Rezoluta 1244 dhe njohja ndërkombëtare (nga Shkëlzen Gashi)
Shkurt 25, 2008
Nga një lexim i kujdesshëm i shkrimit të mikut tim Besnik Pula, të botuar në gazetën Koha Ditore të datës 21 shkurt 2008, vërehet qartë se ai dhe unë jemi në të njëjtat valë për pjesën më të madhe të problemeve që ai i trajton në shkrimin e tij. Sidoqoftë, për një trajtim më adekuat të tematikës se sa sovrane do të jetë Kosova, për mendimin tim, do të ishte mirë të merren katër kuptimet e termit sovranitet, që i jep Stephen Krasner në librin e tij të tilluar Sovereignty: Organized Hypocrisy: sovraniteti legal ndërkombëtar; sovraniteti westphalian; sovraniteti i ndërvarësisë; dhe sovraniteti i brendshëm. Meqë ra fjala, kuptimit të fundit të termit sovranitet, pra sovranitetit të brendshëm, Besniku i është referuar në magjistraturën e tij brilante me titull Contested Sovereignty and State Disintegration: The Rise of the Albanian Secessionist Movement in Kosova, të mbrojtur në Georgetown University. Sidoqoftë, le t’i trajtojmë me radhë këto kutpime të sovranitetit në rastin e Kosovës.
Për sa i përket sovranitetit të brendshëm, që është organizimi formal i autoritetit dhe aftësia e autoritetit për të ushtruar kontroll brenda shtetit, duhet thënë se Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (PCN) jo vetëm që do të jetë autoriteti final sa i përket interpretimit të Planit të Martti Ahtisaarit (e drejta për të gjykuar në shkallë të fundit, sipas Jean Bodin është prerogativë e sovranitetit) por, ai edhe do të ketë fuqi të përjashtojë nga detyra secilin zyrtar nëse kundërshton Planin e Ahtisaarit. Po ashtu, Kuvendi i Kosovës, jo vetëm që nuk mund ta miratojë Kushtetutën e Kosovës pa miratimin e PCN-së, por, për më keq, nëse ka kontradiktë mes Kushtetutës së Kosovës dhe Planit të Martti Ahtisaarit, ky i fundit mbizotëron. Sipas Pakos së Ahtisaarit, për miratimin, ndryshimin apo shfuqizimin e ligjeve kërkohet edhe shumica e anëtarëve të Kuvendit, të cilët mbajnë ulëse të rezervuara apo të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve, të cilat nuk janë në shumicë. Edhe Jean Bodin në librin e tij “Sovraniteti” thotë se shenja e parë e sovranitetit nënkupton pushtetin për të vendosur ligje. Për më shumë, PCN-ja do të ketë të drejtën, nëse është e nevojshme, të anulojë çdo veprim, që ndërmerret nga autoritetet e Kosovës. Sovraniteti i ndërvarësisë ka të bëjë me kapacitetin e autoritetit lokal për të kontrolluar qarkullimin e informatave, të mirave, njerëzve, kapitalit përmes kufijve të shtetit. Kapaciteti për këto kontrollime, në të vërtetë, i takon Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar sepse ai ka kompetenca në sferën e sundimit të ligjit, gjyqësi, polici, dogana, shërbime korrektuese…
Në vijim të kësaj, ai do të ketë autoritetin e emërimit të drejtpërdrejtë të udhëheqësve të doganave, tatimeve, privatizimit, financave dhe thesarit. E, sikundër thotë Jean Bodin-it, emërimi apo shkarkimi i zyrtarëve kryesorë është element i rëndësishëm i sovranitetit.
Kuptimi i tretë i sovranitetit sipas Krasnerit është sovraniteti westphalian, i cili i referohet mosndërhyrjes së ndonjë autoriteti të jashtëm brenda shtetit. Në këtë pikë, Kosova duhet të ketë sovranitet vetëm sa kanë shtetet sovrane dhe të pavarura përreth. Mirëpo, ç’
është e vërteta, Kosova do të ketë ndërhyrje nga dy autoritete të jashtme: Misioni i BE-së (i cili do operojë në bazë Rezolutës 1244 gjegjësisht pikës 10 dhe 17 të kësaj rezolute), që me kompetencat që ka është Qeveri e njëmendtë e Kosovës, kurse Qeveria formale e Kosovës do të jetë agjension i këtij misioni; dhe Republikën e Serbisë, që do të ketë të drejtë të ketë marrëdhënie të drejtëpërdrejta me entitetin serb në Kosovë (afërsisht 1/3 e territorit të Kosovës), duke i financuar komunat serbe në Kosovë, pothuajse në çdo sferë të jetës.
Në fund, kemi sovranitetin legal ndërkombëtar, që i referohet njohjes legale të shteteve nga shtetet tjera. Nuk ka asnjë dilemë se njohja e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur nga një varg i shteteve më të fuqishme në botë, përbën një hap tejet të rëndësishëm (që nuk mund të minimizohet në asnjë mënyrë) duke e vendosur Kosovën në raport tjetër karshi Serbisë, por jo në raport mes dy shteteve sovrane e të pavarura. Në aspektin e sovranitetit legal ndërkombëtar, Kosova ka pozicion pothuajse identik me Tajvanin sepse që të dy këto entitete kanë gjysëm-subjektivitet ndërkombëtar, ngase nuk janë anëtarë në organizatat ndërkombëtare sikur OKB-ja apo OSBE-ja. Në të vërtetë, Tajvani është në pozicion më të mirë se Kosova sepse nuk ka mision ndërkombëtar që e sundon sikur Kosovën dhe nuk ka entitet kinez brendapërbrenda sikur që ka Kosova entitetin serb. Në anën tjetër, BiH, edhe pse e ndarë brendapërbrenda sikur Kosova, për sa i përket sovranitetit legal ndërkombëtar, për dallim prej Kosovës, ka subjektivitet të plotë ndërkombëtar (këtu po dallojmë Besniku dhe unë), ngase është anëtar i organizatave ndërkombëtare si OKB, OSBE dhe i njohur ndërkombëtarisht nga Serbia e Kroacia.
Një tjetër dallim mes Besnikut dhe meje konsiston në atë se ai, siç duket, është përkrahës i shkollës konstituive të së drejtës ndërkombëtare për sa i përket njohjes së shteteve të pavarura dhe sovrane, e unë përkrahës i shkollës deklarative. Unë mendoj se njohja nuk mund dhe nuk e krijon shtetin, pra njohja nuk është konstituive, por është thjesht deklarative. Sikundër pat thënë edhe Robert Badinter në mendimin numër një, efektet e njohjes nga shtetet tjera janë krejtësisht deklarative. Shteti duhet të ekzistojë paraprakisht. Njohja e shtetit nuk është asgjë tjetër veçse deklarim se sipas shtetit A, ekziston shteti B. Andaj, njohja ndërkombëtare prej disa shteteve, përbën realitet të ri, por jo realitet të ri në terren, ashtu siç po pretendon Besniku. Konventa për të Drejtat dhe Detyrat e Shteteve, e njohur si Konventa e Montevideos, precizon se, përveç territorit dhe popullsisë, entiteti që tenton të bëhet shtet sovran dhe i pavarur duhet të ketë nën kontroll atë territor. Pra, shteti duhet të ekzistojë njëmend, e vetëm pastaj të shpallet ekzistenca e tij dhe të kërkohet njohje nga komuniteti ndërkombëtar. Kontrolli i territorit është shumë më i rëndësishëm sesa njohja ndërkombëtare. Serbia, për shembull, nuk e ka parë njohjen ndërkombëtare të Bosnjë dhe Hercegovinës si një ngjarje që do të ndryshonte ndonjë gjë në realizimin e planit të saj. Për më shumë, Millosheviq edhe ka bërë shaka duke thënë se edhe perandori romak Kaligula e ka deklaruar kalin e tij për senator, por kali i tij asnjëherë nuk është bërë senator, andaj e njëjta gjë do të ngjajë edhe me Alia Izetbegovicin: ai do të ketë njohje ndërkombëtare, por jo shtet. Çeshtja e sovranitetit nominal të Serbisë mbi Kosovën është komplikuar jashtëzakonisht shumë, duke u bërë sfidë për shumë ekspertë të së drejtës ndërkombëtare. Në të vërtetë, kjo edhe është arsyeja përse në shkrimin tim, ‘Deklarata e Varësisë’, të botuar më 19 shkurt 2008 në KOHA Ditore (Timothy Garton Ash në shkrimin e tij të botuar më 21 shkurt në Los Angelos Times të titulluar ‘The Kosovo precedent’
thotë se Deklarata e Pavarësisë është po ashtu deklaratë e varësisë) kam thënë se Serbia do të ketë sovranitet në mënyrë fort të sofistikuar mbi Kosovën. Këtu është dallimi kryesor mes Besnikut dhe meje. Ja përse mendoj se sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën do të jetë i sofistikuar:
Në bazë të të ashtuquajturës ‘Deklaratë për Pavarësinë e Kosovës’ Prania Civile Ndërkombëtare (PCN) dhe Prania Ushtarake Ndërkombëtare (PUN), të themeluara në bazë të Rezolutës 1244, duhet të mbesin në Kosovë për të zbatuar përgjegjësitë e dhëna sipas Rezolutës 1244 dhe Planit të Martti Ahtisaarit. Nëse Kosova është shkëputur de facto e de jure nga Serbia, ashtu siç pretendon Besniku, atëherë, përse Prania Ushtarake Ndërkombëtare duhet të qëndrojë në Kosovë në bazë të Marrëveshjes së Kumanovës, të nënshkruar mes NATO-s dhe RFJ-së, e jo në bazë të SOFA-s (“Status of Forces Agreement”
) të nënshkruar mes NATO-s dhe Kosovës dhe, për më keq, ta zbatojë Rezolutën 1244, e cila, përveçse garanton sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë, parasheh kthimin e qindra (jo mijëra) forcave serbe në Kosovë. Pra, nuk është ndryshuar Rezoluta 1244, por është ndryshuar interpretimi i saj.
