Category Archives: Zhvillimi ekonomik

Feminizimi i punës në Kosovë?

Një e dhënë interesante nga ASK-ja. Grafiku më poshtë tregon shpërndarjen e pagave sipas niveleve brenda gjinive. Shumica e atyre me të ardhura të ulta (deri në 100 euro) janë burra, por kjo ndryshon në nivelin e mesëm (201-400) ku dominojnë gratë. Në nivelet më të larta sërish dominojnë burrat, përveç në nivelin e të ardhurave të larta (mbi 800 euro) ku duket se sërish ka një numër më të madh grash.

Si të interpretohet kjo? Është e qartë se punën e pakualifikuar (që paguan nën 100 euro) e bëjnë kryesisht burrat. Në këtë, mund të marrim me mend, hyn puna bujqësore dhe të tjera me shkathtësi të ulta, siç është ndërtimi. Puna “e mesme”, supozojmë, është kryesisht në nivel të shërbimeve (me kualifikime të ulta), dhe aty me sa duket dominojnë gratë. Por, numri i të punësuarve gra mbi nivelin 401 euro bie drastikisht. Këto punë bëhën kryesisht nga burrat, që, mund të marrim me mend, janë vende pune me shkathtësi më të larta, me përgjegjësi mbikëqyrëse etj.

Bie në sy fakti që shumica dërrmuese e kosovarëve të punësuar (rreth 80%) kanë të ardhura nën 400 euro. Dhe, përgjithësisht, shumica e të punësuarve në këtë nivel janë gra. 86% të grave punojnë në këto nivele, kundrejt 77% të burrave të punësuar. Feminizimi i punës?

Çudia qëndron në atë që në nivel të pagave të larta (mbi 801 euro) sërish duket se ka një dominim të grave (3,1% gra vs. 2,5% burra). Edhe pse kjo përbën një fraksion të vogël të të punësuarve (rreth 3%), prapë duket se në punët që, po supozojmë, kërkojnë kualifikime të larta profesionale, ka më shumë gra se burra. Si shpjegohet kjo? Interpretimet janë të mirëseardhura.

(P.S. Të dhënat mund të jenë edhe gabim. Por, nëse ka të tjera më të mira ju lutem m’i tregoni se unë nuk i di.)

Pagat

Kultura ekonomike e korrupsionit

Në rastin e zakonshëm, korrupsioni konsiderohet si akt individual, i cili bartë përgjegjësi morale dhe ligjore për zbatuesin. Flasim zakonisht për zyrtarë individualë të korruptuar, p.sh., një i cili ka kërkuar mito për miratimin e një kontrate. Një zyrtar i tillë gjykohet (moralisht nëse jo edhe penalisht) si individ që me veprimet e veta ka shprehur të meta personale morale.

Nisur nga një pikëpamje sociologjike, problemi i këtij vështrimi është i pamjaftueshëm për ta shpjeguar korrupsionin si dukuri sistemike, i tillë çfarë ekziston p.sh. në Kosovë.

Se a është një akt korrupsioni amoral apo jo në rrafsh personal ndoshta është çështje për teologun, por nuk është çështje që intereson sociologun, madje as që duhet ta interesojë politikbërësin dhe aktivistin që do ta ndryshojë sistemin politik dhe ekonomik që ushqen korrupsionin.

Polikologu amerikan Ken Jowitt, në një nga analizat që i bën korrupsionit të elitës politike në Bashkimin Sovjetik, i shmanget përkufizimit të korrupsionit si një të metë morale, pasi që si analizë historike e politike, ajo nuk çonte askund. Jowitt, ndërkaq, duke u mbështetur në teorinë organizative të sociologut Herbert Simon, korrupsionin e definon në terma organizativ. Korrupsioni nuk është shumtësi akte individësh, por një dukuri organizative. Përbrenda një organizate të caktuar (p.sh., një dikasteri shtetëror) korrupsioni, sidomos kur ndodh në shkallë të gjerë, është shprehje e humbjes së integritetit të vetë organizatës të së cilës këta individë bëjnë pjesë. Sipas Jowitt, një organizatë është e korruptuar kur ajo si e tillë nuk arrin të bëjë ndarjen e duhur midis detyrave organizative dhe interesit personal të anëtarëve të saj.

Ndarja midis detyrave organizative dhe e interesit personal është, siç ka vënë re sociologu i madh gjerman Max Weber, një nga karakteristikat e organizimit modern burokratik. Organizata burokratike bën një dallim të prerë midis detyrave organizative, pra rolit ose detyrave që ia ngarkon individit posti në atë organizatë, prej interesit personal të tij. Kjo e dallon substantivisht organizatën moderne burokratike nga organizatat patrimoniale, siç janë ato historike si rendet feudale, monarkitë dhe perandoritë klasike, ku një dallim i tillë nuk ekzistonte. Në sistemet moderne burokratike, hierarkia është formalisht meritokratike, postet janë fikse por individët janë të shkëmbyeshëm. Në sistemet patrimoniale, statuset dhe pozitat fitohen me trashëgimi kurse nuk ka dallim substantiv midis interesit të organizatës dhe anëtarëve individualë.

Korrupsioni modern është një lloj krijese neo-patrimoniale dhe shprehje e një kulture rezistente ndaj burokracisë. Përderisa formalisht, anëtarët e organizatës neo-patrimoniale shprehin nënshtrim ndaj premisave dhe qëllimeve formale të organizatës (ta zëjmë, dikasterit ku ata bëjnë pjesë), joformalisht ata shfrytëzojnë mundësitë që ofron organizata për të përfituar privatisht. Pra, korrupsioni në kontekst të organizimit burokratik, ku formalisht do të duhej të ekzistonte ndarja midis interesit privat dhe atij organizativ, është një lloj perversioni i vetë sistemit. Brenda një organizate të korruptuar do të krijohet një hendek i thellë midis përfaqësimit zyrtar të misionit, mandateve dhe detyrave të organizatës, dhe të kulturës joformale që vepron brenda organizatës në forma që minon vetë përmbushjen e këtyre misioneve dhe mandateve.

Nisur nga kjo, mund ta kuptojmë pse një organizim shtetëror i korruptuar, i cili formalisht dhe deklarativisht synon zhvillimin ekonomik, nuk do ta arrijë ta bëjë këtë.

Në nivel të politikave, zhvillimi ekonomik është, në esencë, një projekt organizativ. Ai kërkon veprimin dhe koordinimin e shumë agjentëve për qëllime shumë specifike. Mirëpo, një organizatë e korruptuar (ose një grup organizatash të korruptuara, siç janë p.sh. një grup ministrishë dhe agjensionesh tjera shtetërore) do ta kenë të pamundur ta realizojnë këtë mandat apo cilindo tjetër, sepse anëtarët e tyre, energjitë substantive organizative i shpenzojnë më shumë në synimet dhe projektet e tyre personale, se sa në qëllimet e pëbashkëta. Rolet organizative instrumentalizohen për projekte personale ose të nëngrupeve brenda organizatës. Si pasojë, në mjedise të tilla kultivohet një kulturë organizative e cila favorizon klikat e vogla, mosbesimin, sjelljet mashtruese dhe mosbashkëpunimin, që si rezultat të pashmangshëm kanë dështimin në arritjen e qëllimeve kolektive.

Por, korrupsioni ka edhe një efekt tjetër kulturor. Korrupsioni modern burokratik është, pothuajse në të gjitha rastet përdorim i posteve publike për përfitime personale e grupore, kryesisht ekonomike. Kur ky lloj korrupsioni është i gjithanshëm, pervertohet vetë ideja e zhvillimit dhe e rritjes ekonomike, duke e kthyer atë në atë që antropologu George Foster e quan “të mirë të kufizuar” (ang. limited good). Foster gjen një kulturë të tillë në shoqëritë agrare. Ekonomitë primitive agrare mbështeten në idenë se prodhimi shoqëror është i kufizuar, pra një sasi fikse. Nëse tjetri merr shumë, mbetët më pak për mua. Nuk ekziston ideja se me koordinim dhe bashkëpunim mund të rritet produktiviteti, dhe me këtë prodhimi mund të rritet dhe të shtohet, andaj do të ketë më shumë edhe për mua, edhe për tjetrin. Një nga sukseset historike të zhvillimit ekonomik kapitalist në Evropën perëndimore është rritja e vazhdueshme ekonomike dhe e produktivitetit shoqëror, duke shkulur nga rrënjet idenë se ekonomia është një produkt fiks. Si pasojë, sot mbizotëron ideja se rritja ekonomike bazuar në rritjen e produktivitetit dhe të zhvillimit teknologjik është proces thuaja pa fund.

Ndërkaq, kultura ekonomike e korrupsionit, sidomos kur shndërrohet në një kulturë të përgjithshme e të të kuptuarit të marrëdhënieve ekonomike (siç ka ndodh, në një mënyrë, në Kosovë) vazhdon të përforcojë idenë e ekonomisë si produkt fiks. Ajo përforcon, të paktën në imagjinatën kolektive, idenë e ekonomisë së “të mirave të kufizuara” ku bëhet luftë e të fortëve për përvetësimin (zhvatjen) e një sasie të kufizuar. Kjo zbeh idenë e ekonomisë që ka mundësi rritjeje të përhershme, ku marrëdhëniet ekonomike bazohen në bashkëpunimin dhe besimin e ndërsjellë, ku shpërblehet inovacioni dhe ku rritja ekonomike mund të shpërblejë të gjithë.

Në agregat, korrupsioni krijon një kulturë ekonomikisht vetëshkatërruese, sepse kthen energjitë individuale kah aktivitetet që, ndoshta individualisht të dobishme në afat të shkurtër, por që janë shoqërisht të dëmshme në afat të gjatë. Koncepti se ekonomia është një produkt fiks, bëhet i vërtetë në praktikë sepse kur të mirat ekonomike përfitohen jo në saje të meritave individuale, por në saje të lidhjeve shoqërore e politike, produktiviteti ndëshkohet dhe vetë ekonomia stagnon. Dalja nga kjo kornizë kërkon, në rastin e Kosovës, një ndryshim vërtetë revolucionar.

Botuar në revistën “Ekonomia”, qershor 2014.

Sa vende të punës i krijoi Hashim Thaçi?

Në kritikën e tij ndaj politikave të kursimit në Evropë, ekonomisti politik Mark Blyth thotë se një nga obligimet e praktikantëve të shkencave shoqërore është që të intervenojnë në rastet kur autoritetet publike i shesin publikut bullshit. Sipas Blyth, ideja e promovuar nga disa qeveri nëpër Evropë, se politikat e kursimit do të çojnë në rritje ekonomike, është një bullshit i tillë.

Megjithëse nuk duhet të jesh ndonjë specialist për të konstatuar se shumica e premtimeve të Hashim Thaçit, veçanërisht ato për ekonominë, janë bullshit, ndjeva nevojën që të reagoj ndaj premtimit të tij të fundit për krijimin e 50.000 vendeve të reja të punës, që kryeministri do t’i arrijë, me sa kuptohet, kryesisht përmes subvencioneve në bujqësi.

50-mijëshi sikur është shndërruar në numër standard për kryeministrin. Ky numër u përmend një herë gjatë një takimi me bujqit e Vushtrrisë dhe sërish në një vizitë në fabrikën ushqimore “Abi-ELIF 19” në Prizren. Sipas “Zërit”, Thaçi ka thënë, “Ne kemi prezantuar edhe dje, objektivat, qëllimin dhe projektin tonë që për katër vitet e ardhshme të investojmë në bujqësi mbi 500 milionë euro, për të siguruar hapjen e 50 mijë vendeve të reja të punës”.

Ta lëmë menjanë këtë 500 milionë euron investime, që është një shaka e vërtetë (buxheti i vitit 2014 parasheh jo më shumë se 11 milionë euro subvencione për bujqësinë për sivjet). Të shohim si qëndron kryeministri Hashim Thaçi me krijimin e vendeve të reja të punës.

