Është bërë e zakonshme nëpër mediume informative që të theksohet rritja e popullaritetit të Kapitalit të Marksit me shpalimin shokant të krizës globale financiare gjatë muajve të fundit. Në anën tjetër, disa nga e majta tashmë kanë filluar të shpallin triumfalisht fundit e projektit neoliberal dhe ardhjen e një epoke të re ku, sipas këtyre, do të shohim ardhjen në shprehje të formave më ’socialiste’ të organizimit ekonomik, siç janë nacionalizimi i bankave (që tashmë po ndodh gjithandej vendeve postindustriale), taksa në shkallë progresive dhe masa të tjera që i japin fund ekceseve të kapitalizmit financiar që ishin shkaktarët fundamental të krizës aktuale. Në Amerikë kjo frymë ka marrë hov gjithashtu me fitorën elektorale të Barack Obama-s dhe të demokratëve, duke shpallur kështu sipas disave një epokë të re post-neoliberale.

Rreziku i pranimit të kësaj narrative qëndron në atë se ai fokusohet në trendet afatshkurtëra dhe nxjerr krizën aktuale nga kuadri më i gjerë i transformimeve ekonomike që kanë ndodhur gjatë tri dekadave të fundit në vendet e zhvilluara kapitaliste. Padyshim, edhe ekonomistët më të regjur neo-klasikë (baballarët ideologjikë të neoliberalizmi) kanë parasysh se kriza e sotme tejkalon përmasat e një krize “normale” ciklike të akumulimit kapitalist, të të ashtuquajturve “business cycles” në të cilat tregu i riadaptohet një ekuilibri të ri të raportit ofertë-kërkesë. Kriza dhe falimentimi i shpejt i shumë bankave dhe institucioneve financiare dhe e institucioneve të mëdha të siguracioneve sikur American International Group (AIG), në një formë që përnjeherë kanë reduktuar praninë e kreditit në ekonomitë e zhvilluara (aq të domosdoshëm për investime si dhe për mbajtjen e nivelit të konsumit) qartazi shkon përtej një krize afatshkurtër dhe një tkurrje normale ekonomike çfarë pritet prej një recesioni. Intervenimi i paprecedent i shteteve në subvensionimin e humbjeve ekonomike të bankave dhe institucioneve financiare të mëdha dhe humbja e qindra triliardë dollarëve në vlerë të tregjeve globale financiare dëshmon për shkallën e jashtëzakonshme të krizës aktuale. Kjo, natyrisht përbën vetëm efektin ekonomik të krizës. Efekti i tij përmes ngarkesave të përnjëhershme që ajo i ka bërë buxheteve shtetërore, duke shkaktuar rënien e të hyrave tatimore, obligimin për të ndërhyrë me para të reja në ekonomi për të parandaluar një kolaps total ekonomik, ngarkesat e reja në shërbimet sociale si pasojë e rritjes së papunësisë, janë pasojat tjera të krizës të cilat tashmë po gjenerojnë dinamika dhe kriza të reja politike në gjithë globin.

Tashmë për shumëke është gjithashtu i qartë shkaku themelor i krizës. Ishte vetë aparatura globale financiare që, përmes produkteve ‘inovative’ financiare, të të ashtuquajtura ’securitization’, e nxitur nga korniza e dobët rregullative e favorizuar me dekada nga ideologjia neoliberale (nocioni që tregu nuk ka nevojë për mbikëqyrje sepse vetëvetiu korrekton gabimet e veta etj.) dhe dominancës gjithnjë e më të madhe të kapitalit financiar karshi atij prodhues si motor të akumulimit kapitalist, ajo që ushqeu rritjen spekulative të profitit përmes investimeve financiare. Rritja ndodhi pothuajse krejtësisht në krah të tregjeve të patundshmërisë, ku përhapja e kredive nxiti blerjen masive të patundshmërive, gjë që artificialisht ngriti çmimet e tyre deri në shkallën kur mospagesat e kredive nga blerësit çoi në tërheqjen e tyre nga tregu, ndërsa bankave u mbetën në duar prona të lidhura për letra krediti pa vlerë në treg. Kolapsi i këtij tregu spekulativ, në në vitin 2008 kishte vlerë nominale prej afër 800 biliardë dollarëve (11 herë më e madhe se gjithë ekonomia globale), mbi të cilin ishte ndërtuar ngrehina e re financiare, ishte nyja e parë në zinxhirin financiar që tërhoqi me vete struktura të tëra financiare, duke na çuar në situatën në të cilën gjendemi sot.

Reagimi i disave është që kriza dëshmon për nevojën e rikthimit të rregullimit, kontrollit dhe monitorimit shtetëror të aktiviteteve në tregjet financiare, proces që gjithashtu ndodhi pas kolapsit financiar të viteve 1930. Mirëpo kjo pikëpamje e ngushtë e aspektit rregullativ lë jashtë procesin e transformimeve institucionale të post-fordizmit, ku duhet ta kërkojmë shkakun më të madh të situatës së sotme politike dhe ekonomike. Teoria e fordizmit/post-fordizmit rrjedh nga e ashtuquajtura Régulation School e teorisë ekonomike, por që në dallim prej ekonomisë neo-klasike, koncepton kapitalizmin si një formë ekonomike që është në varshmëri të drejtpërdrejtë me institucionet dhe normat jo-ekonomike. Régulation School merr seriozisht vështrimin e Althusser-it se ajo që e dallon historikisht një formacion shoqëror kapitalist (kundrejt atij feudal etj.) është dominanca e instancës ekonomike mbi instancat tjera shoqërore, dukuri kjo e vënë re për ekonomitë e tregut edhe nga babai i traditës institucionaliste në ekonomi, Karl Polanyi. Kundrejt determinizmit njëkahësh të marksizmit ortodoks (se struktura ekonomike është shkak i superstrukturave shoqërore, politike dhe ideologjike), Régulation School kupton instancat apo fushat e ndryshme institucionale të një formacioni shoqëror si potencialisht autonome, megjithëse të ndërlidhura në mënyrë sistemike, përmes të ‘coupling’ (ndërlidhjeve komplekse kauzale por që megjithatë veçojnë dy sisteme kauzalisht të pavarura). Kjo e bën Régulation School më të afërt me traditën institucionaliste në sociologji se sa me ekonominë neoklasike apo edhe me ekonomitë politike klasike marksiste. Si pasojë, Régulation School thekson se kapitalizmi, në instancë të fundit, varet nga një mënyrë e riprodhimit (mode of reproduction) që krijon kushtet si shoqërore dhe kulturore (përmes vlerave shoqërore, institucionale etj.), si ato ekonomike (të regjimeve të akumulimit të kapitalit) për zgjerimin e qarqeve të prodhimit, qarkullimit dhe konsumimit të kapitalit. Mënyra e riprodhimit përbëhet nga dy elemente: mënyra e rregullimit shoqëror (institucionet, normat shoqërore, ideologjia etj.) dhe nga regjimi i akumulimit (rrjetet dhe strukturat të prodhimit dhe konsumit që mundësojnë akumulimin afatgjatë të kapitalit). Dyja këto struktura kanë pësuar ndryshime gjatë tri dekadave të fundit.

