Në sajtin e njohur të internetit Youtube, dikush ka vendosur një xhirim të këngëtarës kosovare Genta Ismajli e cila, gjatë një performanse të këndimit ‘playback’, rrëzohet në binë. Por, për ta maskuar rrëzimin, në video Genta shihet duke bërë disa akrobacione dhe me disa lëvizje të shpejta të trupit ajo tenton që rrëzimin ta paraqesë si pjesë të kërcimit të saj, si pjesë e vetë performansës në skenë. Mund të ndodh që audienca e pranishme në sallë edhe nuk e ka vënë re se Genta kishte humbur balansin dhe ishte rrëzuar, por në video bëhet qartë se Genta përpiqet që me lëvizjet e pastajme ta fsheh këtë gaf të performansës dhe të vazhdojë me performansë thuajse nuk ndodhi asgjë. Mirëpo, ky synim i Gentës bëhet i pamundur në video, ku reprizimi i disahershëm i momentit të rrëzimit qartë tregon përpjekjet e Gentës për ta rikuperuar performansën nga ai moment.

I njëjtë me Gentën është Hashim Thaçi. Gjashtë-pikëshi i Ban Ki Moon-it dhe tani, Protokolli i bashkëpunimit midis EULEX-it dhe Serbisë janë sikur video-reprizat e rrëzimit të Gentës – ato pashmagshëm tregojnë për gafe, për lëshime dhe për përpjekje që ato të mbulohen, të fshehen e të relativizohen me akrobacione të improvizuara. Pos asaj, videoja e Gentës tregonte për faktin e ‘playback’-ut – derisa Genta merrte thu dhe trupi i saj binte për toke, këndimi i saj dëgjohej në altoparlante dhe vazhdonte sikur të mos ishte duke ndodhur asgjë. Edhe Hashim Thaçi këto ditë po përpiqet që sërish të sinkronizohet me playback-un e tij politik, sipas të cilit në Kosovë gjithçka është në rregull, gjithçka ecën mirë, Kosova është sovrane, është e pavarur, qeveria ka kontroll të plotë mbi territorin e Kosovës, mbi sigurinë etj. Por, për fat të keq, 6-pikëshi dhe Protokolli i EULEX-it për Thaçin do të jenë sikur videoja e Gentës në Youtube – një dëshmi e pamohueshme e gafeve politike që nuk mund të mbulohen, pavarësisht akrobacioneve retorike dhe mohimeve këmbëngulëse.

Por ç’të themi për revoltën kundër Protokollit të EULEX-it? Është interesant se kur Lëvizja Vetëvendosje dhe disa tjerë prej nesh, kritikonin formën e pavarësisë së Kosovës që vinte në formën e Pakos së Ahtisaarit, përbuzëshim, përqesheshim, quheshim të krisur, të papërgjegjshëm etj. Është interesant se sot, kur Kosovës po i vijnë në pragun e derës faturat dhe llogaritë e shumta që Kosova ia ka borxh Ahtisaarit (dmth pakos, jo individit), si p.sh. 6-pikëshi, Protokolli, decentralizimi, shthurja e TMK-së, borxhet ndërkombëtare etj., atëherë edhe ata që dikur me entuziazëm ngriteshin pas lidershipit politik kosovar, indinjohen, revoltohen, nervozohen etj. Sfida në politikë është gjithmonë të parashikohen disa rrjedha dhe t’u paraprihet të këqijave, jo që të bëhën revolta pas faktit të kryer. Edhe sot, pas faktit të kryer, kemi shumë të tillë që janë revoltuar për nënshkrimin e Protokollit, ashtu sikur disa ish-pjesëtarë të TMK-së u kujtuan të protestonin kundër përjashtimit të tyre nga puna shumë kohë pasi shpartallimi i TMK-së kishte hyrë si pjesë e marrëveshjes me Ahtisaarin, ndërsa në kohën kur bëhej kjo marrëveshje kishin qëndruar këmbëkryq. Kjo ngjan shumë me skenën komike pas hyrjes së NATO-s në Kosovë në qershor 1999: përderisa trupat e NATO-s hynin dhe po shtoheshin, kolonat e ushtarëve serbë tërhiqeshin nga Kosova duke bërë këngë e valle – edhe pse e kishin humbur luftën.

Andaj, ndoshta para se të merremi me kritikën kundër Protokollit, duhet të merremi me EULEX-in si të tillë. Sot, kundërshtia ndaj EULEX-it paraqitet në terma nacional: EULEX-i është i keq sepse bashkëpunon me Serbinë, mbron serbët në veri etj. Kjo domethënë se sikur të kishim një EULEX “pro-shqiptar”, gjithçka do të ishte në rregull. Ky qëndrim është sa gabim aq edhe politikisht naiv. EULEX-i nuk është problem sepse është pro-serb apo pro-shqiptar. EULEX-i është problem sepse ekziston SI I TILLË. Një analizë kritike e EULEX-it është e domosdoshme jo vetëm për ta tejkaluar një vizion të tillë binar dhe manikeist për të, por edhe për ta refuzuar shantazhin aq të fuqishëm: “Ju jeni kundër EULEX-it? Ju qenkeni kundër Bashkimit Evropian!” Këtij shantazhi duhet t’i jepet një JO e menjëhershme dhe kategorike, dhe kjo bëhet duke problematizuar dhe treguar karakterin thelbësisht racist të EULEX-it.

Ç’është EULEX-i? Siç dihet, misioni formal i EULEX-it është vendosja e sundimit të ligjit në Kosovë duke dhënë përkrahje “teknike” për policinë, gjyqësinë dhe sistemin penal të Kosovës. Por, kjo nuk është e tëra. EULEX-i rezervon, sipas mandatit të PCN-së, Pakos së Ahtisaarit dhe 6-pikëshit të Ban Ki Moon-it, edhe pushtete ekzekutive në Kosovë, të trashëguara përmes Rezolutës 1244 nga UNMIK-u. Statusi juridik i EULEX-it është, sikurse dikur ai i UNMIK-ut, ambivalent dhe jo gjithmonë i përcaktuar. EULEX-i vepron në bazë të Rezolutës 1244, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por ai gjithashtu vepron në bazë të pushteteve që jepen nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, qeveria dhe ligjet e Kuvendit. EULEX-i është mision me pushtete ekzekutive në sistemin penal dhe juridik të Kosovës së pavarur, mirëpo EULEX-i ka në radhët e veta anëtarë nga shtetet që nuk e njohin Kosovën shtet të pavarur, domethënë e njohin si pjesë të Serbisë. BE-ja, nga ana tjetër, nga shkaku i mungesës së koncenzusit brenda shteteve anëtare, ka marrë qëndrim “neutral” karshi statusit të Kosovës.

Por, problemi i EULEX-it shkon edhe më thellë. EULEX-i, bashkë me PCN-në, përbën një entitet me pushtete mbisovrane. Misioni i EULEX-it, ndërkaq, fshehet mbrapa legjitimitetit universal që ngerthen diskursi i “sundimit të ligjit” – sigurisht se askush nuk do pushtete arbitrare dhe të gjithë janë për sundimin e ligjit. Mirëpo vetë ideologjia e EULEX-it na tundon që ta ngrisim kritikën e vjetër marksiste ndaj ligjit: ligji nuk ekziston si normë e izoluar, si rregull formale e mbyllur në vetëvete; përkundrazi, ligji shpreh dhe formalizon, pra institucionalizon dhe legjitimon, një marrëdhënie të caktuar shoqërore. Marrëdhënia themeltare shoqërore e ligjit është raporti që individi ka me sovranin, pra, me shtetin. Sistemi juridik konstituon individët si subjekte juridike, dhe funksioni i ligjit në këtë kontekst është rregullimi i marrëdhënieve midis subjekteve juridike. Por, cili është sovrani në Kosovë? A nuk janë qytetarët e Kosovës subjekte juridike të Republikës së Kosovës, shtet sovran? Formalisht, po, por me EULEX-in, sikur dikur me UNMIK-un, kemi të bëjmë me kthimin në praktikë të konceptit Schmittian të sovranitetit – të sovranitetit si “rregulla e përjashtimit”. Juristi gjerman Carl Schmitt, gjatë viteve 1920 ka zhvilluar konceptin e sovranitetit në të cilin sovrani paraqitet si element jashtë sistemit juridik. Sovrani, sipas Schmitt, nuk është ai që vepron brenda rendit normal juridik, brenda kufizimeve të normave pozitive juridike, por ai që ka të drejtën e pezullimit të së drejtës, pra, të pezullimit të rendit juridik si të tillë. (Ishte pikërisht ky element i kushtetutës së republikës së Weimarit që u shfrytëzua nga Hitleri për marrjen e pushteteve diktatoriale në Gjermani.) Jo sistemi juridik, por fuqia emergjente, “gjendja e jashtëzakonshme” është forma esenciale e sovranitetit, sipas Schmitt-it. Është pikërisht ky koncept që kthehet në praktikën juridike të EULEX-it. EULEX-i pohon se ka mision teknik, këshilldhënës në Kosovë. Kjo është e saktë, për sa kohë që EULEX-i kryen veprime teknike në sistemin juridik të Kosovës. Por kjo nuk është e tëra, për shkak të “fuqive të rezervuara” të EULEX-it që i takojnë sipas Pakos së Ahtisaarit dhe dokumenteve përkatëse. Në çdo moment, EULEX-i gëzon të drejtën e sovranit Schmitt-ian, ai ka të drejtë jo vetëm të pezullojë çfarëdo vendimi të dalur nga sistemi juridik i Kosovës, por edhe të ndërmarrë “masa emegjente” përmes forcave të veta ekzekutive. Për këtë arsye, EULEX-i nuk është thjesht një mision teknik, ai është element mbisovran i cili ka të drejta juridikisht të pakufizuara ndaj vetë sistemit juridik të Kosovës dhe përmes tij, ndaj çdo qytetari të Kosovës.

Racizmi i EULEX-it gjehet pra në vetë strukturimin e tij. Nuk është fjala për qëndrimet subjektive të zyrtarëve të EULEX-it – ata jo që mund të mos jenë subjektivisht racistë, ata bile mund të shfaqin motivet dhe dëshirat më të mira për Kosovën, mund të jenë liberalë dhe multikulturalistë që çmojnë traditat kulturore kosovare, që promovojnë tolerancën multikulturore etj. Kjo nuk është esenca. Esenca është te vetë rezoni prapa EULEX-it. Pyetja themelore është, pse ka Kosova nevojë për EULEX? Siç pyet me të drejtë Albin Kurti, pse i duhen Kosovës mijëra policë, prokurorë e gjykatës evropianë, por jo po aq mjekë, arsimtarë, shkenctarë e specialistë të tjerë nga Evropa? Me fjalë tjera, çka është e veçanta e Kosovës që e bën atë të ketë nevojë për një strukturë të mbisovrane që ka si funksion klasifikimin dhe regjimentimin juridik të shoqërisë kosovare? Më saktësisht, me çka arsyetohet marrëdhënia shoqërore prej një sovrani karshi një subjekti juridik që ky mision ka me popullatën vendore në Kosovë?

Nëse mund të përdorim terminologjinë e Michel Foucault-së, funksioni i EULEX-it është “biopolitik”. Siç na përkujton Foucault, ideologjia pozitive e sundimit të ligjit pashmagshëm lidhet me diskursin juridik të kriminalizimit të subjekteve juridike dhe teknologjive të ndërlidhura të kontrollit dhe menaxhimit disiplinor, policor dhe penal të një popullate të caktuar. “Misioni” i EULEX-it pra, më pak se me ideologjinë e tij pozitive, duhet të identifikohet pikërisht me aktin e patologjizimit të shoqërisë kosovare si një element i paasimiluar ndaj ligjit dhe normave juridike. Kjo është, nëse mund të përdorim gjuhën e psikanalizës, e pavetëdijshmja institucionale e EULEX-it – ai vjen në Kosovë për spastrimin e hapësirës shoqërore evropiane nga ato që Zizek i quan “subjekte toksike” – Tjetri (etnik, tribal, fetar) i cili nuk i asimilohet normës, dhe i cili si pasojë ka nevojë për teknologji të kontrollit normativ. Si mund të jetë ndryshe në epokën e multikulturalizmit liberal, i cili i indinjohet shprehjeve të hapura të racizmit dhe për të cilin ndërhyrja e drejtpërdrejtë në vlerat kulturore të Tjetrit përbën akt të papranueshëm? Racizmi i EULEX-it pra nuk është racizëm në kuptimin kulturor të fjalës, por është racizëm që gjehet brenda strukturës së saj institucionale: racizëm që ka bazë ideologjinë e sundimit të ligjit dhe Tjetrin si qenie barbare (etnike, tribale) i cili kërkon zbatimin e dhunës juridike karshi universalitetit të Ligjit Perandorak – Lex de Imperio. EULEX është simptomë e transfigurimeve të sovranitetit që ka nxitur eksperimenti i Bashkimit Evropian, por edhe të tenativës Perandorake për kontroll të kufijve jo vetëm politik, por edhe normativ dhe kulturor të “Evropës”, duke kategorizuar popullatat e pranueshme dhe të papranueshme brenda bashkësisë shoqërore të saj. Ashtu sikur fushatat kundër imigrantëve dhe kundër të huajve, diskurset e kriminalizimit të minoriteteve etnike dhe fetare brenda BE-së, përpjekjet për ndalimin e hyrjes së afrikanëve dhe jo-evropianëve të tjerë brenda BE-së, EULEX-i është shprehje e një racizmi universal evropian karshi Tjetrit dhe duhet të luftohet vetëm si i tillë.

(Botuar te Koha Ditore, 12 shtator 2009)

Një nga kryeveprat inxhinierike të Shqipërisë është padyshim autostrada e re që lidh veriun e Shqipërisë me Durrësin. Ndërtimi i rrugëve me katër korsi mbi malet e egra por madhështore të Shqipërisë veriore, urat e shumta që lidhin rrugët, tuneli i famshëm i Kalimashit, gjitha këto tregojnë për një punë të madhe planifikuese dhe teknike që qëndron në themel të shpuarjes, asfalltimit dhe ndërtimit që realizoi këtë punim madhështor. Mirëpo shqiptarët kanë pak arsye për t’u lavdëruar për këtë vepër të madhe arkitektonike. Puna kryesore teknike dhe planifikuese është udhëhequr nga kompani të huaja, me personel të huaj. Inxhinerët shqiptarë nuk ishin ata që ndërtuan rrugën, as tunelin. Punën e bënë ekspertët e huaj, ekspertiza teknologjike dhe aplikimi i dijes shkencore ishte i tyre. E vetmja që u takon shqiptarëve është që të paguajnë faturën e madhe që tash i servirët përpara nga Bechtel dhe kompanitë tjera që realizuan punimin. Dhe këtë llogari do ta paguajnë për shumë kohë – para që shumë më mirë do të shpenzoheshin brenda ekonomisë shqiptare.

Nuk e them këtë për të minimizuar rëndësinë ekonomike e strategjike të autostradës, e as – dorën në zemër – vullnetin politik që u desh për ta realizuar atë. E them vetëm si një vështrim për të ardhmen ekonomike të Shqipërisë, por edhe të Kosovës, të cilat gradualisht po humbin resurset e tyre njerëzore si pasojë e politikave zhvillimore që po ndiqen nga dyja shtetet. Shqipëria dhe Kosova, si duket, nuk kanë më nevojë për inxhinerë, specialistë dhe njerëz të tjerë të profilit të lartë profesional, pasi që nevoja ekonomike për ta po zhduket si pasojë e një politike zhvillimore që favorizon investimet dhe kompanitë e jashtme ndërsa lë në harresë investimin në resurset njerëzore të brendshme. Kjo është një tragjedi e përmasave të mëdha, me pasoja që do të ndjehen me gjenerata, sepse është provuar – gjithmonë dhe gjithkund në histori – se investimi në burimet njerëzore, në kapacitetet punuese, organizative, teknike e shkencore, janë motori më i madh i çfarëdo zhvillimi ekonomik. Aq më tepër sot në ekonominë e informatizuar globale.

