Skeduar nën Politika amerikane

Rruga drejt BE-së (dhe larg fusnotave) kalon nëpër OKB

Pranimi i “fusnotës” për përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale dhe ndërkombëtare nga Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Hashim Thaçi nuk bën asgjë për të avancuar interesin primar të Kosovës, që është konsolidimi i shtetësisë së saj në arenën ndërkombëtare. Përkundrazi, ky është hap drejt institucionalizimit të statusit aktual të Kosovës, si shtet me njohje të pjesshme ndërkombëtare, me shtetësi të kontestuar nga Serbia, me mungesë njohjeje nga shumica dërrmuese e shteteve të botës, dhe pa anëtarësi në institucionin kryesor ndërkombëtar, Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Përveç avancimit të kandidaturës së saj në Bashkimin Evropian, Thaçi i ka bërë një favor të hatashëm Serbisë, duke konfirmuar edhe ndërkombëtarisht faktin se shtetësia e Kosovës është ligjërisht e kontestuar. Ky veprim, që kthen në lojë rezolutën tashmë të tejkaluar 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, mohon edhe suksesin e Kosovës në vendimin e dhënë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë se pavarësia e Kosovës nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar.

Vendimi i GjND-së në një mënyrë abrogoi Rezolutën 1244, jo në kuptimin formal të fjalës (pasi që këtë mund ta bëjë vetëm Këshilli i Sigurimit, ku Rusia gëzon fuqinë e vetos), por të paktën në peshën e saj juridike, pasi që një instancë e lartë e ligjit ndërkombëtar në një formë njohu të drejtën e Kosovës për pavarësi.

Me veprimin e saj, ndërkaq, Qeveria e Kosovës shkon në drejtim të formalizimit të statusit gjysmak dhe jo të plotë ndërkombëtar të Kosovës, i tillë çfarë është tani. Aq më tepër që Thaçi tashmë pranoi rolin e Serbisë në definimin e statusit të kontestuar ndërkombëtar të Kosovës, që është qëllimi kryesor i të ashtuquajturës “fusnotë”, pasi që insistimi që Rezoluta 1244 të jetë pjesë definuese e statusit të Kosovës në kontestimin e pavarësisë së saj është një nga boshtet themelore të politikës së jashtme serbe.

Duhet theksuar faktin se pavarësia e Kosovës është ende e pakonsoliduar, jo vetëm në aspektin e cenimeve të brendshme të sovranitetit të saj në veri, por edhe në aspektin ndërkombëtar të mosnjohjes së Kosovës si shtet nga OKB-ja. Kjo vazhdon të jetë sfidë e madhe për shtetin e ri dhe përderisa Kosova nuk arrin ta realizojë njohjen e plotë ndërkombëtare, Serbia do ta ketë në vazhdimësi derën hapur për kontestime të shtetësisë së Kosovës në forumet ndërkombëtare ku ajo është e pranishme. Imponimi i “fusnotës” paraqet sukses të Serbisë në këtë orvatje të degradimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ajo që është më shqetësuese se pranimi i “fusnotës” nga Thaçi – pasi që dihet fare mirë se sa politikisht labil është Thaçi dhe sa kollaj ai u nënshtrohet kërkesave të “miqve” ndërkombëtarë, është vetë fakti se “fusnota” erdhi si imponim jo vetëm nga BE-ja, por u pranua vetëm pas vizitës në Kosovë të ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Bill Burns.

Në një mënyrë, se insistimi për pranimin e “fusnotës” vjen edhe nga një vend sponsor i pavarësisë së Kosovës, është tregues ogurzi se edhe sponsorët kryesorë të pavarësisë së Kosovës, SHBA dhe katër vendet tjera të Quintit, tashmë kanë braktisur përpjekjet për ta shtyrë përpara njohjen e mëtejmë të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke konsideruar se konsolidimi ndërkombëtar i pavarësisë së Kosovës ka arritur një limit të patejkalueshëm.

Si pasojë, SHBA-të dhe shtetet tjera të Quintit mund të kenë vendosur që zgjidhja për Kosovën është që të akomodohet ndërkombëtarisht me statusin e saj aktual, siç bën, p.sh. Tajvani me shtetësinë e tij në vazhdimësi të kontestuar nga Kina, duke pranuar realitetin se njohja e plotë e pavarësisë së Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB nuk janë opsione të mundshme tani për tani.

Se SHBA-të kanë pak interes për të lobuar nëpër botë për njohjen e Kosovës, tregon fakti se Washingtoni tashmë ka një agjendë të ngjeshur ndërkombëtare me çështjet që nga revolucionet në Lindje të Mesme deri tek Afganistani dhe Pakistani dhe rreziku i mundshëm i konfliktit me Iranin, ndaj kapitalin e vet të çmuar politik nuk do ta shpenzojë në presione ndaj shteteve për njohjen e Kosovës.