Grafiku më poshtë tregon trendin e papunësisë në Kosovë në periudhën shtator 2012-shtator 2013. Me sa shohim, vetëm në këtë periudhë njëvjeçare, radhëve të të papunëve ju kanë shtuar dhjetë mijë vetë.

Papunësia
Si është trendi i papunësisë që nga momenti që Hashim Thaçi dhe PDK-ja moren kreun e qeverisjes në Kosovë? Në fakt, kjo pyetje është vështirë për t’u përgjigjur për shkak të korrigjimeve që gjatë vitit 2012 iu bënë të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) e cila evidenton të papunët që kërkojnë punë dhe janë të regjistruar në qendrat e regjistrimit të MPMS-së.

Në vitin 2011, në Kosovë ishin të regjistruar 325.261 persona të papunë. Në vitin 2012, ky numër bie drastikisht në 259.341. Ky është një rënie prej -20%. Duke marrë parasysh se viti 2012 ishte një nga vitet më të dobëta në rritje ekonomike, si shpjegohet ky reduktim drastik i papunësisë? U krijuan në Kosovë, gjatë 2012-ës, 65.000 vende pune?

Në fakt, ajo që ndodhi më 2012 ishte se MPMS bëri një spastrim listash të të regjistruarve si të papunë. Ky ishte rezultat i drejtpërdrejtë i Ligjit 04/L-096 “Për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 2003/15 për Skemën e Ndihmës Sociale” të miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 10 maj 2012, i cili ashpërsoi kushtet për përfitimin e ndihmës sociale.

Për t’u kualifikuar për ndihmë sociale, një familje duhet të dëshmojë, ndër të tjera, se është pa të ardhura, domethënë se nuk ka asnjë të punësuar. Përveç se nuk kanë asnjë anëtar të punësuar, ajo (përveç disa rrethanave të jashtëzakonshme) duhet të dëshmojë se anëtarët e saj të familjes të aftë për punë janë të regjistruar pranë MPMS si të papunë (pra si persona në kërkim të vendit punës).

Me sa duket, një nga ndryshimet në ligjin e amandamuar ishte kriteri për regjistrim në MPMS. Përderisa, në të kaluarën, pranë MPMS-së duhet të regjistroheshin të gjithë anëtarët e familjes të aftë për punë, sipas ligjit të ri, vetëm një anëtar i familjes mjafton. Duket se ky ndryshim procedural për përfitimin e ndihmës sociale bëri që regjistri i të papunëve të reduktohet drastikisht. Përderisa në të kaluarën, një familje regjistronte të gjithë anëtarët e saj të aftë për punë si të papunë në mënyrë që të kualifikohet për ndihmë sociale, tani për kualifikim mjafton regjistrimi i vetëm një anëtari. Kjo është e mirëseardhur si për familjen (të cilës i lehtësohen barrat procedurale për përfitimin e ndihmës sociale, duke marrë parasysh se edhe gjasat për punësim janë të vogla për akëcilin anëtar të familjes), por edhe për burokracinë e MPMS-së e cila duhet të procedojë dhe evidentojë më pak persona në regjistret e veta. Por, në agregat, duket se numri i të papunëve është zvogëluar kur, në fakt, asaj vetëm i janë hequr bashkëanëtarë të familjeve të papuna.

P.sh., viti 2012 shënon një numër rekord të daljeve nga regjistri i të papunëve (rreth 90.000). Ajo që e bën këtë vit të jashtëzakonshëm është se shkalla mujore e daljeve për femrat është më e lartë se në cilindo vit tjetër (edhe duke marrë parasysh se papunësia tek femrat është më e lartë se tek meshkujt). Kjo domethënë se ndryshimet në procedurat e kualifikimit për përfituar asistencë sociale shkaktuan largimin (me ose pa vullnet) të një numri të madh të femrave nga listat e të papunëve. Dhe më këtë ndryshim administrativ, artificialisht dhe në krah të femrave u ul papunësia. Efekt i dytë ishte edhe reduktimi i numrit të familjeve që përfitojnë nga skema sociale.

Nuk u krijuan në Kosovë në vitin 2012 65.000 vende pune që nxoren një armatë njerëzish nga papunësia.

Është interesante gjithashtu se në websajtin e MPMS-së nuk gjen të dhëna të plota mujore për hyrje-daljet gjatë vitit 2012P.sh., nëse papunësia ndryshon drastikisht pas muajit maj, kur miratohet ligji i ri për skemën sociale, do të ishte më se e qartë se regjistrimi i papunësisë ndryshon për shkak të ndryshimeve administrative.

Në fakt, sa vende pune u krijuan në Kosovë, që nga ardhja e Hashim Thaçit dhe PDK-së në pushtet?

Grafiku më poshtë, i huazuar nga raporti i MPMS-së për vitin 2012, tregon se sa vende pune u krijuan në Kosovë (gjithmonë sipas statistikës zyrtare) nga viti 2006-12. Nëse llogarisim periudhën 2008-12, në kohën sa ishte Thaçi dhe PDK në krye të qeverisjes, del se për këto pesë vite u krijuan gjithsejt 42.483 vende pune në sektorin publik dhe atë privat së bashku. Ndërsa sot Thaçi i premton 50.000 për vetëm katër vjet, dhe atë vetëm në bujqësi! Ndërkohë që, në vitin 2012, vetëm 12% e vendeve të reja të punës, ose rreth 750 (shtatë qind e pesëdhjetë) vende pune, ishin në bujqësi! Llogaritni tani se si duket premtimi për 50.000 vende pune. (Natyrisht, me afrimin e zgjedhjeve, siç e ka zakon, premtimi i Thaçit mund të shkojë drejt inflacionit – 50.000 për katër vite, 50.000 për dy vite, 50.000 për një vit, 50.000 për katër muaj etj.).

Vendet e punës
Në anën tjetër, përveç se numri i të papunëve është në rritje e sipër, duhet t’i marrim parasysh edhe disa të dhëna të tjera tmerruese. Mbi 90% e të papunëve janë të papunë afatgjatë, çka domethënë se këta persona ndër vite nuk gjejnë punë. Në fakt, sipas Anketës së Fuqisë Punëtore në Kosovë të bërë nga ASK-ja dhe Banka Botërore, që mbështetet mbi një sondazh më të gjerë të fuqisë punëtore në Kosovë, mbi 176.000 persona në Kosovë janë ekonomikisht joaktiv sepse nuk besojnë se në Kosovë mund të gjehet punë. Pra, këta persona nuk figurojnë as në regjistrat e MPMS-së. Shto kësaj edhe 200.000 femra që nuk kërkojnë punë për shkak të përgjegjësive familjare (domethënë, bëjnë punën e pakompenzuar monetarisht të riprodhimit shoqëror), armata e të papunëve në Kosovë arrin në mbi 641.000 persona të aftë për punë por që nuk gjenden fare në tregun e punës – pa përfshirë këtu fëmijet shkollorë (nën moshën 18 vjeçare) dhe të pensionuarit.

Për të premtuar përmirësimin e kësaj gjendjeje nuk janë të mjaftueshme premtimet e Hashim Thaçi por ato të Partisë së Fortë.

Dhjetë Tezat mbi Zhvillimtarinë e Re

Më poshtë është përkthimi im i Dhjetë Tezave mbi Zhvillimtarinë e Re (Ten Theses on New Developmentalism), të miratuar në vitin 2010 në Sao Paulo nga një grup ekonomistësh heterodoksë, sociologë e politikologë dhe praktikantë të tjerë të ekonomisë politike. Fryma e dokumentit përfaqëson shumë nga idetë që promovohen në këtë blog dhe në shkrimet e mia. Dokumenti ka për qëllim që të ofrojë një alternativë zhvillimore për vendet në zhvillim kundrejt ortodoksisë neoliberale të përfaqësuar në të ashtuquajturin “Koncenzus të Washingtonit”. Deklarata origjinale mund të shikohet këtu.

   

Më 24 dhe 25 maj të vitit 2010, një grup ekonomistësh me pikëpamje keynes-iane dhe strukturaliste u takuan në São Paulo për të diskutuar dhjetë tezat mbi Zhvillimtarinë e Re – emri që një pjesë e tyre po e përdorin tash e sa vite për të përshkruar strategjinë e zhvillimit kombëtar që shtetet me të ardhura të mesme po përdorin sot, ose që duhet të përdorin, në mënyrë që të promovojnë zhvillimin dhe nivelizimin ekonomik (me botën e pasur).

Takimi ishte pjesë e projektit për Qeverisjen Financiare dhe Zhvillimtarinë e Re, të financuar nga Ford Foundation. Projekti ka si prapavijë dështimin e Konsenzusit të Washingtonit që të promovojë rritjen ekonomike në Amerikën latine dhe në Krizën Globale Financiare të 2008-ës e cila tregoi kufijtë dhe rreziqet e globalizimit dhe të derregullimit financiar.

Punëtoria u mbajt nën hijen e një nga krizave më të mëdha financiare në histori, e cila bëri evidente impaktin e tregjeve të hapura kapitale në normat e shkëmbimit dhe në çmimet e produkteve të shkëmbyeshme. G20-shi dhe shtetet e veçanta tashmë po ndërtojnë rregullimet e duhura për tregjet financiare. Duke e marrë parasysh këtë dhe krizat e vazhdueshme financiare në shtetet me të ardhura të mesme, qëllimi i përgjithshëm i punëtorisë ishte që të vlerësohen se sa efektiv do të ishte një strategji e re zhvillimore në promovimin e rritjes dhe stabilitetit. Qëllimi specifik ishte që të diskutohen dhjetë teza mbi zhvillimtarinë e re (new developmentalism) që u ishin shpërndarë pjesëmarrësve paraprakisht.

Pas dy ditë diskutimesh, organizatorët lokalë të punëtorisë u ngarkuan me detyrën e redaktimit të tezave në mënyrë që ato të pasqyrojnë debatin e zhvilluar. Versioni përfundimtar ka pëlqimin e pjesëmarrësve të punëtorisë. Ekonomistë dhe profesionistë të tjerë të shkencave shoqërore të përkushtuar ndaj idesë së rritjes ekonomike me stabilitet dhe barazi sociale janë gjithashtu të ftuar që të nënshkruhen.