Në demonstratat e famshme të vitit 1981 në Kosovë, një nga parullat kryesore ishte “Trepca radi, Beograd se gradi” (“Trepça punon, Beogradi ndërtohet”). Ishte kjo një shprehje e protestës kundër eksploatimit ekonomik të Kosovës nga Serbia – por jo vetëm. Në ish-Jugosllavi, orientimi ekonomik i Kosovës ishte kah industria e rëndë dhe nxjerrja e lëndëve të para. Për shkak të pasurisë së saj nëntokësore, Kosova shihej si burim i lëndëve të para, një burim i pashtershëm që furnizonte gjithë ekonominë ish-jugosllave. Këto lëndë të para nxirreshin në Kosovë, përpunoheshin në Serbi, Kroaci apo Slloveni, për t’u kthyer në produkte që sërish shiteshin në tregun e Kosovës. Logjika ekonomike është e thjeshtë: nxjerrja e lëndëve të para, ndonëse kërkon punë të rëndë dhe intenzive (kujtoni rrezikun e punës në miniera), është ekologjikisht e dëmshme (përfshirë efektet shëndetsore në popullatë), por është rrallëherë burim i mbivlerës për një ekonomi. Mbivlera më e madhe gjithmonë nxirret nga përpunimi teknik i lëndevë të para, nga aplikimi i njohurive teknologjike dhe prodhimi e shitja e produkteve finale. Kina është një nga vendet më të pasura me thëngjill, mirëpo rritja e saj ekonomike nuk vjen nga eksporti i thëngjillit (apo produktit të tij, rrymës), por të produkteve elektronike dhe konsumatore që prodhohen në uzinat e saj. Deri tani, Kina ka prodhuar sende me licensë nga kompanitë e jashtme dhe nën firmat e tyre (shembull konkret: iPhone-at dhe iPod-at e dezajnuar nga kompania amerikane Apple), mirëpo ajo tani po bën politikë tjetër, duke investuar në inxhinerët, shkenctarët, menaxherët dhe punëtorët e tjerë profesionistë që do ta udhëheqin krijimin e markave globale kineze për të qenë konkurrente në tregun global. Kina e ka kuptuar atë që kanë kuptuar Korea Jugore, Brazili, India e shumë shtete tjera: që të zhvillohesh, nuk mjaftojnë burimet natyrore dhe puna e krahut, madje as puna e krahut që kërkon shkathtësi (siç është prodhimi i komponenteve elektronike), por kërkohet një investim i madh në burimet njerëzore, në shkencë, teknologji, menaxhment.

Në qeverinë tonë kemi nga ata që ishin pjesëmarrës në demonstratat e vitit 1981, kemi disa edhe që kishin përfunduar në burgje për shkak të aktivitetit të tyre politik para dhe pas atyre demonstratave. Mirëpo është e çudtishme që të gjithë ata sot harrojnë njohuritë dhe përvojat nga e kaluara. Më 1981 ata u çuan kundër eksploatimit ekonomik të Kosovës; sot e mirëpresin duarhapur, madje bëjnë propagandë të paskrupullt për të.

Fjala është patjetër për termocentralin e planifikuar Kosova C (e Re). Është interesant, p.sh. se plani për këtë termocentral kishte lindur në vitet 1980, madje me po atë kapacitet që flitet sot: 2100 MW. Lidershipi i atëhershëm politik i Kosovës kishte kundërshtuar këtë projekt, jo vetëm për shkak të kostos ekonomike, por për shkak se sërish, pyetja ishte për një politikë eksploatuese që Kosovën do të shndërronte në moçalin industrial të ish-Jugosllavisë, konsumuesin e pluhrave dhe dëmëve tjera ekologjike në mënyrë që, në krah të Kosovës, “nga Vardari deri në Trigllav”, të ketë rrymë 24 orë.

Qeveria e sotme mendon se ndërtimi i një termocentrali kaq të madh me kosto kaq të mëdha ekologjike dhe shëndetsore është i nevojshëm për Kosovën – përkundër vlerësimeve të ekspertëve kosovarë se Kosovës nuk i duhet aq shumë kapacitet prodhues. Qeveria gjithashtu parasheh dhënien me koncesion të termocentralit si dhe të minierës një konsortiumi të huaj që do të ndërtonte, ta menaxhonte dhe ta ketë në pronësi termocentralin, produktin e saj si dhe minierën e Sibofcit nga ku planifikohet nxjerrja e linjitit.

Është folur mjaft për pasojat ekonomike dhe ekologjike të një projekti të tillë, por disa fakte kanë mbetur pa u përmendur. P.sh., firma gjermane RWE, e cila deri para do kohe kishte shprehur interesim për projektin Kosova (C) e Re, në vitin 2005 u regjistrua si ndotësi më i madh me dioksid karbon në Bashkimin Evropian. Në vitin 2006 në Britani gazeta The Independent ka shkruar për një rast ku kjo kompani akuzohej për ndotje ujrash për shkak të tentativës për të hedhur në liqenin Oxfordshire një gjysëm milioni ton hi nga termocentrali i saj. Kompanitë si RWE sot gjithnjë e më shumë ndjehen të kufizuara për prodhimin e energjisë nga burimet minerale për shkak të ligjeve dhe rregullacionit që synon reduktimin e ndotësive dhe dëmeve ekologjike në BE dhe shtetet e zhvlluara. Mirëpo në vendet në zhvillim si Kosova, kompanitë si RWE kanë duart e lira të bëjnë ndotje dhe shkatërrim ekologjik pa ndonjë pengesë ligjore apo politike, shfrytëzim të punëtorëve, shëndetit të tyre dhe komuniteteve nga vijnë ata, për hir të profiteve që vijnë nga eksploatimi i pamëshirshëm i burimeve natyrore. Është shumë treguese që qeveria e Kosovës, megjithëse me nxitim të madh nënshkroi anëtarësimin në FMN, nuk nxitoi njësoj që ta nënshkruajë Protokolin e Kiotos kundër emitimit të gazrave që kontribojnë në ngrohjen globale. Me një fjalë, në Kosovë ka pak norma ligjore që të pengojnë që të bëhesh shkatërrues i mjedisit i përmasave astronomike.

Por pavarësisht kostos ekologjike dhe shëndetsore të projektit në formën e tij aktuale, të kthehemi te pasojat zhvillimore të tij.

Së pari, ndërtimi i një termocentrali të ri në pronësi dhe menaxhment të huaj përbën grushtin e vdekjes për traditën edhe ashtu të brishtë inxhinerike dhe menaxheriale të Kosovës. Ka pak gjasa që kompania e huaj do ta udhëheq punën e termocentralit të ri me ekspertë kosovarë. Jo vetëm pronarët, por edhe menaxherët dhe inxhinerët e lartë të kësaj kompanie të do të jenë ekspertë të jashtëm. Shikoni, në këtë rast, bankat e huaja në Kosovë. Asnjë nga menaxherët e lartë të tyre nuk është vendas. Si një nga kompanitë më e mëdha në Kosovë (çfarë mund të pritet të jetë një termocentral i përmasave të tilla), efekti i saj shoqëror do të jetë i shënueshëm dhe, thuaja katastrofik përsa i përkët zhvillimit shoqëror. Një nga këto efekte do të jetë krijimi i një varësie dhe subordinimi të ri, jo vetëm në kapitalin ekonomik, por edhe në kapitalin njerëzor të jashtëm. Investimet gjatë shumë dekadave që janë bërë, për ndërtimin e një kapitali njerëzor profesionist dhe teknik në Kosovë, shkatërrohen me një të rame të lapsit nga kryeministri Hashim Thaçi.

E dyta, një varësi e tillë rrezikon të shtrihet në sektorët kryesorë të ekonomisë kosovare. Privatizimi i aseteve publike të Kosovës, siç janë PTK dhe Aeroporti, nesër padyshim edhe Trepça dhe burimet tjera, do të ndjekin të njëjtën vijë. Një gjeneratë e tërë ekspertësh teknik e menaxherial kosovarë sot janë humbur, si pasojë e dislokimeve ekonomike të viteve 1990 dhe të luftës. Politika aktuale garanton që baza e resurseve njerëzore e Kosovës të degradojë edhe më tej, pasi kosovarëve u zvogëlohen shansat për marrjen e pozitave udhëheqëse, vendimarrëse dhe teknike në kompanitë që veprojnë në Kosovë. Sipas vizionit ekonomik të qeverisë aktuale, duket se qytetarët e Kosovës janë të vlefshëm vetëm si punëtorë krahu dhe si konsumatorë, por jo si ekspertë, ndërtimtarë, krijues, organizatorë, shkenctarë. Vizioni turbo-kapitalist i klasës aktuale politike tashmë është shndërruar në paradigmë zhvillimore, një vizion në kohrencë të plotë me doktrinat neoliberale të një zhvillimi që vjen si magji nga tregu i hapur për investime të jashtme.

E treta dhe si pasojë, një politikë e tillë rrezikon që Kosovën ta shndërrojë në një vartësi neokoloniale të interesave të jashtme ekonomike. Tregu është fushë lufte interesash, ndërsa qeveria e Kosovës sot nuk mbron interesat ekonomike të Kosovës (përveç ndoshta ato të pjesëtarëve të saj që përfitojnë personalisht nga kjo politikë). Shfrytëzimi ekonomik nuk është vetëm shfrytëzimi i burimeve natyrore dhe njerëzore. Këtë leksion e ka marrë tash e shumë kohë e gjithë Bota e Tretë. Shfrytëzimi më brutal ekonomik është edhe privimi nga dija dhe njohuria teknologjike dhe shkencore aq e nevojshme për zhvillimin e një ekonomie vendore. Politika e privatizimit të gjithçkaje ka si pasojë degradimin total të burimeve njerëzore, të ekspertizës dhe të njohurisë modeste teknologjike kosovare, shndërrimin e Kosovës në një burim të lëndëve të para natyrore dhe njerëzore (punës së lirë të krahut) – po ashtu si dikur synonte politika ekonomike jugosllave, por tani në kuadër e një sistemi ekonomik regjional e global të përmasave më të mëdha.

Si pjesë e një politike të përgjithshme ekonomike, Kosova C (e Re) do të jëtë kështu sikur autostrada e re shqiptare – kryevepër për të cilën populli i vendit mund të pretendojë pak krenari, ndërsa do të paguajë shumë llogari. Aq më keq, në këtë rast, po flasim për llogari që do të paguhen me gjenerata të tëra, si ekonomike, ashtu edhe ekologjike dhe shoqërore.

Botuar te Koha Ditore, 15 korrik 2009

Po i botoj këto shënime pasi ngrisin disa çështje që akoma mbesin të rëndësishme edhe sot. Këto janë shënime të pabotuara nga tetori 2007, katër muaj para shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

 

Ekziston gjithmonë mundësia që të dëshmojmë ndonjë kthesë të paparashikueshme në Kremlin. Presidenti rus Putin, kohëve të fundit ka filluar të bëhët i njohur për gjeste të tilla. P.sh., Putini befasoi edhe njerëzit e rrethit të tij të ngushtë politik me kandidatin që propozoi për kryeministër, duke anashkaluar dy kandidatë favoritë. Apo, këto ditë ai deklaroi se karriera e tij politike mund të mos përfundojë pas skadimit të mandatit të tij si president. Ai sugjeroi se pas zgjedhjeve në Rusi, që do të mbahen vitin që vjen, mund të rikthehet në postin e kryeministrit. Por qëndrimi rus ndaj Kosovës zor se do të marrë një kthesë të tillë. Prandaj llogaria se shkëputja e Kosovës nga Serbia mund të bëhet me një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-ve tashmë bie përfundimisht në ujë. Cili është atëherë hesapi politik për pavarësinë formale të Kosovës? Është e qartë se kjo gjë, nëse ndodh, mund të ndodh vetëm në mënyrë të njëanshme. Mediat ndërkombëtare, ndër to edhe New York Times, njoftojnë se diplomacia evropiane ka filluar, mbase me shtytjen franceze, të llogarisë në shpalljen e njëanshme të pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës. Qëndrimi këmbëngulës amerikan për pavarësinë krijon bindshëm përshtypjen se SHBA-të nuk janë kundër njohjes bilaterale të Kosovës si shtet i pavarur. Prandaj barra kryesore e tie-breaker-it në këtë situatë të komplikuar diplomatike është vendimi evropian për ta mbështetur njohjen e njëanshme të pavarësisë.

 

Çfarë do të thotë kjo? Një gjë është e qartë. Nxitimi i disa qarqeve institucionale, qeveritare e jo-qeveritare, për t’u marrë me problemin “çka pas statusit”, doli se ishte paksa i nxituar. Sepse problemi themelor politik sot nuk kishte qenë çka pas statusit (që këta të pas-statusit e merrnin si një çështje të kryer), por çka deri te statusi. Apo, më saktësisht, çka deri te pavarësia? Dallimi midis këtyre dy pyetjeve nuk është thjesht semantik. Vetë formulimi i pyetjes i shtron premisat e zgjidhjes. “Statusi” është kuptuar (dhe vazhdon të kuptohet) si një çështje formalo-juridike, si një njohje që i vjen Kosovës nga sipër, nga jashtë. “Pavarësia” ndërkaq, në kuptimin më fundamental të tij, nuk përbën vetëm njohje nga jashtë, por edhe një mëvetësi cilësore politike për një shoqëri që të gëzojë mjetet institucionale të përcaktimit të vetë fatit të saj kolektiv. Kurse mëvetësia politike është diçka që arrihet me veprime, jo diçka që kurorëzohet me bekim nga sipër. Por mos të ndalemi tek finesat filozofike, sepse problemi vazhdon të jetë politik. Kurse pafytyrësia e Serbisë dhe shuplakat e Rusisë mbase kanë qenë një këndellje serioze për opinionin kosovar për domethënien e vërtetë të politikës. Politika nuk është mbizotërimi i koncenzusit, i arritjes së gjërave me pëlqim të gjithanshem, i kënaqjes së secilës palë. Në fund, politika ka qenë dhe mbetët akt i rrëmbimit të asaj që të takon.

 

Por cilat janë problemet që paraqiten në situatën e shpalljes së njëanshme dhe njohjes bilaterale nga shtete të veçanta? Edhe në situatën e shpalljes së njëanshme, problemi themelor i diplomacisë perëndimore mbetët kontrolli mbi situatën në terren. Çka mund të ndodh në ditën që Kuvendi i Kosovës e shpall pavarësinë e Kosovës? Cili do të jetë, në radhë të parë, reagimi i Rusisë? A do të kundërpërgjigjet Rusia me njohjen e provincave secesioniste në Gjeorgji e Moldovë? Cilat do të jenë implikimet e njohjes së Kosovës për marrëdhëniet ruso-evropiane dhe ruso-amerikane? Por për Kosovën këto çështje janë më pak të rëndësishme. Më e rëndësishme është, cili do të jetë reagimi i Serbisë? Mund të llogarisim pa shumë mëdyshje se reagimi serb nuk do të jetë drejtpërsëdrejti ushtarak. Jo pse Serbisë i dhimbsen shqiptarët, por sepse një konfrontim ushtarak me NATO-n do të ishte një akt auto-destruktiv për Serbinë. Lidershipi në Beograd, megjithëse ka ngritur kokë mjaft, nuk është aq i çmendur që ta dëshirojë skenarin e një lufte të re me NATO-n. Por Serbia ka mjete tjera në dorë. Veprimi i parë i Serbisë do të jetë sipas të gjitha gjasave vendosja e një bllokade ekonomike kundër Kosovës, duke mbyllur qarkullimin për mallra përmes kufirit Kosovë-Serbi. Serbia gjithashtu do të shfrytëzojë arsenalin e saj të mbetur diplomatik, duke dërguar nota proteste dhe duke kërkuar mbështetjen e Rusisë dhe Kinës për mosnjohjen e Kosovës dhe mospranimin e saj si anëtare të OKB-së.