Sipas teoricientëve të Régulation School, ajo që vështrojmë në vendet e zhvilluara kapitaliste, që nga kriza ekonomike e viteve 1970 është një ristrukturim ekonomik që po zëvendëson formën e dikurshme ekonomike të mbështetur në rolin qëndror të shtetit në zhvillimin ekonomik dhe në nivelizimin e ekstremeve të pabarazive shoqërore përmes ndërhyrjeve Keynes-iane, një mënyrë e rregullimit që ata e quajnë Fordizëm, në një formacion të ri post-fordist. Post-fordizmi është pasojë e kontradiktave të vetë fordizmit, por edhe të transformimit në shkallë të rrjeteve të qarkullimit të kapitalit ku një ekonomi relativisht e vetëpërmbajtur kombëtare e një shteti është zëvendësuar me një ekonomi të ndërlidhur globale si një sferë gjithnjë e të unifikuar të investimit, prodhimit dhe konsumimit transnacional të kapitalit. Për dallim nga sistemi fordist, postfordizmi mbështetet në “akumulimit fleksibil”, që domethënë dominancën e kapitalit financiar, fluiditetin (dhe globalizimin) e qarqeve të prodhimit, me pasojë edhe “kazualizimin” e punës nga një garancë shoqërore çfarë ishte në fordizëm në një pozicion të pasigurt dhe të përkohshëm që çon komodifikimin individual në shkallë të reja duke kërkuar nga individi punonjës që të jetë “fleksibil” në tregun e punës për shkak të jostabilitetit të strukturës ekonomike, të ndjekur me erozionin e të drejtave të punës (pjesërisht pasojë e dobësimit të organizimit sindikal), humbjen e vlerës së punëtorit (sidomos në rangjet e ulta të tregut të punës) me automatizimin e procesit të punës dhe bartjes së prodhimit në vendet e Botës së Tretë, bashkë me vlerësimin e punës simbolike (të shërbimeve komplekse) që kërkojnë përgatitje të lartë arsimore, dhe të mënyrave të reja të organizimit të firmave që hierarkitë e pozitave dikur të distribuuar në bazë të stazhit punues e zëvendësojnë me konkurrencën e brendshme të punëtorëve. Roli dhe rëndësia e shtetit kombëtar në rregullimin ekonomik dhe social është debat që vazhdon në mesin e atyre që janë pjesë e Régulation School mirëpo padyshim, roli i shtetit në kushtet e globalizimit të sistemeve financiare është pa asnjë dyshim krejtësisht tjetër nga ai që mund të ishte para tri-katër dekadave, ku planfikimi qëndror në shkallë të shtetit kombëtar akoma ishte i realizueshëm, madje edhe në shtetet perëndimore si Franca, Gjermania apo vendet skandinave. Këtë po dëshmon edhe kriza e sotme ku po shihet se mjetet që shteti posedon janë – sidomos për shtetet më të vogla – shpesh joadekuate për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive një krize që ka si shkak forca që gjenden krejt jashtë sferës së kontrollit dhe jurisdiksionit të tij. Disa parashikojnë se kriza aktuale do të çojë në ngritjen e instancave globale rregullative të kapitalit financiar. Një gjë e tillë mbetët të shihet, megjithëse edhe kjo sjell rrezikun e ndërtimit të një oligarkie financiare që vazhdon t’i lë shtetet më pak të zhvilluara nën mëshirën e institucioneve ndërkombëtare financiare si të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Mirëpo është e qartë se karakteri themelor i krizës aktuale rrjedh nga fakti i vështruar nga teoricientët e Régulation School gjatë dekadave të fundit: se ristrukturimi ekonomik post-fordist po gjeneron, përveç rritjes së pabarazive sociale gjithandej vendeve të zhvilluara dhe të pazhvilluara, gjithashtu dhe krijimin e një strukture ekonomike që, për shkak se mbështetet mbi kapitalin financiar, gjithnjë e më shumë i nënshtrohet ekstremeve të lëvizjeve ekonomike dhe krijon kriza të përmasave globale që nuk kursen asnjë nga vendet që dikur mbijetonin krizat globale të paprekura. Prandaj me të drejtë, Marazzi e quan krizën aktuale “kriza e parë e unifikuar e postfordizmit”. Në dallim prej krizave regjionale (siç ishin recesioni japonez i veteve 1990, kriza financiare në Azinë juglindore në fundvitet 1990, kolapsi financiar në Argjentinë dhe Brazil etj.), kriza e sotme nuk ka kursyer asnjë nga ekonomitë e zhvilluara.

Në aspektin strukturor, ajo çfarë bën kriza aktuale është sjell në pikëpyetje gjithë rolin e kapitalit financiar në sistemin aktual ekonomik global. Siç bëjnë të ditur historianët ekonomik, roli i kapitalit financiar ka pësuar shpërthim që nga vitet 1970 duke përfshirë sot të gjitha aspektet e aktivitetit ekonomik. Në SHBA, p.sh., në vitin 1947 sektori financiar përbënte rreth 2,5 % të Prodhimit Bruto të Vendit (GDP), ndërsa në vitin 2006 kjo kishte arritur në mbi 8 %, duke bërë që shërbimet financiare të marrin pjesë me afër 40 % në strukturën e profiteve korporative. Rritja e sektorit financiar ndodhi gjatë dhe pas krizës së viteve 1970, paralelisht me ngritjen ideologjike të neoliberalizmit. Si pasojë, sot, në ekonomitë e zhvilluara, çdo veprim ekonomik, që nga investimi deri tek konsumi i produkteve, varen drejtpërdrejtë nga kapitali, në radhë të parë në formë të kreditit, i siguruar nga sistemi financiar. Prania e madhe e kreditit ka çuar gjithashtu në rënien e nivelit të kursimeve, jo vetëm në vendet e zhvilluara por edhe në shoqëritë si Japonia dhe Korea Jugore që dikur njiheshin për shkallë të larta kursimi. Kursimi mund të duket si gjithnjë e më i panevojshëm për shoqëri ku te kredia arrihet lehtë dhe përdorimi i tij është i thjeshtë për çdo aspekt të investimit dhe konsumit. Mirëpo, kjo logjikë dëshmohet problematike në momentin që, siç ndodhi tani, krediti zhduket nga ekonomia si pasojë e humbjeve të mëdha në investime spekulative që tërheqin me vete banka të tëra dhe gjithë bazën e kapitalit që furnizon ekonominë me kredi.

Kjo ka çuar në një ndërhyrje të paparë të shtetit në shpëtimin e bankave dhe institucioneve të tjera financiare për subvencionimit dhe pjesëmarrjes direkte të shtetit në pronësinë e tyre. Në këtë pikëpamje, është përmendur shpesh fantazma e socializmit: a është e mundur se edhe në një vend si Amerika, fillon nacionalizimi i bankave dhe kompanive të mëdha? Mirëpo paradoksi i asaj që po shohim është vënë re nga të tjerët: nëse ky është ’socializëm’, është i tillë vetëm për kapitalistët. Shteti fut paratë publike në shpëtimin e investitorëve spekulativ, duke shpërblyer riskun e tyre. Arsyetimi është se po të lihen të kolapsonin institucione bankare si Citigroup, Bank of America apo AIG, shoku ekonomik që do të shkaktohej në gjithë ekonominë amerikane dhe globale do të ishte katastrofik, duke marrë me vete në varr sektorë të tërë të ekonomisë dhe duke çuar në nivele të papara të papunësisë që nga depresioni i viteve 1930. Kapitalizmi është bërë tepër i madh për veten e tij, që bën të domosdoshme socializimin e humbjeve të mëdha ekonomike në shkallë historikisht të paparë, në mënyrë që të evitohen kriza edhe më të rënda ekonomike dhe shoqërore.