  1. Zhvillimi ekonomik është proces strukturor i shfrytëzimit të të gjitha burimeve të vendit për të krijuar shkallën maksimale dhe të qëndrueshme për mjedisin të akumulimit të kapitalit të mbështetur mbi përfshirjen e progresit teknologjik. Objektivi primar është që t’i mundësohet punësimi i plotë i burimeve të punës. Kjo nuk kërkon vetëm rritjen e produktivitetit në çdo industri, por edhe financimin dhe transferin e vazhdueshëm të punës nga industritë që prodhojnë mallra dhe shërbime në ato me vlerë më të lartë të shtuar per capita dhe që japin paga më të larta.
  2. Tregjet janë terreni kryesor i këtij procesi, por shteti ka rol strategjik në ndërtimin e kornizës së nevojshme institucionale për të mbështetur këtë proces strukturor. Kjo përfshin promovimin e një strukture financiare dhe institucione financiare që kanalizojnë burimet e brendshme drejt zhvillimit të inovacioneve në sektorë që prodhojnë shkallë të lartë të rritjes së vlerës së shtuar. Kjo kornizë duhet të përmbajë masa që synojnë tejkalimin e disbalanseve strukturore dhe në promovimin e konkurrueshmërisë ndërkombëtare.
  3. Në kontekstin e globalizimit, zhvillimi ekonomik kërkon një strategji zhvillimore kombëtare të orientuar drejt oportuniteteve globale, p.sh. në ekonomitë globale në shkallë dhe në burimet e shumta të mësimit teknologjik, uljen e barrierave për inovacion të krijuara nga regjime tejët strikte të pronës intelektuale, sigurimin e stabilitetit financiar dhe në krijimin e oportuniteteve për investime për ndërmarrësit privatë.
  4. Megjithëse ana Schumpeteriane e procesit zhvillimor dhe e politikës strategjike industriale janë të rëndësishme, ngushticat kryesore paraqiten në anën e kërkesës. Që nga Keynes-i dihet se oferta nuk krijon automatikisht kërkesën. Megjithatë, në shtetet në zhvillim ekzistojnë dy tendenca tjera strukturore që kufizojnë kërkesën dhe investimet: tendenca e pagave për t’u rritur në shkallë më të vogël se sa shkalla e rritjes së produktivitetit, dhe një tendencë strukturore për mbivlerësimin e normës reale ose nominale të këmbimit.
  5. Tendenca e pagave për t’u rritur më pak se sa produktiviteti është pasojë e ekzistencës së një oferte të madhe të punës dhe të ekonomisë politike të tregjeve të punës. Përveç kufizimit të kërkesës së brendshme dhe përqëndrimit të të ardhurave në klasat më të larta, kjo tendencë mund të ndikojë negativisht edhe në rritjen afatgjatë të produktivitetit. Një pagë minimale e caktuar me ligj, transferi i të hollave tek të varfërit dhe mbi të gjitha një garancë shtetërore për të ofruar punë me pagë të jetueshme mund të neutralizojë këtë tendencë të nënkompenzimit të punës. Alternativa e kësaj – mbivlerësimi kronik i monedhës së vendit për të rritur fuqinë blerëse – nuk është strategji e qëndrueshme.
  6. Tendenca për mbivlerësimin ciklik të normës së këmbimit në shtetet në zhvillim është pasojë e mbështetjes së tepërt në kursimet e jashtme në formën e hyrjes së kapitalit të jashtëm dhe në “sëmundjen holandeze” (Dutch disease) në kontekstin e tregjeve të kapitalit tepër liberale dhe pa rregullim adekuat. Kjo tendencë tregon se norma e këmbimit në vendet në zhvillim është jo vetëm jostabile, por edhe kontribuon në përsëritjen e krizave të monedhës dhe të flluskave të vazhdueshme në tregjet financiare. Ajo po ashtu tregon se oportunitetet për investime drejt industrive me orientim kah eksporti janë kronikisht të pamjaftueshme pasi që mbivlerësimi i monedhës i bën ato investime të pakonkurrueshme në ekonominë ndërkombëtare edhe nëse bazohen në metodat më efiçiente të mundshme.
  7. “Sëmundja holandeze” mund të karakterizohet si një mbivlerësim i përhershëm i monedhës së vendit për shkak të rentave Ricardiane nga eksporti i komoditeteve të bazuara në burimet natyrore ose në eksportin e bazuar në punën ultra të lirë. “Sëmundja holandeze” pengon prosperitetin në industri të tjera shkëmbyese. Këtë e bën përmes nxitjes së hendekut midis “normës së këmbimit në ekuilibër me llogarinë korente” (norma e këmbimit që balanson llogarinë korente) dhe “normës së këmbimit në ekuilibër me industrinë” – norma e këmbimit që lejon industritë shkëmbyese që të jenë konkurrente në shfrytëzimin e teknologjisë më të re.
  8. Zhvillimi ekonomik duhet të financohet kryesisht nga kursimet e brendshme. Në mënyrë që të arrihet ky qëllim, është i nevojshëm krijimi i institucioneve publike financiare që mundësojnë shfrytëzimin e plotë të burimeve të brendshme, posaçërisht punës, financimin e inovacioneve dhe mbështetjen e investimeve. Orvatja për të përdorë kursimet e jashtme përmes defiçiteve në llogarinë korrente zakonisht nuk rrisin shkallën e investimeve (siç pretendohet nga ekonomistët ortodoksë). Në vend të kësaj, kjo politike rritë borxhin e brendshëm dhe kontribon në jostabilitetit financiar. Strategjitë e rritjes që mbështetën mbi kursimet e jashtme shkaktojnë fragjilitet financiar; tërheqin qeveritë në lojra regresive për “ngritjen e konfidencës” dhe zakonisht përfundojnë me kriza në bilansin e pagesave ose në krizë të monedhës.

  9. Në mënyrë që të krijohet korniza e përshtatshme për zhvillim, qeveria duhet të sigurojë një marrëdhënie stabile midis borxhit publik dhe PBB-së dhe një normë reale të këmbimit që merr parasysh nevojën për t’iu kundërvënë efeketeve negative ndaj industrive prodhuese të “sëmundjes holandeze”.

  10. Për të aritur qëllimet afatgjata të zhvillimit politikat ekonomike duhet të synojnë punësimin e plotë si qëllim primar, njëkohësisht duke siguruar stabilitetin e çmimeve dhe stabilitet financiar.

 

Këto dhjetë teza nuk japin një reçetë të gjithanshme për zhvillim. Ato kanë për qëllim që të japin disa pohime mbi të cilat mund të pajtohen një profil i gjerë i ekonomistëve. Këto pohime duhet të përshtaten sipas një kombinimi të nevojshëm i cili është specifik sipas kontekstit të brendshëm produktiv, social dhe politik. Asgjë nuk është thënë mbi arkitekturën globale financiare dhe të tregtisë që janë çështje që kërkojnë vëmendje në mjedisin e ri të globalizimit dhe që ndërlidh ekonomitë mes vete, shpesh në formën e konkurrencës negative.

Ekonomistët që nënshkruajnë këtë dokument nuk pohojnë se pajtohen në plotësi me secilën nga dhjetë tezat. Ata vetëm thonë se mbështesin qasjen e saj teorike dhe rekomandimet kryesore për politika.

São Paulo, 29 shtator 2010

Nënshkruesit origjinalë:

Agosin, Manoel
Amsden, Alice
Arestis, Phillip
Baer, Werner
Belluzzo, Luiz Gonzaga
Bhaduri, Amit
Bielschowsky, Ricardo
Blecker, Robert
Block, Fred
Boyer, Robert
Bresser-Pereira, Luiz Carlos
Bruno, Miguel
Bruszt, Laszlo
Burlamaqui, Leonardo
Carneiro, Ricardo
Carvalho, Fernando Cardim de
Chandrasekhar, C. P. (Chandru)
Chang, Ha-Joon
Chavagneux, Christian
Chick, Victoria
Chilcote, Ronald

Coutinho, Luciano
Damill, Mario
Davidson, Paul
Del Pont, Mercedes
Dymski, Gary
Dulien, Sebastian
Dutt, Amitava
Diniz, Eli
Epstein, Gerald
Faucher, Philippe
Ferrari, Fernando
Ferrer, Aldo
Frenkel, Roberto
Gala, Paulo
Galbraith, James
Gallagher, Kevin
Garcia, Norberto E.
Ghosh, Jayati
Girón, Alicia
Guillén, Arturo
Guttmann, Robert
Huber, Evelyne
Jomo K.S.

Kregel, Jan
Kupfer, David
Lazonick, William
Le Heron, Edwin
Lopez, Julio
Marconi, Nelson
Mazier, Jacques
Nakano, Yoshiaki
Nayyar, Deepak
O’Connell, Arturo
Ocampo, José Antonio
Oreiro, José Luis
Palley, Thomas I.
Palma, Gabriel
Papadimitriou, Dimitri
Paula, Luiz Fernando de
Petit, Pascal
Popov, Vladimir
Prates, Daniela

Przeworski, Adam
Punzo, Lionello
Rapetti, Martin
Reinert, Erik S.
Ros, Jaime
Rueschemeyer, Dietrich
Salama, Pierre
Sachs, Ignacy
Saywer, Malcolm
Schneider, Ben Ross
Serrano, Franklin
Sicsú, João
Stephens, John
Sunkel, Osvaldo
Taylor, Lance
Vernengo, Matias
Wade, Robert
Weisbrot, Mark
Weiss, Linda
Wray, Randall

 

A është kapitalizmi shtetëror model i ri zhvillimor?

Në vijim është kolumna ime e botuar në revistën “Ekonomia” të dhjetorit 2013. Origjinali mund të shihet këtu

Elementet e kapitalizmit shtetëror, i përkufizuar si pronësi shtetërore, apo si një model më i gjithëmbarshëm zhvillimor, janë të pranishme edhe në vendet postsocialiste

Gjatë muajit nëntor pata privilegjin të jem pjesëmarrës në një konferencë të organizuar nga Instituti për Studime të Larta Ndërkombëtare pranë Universitetit Laval të Kuebekut me titull “Kapitalizmi shtetëror në ekonominë e re politike globale”. Karakteri i konferencës ishte ndërdisiplinar, me pjesëmarrje nga ekonomistë, politologë, sociologë dhe përfaqësues të shkencave të tjera shoqërore, deri tek profesorë shkollash biznesi, përfaqësues të qeverisë dhe ish-politikanë kanadezë.

Problemi themelor i konferencës ishte vetë përkufizimi i fenomenit, që nga disa është mbiquajtur “kapitalizëm shtetëror”. Fjala është, kuptohet, për politikat ose sistemet ekonomike të ndërtuara gjatë viteve të fundit në vendet e të ashtuquajtur BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut), por edhe vendet e tjera në zhvillim. Përshtypja e parë është se në këto sisteme ekonomike, mbështetja në tregje dhe pjesëmarrja në ekonominë globale kombinohet me pjesëmarrje dhe intervenim të thellë të shtetit në ekonomi. Disa vëzhgues i kanë dhënë rëndësi këtij lloj kombinimi si faktor kyç në rritjen e madhe ekonomike të përjetuar vitet e fundit nga vendet e BRICS. Sidomos nga kriza financiare e 2008-tës, pjesëmarrja e vendeve të BRICS në rritjen e gjithëmbarshme ekonomike botërore është shtuar ndjeshëm, duke krijuar përshtypjen se këto shtete janë jo vetëm joshëse për investitorët e vendeve të pasura, por edhe se ecja e tyre e shpejtë ekonomike po i afron këto shtete me ato perëndimore.

Sipas shumë indikatorëve të tjerë, si, p.sh., shkalla e arsimit, shkalla e përgjithshme e varfërisë, niveli i pabarazisë, apo edhe sistemet politike, këto shtete janë tejet të ndryshme nga njëra-tjetra. Brazili dhe India kanë sisteme demokratike, por Brazili njihet për pabarazinë e madhe, ndonëse me hendek që po zvogëlohet gjatë viteve të fundit, ndërsa India me popullsi prej mbi një miliard banorësh ka akoma pjesë të madhe të popullsisë në varfëri të skajshme. Kina dhe Rusia, ndonëse të dyja vende “post-socialiste”, sundohen nga sisteme shumë të ndryshme autoritare dhe kanë ekonomi të bazuara në modele krejt të ndryshme: në Rusi nga eksporti i lëndëve të para (sidomos gazit dhe naftës), kurse Kina në eksport prodhimesh industriale. Afrika e Jugut ballafaqohet me ngarkesat shoqërore, ekonomike dhe institucionale të së kaluarës së saj së aparteidit dhe faktit se mazhoranca zezake e këtij vendi ende ballafaqohet me diskriminim dhe eksploatim.