 

Në anën tjetër, reagimi politik i serbëve të Kosovës nuk është aq i qartë. Veriu mbi Ibër ka gjasa që të veprojë politikisht në mënyrë të mëvetshme, duke mos e njohur jurisdiksionin e pushtetit në Prishtinë (i cili ashtu-kështu nuk ushtron ndonjë autoritet në këtë territor). Pa asnjë dyshim kjo zonë do të vazhdojë të mbetët një problem afatgjatë për Kosovën dhe për rajonin. Por cili do të jetë reagimi i serbëve nën Ibrin? A do të ndjekin ata një skenar të ngjashëm me atë që mund të ndodh në veri, apo do të pajtohen me fatin, duke parë shpëtimin e tyre tek decentralizimi i Planit të Ahtisaarit dhe zënien e vendeve të rezervuara në institucionet në Prishtinë? Çka do të ndodh në rast të ndonjë incidenti nëpër zonat e banuara me serbë, i cili mund të provokojë ndonjë reaksion masiv të popullatës shqiptare, të krahasueshëm me atë të marsit 2004? Në një situatë të tillë, kush do të mund të intervenojë që ta kontrollojë situatën?

 

Në dallim prej njeriut, i cili lindë dhe vjen në këtë botë i papajisur me kapacitetet për ta siguruar mbijetesën e vet pa kujdesin dhe mbështetjen e të tjerëve, shtetet e reja, dhe sidomos ato që krijohen në rrethana konflituoze, testohen mu në momentin e lindjes. Paradoksalisht, që të bëhet shtet, Kosova duhet të jetë shtet në momentit që shpall vetën si të tillë. Llogaria aktuale politike është bythësëprapi – ta shpallim shtetin, të na njihet, pastaj (sigurisht me ndihmën e miqëve) do ta bëjmë! Kjo logjikë është e rrezikshme, aq sa është politikisht e papërgjegjshme. Sigurisht se roli i Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare është i neglizhueshëm. Por roli i institucioneve politike kosovare brenda Kosovës është kyç. Në momentin që Kosova ka hasur në një bllokadë diplomatike për statusin e saj, ajo është dashur ta fillojë rrugën e kompletimit të kornizës institucionale të një shteti sovran. Periudha e ndërmjetme përbën një oportunitet për të bërë hapa konkret drejt vendosjes së themeleve të një pushteti autoritativ me kapacitete të plota të kontrollit të gjendjes në terren kundrejt çfarëdo situate kontigjente. Por fatkeqsisht, në vend të kësaj ne kemi një kryeministër dhe ministër të Punëve të Brendshme që dëshmojnë pafuqinë e tyre duke dalur dhe protestuar bashkë me qytetarët kundër dukurive që ata kanë për detyrë normative dhe morale (nëse jo krejt kushtetuese dhe ligjore brenda suazave të kompetencave të rezervuara nga UNMIK-u) që t’i luftojnë. Me gjasë, nesër, edhe kur veriu i Kosovës shpall shkëputjen e tij nga territori administrativ i Kosovës, këta mbase po njëjtë do të dalin në rrugë me pankarta në duar. Mos kjo ndoshta është motivi pse qeveria dhe partitë politike me kaq komoditet vëzhgojnë persekutimin që i bëhet Albin Kurtit nga gjyqësia e UNMIK-ut – nuk është se ata duan eliminimin e tij nga skena për shkak të kërcënimit që ai paraqet, por për shkak se duan t’ia zënë vendin, duke dalur ata në vend të tij për t’i udhëhequr protestat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe duke denoncuar institucionet të cilat ata vetë i takojnë. Nejse, nuk dua të bëhem krejt banal, por fantazitë e këtilla gravitojnë jo larg realitetit në Kosovën e sotme.

 

Sido që të jetë, problemi që shtrohet sot nuk është, a ka mbështetje ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës, sepse mbështetje ka. Gjërat, në këtë rrafsh, tashmë janë të qarta. Problemi prandaj është, a është në gjendje Kosova ta trasojë rrugën e vet drejt pavarësisë së saj. Qytetarët e Kosovës, por në radhë të parë Kuvendi dhe qeveria e saj, me këtë përbërje apo me ndonjë tjetër, duhet të jenë të gatshëm jo vetëm që ta festojnë shpalljen e pavarësisë, por edhe ta marrin mbi vete një përgjegjësi historike për atë se çfarë do të bëhet me Kosovën në minutat, orët dhe ditët pas shpalljes së pavarësisë. Testi i vërtetë politik dhe institucional është jo vetë shpallja, por momenti pas shpalljes. Por në të njëjtën kohë, veprimi i guximshëm i Kosovës drejt mëvetësimit të saj përbën gjithashtu shansën për t’ia kthyer përgjithmonë dinjitetin këtij populli të viktimizuar e gjunjëzuar, dhe momentin kur ai do t’ia dëshmojë vetëvetes se pavarësia nuk është diçka që ishte merituar me vuajtje, me viktimizim, apo me sjellje të mirë, por ardhja e një gjëje, jetësimi i së cilës nuk mund më të presë.

 

Në vijim është përgjigja e Shkëlzen Gashit në debatin tonë rreth sovranitetit pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të botuar nga Koha Ditore. Më poshtë mund ta lexoni të plotë krejt debatin, duke filluar nga shkrimi i parë i Shkëlzenit lidhur me këtë temë. Kërkoj ndjesë nga Shkëlzeni dhe nga lexuesit për postimin tepër të vonë të këtij artikulli.

Sovraniteti i Serbisë dhe sovraniteti i Kosovës

Nga Shkëlzen Gashi

Me dostin tim, Besnik Pulën, jemi dakord se Deklarata e Pavarësisë është Deklaratë e Varësisë për sa i përket ushtrimit efektiv të sovranitetit të brendshëm, jo vetëm për shkak të të ashtuquajturave struktura paralele serbe, por edhe për shkak të kompetencave perandorake që do të ketë PCN-ja. Merreni me mend, në Kushtetutën e Kosovës, më saktësisht në nenin 143, thuhet se në rast të kontradiktës mes Kushtetutës së Kosovës dhe Pakos së Martti Ahtisaarit, do të mbizotërojë kjo e fundit, që do të thotë se Pakoja e Martti Ahtisaarit do të jetë Kushtetuta e Kosovës. Sidoqoftë, çështja ku Besniku dhe unë po dallojmë, ka të bëjë me mbetjen e sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën si tërësi. Në përgjigjen time ndaj përgjigjes së Besnikut, unë argumentova se sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën si tërësi do të jetë shumë i sofistikuar, ndërsa Besniku, në përgjigjen e tij ndaj përgjigjes sime, kryesisht i kualifikoi argumentet e mia si absurde dhe të pabaza. Sido që të jetë, në këtë përgjigje, kryesisht do të fokusohem në përforcimin e argumenteve të mia për sofistikueshmërinë e sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën si tërësi.    

Është e saktë se për të ekzistuar efektivisht një shtet sovran, i duhen pushteti brenda territorit dhe njohja ndërkombëtare. Afërsisht 1/3 e territorit të Kosovës kontrollohet në njëfarë mënyre nga Serbia, kurse afërsisht ¾ e territorit të Kosovës kontrollohet nga Prania Ushtarake Ndërkombëtare dhe Prania Civile Ndërkombëtare. Pra, Qeveria e Kosovës nuk ka pushtet sovran në territorin e Kosovës. Të mos harrojmë se UNMIK-u ende ka pushtet në polici, drejtësi, dogana… Po ashtu, Rezoluta 1244 ende është në fuqi dhe, për më shumë, nëse Rezoluta 1244 nuk shfuqizohet më 10 qershor 2008, atëherë, mandati i saj automatikisht zgjatet edhe për një vit. Kurse, në anën tjetër, sa i përket aspektit të dytë, njohjes ndërkombëtare, duhet thënë se ajo ia anulon Serbisë sovranitetin ndërkombëtar mbi Kosovën vetëm sipas shteteve që e njohin Kosovën (njohja është akt diskrecional i shteteve), por jo edhe sipas OKB-së dhe BE-së (ka shumë rëndësi se si do të integrohet Kosova në BE).

Po ashtu, gjasat që Kosova të pranohet si shtet sovran dhe i pavarur në OKB dhe BE janë minimale, për të mos thënë se nuk ekzistojnë fare. Si rrjedhojë, Kosova, përveç që do të jetë e kufizuar në kontrollin e territorit, do të jetë shumë e kufizuar edhe në aspektin e njohjes ndërkombëtare. Tamam ashtu siç e tha Tim Judah para disa ditëve, statusi i Kosovës do të jetë sikur Tajvani për shkak të paqartësisë së statusit ndërkombëtar dhe sikur Qiproja për shkak të ndarjes.

Unë kam argumentuar se mandati mbi të cilin ndërtohet PUN-ja tregon për vazhdimësinë e sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën për shkak të mungesës së marrëveshjes të llojit Status of Forces Agreement (SOFA). Nëse PUN nuk mund të ketë një marrëveshje të llojit Status of Forces Agreement (SOFA) me Kosovën për shkak se, siç po thotë Besniku, NATO-ja vazhdon në Kosovë ta ketë rolin e një pranie paqeruajtëse, atëherë, përse duhet të vazhdojë të jetë valide edhe më Marrëveshja Teknike Ushtarake e nënshkruar më 9 qershor 1999 mes Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë (KFOR) dhe Qeverisë së Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Republikës së Serbisë?

Deklarata e Pavarësisë së Kosovës thotë se Kosova do të veprojë në pajtueshmëri me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së (Deklarata i referohet tri herë Rezolutës 1244), e, kjo rezolutë i referohet Marrëveshjes Teknike Ushtarake të Kumanovës. Prandaj, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Zdravko Ponos, dhe komandanti i KFOR-it, Xavier Bout de Marnhac, do të mbajnë takimet e tyre të rregullta në aeroportin e Nishit, ashtu sikundër vepruan më 26 shkurt 2008 (nëntë ditë pas ‘pavarësisë’), sikurse që ministrat serbë do ta vizitojnë Kosovën pa leje nga Prishtina. Pra, Deklarata e Pavarësisë së Kosovës është cotradictio in adjectio sepse, përveç Rezolutës 1244 dhe Pakos së Martti Ahtisaarit, ajo thotë se do t’i përmbahet Aktit Final të Helsinkit, e sikundër dihet, Akti Final i Helsinkit thotë se kufijtë ndërkombëtarë mund të ndryshohen vetëm me pajtimin e të dyja palëve. Në vijim të kësaj, kufiri mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka ndryshuar, por ka mbetur ashtu siç ka qenë (kufi administrativ). Këtë e ilustron edhe fakti se Presidenti i SHBA-ve, George Bush, pas takimit me kryeministrin e Republikës së Çekisë, Mirek Topolanek, gjatë vizitës së këtij të fundit në kryeqytetin amerikan, hodhi poshtë konstatimin se ka pasur ndryshim kufijsh në Evropë (www.rtklive.com).

     

Interpretimi se FSK do të jetë segment i institucioneve të mbrojtjes të Serbisë, Besnikut i duket absurd, por, në të vërtetë, ky interpretim nuk është absurd, por absurd është përmbajtja e Pakos së Martti Ahtisaarit, sipas të cilës duhet të krijohet një Këshill i Përbashkët Implementues mes FSK-së dhe Minsitrisë së Mbrojtjes së Republikës së Serbisë. Përse ka nevojë të bëhet një gjë e tillë? Çfarë do të thotë formimi i një këshilli të tillë? Sipas meje, pushteti civil i Serbisë mbi FSK-në do të jetë i atillë çfarë ka qenë pushteti civil i Unionit Serbi Mali i Zi mbi organet e mbrojtjes të Republikës së Malit të Zi.

 

Argumentin tim për mbetjen e Kosovës si tërësi në mënyrë të sofistikuar nën sovranitetin e Serbisë për shkak të mosndarjes së pasurisë, aseteve dhe arkivave mes Serbisë e Kosovës dhe ndarjes së borxhit mes Serbisë e Kosovës, Besniku jo vetëm që e cilëson si të pabazë, por edhe e deformon. Besniku thotë se ndarja e Kosovës po konsiderohet ndërkombëtarisht si ndarje nga Serbia e jo nga ish-Jugosllavia, prandaj dhe Kosova nuk merr pjesë të barabartë në çështjet e sukcesionit të ish-Jugosllavisë. Ç’është e vërteta, procesi i sukcesionit të ish-Jugosllavisë ka përfunduar që moti dhe dihet se Kosova nuk ka marrë pjesë në këtë proces për shkak se, veç tjerash, nuk është konsideruar si element konstituiv i Jugosllavisë. Besniku pretendon se kemi ndarje jo të barabartë të pasurisë, mirëpo kjo, sipas tij, nuk e anulon faktin e divorcit. Në fakt, sikur të ndahej pasuria, asetet dhe arkivat në mënyrë jo të barabartë do të ishte pak më mirë, por problemi qëndron në faktin se ato nuk janë ndarë fare, e do të duhej të ndaheshin po të ndahej Kosova nga Serbia. Mirëpo, Pakoja e Martti Ahtisaarit parasheh vetëm ndarjen e borxhit mes Serbisë e Kosovës.

 

Me pak fjalë, statusi i pranisë ushtarake ndërkombëtare; themelimi i Këshillit të Përbashkët Implementues mes FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Serbisë; dhe mosndarja e pasurisë, aseteve, arkivave dhe ndarja e borxhit e bëjnë sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën (si tërësi) të sofistikuar. Besniku jo që nuk e rrëzon asnjërin prej këtyre argumenteve, por, për më shumë, argumentin tim për mosndarje të pasurisë, aseteve, arkivave dhe ndarje të borxhit edhe e përforcon duke e deformuar.

 

Pra, këto janë argumentet e mia. Besniku mund të vazhdojë të mendojë ndryshe nga unë për këto çështje. Koha do ta tregojë dhe dëshmojë se kush ka pasur të drejtë. Me këtë përgjigje, sa më përket mua, përfundon kjo polemikë (tërë polemika mund të gjendet në ueb faqen www.besnikpula.com), e cila, për mendimin tim, duhet të shërbejë si shembull se si duhet polemizuar. Po ashtu, për fund, e falënderoj përzemërsisht Besnikun për këtë polemikë, por edhe redaksinë e gazetës KOHA Ditore për hapësirën e dhënë. 

Në vijim është përgjigja ime ndaj artikullit të fundit të Shkëlzen Gashit. Tërë debatin, i cili po zhvillohet në Kohën Ditore, mund ta lexoni më poshtë.  
 
