është po ashtu problem intelektual. Mungesa e shtjellimeve substanciale nga shtresa intelektuale e Kosovës është pasojë e mungesës së një kuadri konceptual dhe një baze më substanciale, historike ideologjike se sa programi i ngushtë i nacionalizmit shqiptar i viteve 1990, municioni politik dhe ideologjik i të cilit tashmë është pothuaj krejtësisht i shpenzuar, strategjia dhe taktikat e tij anakronike për situatën aktuale në të cilën gjendet Kosova.

Konteksti politik

Në Kosovë, nga viti 1999 nuk është ndërtuar një shtet me kuptimin tradicional të tij, por një strukturë menaxhuese, me qëllim të menaxhimit politik të një territori dhe një popullate. Ndonëse nocioni i shtetit lidhet me konceptin (që rrjedh nga ligji ndërkombëtar) e sovranitetit, struktura menaxhuese në Kosovë është ndërtuar mbi negacionin e sovranitetit. Negacioni i sovranitetit të jashtëm domethënë negacion i nocionit paralel të tij të brendshëm, atë të qytetarisë, meqë sovraniteti dhe qytetaria (në rastin e demokracisë) janë thellësisht të ndërlidhura. Mohimi i shtetësisë sovrane në Kosovë domethënë mohim i institucionalizimit të statusit të qytetarisë — bazën fundamentale të të drejtave që përbëjnë elementet e institucionalizimit të demokracisë. Në vend të qytetarëve, juridikisht dhe politikisht, popullata e Kosovës bie në kategorinë e një populli të pa-shtet, ndërsa një popullate të pa-shtet i takon për nga definicioni statusi i refugjatit. Në rastin e Kosovës, kosovarët nuk kanë humbur shtetësinë për shkak se kanë ikur nga shteti — atyre, shteti i është suprimuar, ndërsa Kosova e shndërruar në një zonë jashtë-legale. Ky është efekti politik dhe juridik i Rezolutës 1244. Populli i Kosovës është popull refugjat, Kosova është një kamp i madh përqëndrimi humanitar, kurse UNMIK-u mbikëqyres dhe administrator suprem i këtij kampi, vend ku historia është e zyrtarisht dhe institucionalisht e suspenduar.

Qeveria dhe Kuvendi, nuk janë opozitë e kësaj strukture menaxhuese. Përkundrazi, ata janë pjesë integrale e saj, si organizativisht ashtu dhe politikisht. Organizativisht sepse struktura organizative e pushtetit në Kosovë është e tillë që institucionet e Kosovës (të ashtuquajtura Institucione të Përkohsme të Vetë-Qeverisjes — IPVQ) janë shtojcë institucionale e UNMIK-ut. Autoriteti i tyre buron nga UNMIK-u, e jo anasjelltas, që dëshmon dominancën hegjemonike të administratës ndërkombëtare. Nga aspekti politik, ata kryejnë funksionin kyç të legjitimimit të rendit aktual politik e shoqëror. Fakti që Qeveria dhe Kuvendi shpesh marrin qëndrim opozitar kundrejt UNMIK-ut nuk anulon këtë pohim — pikërisht përmes artikulimit opozitar, Qeveria dhe Kuvendi (dhe partitë politike që përbëjnë këto struktura) artikulojnë raportin e varshmërisë që ata kanë ndaj administratës ndërkombëtare. Në këtë mënyrë ata i japin legjitimitetin e nevojshëm strukturës së përgjithshme, të bazuar mbi premisat e mohimit të sovranitetit real dhe të delegalizimit të qytetarisë. Opozita reale e sistemit, opozita radikale-progresive dhe ajo radikale-reaksionare, qëndron jashtë institucioneve në fragmente dhe organizma të ndryshëm formalë e gjysëm-formalë, qoftë edhe si pjesë formale e partive dhe strukturave ekzistuese.