Shteti si pronar i mirë

Pra, ideja se këtu bëhet fjalë për një model alternativ zhvillimor, të konceptuar dhe të artikuluar mirë, me konceptet dhe teoritë e saj mbështetëse, është iluzore. Siç e tha politologu Jeffry Frieden, specialist i ekonomisë politike nga Universitetii Harvardit, ajo që po quhet “kapitalizëm shtetëror” është produkt i nevojave të caktuara ekonomike të këtyre shteteve, me të cilat ato janë ballafaquar në momente të caktuara dhe të cilave u kanë dhënë një përgjigje politike. Në rastin konkret, sipas Frieden-it, kjo është pronësia shtetërore mbi asete të caktuara industriale, e cila ka dalë si rezultat i qëllimeve afatgjata zhvillimore, siç është  orientimi brazilian për mbajtjen e sektorit të naftës në pronësi shtetërore (gjiganti Petrobras) apo si përgjigje ndaj krizave momentale që kanë bërë të nevojshme ndërhyrjen e shtetit për mbrojtjen e industrive të caktuara nga kolapsi, ose për stimulimin e ekonomisë (siç bën Kina me bankat e saj shtetërore). Siç e theksoi Frieden, nuk ekziston asnjë arsye, qoftë edhe e dalë nga teoria ekonomike, se ndërmarrjet në pronësi shtetërore nuk mund të performojnë po aq mirë sa ato private. Kjo sidomos duke marrë parasysh organizimin modern korporativ, ku menaxhmenti korporativ vepron në bazë të strukturës së nxitjeve që i vendosin aksionarët, dhe jo thjesht sipas performansës së firmës në treg. Pra, në kuptim shumë të ngushtë, shteti, kur sillet si një pronar i zakonshëm që synon kthimin në investim, nuk ka asnjë arsye të sillet më dobët se kapitalisti individual.

Megjithatë, Frieden e përkufizoi “kapitalizmin shtetëror” në çështje të pronësisë shtetërore mbi industritë, pa shtjelluar më tej pasojat ekonomike të kësaj. Për disa pjesëmarrës të tjerë, si studiuesi Christian May, përfaqësues i një ekipi studiuesish nga Universiteti Goete në Frankfurt të Gjermanisë që po studion në mënyrë krahasimore institucionet ekonomike të vendeve BRICS, kapitalizmi shtetëror simbolizon një paradigmë të re zhvillimore, e cila i shmanget “Konsensusit të Washingtonit” të viteve 1990, i cili bazohej në besim fundamental  në tregje dhe privatizim si mjetin e vetëm efikas për rritje ekonomike dhe zhvillim. Paradigma e kapitalizmit shtetëror mbështetet mbi një ekonomi të politizuar, por të tillë që është në gjendje t’i manipulojë tregjet për qëllime politike. Nga kjo pikëpamje, kapitalizmi shtetëror është vërtetë kapitalizëm shtetëror, sepse shteti nuk është thjesht pronar pasiv asetesh por vepron institucionalisht si një kapitalist i vërtetë ku synim themelor ka rritjen e shkallës së akumulimit. Sipas May dhe kolegëve të tij, kapitalizmi shtetëror paraqet një alternativë të vërtetë, ndonëse jo akoma krejt të artikuluar, kundrejt “Konsensusit të Washingtonit”.

Një pikëpamje tjetër u paraqit nga një studim i gjerë kuantitativ i një grupi ekspertësh nga Universiteti i Marsejës në Francë, i cili përmes një analize të gjerë të disa dhjetëra parametrave ekonomikë siç janë shkalla e industrializimit, struktura e punësimit dhe organizimi i tregjeve të punës, dhe ata shoqërorë siç janë shkalla e arsimimit, sistemet e mbrojtjes sociale dhe të mirëqenies, kundërshtoi idenë se ekziston i sintetizuar një model i vetëm i kapitalizmit shtetëror. Ky studim analizonte jo vetëm shtetet e BRICS, por përfshinte mbi 100 shtete të zhvilluara dhe në zhvillim dhe bëri të ditur se ekzistojnë të paktën pesë ose gjashtë modele të ndryshme, përfshirë sistemin e ekonomisë liberale (siç ekziston p.sh., në SHBA dhe Britani të Madhe), sistemin e tregjeve të koordinuara, ku bëjnë pjesë shumica e shteteve evropiane (si dhe një pjesë e vendeve ish-socialiste), ekonomi të shtetëzuara (si Kina dhe Rusia) dhe disa modele hibride që, sipas këtyre studiuesve, paraqesin mundësinë për modele krejtësisht të reja (dhe ku bënte pjesë Brazili). Kapitalizmi shtetëror, sipas këtij studimi, është koncept joadekuat për të kapur dhe përshkruar diversitetin e sistemeve ekonomike (kapitaliste) nëpër botë. Ky koncept gjithashtu homogjenizon një realitet shoqëror dhe ekonomik, që, në pikëpamje më të thelluar analitike, është shumë më heterogjen.

 Kapitalizmi shtetëror dhe liberalizimi

Paraqitja ime në konferencë pati të bënte me studimin tim për industritë shtetërore në vendet ish-socialiste. Studimet e shumta të kësaj zone botërore kanë theksuar karakterin liberal të politikave ekonomike, si dhe transnacionalizimin e thellë të industrive për shkak të pjesëmarrjes së madhe të kapitalit të jashtëm në zhvillim industrial postsocialist gjatë periudhës së tranzicionit. Pas një analize të strukturës pronësore të 100 firmave më të mëdha të vendeve postsocialiste të Evropës Lindore dhe Qendrore, gjej se, ndonëse industritë kryesore dominohen nga kapitali i huaj, pas tyre dominojnë industritë në pronë shtetërore. Kapitali privat vendor përfaqësohet në pjesën më të vogël të firmave më të mëdha të rajonit. Përveç kësaj, shtatë nga dhjetë firmat më të mëdha të Evropës Lindore dhe Qendrore janë pronë shtetërore, çka tregon për dominancën e vazhdueshme të industrive shtetërore, me gjithë privatizimet e shumta që u janë nënshtruar industritë e këtij rajoni që nga viti 1990. Me një fjalë, kemi lindjen e një lloj kapitalizmi shtetëror si bi-produkt i projektit të liberalizimit ekonomik dhe me siguri një bi-produkt të padëshiruar nga neoliberalët e rajonit që, në fillim të tranzicionit, synuan zhdukjen e plotë të pranisë shtetërore nga ekonomia. Megjithatë, ky kapitalizëm shtetëror (nëse mund ta quaj kështu kushtimisht) është pjesë e realiteteve të reja postsocialiste, po aq sa edhe prania e thellë e kapitalit të huaj.

Me një fjalë, elementet e kapitalizmit shtetëror, i përkufizuar si pronësi shtetërore, apo si një model më i gjithëmbarshëm zhvillimor, janë të pranishme edhe në vendet postsocialiste. Pra, ngjashmëritë dhe paralelet me vendet e tjera në zhvillim megjithatë janë të qëndrueshme, pavarësisht nga përpjekjet për ta përshkruar këtë rajon si të ndryshëm nga zonat e tjera botërore në zhvillim, pa harruar normalisht specifikat historike të këtij rajoni dhe të pikënisjes së tranzicionit në kapitalizëm nga sistemi socialist në të cilin tregjet ishin eliminuar dhe e tërë ekonomia ishte e shtetëzuar.

Në këtë konferencë, por edhe në medie ndërkombëtare dhe në disa raste edhe në botën akademike, kanë filluar debate serioze për modele alternative zhvillimore kundrejt “Konsensusit të Washingtonit”, që na e solli neoliberalizmin ekonomik si sistemin “të paalternativë”, siç e përshkruante avokatja më e zëshme e saj në arenën politike, ish-kryeministrja britanike Margaret Thatcher. Në pikëpamje më të thellë historike, ne sot mund të shprehim habi pse shohim praninë e shtetit në ekonomi, por prania dhe ndërhyrja e shtetit në ekonomi, jo vetëm si rregullator (p.sh., si garant i pronës private), por edhe si pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në procesin e akumulimit të kapitalit, ka qenë veçori e përhershme e kapitalizmit si sistem historik ekonomik. Historiani i madh ekonomik, Fernand Braudel, përshkruan rastet e shumta kur, në shekullin XVI, monarkia spanjolle mori përsipër minierat e argjendit të cilat ishin joprofitabile për sektorin privat, apo kur përmes inovacioneve fiskale si bonot dhe organizimin e financierëve asistoi në krijimin e institucioneve të para bankare kapitaliste. Në epokën e hershme të kapitalizmit, shteti ishte ndër ndërmarrësit më të mëdhenj, në kuptimin e inovacioneve organizative dhe institucionale, na e kujton Braudel. Andaj, në njëfarë mënyre anomalia nuk qëndron në kohën tonë, kur kemi filluar ta shohim shtetin gjithandej duke futur duart në ekonominë kapitaliste, madje në një kapitalizëm që performon suksesshëm në ekonominë globale, por në idenë e mbrapshtë se shteti dhe ekonomia janë antinomi të papajtueshme. Nëse epoka jonë na lejon mendimin e problemeve ekonomike, shoqërore dhe ato zhvillimore përtej dikotomisë së imponuar shtet-treg ose shtet-ekonomi në të cilën insiston neoliberalizmi, kjo është një arritje në vetvete.

Efektet e kursit të dinarit dhe të inflacionit në Serbi në atë të Kosovës

Desha të ndaj me lexuesit një gjetje interesante që kam bërë kohëve të fundit. Kam shkruar në të kaluarën për efektet e inflacionit në Serbi në atë në Kosovë. Kësaj radhe kam bërë një analizë pak më formale të marrëdhënieve statistikore midis Indeksit të Çmimeve (IÇ) të ushqimeve dhe pijeve në Kosovë dhe në Serbi. Përveç çmimeve të ushqimeve në Serbi, kam shtuar në model edhe kursin (spot rate) këmbimor midis euros dhe dinarit serb. Për shkak se Kosova blen me euro, ndërkohë që çmimet e Serbisë janë në dinarë, kursi këmbimor midis dinarit dhe euros do të duhej të kishte ndikim në çmimet në Kosovë. Me një fjalë, edhe sikur çmimet në Serbi të mbetëshin të njëjta, forcimi i dinarit kundrejt euros në vetëvete do të gjeneronte inflacion në Kosovë.

Në një model regresioni linear kam vlerësuar të dhënat që nga viti 2007 deri në janar 2013. Rezultati është mahnitës. Për ata që kanë ekspertizën e duhur, rezultati i prodhuar nga STATA është dhënë më poshtë. Interpretimi im pason.

table

Inflacioni në Serbi (i ushqimeve dhe i pijeve), në kombinim me kursin këmbimor të dinarit, shpjegojnë hiç më pak se 64 për qind të ndryshimit të çmimeve të ushqimeve dhe pijeve në Kosovë! Nga një pikëpamje, kjo nuk është çudi, pasi që Kosova importon pjesën më të madhe të ushqimeve nga Serbia. Por, në anën tjetër, nuk di nëse dikush ka llogaritur se përcaktueshmëria e çmimeve të prodhimeve ushqimore në Kosovë nga ato në Serbi është kaq e lartë. Nga koefiçientët mësojmë se, në bashkëveprim me vlerën e dinarit, rritja e IÇ-së për ushqime në Serbi për çdo njësi mesatarisht ndikon në rritjen e IÇ-së në Kosovë për rreth 0,73. Çdo ndryshim në kursin e dinarit kundrejt euros, ndërkaq, ndikon në IÇ-në në Kosovë për -0,13, që domethënë se forcimi i euros, ose devaluimi i dinarit kundrejt euros, ndikon në uljen e çmimeve në Kosovë. Te dy variablat janë statistikisht sinjifikante.

A ka kush, pas këtyre të dhënave, të mohojë ekzistencën e varshmërisë ekonomike të Kosovës ndaj Serbisë? S’na mbetët tjetër veçse t’i urojmë punë të mbarë Bankës Kombëtare të Serbisë, pasi që çmimet e gjerave ushqimore në Kosovë kaq shumë varen prej tyre!

Atij që i interesojnë të dhënat e plota, i gjen këtu.