Me Shkëlzen Gashin jemi pak a shumë dakord rreth pjesës më të madhe të çështjeve substanciale mbi problemin e sovranitetit në Kosovë. Ai numron kufizimet e shumta për ushtrimin efektiv të sovranitetit të brendshëm në Kosovë që rrjedhin nga Pakoja e Ahtisaarit, mbi të cilat jemi pak a shumë dakord (një detaj i rendësishëm: e ashtuquajtur “shumicë e dyfishtë” ku kërkohet shumica e votave të përfaqësuesve të minoriteteve për aprovimin e një ligji, nuk vlen për çdo ligj, por vetëm për ato të “interesit vital” për komunitetet – shih draft-Kushtetutën e Kosovës). Kontestuese midis nesh mbetët çështja e vazhdimësisë së sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën. Shkëlzeni vazhdon të pohojë se ky sovranitet vazhdon, në një mënyrë të sofistikuar, siç e quan ai. Unë pata argumentuar se një konstatim i tillë është i pasaktë. Të shohim tani ku qëndrojnë dallimet rreth karakterizimit të situatës dhe cilat janë arsyet për to.
Megjithëse ndarja konceptuale që ia bën sovranitetit politikologu Stephen Krasner (të cilin e citoi Shkëlzeni) është e dobishme, për hir të lexuesve dhe për hir të argumentit unë sovranitetin do ta thjeshtëzoja këtu vetëm në dy aspekte themelore: (1) kontrollin e brendshëm të territorit (ushtrimin efektiv të pushtetit), përfshirë dhe monopolin mbi përdorimin legjitim të mjeteve të dhunës (funksionimi i forcave të armatosura si ushtria dhe policia), dhe (2) legjitimiteti ndërkombëtar mbi territorin. Në qershor 1999, Serbia efektivisht e ka humbur formën e parë të sovranitetit mbi Kosovën. Me njohjen ndërkombëtare pas 17 shkurtit, Serbia e humb edhe formën e dytë të sovranitetit mbi Kosovën. Format e mbetura të ushtrimit të pushtetit të Serbisë në Kosovë, që bëhet përmes të strukturave paralele administrative, do mund ta cilësonim si një ushtrim të pjesërishëm të autoritetit sovran, mirëpo ato nuk përbëjnë ushtrim të sovranitetit mbi Kosovën SI TËRËSI. Në vijim do t’i adresoj çështjet e hapura.
Me Shkëlzenin jemi kryesisht dakord rreth rëndësisë historike të njohjes ndërkombëtare të Kosovës. Mirëpo Shkëlzeni thotë se përkundër njohjes, kufizimet tjera mbi pushtetin në Kosovë megjithatë nuk e vendosin Kosovën në raport të barabartë me Serbinë si dy shtete të pavarura dhe sovrane. Kjo është e saktë, por kjo nuk rrjedh nga fakti se Serbia ruan sovranitetin e saj ndërkombëtar mbi Kosovën. Kjo rrjedh nga fakti i kufizimeve të sovranitetit që Serbia nuk i ka. Serbia nuk sundohet nga një mision ndërkombëtar por një qeveri sovrane. Serbia gjithashtu është anëtare e OKB-së dhe organizatave tjera ndërkombëtare. Serbia gjithashtu nuk e trajton Kosovën si shtet të pavarur sepse nuk e njeh si të tillë, por e sheh si pjëse të territorit të saj. Por njohja ndërkombëtare e Kosovës megjithatë ia anulon Serbisë sovranitetin ndërkombëtar mbi Kosovën (që e gëzonte me Rezolutën 1244 dhe me UNMIK-un, deri në momentin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës), pasi që për shtetet që e njohin Kosovën, Kosova dhe Serbia tashmë përbëjnë dy subjekte të ndryshme ndërkombëtare. Ky është fakti kryesor, pavarësisht pretendimeve të Serbisë se Kosova është akoma pjesë e territorit të saj. Dhe ky është aspekti i “efekteve në terren” të njohjes – njohja përbën më shumë se një akt simbolik, siç po e lë të kuptohet Shkëlzeni. Njohja i jep legjitimitet një pushteti, pavarësisht se sa kontroll të brendshëm ka ai. P.sh. Transnistria, Osetia jugore dhe Abkhazia kanë kontroll të brendshëm po aq sa shumë shtete të pavarura, por nuk gëzojnë njohje ndërkombëtare, prandaj dhe si rrjedhojë shihen si entitete jolegjitime dhe janë të privuara nga shumë privilegje që i takojnë vetëm shteteve të njohura. Bosnja-Hercegovina u njoh si entitet ndërkombëtar, dhe pavarësisht luftës që zhvilloi Millosheviqi, ai nuk arriti ta zhdukë këtë entitet, por u desh ta njoh ekzistencën e tij si shtet sovran. Pra njohja ndërkombëtare ka një efekt të vetin edhe “në terren”, sepse ndryshon rrënjësisht koniukturat ndërkombëtare brenda të cilave trajtohet një territor i caktuar. Çështja nuk është se a konstituohen shtetet nga brenda apo nga jashtë, me fakt në terren apo me njohje (në historinë e shteteve, kemi nga të dyja llojet). Çështja është se për të ekzistuar efektivisht një shtet sovran, i duhen dyjat: edhe pushteti brenda territorit, edhe njohja ndërkombëtare. Kosova tashmë është në proces të përfitimit të kësaj të fundit edhe pse mund të jetë e kufizuar në të parën. 
Çështja tjetër kontestuese është statusi i Pranisë Ushtarake Ndërkombëtare (PUN). Unë nuk pajtohem me konstatimet e Shkëlzenit që mandati mbi të cilin ndërtohet PUN tregon për vazhdimësinë e sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën. Arsyeja pse PUN (apo, më saktësisht, NATO) nuk ka një marrëveshje të llojit Status of Forces Agreement (SOFA) me Kosovën është në radhë të parë sepse NATO-ja vazhdon në Kosovë ta ketë rolin e një pranie paqeruajtëse me autoritete të gjera (ngjashëm me SFOR/EUFOR në Bosnjë). Në rastet e marrëveshjeve SOFA, ushtrisë së huaj i jepen disa të drejta të caktuara (shfrytëzimi i territorit, i bazave dhe hapësirës ajrore etj.), por jo edhe e drejta për zbatimin e funksioneve të sigurisë, siç janë intervenimet, arrestimet dhe operacionet ushtarake brenda vendit, siç i gëzon PUN. Ndërkaq, arsyeja pse bazë e mandatit të saj është Rezoluta 1244, është inercioni juridik – meqë Rusia bllokoi aprovimin e një rezolute të re, PUN duhet të shfrytëzojë si bazë të mandatit të saj paqeruajtës rezolutën ekzistuese, në mënyrë që të ketë legjitimitet ndërkombëtar. PUN, madje, nuk nxjerr autoritetin e saj vetëm nga Rezoluta 1244, por do ta nxjerr edhe nga Kushtetuta e Kosovës. Me një fjalë, nuk është vetëm mandati nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së por edhe autoriteti sovran i Kosovës që ia “falë” atë mandat dhe ia transferon PUN-së (dhe PCN-së) një pjesë të sovranitetit të saj (kuptohet, autoritetet e Kosovës janë të kushtëzuara politikisht dhe obligohen nga Pakoja e Ahtisaarit, të cilën e kanë pranuar, për ta bërë një hap të tillë, por interpretimi strikt juridik është ky). Asnjë nga këto nuk tregojnë pse Serbia do të vazhdojë të ruajë ndonjë lloj sovraniteti mbi Kosovën. Pavarësisht mandatit dhe statusit juridik të PUN në Kosovë, ai nuk do të jetë instrument i Beogradit. Të kesh sovranitet do të thotë të kesh pushtet komandues, e kjo nuk ka qenë e as nuk do të jetë e vërtetë për asnjë moment përsa i përket raportit midis Beogradit dhe PUN. Ndërkaq, interpretimi se FSK do të jetë segment i institucioneve të mbrojtjes të Serbisë më duket absurd. Në çdo pikëpamje, forcat e sigurisë, përfshirë dhe PUN, i nënshtrohen institucioneve civile, dhe përderisa nuk ekziston një pushtet civil i Serbisë mbi Prishtinën e as mbi PUN (i cili do të udhëheq FSK-në), nuk do të ekzistojë kurrfarë kontrolli i Serbisë mbi FSK-në. Ndryshe i bie se komanda civile e FSK-së do të jetë Ministria e Mbrojtjes e Serbisë, që është absurde.
Çështja përfundimtare janë borxhet dhe strukturat paralele. Shkëlzeni nuk e shtron drejtë çështjen e borxheve dhe trashëgimisë, duke argumentuar se për shkak se ajo nuk është zgjidhur drejtë, do të thotë se Kosova vazhdon të jetë nën sovranitetin e Serbisë. Edhe ky konstatim është i pabazuar. Ndarja e Kosovës po konsiderohet ndërkombëtarisht si ndarje nga Serbia e jo nga ish-Jugosllavia, prandaj dhe Kosova nuk merr pjesë të barabartë në çështjet e sukcesionit të ish-Jugosllavisë. Mirëpo, fakti pse kjo çështje nuk është zgjidhur drejtë nuk do të thotë se si rrjedhojë, vazhdon sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën. Një çift i martuar mund të divorcohet dhe njëra palë të mbetët e dëmtuar për shkak të ndarjes së jobarabartë të pasurisë. Mirëpo, mosndarja e barabartë e pasurisë nuk e anulon faktin e divorcit. 
E vetmja pikë ku Shkëlzeni mund të argumentojë për një mbetje të ushtrimit të autoritetit të Serbisë në territorin e Kosovës, janë strukturat paralele administrative, edhe pse Shkëlzeni nuk e thekson këtë çështje dhe e trajton vetëm në kuadër të Pakos së Ahtisaarit dhe provizioneve të saj për decentralizimin. Mirëpo problemi kryesor nuk janë provizionet e Ahtisaarit (sado të këqija që janë) se sa fakti që Serbia ka ushtruar dhe vazhdon të ushtrojë një autoritet të pjesshëm në enklavat serbe përmes funksionimit të strukturave paralele. Mirëpo, duhet të jemi shumë të qartë kur flasim për strukturat paralele: ky autoritet është i pjesëshëm në formë, sepse përfshin kryesisht funksione administrative, arsimore dhe sociale, dhe nuk ka si pjëse të saj forca të uniformuara të rendit (të paktën jo legjitime dhe legale). E dyta, ky autoritet shtrihet vetëm në zona të fragmentuara nëpër Kosovë (kryesisht në veri, si dhe në disa enklava serbe). Kështu, ai përbën ushtrim të një autoriteti administrativ të Serbisë brenda pjesëve të territorit të Kosovës, por jo ushtrim i sovranitetit mbi Kosovën si tërësi. Duhet gjithashtu ta kemi parasysh se strukturat paralele janë dhuratë që UNMIK-u ia lë pas Kosovës së pavarur. Për nëntë vite, edhe pse do të duhej të  ishte autoriteti i vetëm juridik në Kosovë, UNMIK-u toleroi strukturat paralele dhe lejoi zhvillimin dhe zgjerimin e tyre (ndërsa liderët kosovarë toleruan tolerancën e UNMIK-ut). Pra, si fakt juridik, strukturat paralele edhe sipas Rezolutës 1244 janë krijesa jolegjitime dhe ilegale. Decentralizimi dhe Pakoja e Ahtisaarit janë përgjigje politike ndaj këtij realiteti, duke tentuar që të krijojë një strukturë të dyfishtë, apo, siç pat thënë në një rast vetë Ahtisaari, të pajtojë ekzistencën e strukturave autonome brenda një shteti unitar. Por, pavarësisht se çfarë thuhet në Pako, realiteti është se implementimi i decentralizimit mund të mbetët peng i politikës së Beogradit, përderisa vazhdon politika e tolerimit të strukturave paralele. Për decentralizimin mund të thuhet shumë (unë kam shkruar për rreziqet e saj qysh në vitin 2006), sepse ai po e shndërron problemin e ushtrimit të pushtetit të Kosovës në enklavat serbe në një problem afatgjatë, dhe ia jep Beogradit një levë të përhershme për të manipuluar me minoritetin serb. Mirëpo çështja thelbësore këtu është se as strukturat paralele, as decentralizimi nuk përbëjnë ushtrim as faktit e as juridik të sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën si entitet politik.
Në fund, e theksoj sërish se me Shkëlzenin pajtohemi përsa i përket kufizimeve të shumta të ushtrimit të sovranitetit që do të ketë shteti i ri i Kosovës. Ky shtet i ri është i kufizuar në fushat kyçe që e bëjnë një shtet, që janë në radhë të parë forcat e rendit, drejtësisë dhe sigurisë. Prandaj dhe marrja e Shkëlzenit me këtë problematikë është me vend. Aty ku nuk pajtohem është që të gjurmojmë gjer në imtësi dokumente të ndryshme juridike për të kërkuar ekzistencën apo jo të sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën. Unë them se praktikisht dhe legalisht, ky sovranitet ka mbaruar. Realiteti ndërkaq duhet të kërkohet mu aty ku Shkëlzeni thotë se duhet të konstatohet ekzistenca e një shteti: kontrolli në terren. Përderisa Serbia gjen rrugë për ushtrimin e pushteteve të drejtpërdrejta administrative brenda zonave të caktuara të Kosovës, rreziku për paqe dhe stabilitet do të jetë i përhershëm. Ndërkaq, kufizimet e sovranitetit të brendshëm që rrjedhin nga Pakoja e Ahtisaarit mbajnë rrezikun e shndërrimit në një varshmëri të përhershme të Kosovës ndaj strukturave të jashtme për aspektet kryesore të pushtetit. Një shtet i tillë nuk është dhe nuk mund të jetë sovran dhe i pavarur në kuptimin e plotë të fjalës. Shkëlzeni mund ta quaj Deklaratën e Pavarësisë një Deklaratë të Varësisë, por kjo varësi nuk shkon në drejtim të Serbisë por në drejtim të strukturave tjera nga të cilat mbetët e varur Kosova. Përfundimisht, deklarata e 17 shkurtit për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran nuk ishte konstatim i një situate të krijuar, por shprehje e një aspirate të vazhdueshme, përpjekjet për të cilat tashmë do të zhvillohen në një terren të ri politik. Prandaj dhe rëndësia që këtë terren të ri politik ta perceptojmë drejtë dhe saktë.

Në vijim është përgjigja e Shkëlzen Gashit ndaj reagimit tim. Artikulli postohet këtu me leje nga Shkëlzeni për t’ua lehtësuar të interesuarve që ta ndjekin debatin. Ky shkrim është botuar në Kohën Ditore të datës 25 shkurt 2008.

 

 

Nga një lexim i kujdesshëm i shkrimit të mikut tim Besnik Pula, të botuar në gazetën Koha Ditore të datës 21 shkurt 2008, vërehet qartë se ai dhe unë jemi në të njëjtat valë për pjesën më të madhe të problemeve që ai i trajton në shkrimin e tij. Sidoqoftë, për një trajtim më adekuat të tematikës se sa sovrane do të jetë Kosova, për mendimin tim, do të ishte mirë të merren katër kuptimet e termit sovranitet, që i jep Stephen Krasner në librin e tij të tilluar Sovereignty: Organized Hypocrisy: sovraniteti legal ndërkombëtar; sovraniteti westphalian; sovraniteti i ndërvarësisë; dhe sovraniteti i brendshëm. Meqë ra fjala, kuptimit të fundit të termit sovranitet, pra sovranitetit të brendshëm, Besniku i është referuar në magjistraturën e tij brilante me titull Contested Sovereignty and State Disintegration: The Rise of the Albanian Secessionist Movement in Kosova, të mbrojtur në Georgetown University. Sidoqoftë, le t’i trajtojmë me radhë këto kutpime të sovranitetit në rastin e Kosovës.