Institucionalizimi provizor

Shteti nuk është kategori e gjeneralizueshme e cila mund të aplikohet pa dallim në çfarëdo skute të botës dhe duke injoruar historinë — përkundrazi, shteti është konstruksion historik që, varësisht nga evolucioni i sistemit ndër-shtetëror (ndërkombëtar), nga transformimet globale ekonomike dhe fluiditeti i kapitalit, si dhe në ndërveprim me historitë dhe kulturat lokale të pushtetit politik, merr trajtë dhe funksion të caktuar. Andaj pohimet se “në Kosovë po ndërtohet shteti” e të ngjashme meritojnë kualifikime të shumta po qe se nuk do të jenë thjesht gënjeshtra. Megjithatë, në vend të fokusit në shtet, fokusi i diskutimit publik duhet të zhvendoset në cilësinë e shoqërisë që po ndërtohet në Kosovë dhe niveli i institucionalizimit të kësaj shoqërie. Shkalla e institucionalizimit nuk duhet të matet nga nocioni shpesh abstrakt i “shtetit”, por në radhë të parë nga institucionalizimi i rendit ekonomik, përfshirë strukturat juridike, monitoruese, kontrolluese dhe drejtuese në këtë sferë. Në një shoqëri që mbijeton nga një ekonomi merkantiliste (tregtare) ligjore apo jashtëligjore, nga të ardhurat e diasporës dhe nga kapitali i derdhur nga administrata dhe institucionet tjera ndërkombëtare, niveli i institucionalizimit ekonomik është krahasimisht minimal.

Arsyet e kësaj janë në radhë të parë strukturore. Në periudhën e imperializmit klasik, fuqitë perëndimore kanë kolonizuar vende nëpër botë në masë të madhe të nxitur nga interesi ekonomik. Si pasojë, ngritja e institucioneve të eksploatimit ekonomik ka qenë primare. Në rastin e Kosovës nuk kemi të bëjmë me një rast të kolonializmit klasik — Kosova nuk është koloni e asnjë shteti. Kosova është, koloni administrative e sistemit ndërkombëtar, juridikisht nën kontrollin e OKB-së, politikisht nën kontrollin e shteteve perëndimore, BE-së dhe SHBA-ve dhe instancave të ndryshme ushtarake, policore dhe burokratike shtetërore dhe ndërkombëtare. Kontrolli politik në Kosovë nuk është hierarkik dhe krejtësisht i centralizuar te një sovran i caktuar — fragmentimi politik i shoqërisë kosovare është më pak rezultat i historisë se sa pasqyrë e shumtësisë së instancave dhe strukturave të ndryshme lokale dhe të huaja, shpesh kontradiktore dhe antagoniste, që dominojnë dhe veprojnë politikisht në Kosovë, dhe krijimi i fushave të shumta dhe kontradiktore të kontestit politik.

Kolonizimi administrativ i Kosovës është pasojë e kompromisit të brishtë të qershorit 1999 që përfundoi luftën në Kosovë. Ai është i një natyre administrative, burokratike me funksion primar menaxhimin politik të një popullate, e jo eksploatimin ekonomik. Prandaj zhvillimi ekonomik është dikund në fund të prioriteteve institucionale të administratës ndërkombëtare. Ajo mund të flasë retorikisht për zhvillimin, mirëpo ajo nuk përbën një interes sistemik të saj. Kontrolli ekonomik bëhet kryesisht në dogana — kjo është metoda mesjetare e vjeljes së të ardhurave për pushtetin, më e afërta me reketin e drejtpërdrejtë. Sistemi fiskal është bazik, strukturat administrative në Kosovë funksionojnë në formën e një organizate të gjerë me sektorë dhe nënsektorë të ndryshëm por me një infrastruktrë minimale ekzekutive/detyruese/ndërshkuese që përbëjnë një shtet. Ndonëse aparatet burokratike shpesh ballafaqohen me kufizime dhe presione të ndryshme politike dhe ekonomike, Kosova paraqet, sipas fjalëve të një analisti, territor ku imagjinata burokratike vepron në mënyrë të pakufijshme.