Nga ana tjetër, BE-ja është e pafuqishme për të ndërmarrë ndonjë hap rreth kësaj pasi që ka pesë anëtarë të saj që nuk e pranojnë Kosovën, që e detyron vetë BE-në që të ketë një qasje neutrale ndaj statusit të Kosovës, çka po reflekton negativisht në tërë procesin e negociatave me Serbinë.

Aq më keq që Kosova ballafaqohet me ketë problem në një moment të pavolitshëm historik – influenca e SHBA-ve në botë akoma vuan nga dëmi i politikave dhe intervenimeve unilaterale të administratës së Bush-it, ndërkohë që kriza ekonomike botërore ka vënë nën hije shtetet perëndimore duke nxjerrë në plan të parë vendet me zhvillim të hovshëm si Kina, Brazili dhe India, asnjëra nga të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Aq më tepër që Kosova asnjëherë nuk ka arritur që problemin e pavarësisë së saj ta shtrojë si një problem të vetëvendosjes, duke e bërë pavarësinë e Kosovës të interpretohet në një pjesë të qarqeve diplomatike të Jugut global si një projekt perëndimor apo amerikan të ndërmarrë për ta ndëshkuar në mënyrë arrogante Serbinë.

Imazhi i kriminalizuar dhe i korruptuar i qeverisë së Hashim Thaçit dhe suitës së tij në pushtet, kombinuar me kapacitetet e ulta të politikbërjes së pavarur, gjithashtu nuk i bën gjërat më të lehta për vendin.

Numri i njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, për vit dhe totali. *Të dhënat për vitin 2012 përfshijnë periudhën deri në muajin shkurt.

Kosova, në një mënyrë, ka provuar dhe po zbulon kufijtë e influencës amerikane dhe asaj perëndimore, fakt të cilin po e provon edhe imponimi i “fusnotës”, që është simptomë e krejt kësaj. Kosova njihet gjithsej nga 88 nga 192 shtete anëtare të OKB-së. Në vitin 2011, Kosova u njoh nga 12 shtete, kurse në vitin 2010 vetëm nga 8. Kosovën nuk e njohin shumica e shteteve të Amerikës latine, shumica e shteteve të Afrikës, shumica e shteteve të Azisë, shumica e shteteve të Lindjes së Mesme, përfshirë fuqitë regjionale të rajoneve përkatëse që (përveç Rusisë) përfshin Brazilin, Indinë, Pakistanin, Iranin, Kinën, Egjiptin dhe Afrikën e Jugut.

Përfaqësimi rajonal i shteteve që njohin pavarësinë e Kosovës, sipas grupeve joformale regjionale në OKB. Kuadrat e kuq tregojnë për përqindjet e ulët të njohjeve në regjionet përkatëse. *Grupi "të tjerët" përfshin SHBA-të dhe Kiribatin.

Paraqitja grafike e përfaqësimit të regjioneve në vendet që njohin pavarësinë e Kosovës, shprehur në përqindje (sipas të dhënave në tabelën e mësipërme).

Paradoksalisht, Kosova paraqitet në një formë si e kundërta e Palestinës – përderisa Palestina gëzon mbështetje të gjerë në OKB, ndërkohë që shpalljen unilaterale të shtetësisë së saj e kundërshtojnë në radhë të parë SHBA-të dhe disa aleatë të saj, SHBA-ja është një nga sponsorët kryesorë të shtetësisë së Kosovës ndërkohë që kauza e vendit për pavarësi gëzon fare pak mbështetje në OKB.

Si vend i vogël dhe i varfër, dhe me një qeveri të korruptuar dhe me kredibilitet të ulët ndërkombëtar, Kosovës i mbeten pak opsione për të vepruar në plan afatshkurtër për konsolidimin e pavarësisë së saj në planin ndërkombëtar. Mirëpo, në plan afatgjatë, Kosova duhet t’i rimendojë orientimet e veta strategjike.

Në njërën anë, Kosova duhet të anashkalojë pengesat e BE-së duke thelluar marrëdhëniet bilaterale me shtetet mbështetëse të Kosovës, sidomos në nivel ekonomik dhe tregtar. Në anën tjetër, Kosova duhet të synojë partnerë të rinj nëpër botë, për të shkuar përtej euro- dhe amerikano-centrizmit të ngushtë në vizionin e saj për politikën e jashtme, duke shfrytëzuar çdo levë dhe mundësi për ta konsoliduar bazën ndërkombëtare të shtetësisë së saj, me synim që Kosova sa më parë të aplikojë për anëtarësim në OKB.

Rruga për në BE, dhe rruga kundër fusnotave, kalon medoemos nëpër OKB.

Shkrimi origjinal botuar te Zëri (Prishtinë) dhe Shekulli (Tiranë)23 shkurt 2012.

Shënim: Një burim i mirë i të dhenave për njohjet e Kosovës është websajti kosovothanksyou.net.

Rreziku i presidentit Obama

Thuhet shpesh që zgjedhjet presidenciale amerikane janë referendum për ekonominë, pasi që gjendja ekonomike shpesh dikton shansat e një presidenti në zyrë që të fitojë një mandat të dytë. Këtë leksion e nxori presidenti republikan George H. W. Bush kur humbi në vitin 1992 kundrejt një kandidati relativisht të panjohur demokrat nga shteti Arkansas me emrin Bill Clinton. Bushi i I-rë kishte udhëheq me sukses intervenimin e vitit 1991 në Irak dhe kishte menaxhuar me sukses krizën e bllokut lindor dhe shpartallimin e Bashkimit Sovjetik gjatë presidencës së tij, krahas sukseseve të tjera në rrafshin ndërkombëtar që SHBA-të i kishte nxjerr si superfuqi e vetme botërore. Por, në të njëjtën kohë, ekonomia amerikane lëngonte nga një recesion i vazhdueshëm. Pakënaqësia popullore që nxiti recesioni i fillimviteve 1990 i kushtoi presidentit Bush I me një orvatje të pasuksesshme për një mandat të dytë.

Recesioni i fillimviteve 1990 ishte relativisht modest në krahasim me tronditjet që ka pësuar ekonomia amerikane që nga viti 2007. Papunësia zyrtare në SHBA ka arritur në shkallën 9,1%, nivel i paparë në tri dekadat e fundit. Deficiti buxhetor amerikan ka arritur në mbi 1,2 bilionë (1,200 miliardë) dollarë, kurse kriza politike rreth borxhit publik, e gjeneruar nga opozitarët republikanë të presidentit, përfundoi me uljen e rejtingut kreditor të SHBA-ve nga AAA në AA+. Aq më tepër që performansa ekonomike në muajt e fundit nuk ka treguar trende pozitive. Programi i masave të shpenzimeve stimulative, që presidenti Barack Obama i inicoi në fillim të mandatit të tij në vitin 2009 dhe të përshëndetur nga Keynes-ianët si Paul Krugman dhe të tjerë, duket se ka parandaluar thellimin e krizës ekonomike, por nuk ka çuar në një rigjenerim të ekonomisë dhe aq më pak në ulje të papunësisë. Aq më tepër që programi i stimulimit ekonomik, që i kushtoi shtetit amerikan rreth 800 miliardë dollarë, tani përdorët politikisht nga kundërshtarët republikanë të presidentit që të argumentojnë se kjo masë vetëm çoi në rritjen e deficitit dhe nevojën që shteti amerikan të futet në borxhe gjithnjë e më të mëdha. Këta kundërshtarë republikanë ndërkaq “harrojnë” që shpërthimi më i madh i deficitit ndodhi në periudhën e administratës së presidentit Bush II, i cili uli taksat përderisa ngarkoi buxhetin me shpenzime të jashtëzakonshme ushtarake për luftërat në Afganistan dhe Irak.

Nuk është çudi prandaj që ekonomia dhe punësimi janë fronti kryesor politik midis presidentit Obama dhe kundërshtarëve të tij republikanë, që tashmë kanë filluar vlerësimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve të tyre për garën presidenciale të vitit 2012. Ashtu si presidentët e tjerë, z. Obama do të vlerësohet nga votuesit mesatarë amerikanë – veçanërisht ata pa bindje dhe anime të përcaktuara partiake – për suksesin e tij në frontin ekonomik. Kjo është jetike për presidentin Obama, përkrahja publike e të cilit në sondazhe ka rënë në rreth 44 për qind.

Kjo është arsyeja pse të enjten që shkoi, presidenti Obama mbajti një adresim të pazakontë në dy dhomat e Kongresit amerikan, ku shtroi para përfaqësuesve të Kongresit planin e tij për rritje ekonomike dhe gjenerim punësimi. Z. Obama prezantoi në vija të trasha planin e tij, të cilin do t’ia dorëzojë Kongresit, për zbritje taksash dhe masa të tjera stimulative që kanë për qëllim rritjen e punësimit dhe rritje ekonomike.