 

Për sa i përket sovranitetit të brendshëm, që është organizimi formal i autoritetit dhe aftësia e autoritetit për të ushtruar kontroll brenda shtetit, duhet thënë se Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (PCN) jo vetëm që do të jetë autoriteti final sa i përket interpretimit të Planit të Martti Ahtisaarit (e drejta për të gjykuar në shkallë të fundit, sipas Jean Bodin është prerogativë e sovranitetit) por, ai edhe do të ketë fuqi të përjashtojë nga detyra secilin zyrtar nëse kundërshton Planin e Ahtisaarit. Po ashtu, Kuvendi i Kosovës, jo vetëm që nuk mund ta miratojë Kushtetutën e Kosovës pa miratimin e PCN-së, por, për më keq, nëse ka kontradiktë mes Kushtetutës së Kosovës dhe Planit të Martti Ahtisaarit, ky i fundit mbizotëron. Sipas Pakos së Ahtisaarit, për miratimin, ndryshimin apo shfuqizimin e ligjeve kërkohet edhe shumica e anëtarëve të Kuvendit, të cilët mbajnë ulëse të rezervuara apo të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve, të cilat nuk janë në shumicë. Edhe Jean Bodin në librin e tij “Sovraniteti” thotë se shenja e parë e sovranitetit nënkupton pushtetin për të vendosur ligje. Për më shumë, PCN-ja do të ketë të drejtën, nëse është e nevojshme, të anulojë çdo veprim, që ndërmerret nga autoritetet e Kosovës. Sovraniteti i ndërvarësisë ka të bëjë me kapacitetin e autoritetit lokal për të kontrolluar qarkullimin e informatave, të mirave, njerëzve, kapitalit përmes kufijve të shtetit. Kapaciteti për këto kontrollime, në të vërtetë, i takon Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar sepse ai ka kompetenca në sferën e sundimit të ligjit, gjyqësi, polici, dogana, shërbime korrektuese…

Në vijim të kësaj, ai do të ketë autoritetin e emërimit të drejtpërdrejtë të udhëheqësve të doganave, tatimeve, privatizimit, financave dhe thesarit. E, sikundër thotë Jean Bodin-it, emërimi apo shkarkimi i zyrtarëve kryesorë është element i rëndësishëm i sovranitetit.

 

Kuptimi i tretë i sovranitetit sipas Krasnerit është sovraniteti westphalian, i cili i referohet mosndërhyrjes së ndonjë autoriteti të jashtëm brenda shtetit. Në këtë pikë, Kosova duhet të ketë sovranitet vetëm sa kanë shtetet sovrane dhe të pavarura përreth. Mirëpo, ç’

është e vërteta, Kosova do të ketë ndërhyrje nga dy autoritete të jashtme: Misioni i BE-së (i cili do operojë në bazë Rezolutës 1244 gjegjësisht pikës 10 dhe 17 të kësaj rezolute), që me kompetencat që ka është Qeveri e njëmendtë e Kosovës, kurse Qeveria formale e Kosovës do të jetë agjension i këtij misioni; dhe Republikën e Serbisë, që do të ketë të drejtë të ketë marrëdhënie të drejtëpërdrejta me entitetin serb në Kosovë (afërsisht 1/3 e territorit të Kosovës), duke i financuar komunat serbe në Kosovë, pothuajse në çdo sferë të jetës.

 

Në fund, kemi sovranitetin legal ndërkombëtar, që i referohet njohjes legale të shteteve nga shtetet tjera. Nuk ka asnjë dilemë se njohja e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur nga një varg i shteteve më të fuqishme në botë, përbën një hap tejet të rëndësishëm (që nuk mund të minimizohet në asnjë mënyrë) duke e vendosur Kosovën në raport tjetër karshi Serbisë, por jo në raport mes dy shteteve sovrane e të pavarura. Në aspektin e sovranitetit legal ndërkombëtar, Kosova ka pozicion pothuajse identik me Tajvanin sepse që të dy këto entitete kanë gjysëm-subjektivitet ndërkombëtar, ngase nuk janë anëtarë në organizatat ndërkombëtare sikur OKB-ja apo OSBE-ja. Në të vërtetë, Tajvani është në pozicion më të mirë se Kosova sepse nuk ka mision ndërkombëtar që e sundon sikur Kosovën dhe nuk ka entitet kinez brendapërbrenda sikur që ka Kosova entitetin serb. Në anën tjetër, BiH, edhe pse e ndarë brendapërbrenda sikur Kosova, për sa i përket sovranitetit legal ndërkombëtar, për dallim prej Kosovës, ka subjektivitet të plotë ndërkombëtar (këtu po dallojmë Besniku dhe unë), ngase është anëtar i organizatave ndërkombëtare si OKB, OSBE dhe i njohur ndërkombëtarisht nga Serbia e Kroacia.

 

Një tjetër dallim mes Besnikut dhe meje konsiston në atë se ai, siç duket, është përkrahës i shkollës konstituive të së drejtës ndërkombëtare për sa i përket njohjes së shteteve të pavarura dhe sovrane, e unë përkrahës i shkollës deklarative. Unë mendoj se njohja nuk mund dhe nuk e krijon shtetin, pra njohja nuk është konstituive, por është thjesht deklarative. Sikundër pat thënë edhe Robert Badinter në mendimin numër një, efektet e njohjes nga shtetet tjera janë krejtësisht deklarative. Shteti duhet të ekzistojë paraprakisht. Njohja e shtetit nuk është asgjë tjetër veçse deklarim se sipas shtetit A, ekziston shteti B. Andaj, njohja ndërkombëtare prej disa shteteve, përbën realitet të ri, por jo realitet të ri në terren, ashtu siç po pretendon Besniku. Konventa për të Drejtat dhe Detyrat e Shteteve, e njohur si Konventa e Montevideos, precizon se, përveç territorit dhe popullsisë, entiteti që tenton të bëhet shtet sovran dhe i pavarur duhet të ketë nën kontroll atë territor. Pra, shteti duhet të ekzistojë njëmend, e vetëm pastaj të shpallet ekzistenca e tij dhe të kërkohet njohje nga komuniteti ndërkombëtar. Kontrolli i territorit është shumë më i rëndësishëm sesa njohja ndërkombëtare. Serbia, për shembull, nuk e ka parë njohjen ndërkombëtare të Bosnjë dhe Hercegovinës si një ngjarje që do të ndryshonte ndonjë gjë në realizimin e planit të saj. Për më shumë, Millosheviq edhe ka bërë shaka duke thënë se edhe perandori romak Kaligula e ka deklaruar kalin e tij për senator, por kali i tij asnjëherë nuk është bërë senator, andaj e njëjta gjë do të ngjajë edhe me Alia Izetbegovicin: ai do të ketë njohje ndërkombëtare, por jo shtet. Çeshtja e sovranitetit nominal të Serbisë mbi Kosovën është komplikuar jashtëzakonisht shumë, duke u bërë sfidë për shumë ekspertë të së drejtës  ndërkombëtare. Në të vërtetë, kjo edhe është arsyeja përse në shkrimin tim, ‘Deklarata e Varësisë’, të botuar më 19 shkurt 2008 në KOHA Ditore (Timothy Garton Ash në shkrimin e tij të botuar më 21 shkurt në Los Angelos Times të titulluar ‘The Kosovo precedent’

thotë se Deklarata e Pavarësisë është po ashtu deklaratë e varësisë) kam thënë se Serbia do të ketë sovranitet në mënyrë fort të sofistikuar mbi Kosovën. Këtu është dallimi kryesor mes Besnikut dhe meje. Ja përse mendoj se sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën do të jetë i sofistikuar:

 

Në bazë të të ashtuquajturës ‘Deklaratë për Pavarësinë e Kosovës’ Prania Civile Ndërkombëtare (PCN) dhe Prania Ushtarake Ndërkombëtare (PUN), të themeluara në bazë të Rezolutës 1244, duhet të mbesin në Kosovë për të zbatuar përgjegjësitë e dhëna sipas Rezolutës 1244 dhe Planit të Martti Ahtisaarit. Nëse Kosova është shkëputur de facto e de jure nga Serbia, ashtu siç pretendon Besniku, atëherë, përse Prania Ushtarake Ndërkombëtare duhet të qëndrojë në Kosovë në bazë të Marrëveshjes së Kumanovës, të nënshkruar mes NATO-s dhe RFJ-së, e jo në bazë të SOFA-s (“Status of Forces Agreement”

) të nënshkruar mes NATO-s dhe Kosovës dhe, për më keq, ta zbatojë Rezolutën 1244, e cila, përveçse garanton sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë, parasheh kthimin e qindra (jo mijëra) forcave serbe në Kosovë. Pra, nuk është ndryshuar Rezoluta 1244, por është ndryshuar interpretimi i saj.

 

Sipas Planit të Martti Ahtisaarit, Kosova nuk do të ketë ushtri, por Forcë të Sigurisë, e cila do të jetë kryesisht përgjegjëse për përgjigjen ndaj krizave, asgjësimin e mjeteve eksplozive, mbrojtjen civile, pra, me pak fjalë, Forca e Sigurisë do të ketë për obligim të përmbushë funksione të sigurisë, që nuk janë të përshtatshme për policinë apo organizatat tjera të zbatimit të ligjit dhe, më e rëndësishmja, Prania Ushtarake Ndërkombëtare (PUN) do të ketë autoritet ekzekutiv mbi FSK-në. PUN-ja do të vazhdojë t’i zbatojë praktikat e vëna në funksion të Komisionit të tanishëm të Përbashkët për Implementim me Republikën e Serbisë. Me kalimin e kohës, ashtu siç parasheh Plani i Martti Ahtisaarit, veprimtaritë e Komisionit të Përbashkët për Implementim do të bëhen pjesë e një Komisioni të Përbashkët Ushtarak të ri, që do të përfshijë autoritetet nga Kosova dhe Serbia, në kuadër të të cilit do të trajtohen çështje ushtarake dhe të sigurisë me interes të përbashkët. Për më shumë, PUN-ja në koordinim me PCN-në do t’

i përcaktojnë masat për krijimin e mirëbesimit midis FSK-së dhe institucioneve të mbrojtjes të Serbisë. Kjo, për mendimin tim, tregon se FSK do të jetë segment i institucioneve të mbrojtjes të Serbisë, duke e bërë kështu sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën tmerrësisht të sofistikuar.

 

Një tjetër element, që e forcon argumentin tim se sa vështirë i hetueshëm është sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën, ka të bëjë me borxhin ndërkombëtar. Plani i Martti Ahtisaarit nuk parasheh ndarjen e pasurisë, aseteve dhe arkivave sepse kjo do të mund të ngjante vetëm nëse Kosova do të shkëputej prej Serbisë. Për më keq, Kosova do të marrë pjesë vetëm në ndarjen e borxhit ndërkombëtar të Serbisë. Kjo ngjet sepse Kosova mbetet e lidhur me Serbinë. Meqë jemi tek kjo problematikë, më duhet të them se, për mendimin tim, Kosova nuk do të duhej të pranonte marrjen pjesë në procesin e trashëgimit të Jugosllavisë (ndarja e pasurisë, aseteve, borxhit) sepse atëherë do ta mohonim faktin se Kosova është okupuar më 1912. Në vijim të kësaj, është me rëndësi të përmendet se Letonia, Lituania dhe Estonia kanë refuzuar të marrin pjesë në procesin e trashëgimit të BRSS-së, që u pat definuar në marrëveshjen e bërë në Alma Ata (kryeqytetin e dikurshëm të Kazakistanit), me arsyetimin se në rast se pranojmë të jemi edhe ne trashëgimtarë të BRSS-së, sikundërqë kërkon Rusia, atëherë, pranojmë se kemi qenë themelues të BRSS-së, e jo të okupuar nga BRSS-ja.

 

Krejt në fund, Besniku thotë se në praktikë rolin dhe pushtetin e PCN-së dhe EULEX-it nuk do ta përcaktojë vetëm teksti literal i Planit të Martti Ahtisaarit dhe dokumentet tjera politike, por edhe pozicioni politik që karshi tyre do të marrin institucionet e Kosovës. Logjikisht do të duhej të ishte kështu, por në rastin tonë nuk do të jetë kështu, në radhë të parë, për shkak të mungesës së forcës, e sikundër e din Besniku, politika pa forcë është sikur muzika pa instrumente, e mbi të gjitha, nuk do të jetë kështu sepse, përveç që kemi politikanë të padijshëm e servil, ne kemi edhe politikanë të korruptuar, e si rrjedhojë të shantazhuar.

 

Miku im Shkëlzen Gashi, kritik i madh, siç kam qenë edhe unë, i proceseve politike për definimin e statusit të Kosovës gjatë dy viteve të fundit, në Kohën Ditore të datës 19 shkurt botoi një koment për situatën e re juridike në të cilën gjendet Kosova pas shpalljes së pavarësisë. Aty ai problematizon çështjen e sovranitetit në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë, që është me vend. Sigurisht se, tashmë që shumica kanë filluar të kthjellen nga festat dhe ahengjet masive për shpalljen e pavarësisë, është koha të ulemi e të shikojmë me seriozitetin e duhur se çfarë në të vërtetë po ndodh me Kosovën si entitet politik.

 

Pa dashur që të nisi një polemikë të kotë, për shkak të rëndësisë së çështjeve që ngrit, Shkëlzeni bën një numër konstatimesh që sipas meje janë problematike. Është shumë e vërtetë se Kosova nuk do të jetë shtet i pavarur e sovran në kuptimin klasik të fjalës. Kjo është e qartë për të gjithë ata që dallojnë të bardhen nga e zeza. Prania ndërkombëtare e sigurisë, pushteti ndërkombëtar mbi institucionet e zgjedhura të Kosovës, dhe njohja jo e plotë nga bashkësia ndërkombëtare, nuk e bëjnë Kosovën një shtet të pavarur e sovran në kuptimin tradicional të fjalës. Mirëpo kjo nuk do të thotë se shpallja e pavarësisë dhe njohja ndërkombëtare e Kosovës nga shtetet kryesore të rendit ndërkombëtar përbëjnë ngjarje të parëndësishme që nuk transformojnë rrënjësisht pozicionin politik dhe juridik të Kosovës.

 

Kështu, Shkëlzeni pohon se edhe pas shpalljes, për shkak se pavarësia ndodh mbi bazën e Pakos së Ahtisaarit, Kosova mbetët “në mënyrë fort të sofistikuar nën sovranitetin e Serbisë”. Si argument shtesë për këtë ai përmend mbetjen në fuqi të Rezolutës 1244, e cila e ruan sovranitetin e Serbisë (trashëgimtarës së RFJ-së) në Kosovë.

 

Pavarësisht përmbajtjes së deklaratës së pavarësisë dhe premisave politike mbi të cilat ajo bëhet, njohja ndërkombëtare e Kosovës si shtet i pavarur anulon realitetin politik të krijuar sipas Rezolutës 1244. Me njohjen ndërkombëtare në kufijtë aktualë, Kosova de facto dhe de jure shkëputet nga Serbia. Nga pikëpamja e ligjit dhe praktikës ndërkombëtare, për shtetet që e njohin e që do ta njohin Kosovën, Kosova është efektivisht një shtet i pavarur, me qeveri të vetën dhe territor të përcaktuar. Prandaj, të thuhet se Kosova mbetët nën sovranitetin e Serbisë, edhe pas njohjes së saj nga SHBA, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Italia e një varg shtetesh tjera më të rëndësishme evropiane e botërore, është të injorosh realitetin e ri që imponon njohja ndërkombëtare. Reaksioni histerik i qeverisë në Beograd tregon qartë se fjala është për një akt të pakthyeshëm dhe historik që Kosovën e vendos përgjithmonë në një raport tjetër karshi Serbisë.