Sipas Planit të Martti Ahtisaarit, Kosova nuk do të ketë ushtri, por Forcë të Sigurisë, e cila do të jetë kryesisht përgjegjëse për përgjigjen ndaj krizave, asgjësimin e mjeteve eksplozive, mbrojtjen civile, pra, me pak fjalë, Forca e Sigurisë do të ketë për obligim të përmbushë funksione të sigurisë, që nuk janë të përshtatshme për policinë apo organizatat tjera të zbatimit të ligjit dhe, më e rëndësishmja, Prania Ushtarake Ndërkombëtare (PUN) do të ketë autoritet ekzekutiv mbi FSK-në. PUN-ja do të vazhdojë t’i zbatojë praktikat e vëna në funksion të Komisionit të tanishëm të Përbashkët për Implementim me Republikën e Serbisë. Me kalimin e kohës, ashtu siç parasheh Plani i Martti Ahtisaarit, veprimtaritë e Komisionit të Përbashkët për Implementim do të bëhen pjesë e një Komisioni të Përbashkët Ushtarak të ri, që do të përfshijë autoritetet nga Kosova dhe Serbia, në kuadër të të cilit do të trajtohen çështje ushtarake dhe të sigurisë me interes të përbashkët. Për më shumë, PUN-ja në koordinim me PCN-në do t’
i përcaktojnë masat për krijimin e mirëbesimit midis FSK-së dhe institucioneve të mbrojtjes të Serbisë. Kjo, për mendimin tim, tregon se FSK do të jetë segment i institucioneve të mbrojtjes të Serbisë, duke e bërë kështu sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën tmerrësisht të sofistikuar.
Një tjetër element, që e forcon argumentin tim se sa vështirë i hetueshëm është sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën, ka të bëjë me borxhin ndërkombëtar. Plani i Martti Ahtisaarit nuk parasheh ndarjen e pasurisë, aseteve dhe arkivave sepse kjo do të mund të ngjante vetëm nëse Kosova do të shkëputej prej Serbisë. Për më keq, Kosova do të marrë pjesë vetëm në ndarjen e borxhit ndërkombëtar të Serbisë. Kjo ngjet sepse Kosova mbetet e lidhur me Serbinë. Meqë jemi tek kjo problematikë, më duhet të them se, për mendimin tim, Kosova nuk do të duhej të pranonte marrjen pjesë në procesin e trashëgimit të Jugosllavisë (ndarja e pasurisë, aseteve, borxhit) sepse atëherë do ta mohonim faktin se Kosova është okupuar më 1912. Në vijim të kësaj, është me rëndësi të përmendet se Letonia, Lituania dhe Estonia kanë refuzuar të marrin pjesë në procesin e trashëgimit të BRSS-së, që u pat definuar në marrëveshjen e bërë në Alma Ata (kryeqytetin e dikurshëm të Kazakistanit), me arsyetimin se në rast se pranojmë të jemi edhe ne trashëgimtarë të BRSS-së, sikundërqë kërkon Rusia, atëherë, pranojmë se kemi qenë themelues të BRSS-së, e jo të okupuar nga BRSS-ja.
Krejt në fund, Besniku thotë se në praktikë rolin dhe pushtetin e PCN-së dhe EULEX-it nuk do ta përcaktojë vetëm teksti literal i Planit të Martti Ahtisaarit dhe dokumentet tjera politike, por edhe pozicioni politik që karshi tyre do të marrin institucionet e Kosovës. Logjikisht do të duhej të ishte kështu, por në rastin tonë nuk do të jetë kështu, në radhë të parë, për shkak të mungesës së forcës, e sikundër e din Besniku, politika pa forcë është sikur muzika pa instrumente, e mbi të gjitha, nuk do të jetë kështu sepse, përveç që kemi politikanë të padijshëm e servil, ne kemi edhe politikanë të korruptuar, e si rrjedhojë të shantazhuar.
Njohja ndërkombëtare dhe Rezoluta 1244
Shkurt 22, 2008
Miku im Shkëlzen Gashi, kritik i madh, siç kam qenë edhe unë, i proceseve politike për definimin e statusit të Kosovës gjatë dy viteve të fundit, në Kohën Ditore të datës 19 shkurt botoi një koment për situatën e re juridike në të cilën gjendet Kosova pas shpalljes së pavarësisë. Aty ai problematizon çështjen e sovranitetit në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë, që është me vend. Sigurisht se, tashmë që shumica kanë filluar të kthjellen nga festat dhe ahengjet masive për shpalljen e pavarësisë, është koha të ulemi e të shikojmë me seriozitetin e duhur se çfarë në të vërtetë po ndodh me Kosovën si entitet politik.
Pa dashur që të nisi një polemikë të kotë, për shkak të rëndësisë së çështjeve që ngrit, Shkëlzeni bën një numër konstatimesh që sipas meje janë problematike. Është shumë e vërtetë se Kosova nuk do të jetë shtet i pavarur e sovran në kuptimin klasik të fjalës. Kjo është e qartë për të gjithë ata që dallojnë të bardhen nga e zeza. Prania ndërkombëtare e sigurisë, pushteti ndërkombëtar mbi institucionet e zgjedhura të Kosovës, dhe njohja jo e plotë nga bashkësia ndërkombëtare, nuk e bëjnë Kosovën një shtet të pavarur e sovran në kuptimin tradicional të fjalës. Mirëpo kjo nuk do të thotë se shpallja e pavarësisë dhe njohja ndërkombëtare e Kosovës nga shtetet kryesore të rendit ndërkombëtar përbëjnë ngjarje të parëndësishme që nuk transformojnë rrënjësisht pozicionin politik dhe juridik të Kosovës.
Kështu, Shkëlzeni pohon se edhe pas shpalljes, për shkak se pavarësia ndodh mbi bazën e Pakos së Ahtisaarit, Kosova mbetët “në mënyrë fort të sofistikuar nën sovranitetin e Serbisë”. Si argument shtesë për këtë ai përmend mbetjen në fuqi të Rezolutës 1244, e cila e ruan sovranitetin e Serbisë (trashëgimtarës së RFJ-së) në Kosovë.
Pavarësisht përmbajtjes së deklaratës së pavarësisë dhe premisave politike mbi të cilat ajo bëhet, njohja ndërkombëtare e Kosovës si shtet i pavarur anulon realitetin politik të krijuar sipas Rezolutës 1244. Me njohjen ndërkombëtare në kufijtë aktualë, Kosova de facto dhe de jure shkëputet nga Serbia. Nga pikëpamja e ligjit dhe praktikës ndërkombëtare, për shtetet që e njohin e që do ta njohin Kosovën, Kosova është efektivisht një shtet i pavarur, me qeveri të vetën dhe territor të përcaktuar. Prandaj, të thuhet se Kosova mbetët nën sovranitetin e Serbisë, edhe pas njohjes së saj nga SHBA, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Italia e një varg shtetesh tjera më të rëndësishme evropiane e botërore, është të injorosh realitetin e ri që imponon njohja ndërkombëtare. Reaksioni histerik i qeverisë në Beograd tregon qartë se fjala është për një akt të pakthyeshëm dhe historik që Kosovën e vendos përgjithmonë në një raport tjetër karshi Serbisë.
E dyta, njohja ndërkombëtare krijon një realitet të ri në terren që hedh poshtë çfarëdo përmbajtje tekstuale të Rezolutës 1244. Siç e din edhe Shkëlzeni, ligji ndërkombëtar është ligj zakonor, që domethënë se atë e bën sjellja e shteteve, ai nuk bëhet me akte legjislative dhe Këshilli i Sigurimit nuk përbën kurrfarë organi legjislativ për ligjin ndërkombëtar. Çfarëdo që të jetë përmbajtja tekstuale e Rezolutës 1244 (megjithëse tashmë në interpretimin e ri të disa juristëve evropianë, garancat e rezolutës për sovranitetin e Serbisë në Kosovë janë vetëm kalimtare dhe jo të përhershme), njohja ndërkombëtare krijon një realitet të ri në terren, pasi që me këtë akt Kosova vendos marrëdhënie diplomatike me vende të tjera dhe në këtë mënyrë shndërrohet efektivisht në aktor të politikës ndërkombëtare. Ndërkaq, rezolutat e OKB-së nuk janë obligative dhe shkilen vazhdimisht: në fakt, shkelësi më i madh në botë i Rezolutave të OKB-së është Izraeli, por kjo gjë shumë pak i ka bërë dëm aftësisë së këtij shteti që të zhvillojë politika sipas interesave të saj.
Prandaj, të thuhet se edhe pas njohjes ndërkombëtare, Kosova vazhdon të mbetët nën sovranitetin e Serbisë është një konstatim që nuk përkon me realitetin e ri të krijuar. Kosova, me njohje, fiton subjektivitet ndërkombëtar. Të vetmet elemente që e pengojnë hyrjen e plotë të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare do të jenë mosnjohja e Kosovës nga të gjitha shtetet (sidomos Rusisë dhe shtetet satelite të saj), si dhe veton e pritshme të Rusisë për çfarëdo përpjekje për anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Në këtë pikëpamje, Kosova do të shndërrohet në një lloj Taivani evropian: ai do të njihet nga shumica e shteteve, por jo të gjitha shtetet. Por njohja jo e plotë dhe rezistenca e një shteti të madh sikur Kina nuk e ka penguar Taivanin që të zhvillohet e të prosperojë, prandaj edhe rezistenca e Rusisë nuk do të jetë pengesë për Kosovën e cila do të ketë marrëdhënie diplomatike dhe ekonomike me shtetet kryesore të Evropës dhe me SHBA-të. Për më tepër, mosnjohja nga një pjesë shtetesh nuk është fakt i kryer dhe i përhershëm. Me një politikë të mençur, ndoshta një ditë edhe Rusia do të pajtohet me faktin e Kosovës së pavarur dhe do të heq dorë nga nervoziteti i saj i kotë rreth kësaj çështjeje. Dhe për fat të mirë Serbia nuk e ka as përafërsisht forcën dhe influencën globale politike dhe ekonomike të Kinës.