Transformimi i bazës së rritjes ekonomike në Shqipëri pas 2008-ës

një postim të kaluar, kam analizuar trendin e rënies ekonomike në Shqipëri gjatë viteve të fundit. Fatkeqsisht, të dhënat e reja për tremujorin e tretë të vitit 2012, të botuara nga INSTAT, nuk japin shenja të mira përsa i përket ndryshimit të këtij trendi. Duhet patur parasysh se llogaria e Prodhimit Bruto të Brendshëm (PBB-së) të ekonomisë së Shqipërisë, që nxjerr INSTAT-i, bëhet sipas qasjes së prodhimit ose të vlerës së shtuar (value-added). Kjo llogari ka përparësi ndaj formës standarde të llogarisë së shpenzimeve (expenditure approach) sepse na bën të mundur të mësojmë për aktivitetet ekonomike të sektorëve të veçantë të ekonomisë dhe kontributin e tyre në rritjen ekonomike. Andaj, sikur herën e kaluar, mund të shohim kontributin e disa sektorëve kyç në PBB-në e ekonomisë shqiptare gjatë periudhës së fundit raportuese për vitin 2012. Shifrat e raportuara nga INSTAT tregojnë për një rritje të lehtë ekonomike të vit-për-vitshme në çerekun e tretë të vitit 2012 për 2,7%, me rritje prej 5,6% në sektorin bujqësor, 11,4% në sektorin industrial, një rënie prej -16,5% në sektorin e ndërtimeve e kështu me radhë.

Por, llogaria e PBB-së në qasjen e prodhimit gjithashtu regjistron luhatjet sezonale. Dhe, si gjithnjë, me rëndësi është trendi. Shikuar kështu, trendi i rritjes ekonomike në Shqipëri megjithatë vazhdon të shkojë drejt rënies ose, shprehur më saktë, një ritmi më të vogël të rritjes. Më poshtë jepet grafiku që paraqet këto të dhëna.

Trendi i rritjes së PBB-së në Shqipëri, 2005 – T3-2012

Trendi i rritjes së PBB-së në Shqipëri, 2005 – T3-2012

Rënie të veçantë, si në të kaluarën, regjistron sektori i ndërtimeve, i cili për një pjesë të mirë të viteve 2000 ka qenë ndër sektorët më dinamik të ekonomisë shqiptare. Rënia e vazhdueshme e aktiviteteve të ndërtimit regjistrohet në grafikun më poshtë (kaltër). Aty po ashtu shihet trendi relativisht i njëjtë i aktivitetit industrial (kuq) dhe një rikthim i rritjes së këtij sektori pas një rënie serioze gjatë vitit 2011.

Sektori industrial dhe ai i ndërtimeve në PBB-në shqiptare, trendet.

Sektori industrial dhe ai i ndërtimeve në PBB-në shqiptare, trendet.

Se sektori i ndërtimeve, në veçanti, është në rënie, shihet në grafikun më poshtë, që vlerëson këtë sektor që nga viti 2010. Aty shihet se trendi negativ është si afatgjatë ashtu dhe afatmesëm, çka tregon për një rënie të theksuar të investimeve të reja në ndërtime. Si në të kaluarën, lidhur me këtë trend është edhe trendi i rritjes së borxheve të këqija, më të lartat në rajonçka tashmë ka çuar edhe në reagimin e FMN-së, pasi që një pjesë e madhe e kredive në Shqipëri janë derdhur në ndërtime. Sektorin e ndërtimeve e ka dëmtuar edhe zvogëlimi i investimeve publike në infrastrukturë dhe mospagimi i borxheve nga qeveria, pasi që duket që Berisha ka vendosur ta zgjidh problemin fiskal të qeverisë së tij duke mos i kryer detyrimet ndaj kontraktorëve të saj. Ndërkaq, kërkesa private ka mundësi të jetë në rënie edhe nga shkaku i rënies së remitancave, pasi që, sipas disa studimeve, emigrantët janë investues të mëdhej në patundshmëri në Shqipëri (si një formë e kursimit të të ardhurave të fituara jashtë). Goditja e dyfishtë, pra tërheqja masive dhe e njëkohësishme e investimeve publike dhe private nga ndërtimet tregon për një periudhë jashtëzakonisht të keqe për ndërtimtarët në Shqipëri.

Aktiviteti në sektorin e ndërtimeve, T1-2005 – T3-2012

Aktiviteti në sektorin e ndërtimeve, T1-2005 – T3-2012

Trend tjetër shqetësues është sëmundja e inflacionit, që ka kapluar tërë rajonin e Ballkanit. Ky trend po vazhdon në Shqipëri (ndonëse jo në nivele të larta si në Kosovë dhe Serbi), mirëpo, siç tregon grafiku më poshtë, inflacioni gjatë vitit 2012 ka qenë pak a shumë në nivel stabil.

Indeksi i Çmimeve të Konsumit, ndryshimi, janar 2006-nëntor 2012

Indeksi i Çmimeve të Konsumit, ndryshimi, janar 2006-nëntor 2012

Papunësia, ndërkaq, gjithashtu mbetët në nivel të njëjtë prej rreth 13.3%. Ka shpesh akuzime se INSTAT manipulon me të dhënat e papunësisë. Nuk di për vërtetësinë e kësaj. Por, nga ajo që di është se INSTAT definon pjesëtarët e familjeve rurale që jetojnë nga vetëprodhimi bujqësor si “të punësuar”. Kjo dukshëm nënvlerëson numrin e vërtetë të të papunëve, pasi që familjet rurale që jetojnë nga toka dhe vetëprodhimi janë pjesë margjinale e strukturës ekonomike dhe larg së qeni “të punësuar” në kuptimin e pjesëmarrjes në ekonominë formale të punës. Sido që të jetë, më poshtë janë shifrat zyrtare për papunësinë.

Shkalla e papunësisë në Shqipëri, 1997-2012.

Shkalla e papunësisë në Shqipëri, 1997-2012.

Një moment pozitiv në trendet ekonomike në Shqipëri është rritja e eksporteve. Ky është një trend kurioz për disa arsye. E para, se Shqipëria, më tepër se vendet tjera të Ballkanit, zhvillon tregti me Greqinë dhe Italinë, dy nga vendet e prekura thellë nga kriza e eurozonës. E dyta, është fakti se trendi i rritjes së eksporteve e ka ngritur nivelin e eksporteve shqiptare përtej nivelit që kishin para krizës financiare të vitit 2008. Ky nivel ishte tejkaluar qysh më 2010 ndërsa në krahasim me vitin 2007 eksportet janë dyfishuar. Ky fakt më bën të kem pak më shumë optimizëm për ecurinë ekonomike në Shqipëri (në dallim, p.sh., nga Kosova, e cila është në një situatë të dëshpëruar).

Eksportet e Shqipërisë (në miliona euro), 2004-2012.

Eksportet e Shqipërisë (në miliona euro), 2004-2012.

Rritja e eksporteve shqiptare është një zhvillim “kundërciklik” në kontekstin e krizës së eurozonës, siç do ta quanin makroekonomistët. Në rritjen e eksporteve prijnë veçanërisht dy sektorë: ai i metaleve, mineraleve dhe i naftës, por siç shihet më poshtë, ka rritje edhe në sektorët prodhues: atë të këpucëve, i cili është sektor i madh eksportues i Shqipërisë (me prodhime “offshore” për firmat e jashtme, veçanërisht ato italiane), dhe ai i ushqimeve të përpunuara, që duket të jetë një sektor i ri në rritje. Rritja e grupit të parë (mineraleve, metaleve dhe naftës) ka të bëjë edhe me rritjen e çmimeve të këtyre komoditeteve në tregjet botërore (sidomos i naftës), mirëpo rritja e prodhimeve industriale është shenjë e mirë për të ardhmen e rritjes industriale të vendit.

Eksportet e Shqipërisë, sipas llojit (eksportet kryesore), 2008-2012, në miliardë lekë.

Eksportet e Shqipërisë, sipas llojit (eksportet kryesore), 2008-2012, në miliardë lekë.

Shikuar përgjithësisht, kemi disa zhvillime interesante në ekonominë e vendit. Rënies ekonomike të Shqipërisë po i kontribuon tkurrja e ashpër në sektorin e ndërtimeve. Kjo është indikative e dy gjërave. E para, se rritjes ekonomike bazuar në aktivitetet spekulative të ndërtimit dhe një qeverie me projekte të mëdha investuese në infrastrukturë (një pjesë e mirë e financuar me kredi të jashtme), që ka dominuar ekonominë shqiptare nga fillvitet 2000, i ka ardhur fundi. Kostoja e kësaj ende nuk dihet, por ai me sa duket do të paguhet më së shumti nga bankat, që kanë derdhur shuma të mëdha të kredive në këtë sektor, ndërtuesit, që tashmë ballafaqohen me rënie serioze të tregut, por edhe taksapaguesit shqiptarë, të cilët duhet të paguajnë për epshet e mëdha infrastrukturore të qeverisë Berisha. Nga ana tjetër kjo mund të kontribojë në rritjen e vlerës së patundshmërive në vitet që vijnë, që mund të jetë lajm i mirë për shumë familje shqiptare me prona të vogla. Trendi i dytë është që bartës i rritjes ekonomike në periudhën e paskrizës po bëhet gjithnjë e më shumë sektori industrial, veçanërisht ai eksportues. Kjo është shenjë e mirë për perspektivën e zgjerimit të bazës industriale të vendit, veçanërisht kur, sipas sondazheve vjetore të World Economic Forum, në Shqipëri, pronësia vendëse e distribuimit ndërkombëtar të mallrave të eksportit tejkalon të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe shtetet si Sllovenia, Çekia dhe Estonia, ndërsa po renditet gjithnjë e më lartë edhe në shkallën e sofistikimit të proceseve të prodhimit (por, me shtrirje të cekët të zinxhirit prodhues). Sido që të jetë, rritja e eksporteve është zhvillim kurioz pasi që, siç theksova më lartë, kriza e eurozonës ka shkaktuar tkurrje të eksporteve në pothuaj të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor. Mund të jetë kërkesa për mallra gjithnjë e më të lira në ekonomitë e dëmtuara evropiane që po stimulon kërkesën e prodhimeve shqiptare, por sido që të jetë, duket se Shqipëria, në njëfarë forme, po përfiton nga kriza.

Që ky trend të vazhdojë, natyrisht, Shqipëria duhet urgjentisht ta zgjidh problemin e energjisë, e cila po i kushon jo vetëm zhvillimit industrial, por edhe paraqet ngarkesë të përhershme për buxhetin e shtetit dhe problem për rritjen e borxheve edhe ashtu të mëdha publike, pasi që shteti duhet të vazhdojë të bëjë subvencionimin e importit të energjisë. Ky problem është përkeqësuar sidomos pas dështimit spektakular të modelit privatizues/neoliberal të qeverisë së Sali Berishës në këtë sektor (shih edhe këtë).

Elementi tjetër është ai politik – ndryshimi i bazës ekonomike gjithnjë ka implikime në koalicionet dominante politike, ashtu siç koalicionet dominante politike ndikojnë në kahjet e proceseve zhvillimore. Një gjë që dihet është se organizatat që përfaqësojnë interesat e kapitalit në Shqipëri janë të fragmentuara (p.sh., ekzistojnë, në nivel nacional, dhjetëra organizata përfaqësuese të biznesit, nga të cilat shtatë përfaqësohen në Këshillin Kombëtar të Punës). Ky fragmentim në nivel formal vetëm më tepër përforcon rëndësinë e lidhjeve direkte personale midis figurave të biznesit dhe të politikës, por që pothuaja pashmangshëm çon në mungesën e koherencës në politikat zhvillimore (siç dëshmon, ndër të tjera, refuzimi i Berishës i kërkesave të komunitetit të biznesit në prill 2012), pasi që interesat e ngushta dhe individuale shpesh bien ndesh me interesat kolektive të kapitalit. Indikative për këtë është edhe mosorientimi i qartë i politikave zhvillimore të qeverisë Berisha, e cila deklarativisht ka synuar gjithçka dhe gjithkë (infrastrukturën, eksportin, energjinë, turizmin, sektorin publik etj.), ndërsa ka akomoduar dhe privilegjuar një grup të përzgjedhur aleatësh (me synimin e zakonshëm korruptiv pasurimin e grupit politik në pushtet, bashkë me miqtë dhe të afërmit).