 

E dyta, njohja ndërkombëtare krijon një realitet të ri në terren që hedh poshtë çfarëdo përmbajtje tekstuale të Rezolutës 1244. Siç e din edhe Shkëlzeni, ligji ndërkombëtar është ligj zakonor, që domethënë se atë e bën sjellja e shteteve, ai nuk bëhet me akte legjislative dhe Këshilli i Sigurimit nuk përbën kurrfarë organi legjislativ për ligjin ndërkombëtar. Çfarëdo që të jetë përmbajtja tekstuale e Rezolutës 1244 (megjithëse tashmë në interpretimin e ri të disa juristëve evropianë, garancat e rezolutës për sovranitetin e Serbisë në Kosovë janë vetëm kalimtare dhe jo të përhershme), njohja ndërkombëtare krijon një realitet të ri në terren, pasi që me këtë akt Kosova vendos marrëdhënie diplomatike me vende të tjera dhe në këtë mënyrë shndërrohet efektivisht në aktor të politikës ndërkombëtare. Ndërkaq, rezolutat e OKB-së nuk janë obligative dhe shkilen vazhdimisht: në fakt, shkelësi më i madh në botë i Rezolutave të OKB-së është Izraeli, por kjo gjë shumë pak i ka bërë dëm aftësisë së këtij shteti që të zhvillojë politika sipas interesave të saj.

 

Prandaj, të thuhet se edhe pas njohjes ndërkombëtare, Kosova vazhdon të mbetët nën sovranitetin e Serbisë është një konstatim që nuk përkon me realitetin e ri të krijuar. Kosova, me njohje, fiton subjektivitet ndërkombëtar. Të vetmet elemente që e pengojnë hyrjen e plotë të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare do të jenë mosnjohja e Kosovës nga të gjitha shtetet (sidomos Rusisë dhe shtetet satelite të saj), si dhe veton e pritshme të Rusisë për çfarëdo përpjekje për anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Në këtë pikëpamje, Kosova do të shndërrohet në një lloj Taivani evropian: ai do të njihet nga shumica e shteteve, por jo të gjitha shtetet. Por njohja jo e plotë dhe rezistenca e një shteti të madh sikur Kina nuk e ka penguar Taivanin që të zhvillohet e të prosperojë, prandaj edhe rezistenca e Rusisë nuk do të jetë pengesë për Kosovën e cila do të ketë marrëdhënie diplomatike dhe ekonomike me shtetet kryesore të Evropës dhe me SHBA-të. Për më tepër, mosnjohja nga një pjesë shtetesh nuk është fakt i kryer dhe i përhershëm. Me një politikë të mençur, ndoshta një ditë edhe Rusia do të pajtohet me faktin e Kosovës së pavarur dhe do të heq dorë nga nervoziteti i saj i kotë rreth kësaj çështjeje. Dhe për fat të mirë Serbia nuk e ka as përafërsisht forcën dhe influencën globale politike dhe ekonomike të Kinës.

 

Në aspektin e ushtrimit të brendshëm të sovranitetit, është e qartë se Kosova do të vazhdojë të jetë e kufizuar në një numër dimensionesh. Në këtë pikëpamje Kosova do t’i përngjet më shumë Bosnjës, i cili është shtet i njohur ndërkombëtar, por i kufizuar nga brenda sipas provizioneve që rrjedhin nga Marrëveshja e Dayton-it dhe pushtetit ndërkombëtar që ajo vendos atje. Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar do të jetë pushtet kryesor përsa i përket zbatimit të çështjeve të “Interesit Vital” siç i përkufizon edhe draft-Kushtetuta e Kosovës, dhe do të ketë autoritete të gjera ekzekutive në këtë pikëpamje, që janë superiore karshi organeve të zgjedhura të Kosovës. Gjitashtu, prania ndërkombëtare e sigurisë dhe kufizimet drastike për Forcën mbrojtëse të Kosovës (përfshirë numrin e ushtarëve dhe llojet e armatimit) gjithashtu paraqesin një pengesë që Kosova të ushtrojë sovranitet të plotë në aspektin e brendshëm.

 

Mirëpo më shumë se kufizimet juridike të përcaktuara në Pakon e Ahtisaarit, sfida kryesore për arritjen e kontrollit të plotë mbi territorin e saj (gjë që përkufizon një shtet sovran) do të jetë vazhdimi i funksionimit të strukturave paralele administrative të Serbisë në Kosovë. Sipas Ahtisaarit, ato struktura duhet të shkrihen dhe të legalizohen si pjesë e administratave të reformuara e të decentralizuara komunale. Mirëpo rezistenca e Serbisë dhe e serbëve lokalë, sidomos në veri, i shndërron ato në një sfidë afatgjatë për vendosjen e pushetit të Prishtinës në gjithë territorin e Kosovës. Një shpresë është se serbët, sidomos në jug të Ibrit, do ta shohin dëmin e madh që ju shkakton getoizimi nëpër enklava, varshmëria në strukturat paralele dhe izolimi nga jeta shoqërore dhe politike në Kosovë. Por në anën tjetër, Serbia, siç paralajmëroi edhe qeveria e Beogradit dhe gjesti i Serbisë që të dërgojë ministrin e saj në Mitrovicë në ditën kur Kosova shpallte pavarësinë, tregojnë se Serbia nuk do të heqë dorë nga këto struktura dhe forma aktuale e funksionimit të tyre. Megjithatë, ekzistenca e “zonave gri” të ushtrimit të pushtetit nëpër territorin e Kosovën nuk e anulon realitetin juridik se i gjithë territori i Kosovës njihet si pjesë e një shteti të vetëm me të drejtë ushtrimi të pushtetit në gjithë territorin.

 

Sido që të jetë, e ardhmja e organizimit të brendshëm administrativ e territorial të Kosovës nuk është çështje e mbyllur njëherë e përgjithmonë. Shumë do të varet edhe nga lëvizjet politike në terren. Në praktikë, rolin dhe pushtetin e PCN-së dhe EULEX-it nuk do ta përckatojnë vetëm teksti literal në Pakon e Ahtisaarit dhe dokumente tjera, por edhe pozicionimi politik që karshi tyre marrin institucionet e Kosovës. Po qe se institucionet e Kosovës i nënshtrohen lehtësisht dhe i japin atij hapësirë të madhe të veprimit, PCN-ja kollaj do të shndërrohet në një PSSP të ri kurse EULEX-i në një UNMIK të dytë (ashtu dhe siç ndodhi në muajt e parë të UNMIK-ut – realiteti politik në muajt pas qershorit 1999 ishte shumë fluid dhe i papërcaktuar, derisa partitë kosovare nuk ia dhuruan UNMIK-ut pushtetin). Presioni politik mund të bëjnë të mundur që EULEX-i të mos jetë një mision pa afat, dhe që gjatë kohës së tij në Kosovë të orientojë presionin e tij drejt shpërbërjes së strukturave paralele. Mirëpo sido që të jetë me punët rreth organizimit të brendshëm të shtetit, njohja ndërkombëtare është një fakt i pandryshueshëm dhe juridikisht i paanulueshëm. Prandaj, domethënia dhe rëndësia e saj politike nuk bën të minimizohet, nëse për asgjë tjetër atëherë për hir të betejave politike që akoma mbesin për t’u bërë. Ato beteja tashmë do të zhvillohen në një kontekst radikalisht tjetër politik, dhe përfundimisht jashtë orbitës së sovranitetit ndërkombëtar të Serbisë mbi Kosovën.

 

Botuar te Koha Ditore, 21 shkurt 2008.

 ———–

Në vijim është artikulli origjinal i Shkëlzenit, i cili ka qenë shkak i shkrimit të mësipërm. Ai botohet këtu për hir të lexuesve që janë të interesuar në ndjekjen e debatit.

Deklarata e Varësisë

Shkëlzen Gashi

Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës votoi që “Kosova do të jetë shtet i pavarur dhe demokratik”. Pra, jo që Kosova të jetë shtet sovran dhe i pavarur. Të paktën kështu thotë Deklarata, të cilën Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e lexoi para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të transmetuar nga televizioni publik RTK. Kështu thuhet edhe në Deklaratën për Pavarësinë e Kosovës, të botuar në gazetën Koha Ditore (Koha Ditore, 18 shkurt 2008, faqe 3). Mirëpo, kështu nuk thotë teksti i Deklaratës për Pavarësinë e Kosovës, të botuar në ueb faqen e Kuvendit të Kosovës.

Në vijim të kësaj, është me rëndësi që të përmendet fakti se pasi që Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, përfundoi së lexuari Deklaratën për Pavarësinë e Kosovës, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se Kosova tash është shtet i pavarur dhe sovran, por një gjë të tillë nuk e tha Kryeministri i Kosovës, i cili e lexoi tekstin e Deklaratës për Pavarësinë e Kosovës. Si rrjedhojë, nuk është e rëndësishme se çfarë ka thënë Jakup Krasniqi, por çfarë ka lexuar Hashim Thaçi dhe çfarë kanë nënshkruar deputetët e Kuvendit të Kosovës. Prandaj, mbase do të ishte mirë që të bëhet publik teksti i deklaratës origjinale të nënshkruar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Në të vërtetë, edhe sikur Deklarata për Pavarësinë e Kosovës të thotë se e shpallë Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, prapëseprapë nuk ndryshon asgjë, po qe se më poshtë merret për bazë Propozimi i Martti Ahtisaarit dhe Rezoluta 1244.

Sidoqoftë, po qe se lexohet me vëmendje Deklarata për Pavarësinë e Kosovës, atëherë, janë një varg arsyesh që e bëjnë evident faktin se teksti i kësaj deklarate është shkruar nga përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare. Në këtë deklaratë, përmenden “vitet e konfliktit dhe dhunës në Kosovë”, por nuk përmendet askund lufta çlirimtare. Tutje, në këtë deklaratë thuhet se kjo shpallje është në pajtueshmëri të plotë me Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, të hartuar nga i Dërguari Special i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari. Por, në këtë propozim nuk thuhet askund se Kosova do të jetë shtet sovran dhe i pavarur në përputhje me vullnetin e popullit të saj. Për më shumë, ky propozim as që i hap Kosovës rrugën për pavarësi, por parasheh lënien e saj në mënyrë fort të sofistikuar nën sovranitetin e Serbisë.

Deklarata për Pavarësinë e Kosovës mirëpret mbështetjen e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare, por “nëpërmjet të pranive ndërkombëtare të themeluara në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 për të zbatuar përgjegjësitë që i janë dhënë sipas Rezolutës 1244 dhe Planit të Martti Ahtisaarit”. Ç’është e vërteta, Kosova ka nevojë për prani ushtarake dhe civile ndërkombëtare në Kosovë, të atillë çfarë është në Shqipëri, Maqedoni e rajon, por duhet të ndryshojë ana formale-juridike e saj, që do të thotë duhet të kundërshtohet Prania Civile Ndërkombëtare në bazë të Rezolutës 1244 dhe Prania Ushtarake Ndërkombëtare në bazë të Marrëveshjes së Kumanovës. Pra, duhet të ketë nënshkrim të marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Kosovës dhe trupave të huaja, marrëveshje e cila do t’i përcaktonte të drejtat dhe detyrimet e palëve, Kosovës dhe NATO-s, e që ndërkombëtarisht quhet “SOFA” (“Status of Forces Agreement”).

Mbi të gjitha, Deklarata për Pavarësinë e Kosovës afirmon në mënyrë të qartë se Kosova në të gjitha këto çështje, do të veprojë në pajtueshmëri në parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Rezolutën 1244 (1999). Sikundër dihet, Rezoluta 1244 e garanton sovranitetin dhe integritetin territorial të RFJ-së, e cila nuk ekziston më, por ekziston Serbia. E, neni 60 i Kartës për krijimin e Unionit Serbi-Mali i Zi thotë se në rast të shpërbërjes së këtij unioni, Serbia do të jetë trashëgimtare e Rezolutës 1244 dhe të gjitha dokumenteve ndërkombëtare që kanë të bëjnë me Kosovën. Pra, Rezoluta 1244, siç e tha, edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, pas shpalljes së Deklaratës për Pavarësinë e Kosovës, është edhe më tutje kornizë juridike për Kosovën.

Në fund të Deklaratës për Pavarësinë e Kosovës, thuhet se të gjitha “shtetet kanë të drejtën të mbështeten në këtë deklaratë, dhe i bëjmë apel të na ofrojnë përkrahjen dhe mbështetjen e tyre”. Kjo do të thotë se Kosova kërkon nga shtetet sovrane dhe të pavarura ta mbështesin këtë deklaratë, e cila deklaratë e merr për bazë jo vetëm Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, të hartuar nga i Dërguarit Special i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, por edhe Rezolutën 1244. Kjo do të thotë se shumë shtete do ta njohin, siç tha Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, Kosovën demokratike e shumetnike të bazuar në sundimin e ligjit. Por, edhe nëse Kosova njihet si shtet sovran dhe i pavarur, prapëseprapë nuk ndryshon asgjë, po qe se më poshtë kërkohet të zbatohet Propozimi i Martti Ahtisaarit, i cili e ndanë Kosovën në baza etnike e fetare dhe kërkon instalimin e misionit të BE-së për ta sunduar Kosovën dhe kërkohet zbatimi i Rezolutës 1244.

Krejt për fund, duhet thënë edhe një herë se shteti nuk krijohet me shpallje e njohje, por, sikundër e thotë Robert Baditner në mendimet e tij për shpërbërjen e Jugosllavisë, krijimi apo moskrijimi i një shteti është çështje e faktit në terren. Për ilustrim, Palestina njihet si shtet nga më shumë se 114 shtete dhe, veç kësaj, më 15 dhjetor 1988, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar rezolutën 43/177, e cila e njeh shtetin e ri të Palestinës (për më tepër shih: “The Creation of the State of Palestine” by Francis A. Boyle, European Journal of International Law), por, dihet shumë mirë se sa është shtet Palestina.

 

Logjikë e turbullt

Janar 3, 2008

Mbetet akoma i pashpjegueshëm vendimi i Hashim Thaçit dhe PDK-së që të synojnë një koalicion qeveritar me LDK-në. Gazetarët deri më tani nuk kanë zbuluar ndonjë shpjegim konkret, ndërsa jozyrtarisht përflitet se koalicioni është rezultat i presionit të zyrave diplomatike, sidomos asaj amerikane. Por, as ky shpjegim, në qoftë fare i vërtetë, nuk është krejt i qëndrueshëm. Ndonëse ekzistojnë arsyet pse zyrat diplomatike mund të insistojnë në formimin e një qeverie me bazë të gjerë (një super-koalicion që përfshin të gjitha partitë parlamentare) për të siguruar kohezionin politik gjatë etapës së ardhshme politike si zëvendësim funksional për Ekipin e Unitetit që pritet të shpërbëhet, nuk ekziston asnjë arsye aparente që partner koalicioni për PDK-në të jetë pikërisht LDK-ja. Bile as në negociatat midis partive nuk është vërejtur prania e dukshme e përfaqësuesve diplomatikë. Ndërkaq, zërat brenda PDK-së, sidomos anëtarësia e gjerë dhe elektorati i kësaj partie, japin shenja pakënaqësie të thellë me këtë vendim të kreut të partisë, prandaj edhe vendosmëria e saj për t’i hyrë një lidhjeje të tillë përkundër rrezikut të tjetërsimit të bazës partiake, e shndërron formulën e synuar të koalicionit në enigmë edhe më të madhe.