Në aspektin e ushtrimit të brendshëm të sovranitetit, është e qartë se Kosova do të vazhdojë të jetë e kufizuar në një numër dimensionesh. Në këtë pikëpamje Kosova do t’i përngjet më shumë Bosnjës, i cili është shtet i njohur ndërkombëtar, por i kufizuar nga brenda sipas provizioneve që rrjedhin nga Marrëveshja e Dayton-it dhe pushtetit ndërkombëtar që ajo vendos atje. Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar do të jetë pushtet kryesor përsa i përket zbatimit të çështjeve të “Interesit Vital” siç i përkufizon edhe draft-Kushtetuta e Kosovës, dhe do të ketë autoritete të gjera ekzekutive në këtë pikëpamje, që janë superiore karshi organeve të zgjedhura të Kosovës. Gjitashtu, prania ndërkombëtare e sigurisë dhe kufizimet drastike për Forcën mbrojtëse të Kosovës (përfshirë numrin e ushtarëve dhe llojet e armatimit) gjithashtu paraqesin një pengesë që Kosova të ushtrojë sovranitet të plotë në aspektin e brendshëm.
Mirëpo më shumë se kufizimet juridike të përcaktuara në Pakon e Ahtisaarit, sfida kryesore për arritjen e kontrollit të plotë mbi territorin e saj (gjë që përkufizon një shtet sovran) do të jetë vazhdimi i funksionimit të strukturave paralele administrative të Serbisë në Kosovë. Sipas Ahtisaarit, ato struktura duhet të shkrihen dhe të legalizohen si pjesë e administratave të reformuara e të decentralizuara komunale. Mirëpo rezistenca e Serbisë dhe e serbëve lokalë, sidomos në veri, i shndërron ato në një sfidë afatgjatë për vendosjen e pushetit të Prishtinës në gjithë territorin e Kosovës. Një shpresë është se serbët, sidomos në jug të Ibrit, do ta shohin dëmin e madh që ju shkakton getoizimi nëpër enklava, varshmëria në strukturat paralele dhe izolimi nga jeta shoqërore dhe politike në Kosovë. Por në anën tjetër, Serbia, siç paralajmëroi edhe qeveria e Beogradit dhe gjesti i Serbisë që të dërgojë ministrin e saj në Mitrovicë në ditën kur Kosova shpallte pavarësinë, tregojnë se Serbia nuk do të heqë dorë nga këto struktura dhe forma aktuale e funksionimit të tyre. Megjithatë, ekzistenca e “zonave gri” të ushtrimit të pushtetit nëpër territorin e Kosovën nuk e anulon realitetin juridik se i gjithë territori i Kosovës njihet si pjesë e një shteti të vetëm me të drejtë ushtrimi të pushtetit në gjithë territorin.
Sido që të jetë, e ardhmja e organizimit të brendshëm administrativ e territorial të Kosovës nuk është çështje e mbyllur njëherë e përgjithmonë. Shumë do të varet edhe nga lëvizjet politike në terren. Në praktikë, rolin dhe pushtetin e PCN-së dhe EULEX-it nuk do ta përckatojnë vetëm teksti literal në Pakon e Ahtisaarit dhe dokumente tjera, por edhe pozicionimi politik që karshi tyre marrin institucionet e Kosovës. Po qe se institucionet e Kosovës i nënshtrohen lehtësisht dhe i japin atij hapësirë të madhe të veprimit, PCN-ja kollaj do të shndërrohet në një PSSP të ri kurse EULEX-i në një UNMIK të dytë (ashtu dhe siç ndodhi në muajt e parë të UNMIK-ut – realiteti politik në muajt pas qershorit 1999 ishte shumë fluid dhe i papërcaktuar, derisa partitë kosovare nuk ia dhuruan UNMIK-ut pushtetin). Presioni politik mund të bëjnë të mundur që EULEX-i të mos jetë një mision pa afat, dhe që gjatë kohës së tij në Kosovë të orientojë presionin e tij drejt shpërbërjes së strukturave paralele. Mirëpo sido që të jetë me punët rreth organizimit të brendshëm të shtetit, njohja ndërkombëtare është një fakt i pandryshueshëm dhe juridikisht i paanulueshëm. Prandaj, domethënia dhe rëndësia e saj politike nuk bën të minimizohet, nëse për asgjë tjetër atëherë për hir të betejave politike që akoma mbesin për t’u bërë. Ato beteja tashmë do të zhvillohen në një kontekst radikalisht tjetër politik, dhe përfundimisht jashtë orbitës së sovranitetit ndërkombëtar të Serbisë mbi Kosovën.
Botuar te Koha Ditore, 21 shkurt 2008.
———–
Në vijim është artikulli origjinal i Shkëlzenit, i cili ka qenë shkak i shkrimit të mësipërm. Ai botohet këtu për hir të lexuesve që janë të interesuar në ndjekjen e debatit.
Logjikë e turbullt
Janar 3, 2008
Ta shpëtojmë politikën nga njerëzit!
Dhjetor 24, 2007
Ahtisaari humbi zgjedhjet
Nëntor 23, 2007
Zyrtari i lartë për politikën e jashtme të BE-se, Javier Solana kritikoi lidershipin kosovar për shkak të besueshmërisë së ulët që ata kanë dëshmuar në mesin e popullatës kosovare, që u tregua nga pjesëmarrja tepër e ulët e votuesve në zgjedhje. Në fakt, pjesëmarrja ishte drastikisht e ulët edhe sipas standardeve rajonale, ku pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare të viteve të fundit vërtitet rreth 50-60%. Mesatarja në Evropën perëndimore (me përjashtim të Zvicrës) për zgjedhjet e fundit arrin në 60-70%. Në shtetet si Danimarka e Belgjika, pjesëmarrja në zgjedhje parlamentare arrin deri në mbi 90%. Pra, ajo që dëshmuam në Kosovë përbën një anomali të konsiderueshme përsa i përket masës së elektoratit që doli në zgjedhje.
Por, a është pjesëmarrja e ulët vetëm, siç mendon Solana, vetëm shprehje e besueshmërisë ndaj lidershipit dhe ndaj partive? Është e qartë se zgjedhjet në Kosovë nuk janë mbajtur në kushte që mesatarisht mund t’i quajmë normale, as institucionale e as politike. Institucionalisht, Kosova është e privuar nga ushtrimi i sovranitetit të vet dhe vazhdon të administrohet nga UNMIK-ut; politikisht, ajo gjendet në një fazë ku po i përkufizohet e ardhmja politike, një proces që akoma karakterizohet nga paqartësi dhe pa garanca për të ardhmen. Në një kontekst të tillë, zgjedhjet nuk ishin thjesht shprehje e preferencave të votuesve për subjekte, kandidatë, apo programe politike, por efektivisht një plebishit ndaj asaj që paraqesin shumica e partive ekzistuese, që është, politikisht, një platformë për të ardhmen e Kosovës bazuar në Pakon e Ahtisaarit.
Është interesante se si gjatë zgjedhjeve, pikërisht kjo çështje fundamentale mbeti e pa adresuar. Kandidatët partiakë folën për ekonominë, problemet sociale, korrupsionin, krimin, si dhe zgjidhjet që ata i kanë për të gjitha këto probleme, po nuk folën për kornizën brenda së cilës ata do t’i kërkojnë këto zgjidhje e do t’i zbatojnë politikat e pretenduara të tyre. Ata folën për qeverisje duke mos e adresuar problemin e sistemit të qeverisjes. Në fakt, as Ahtisaari, e as kushtetuta e ardhshme e Kosovës (që do të kushtëzohet nga Ahtisaari) nuk ishin pjesë e debateve partiake, ndërsa u propozuan programe bombastike e u dhanë premtime të shumta pa mbulesë për zhvilliminin ekonomik, krijimin e dhjetëra mijëra vendeve të punës brenda disa muajve, arsimit, pensionet etj. Lidhur me këtë, do të ishte interesant të studiohet më thellësisht funksionimi i modelit të ri të hegjemonisë që ka ndërtuar UNMIK-u. Në të kaluarën, sunduesit e huaj të një vendi tentonin të ideologjizonin masat, duke manipuluar me ta përmes propagandës, t’ua ndryshonte bindjet politike, të legjitimonte mungesën e lirisë etj.; sot, UNMIK-u ideologjizon partitë politike, ndërsa ua lë atyre punën e manipulimit të masave, gjë që ndodh në mënyrën më efektive gjatë ritualistikës së spektakleve mediale të fushatave zgjedhore. Pra, për tetë vite, UNMIK-u dhe ndihmësit e saj të zyrave diplomatike, edukuan partitë politike kosovare që të mos merren me çështje fundamentale, por me “problemet e jetës së përditshme”, e kjo në fakt ndodhi tani. Kuptohet, çështja nuk është, siç pohojnë disa, të zgjedhet midis diskutimit të problemeve fundamentale dhe problemeve të përditshme, thuajse kemi të bëjmë me dy gjëra të kundërta. Çështja është të tejkalohet kjo dikotomi e false dhe të zbulohen lidhjet e drejtpërdrejta midis çështjeve fundamentale dhe problemeve të jetës së përditshme. Politika reale, madje, nuk është gjë tjetër pos proces identifikimi dhe adresimi pikërisht i lidhjeve të tilla.