Etnocentrizmi perëndimor

Para marsit [2004], UNMIK-u përballej me një krizë legjitimiteti. Pas ngjarjeve të marsit, UNMIK-u ballafaqohet me një krizë institucionale. Kriza institucionale e UNMIK-ut është krizë diplomatike për BE-në (kryesisht) dhe SHBA-në (në radhë të dytë), ndërsa kriza diplomatike oportunitet politik për palët tjera të interesuara (Serbinë dhe, në plan të dytë, Rusinë). Ngjarjet e marsit ishin për UNMIK-un dhe palët politike që mbështesin atë, realizimi i ëndrrës së keqe që gjithmonë përsëritet dhe përbëjnë atë që Jacques Lacan në gjuhen psikoanalitike e quan “fantazia fundamentale”, e simptomit ideologjik perëndimor me emrin “Kosovo”. Pa dashur ta minimizoj tragjedinë njerëzore të marsit, ngjarjet e marsit ishin për diplomacinë perëndimore kthimi traumatik (në formë të spektaklit) i dëshirës së shtypur në pavetëdije, realizimi i fantazisë së ndaluar të orgjies sadiste të dhunës “etnike”. Për diplomacinë perëndimore, dhuna kishte karakterin e një spektakli, ku shoku i ngjarjes përcillet me shikimin e hamendur — ashtu sikur disa kontigjentë të KFOR-it, në vend se të ndërhynin, qëndruan anash dhe vëzhguan dhunën nga distanca, sikur ai të ishte një karneval i dhunshëm ballkanik i realizuar për argëtimin e tyre.

Kthimi i traumës së shtypur përcillet me reagim histerik — dhe kjo është pikërisht mënyra se si reaguan zyrtarët e UNMIK-ut dhe diplomacia perëndimore pas ngjarjeve të marsit. Insistimi i shpeshtë se ngjarjet e marsit ishin “të organizuara”, “të orkestruara” etj., janë pjesë e këtij reagimi histerik dhe dëshirës për ta pajtuar fantazinë e “dhunës së përhershme etnike” (ku serbi i egër dhe shqiptari primitiv dora-dorës ndrrojnë rolet e viktimës dhe viktimizuesit, ndërsa evropiani i civilizuar vjen në shpëtim) me kompleksitetin e ngjarjeve të marsit, që si pasojë patën shndërrimin e Kosovës në një vend të paparashikueshëm dhe, si pasojë, të pamenaxhueshëm. Stabilizimi i ngjarjeve të marsit me tregimin narrativ për “dhunën e përhershme etnike” në njërën anë dhe formulës së padefinuar për “ecjen e Ballkanit drejt Evropës” në anën tjetër janë problemi i identitetit me të cilin ballafaqohen jo shqiptarët dhe serbët por Perëndimi në ballafaqim me traumën e vet.

Fantazia e UNMIK-ut dhe diplomacisë perëndimore për “dhunën e përhershme etnike” — një prizëm përmes të cilit realitetet komplekse të Kosovës filtrohen në formula të thjeshta burokratike dhe formulime të shpejta retorike, përbën esencën e etnocentrizmit perëndimor. Problemi i etnocentrizmit nuk është vetëm i shqiptarëve dhe i serbëve dhe nuk ka të bëjë hepërhe me etninë, por me një identitet dhe ideologji kolektive që ka funksion strategjik në ballafaqim me tjetrin — etnocentrizmi perëndimor, i mban serbët dhe shqiptarët robë të etnocentrizmit të tyre. Etnocentrizmi perëndimor shfaqet që nga deklaratat e Javier Solanës kur i thotë liderëve kosovarë se janë ata që duhet ta dëshmojnë pafajësinë e tyre në organizimin e dhunës kundër serbëve, deri te dokumentet qëndrore si ai “Standardet për Kosovën”, ku prizmi etnik shfaros nga topografia politike çdo problem shoqëror në Kosovë, duke e kthyer (me dhunë) çdo çështje në problem të “ndërtimit të shoqërisë multietnike”, pavarësisht nga fakti se kjo shoqëri (e imagjinuar) multietnike është e papunë, e varfëruar deri në ekstrem, e deinstitucionalizuar, e fragmentuar, e degraduar dhe e deklasuar në çdo pikëpamje. Etnocentrizmi perëndimor, ai që është i verbër ndaj rolit dhe pozitës së vet por reagon me frazën mbrojtëse, “ne jemi këtu vetëm për të ndihmuar”, duke mëtuar një epërsi të rrejshme morale (dhe rrjedhimisht duke fshehur epërsinë e vet politike), është ndër problemet kryesore politike në Kosovë sot.

Botuar te “Koha Ditore”, qershor 2004.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s