Për hendekun midis LDK-së dhe PDK-së nuk duhet bërë shumë fjalë, megjithëse në kohën e sotme historia harrohet shumë shpejt kur janë në pyetje interesa të ndryshme, prandaj vlen të përkujtohen disa fakte. Tensionet midis grupit që sot udhëheq PDK-në dhe LDK-në datojnë që nga ditët e hershme të UÇK-së, që vazhduan gjatë negociatave në Rambouillet më 1999 dhe më pastaj në periudhën e pas luftës. Pas zgjedhjeve të dyta parlamentare më 2004, LDK-ja vendosi që ta braktisë formulën e mëhershme të qeverisë Rexhepi, duke lidhur koalicion qeveritar vetëm me AAK-në, për çka u ndezen tensione të reja midis partive të të ashtuquajturit “krah të luftës”, kur PDK lansoi akuza për heqje dorë nga vlerat e këtij krahu ndaj Ramush Haradinajt, për shkak të lidhjes së aleancës me Ibrahim Rugovën. Ndonëse sot aleanca midis PDK-së dhe LDK-së ndodh pa Rugovën, është e qartë se logjika e dikurshme politike po zbehet gjithnjë e më shumë duke çuar në konfiguracione politike që deri para jo shumë kohe kanë qenë të paparamendueshme. Liderët e PDK-së madje tregohen më të pamëshirshëm ndaj ish-bashkëluftëtarit të tyre Haradinaj, duke e përjashtuar edhe një kombinatorikë hipotetike me AAK-në, se sa ndaj partisë së dikurshme të Rugovës, cilësimi i të cilit të UÇK-së, si “lojë e Serbisë” në fundvitet e nëntëdhjeta akoma jehon në veshët e shumë prej ish-luftëtarëve të saj. Por kjo vetëm e vërteton konstatimin se rregullat e lojës politike tashmë kanë ndryshuar drastikisht dhe se kemi hyrë në një periudhë ridefinimi të skenës politike, jo vetëm me rikonfigurimet e forcave politike por edhe të një ndryshimi rrënjësor të strukturës së interesave.

Një nga teoritë e hedhura që i interpreton zhvillimet e fundit në mënyrë më cinike thotë se Thaçi synon që ta shfrytëzojë dezorientimin aktual të LDK-së pas disfatës në zgjedhje duke e inkuadruar në qeveri dhe me këtë akt ta fusë LDK-në nën kthetrat e tij, duke kontribuar në dobësimin e mëtejmë të kësaj partie. Por lidhja e koalicionit përbën një risk politik shumë më të madh se sa llogaria e supozuar e Thaçit që të veprojë drejt dobësimit të LDK-së. Pavarësisht krizës me të cilën po ballafaqohet LDK-ja, ajo i ngjan organizativisht më shumë elefantit që lëviz ngadalë se sa dinozaurit që është në zhdukje e sipër. LDK-ja ka bazë organizative, militantë partiakë dhe histori që ia garantojnë asaj qëndrueshmërinë si parti për një periudhë afatgjatë. LDK-ja mund të vazhdojë të stagnojë, apo të reformohet dhe të ndryshojë nga brenda, por është gabim i madh të mendohet se ajo do të shkojë drejt margjinalizmit si organizatë politike. Po aq gabim është të llogaritet se me përfshirjen e saj në qeveri, Thaçi do të mund t’i bëjë ndonjë dëm LDK-së. Përkundrazi, të gjitha dështimet e ardhshme të qeverisë së tij do t’i adresohen jo LDK-së por atij personalisht, prandaj risku më i madh i këtij eksperimenti do të mbartet nga ai dhe nga PDK-ja e cila zgjedhësve kosovar i premtoi “ndryshime”, e jo mbajtjen e humbësve zgjedhorë në pushtet. 

Gjërat nuk janë më të qarta as nga perspektiva e LDK-së. Hyrja e LDK-së në qeveri nuk ia kthen asaj dot elektoratin e humbur, madje çfarëdo suksesi relativ në qeverisje (ndonëse kjo ka pak gjasa të ndodh, nisur nga rrethanat objektive) do t’i shpaguhet PDK-së e jo LDK-së. Politikisht, LDK-ja ka llogari më të madhe që në vitet që vijnë të qëndrojë në opozitë, duke reformuar partinë dhe duke atakuar qeverinë për dështimet dhe problemet e pashmangshme (as udhëheqsia më e aftë në botë, me mjetet e disponueshme aktualisht, nuk do të ishte në gjendje ta eliminonte korrupsionin, ta zgjidhte problemin e papunësisë dhe të garantonte furnizimin e pandërprerë me rrymë, nëse marrim parasysh vetëm disa elemente bazike që ndikojnë në cilësinë e jetës dhe rrjedhimisht në disponimin e votuesve). Mirëpo në LDK, interesi më i madh i partisë duket se po mbetet peng i interesave më të ngushta të figurave të kryesisë që të sigurojnë ndonjë mandat ministri apo edhe i Fatmir Sejdiut që ta ruajë pozitën e kryetarit të Kosovës, se sa të mendohet strategjikisht për të ardhmen afatgjate të partisë.

Faktori tjetër që ka hapur rrugën e këtyre akrobacioneve është sistemi i ri zgjedhor komunal i cili ka kontribuar në decentralizimin faktik të partive, ashtu që vendimet e qendrave partiake mund të kenë pasoja më të vogla se dikur për partitë në nivelin komunal, e ku si pasojë logjika e koalicioneve nuk pasqyron ato të qendrës por ndjek formula tjera, të diktuara nga raporti lokal i forcave politike. Shenjë e kësaj është gjithashtu fakti se, si pasojë e reformave zgjedhore në nivel komunal dhe të zgjedhjes së drejtpërdrejtë të kryetarëve të komunave, partitë kanë ndjerë dukshëm nevojën që si kandidatë të fusin emra të njohur (p.sh., delegimi i figurave nga qendra me profil të njohur publik për t’u kandiduar në nivel komunal për kryetar komune), duke zëvendësuar logjikën e dikurshme që fitoren në nivel komunal e mbështeste te brandingu i përgjithshëm i partisë, ndërsa lejonte që postet komunale të zaptohen nga anonimusë të ndryshëm që vinin nga margjinat e organizatës partiake, shpesh edhe nga njerëz pa ndonjë përvojë të spikatur politike e as menaxheriale, por që shpërbleheshin me poste komunale nga partia për lojalitetin e tyre ndaj udhëheqsisë partiake (funksionimi i deritanishëm i komunës së Prishtinës në aparat avancimi për kuadrot e ulta të LDK-së është ndoshta më i spikaturi ndër këto). Sido që të jetë, qendra tani është më e lirë të mendojë për formulat e koalicionit pa u brengosur tepër për efektet e kësaj në nivelin lokal, por kjo njëkohësisht do të thotë dhe shkëputje më të madhe të qendrës nga baza e partisë, që mund t’i kushtojë liderëve partiakë me humbjen e legjitimitetit për udhëheqje të partisë apo edhe braktisjen e partisë nga elektorati, si dhe rrezikimin e qendrës nga baza pasi që tani fituesit e niveleve lokale, tashmë me bazë të veten elektorale, janë të gjithë pretendentë të ardhshem potencialë për udhëheqje në qendër.

Thaçi gjithashtu mund të llogarisë se një koalicion i qëndrueshëm dhe afatgjatë me LDK-në përbën garancë për të ardhmen e tij politike. Shpesh harrohet fakti se Thaçi është relativisht i ri në moshë, dhe ai duhet të llogarisë se si do t’i kalojë jo vetëm 3-4 vite në qeveri, por 20 vitet e ardhshme në politikë. Një koalicion me LDK, në qoftë se tregohet i suksesshëm, mund të çojë në lindjen e një blloku të ri politik rreth këtij boshti partiak i cili, duke pasur mbështetjen e shumicës së elektoratit, Thaçit do t’i garantonte udhëheqje për një kohë të gjatë. Por me këtë vlen edhe llogaria e kundërt – dështimet në qeverisje do të paguhen bashkërisht nga të dyja këto parti me diskreditimin e përbashkët të tyre dhe hapjen e mundësisë për mobilizimin e elektoratit nga një forcë e tretë politike. A do të jetë kjo forcë e tretë një nga ato ekzistueset, apo do të jetë një formacion i ri politik është akoma herët të thuhet, por ironia është se koalicioni i “të mëdhejve” PDK-LDK i shkon më së shumti për shtati partive dhe lëvizjeve politike që mbesin jashtë kësaj formule dhe që dëshmohen të afta në mobilizimin e elektoratit në periudhën e ndërmjetme duke ofruar një platformë alternative politike, nisur po ashtu nga fakti se në periudhën që vjen, të dy këto parti do të identifikohen thellë me formulën ahtisaariane të sundimit të mëtejmë ndërkombëtar të Kosovës në sferat kyçe të shtetësisë, siç janë gjyqësia dhe siguria, për të mos përmendur kornizën e dështuar ekonomike dhe sociale e cila do të mbetët thelbësisht e pandryshuar edhe në periudhën e pritur të shtetësisë formale.

Por ndoshta arsyeja më fundamentale që funksionon si shkak i suspendimit të çdo logjike racionale politike mbase është fakti i pasigurisë së thellë për të ardhmen. Në muajt që vijnë Kosova do të hyjë në një periudhë me rreziqe të mëdha, dhe Thaçi dhe PDK-ja nuk dëshirojnë të ballafaqohen vetëm me këto rreziqe e as të bartin pasojat e mundshme të tyre. Fjala nuk është vetëm për rreziqet e natyrës sociale dhe ekonomike, pasi që në këtë pikëpamje Kosova ballafaqohet me probleme afatgjatë dhe të pazgjidhshme gjatë një mandati qeveritar, por për rreziqet më të drejtpërdrejta për sigurinë dhe stabilitetin e vendit nga kërcënimet që do të vijnë pas shpalljes së pritshme të pavarësisë. Serbia tashmë haptazi ka kërcënuar se në rast të shpalljes së njëanshme të pavarësisë, do ta organizojë pushtetin e Serbisë në zonat e banuara nga serbët. Këto ditë sekretari i Ministrisë serbe për “Kosovë dhe Metohi” madje ka paralajmëruar planin e Serbisë duke deklaruar se edhe në rast të shpalljes dhe njohjes së Kosovës si shtet, “serbët që jetojnë në Kosovë do të vazhdojnë të jetojnë në Serbi”, një kërcënim i drejtpërdrejtë për copëtimin territorial të Kosovës. Mbase edhe të vetëdijshem se ardhmëria imediate e Kosovës është e pasigurt, Thaçi dhe PDK-ja detyrohen që të sigurojë mbështetjen e LDK-së në mënyrë që përgjegjësinë për të ardhmen e vendit ta ndajnë bashkë me armikun e vet të dikurshëm politik. Por lidershipi i vërtetë nënkupton, sidomos në situatën e komplikuar në të cilën gjendet Kosova, jo vetëm synimin e meritave, prestigjit dhe vëmendjes që shoqëron marrjen në dorë të timonit të pushtetit, por edhe marrjen përsipër të përgjegjësisë së plotë për vendin, ndërsa kapja dorë për dore me humbësit zgjedhor dhe oponentin më të madh politik tregon se kjo gatishmëri aktualisht nuk gjendet brenda PDK-së.

Botuar te Koha Ditore, 3 janar 2008

A ka gabim më të madh se të thuhet se zgjedhjet e fundit dëshmuan se tashmë në Kosovë është tejkaluar kulti i personalitetit, se tashmë partitë janë konsoliduar dhe se tashmë qytetarët janë racional me votën e tyre. Thuhet madje që këto zgjedhje kanë dëshmuar se mund të tejkalohet mendësia e deritanishme shoqërore, ku njerëzit nuk votojnë për programe partiake por për persona, për individë, për emra të përveçëm. A nuk qëndron problemi pikërisht te dallimi që vendoset midis “kultit të personalitetit” dhe “programit të partisë”? Pse të mos jenë dyjat: pse nuk mund të thuhet se njerëzit votojnë edhe për kultin e personalitetit, edhe për programin partiak? Madje, a nuk mund të thuhet se ndërtimi i kultit të personalitet është pikërisht komponenti themelor, edhe pse i pashprehur, i programit partiak! A mund madje të shkojmë aq larg sa që të themi se partitë kosovare nuk janë gjë tjetër pos struktura kolektive për prodhimin e personaliteteve të kultit politik, e ku krejt e ardhmja kolektive e vendit duket se qëndron e varur nga karizma dhe karakteri personal i këtij apo atij lideri?

Këtë gjë e pjesërisht e siguron sistemi proporcional zgjedhor që përdorët në Kosovë. Implementimi i sistemit të listave të hapura ka qenë menduar si metodë për të dobësuar lidershipin partiak në mënyrë që partitë të nxjerrin kandidatë të besueshëm nga elektorati. Por a nuk është kjo, hapja publike e listave me emra, pikërisht metodë për ta shndërruar luftën elektorale në një luftë që krejtësisht lidhet me personalitete? Ma thuani, cilën e kanë lexuar njerëzit më me kujdes: listën numerike të emrave kandidatë, apo pikat e programit partiak? Kuptohet që këtë të parën, sepse të gjithë e dinë që ai është programi i vërtetë i partisë. Vota iu është dhënë personaliteteve, kurse personalitetet jo vetëm dominojnë politikën por edhe përcaktojnë gjithë përmbajtjen e saj.

Dëshmia më e fuqishme për vërtetësinë e këtij konstatimi është fushata elektorale e LDK-së. Vëzhgues të ndryshëm e kanë diskutuar mjaft gjestin e LDK-së gjatë fushatës, e cila kishte vendosur që ta përfaqësojë partinë në fushatë me portretin e Ibrahim Rugovës. A nuk e dëshmon kjo pikërisht hendekun që ekziston midis personit fizik dhe funksionimit të shënjuesve politik, siç është Rugova – për LDK-në nuk është me rëndësi nëse Rugova është ndër të gjallët apo të amshuarit, sepse primare është pikërisht ekzistenca e tij e vazhdueshme si shënjues, si objekt që përfaqëson një dëshirë politike. Dhe në këtë pikë mund të pajtohemi me kritikët e LDD-së: me këtë akt LDK-ja nuk i bëri nderim njeriut Rugova, pasi që atë e trajtoi si asgjë më shumë se sa një logotip të partisë. Shembulli tjetër është Behgjet Pacolli. I pyetur për një reklamë kontraverse gjatë fushatës, ku shfaqeshin individë të ndryshëm që kishin pranuar ndihma financiare nga Pacolli duke folur lavdata për të, ky i fundit ishte përgjigjur se shfaqja e asaj reklame nuk kishte qenë vendim i tij, por i udhëheqsve të fushatës pranë partisë së tij, duke u distancuar kështu nga fushata që kishte vetën e tij si objekt. Kjo pra vërteton atë që po e argumentoj këtu: partitë kanë nevojë për personalitetet shumë më tepër se sa personalitetet kanë nevojë për partitë. Në një mënyrë (dhe këtu qëndron i gjithë ankthi i partive kosovare), përderisa liderët partiakë paraqiten si figura të fuqishme, në realitet janë partitë, në ekzistencën e tyre si organizata, si entitete burokratike, e si krijesa amorfe kolektive, që i zotërojnë liderët e tyre, e jo liderët që i zotërojnë partitë. Pikërisht në këtë konsiston edhe gabimi trashanik i Veton Surroit. Në vend se partia ta gjenerojë autoritetin e tij në elektorat, ai kishte tentuar që me autoritetin e tij personal ta forconte influencën elektorale të partisë. Dhe kjo formulë atij i kushtoi shtrejtë.

Por ku po na çon kjo tani në periudhën paszgjedhore, kur duhet të konstituohen kuvendi dhe qeveria e re? Po shihet gjithnjë e më shumë se përkundër premtimeve për “ndryshime” të partisë që fitoi mazhorancën në këto zgjedhje, të vetmin ndryshim substancial që do të shohim është ndryshimi i kryeministrit. Presionet e vazhdueshme për “unitet” dhe për një koalicion të “gjerë” (që domethënë përfshirjen e LDK-së) po e bëjnë të qartë se faktorët ndërkombëtarë duan përsëritjen e formulës së qeverisë Rexhepi, po kësaj radhe me primatin e PDK-së (dhe natyrisht, me përfshirjen edhe të partive tjera që janë shumuar në ndërkohë). Këtë e ka konfirmuar edhe vetë mandatari Hashim Thaçi duke deklaruar se etapën e re politike Kosova do ta fillojmë me një qeveri me bazë të gjerë politike. (Për Kuvendin as që po bëjmë fjalë, pasi që ai që moti ka humbur peshën e tij si institucion, i kthyer në asgjë më shumë se një shtab politik i qeverisë). Natyrisht, qeveria e re mund të mos përmbajë emrat e shumë prej ministrave aktual. Por a është kjo me të vërtetë një freski dhe shprehje e një fryme të re politike? Një kryeministër që do ta ndryshojë kahjen politike të një vendi instalon në pushtet ekipin e tij politik, të cilin e drejton dhe me të cilin bashkëpunon ngushtë, dhe mbi të cilin gëzon edhe mekanizma disiplinor. Thaçit, sikur kryeministrave të mëhershëm, do t’i imponohen njerëz mbi të cilët ai nuk do të ketë autoritet. Dhe ky autoritet është po ashtu i pakapshëm politikisht – Thaçi nuk do të mund ta disiplinojë asnjë nga aleatet e koalicionit duke i kërcënuar me nxjerrje jashtë qeverisë nga vetë fakti se partia e tij nuk e gëzon shumicën absolute në Kuvend për ta mbajtur pushtetin vetë. Dhe po qe se Thaçi lidh kompakt me LDK-në për formimin e qeverisë, trysnia e diplomatëve për mosprishjen e koalicionit do të jetë e jashtëzakonshme, në emër, gjithmonë, të “ruajtjes së stabilitetit politik” (thuajse ndonjë nga partitë e sotme vërtetë kanë paraqitur ndonjëherë kërcënim për stabilitetin politik duke qëndruar jashtë qeverisë). Por jo vetëm kaq, Thaçit i duhen partnerët për ta ruajtur postin e kryeministrit po aq sa Ibrahim Rugova duhej t’ia linte postin e kryeministrit partive minore për ta mbajtur vetë postin e kryetarit të Kosovës. Dhe me përfshirjen e mundshme të LDK-së në qeveri, çështja e autoritetit të kryeministrit mbi qeverinë veçsa do të komplikohet edhe më tej, e të mos flasim për shansat e realizimit të premtimeve të shumta elektorale – si do t’i rregullojë Thaçi shkollat dhe shëndetsinë dhe si do ta ndërtojë rrjetin e madh të rrugëve që aq shumë e premtoi gjatë fushatës, nëse ministritë përkatëse duhet t’ia ndajë partive rivale?

Por çështja është edhe më e komplikuar se kaq, duke u nisur nga vetë konteksti ku duhet të veprojë qeveria e re. Përmendet shpesh me plot bujë se qeveria e re do të jetë qeveria e parë e Kosovës ndërkombëtarisht të pavarur. Por në realitet kjo qeveri do të funksionojë më shumë si një qeveri tranzicioni. Meqë partitë aktuale janë pajtuar me formulën e “pavarësisë së mbikëqyrur”, nëse në fillim të 2008-ës realizohet skenari tashmë i hartuar nga BE-ja për njohjen e njëanshme të Kosovës dhe startimin e misionit të saj, qeveria e re do ta ketë një prej detyrave parësore akomodimin e mbikëqyrësit të ri – largimin e UNMIK-ut dhe zëvendësimin e tij me misionin e BE-së. Qeveria e re, larg së marruri me çështjet e rëndësishme sociale dhe ekonomike të Kosovës, apo me luftën kundër korrupsionit brenda qeverisë dhe administratës, do të jetë e stërngarkuar gjatë viteve që vijnë me nxjerrjen e ligjeve dhe reformave të diktuara nga Pakoja e Ahtisaarit, implementimin e decentralizimit, adaptimin e strukturave administrative dhe zbatimin e reformave të reja institucionale që duhet bërë për t’u akomoduar (apo, më saktë, nënshtruar) misionit të ri mbikëqyrës. Dhe kjo është në fakt historia e qeverisjes në Kosovë që nga qershori 1999 – në Kosovë nuk qeveriset, por vazhdimisht organizohet dhe riorganizohet sistemi i qeverisjes, ndërsa debati i brendshëm politik mbetët peng i preokupimeve me probleme të natyrës administrative. A s’është ironik fakti se vetëm gjatë muajve të kaluar – dhe vetëm në saje të shokut që shkaktoi JO-ja ruse – lidershipi dhe publiku kosovar e kuptuan se akoma ekziston diçka e quajtur politikë.

Por pikërisht kjo mund të jetë shkaku i shndërrimit të politikës kosovare në pak më shumë se ndryshim emrash dhe garniturash. Është kjo simptomë jo e tepricës, por e mungesës së politikës. Në Kosovë, esencialisht, nuk bëhet politikë. (Në këtë, natyrisht, nuk po i përfshijë politikat e klientelizmit të partive, me afera biznesi, korrupsioni, punësimi miqësh e famijarësh etj., ku lidhen interesa të gjera e të mëdha. Por politika klienteliste është forma më e ulët dhe më e degjeneruar e politikës). Politikë mund të ketë vetëm në një fushë ku ekzistojnë disa shkarje fundamentale, shkarje për të cilat janë të vetëdijshëm edhe vetë pjesëmarrësit dhe të cilët mund t’u referohen atyre në luftërat e tyre politike. Po ta pyesesh liderin e partisë X se çka e dallon partinë e tij nga partia Y, përgjigja me gjasë do të ishte e thjeshtë: e dallon fakti se UNË jam në këtë parti e jo në atë. Loja politike në Kosovë ka degjeneruar në lojë egosh ku përimtësohen dallimet narcisiste, karakteristikë kjo e grupeve të vogla, siç e kishte vënë re Freud-i. Por dallime politike as që mund të ketë në një fushë të përkufizuar njëdimensionalisht, ku dallon vetëm raporti i secilit me hierarkinë pushtetore por jo raporti i secilit ndaj objekteve shoqërore të kontestit politik. Një akt i vërtetë politik në Kosovë do ta bënte pikërisht këtë, do ta thyente njëdimensionalitetin brenda së cilit nuk duket ekzistenca e dallimeve substanciale politike por duken vetëm dallime në njerëz dhe në emra, duke konstruktuar objekte të reja të kontestit politik – apo, të themi më mirë, objekte objektive të kontestit politik. Politika kosovare akoma jeton me jehonën e shkarjeve shoqërore e politike të 1999-ës, të 1989-ës, e për disa edhe të 1981-ës – këto janë momentet e përthyerjeve historike të cilat kanë strukturuar dhe të cilat legjitimojnë taborret aktuale të grupuara nëpër fraksione rivale partiake, por edhe furnizojnë bazat mbi të cilat këto parti e perceptojnë politikën. Në ndërkohë, rrethanat objektive shoqërore po ndryshojnë me shpejtësi të hatashme, duke filluar nga strukturat ekonomike, deri te ato institucionale dhe kulturore. E pikërisht ndryshimi i strukturave objektive po e imponon domosdoshmërinë e rigjenerimit edhe të strukturave subjektive, të mjeteve të perceptimit politik – me një fjalë, po vjen koha për një ndarje të re të frontit politik, në mënyrë që të fillojmë të merremi më pak me njerëz e më shumë me politikë.

Botuar te Koha Ditore, 24 dhjetor 2007 

Ahtisaari humbi zgjedhjet

Nëntor 23, 2007

Zyrtari i lartë për politikën e jashtme të BE-se, Javier Solana kritikoi lidershipin kosovar për shkak të besueshmërisë së ulët që ata kanë dëshmuar në mesin e popullatës kosovare, që u tregua nga pjesëmarrja tepër e ulët e votuesve në zgjedhje. Në fakt, pjesëmarrja ishte drastikisht e ulët edhe sipas standardeve rajonale, ku pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare të viteve të fundit vërtitet rreth 50-60%. Mesatarja në Evropën perëndimore (me përjashtim të Zvicrës) për zgjedhjet e fundit arrin në 60-70%. Në shtetet si Danimarka e Belgjika, pjesëmarrja në zgjedhje parlamentare arrin deri në mbi 90%. Pra, ajo që dëshmuam në Kosovë përbën një anomali të konsiderueshme përsa i përket masës së elektoratit që doli në zgjedhje.

 

Por, a është pjesëmarrja e ulët vetëm, siç mendon Solana, vetëm shprehje e besueshmërisë ndaj lidershipit dhe ndaj partive? Është e qartë se zgjedhjet në Kosovë nuk janë mbajtur në kushte që mesatarisht mund t’i quajmë normale, as institucionale e as politike. Institucionalisht, Kosova është e privuar nga ushtrimi i sovranitetit të vet dhe vazhdon të administrohet nga UNMIK-ut; politikisht, ajo gjendet në një fazë ku po i përkufizohet e ardhmja politike, një proces që akoma karakterizohet nga paqartësi dhe pa garanca për të ardhmen. Në një kontekst të tillë, zgjedhjet nuk ishin thjesht shprehje e preferencave të votuesve për subjekte, kandidatë, apo programe politike, por efektivisht një plebishit ndaj asaj që paraqesin shumica e partive ekzistuese, që është, politikisht, një platformë për të ardhmen e Kosovës bazuar në Pakon e Ahtisaarit.

 

Është interesante se si gjatë zgjedhjeve, pikërisht kjo çështje fundamentale mbeti e pa adresuar. Kandidatët partiakë folën për ekonominë, problemet sociale, korrupsionin, krimin, si dhe zgjidhjet që ata i kanë për të gjitha këto probleme, po nuk folën për kornizën brenda së cilës ata do t’i kërkojnë këto zgjidhje e do t’i zbatojnë politikat e pretenduara të tyre. Ata folën për qeverisje duke mos e adresuar problemin e sistemit të qeverisjes. Në fakt, as Ahtisaari, e as kushtetuta e ardhshme e Kosovës (që do të kushtëzohet nga Ahtisaari) nuk ishin pjesë e debateve partiake, ndërsa u propozuan programe bombastike e u dhanë premtime të shumta pa mbulesë për zhvilliminin ekonomik, krijimin e dhjetëra mijëra vendeve të punës brenda disa muajve, arsimit, pensionet etj. Lidhur me këtë, do të ishte interesant të studiohet më thellësisht funksionimi i modelit të ri të hegjemonisë që ka ndërtuar UNMIK-u. Në të kaluarën, sunduesit e huaj të një vendi tentonin të ideologjizonin masat, duke manipuluar me ta përmes propagandës, t’ua ndryshonte bindjet politike, të legjitimonte mungesën e lirisë etj.; sot, UNMIK-u ideologjizon partitë politike, ndërsa ua lë atyre punën e manipulimit të masave, gjë që ndodh në mënyrën më efektive gjatë ritualistikës së spektakleve mediale të fushatave zgjedhore. Pra, për tetë vite, UNMIK-u dhe ndihmësit e saj të zyrave diplomatike, edukuan partitë politike kosovare që të mos merren me çështje fundamentale, por me “problemet e jetës së përditshme”, e kjo në fakt ndodhi tani. Kuptohet, çështja nuk është, siç pohojnë disa, të zgjedhet midis diskutimit të problemeve fundamentale dhe problemeve të përditshme, thuajse kemi të bëjmë me dy gjëra të kundërta. Çështja është të tejkalohet kjo dikotomi e false dhe të zbulohen lidhjet e drejtpërdrejta midis çështjeve fundamentale dhe problemeve të jetës së përditshme. Politika reale, madje, nuk është gjë tjetër pos proces identifikimi dhe adresimi pikërisht i lidhjeve të tilla.

 

Sido që të jetë, duket se pas zgjedhjeve, mandati i lidershipit të ri nën udhëheqjen e PDK-së për ta çuar Kosovën drejt rrugës që ia ka trasuar administrimi i i vazhdueshëm ndërkombëtar (që fshihet mbrapa eufemizmit të pavarësisë) sipas Pakos së Ahtisaarit, tashmë nuk është krejt i qartë. Ta përkujtojmë faktin se i njëjti Solana vetëm pak vite më parë kishte insistuar që në Mal të Zi, referendumi për pavarësi të njihet si valid vetëm nëse vota PËR në të kalon 55%-shin. Me këtë llogari, një referendum për Pakon e Ahtisaarit në Kosovë do të dështonte totalisht. Nëse marrim parasysh daljen e jo më shumë se 45% të zgjedhësve në votime, domethënë se më pak se gjysma e kosovarëve mbështesin opsionin e Ahtisaarit (duke konsideruar se as subjektet e reja, AKR dhe LDD, nuk dolën me kundërplatformë). Madje, nëse konsiderojmë se bërthama e “Bllokut Ahtisaari”, që përfshin subjektet e përfaqësuara në Ekipin e Unitetit (LDK, PDK, AAK, ORA, e ku mund të radhisim edhe mediat dhe elementet tjera të shoqërisë civile që mbështesin këtë bllok), arriten të nxjerrin në votime pak më shumë se 30% të elektoratit, kjo vë në sprovë të madhe projektin politik që këto parti kanë krijuar e që vazhdojnë të mbështesin në mënyrë të pa epur, kur mbështetja e përgjithshme në elektorat për elementin e përbashkët të të gjitha këtyre partive, përbën jo më shumë se një minoritet politik. Natyrisht, duhet të eliminojmë kundërshtinë naive ndaj këtij argumenti, se kjo që po thuhet këtu nuk është valide sepse votuesit e partive të sipërcekura nuk kanë dalur që me vetëdije të votojnë për këto parti duke menduar se me këtë akt ata mbështesin Pakon e Ahtisaarit. Por, pavarësisht nëse votuesit individualë e kanë bërë këtë me vetëdije apo jo, ky është mesazhi politik që ky elektorat ka çuar, pasi që ata kanë votuar për parti që e kanë bërë më se të qartë se mbështesin projektin e një Kosove ahtisaariane. Ndërsa tashmë rezulton se ky elektorat përbën vetëm një pakicë.

 

Fakti që “Blloku Ahtisaari” nuk arriti të mobilizojë as gjysmën e elektoratit, bën shumë të dyshimtë mandatin e fituesit brenda këtij blloku, PDK-së, dhe aleatëve të saj të ardhshem të koalicionit, që të zbatojnë një zgjidhje të tillë. Sigurisht se shumë çështje mbesin akoma të paqarta, pas rikonfigurimeve që do të ndodhin në ulëset e Kuvendit dhe në postet qeveritare, si dhe për atë që do të ndodh pas përfundimit të raundit të dytë të bisedimeve me Serbinë më 10 dhjetor. Mirëpo mesazhi nga këto zgjedhje, të paktën për një çështje, është i qartë: Ahtisaari nuk e kalon pragun e një zgjidhjeje të pranueshme, dhe lidershipi i ri por edhe diplomacia perëndimore duhet ta mendojë mirë çmimin e destablitetit potencial në Kosovë nëse ajo imponon një zgjidhje që nuk gëzon mbështetjen e as legjitimitetin e shumicës. E, të mos harrojmë, terreni për ta pushtuar mazhorancën akoma të paartikuluar politike të Kosovës mbetët akoma i hapur, prandaj edhe kthesat politike që mund t’i shohim në periudhën që po vjen mund të jenë edhe më drastike se sa rezultatet e këtyre zgjedhjeve.

Botuar te Koha Ditore, 23 nëntor 2007