Sido që të jetë, duket se pas zgjedhjeve, mandati i lidershipit të ri nën udhëheqjen e PDK-së për ta çuar Kosovën drejt rrugës që ia ka trasuar administrimi i i vazhdueshëm ndërkombëtar (që fshihet mbrapa eufemizmit të pavarësisë) sipas Pakos së Ahtisaarit, tashmë nuk është krejt i qartë. Ta përkujtojmë faktin se i njëjti Solana vetëm pak vite më parë kishte insistuar që në Mal të Zi, referendumi për pavarësi të njihet si valid vetëm nëse vota PËR në të kalon 55%-shin. Me këtë llogari, një referendum për Pakon e Ahtisaarit në Kosovë do të dështonte totalisht. Nëse marrim parasysh daljen e jo më shumë se 45% të zgjedhësve në votime, domethënë se më pak se gjysma e kosovarëve mbështesin opsionin e Ahtisaarit (duke konsideruar se as subjektet e reja, AKR dhe LDD, nuk dolën me kundërplatformë). Madje, nëse konsiderojmë se bërthama e “Bllokut Ahtisaari”, që përfshin subjektet e përfaqësuara në Ekipin e Unitetit (LDK, PDK, AAK, ORA, e ku mund të radhisim edhe mediat dhe elementet tjera të shoqërisë civile që mbështesin këtë bllok), arriten të nxjerrin në votime pak më shumë se 30% të elektoratit, kjo vë në sprovë të madhe projektin politik që këto parti kanë krijuar e që vazhdojnë të mbështesin në mënyrë të pa epur, kur mbështetja e përgjithshme në elektorat për elementin e përbashkët të të gjitha këtyre partive, përbën jo më shumë se një minoritet politik. Natyrisht, duhet të eliminojmë kundërshtinë naive ndaj këtij argumenti, se kjo që po thuhet këtu nuk është valide sepse votuesit e partive të sipërcekura nuk kanë dalur që me vetëdije të votojnë për këto parti duke menduar se me këtë akt ata mbështesin Pakon e Ahtisaarit. Por, pavarësisht nëse votuesit individualë e kanë bërë këtë me vetëdije apo jo, ky është mesazhi politik që ky elektorat ka çuar, pasi që ata kanë votuar për parti që e kanë bërë më se të qartë se mbështesin projektin e një Kosove ahtisaariane. Ndërsa tashmë rezulton se ky elektorat përbën vetëm një pakicë.
Fakti që “Blloku Ahtisaari” nuk arriti të mobilizojë as gjysmën e elektoratit, bën shumë të dyshimtë mandatin e fituesit brenda këtij blloku, PDK-së, dhe aleatëve të saj të ardhshem të koalicionit, që të zbatojnë një zgjidhje të tillë. Sigurisht se shumë çështje mbesin akoma të paqarta, pas rikonfigurimeve që do të ndodhin në ulëset e Kuvendit dhe në postet qeveritare, si dhe për atë që do të ndodh pas përfundimit të raundit të dytë të bisedimeve me Serbinë më 10 dhjetor. Mirëpo mesazhi nga këto zgjedhje, të paktën për një çështje, është i qartë: Ahtisaari nuk e kalon pragun e një zgjidhjeje të pranueshme, dhe lidershipi i ri por edhe diplomacia perëndimore duhet ta mendojë mirë çmimin e destablitetit potencial në Kosovë nëse ajo imponon një zgjidhje që nuk gëzon mbështetjen e as legjitimitetin e shumicës. E, të mos harrojmë, terreni për ta pushtuar mazhorancën akoma të paartikuluar politike të Kosovës mbetët akoma i hapur, prandaj edhe kthesat politike që mund t’i shohim në periudhën që po vjen mund të jenë edhe më drastike se sa rezultatet e këtyre zgjedhjeve.
Botuar te Koha Ditore, 23 nëntor 2007
Jeta e vështirë në botën e kapitalizmit neoliberal
Tetor 25, 2007
Fatkeqsisht, disa koncepte, të ashtuquajtura “tepër abstrakte” nga mendjet naive, e me anën e së cilave shpjegohen realitetet shoqërore, fillojnë e bëhen të kuptueshme vetëm kur shfaqjet e tyre të jenë bërë të prekshme e të ndjeshme në jetën e përditshme. Pra, kur tentojmë që realitetet shoqërore në Kosovë t’i vëjmë nën shënjuesin “neoliberalizëm”, disa ngrisin vetullat, disa bëhen si të shurdhër, disa kthejnë kokën dhe heqin vëmendjen duke menduar se koncepte të tilla nuk kanë lidhje me realitetet shoqërore në Kosovë, apo se janë gjëra që dalin nga librat e të nevojshme për persiatjet llomotitëse të akademikëve por jo për qytetarin mesatar. Mirëpo realiteti shoqëror është gjithmonë një realitet i prekshëm – apo, thënë hegeliançe, shfaqja e Idesë në fund është gjithmonë konkrete – prandaj edhe kapitalizmin neoliberal mund ta ilustrojmë tragjikisht bukur duke përdorur fatkeqsitë sociale që shkaktohen nga vetë ai. Dhe a përshkruhet më saktë dhe më ilustrativisht tragjedia sociale në Kosovë se sa prej dy dukurive që tranden vëmendjen e pothuajse secilit qytetar (pos, tashmë dihet, pushtetit në Kosovë): greva e urisë e arsimtarëve dhe rritja, ndër artikujt e tjerë elementar, e çmimit të bukës. Për atë që akoma hamendet nga zhvillime të tilla, e që i dhemb fakti se dita-ditës arsimi publik shkon drejt humnerës ndërsa vetë ai shkon drejt varfërimit të mëtejmë nga fakti se duhet të paguaj më shumë për gjëra si buka, vaji e qumështi, i themi me plot zemër: mirësevjen në botën e kapitalizmit neoliberal, dhuratë kjo nga UNMIK-u dhe qeveria e Kosovës!
T’ia nisim nga e para. Partitë tona të arrira politike, kanë lluksin e paparamendueshëm në asnjë vend të botës, që të ulën dhe të flasin për ideologjinë sikur të bënin llaf për tema nga beleristika apo astronomia. Por, a s’është pikërisht ky lloj distancimi artificial nga ideologjia (që vetëvetiu përbën një akt ideologjik), dëshmia më e fuqishme se këto organizata politike janë fundamentalisht të privuara nga mjetet e prodhimit ideologjik, e me këtë rrjedhimisht edhe nga aftësia për të vepruar politikisht? Çfarë dua të them me këtë: them se pikërisht duke mohuar ideologjinë, ato DËSHMOJNË se janë të nënshtruara, të subjektifikuara e të interpeluara (në kuptimin althusser-ian të fjalës) ideologjikisht nga ideologjia dominante, neoliberalizmi. Realiteti është kështu: të bësh politikë pa ideologji (siç pretendojnë partitë kosovare) është sikur të pretendosh se jeton pa marrë frymë – kaq e pashkëputshme është lidhja midis ideologjisë dhe politikës. Kështu, ta pranosh se je ideologjik në politikë është fare normale – por të thuash se je bën politikë jo-ideologjike është ta pranosh se je rob total i ideologjisë dominante. Në Kosovë kjo çështje është edhe më e ndërlikuar se kaq, sepse neoliberalizmi është i sedimentuar nën petkun e të të ashtuquajturit administrim post-politik: me një fjalë, doktrinës dominante se politika sot nuk është asgjë tjetër pos administrim i gjërave, se politika është thjesht çështje e asaj se cili e rregullon rrugën e e shtron kanalizimin më mirë e më hijeshëm se tjetri. Aq më tepër, tashmë që, sipas neoliberalëve, i kemi thënë lamtumirën e fundit Marksit, edhe koncepti i klasës na qenka fare i panevojshëm për t’i kuptuar realitetet shoqërore në botën tonë (të skamjes) postmoderne!
Por t’i lëjmë mënjanë neoliberalët dhe miqtë e tyre postmodernistë – këto realitete të përshkruara më sipër më së miri e kuptojmë nga reagimi i qeverisë ndaj dy dukurive të lartpërmendura. Ndaj arsimtarëve grevistë, kërkesa e të cilëve është që në vend të lëmoshës mujore, të marrin një shpërblim adekuat për punën e tyre, qeveria, më saktësisht vetë ministri i Arsimit, para se t’i jepte fund skandalit të grevës së urisë duke u hedhur para syve arsimtarëve edhe një dokument me premtime të kota, i ishte përgjegjur se paga e arsimtarëve nuk mund të ndryshojë, sepse politika fiskale dhe buxheti nuk vendosen nga Ministria e Arsimit, ajo vendoset nga qeveria, e më tej, vendoset me marrëveshjet që Kosova paska me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankën Botërore. Vetëm kaq i duhet qeverisë kosovare të vërtetojë se i nënshtrohet qorrazi doktrinës neoliberale që promovohet (dhe imponohet) nga këto institucione financiare, me një fjalë, se pranojnë, pa i konsideruar pasojat sociale, “reçetat” e tyre për “reforma ekonomike”. E këto reçeta të “reformave ekonomike” përfshijnë pak a shumë këto elemente: në emër të “reformave strukturore”, ato diktojnë reduktimin e buxheteve qeveritare për shërbime esenciale publike siç janë arsimi, shëndetsia dhe asistenca sociale (kujto këtu nivelin qesharak të pensioneve, e të pagave që marrin pensionistët, arsimtarët dhe ata që varen nga asistenca sociale); por më shumë se kaq, ato synojnë eliminimin e shtetit si mjet për intervenim në ekonomi, e burim zgjidhjesh sociale, siç janë banimi, shkollimi, madje edhe pensionet, duke i shndërruar ato në një përgjegjësi individuale e duke pritur që zgjidhjet të vijnë nga “tregu” (duke provokuar një varg reaksionesh siç janë rritja e shkollimit privat dhe pabarazinë në arsim, varfërimin e pensionistëve, rritjën e varshmërisë në familjen dhe rrjetet familjare për realizimin e nevojave esenciale etj.); privatizimi i pamëshirshëm i ndërmarrjeve shtetërore dhe publike (kujto këtu tendencat për privatizimin e PTK-së, KEK-ut, minierave e, ndoshta nesër, në mungesë gjithnjë e më të madhe të tij, edhe ujit); hapja e plotë e tregut për import, duke eliminuar barrierat siç janë doganat, kuotat dhe tarifat e importit (kujto këtu disbalansin drastik midis importit dhe eksportit në ekonominë kosovare dhe pushtimin pothuaj të plotë të tregut të konsumit me artikuj të importuar); hapjen e ekonomive për investime të jashtme, duke krijuar kushte të “favorshme” për investime nga jashtë, që zakonisht nënkupton shfrytëzimin sa më të lehtë dhe të lirë të resurseve natyrore dhe të fuqisë punëtore nga kompanitë multinacionale, të cilave madje u jepen privilegje të ndryshme tatimore (ashtu sikur kompanitë e mëdha të jashtme që nuk paguajnë tatime në Kosovë); në mënyrë që të lehtësohet shfrytëzimi i punëtorëve, synohet dobësimi apo edhe shkatërrimi i sindikatave, duke individualizuar punëtorin dhe duke e vënë atë në pozitë vunerabël karshi punëdhënësit; nga presionet ekonomike, shfaqen dukuritë e vrazhda dhe me pasoja afatgjate sikur ato të shfrytëzimit të fëmijeve për punë (prishtinansve të mësuar me fëmijët cigareshitës nëpër qytet nuk u duhen tepër detaje për ta kuptuar fenomenin). E kjo, pra nënshtrimi dhe ndjekja e verbër e politikave neoliberale nga qeveritë e njëpasnjëshme unmikiane, tashmë siç është evidente, ka pasojat strukturore si në vijim: moszgjidhjen e problemit të papunësisë, rënien e cilësisë së shërbimeve publike, shkatërrimin e sektorit publik, krijimin e një ekonomie jashtë çdo parashikimi e kontrolli, rritjen e pabarazive sociale dhe klasore, denigrimin e shtetit (përveç aspektëve të tij penalo-policore, të cilat kultivohen me kujdes të veçantë), përhapjen dhe thellimin e praktikave korruptive, shtimin e aktivitetit kriminal, ndërtimin e një shteti laissez-faire, jo-intervencionist, të gjitha këto nën besimin se një shtet i angazhuar në sferën sociale është fare i panevojshëm, sepse “tregu zgjidh të gjitha problemet”.