Fjalimi i z. Obama përmbante ftesën për bashkëpunim me republikanët, të cilët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe pa përkrahjen e të cilëve çdo nismë e presidentit do të dështojë. Kjo do të jetë veçanërisht problematike për shkak se Partia Republikane ka rrëshqitur edhe më tej drejt të djathtës, veçanërisht me forcimin në parti të krahut të ashtuquajtur “Tea Party”. Ky krah jo vetëm se kundërshton me forcë presidentin Obama, por shihet edhe politikisht i gatshëm që të obstruksionojë çdo nismë të presidentit, siç u pa me rastin e negociatave për ngritjen e kulmit ligjor të borxhit shtetëror, i cili në të kaluarën ka qenë një procedurë formale që nuk ka shkaktuar përçarje të thella midis republikanëve dhe demokratëve. Agjenda radikale e këtij grupi përfshin jo vetëm uljen e deficiteve, por edhe gjëra si abrogimin e reformave të presidentit Obama për sistemin e sigurimeve shëndetsore, dhe reforma (deri në shkurtime serioze) të programeve si Sigurimi Social (sistemi publik pensional) dhe Medicare dhe Medicaid, programet federale që u ofrojnë sigurim shëndetsor të moshuarve dhe të varfërve. Madje, njëri nga kandidatët seriozë republikanë për president, guvernatori i Teksasit Rick Perry, në librin e tij, këto programe, që datojnë nga reformat e New Deal-it të presidentit Franklin D. Roosevelt gjatë viteve 1930, i quan “kundërkushtetuese”.

Nga përmbajtja e fjalimit duket se z. Obama ka kuptuar se polarizimi i thellë i politikës amerikane në vitet e fundit nuk mund të tejkalohet me thirrje të vazhdueshme për bashkëpunim dypartiak. Kësaj radhe z. Obama u ka servirur republikanëve një pako që përmban propozime të bëra edhe nga grupe republikane, siç është zvogëlimi i taksave dhe inkurajimi në forma tjera i investimeve dhe punësimit nga bizneset e vogla. Kjo do të duhej ta bënte më të vështirë refuzimin nga pala republikane miratimin e pakos (ose të paktën elementeve të tij që mbeten të negociohen në javët që vijnë), por edhe më të lehtë që refuzimin republikan z. Obama të përkthejë në municion elektoral të drejtuar kundër repulikanëve, me idenë se kjo parti, sado që thirret në problemet ekonomike, megjithatë nuk është e gatshme të bashkëpunojë me presidentin për t’i zgjidhur problemet e ekonomisë amerikane dhe sidomos zvogëlimin e papunësisë.

Mbetet të shihet se sa do të jetë e suksesshme strategjia politike e z. Obama, që dukshëm ka të bëjë me perspektivën e tij për rizgjedhje më 2012. Në aspektin ekonomik, vlerësimet e grupeve të pavarura janë të ndryshme, megjithëse të gjitha besojnë se miratimi i planit do të nxiste një rritje ekonomike dhe të punësimit në plan afatshkurtër, duke ngritur rritjen ekonomike për 1 (vlerësimet më konservatore) deri në 3 për qind (vlerësimet më optimiste) gjatë vitit 2012. Problemi, natyrisht, është se jo gjithçka është në duart e presidentit Obama dhe e Kongresit. Që nga vitet 1990 dhe sidomos vitet 2000, premisa e ekonomisë amerikane ka qenë mbështetja në rritje financiare dhe zvogëlimin drastik të bazës industriale të vendit, dhe mbështetje mbi një ekonomi të konsumit mbi kredi, e parë edhe me shpërthimin e deficitit tregtar amerikan dhe rritjen enorme të nivelit të borxheve të njësive familjare gjatë dekadave të fundit. Problemi nuk është se në krizë është vetëm ekonomia amerikane, por i tërë modeli i globalizimit ekonomik dhe financiar që është ndërtuar në dekadat e fundit. Fatkeqsisht, i gjendur përballë presioneve politike, “riparimet” dhe masat tjera të z. Obama janë vetëm intervenime afatshkurtëra që nuk i adresojnë këto. Megjithatë, humbja eventuale e z. Obama dhe ardhja në pushtet e një presidenti të ri republikan me përkrahjen e fraksionit të “Tea Party” mund të rezultojë në politika të reja ashpërsuese që katastrofën ekonomike të viteve të fundit do ta përkthejnë edhe në konfrontime të reja politike si në rrafshin e brendshëm amerikan ashtu dhe në atë global.

Kolumna javore, Koha Ditore, 11 shtator 2011

Ndiqe

Get every new post delivered to your Inbox.

Join 101 other followers