Ku i gjejnë këto transformime vendet në zhvillim si Kosova? Shoku i krizës është ndjerë në gjithë vendet “tranzicionale” të Evropës lindore në formën e rëniës së aktivitetit ekonomik, devalvimit valutor dhe rrezikut të vazhdueshëm të dështimit të sistemit financiar. Zhvillimi i tillë detyroi që, në vlugun e krizës në mars të këtij viti, shefat e gjithë bankave qendrore të vendeve evro-lindore të mbajnë një samit të përbashkët për të siguruar për stabilitetin e vazhdueshëm të sistemeve të tyre financiare, pas të dhënave alarmante për rrezikun e kolapsit financiar të lëshuara në fillim të këtij viti. Kriza ekonomike në Evropën lindore është e lidhur ngushtë me fatin e ekonomive të Evropës qendrore, të dominuar nga Gjermania dhe, më pak, nga Austria. Megjithëse rreziqet e kolapsit financiar janë evituar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) parasheh një rënie mestatare prej 5.2 % për prodhimit bruto (GDP) në gjithë rajonin, që përfshin edhe Ballkanin. Ironikisht, kjo rënie është më e madhe në shtetet baltike, që dikur merreshin si modele të transformimit të suksesshëm në ekonomi të tregut. Rënia e GDP-së në këto shtete për këtë vit sillet prej 10-12 %, fakti i varshmërisë së tyre të thellë me ekonominë globale. Edhe pse efektet e krizës kanë bërë që edhe FMN-ja të zbusë insistmet në balansimin e buxhetit dhe të tolerojë deficitet buxhetore që kanë rezultuar si pasojë e krizës ekonomike, në disa vende kriza financiare po përdoret politikisht si arsyetim për politika shumë më drastike buxhetore. Përderisa në vendet e zhvilluara shihet rëndësia e shpenzimeve buxhetore për rigjenerim ekonomik (si p.sh. në SHBA, ku qeveria miratoi shpenzime me vlerë rreth 800 miliard dollarë) në vendet e vogla kriza çon në shtrëngimin e mëtejmë të shpenzimeve publike. P.sh., për këtë vit, kryeministri estonez ka kërkuar reduktime në shpenzimet buxhetore prej 12 %, duke marrë shkas se kriza shërben “për zvogëlimin e mëtejmë të shtetit” siç ka deklaruar ai. Kurse, përderisa shtetet e vogla baltike dhe ato të Evropës qendrore dhe lindore ballafaqohen me krizën, shtetet me zhvillim të mesëm si Brazili dhe India synojnë që të dalin nga kriza me një rol më qëndror ekonomik dhe politik. Si përfundim, mund të themi se “kriza e unifikuar e postfordizmit” nuk po çon drejt një unifikimi në formën e masave politike që po merren nga shtetet, as në lindjen e një makro-strukture rregullative botërore, por në fragmentimin e mëtejshëm ekonomik dhe politik (të parë edhe në paaftësinë e BE-së për t’u përgjigjur, si bllok, krizës, duke i detyruar shtetet anëtare në marrjen e masave vetanake). Globalizimi ekonomik, ironikisht, po çon në fragmentimin e vazhdueshëm politik, me efekte që do të vërehen edhe gjeopolitikisht, por edhe në lëvizjet shoqërore brenda vetë shteteve. Mirëpo, ky fragmentim nuk po shkon drejt krijimit të autarkive të reja të ekonomive kombëtare (siç ndodhi në prag të Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore), por të ndarjes së globit në sisteme regjionale ekonomike të organizuara si bllok rreth një ekonomie të zhvilluar me rol dytësor prodhues dhe konsumues për shtetet periferike, me varshmëri të madhe te kapitali i jashtëm financiar për sigurimin e investimeve.

Ku qëndron Kosova në këtë mes? Me disa përjashtime (p.sh., fondin pensional), kriza ka kursyer Kosovën më masë të madhe për shkak të izolimit të saj relativ nga sistemi financiar global dhe qarku i investimeve spekulative që çoi në krizën aktuale. Mirëpo, izolimi i Kosovës, sado është një përparësi, është gjithashtu një problem, sepse mosintegrimi sado periferik në blloqet regjionale ekonomike po çojnë në shndërrimin e Kosovës në një vrimë të zezë në hartën ekonomike të Evropës, me probleme ekonomike që, prej prizmit evropian (siç është papunësia prej mbi 40%), duken se, edhe në kushtet e krizës aktuale, i takojnë një planete tjetër.

Problemi themelor është se Kosova nuk ka kapacitete të planifikimit dhe zbatimit të një programi zhvillimor ekonomik. Në dallim prej shumë vendeve të rajonit, Kosova nuk ka një agjension të zhvillimit ekonomik, as programe efektive që shkojnë drejtë nxitjes së eksportit si bazë për rritje ekonomike, ndërsa eksporti është nyja themelore që krijon lidhjet midis ekonomisë vendore dhe tregut global. Mirëpo problemi nuk është vetëm institutional, ai është edhe ideor – me një elitë të korruptuar politike dhe një sistem të dështuar të studimit të lartë universitar dhe akademik, Kosova nuk ka as kapacitetet e nevojshme intelektuale për t’u përballur me sfidat e zhvillimit ekonomik. Lëvizjet shoqërore, ndërkaq, mbesin tepër të fragmentuara dhe të paafta për krijimin e një platforme progresive që zhvillimin ekonomik do ta kishte bazë parësore të politikës. Si pasojë, edhe në kushtet e krizës aktuale globale, Kosova mbetet peng i zbatimit të politikave ekonomike të institucioneve globale financiare si FMN (në të cilën Kosova para pak kohe fitoi anëtarësinë). Problemi kryesor është se politikat e FMN-së nuk kanë synim zhvillimor – ato synojnë, në parim, stabilitetin makro-ekonomik të vendit, brenda disa kornizave konservatore ekonomike (mbrojtja nga deficitet buxhetore, stabiliteti i valutës, që në Kosovë nuk përbën problem për shkak të përdorimit të euros, dhe nga presionet e inflacionit), që i konsiderojnë si krjim të kushteve për investime. Mirëpo, sipas këtyre parametrave, mjedisi ekonomik në Kosovë ka qenë stabil që nga periudha e menjëhershme e pasluftës. Ndërsa problemi qëndror ekonomik në Kosovë vazhdon të jetë paaftësia e lidershipit politik për të kaluar nga një politikë konservatore e stabilitetit makro-ekonomik, çfarë favorizohet nga FMN, në një politikë aktive të zhvillimit që i jep shtetit rol qëndror në orientimin e programeve zhvillimore ekonomike.

Botuar te Ekonomia, qershor 2009

Kjo që e jetojmë sot lirisht mund të quhet epoka post-zhvillimore. Ideja mbrapa kësaj është se vetë koncepti i zhvillimit është i vdekur. Sot, kur flitet për “zhvillimin”, fjala është zakonisht për “zhvillimin ekonomik”, të matshëm në terma ekonomik, siç është rritja vjetore e Prodhimit Bruto të Vendit (GDP), apo shkalla e investimeve të jashtme. Ky kuptim i ngushtë i zhvillimit është pasojë e hegjemonisë së doktrinave neoliberale, të promovuara nga një numër ekonomistësh dhe institutesh të ndryshme konservatore dhe agjentëve global të neoliberalizmit siç është Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ai redukton konceptin e zhvillimit në një koncept të pastër ekonomik. Ky është koncepti i zhvillimit që është promovuar edhe në Kosovën e pasluftës.

Sot, pas krizës financiare, shumë nga doktrinat e neoliberalizmit janë diskredituar e në tërheqje e sipër. Neoliberalizmi nuk shihet si zgjidhje, po si një nga fajtorët e krizës aktuale. Vetë Alan Greenspan, ekonomist neoliberal dhe guvernator shumëvjeçar i bankës qëndrore amerikane, në një dëshmi dhënë në Kongresin amerikan deklaroi se politikat që ai kishte promovuar për liberalizmin e tregjeve financiare kishte qenë e gabuar. Me një fjalë, ai pranoi se kishte bërë një gabim ideologjik, që kishte besuar në doktrinën neoliberale që tregu funksionon më së miri kur është i pamonitoruar. Tashmë pranohet nga të gjithë se një nga shkaqet themelore të krizës aktuale financiare, që është ndër më të thellat që nga depresioni i viteve 1930, është liberalizimi i tregjeve financiare dhe lejimi i asaj që bankat të shndërrohen në investitorë institucionalë. Produktet inovative financiare që shpesh njihen si “securitization”, krijuan një zinxhir të madh risqesh ekonomike të lidhura për fatin e tregut të patundshmërive në SHBA. Ky treg dëshmoi të ishte i fryrë artificialisht nga investitorët që kërkonin shkalla të larta të profitit dhe nga bankat që kishin derdhur përqindje të madhe të kapitalit të tyre në investime të këtij lloji, prandaj edhe kolapsi i atij tregu tërhoqi me vete një numër të madh institucionesh të mëdha financiare, disa nga të cilat po shpëtohen vetëm falë ndërhyrjes së qeverive në to me para publike.