Këtë të fundit, na e vërteton sërish qeveria me veprimet e veta karshi rritjes së çmimit të bukës. Me rastin e shtrenjtimit të bukës, që ndodh si pasojë e një shteti që zgjidhjet për çdo gjë e pret nga tregu (pra edhe kontrollin e furnizimit me artikuj elemetar për jetë), një zyrtar i qeverisë deklaroi se meqë sot gjendemi në një ekonomi të tregut, nuk është problem i qeverisë se sa lirohet apo shtrejtohet buka. Me një fjalë, nëse sot fëmijet e familjeve të varfëra në Kosovë shkojnë në shtrat të uritur sepse paga prej një punëtori të thjeshtë apo asistenca sociale prej dhjetëra eurove nuk mjafton as për ta mbushur stomakun, ky nuk është problem i qeverisë, sepse zgjidhjet për këtë i ka tregu! E pikërisht kjo doktrinë, se tregu i ka zgjidhjet dhe qeveria dhe shteti janë aty thjesht për t’i administruar gjërat nga sipër (pa çka se shtresa të tëra të popullatës jetojnë në varfëri ekstreme), është në esencë të doktrinës neoliberale, doktrinë që është në themel të projektit aktual shtetformues në Kosovë, pasojat e së cilave shihen jo vetëm në statistika abstrakte por ndjehen rëndë në jetën e përditshme.
Cili është burimi i neoliberalizmit si doktrinë ekonomike e politike? Për fat të keq, hapësira në këtë shkrim nuk lejon që të diskutoj në detaje këtë çështje, megjithëse për këtë gjë kam bërë fjalë në shkrime të mëhershme. Por një gjë është e qartë: në Kosovë, ashtu sikur në vendet tjera në zhvillim, neoliberalizmi imponohet në radhë të parë përmes atyre që sociologu Pierre Bourdieu një herë i pat quajtur “agjentë të armatosur” të tij: FMN-së, Bankës Botërore dhe institucioneve tjera financiare ndërkombëtare. Si institucione financiare, ato synojnë në radhë të parë përmbushjen jo të interesave zhvillimore të shteteve klientë, por interesat e veta si institucione huadhënëse. Mirëpo ky kalkulus elementar nuk merret parasysh nga politikanët aktualë: ata, qoftë nga përtacia, qoftë nga naiviteti, qoftë nga besimi i verbër që kanë tek padronët “ndërkombëtarë”, apo qoftë thjesht nga papërgjegjësia, nuk janë në gjendje të ballafaqohen me seriozitetin e duhur me pasojat strukturore të politikave që ata vetë i zbatojnë në Kosovë. Ata madje nuk ndjehen aspak përgjegjës për realitetin e krijuar: a nuk është indikative e kësaj ngarendja e liderëve kryesorë politikë, atyre pra të tubuar pranë Ekipit të Unitetit, për të dalë të buzëqeshur në fotografi me çfarëdo diplomati e asistenti të dorës së dytë që vjen nga jashtë, e për të mos i konsideruar arsimtarët grevistë të denjë as edhe për një vizitë kortuazie? Për më tepër, a ka poshtërsi më të madhe për një qeveri se t’i dalë përpara punonjësve të arsimit, disa në gjendje të rënduar shëndëtsore pas ditëve të tëra në grevë urie, apo një populli të tërë që goditet nga shtrenjtimi i bukës, e t’u thotë, thjesht, “valla duroni se s’kemi çka t’ju bëjmë”!
Por ky nuk është problemi kryesor. Problemi kryesor është pikërisht paaftësia e politikës kosovare për ta prodhuar një krah progresiv që është në gjendje ta artikulojë një opozitë ndaj këtij lloj robërimi të ri shoqëror e ekonomik të Kosovës. Të paaftë për ta artikuluar një opozitë të tillë, duke ofruar një platformë alternative të zhvillimit ekonomik dhe social që nuk i nënshtrohet verbërisht “reçetave” të FMN-së dhe Bankës Botërore, politika kosovare sot mbetet një rob (i pavetëdijshëm) ideologjik i neoliberalizmit, ndërsa shoqëria kosovare një viktimë (gjithnjë e më e vetëdijshme) e politikave neoliberale. Aq më tepër, kjo formë e nënshtrimit garantohet të vazhdojë edhe në të ardhmen – edhe Pakoja e Ahtisaarit i jep Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar (“kryeadministratorit” të ri ndërkombëtar të Kosovës) jo vetëm pushtetin mbi implementimin e elementeve të pakos që kanë të bëjnë me raportet e Kosovës me minoritetin serb, siç janë decentralizimi, por edhe pushtet “konsultativ” për buxhetin e Kosovës dhe në emërimin e njerëzve në pozitat kyçe qeveritare të fushës ekonomike (ministrave të Financave dhe të Ekonomisë, drejtuesit të Bankës Qendrore të Kosovës etj.) – funksione këto që ashiqare s’kanë asnjë lidhje me të drejtat e minoriteteve. Kjo formulë institucionale, të cilën lidershipi aktual politik vazhdon ta mbrojë me një këmbëngulje habitëse (por mbase të pritshme), vetëm formalizon më tej aranzhmanin aktual ku Kosova nuk gëzon as të drejtën elementare të qeverisjes së mëvetshme me buxhetin e saj publik e me resurset e veta ekonomike. Aq më tepër që një nga prioritetet kryesore të pavarësisë ahtisaariane, siç e proklamon vetë dokumenti i Ahtisaarit, nuk është anëtarësimi në BE apo në NATO, por shndërrimin me procedurë sa më të shpejt në klient të FMN-së dhe Bankës Botërore!
Deri tani, politika kosovare, e humbur diku në një botë diplomatësh, takimesh protokolare, e pallatesh të ndryshme të akëcilës Ministri të huaj të Jashtme, ka pasur llogari që të injorojë dimensionin social të problemeve politike në Kosovë. Liderët kryesorë politik madje, e shohin si diçka krejt përfundi mandatit të tyre, që të adresojnë me vëmendje e seriozitet nevojat sociale e ekonomike në Kosovë, duke ua lënë këto çështje ministrave individualë dhe zyrtarëve të rendit të dytë e të tretë (p.sh. kryetari i Kosovës, tepër i nxënë me çështjet e mëdha të statusit, nuk e pa të udhës që të merret me problemin e arsimtarëve grevistë, apo ta thotë ndonjë fjalë lidhur me shtrenjtimet). Lidershipi politik, madje, në përpjekje për ta dëbuar nga vetja përgjegjësinë për gjendjen ekonomike në Kosovë, ka zakon që të kërkojë në vazhdimësi nga populli i Kosovës që t’i durojë vështirësitë ekonomike e dukuritë sociale si sakrifica që bëhen për të shenjtën pavarësi. A ka demagogji më të madhe se kjo? Kisha dashur ta dijë, se çfarë mendon ky lidership politik: çfarë vlere ka pavarësia, përveç asaj simbolike, nëse ajo nuk krijon mundësitë dhe nuk ia jep mjetet e duhura shoqërisë kosovare, për zhvillimin dhe emancipimin e vet politik, ekonomik e social? Kujt i duhet një pavarësi që reduktohet në asgjë më shumë se në mite boshe, në traktate ndërkombëtare, në zgjedhje ritualistike, në deklarata politike apo në një flamur (edhe ashtu artificial)? E kjo përbën pikërisht thelbin e çështjes: ka ardhur koha që të përfundojë ky maskarallëk dhe që edhe kuptimi i pavarësisë të kthehet në vend: jo si një qëllim i shënjtë që banon diku në një botë mistike të nacionalizmit romantik, që konsumohet në simbole, rituale, e mitologji politike, por si një synim konkret politik i domosdoshëm për zhvillimin dhe emancipimin shoqëror e demokratik të Kosovës. Kjo do të ishte në thelb të një platforme progresive politike: mosndarja artificiale e çështjes nacionale nga çështja sociale, duke i konsideruar ato, siç edhe janë, dy anë të së njëjtës medalje. Prandaj, kundër të gjithëve që argumentojnë se pavarësia është thjesht një formalitet, se statusi është çështje e dorës së dytë pasi që sot kemi institucionet etj., ju themi jo! Pikërisht mungesa e një pavarësie substanciale është shkaku i asaj pse arsimtarët sot nuk kanë paga të mirëfillta ndërsa çmimi i bukës rëndon pamëshirshëm buxhetin e hollë të familjeve kosovare. Pikërisht mungesa e një demokracie reale në Kosovë sot privilegjon në pikëpamje politike, ekonomike e sociale një pakicë dhe nënshtron politikisht e ekonomikisht shumicën. Ta krijojmë pra një bazë të qartë për ndarjen e re politike: atyre që u konvenon formula e një shteti formalist, të përbërë nga disa institucione pa peshë, disa poste pa pushtet dhe një qeveri të tëhuajtur nga populli që e çon Kosovën andej nga t’i thotë FMN-ja, Banka Botërore apo akëcili zyrtar i huaj, dhe ata që kanë nevojë për një shtet real, për një demokraci shoqërore e për një shtet që intervenon ndjeshëm në jetën shoqërore e ekonomike dhe njëkohësisht mbron të drejtat civile e politike të çdo qytetari. Vetëm mbi një ndarje të tillë mund të ndërtohet baza për një politikë të vërtetë dhe një projekt alternativ politik nga ai i djerrinës kolektive që po krijon dita-ditës projekti i sotëm politik i kapitalizmit neoliberal.