Sido që të jetë, do të jetë interesante të shihet se çfarë do të ndodh me mundësinë e çelur për ndryshime pas rënies spektakulare të ndërtimeve dhe e ekonomisë spekulative që ky ka gjeneruar për një kohë të gjatë dhe, ta quajmë kushtimisht, grupit politik që e ka përfaqësuar atë. Ndërkohë është e qartë se fraksioni i kapitalit që kontrollon sektorin e eksporteve, nëse vazhdon me trendin e rritjes, do të bëhet faktor gjithnjë e më i rëndësishëm politik, sidomos kur marrim parasysh që deri më tani, shumë prej kërkesave që kanë të bëjnë me lehtësimin e investimeve në industri janë injoruar (shih, p.sh., këtë dhe këtë). Transformimet ekonomike, sidomos gjatë momentit të kthesave dhe ristrukturimeve, janë gjithnjë trazuese për aleancat dominante shoqërore dhe politike, ndërkohë që trendet ekonomike japin shenja se Shqipëria është duke kaluar një periudhë të tillë, ku industritë eksportuese po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për procesin e akumulimit. Ajo që mund të thuhet është se qeverisja e re politike në Shqipëri, që do të formohet pas zgjedhjeve të sivjeme, do të duhet patjetër të thurrë aleancat me fraksionët në rritje të strukturës ekonomike, ose të paktën t’i marrë interesat e tyre në konsideratë (që është indikative nga rastet sikur ai i luhatjes së socialistëve përsa i përket kërkesave të Konfindustrisë për taksën e sheshtë). Sfida kryesore është nëse këto aleanca politike do të jenë mjaftueshëm të qëndrueshme dhe koherente politikisht që ta çojnë vendin drejt një cikli të ri të akumulimit pas atij 2000-2008, e cila do të mbështetet në rritjen e sektorëve prodhues eksportues si tekstili dhe agro-biznesi, jo vetëm në vëllim të eksporteve por edhe në thellimin dhe zgjerimin e zinxhireve të prodhimit (të ashtuquajtur zinxhirit të vlerës së shtuar – value chain). Në qoftë se (1) fillon e zgjidhet problemi i energjisë, (2) krijohen aleancat e duhura politike me sektorët “progresiv” të kapitalit, duke nxitur shtetin që të lehtësojë barrierat fiskale dhe financiare për investime në industritë eksportuese dhe (3) rrethanat në tregjet e jashtme vazhdojnë të jenë të volitshme, Shqipëria ka shans që në periudhën pas vitit 2013, ta kthejë motorin zhvillimor më larg aktiviteteve spekulative dhe “rritjes politike” me investime infrastrukturore dhe shumë më fuqishëm kah eksporti dhe një zhvillim më i qëndrueshëm industrial.

Komponentët e rritjes ekonomike në Kosovë

Dëgjojmë shpesh të trumpëtohet në Prishtinë për faktin se Kosova, gjatë viteve të fundit, ka rritjen më të madhe ekonomike në rajon. Kjo është e saktë, për sa kohë që ekonomitë rajonale janë prekur (në shkallë të ndyshme), fillimisht nga kriza financiare e 2008-ës, dhe më pas nga kriza e eurozonës që ka goditur sidomos disa nga partnerët kryesorë tregtarë dhe investues në rajon, si Greqia dhe Italia. Përderisa Kroacia dhe Serbia kanë përjetuar recesione, Maqedonia dhe Shqipëria rritje të vogla, Kosova për vitin 2012 pritet të regjistrojë rritje prej 3,9% të Prodhimit Bruto të Brendshëm (PBB).

Megjithatë, nuk duhet harruar se rritja ekonomike në Kosovë është pak a shumë afër mesatarës prej 2-4% që është regjistruar në ekonomitë tranzicionale gjatë vitit 2012, siç vlerësohet kjo nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Nga kjo pikëpamje, rasti i Kosovës nuk përbën aspak rast të devijimit nga norma. Aq më tepër që, gjykuar sipas përllogaritjeve të BERZH-it (dhe disa analizave të mia për rajonin e Ballkanit), recesionet ekonomike në periferi të Evropës nga viti 2008 kanë raport të drejtpërdrejtë me ekspozimin e ekonomive kundrejt eurozonës. Rëniet ekonomike, pak a shumë si rregull, kanë qenë më të ashpra në shtetet më shumë të lidhura me eurozonën, si në aspekt tregtar, ashtu dhe atë financiar. Që nga 2008-a, Kosova është kursyer nga goditjet më të rënda të krizës për shkak të ndërvarshmërisë së ulët të ekonomisë së saj me atë të eurozonës dhe të BE-së në përgjithësi. P.sh., Kroacia, e cila eksporton shumë në BE, ka humbur më shumë nga shkaku i krizës evropiane, në terma relativ, se sa Kosova, e cila eksporton shumë pak, sepse Kroacia ka tregje në BE, kurse Kosova jo.

Sido që të jetë, kjo analizë ka më pak të bëjë me atë se ku bën pjesë Kosova në krahasime rajonale, dhe më shumë me komponentët e rritjes ekonomike në Kosovë përgjatë viteve të fundit (deri në vitin 2011, pasi ato të vitit 2012 nuk janë akoma të plota). Në një mënyrë, kjo analizë i shpalos burimet e rritjes ekonomike duke analizuar komponentët përbërës të saj. Në të njëjtën kohë, kjo nxjerr në pah paqëndrueshmërinë e shtegut aktual të zhvillimit ekonomik në Kosovë, pavarësisht rritjes nominale ose reale të PBB-së.

Të nisemi nga termat absolut. PBB-ja në Kosovë është rritur nga 1,9 miliardë euro në vitin 2001 në rreth 4,9 miliardë euro në fund të vitit 2011. Rritja ekonomike në terma të PBB-së ka qenë e vazhdueshme përgjatë viteve të pasluftës. Trendi i rritjes ka vazhduar pas shpalljes së pavarësisë më 2008 dhe i ka mbijetuar krizës financiare të 2008-ës si dhe problemeve të thella ekonomike në Evropë në vitet e mëpasme.

Ajo që na intereson ne është zbërthimi i PBB-së në komponentët e saj. Një paraqitje vizuele e kësaj jepet më poshtë, duke përfshirë të gjitha komponentët e PBB-së para heqjes së importeve (që është pjesë e formulës për llogaritjen e PBB-së).

Komponentët e PBB-së në Kosovë, 2004-2011, para heqjes së importit.

Grafikoni 1. Komponentët e PBB-së në Kosovë, 2004-2011, para heqjes së importit.

Me sa shihet, në terma absolut, pjësen dërrmuese të shpenzimeve që llogariten në PBB e përbën konsumi i amvisërive (household consumption expenditure). Formimi i kapitalit (gross capital formation, që përfshin investimet private dhe ato publike, si p.sh. në infrastrukturë) janë komponenta e dytë, eksportet e treta kurse shpenzimet qeveritare (government, final consumption expenditure) e katërta. Elementi i fundit janë shpenzimet e donatorëve (në këtë rast, pagat e punonjësve për organizatat ndërkombëtare) që siç shihet përbëjnë pjesë gjithnjë e më të vogël të PBB-së.

GDP components share

Grafikoni 2. Pjesëmarrja e kompentetëve të PBB-së, sipas përqindjes.

Një imazh tjetër na paraqitet nëse analizojmë pjesëmarrjen e secilit komponent sipas përqindjes. Nga kjo shohim rritjen më të madhe relative të rolit të investimeve publike dhe të eksporteve kundrejt konsumit të amvisërive si bartëse të rritjes ekonomike (grafikoni 2).

Nga këto dy pamje duket se kemi një ecje të mirë të rritjes ekonomike, me rritjen e investimeve dhe të eksporteve. Mirëpo, siç dihet mirë, një nga problemet kryesore të ekonomisë së Kosovës është deficiti i lartë tregtar. Rritja e vazhdueshme e importeve “han” çdo rritje nominale ekonomike, sepse një pjesë e mbivlerës së krijuar në ekonomi nxirret jashtë vendit. Kjo është arsyeja pse Kosova, në vend se t’i ketë rreth 7,3 miliardë euro PBB në vitin 2011, i ka patur vetëm 4,9 miliardë. Kjo pjesë është “humbur” nga ekonomia e vendit përmes blerjes së mallrave të jashtme. Grafikoni më poshtë ilustron se si, përkundër rritjes modeste të eksporteve, importet janë rritur më shpejt, dhe për pasojë deficiti tregtar nga viti 2004 në vitin 2011 pothuajse është dyfishuar në gati -1,8 miliardë euro.

Deficiti tregtar (eksportet - importet) i Kosovës, 2004-2011.

Grafikoni 3. Deficiti tregtar (eksportet – importet) i Kosovës, 2004-2011.

Roli i shpenzimeve qeveritare në rritjen ekonomike është theksuar shpesh nga vëzhgues të ekonomisë kosovare dhe del në pah edhe nga grafikoni 2. Mirëpo, përtej përshtypjeve sipërfaqësore, për një analizë të mirëfilltë më të rëndësishme janë trendet. Kjo pasqyrohet në grafikonin më poshtë.

Rritja vjetore e konsumit të amvisërive (kaltër), investimeve (gjelbër) dhe shpenzimeve qeveritare (kuq). Vijat e holla shfaqin trendet për secilën.

Grafikoni 4. Rritja vjetore (në përqindje) e konsumit të amvisërive (kaltër), investimeve (gjelbër) dhe shpenzimeve qeveritare (kuq). Vijat e holla shfaqin trendet për secilën.

Nga kjo shihet qartë se rritjet e komponentëve të veçanta, nga viti 2004 nuk janë të barabarta. Konsumi i amvisërive, p.sh., gjatë viteve të krizës globale financiare 2008-09, ka rënë nga 16% në -2% (dhe Kosova nuk qenka prekur nga kriza!), ndërsa ka rënë gjithashtu edhe shkalla e rritjes së investimeve nga 26% në 9%. Por, ato që janë më të rëndësishime këtu janë trendet, që na bëjnë të mundur të dallojmë tendencat afatgjata nga luhatjet e përkohshme vjetore. Është e qartë se përderisa trendi i shpenzimeve të amvisërive është i pandryshuar (“flat” – vija e drejtë e ndërprerë e kaltër), shpenzimet qeveritare janë në rritje të përhershme (vija e drejtë e ndërprerë e kuqe). Në rritje janë edhe investimet, mirëpo edhe këtu, me lehtësi mund të supozojmë se bëjnë pjesë investimet kapitale të qeverisë, dhe veçanërisht pas vitit 2010 autostrada Morin-Merdare. Kjo na bën të konstatojmë se investimet dhe shpenzimet qeveritare janë pak a shumë bartësi kryesor i rritjes ekonomike, pasi që rritja ekonomike nuk po përkthehet në rritje më të madhe të nivelit të konsumit, çka domethënë se në mesatare, amvisëria kosovare nuk po bëhet më e pasur se që ka qenë, pasi që konsumi i vitpërvitshëm, mesatarisht, nuk po ndryshon.

Shifrat tregojnë qartë dallimin midis shkallës së rritjes së konsumit të amvisërive dhe atë të shpenzimeve qeveritare si pjesëmarrëse në PBB. Ndërsa shihet një vijë e qartë ndarëse para dhe pas vitit 2008. Para vitit 2008, rritja e shpenzimeve të konsumit të amvisërive ishte 6-16%, kurse pas vitit 2008, kjo shkallë bie në -2-10%. E kundërta vlen për shpenzimet qeveritare, që pas vitit 2007 (ardhjes në pushtet të qeverive Thaçi 1 dhe 2), rritën 10-17% në vit. Nëse kërkohet shpjegim për rritjen ekonomike në Kosovë pas vitit 2008, është ky.