Samiti i paradokohshëm i G-20-shit gjithashtu dëshmoi kufijtë e doktrinave neoliberale karshi të të ashtuquajturit “model social” të promovuar nga Evropa kontinentale. Shtetet si Gjermania dhe Franca, që përfaqësojnë varianta të ndryshme të “modelit social”, ku shteti përgjithësisht ka një rol më aktiv në drejtimin ekonomik të vendit, ndjehen moralisht të forcuara tani pas pothuajse një çerek shekulli të ofansivës neoliberale kundër shtetit social. Paradokisht, duket se sot, shtetet kontinentale evropiane, të cilat investojnë në arsim, shëndetsi dhe shërbime tjera sociale, janë në pozitë shumë më të fuqishme që ta përballojnë krizën, se sa vendet si SHBA dhe Britania ku politikat neoliberale janë ndjekur më sistematikisht. Padyshim se tash edhe SHBA gjendet para sfidave të mëdha të ristrukturimit institucional karshi krizës e cila rrezikon implodimin pothuajse total të sistemit financiar, e që me këtë t’i bëjë dëme të riparueshme strukturës ekzistuese ekonomike – për të mos folur për pasojat shoqërore dhe politike të një zhvillimi të tillë. SHBA mund të dalë nga kjo krizë, sikur nga depresioni i 1930-ave, me një sistem ekonomik dhe social krejtësisht të transformuar.

Sidoqoftë, një nga viktimat e epokës neoliberale, ku refren ka qenë i ashtuquajtur “globalizim”, ka qenë edhe koncepti i zhvillimit. E përforcuar edhe nga e ashtuquajtur doktrinë e tolerancës multikulturaliste, zhvillimi bëhet i pamendueshëm si koncept, pasi që intervenimi politik në ndryshimin e strukturave tradicionale shoqërore paraqitet nga kjo doktrinë si një cënim i papranueshëm moral karshi kulturës tjetër. Ideologjia neoliberale post-zhvillimore kështu në mënyrë implicite mbështet esencializmat e fundamentalizmave të ndryshëm kulturor e fetar, duke qenë i pajtueshëm kështu me ideologjinë konservatore: “zhvillim po, por duke ruajtur strukturat tradicionale të shoqërisë!” Për ta ilustruar këtë me një shembull konkret, një propozim i paradokohshëm në Arabinë Saudite kishte propozuar që të ndalohet shfaqja e grave në televizion. Një propozim i tillë është krejt i pranueshëm për doktrinën e tolerancës multikulturaliste sepse ajo na detyron të respektojmë kulturën e tjetrit, pavarësisht se në të gratë kanë status dytësor karshi meshkujve, sepse doktrina e tolerancës liberale multikulturaliste thotë që këtë dukuri duhet ta interpretojmë si një dallim kulturor logjika e të cilit është i pakapshëm nga racionaliteti ynë eurocentrik etj.

Kosova, si vend relativisht i varfër, preket direkt nga kjo doktrinë, sepse ajo dikton formën dhe strategjinë e politikave “zhvillimore”. Kjo shihet qartazi. Që nga krijimi i strukturave të reja administrative e politike në vitin 1999, në Kosovë nuk është zbatuar asnjë lloj politike e mirëfilltë zhvillimore.

Çka është zhvillimi dhe çka është politika zhvillimore? Në kuptimin e parë, zhvillimi është transformim jo vetëm ekonomik, pra nuk është vetëm rritje e thjeshtë e aktiviteteve ekonomike, por transformim dhe modernizim i gjithanshëm i strukturës shoqërore. Zhvillimi nuk është (siç kujtojnë disa naivisht) një proces automatik i historisë. Zhvillimi ka kosto ekonomike, por ka edhe kosto politike dhe kulturore. Ai dikton transformime të gjithanshme të shoqërisë.

Projekti socialist në Kosovë ka qenë pikërisht një proces i tillë zhvillimor. Politikat zhvillimore socialiste (nën shtetin e atëhershëm jugosllav), sidomos kur kanë marrë hov pas viteve 1960, nuk kanë qenë politika të thjeshta për rritjen e aktivitetit ekonomik. Ato kanë qenë politika që kanë synuar, brenda kornizave institucionale të shtetit socialist, transformimin e rrënjësishëm të strukturës shoqërore, duke bërë kalimin aq të nevojshëm nga një shoqëri agrare, analfabete, dhe me organizim shoqëror që reflektonte këtë karakter, në një shoqëri të industrializuar, moderne, me organizim burokratik dhe strukturë të punësimit profesional, e organizuar në bazë të solidariteteve të reja shoqërore dhe profesionale. Krejt kjo, natyrisht, ndodhi nën monpolin politik të partisë komuniste, mirëpo për epokën e vet u dëshmua model i suksesshëm – madje, sipas disa llogarive, modeli socialist i zhvillimit në periudhën fillestare të tij tejkaloi me rritje ekonomike edhe disa shtete relativisht të varfëra të Evropës perëndimore, siç ishin Portugalia, Irlanda dhe Norvegjia, ndërsa kishte bërë që ai të imitohet gjithandej Botës së Tretë të dekolonizuar.

Është absurde që në rrethanat e sotme të kërkohet një përsëritje e modelit socialist të zhvillimit. Por çka mund të bëhet është që të shpëtohet nga ai koncepti i zhvillimit si një transformim i gjithanshëm i strukturës shoqërore, madje në shkallë dhe në përmasa edhe më të gjerë se sa ai socialist, duke përfshirë në të aspektet e injoruara nga ai (si p.sh. standardet mjedisore). Kjo nuk është një ëndërr boshe, meqë vlerën e konceptit “të vjetër” zhvillimor e kanë dëshmuar në vitet e fundit edhe shtetet e suksesshme në pikëpamje ekonomike si Korea Jugore, Brazili dhe India, por edhe shtetet e zhvilluara si Gjermania që nuk duan të heqin dorë nga roli i shtetit në rregullimin ekonomik. Në të gjitha këto raste, shteti luan rol qëndror në zbatimin e politikave zhvillimore, apo (në rastin e Gjermanisë) të makro-menaxhimit të ekonomisë, të sistemit arsimor dhe të tregut të punës. Këto politika, në forma të ndryshme, kombinojnë investimet në njerëz, në infrastrukturë dhe në industritë eksportuese për rritje ekonomike që sjell dobi të gjithanshme shoqërore dhe jo vetëm përvetësimin e mbivlerës nga një grup i vogël oligarkësh duke lënë masën e gjerë të shoqërisë në mjerim social edhe ekonomik.

Kjo është edhe leksion për qeverinë aktuale dhe për ato të ardhshmet në Kosovë. Zhvillimi nuk matet me rritjen e buxhetit publik, me shkallën e rritjes ekonomike dhe me kilometrat e rrugëve të asfalltuara. Zhvillimi matet me efektet e ndjeshme, afatshkurtëra dhe afatgjata që një politikë zhvillimore kryen në transformimin e strukturës shoqërore. Zhvillimi, gjithashtu nënkupton se politikat zhvillimore mund të jenë rrjedhojë e një koncepti të gjerë të zhvillimimit e jo e politikave dhe investimeve ad hoc nga buxheti shtetëror, e një lloj Keynes-ianizmi të investimeve publike pa kokë, që është ajo që shohim sot. Për të mos përmend shkallën e tërheqjes së shtetit nga rregullimi ekonomik, dhe për më tepër synimi për të privatizuar edhe ato pak asete publike që i kanë mbetur Kosovës, siç janë energjetika dhe telekomunikimi. Mbi të gjitha, ekziston nevoja që të distancohemi nga retorika boshe e zhvillimit me të cilat shërbehen grupet aktuale politike. Kjo kërkon që fillimisht të bëjmë të qartë se çka nënkuptojmë me zhvillimin dhe çka presim nga ai, në mënyrë që pastaj të vlerësojmë se sa jemi afër begative të premtuara të tij.

Në vitet e fundit, është shtruar shpesh problemi i ideologjisë në Kosovë. Disa amatorë të filozofisë tashmë e kanë shpallur gjendjen e sotme historike si post-ideologjike, ndërkohë që problemet politike paraqiten kryesisht si probleme teknike; grupe të caktuara shoqërore, proto-intelektualë të mediave dhe të shoqërisë civile, kanë përqafuar doktrinat e neoliberalizmit, shpesh në kombinim me tezën naive fukuyamiste për fundin e historisë; ndërkohë që partitë, atëherë kur janë marrë seriozisht me ideologjinë, kanë përqafuar orientime nominale dhe jopërmbajtsore të djathta apo të majta (dhe gjithnjë afër qendrës).

 

Në fakt, në rrafshin politik, të gjitha këto janë vlerësime të sakta. Post-ideologjia është pjesërisht produkt i degradimit institutional dhe kulturor të filozofisë; ndërkohë që proto-intelektualët e shoqërisë civile, oportunizmit të tyre shkurtpamës ia kanë veshur një petk filozofik, ndërsa fundin e historisë e kanë pranuar si zëvendësim për injorancën e tyre ndaj saj; partitë kanë pranuar tezën e fundit të ideologjisë jo nga ndonjë bindje e thellë, por si kompenzim për shpronësimin e tyre nga mjetet e prodhimit ideologjik. Të zhveshura nga ideologjia (madje edhe doktrinat e vjetra nacionaliste tashmë, me censurë zyrtare, po dëbohen nga fusha politike), partitë kosovare, për ndërtimin e identitetit të tyre, detyrohen t’i kthehen formave më elementare të ruajtjes së kohezionit shoqëror; jo ideologjia por totemizmi është ajo që i karakterizon ato.

 

Të zhveshura nga identiteti ideologjik – rrjedhimisht, edhe nga identiteti shoqëror – partitë e sotme politike janë edhe pa identitet politik. Partitë e sotme i identifikon vetëm raporti i tyre me pushtetin: është ky apo ai në pushtet? Por politikisht, të gjitha partitë janë të lira të pretendojnë se përfaqësojnë gjithkë dhe gjithçka, sepse nuk përfaqësojnë askë konkretisht dhe asgjë politikisht. Deri rishtas të gjitha partitë identifikoheshin me kërkesën për pavarësi, por ky emblem politik tashmë është shpenzuar. Mungesa e bazës shoqërore që i bën ato përfaqësuese të një interesi dhe i jep atyre një identitet politik, i shtyn partitë që identitetin e tyre ta realizojnë në forma të tërthorta, duke anashkaluar tërësisht identifikimet sociale dhe klasore, madje edhe ato nacionale. Për ta legjitimuar vetëvetën si grupime politike, ato i kthehen niveleve më tradicionale, më primordiale, duke kërkuar nga ato që t’i furnizojnë me petkat dhe simbolet që do t’i mbartin në kryëzatat e tyre drejt integrimit në strukturat e kapitalizmit Evro-Atlantik. Politika kosovare vërtetë ka tejkaluar ideologjinë, por ajo nuk ka shkuar përtej ideologjisë; ajo është përfundi saj. Në vend të ideologjisë, politika kosovare shërbehet me totemë.

 

Siç mësojmë nga studimet e Levi-Strauss-it të shoqërive primitive, totemët që grupet zgjedhin si shenjë përfaqësimi të vetës si grup, janë reflektim i sistemit të klasifikimeve që ata përdorin për ta organizuar rendin shoqëror. Për shembull, në mesin e disa popullatave autoktone të Amerikës Veriore, emrat e fiseve merreshin nga emrat e kafshëve, ndërsa kafshet, bimët apo elementet tjera nga natyra shërbenin si shenja që identifikonin grupin. Nga besimtarët e tyre, totemët konsiderohen të shenjtë. Sipas Durkheim-it, totemi nuk është thjesht objekt; ai përbën, përkundrazi, një koncept, apo, siç e quan Durkheim-i, një përfytyrim kolektiv, i cili jo vetëm simbolizon grupin, por përmes të cilit ai zhvillon ekzistencën si grup. Totemi pra, qoftë ajo një kafshë apo bimë e shenjtë, nuk është objekt i rëndomtë apo i rastit, as nuk është shprehje e irracionalitetit të mendjes primitive që idolizon sendet e natyrës; përkundrazi, ai është emblem që përfaqëson grupin në ekzistencën e tij kolektive. Grupi ekziston përmes totemit, ai njeh veten përmes tij, prandaj dhe totemi i takon sferës së objekteve të shenjta.

 

Sipas Levi-Strauss-it, në shoqëritë primitive, logjika e organizimit totemik përkon me logjikën e organizimit shoqëror. Totemët kështu determinojnë kufijtë e grupit, mundësitë dhe pamundësitë e lidhjeve që grupet mund të krijojnë me njëra-tjetrën (përmes martesave), aleancat, miqësitë dhe armiqësitë. Në disa shoqëri, pjesëtarët e grupeve mishëronin atë që përfaqëson totemi: p.sh. në mesin e një popullate të caktuar, pjesëtarët e fisit Rakun jetonin nga peshkimi dhe frutat e egra, ata të fisit Puma jetonin në mal dhe jetonin nga gjuetia, ata të fisit Maca e Egër flinin ditën ndërsa natën dilnin në gjah pasi që konsiderohej se kishin sy të mprehtë etj. Përmes totemëve, fiset ndërtojnë koherencën e tyre si grup, formojnë identitetin e tyre grupor, ndërsa dallimi në mes të totemëve simbolizon njëkohësisht dallimin e tyre nga fisi tjetër.

 

Nuk është kritika moderne e ideologjisë, por logjika primitive e totemëve që shpjegon sistemin e identifikimeve partiake në Kosovë. Sistemi i identifikimeve partiake në Kosovë i ngjan identifikimeve totemike të grupeve primitive, me dallimin që totemët që i shfrytëzojnë partitë kosovare nuk i marrin nga natyra, por nga shoqëria; më saktësisht, nga familja. Klasifikimi i partive kosovare kështu i përngjan një klasifikimi gjenealogjik, edhe pse fjala nuk është për lidhje gjaku, por për lidhje grupore politike.

 

Për çka është fjala konkretisht? Partitë në Kosovë nuk i dallon ideologjia e as interesat e caktuara shoqërore që ata përfaqësojnë. Jo, ata i dallon në radhë të parë identifikimi me një emër familjar. Emri familjar është në themel të partisë; ai garanton legjitimitetin e saj, ndërsa është shumëfish më i vlefshëm se çfarëdo përcaktimi programor, që edhe nga kreu i lartë i partisë konsiderohet hiç më tepër se një dokument formal. Disa janë habitur se si me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, për të pranishmit, më e rëndësishme ishte përmendja e emrave të caktuar familjarë, se sa substanca politike dhe formalo-juridike e aktit. Por kjo sjellje e pakuptimtë në aspektin politik sqarohet kur merret parasysh aspekti i ritualit totemik. Fiset primitive idolizojnë totemët e tyre, qoftë ajo edhe një macë apo një pemë, dhe i konsiderojnë ata të shenjtë, edhe pse mund të mos kenë ndonjë shpjegim racional për lidhjen e tyre me to. Kjo ndodh sepse aspekti ritualistik i totemëve është i lidhur fundamentalisht me legjitimitetin e ekzistencës së tyre si grup. Pra fjala është për lidhje mitike, ashtu siç partitë kosovare kanë ndërtuar lidhje mitike me familje të caktuara. Duke i mitizuar familjet, partitë mitizojnë edhe vetëvetën e tyre duke zhdukur gjurmët historike të tyre dhe duke i zëvendësuar ato me mite burimore ku ato mund të gjejnë kuptimin parësor të ekzistencës së tyre si grup moral. Dhe partitë politike janë gjithmonë në radhë të parë bashkime morale: asnjë parti nuk mund të ekzistojë vetëm nga interesi i ngushtë, nga paraja, apo nga patronazhi. Paradoksi i partisë është anëtarët dhe krerët e tyre domodoshmërisht besojnë se bashkimi i tyre ka një rëndësi shoqërore dhe historike, pavarësisht nëse në praktikë konkrete, pjesëtarët e saj pjesën më të madhe të kohës e kalojnë në ndjekjen e interesave të ndryshme të ngushta, në afera korruptive, në manipulimin e së vërtetës etj.

 

Jo nga një ideologji politike që shpreh një pozicion shoqëror, por nga ideologjia  patriarkale e familjes që shpreh një pozicion pseudo-gjenealogjik, partitë nxjerrin legjitimitetin fundamental të ekzistencës së tyre. Familja nuk është ideologji politike (siç është shpesh p.sh. në ideologjitë moderne konservatore), por është politika që është kthyer në ideologji familjare. Pra, fjala nuk është për një lidhje përmbajtësore: identifikimi me familje nuk ka të bëjë me marrëdhëniet e solidaritetit vëllazëror që ato duan të ndërtojnë në shoqëri, që kanë si model marrëdhëniet familjare, por me identifikimet e veçanta që ato nxjerrin nga familjet, që janë dhe vlera që ato pretendojnë të përfaqësojnë shoqërisht. Të zhveshura nga përmbajtja ideologjike, partitë ringjallin primordializmin e emrit familjar në mënyrë që të huazojnë nga ai mjetet simbolike për ruajtjen e kohezionit të brendshëm dhe shprehjen e dallimit të jashtëm nga të tjerët.

 

Rendi familjar kështu përbën bazën mbi të cilën partitë ndërtojnë koherencën e tyre ideologjike, sepse ato konceptojnë vetën si një shprehje politike e të bëmave që karakterizojnë familjet me të cilat identifikohen (qoftë ajo sakrifica, trimëria, mençuria, pasuria etj.). Por përmbajtja e veçantë e vlerës që duhet të përfaqësojë çdo familje është më pak e rëndësishme, sepse fjala nuk është për një normë detyruese. Përmbajtja e caktuar e vlerës që përfaqëson akëcila familje nuk është me rëndësi primare, madje ato nuk janë as fikse sepse fjala është për objekte shoqërore, interpretimi i të cilëve është i ndryshueshëm. Më e rëndësishme se sa përmbajtja e vlerës është forma e identifikimit me këto vlera. Vetë identifikimi me familjen si burim i moralit individual dhe kolektiv tregon për homologjinë midis rendit familjar dhe rendit partiak – pikërisht ashtu siç Levi-Strauss kishte vënë re homologjinë midis rendit natyror të kafshëve dhe rendit shoqëror të fiseve në shoqëritë e vogla arkaike të Amerikës Veriore. Partia nuk merr nga familja vetëm identifikimin e vet totemik (të emrit, të vlerës së veçantë etj.), por identifikohet edhe me strukturën e saj patriarkale. Autoriteti partiak kështu është homologjik me autoritetin patriarkal në familje, hierarkia familjare e barazvlefshme me hierarkinë partiake. Siç e kishte vënë re Levi-Strauss, aleancat midis fiseve kryhen përmes shkëmbimit të femrave, pra, përmes martesës; aleancat midis partive kryhen përmes shkembimit të posteve shtetërore (mbase s’është krejt rastësi vepra e dezajnerit satirist Xenini, që formimin e koalicionit PDK-LDK e përfaqësoi përmes ritushimit të reklamës së ProCredit bankës ku shfaqet një çift i sapomartuar, me Hashim Thaçin si burrin dhe Fatmir Sejdiun si gruan).

 

Identifikimi i partive me familje prandaj ka një funksion tjetër shoqëror, që është huazimi nga familja i formës së lojalitetit politik. Forma e lojalitetit politik që përhapet nga ky identifikim, nuk është forma e solidaritet shoqëror të një republike qytetare, por e atij lloj detyrimi që fëmijet ia kanë babait. Ritualet kryesore politike tashmë nuk janë asgjë më shumë se sa rituale respekti ndaj Babait të familjes, prandaj dhe ritualet kryesore politike në Kosovë sot bëhen pranë varrezave…

 

Sipas kësaj strukture, obligimi politik përjetohet si borxh që secili ia ka Babës, Bacit, Dajës së Madh, autoritet që ka partitë si instrument imponimi në marrëdhëniet shoqërore e që e perverton familjen duke e kthyer atë në instrument politik. Ky konservatorizëm i gjithanshëm që thekson autoritetin patriarkal nuk është i rastësishëm, sepse është krejt ideologjik: lojaliteti i formës familjare kërkohet nga politika në kohën kur vetë ajo i kontribon shkatërrimit të familjes përmes pushtetit të saj mbi jetën ekonomike, mbi mundësitë e jetesës që përbëjnë bazën e ekzistencës së familjes në kuptimin e saj material. Totemizmi politik familjar përqafohet mu atëherë kur familja si koncept shoqëror gjendet në rrezikun e saj më të madh, si pasojë e presioneve të jashtëzakonshme ekonomike. Totemizmi politik familjar ndërton modelin e lojalitetit politik: lojaliteti nga ana e gjinisë bëhet zëvendësim për mungesën e solidaritetit nga ana e qytetarisë. Primordializmi kulturor i politikës kosovare arrin në shkallë të reja: për të, as etnia më nuk mjafton si bazë e veprimit politik, gjë që trazon thellë shpirtrat e akademikëve tanë nacionalist, që i kanë shpallë luftë biblike mullirit të erës që quhet identitet kosovar: ideologjia dominante tashmë ka shkuar përtej (apo, më mirë të themi, përfundi) etnisë dhe kombit, ajo imponon tribalizmin familjar si shenjë identifikimi politik. Për politikën e re kosovare, vula e fisit është simbol më i fuqishëm se sa flamuri i një populli, qytetaria e vlefshme vetëm përderisa ajo përkon me modelin e disciplinës patriarkale të Babës, lideri politik i mirë përderisa mishëron aftësitë Atësore të një Babe të Madh. Mirëpo, me këtë, totemizmi politik familjar nuk duhet të interpretohet si shenjë e fuqisë. Përkundrazi, shfaqja e tij është shprehje e krizës së thellë të autoritetit që ka kapluar këtë klasë politike dhe impotencës së saj të thellë për të vepruar politikisht. Vetëm në kohëra krize, njerëzit e luftojnë ankthin e pritjes duke kërkuar nga thesaret e arkaikës maskat e vjetra, simbolet e lashta dhe flamujt antikë që t’i japin njëfarë kuptimi dramës së tyre historike.

Botuar te Koha Ditore, 1 qershor 2008

 

Fatkeqsisht, disa koncepte, të ashtuquajtura “tepër abstrakte” nga mendjet naive, e me anën e së cilave shpjegohen realitetet shoqërore, fillojnë e bëhen të kuptueshme vetëm kur shfaqjet e tyre të jenë bërë të prekshme e të ndjeshme në jetën e përditshme. Pra, kur tentojmë që realitetet shoqërore në Kosovë t’i vëjmë nën shënjuesin “neoliberalizëm”, disa ngrisin vetullat, disa bëhen si të shurdhër, disa kthejnë kokën dhe heqin vëmendjen duke menduar se koncepte të tilla nuk kanë lidhje me realitetet shoqërore në Kosovë, apo se janë gjëra që dalin nga librat e të nevojshme për persiatjet llomotitëse të akademikëve por jo për qytetarin mesatar. Mirëpo realiteti shoqëror është gjithmonë një realitet i prekshëm – apo, thënë hegeliançe, shfaqja e Idesë në fund është gjithmonë konkrete – prandaj edhe kapitalizmin neoliberal mund ta ilustrojmë tragjikisht bukur duke përdorur fatkeqsitë sociale që shkaktohen nga vetë ai. Dhe a përshkruhet më saktë dhe më ilustrativisht tragjedia sociale në Kosovë se sa prej dy dukurive që tranden vëmendjen e pothuajse secilit qytetar (pos, tashmë dihet, pushtetit në Kosovë): greva e urisë e arsimtarëve dhe rritja, ndër artikujt e tjerë elementar, e çmimit të bukës. Për atë që akoma hamendet nga zhvillime të tilla, e që i dhemb fakti se dita-ditës arsimi publik shkon drejt humnerës ndërsa vetë ai shkon drejt varfërimit të mëtejmë nga fakti se duhet të paguaj më shumë për gjëra si buka, vaji e qumështi, i themi me plot zemër: mirësevjen në botën e kapitalizmit neoliberal, dhuratë kjo nga UNMIK-u dhe qeveria e Kosovës!

T’ia nisim nga e para. Partitë tona të arrira politike, kanë lluksin e paparamendueshëm në asnjë vend të botës, që të ulën dhe të flasin për ideologjinë sikur të bënin llaf për tema nga beleristika apo astronomia. Por, a s’është pikërisht ky lloj distancimi artificial nga ideologjia (që vetëvetiu përbën një akt ideologjik), dëshmia më e fuqishme se këto organizata politike janë fundamentalisht të privuara nga mjetet e prodhimit ideologjik, e me këtë rrjedhimisht edhe nga aftësia për të vepruar politikisht? Çfarë dua të them me këtë: them se pikërisht duke mohuar ideologjinë, ato DËSHMOJNË se janë të nënshtruara, të subjektifikuara e të interpeluara (në kuptimin althusser-ian të fjalës) ideologjikisht nga ideologjia dominante, neoliberalizmi. Realiteti është kështu: të bësh politikë pa ideologji (siç pretendojnë partitë kosovare) është sikur të pretendosh se jeton pa marrë frymë – kaq e pashkëputshme është lidhja midis ideologjisë dhe politikës. Kështu, ta pranosh se je ideologjik në politikë është fare normale – por të thuash se je bën politikë jo-ideologjike është ta pranosh se je rob total i ideologjisë dominante. Në Kosovë kjo çështje është edhe më e ndërlikuar se kaq, sepse neoliberalizmi është i sedimentuar nën petkun e të të ashtuquajturit administrim post-politik: me një fjalë, doktrinës dominante se politika sot nuk është asgjë tjetër pos administrim i gjërave, se politika është thjesht çështje e asaj se cili e rregullon rrugën e e shtron kanalizimin më mirë e më hijeshëm se tjetri. Aq më tepër, tashmë që, sipas neoliberalëve, i kemi thënë lamtumirën e fundit Marksit, edhe koncepti i klasës na qenka fare i panevojshëm për t’i kuptuar realitetet shoqërore në botën tonë (të skamjes) postmoderne!

Por t’i lëjmë mënjanë neoliberalët dhe miqtë e tyre postmodernistë – këto realitete të përshkruara më sipër më së miri e kuptojmë nga reagimi i qeverisë ndaj dy dukurive të lartpërmendura. Ndaj arsimtarëve grevistë, kërkesa e të cilëve është që në vend të lëmoshës mujore, të marrin një shpërblim adekuat për punën e tyre, qeveria, më saktësisht vetë ministri i Arsimit, para se t’i jepte fund skandalit të grevës së urisë duke u hedhur para syve arsimtarëve edhe një dokument me premtime të kota, i ishte përgjegjur se paga e arsimtarëve nuk mund të ndryshojë, sepse politika fiskale dhe buxheti nuk vendosen nga Ministria e Arsimit, ajo vendoset nga qeveria, e më tej, vendoset me marrëveshjet që Kosova paska me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankën Botërore. Vetëm kaq i duhet qeverisë kosovare të vërtetojë se i nënshtrohet qorrazi doktrinës neoliberale që promovohet (dhe imponohet) nga këto institucione financiare, me një fjalë, se pranojnë, pa i konsideruar pasojat sociale, “reçetat” e tyre për “reforma ekonomike”. E këto reçeta të “reformave ekonomike” përfshijnë pak a shumë këto elemente: në emër të “reformave strukturore”, ato diktojnë reduktimin e buxheteve qeveritare për shërbime esenciale publike siç janë arsimi, shëndetsia dhe asistenca sociale (kujto këtu nivelin qesharak të pensioneve, e të pagave që marrin pensionistët, arsimtarët dhe ata që varen nga asistenca sociale); por më shumë se kaq, ato synojnë eliminimin e shtetit si mjet për intervenim në ekonomi, e burim zgjidhjesh sociale, siç janë banimi, shkollimi, madje edhe pensionet, duke i shndërruar ato në një përgjegjësi individuale e duke pritur që zgjidhjet të vijnë nga “tregu” (duke provokuar një varg reaksionesh siç janë rritja e shkollimit privat dhe pabarazinë në arsim, varfërimin e pensionistëve, rritjën e varshmërisë në familjen dhe rrjetet familjare për realizimin e nevojave esenciale etj.); privatizimi i pamëshirshëm i ndërmarrjeve shtetërore dhe publike (kujto këtu tendencat për privatizimin e PTK-së, KEK-ut, minierave e, ndoshta nesër, në mungesë gjithnjë e më të madhe të tij, edhe ujit); hapja e plotë e tregut për import, duke eliminuar barrierat siç janë doganat, kuotat dhe tarifat e importit (kujto këtu disbalansin drastik midis importit dhe eksportit në ekonominë kosovare dhe pushtimin pothuaj të plotë të tregut të konsumit me artikuj të importuar); hapjen e ekonomive për investime të jashtme, duke krijuar kushte të “favorshme” për investime nga jashtë, që zakonisht nënkupton shfrytëzimin sa më të lehtë dhe të lirë të resurseve natyrore dhe të fuqisë punëtore nga kompanitë multinacionale, të cilave madje u jepen privilegje të ndryshme tatimore (ashtu sikur kompanitë e mëdha të jashtme që nuk paguajnë tatime në Kosovë); në mënyrë që të lehtësohet shfrytëzimi i punëtorëve, synohet dobësimi apo edhe shkatërrimi i sindikatave, duke individualizuar punëtorin dhe duke e vënë atë në pozitë vunerabël karshi punëdhënësit; nga presionet ekonomike, shfaqen dukuritë e vrazhda dhe me pasoja afatgjate sikur ato të shfrytëzimit të fëmijeve për punë (prishtinansve të mësuar me fëmijët cigareshitës nëpër qytet nuk u duhen tepër detaje për ta kuptuar fenomenin). E kjo, pra nënshtrimi dhe ndjekja e verbër e politikave neoliberale nga qeveritë e njëpasnjëshme unmikiane, tashmë siç është evidente, ka pasojat strukturore si në vijim: moszgjidhjen e problemit të papunësisë, rënien e cilësisë së shërbimeve publike, shkatërrimin e sektorit publik, krijimin e një ekonomie jashtë çdo parashikimi e kontrolli, rritjen e pabarazive sociale dhe klasore, denigrimin e shtetit (përveç aspektëve të tij penalo-policore, të cilat kultivohen me kujdes të veçantë), përhapjen dhe thellimin e praktikave korruptive, shtimin e aktivitetit kriminal, ndërtimin e një shteti laissez-faire, jo-intervencionist, të gjitha këto nën besimin se një shtet i angazhuar në sferën sociale është fare i panevojshëm, sepse “tregu zgjidh të gjitha problemet”.

Këtë të fundit, na e vërteton sërish qeveria me veprimet e veta karshi rritjes së çmimit të bukës. Me rastin e shtrenjtimit të bukës, që ndodh si pasojë e një shteti që zgjidhjet për çdo gjë e pret nga tregu (pra edhe kontrollin e furnizimit me artikuj elemetar për jetë), një zyrtar i qeverisë deklaroi se meqë sot gjendemi në një ekonomi të tregut, nuk është problem i qeverisë se sa lirohet apo shtrejtohet buka. Me një fjalë, nëse sot fëmijet e familjeve të varfëra në Kosovë shkojnë në shtrat të uritur sepse paga prej një punëtori të thjeshtë apo asistenca sociale prej dhjetëra eurove nuk mjafton as për ta mbushur stomakun, ky nuk është problem i qeverisë, sepse zgjidhjet për këtë i ka tregu! E pikërisht kjo doktrinë, se tregu i ka zgjidhjet dhe qeveria dhe shteti janë aty thjesht për t’i administruar gjërat nga sipër (pa çka se shtresa të tëra të popullatës jetojnë në varfëri ekstreme), është në esencë të doktrinës neoliberale, doktrinë që është në themel të projektit aktual shtetformues në Kosovë, pasojat e së cilave shihen jo vetëm në statistika abstrakte por ndjehen rëndë në jetën e përditshme.

Cili është burimi i neoliberalizmit si doktrinë ekonomike e politike? Për fat të keq, hapësira në këtë shkrim nuk lejon që të diskutoj në detaje këtë çështje, megjithëse për këtë gjë kam bërë fjalë në shkrime të mëhershme. Por një gjë është e qartë: në Kosovë, ashtu sikur në vendet tjera në zhvillim, neoliberalizmi imponohet në radhë të parë përmes atyre që sociologu Pierre Bourdieu një herë i pat quajtur “agjentë të armatosur” të tij: FMN-së, Bankës Botërore dhe institucioneve tjera financiare ndërkombëtare. Si institucione financiare, ato synojnë në radhë të parë përmbushjen jo të interesave zhvillimore të shteteve klientë, por interesat e veta si institucione huadhënëse. Mirëpo ky kalkulus elementar nuk merret parasysh nga politikanët aktualë: ata, qoftë nga përtacia, qoftë nga naiviteti, qoftë nga besimi i verbër që kanë tek padronët “ndërkombëtarë”, apo qoftë thjesht nga papërgjegjësia, nuk janë në gjendje të ballafaqohen me seriozitetin e duhur me pasojat strukturore të politikave që ata vetë i zbatojnë në Kosovë. Ata madje nuk ndjehen aspak përgjegjës për realitetin e krijuar: a nuk është indikative e kësaj ngarendja e liderëve kryesorë politikë, atyre pra të tubuar pranë Ekipit të Unitetit, për të dalë të buzëqeshur në fotografi me çfarëdo diplomati e asistenti të dorës së dytë që vjen nga jashtë, e për të mos i konsideruar arsimtarët grevistë të denjë as edhe për një vizitë kortuazie? Për më tepër, a ka poshtërsi më të madhe për një qeveri se t’i dalë përpara punonjësve të arsimit, disa në gjendje të rënduar shëndëtsore pas ditëve të tëra në grevë urie, apo një populli të tërë që goditet nga shtrenjtimi i bukës, e t’u thotë, thjesht, “valla duroni se s’kemi çka t’ju bëjmë”!

Por ky nuk është problemi kryesor. Problemi kryesor është pikërisht paaftësia e politikës kosovare për ta prodhuar një krah progresiv që është në gjendje ta artikulojë një opozitë ndaj këtij lloj robërimi të ri shoqëror e ekonomik të Kosovës. Të paaftë për ta artikuluar një opozitë të tillë, duke ofruar një platformë alternative të zhvillimit ekonomik dhe social që nuk i nënshtrohet verbërisht “reçetave” të FMN-së dhe Bankës Botërore, politika kosovare sot mbetet një rob (i pavetëdijshëm) ideologjik i neoliberalizmit, ndërsa shoqëria kosovare një viktimë (gjithnjë e më e vetëdijshme) e politikave neoliberale. Aq më tepër, kjo formë e nënshtrimit garantohet të vazhdojë edhe në të ardhmen – edhe Pakoja e Ahtisaarit i jep Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar (“kryeadministratorit” të ri ndërkombëtar të Kosovës) jo vetëm pushtetin mbi implementimin e elementeve të pakos që kanë të bëjnë me raportet e Kosovës me minoritetin serb, siç janë decentralizimi, por edhe pushtet “konsultativ” për buxhetin e Kosovës dhe në emërimin e njerëzve në pozitat kyçe qeveritare të fushës ekonomike (ministrave të Financave dhe të Ekonomisë, drejtuesit të Bankës Qendrore të Kosovës etj.) – funksione këto që ashiqare s’kanë asnjë lidhje me të drejtat e minoriteteve. Kjo formulë institucionale, të cilën lidershipi aktual politik vazhdon ta mbrojë me një këmbëngulje habitëse (por mbase të pritshme), vetëm formalizon më tej aranzhmanin aktual ku Kosova nuk gëzon as të drejtën elementare të qeverisjes së mëvetshme me buxhetin e saj publik e me resurset e veta ekonomike. Aq më tepër që një nga prioritetet kryesore të pavarësisë ahtisaariane, siç e proklamon vetë dokumenti i Ahtisaarit, nuk është anëtarësimi në BE apo në NATO, por shndërrimin me procedurë sa më të shpejt në klient të FMN-së dhe Bankës Botërore!

Deri tani, politika kosovare, e humbur diku në një botë diplomatësh, takimesh protokolare, e pallatesh të ndryshme të akëcilës Ministri të huaj të Jashtme, ka pasur llogari që të injorojë dimensionin social të problemeve politike në Kosovë. Liderët kryesorë politik madje, e shohin si diçka krejt përfundi mandatit të tyre, që të adresojnë me vëmendje e seriozitet nevojat sociale e ekonomike në Kosovë, duke ua lënë këto çështje ministrave individualë dhe zyrtarëve të rendit të dytë e të tretë (p.sh. kryetari i Kosovës, tepër i nxënë me çështjet e mëdha të statusit, nuk e pa të udhës që të merret me problemin e arsimtarëve grevistë, apo ta thotë ndonjë fjalë lidhur me shtrenjtimet). Lidershipi politik, madje, në përpjekje për ta dëbuar nga vetja përgjegjësinë për gjendjen ekonomike në Kosovë, ka zakon që të kërkojë në vazhdimësi nga populli i Kosovës që t’i durojë vështirësitë ekonomike e dukuritë sociale si sakrifica që bëhen për të shenjtën pavarësi. A ka demagogji më të madhe se kjo? Kisha dashur ta dijë, se çfarë mendon ky lidership politik: çfarë vlere ka pavarësia, përveç asaj simbolike, nëse ajo nuk krijon mundësitë dhe nuk ia jep mjetet e duhura shoqërisë kosovare, për zhvillimin dhe emancipimin e vet politik, ekonomik e social? Kujt i duhet një pavarësi që reduktohet në asgjë më shumë se në mite boshe, në traktate ndërkombëtare, në zgjedhje ritualistike, në deklarata politike apo në një flamur (edhe ashtu artificial)? E kjo përbën pikërisht thelbin e çështjes: ka ardhur koha që të përfundojë ky maskarallëk dhe që edhe kuptimi i pavarësisë të kthehet në vend: jo si një qëllim i shënjtë që banon diku në një botë mistike të nacionalizmit romantik, që konsumohet në simbole, rituale, e mitologji politike, por si një synim konkret politik i domosdoshëm për zhvillimin dhe emancipimin shoqëror e demokratik të Kosovës. Kjo do të ishte në thelb të një platforme progresive politike: mosndarja artificiale e çështjes nacionale nga çështja sociale, duke i konsideruar ato, siç edhe janë, dy anë të së njëjtës medalje. Prandaj, kundër të gjithëve që argumentojnë se pavarësia është thjesht një formalitet, se statusi është çështje e dorës së dytë pasi që sot kemi institucionet etj., ju themi jo! Pikërisht mungesa e një pavarësie substanciale është shkaku i asaj pse arsimtarët sot nuk kanë paga të mirëfillta ndërsa çmimi i bukës rëndon pamëshirshëm buxhetin e hollë të familjeve kosovare. Pikërisht mungesa e një demokracie reale në Kosovë sot privilegjon në pikëpamje politike, ekonomike e sociale një pakicë dhe nënshtron politikisht e ekonomikisht shumicën. Ta krijojmë pra një bazë të qartë për ndarjen e re politike: atyre që u konvenon formula e një shteti formalist, të përbërë nga disa institucione pa peshë, disa poste pa pushtet dhe një qeveri të tëhuajtur nga populli që e çon Kosovën andej nga t’i thotë FMN-ja, Banka Botërore apo akëcili zyrtar i huaj, dhe ata që kanë nevojë për një shtet real, për një demokraci shoqërore e për një shtet që intervenon ndjeshëm në jetën shoqërore e ekonomike dhe njëkohësisht mbron të drejtat civile e politike të çdo qytetari. Vetëm mbi një ndarje të tillë mund të ndërtohet baza për një politikë të vërtetë dhe një projekt alternativ politik nga ai i djerrinës kolektive që po krijon dita-ditës projekti i sotëm politik i kapitalizmit neoliberal.

Botuar te Koha Ditore, 24 tetor 2007.