Botuar te Koha Ditore, 24 tetor 2007.
Shoqëria e oportunistëve civilë
Tetor 11, 2007
A është për t’u mirëpritur fluksi i figurave publike që në javët e fundit ngarendën pas qerreve partiake, për të zën edhe ata diku një vend në mesin e “politikajve”? Fjala këtu nuk është për figura të vjetra politike (si Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, apo Kaçusha Jashari) që synojnë të kthehen në lojën nga e cila ishin përjashtuar më parë. Fjala është për figurat që deri dje mbaheshin si përfaqësues të “shoqërisë civile” dhe që ngarenden që, qoftë në figurën e kandidatit për deputet, qoftë në atë të këshilltarit partiak, kërkojnë të bëjnë për vete një strofull partiak duke u futur në lojën politike dhe duke u kapur dorë për dore me po ata politikanë dhe ato parti që deri dje i kishin denoncuar deri në kupë të qiellit, disa madje duke i cilësuar si përgjegjës për dukuritë ndër më të këqijat në Kosovën e pasluftës. Ç’është kjo dukuri dhe çka flet kjo për karakterin e asaj që vazhdon të njihet si “shoqëri civile”?
T’ia nisim nga e para. Ne që merremi me teori jemi shpesh në thumb të të ashtuquajturve “prakticientë” që mohojnë teorinë por që megjithatë mendojnë e veprojnë me koncepte të tilla që një kritikë teorike i dëshmon të jenë jo thjesht fiktive, por fiksione të tilla që japin një imazh të shtrëmbëruar të marrëdhënieve shoqërore e të rolit të grupeve e individëve në kuadër të tyre. Kjo vlen edhe për rolin shoqëror që këta “prakticientë” ia përcaktojnë vetëvetes. A nuk ishte kjo në themel të kritikës që Marksi i bëri politikës ekonomike, duke dëshmuar se kjo e ashtuquajtur “shkencë e ekonomisë” përbënte një ideologji që maskonte marrëdhëniet kapitaliste të shfrytëzimit? A nuk është kjo gjithashtu në themel të shkencës së sociologjisë – jo për të teoretizuar marrëdhëniet shoqërore sipas vetëpërshkrimeve që japin për veten dhe për aktivitetet e tyre aktorët shoqërorë, por për të zbërthyer mënyrat se si aktiviteti i aktorëve të caktuar shoqëror artikulon me marrëdhëniet dhe strukturat shoqërore në përgjithësi? Teoria nuk është një ushtrim i kotë intelektual (siç pretendojnë “prakticientët” anti-teorik), por ndërton bazën për ndërtimin e çfarëdo orientimi normativ politik e shoqëror. Në rastin tonë konkret të kritikës politike kemi të bëjmë me mënyrën e shfrytëzimit (dhe të keqpërdorimit) të konceptit – apo më mirë të themi, ideologjisë – të shoqërisë civile. A nuk është ky një koncept që vazhdon të shfrytëzohet vazhdimisht nga një segment njerëzish tani edhe pas angazhimit politik, si mbulesë e aktiviteteve të tyre, duke tentuar kështu të minimizojnë nga vetja përgjegjësinë që u takon atyre nga një angazhim i drejtpërdrejtë politik? Madje, shoqëria civile është shndërruar në një lloj “branding”-u që vazhdimisht i klasifikon disa individë të caktuar, thuajse jashtë qenies dhe frymës së tyre nuk ekziston asgjë që mund ta mbajë emrin e shoqërisë civile në Kosovë. Kështu, na krijohet përshtypja se “shoqëria civile” përbën ndonjë gradë të veçantë (siç është një diplomë shkollore apo gradë ushtarake) që individë të caktuar do të mbajnë përjetësisht me vete, kudo që i çon rrugëtimi i tyre jetësor. Madje edhe kur futen në politikë, ata janë aty vetëm si “përfaqësues të shoqërisë civile”. A ekziston ndonjë fyerje më të madhe për inteligjencën e çdo qytetari mesatar, se sa një manipulim i tillë ideologjik? Ky lloj privatizimi, personalizimi dhe sektizimi i shoqërisë civile ka një histori të vetën, por problemi tashmë bëhet shumë serioz kur disa tentojnë që “shoqërinë civile” ta përdorin si trampolinën kryesore mbi të cilën e mbështesin katapultimin e tyre në politikë.
Pa dyshim, zgjedhja për t’u futur në politikë është, në një vend me demokraci përfaqësuese siç mëton të jetë Kosova, e drejtë e secilit individ. Me këtë shkrim unë nuk synoj (larg asaj) që ta kontestoj të drejtën e cilitdo që do të anëtarësohet në parti politike, të futet në politikën institucionale, të kandidohet për post politik, të ofrojë shërbimet e veta ndaj organizatave partiake etj. Mirëpo, për figura publike, për ata që deri dje mbaheshin si “figura të pavarura”, gazetarë e analistë, profesorë e specialistë, e aktivistë të sektorit jo-qeveritar, a nuk e meriton publiku kosovar një sqarim për zgjedhjen tuaj për t’u futur në politikë, për orientimet e juaja politike e ideologjike, për arsyet që ju afruan me partinë X apo liderin Y (aq më tepër kur ndaj të njëjtave subjekte politike, disa prej jush nuk kishit kursyer denoncimet nga më të poshtrat)? A meriton publiku kosovar një sqarim nga ju (siç bëri, p.sh., në mënyrë shembullore, Halil Matoshi, me letrën e tij përshëndetëse ndaj ish-kolegëve gazëtarë për largimin e tij nga gazetaria dhe kandidimin e tij për deputet)? Apo kemi të drejtë që, meqë ndërmerrni veprime kontradiktore pa dhënë sqarime të mirëfillta, të ju konsiderojmë thjesht si oportunistë të momentit, se ndoshta keni zbuluar se reputacioni i shoqërisë civile nuk kryeka punë në Kosovë, e se jeta nuk u bëka pa kultivuar “lidhje të forta” me njerëzit në pushtet e me ata që ndoshta nesër do ta marrin pushtetin?
Nuk kam ndërmend të merrem me emra të përveçëm, aq më tepër kur fjala nuk është për veprime individuale por për një fluks të përgjithshëm që ka kapluar të ashtuquajturën “shoqëri civile”, për t’u vënë pas ndonjë partie apo ndonjë lideri politik dhe për ta kërkuar një vend në tyrezat e pushtetit. Mjafton të shikoni listat e kandidatëve për deputetë, apo listat e këshilltarëve partiakë, e do të shihni aty (siç e kanë vënë re edhe gazetarët) shumë emra të njohur publik që pas një distancimi shumëvjeçar nga aktiviteti i drejtpërdrejtë politik, vendosin t’i bashkohen garave elektorale dhe synimeve për pushtet. E përsëris se është e drejtë e secilit, edhe brenda këtij kuadri të dyshimtë e të brishtë të demokracisë në Kosovë, të vendos të kandidohet për post publik, të anëtarësohet në parti politike, të garojë për pushtet, të mbështes haptazi partitë që garojnë për pushtet etj. Por, përkundër aparencës, organizimet partiake nuk janë ndërmarrje private as vende ku synohet realizimi i aspiratave private apo karrieriste, siç bëhen ato në një firmë apo ndërmarrje. Organizimet partiake, si organizime politike që synojnë marrjen e pushtetit, janë në radhë të parë bashkime rreth një programi moralo-politik, domethënë bashkime të cilat për bazë kanë besimin në disa vlera fundamentale dhe në disa qëllime fundamentale politike. Është i papranueshëm ky instrumentalizim i partive, që tashmë po bëhet haptazi, si zgjedhje personale e individuale që bëhet për avancimin e karrierës personale apo realizimin e synimeve të formimit profesional, apo një angazhim që asyetohet thjesht si i shtyrë nga “dëshira për ta ndihmuar vendin”. Bashkëngjitja në çfarëdo forme një organizimi partiak nuk është çëshje karriere e as ndonjë vendimi që i takon ekskluzivisht sferës private të individit, por është në radhë të parë një akt personal politik, për më tepër është një akt publik, dhe si i tillë ai duhet të justifikohet. Kjo vlen sidomos kur ky akt personal politik ndërmerret nga figura publike që me vite e ndoshta edhe dekada janë përpjekur (apo të paktën kështu kanë pretenduar) t’i ndërtojnë e artikulojnë disa standarde politike e qytetare në Kosovë, kundër standardeve të jetësuara nga po ato parti politike që ata sot i përqafojnë me përmallim. Dhe ky akt individual politik duhet të justifikohet, sidomos nga ata që deri dje pretendonin të ruanin një distancë parimore nga pushteti, e nga ata që kanë obligim moral e profesional (siç janë gazetarët dhe profesorët universitarë) ta bëjnë një gjë të tillë. Por justifikime të këtilla për këto sallto mortale që i dëshmuam kohëve të fundit s’i dëgjuam publikisht nga asnjë nga figurat e deridjeshme publike që vendosen të angazhohen në organizma partiake (me përjashtim, edhe një herë, të deklarimit publik të Halil Matoshit).
Megjithatë, dy gjëra duhet të jenë të qarta: ata që kanë vendosur t’i bashkohen politikës institucionale, duhet të heqin dorë përfundimisht nga pretendimi i tyre se kanë lidhje me shoqërinë civile, qoftë kjo shoqëri civile e përfaqësuar nga aktiviteti shoqëror joqeveritar, nga mësimdhënia universitare, nga gazetaria, nga puna studimore, apo çfarëdo aktiviteti tjetër me peshë publike që zhvillohet në sektorin jo-qeveritar. Ju zonja dhe zotërinjë, që vendoset të futeni në politikën institucionale në poste politike (kjo vlen edhe për postin e këshilltarit partiak, që përkundër përshkrimeve sterile të disave, është post politik), që kapitalin tuaj akademik, intelektual e profesional e investoni në një grupim të caktuar politik, aq më tepër brenda një skene politike që vuan nga një krizë e përgjithshme legjitimiteti, e që është në zor të madh që ta kthejë kredibilitetin e vet duke rekrutuar jashtë radhëve partiake, tash e tutje do të trajtoheni si të tillë: figura partiake dhe persona që kanë politikën si vokacion (mu ashtu siç e ka përkufizuar këtë gjë para shumë dekadave Max Weber-i). Si figura politike, ndani përgjegjësinë e plotë me fatin (e tashëm dhe të kaluar, me të gjitha të mirat dhe të këqijat) të partisë dhe të lidershipit partiak që ju keni zgjedhur të përkrahni apo të së cilës jeni bërë pjesë. Si figura politike, nuk keni të drejtë të kërkoni mbulesë për veprimet tuaja dhe për përgjegjësinë tuaj të drejtpërdrejtë politike në një sferë jopolitike, në “shoqërinë civile”, në profesionalizmin e në integritetin tuaj personal, e në të kaluarën tuaj. Mos kërkoni që barrën tuaj politike ta lehtësoni duke pretenduar se në politikë po hyni “vetëm përkohësisht”, sa për “t’i ndihmuar proceset”, për “t’i kontribuar vendit” etj. Ju tashmë jeni pozicionuar politikisht, dhe jeni pozicionuar qartë! Bëhuni aq të denjë që t’i mbroni këto qëndrime politike, e mos u fshihni mbrapa “shoqërisë civile” e as mos e ruani atë si një lloj “dalje emergjente” (“emergency exit”) nga politika përmes së cilës do ta mohoni çdo përgjegjësi nga vetja për ato që do të ndodhin gjatë karrierës suaj politike.
E dyta, ju që i bashkoheni radhëve të partive dhe që në ndërkohë kërkoni që pozicionimin tuaj aty ta kategorizoni me etiketetën e shoqërisë civile, apo ta karakterizoni si një angazhim të thjesht profesional, mos na fyeni neve që vazhdojmë të besojmë se aktiviteti shoqëroro-politik mund të bëhet edhe jashtë kornizave të politikës institucionale, madje se një aktivitet i tillë është një domosdoshmëri e patejkalueshme për ndryshime qenësore në shoqërinë tonë. Mos abuzoni më tej me këtë term aq të keqpërdorur, duke provuar që të thirreni në shoqërinë civile për ta shpërlarë vetën nga barra e përgjegjësisë që keni marrë mbi vete nga momenti që keni vendosur të orientoheni politikisht e partiakisht, e sidomos nga përgjegjësia eventuale që do të mbani në të ardhmen për shkak të veprimeve të organizatave politike të cilave ju i takoni apo që tashmë i mbështesni në mënyrë të drejtpërdrejtë. Por ju, po qe se doni, shoqërinë civile mundeni edhe ta merrni me vete në postet zyrtare politike që do të mbani, por me këtë vetëm sa do të na bëni me dije neve të tjerëve se edhe aktivizmi juaj në “shoqëri civile”, edhe ai i sotmi politik, nuk paskësh qenë një angazhim parimor, por asgjë më shumë se një oportunizëm i kohës.
Botuar te Koha Ditore, 11 tetor 2007
Një analizë për Rusinë nga Economist
Gusht 28, 2007
Numri i ri i revistës The Economist jep një vështrim interesant për politikën gjithnjë e më imponuese të Rusisë. Artikulli mund të lexohet këtu. Sipas saj, një nga shkaqet e kësaj është mbushja e aparatit shtetëror rus me ish-pjesëtarë të KGB-së. Vizioni i tyre për marrëdhëniet globale është i ashpër, ndërsa ata duan që Rusia të rikthejë rolin e saj të një superfuqie, me rival kryesor Perëndimin. Por megjithë fuqinë në rritje të Rusisë, artikulli numron dobësitë strukturore të këtij shteti. Pavarësisht nga kjo, gjykuar nga kjo situatë duket se Kosova do të jetë vazhdojë të jetë viktimë e politikës gjithnjë e më arrogante ruse në marrëdhëniet e saj me Perëndimin.
Kujt i duhet shteti?
Korrik 8, 2007
Është interesant të shtrohet kjo pyetje sot: kujt i duhet shteti? Shteti nuk është mistifikim, as ndonjë substancë magjike; ai nuk është simbol, as altar para të cilit duhet përkulur e falur. Shteti është krijesë shoqërore; si e tillë, ai është një krijesë materiale me funksion dhe rol të caktuar në marrëdhëniet shoqërore.
Rolin e shtetit më së miri do ta kuptojmë duke u nisur nga realiteti i grevave, të cilat i kemi përjetuar shpesh në Kosovë në vitet e fundit, duke filluar nga punonjësit e arsimit, deri te ata të shëndetsisë e të shërbimeve publike – të gjithë këta sektorë të rrezikuar nga ritmi i pandalur i privatizimeve dhe shkatërrimit të sektorit publik, bosht ky i politikës neoliberale të institucionalizuar në Kosovë nën petkun e “modernizmit” të ekonomisë (lexo: zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve monetare në të gjitha sferat e jetës). Por dukuria e grevave të shpeshta të punonjësve publikë dhe kundërthëniet rreth tyre kanë nxjerr në shesh një të vërtetë të thjeshtë: se populli i Kosovës tashmë është ndarë në dy grupe sociale, në ata që kanë dhe ata që nuk kanë nevojë për shtetin. Ndërsa disa kanë nevojë për funksionin efektiv, të drejtë dhe gjithpërfshirës të shtetit, siç janë grevistët të cilët presin shpërblim adekuat për punën që kryejnë si shërbëtorë civilë dhe publikë, për të tjerët shteti është thjesht një instrument, për disa edhe një pengesë.
Është bërë një fakt pothuaj evident se gjatë viteve të pasluftës në Kosovë ka lindur një klasë njerëzish e cila realisht nuk ka nevojë për shtetin. Të mbështetur materialisht dhe ekzistencialisht në tregun e një variante primitive por megjithatë të globalizuar të kapitalizmit, duke jetuar brenda kornizave ekonomike por jashtë kushteve materiale në të cilat jetojnë shumica e popullsisë kosovare, kjo klasë, me prejardhje nga më të ndryshmet sociale, familjare e rajonale, gradualisht po realizon nevojat e veta jashtë kuadrit të shtetit publik, për të jetuar në një univers paralel të jetës së bollëkut midis varfërisë dhe degradimit social të përmasave katastrofike. Të siguruar nga sigurime private, të izoluar nëpër rezidenca gati të blinduara, tani edhe të shkolluar nëpër shkolla private, ky grupim shoqëror shkon gjithnjë e më tepër duke u shkëputur nga fati i njeriut mesatar në Kosovë (në qoftë se mund të thuhet se ekziston vërtetë një mes në rangun e shkallëve sociale në Kosovë, e karakterizuar sot më shumë se kurrë nga pabarazia drastike). Kjo është klasa që prodhoi tregu i pasluftës, një treg që mbështetet në parimin e nënshtrimit ndaj më të fortit, e në shfrytëzimin e mizeries skamnore të të dobëtit kundër tij, e për të cilën nevoja për shtet shkon duke u minimalizuar, pos kur vetë shteti përbën shans për nxjerrjen e përfitimit material në kurriz të thesarit publik që shteti administron. Interesi universal dhe i dyanshëm i profitit i bën edhe dallimet midis partive gjithnjë e më të parëndësishme për këtë grupim shoqëror sepse çdo parti, kur nuk është drejtpërsëdrejti në shërbim të tyre, hap krahët për ta, sepse kjo klasë komunikon me gjuhën universale të parasë të kuptuar nga çdo kllapë liderësh politik, burokratësh partiak e nëpunësish ministror.
Veprimet e vetëdijshme materialiste (të përllogaritjes ekonomike dhe logjikës së akumulimit të pafundëm) të kësaj klase bashkëjetojnë me të pavetëdijshmën e efektit material të saj (të kostos shoqërore që paguhet), ndërsa skamja e tjetrit arsyetohet me gjuhën e tregut të lirë dhe zhvillimit ekonomik. Ndërsa kjo klasë, e shprehur politikisht në formën e pushtetit aktual, paraqet pikëmbështetjen e forcës anti-publike në Kosovë, sepse mekanizmi i tregut, i qarkullimit të pakontrolluar të kapitalit, e i shitblerjes së gjithçkaje (madje edhe të dijes akademike që i vihet në shërbim), është e vetmja vlerë sublime të cilës i nënshtrohet kjo klasë. Patriotizmi dhe nacionalizmi nuk janë antipodë të kësaj klase sepse patriotizmi dhe nacionalizmi nuk janë për ta vlerat e një shteti dhe të një shoqërie por marka të një kamuflazhe retorike nën të cilën fshihet veprimtaria anti-shoqërore dhe anti-publike e strukturave aktuale të pushtetit. Patriotizëm anti-shtetëror dhe nacionalizëm anti-kolektiv, ai që mbetët i cunguar në simbole e kremta e jo në substancë shoqërore, jo në solidaritet e bashkësi por në legjitimimin e autoritetit paternalist e të pakontrolluar dhe të nënshtrimit të shumicës përderisa këtë e kërkon interesi material dhe kalkulimi sipas aritmetikës së pazarxhiut. Kjo është esenca e strukturës shoqërore që po ndërtohet sot në Kosovë.
Mosnevoja për shtet për këtë klasë është e dyfishtë. As shteti i së drejtës, as shteti social nuk është i nevojshëm për këtë shtresë. E shtetin e definojnë pikërisht drejtësia dhe barazia (e mundësive në qoftë se jo e rezultateve) të cilin ai është i obliguar të krijojë në shoqëri. E para nuk i duhet sepse për drejtësi nuk ka nevojë, e kur ka këtë e zgjidh zyrtarisht përmes kanaleve jozyrtare (edhe policët dhe gjykatësit kanë çmim, apo jo). Kurse shteti social është edhe më pak i nevojshëm, apo i nevojshëm vetëm për t’i qetësuar shpirtërat e masës, për t’i dhënë lëmoshë sa një familjeje skamnore, gati njëjtë një familje pensionisti, mësuesi apo nëpunësi komunal, të cilëve u thuhet se mizeria e tyre nuk është çështje kolektive por problem personal i tyre.
Antiteza e shtetit nuk është anarkia, por shoqëria e nënshtruar ndaj forcave shoqërore të cilat ajo, kolektivisht, nuk është në gjendje t’i vëjë nën kontroll, të forcave të cilat do ta shfrytëzojnë shoqërinë, për t’i marrë të gjitha që ajo jep për t’i mos dhënë asaj asgjë mbrapa. Kjo është natyra e shtetit (apo e jo-shtetit) i cili po ndërtohet sot në Kosovë — një shtet anti-publik, anti-kolektiv, privatist e nepotist në kuptimin më të ngushtë fisnor e familjar, i mbështetur në gllabërimin e edhe asaj grimce të mbetur që është e përbashkët, kolektive, vetë nocioni i së cilës po bëhet gjithnjë e më arkaik dhe i pakuptimtë. Korrupsioni është vetëm një shenjë e suksesit e këtij projekti të pashpallur për ta degjeneruar atë që është publike, është shenjë se tregu po funksionon jashtëzakonisht mirë, sepse edhe ligji dhe organet e tij për të janë fleksibil, të kapërcyeshëm dhe kurdo të disponueshëm para ankandit. Korrupsioni është shenjë e tregut që i ka futë brenda suazave të veta edhe strukturat e shtetit, se shteti në vend se ta kontrollojë tregun është vetë i kapërdirë nga tregu, kur edhe strukturat më të larta shtetërore kanë çmim. Korrupsioni është pika bashkuese e politikës zyrtare ekonomike dhe ekonomisë jozyrtare politike që bëhet sot në Kosovë, ajo që ka ngritur gllabërimin dhe prostitucionin e pushtetit, përdhosjen e ligjit dhe prishjen e solidaritetit, në vlerat më të larta patriotike e në virtytet më të çmuara kombëtare.
Kjo rrymë shoqërore e politike përbën forcën themelore që i jep shpirt e mish vazhdës së shkatërrimit të po atyre institucioneve që për një dekadë, në kushtet më të vështira e më të rrezikshme i bënë ballë një pushteti të egër represiv të Serbisë millosheviqiane. Po atyre institucioneve që dje ekzistonin si mburrje dhe pararojë e e rezistencës e që sot gjallërojnë si një barrë kolektive e dhembjes dhe e turpit — arsimit, sistemit shëndetsor, universitetit e të gjitha institucioneve tjera që lindën në kohë të vështira, mbijetuan kohë edhe më të vështira që vetëm sot në kohën e “çlirimit” të kalojnë nëpër duart e kasapit të quajtur pushtet politik, për t’i degjeneruar, diskredituar, demoralizuar e skamnuar. Kjo nuk është thjesht çështje teknike kompetencash, reformash e finesash të tjera juridiko-administrative, as çështje buxhetesh e e ndarjes së të hollave, fjala është te një logjikë e caktuar pushteti e autoriteti që rrënon, degjeneron dhe privatizon në emër të popullit atë që është publike, atë që i takon atij e për të cilën shteti është kujdestar.
Klasa akumuluese (lumpenborgjezia e re e kapitalizmit kosovar), partitë paternaliste që arkën publike e trajtojnë si pronë private, dhe struktura administrative ndërkombëtare që në emër të progresit ka institucionalizuar konservatorizmin neoliberal si parim operacional të organizimit shtetëror, janë bashkuar në një aleancë të heshtur por megjithatë të përbashkët për ta shndërruar shoqërinë kosovare në një moçal mbi të cilin fluturojnë pehlivanet, në një pazar korbash e një djerrinë të moralit kolektiv. Këtij triumvirati, secilit për një varg motivesh e interesash të ndryshme, i intereson demokracia formale, demokracia përderisa ajo nuk përbën një forcë kundër tyre, një demokraci që ekziston në rrafshin simbolik, në formën e slloganeve dhe të premtimeve megallomane, në formën e demagogjisë dhe të “zgjedhjes” midis jo-alternativave, por që është i ndrydhur në rrafshin institucional, në rrafshin e marrëdhënieve shoqërore e të rendit social, në rrafshin e politikës publike e të pushtetit politik. Sot kur Kosova gjendet në prag të zgjidhjes së “statusit”, harrohet se as pavarësia formale, nën kushtet aktuale, nuk përbën revolucion, nuk do t’i ndryshojë drastikisht raportet shoqërore ndërsa shoqëria kosovare do të vazhdojë të jetojë nën dominancën e po të njëjtës strukturë shoqërore, po të njëjtës logjikë të intensifikimit marramendës të pabarazive sociale dhe po të njëjtës ideologji destruktive anti-publike, mbase edhe i përforcuar nga një autoritarizëm gjithnjë e më i hapur dhe arrogant. Nuk është çudi që vetë nocioni i pavarësisë, i nënshtruar ndaj formulimeve juridike dhe interpretimeve kavaliere politike e diplomatike, është zhveshur nga dimensioni normativ i tij, nga asociacioni i tij me lirinë kolektive e me solidaritetin shoqëror, për t’u reduktuar dhe shabllonizuar në gjuhën teknike të “statusit” e të çështjeve juridike të lidhur me të — një akt administrativ që zbatohet nga një komision pothuajse teknik e administrativ (që është Ekipi i Unitetit) e jo një akt politik që ndryshon thelbin e formacionit aktual shoqëror. Kjo gjuhë politikisht demobilizuese i shërbën strukturave dominante, sepse një mobilizim real kolektiv për pavarësi do të ishte në të njëjtën kohë mobilizim kundër kësaj forme të pushtetit anti-publik dhe anti-qytetar dhe e strukturave që e mbështesin, pushtet nga i cili përfiton një pakicë e vogël ndërsa nga shumica kërkohet që ta gjejë ngushllimin në gjeste verbale dhe t’i bëjë ballë vuajtjeve si gjoja çmim që po paguhet për të ardhmen.
Por ku qëndron antipodi, apo cila është ajo forcë antagoniste shoqërore që mund t’i kundërvihet kësaj rryme që po shkatërron çdo formë të jetës kolektive, të asaj që përbën esencën e një shoqërie të organizuar e të një kombi të institucionalizuar? Cilat janë ato grupime e shtresime që, përkundrazi, kanë nevojë për shtetin, për institucionet e tij si vërtetë institucione me cilësi publike e kolektive e jo si resore të klaneve partiake e të interesave të profitit? Nuk është populli, të paktën jo i kuptuar në abstrakt, të paktën jo popull që konceptohet si një subjekt unitar, i pandryshueshëm dhe një krijesë që ekziston pothuajse jashtë procesit real historik. “Populli” si subjekt është një mistifikim që i konvenon retorikës politike të triumviratit të lartpërshkruar, ndërsa edhe argati më i pashkolluar e din se raporti i secilit me shtetin është i ndryshëm, se dikush është i varur nga shërbimi që ai jep, nga një shkollë apo shtëpi shëndeti që ai ndërton, e se për dikë institucionet publike janë objekt denigrimi e talljeje, lluks ky i mundësuar nga fakti që për dikë janë gjithmonë afër shërbimet superiore të privatnikut që ky ka aftësi t’i paguajë. Kujt i duhet shteti? I duhet pikërisht atyre shtresave dhe atyre segmenteve të shoqërisë, atyre klasave që kanë nevojë për shtetin si mburojë, si mbrojtje e si institucion që i shërben atyre për nevojën elementare të zhvillimit të një jete dinjintoze. Këta janë arsimtarët, punëtorët, punonjësit publikë dhe sindikatat që i tubojnë këta, janë nxënësit, studentët dhe konsumatorët e thjeshtë, janë tregtarët e vegjël, bujqit dhe argatët e pazareve të punës, janë artistët, të papunët, pensionistët, bonjakët e të sëmurët e spitaleve, janë viktimat e luftës dhe ata që akoma jetojnë në streha refugjatësh, ata që nuk mund të dalin nga qarku i urrejtjes e ato që i nënshtrohen dhunës në shtëpi, të gjithë këta “njerëz të vegjël” e “të parëndësishëm”, që megjithatë përbëjnë shumicën dërrmuese, kanë nevojë për shtetin, për funksionin dhe funksionimin e tij, për drejtësinë e ligjit dhe sundimin e drejtësisë. Vetëm një lëvizje e vërtetë sociale e përbërë nga po këta “njerëz të vegjël” mund ta hapë mundësinë për ndërtimin e një shteti që bën punë të mëdha.
Botuar te Koha Ditore, 7 korrik 2007
Marrëdhëniet ruso-amerikane
Qershor 10, 2007
Të interesuarit që të mësojnë pak më shumë për gjendjen aktuale të marrëdhënieve SHBA-Rusi i ftoj që ta lexojnë këtë editorial nga Zbigniew Brzezinki të botuar në revistën Time.