Ndërsa ka indikacione të qarta në këto të dhëna se rritja ekonomike nuk po përkthehet në përmirësimin e gjendjes ekonomike të familjeve kosovare. Të dhëna solide për të ardhurat në Kosovë për momentin nuk kemi. Mirëpo, mund t’i nxjerrim disa indikacione nga të dhënat me të cilat posedojmë. Periudha pas vitit 2007 shënon një periudhë të rritjes enorme të inflacionit (shih më poshtë). Amvisëritë kosovare (në mesatare) jo që nuk janë bërë më të pasura, por kanë luftuar që t’i mbijetojnë shtrejtimit të përgjithshëm të kostos së jetesës. Logjika është kjo: po të kishim të bënim me një rritje të të ardhurave të familjeve kosovare si rezultat i rritjes ekonomike, do të pritnim një rritje të konsumit pavarësisht inflacionit. Çmimet shtrejtohen, por për shkak se të ardhurat janë më të mëdha, familja mund të konsumojë ato që ka konsumuar, si dhe ta shtojë konsumin edhe më tepër. Mirëpo, ajo që shohim është se pas vitit 2008, rritjet dhe rëniet e shpenzimeve të amvisërive janë diktuar pothuajse krejtësisht nga inflacioni. Këtë e ilustron më së miri sinkronizimi i përkryer që ekziston midis shkallës së rritjes së shpenzimve të konsumit të amvisërive dhe atë të inflacionit në grafikonin 5 më poshtë. Siç shihet qartë, pas vitit 2007, rritjet e shpenzimeve janë pak a shumë baraz me shkallën e inflacionit, që domethënë se “llufti” midis shpenzimeve të domosdoshme dhe atyre të shtuara (të konsumit përtej nevojave bazike), për shumë familje vetëm po zvogëlohet. Para vitit 2007, përderisa inflacioni kishte rritje të vogël, ose madje kishte edhe deflacion (rënie të çmimeve), shpenzimet rriteshin për rreth 5% në vit, që tregon për një lloj pasurimi të amvisërive, që shpenzojnë më shumë se në vitin e shkuar. Mirëpo, pas 2008-ës, rritja e shpenzimeve është shumë afër shkallës së inflacionit, çka tregon se familjet kosovare po detyrohen të shpenzojnë më shumë vetëm që të ruajnë standardin aktual të jetës, ndërkohë që rritjet e shpenzimeve nuk po kompenzohen me rritje të të ardhurave. Thënë troç: familja mesatare në Kosovë nuk ka përfituar fare nga rritja ekonomike në Kosovë nga viti 2008.

Inflacioni në Kosovë nga viti 2002.

Inflacioni në Kosovë nga viti 2002.

Grafikoni 5. Shkalla e rritjes së shpenzimeve të konsumit të amvisërive (kaltër) dhe shkalla e rritjes së inflacionit (kuq). Amvisëria kosovare nuk po pasurohet, por po shpenzon më tepër vetëm që t'i bëjë ballë inflacionit.

Grafikoni 5. Shkalla e rritjes së shpenzimeve të konsumit të amvisërive (kaltër) dhe shkalla e rritjes së inflacionit (kuq). Që nga viti 2007, amvisëria kosovare nuk po shpenzon më tepër sepse po bëhet më e pasur, por po shpenzon më tepër që t’i bëjë ballë inflacionit.

Këtu hyn edhe një element tjetër interesant, që dëshmon për plotësimin e nevojave të financimit të amvisërive në kushtet e inflacionit të lartë. Duket se ekziston një korrelacion i drejtpërdrejtë midis rritjes së konsumit të amvisërive dhe të rritjes së nivelit të borxheve të sektorit privat (shih grafikonin 5 më poshtë). Me fjalë të tjera, për ta mbajtur nivelin e shpenzimeve (për të përballuar shtrejtimin e jetës), amvisëritë kosovare po futen në borxhe gjithnjë e më të mëdha. Duke marrë parasysh se në Kosovë huatë bankare merren me norma ta papara interesi, ngarkimi i amvisërive kosovare me borxhe do të ketë pasoja afatgjata nëse investimet e bëra nga amvisëritë (p.sh., në patundshmëri) nuk ruajnë qëndrueshmërinë e tyre.

Rritja e konsumit të amvisërive në PBB, rritja e importeve dhe rritja e borxhit të sektorit privat.

Grafikoni 6. Rritja e konsumit të amvisërive në PBB (sipër), rritja e importeve (mes) dhe rritja e borxhit të sektorit privat (poshtë).

Rritja vjetore e konsumit të amvisërive dhe e kredive.

Grafikoni 7. Rritja vjetore e konsumit të amvisërive (kaltër) dhe e borxheve në sektorin privat (gjelbër).

Sidomos grafikoni i mësipërm (7) ilustron ndërlidhshmërinë e thellë midis shpenzimeve të amvisërive dhe të rritjes së borxheve të sektorit privat në ekonominë kosovare. Në këtë grafikon, ku tregohet rritja vjetore e këta dy indikatorëve, shihet një sinkronizim relativisht i fortë midis këtyre dyjave, ndërkohë që shkalla e rritjes së borxheve është më e lartë se sa shkalla e rritjes së konsumit. Natyisht, po të kishim të dhënat e vitit 2012, do të kishim një pasqyrë edhe më të plotë. Ndërsa shpresoj që ta plotësojë analizën kur të botohen këto të dhëna, trendet na bën të kujtojmë se ndryshimet nuk do të jenë edhe aq drastike.

Çka domethënë kjo? Natyrisht, kjo është analizë tejët e kufizuar për të ardhë në konstatime solide. Mirëpo, nga këto që shohim këtu i kemi dy përfundime paraprake. E para është se rritja e PBB-së në Kosovë është rezultat kryesisht i rritjes së shpenzimeve qeveritare dhe i investimeve (sidomos atyre në infrastukturë), dhe jo i rritjes së konsumit (çka do të nënkuptonte edhe rritje të të ardhurave) të amvisërive kosovare, që janë në trend të njëjtë prej vitesh. Ky trend madje ishte rrezikuar nga kriza e vitit 2008. Që nga atëherë, amvisëria mestare kosovare nuk shpenzon më tepër se është më e pasur, por sepse duhet t’i bëjë ballë shtrejtimit të kostos së jetesës.

E dyta është se rritja e konsumit po kushtëzohet gjithnjë e më shumë nga kredidhënia, çka nënkupton se një pjesë të rritjes ekonomike po e financon borxhi në rritje i sektorit privat. Ndërkohë që rritja eksponenciale e deficitit tregtar dëshmon se zhvillimi industrial që do të rezultonte në rritje të eksporteve dhe zëvendësim të importeve nuk është duke ndodhur në shkallë të mjaftueshme për të parandaluar rritjen e importeve.

Çka do të thotë kjo në aspektin e një analize ekonomike politike, e cila nuk mund të mjaftohet vetëm me shifra pa analizuar marrëdhëniet shoqërore dhe raportet klasore që konstituojnë strukturën ekonomike? Mund të shtrohet një hipotezë, që besoj se është mjaftueshëm e qëndrueshme: se përfituesit më të mëdhej nga rritja ekonomike në Kosovë (krejt, si gjithnjë, në terma relativ) nuk është familja mesatare në Kosovë, por janë importuesit (si pasojë e tregut në rritje për importe), kontraktorët e qeverisë (si pasojë e rritjes së shpenzimeve dhe të investimeve qeveritare) dhe bankat (si pasojë e rritjes së borxheve). Kemi pra tri fraksione klasore që dominojnë ekonominë kosovare: kompradorët (kapitalistët tregtarë të mallrave të jashtme), kapitalistët politikë (biznesmenët e lidhur sidomos me partinë në pushtet, përfitues nga kontratat qeveritare) dhe kapitali i organizuar financiar (bankat, që në Kosovë janë kryesisht të huaja). Ajo që është e përbashkëta e këtyre tre fraksioneve shoqëroro-ekonomike është rentierizmi. Në terma ekonomik, renta, kundrejt profitit, është përfitim i realizuar përmes aktiviteteve “joproduktive”, në kuptimin ekonomik të fjalës. Çështja është se, në terma ekonomik, ndonëse importuesit, kontraktorët e qeverisë dhe bankat, si organizata komerciale, realizojnë “profit”, ky “profit” rezulton jo nga risku i ndërmarrë nga investimet në krijimin e kapitalit produktiv, por nga kontrolli dhe monopoli mbi resurse të caktuara – rrjedhes së mallrave nga jashtë (kompradorët), kontrolli i parave (bankat) dhe të lidhjeve të privilegjuara politike (kapitalistët politikë). Ndonëse rentierizmi është i pranishëm gjithandej ekonomive kapitaliste, në Kosovë kapitalizmi rentier përbën formën dominante të akumulimit të kapitalit, pasi që sektorët rentierë përbëjnë sektorët më “profitabil” të ekonomisë kosovare.

Pyetja është, sa është i qëndrueshëm ky kurs, në terma të pastër ekonomik? Faktori i parë është se, pa një rritje reale të bazës industriale, investimet qeveritare, sidomos ajo në të cilën është përqëndruar qeveria Thaçi 2 (infrastuktura rrugore), do të paraqesin një barrë gjithnjë më të madhe dhe më të paqëndrueshme fiskale. Shteti i Kosovës, megjithatë, ka kapacitete të ulta financiare (lidhur me këtë shih këtë dhe këtë shkrim timin) dhe nuk përballon dot një rritje të deficiteve çfarë kërkon ruajtja e shkallës aktuale të rritjes së shpenzimeve. Ndërkohë që, struktura e dobët eksporteve (shënim: linku çon në blog-un tim në gjuhën angleze) dëshmon se pozicionimi i Kosovës në ekonominë rajonale, evropiane dhe botërore nuk po tregon shenja përmirësimi. E dyta është se, mbështetja në rëmitanca nuk mund të vazhdojë pafundësisht. Nëse Kosova ndjek trendet e shteteve tjera të rajonit, pas një periudhe, remitancat do të bien, pavarësisht zhvillimeve ekonomike, si pasojë e trendeve demografike. E treta është se, kredidhënia në Kosovë po derdhet kryesisht në ndërtimtari dhe shërbime tregtare, çka dëshmon se nuk ka ndryshim në strukturën e investimeve në Kosovë, jashtë atyre që janë bërë këto dhjetë vitet e fundit. Kjo do të thotë se edhe rritja e kredive, që edhe ashtu është zvogëluar që nga viti 2008, mund të shkojë drejt zvogëlimit të mëtejmë, sidomos nëse ka rritje të kredive të këqija, çka mund të rezultojë në rritjen e mëtejme të normave të interesit (bankat kurrë nuk mund ta ndalin tërësisht kredidhënien, pasi që synimi i tyre është një optimum midis riskut dhe fitimeve nga stoku i kredive, që llogaritet në normën e interesit). Krejt këto dëshmojnë për nevojën për një ndryshim radikal të kursit ekonomik, por i cili domosdoshmërisht duhet të paraprihet nga një thyerje politike e aleancave (eksplicite e implicite) shoqërore e klasore që ruajnë dhe përfitojnë nga struktura e kapitalizmit rentier në Kosovë. Le të jetë ky urimi im jomodest për vitin 2013.

Varshmëria në remitanca në Ballkanin Perëndimor

Në zhvillim e sipër të një hulumtimi nxora një të dhënë interesante mbi rolin e remitancave (dërgesat financiare të emigrantëve) në ekonomitë e Ballkanit Perëndmor. Ndonëse është ditur se Kosova dhe Shqipëria janë dy nga vendet me varshmëri të madhe në remitanca (p.sh., në Kosovë, llogaritet se rreth 25% e ekonomive familjare pranojnë remitanca), nuk është gjithmonë e qartë se çfarë faktori remitancat përbëjnë në ekonominë në përgjithësi. Kjo llogari e bërë dhe e paraqitur në grafikun më poshtë tregon se niveli i varshmërive në remitanca është i ndryshëm. Në njërin ekstrem është Kosova, ku remitancat vazhdojnë të formojnë mbi 12% të Prodhimit Bruto të Brendshëm (PBB). Në ekstremin tjetër është Kroacia, ku remitancat janë faktor i neglizhueshëm për nga efekti në PBB (më pak se 1%). Për pjesën tjetër të shteteve duket se në vitet e fundit ka ndodhur një konvergjencë në afër 7% të PBB-së.

Ajo që vlen të shënohet është se nga viti 2007, për shumicën e shteteve vërehet një rënie e rëndësisë së remitancave në PBB. Kjo domethënë se shtete si Shqipëria dhe Bosnja gradualisht po zvogëlojnë peshën e remitancave në ekonomi, duke rritur bazën e tyre ekonomike. Ekonomia e Kosovës ndërkaq, akoma varet shumë nga remitancat dhe çdo rënie e tyre ka efekt shumë më të madh në rritjen ekonomike të vendit.

Remitancat si përqindje e PBB-së në shtetet e Ballkanit Perëndimor

Struktura e investimeve në Kosovë

Javët e fundit në shtypin dhe sferën publike në Kosovë është ndezur sërish debati për privatizimin. Duket se shtytës për këtë ishin një numër zhvillimesh. E para është përmbyllja e pritur e kontratës për kalimin në pronësi të konsortiumit turk Limak-Çalik të Distribucionit të KEK-ut (KEDS) (për çmimin absurd prej rreth 26 milionë eurosh), që pritet të ndodh gjatë këtij muaji. E dyta janë zërat e protestës së ngritur kundër këtij privatizimi, bashkë me atë të PTK-së, në njërën anë nga Lëvizja Vetëvendosje e njohur për qëndrimin e saj kundërshtues ndaj privatizimit, por edhe nga BSPK-ja dhe grupe të tjera shoqërore dhe qytetarë që janë shprehur kundër përmes një peticioni. Midis këtyre ishin edhe disa debate të nxitura nga një shkrim në dy seri i mikut tim Lumir Abdixhiku, i cili është kritik ndaj politikave qeveritare, por ku ai përpiqet të argumentojë se problemi nuk qëndron tek privatizimi si i tillë, por te mënyra se si ai po implementohet në Kosovë. Në këta rreshta do të përqëndrohem në disa pika të argumentit të shtruar aty më shumë se në debatet e tjera politike, sado që debati mbi politikat ekonomike, nga i gjithë spektri ideologjik opozitar (ta quajmë kështu kushtimisht) në Kosovë po reduktohet në sllogane populliste dhe rrjedhimisht po degradon nga cilësia e tij intelektuale.

Boshti kryesor i argumentit të Lumirit është ideja, e argumentuar si në baza doktrinare ashtu dhe në empirike (por duke u referuar në studime të pacituara) se zhvillimi ekonomik duhet të mbështetet në sektorin privat. Interesant është se një qëndrim të ngjashëm shprehu edhe përfaqësuesi i Odës Ekonomike të Kosovës, organizatës që deri dikur drejtohej nga ministri aktual i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj por që kohët e fundit sikur kishte dalë në pozicione kritike ndaj politikave qeveritare. Oda Ekonomike bashkë me grupet tjera përfaqësuese të biznesit nga një pozicion kritik dolen në mbështetje të parezervë për privatizimin e KEDS-it dhe të PTK-së.

Krejt në rregull në aspektin doktrinar, sidomos kur publiku kosovar terrorizohet gjithnjë me fantazmën e socializmit, që na paskësh qenë një katrahurë totale ekonomike (dhe një argument i çuditshëm për një shoqëri si puna e Kosovës që nuk ka histori të zhvillimit kapitalist dhe gjithë bazën industriale që e ka e ka trashëguar nga socializmi). Krejt në rregull, edhe kur paraqiten fakte për rëndësinë akuale të sektorit privat në Kosovë, i cili përpjestimisht punëson më tepër persona se sa sektori publik i marrë përgjithësisht (pra duke përfshirë ndërmarrjet publike si PTK dhe KEK por edhe administratën shtetërore, arsimin publik etj.). Por, hajde ta marrim se na pëlqen shumë koncepti neoliberal (ose libertarian, siç e parapëlqen Lumiri) për idenë se sektori privat duhet të jetë motori i zhvillimit ekonomik, dhe se shteti nuk duhet të ketë rol në këtë punë përveç si një mbrojtes i pronës private dhe eventualisht si rregullator i disa fushave që tregu nuk mund t’i vetë-rregullojë.

Edhe nëse e marrim këtë bazë, ne sërish ballafaqohemi me problemin e madh të dobësisë së madhe strukturore të sektorit privat në Kosovë. Në një aspekt të këtij problemi pata aluduar në një shkrim të mëparshëm ku tregoj se një prej problemeve të sektorit privat në Kosovë është ekonomia në shkallë. Shumica e bizneseve në Kosovë janë të vogla. Ato janë firma kryesisht në pronësi familjare dhe shumica syresh merren me tregti ose shërbime të thjeshta. Ndër pak industri ku sektori privat ka patur sukses koncentrimi i kapitalit dhe rrjedhimisht kalimi në ekonomi të shkallës është në tregti (me firma si Elkosi dhe firma të tjera të mëdha tregtare) dhe deri dikund në ndërtimtari. Sektori privat nuk ka arritur të rigjenerojë industritë e dikurshme të Kosovës, dhe sidomos bazën bujqësore, minerare dhe energjetike që kanë shërbyer si shtyllë e industrializimit të Kosovës gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX. Në njëfarë mënyre, sektori privat i Kosovës është vazhdim dhe evoluim i ekonomisë së shërbimeve të viteve 1990, e jo asaj industriale të viteve 1970.

Pa ekzagjerim mund të thuhet se sektori privat në Kosovë nuk investon pothuajse fare në sektorët e rëndësisë strategjike për zhvillimin e Kosovës. Për ta vërtetuar këtë desha ta ofrojë këtë pasqyrë të dhënash që kam përpiluar nga të dhënat e botuara nga Banka Qëndrore e Kosovës (BQK). Kjo tabelë është pasqyrë e strukturës të kredive në ekonominë kosovare, sipas sektorëve ekonomikë. Nga një këndvështrim tjetër mund të thuhet se po kjo tabelë na reflekton edhe strukturën e investimeve në ekonominë e Kosovës, duke treguar se ku është më së shumti i përqëndruar kapitali investues. Për ta ndërtuar krahasimin që dua ta bëj, në tabelë jam përqëndruar vetëm në katër sektorë: nga ai industrial (prodhues) në miniera, energjetikë dhe në ndërtimtari, ndërsa nga ai i shërbimeve në tregtinë.

Siç shihet, nga 918,2 milionë eurove të lëshuara në formë kredie për bizneset kosovare, pjesa më e madhe janë orientuar në shërbime, dhe pjesa më e madhe në tregti (afër 68% e totalit të investimeve në Kosovë). Vetëm 3.3% e totalit të kredive (rrjedhimisht edhe investimeve private) në industri janë orientuar drejt minierave dhe energjetikës. Ky është një indikator i qartë i strukturës jashtëzakonisht të brishtë ekonomike të Kosovës. Sektorët tradicionalë industrialë të Kosovës përfitojnë jashtëzakonisht pak investime nga sektori privat. Sektori privat i Kosovës (duke përfshirë bankat si dhe bizneset) deri më tani nuk kanë treguar interesimin e vet për të investuar në industri, dhe sidomos jo në xehtari dhe energjetikë (dhe sipas të dhënave të tjera e dimë se niveli i kredive për bujqësi është gjithashtu jashtëzakonisht i vogël).

Është deri dikund e çuditshme pra që të mbrohet privatizimi në emër të sektorit privat, kur shtyllat themelore për zhvillimin e sektorëve industrialë nuk janë aty. Të kota janë thirrjet në sektorin privat kosovar kur në të vërtetë i vetmi sektor privat që po shfaq interesimin të investojë në asetet publike në Kosovë janë konsortiumet turke dhe spekulantët financiarë nga Londra, Wall Street dhe Dubai. Sektori privat i brendshëm kosovar nuk i ka kapacitetet financiare, organizative dhe as profesionale që me forcat e veta të rigjenerojë dhe ringjallë industritë e dikurshme të Kosovës, as të bëjë investimet e duhura në sektorët ekzistues si telekomi ose energjetika. Ky është realiteti që e din gjithkush por që sikur harrohet kur flitet për nevojën e mbështetjes së zhvillimit ekonomik mbi sektorin privat. 

Cila është zgjidhja këtu? Kosova nuk mund të mbijetojë si një ekonomi e shërbimeve tregtare pa prodhim. Kosova ka ndjekur këtë rrugë gjer në këtë pikë falë ndihmave nga jashtë dhe remitancave. Por kjo nuk është rrugë e qëndrueshme dhe vazhdimi i trendeve negative ekonomike në Evropë pashmangshëm do të krijojë probleme të mëdha jo vetëm në papunësi dhe varfëri, por edhe në mundësinë e një krize fiskale të shtetit që pothuajse është e garantuar nga politikat e investimeve të mëdha kapitale (lexo: autostrada) që ndjek qeveria aktuale.

Andaj, rigjenerimi industrial i Kosovës i ka dy rrugë. Rruga e parë është privatizimi i shpejt dhe shitja e aseteve kryesore industriale (energjetikës dhe minerave) firmave të huaja. Këto firma zgjidhin problemin e investimeve në plan afatshkurtër, sepse këto firma supozohet se kanë mundësitë e tyre financiare (qoftë të brendshme, qoftë përmes kredive të lira të marrura nga bankat e huaja) dhe edhe ato organizative (si të stafit menaxherial, qasjes në tregje të jashtme etj.). Mirëpo në plan afatgjatë Kosova humb përfitimin e mbivlerës nga asetet e veta dhe pasuria e vet natyrore – profitet tërhiqen jashtë vendit, investimet zvogëlohen, punësimi ngelet në minimumin e nevojshëm operativ, nuk ka nxitje për investime në avancim industrial drejt industrive përpunuese dhe teknologjike etj.

Rruga e dytë është më e kushtueshme në fillim, por krijon bazament të qëndrueshëm për zhvillim afatgjatë. Kjo rrugë nuk thotë që asetet industriale duhet të mbetën vetëm në pronësi publike për hir të pronës publike, por se pronësia publike është pjesë e një strategjie të gjithmbarshme për zhvillim industrial. Kjo strategji nuk fillon dhe mbaron me privatizimin, por me ristrukturimin e plotë institucional, duke filluar nga sektori financiar (duke themeluar, p.sh., një Bankë Zhvillimore për investime strategjike përmes kredive të lira), ai arsimor (duke investuar në kapacitetet profesionale dhe shkencore në fushat e rëndësishme për këta sektorë) dhe ai ekonomik (duke kryer reformat e duhura organizative në mënyrë që ndërmarrjet publike të operojnë profesionalisht dhe jashtë ndikimeve politike dhe klanore).

Kjo është rruga e shtetit zhvillimor, koncept që kam shtjelluar më parë. Rruga e shtetit zhvillimor është më e ngadalshme, më e vështirë dhe ka më shumë sfida. Por është rrugë për zhvillim të sigurt dhe të qëndrueshëm, ku ekonomia e Kosovës funksionon në radhë të parë në shërbim të vendit, dhe jo të interesave të jashtme. Problemi i Kosovës nuk është thjesht privatizimi apo parapëlqimet doktrinore për sektorin privat apo atë publik. Sfida e Kosovës është ndërtimi dhe ndjekja e një kursi afatgjatë zhvillimor, i cili do të përcaktojë të ardhmen jo vetëm të gjeratave të sotme por edhe atyre të ardhme. Ndyshe potencialet ekonomike, burimet natyrore dhe pasuria e Kosovës do të mbizotërohen nga interesat e jashtme, ndërsa të riut kosovar, atij që nuk ka privilegjin të jetë i lidhur me paranë ose pushtetin, i jepet një dhe vetëm një mundësi për të mbijetuar: ikja nga Kosova.

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Bashkojuni 62 ndjekësve të tjerë

Këtë e pëlqejnë %d bloguesa: