EULEX-i dhe racizmi i sundimit të ligjit
Shtator 12, 2009
Në sajtin e njohur të internetit Youtube, dikush ka vendosur një xhirim të këngëtarës kosovare Genta Ismajli e cila, gjatë një performanse të këndimit ‘playback’, rrëzohet në binë. Por, për ta maskuar rrëzimin, në video Genta shihet duke bërë disa akrobacione dhe me disa lëvizje të shpejta të trupit ajo tenton që rrëzimin ta paraqesë si pjesë të kërcimit të saj, si pjesë e vetë performansës në skenë. Mund të ndodh që audienca e pranishme në sallë edhe nuk e ka vënë re se Genta kishte humbur balansin dhe ishte rrëzuar, por në video bëhet qartë se Genta përpiqet që me lëvizjet e pastajme ta fsheh këtë gaf të performansës dhe të vazhdojë me performansë thuajse nuk ndodhi asgjë. Mirëpo, ky synim i Gentës bëhet i pamundur në video, ku reprizimi i disahershëm i momentit të rrëzimit qartë tregon përpjekjet e Gentës për ta rikuperuar performansën nga ai moment.
I njëjtë me Gentën është Hashim Thaçi. Gjashtë-pikëshi i Ban Ki Moon-it dhe tani, Protokolli i bashkëpunimit midis EULEX-it dhe Serbisë janë sikur video-reprizat e rrëzimit të Gentës – ato pashmagshëm tregojnë për gafe, për lëshime dhe për përpjekje që ato të mbulohen, të fshehen e të relativizohen me akrobacione të improvizuara. Pos asaj, videoja e Gentës tregonte për faktin e ‘playback’-ut – derisa Genta merrte thu dhe trupi i saj binte për toke, këndimi i saj dëgjohej në altoparlante dhe vazhdonte sikur të mos ishte duke ndodhur asgjë. Edhe Hashim Thaçi këto ditë po përpiqet që sërish të sinkronizohet me playback-un e tij politik, sipas të cilit në Kosovë gjithçka është në rregull, gjithçka ecën mirë, Kosova është sovrane, është e pavarur, qeveria ka kontroll të plotë mbi territorin e Kosovës, mbi sigurinë etj. Por, për fat të keq, 6-pikëshi dhe Protokolli i EULEX-it për Thaçin do të jenë sikur videoja e Gentës në Youtube – një dëshmi e pamohueshme e gafeve politike që nuk mund të mbulohen, pavarësisht akrobacioneve retorike dhe mohimeve këmbëngulëse.
Por ç’të themi për revoltën kundër Protokollit të EULEX-it? Është interesant se kur Lëvizja Vetëvendosje dhe disa tjerë prej nesh, kritikonin formën e pavarësisë së Kosovës që vinte në formën e Pakos së Ahtisaarit, përbuzëshim, përqesheshim, quheshim të krisur, të papërgjegjshëm etj. Është interesant se sot, kur Kosovës po i vijnë në pragun e derës faturat dhe llogaritë e shumta që Kosova ia ka borxh Ahtisaarit (dmth pakos, jo individit), si p.sh. 6-pikëshi, Protokolli, decentralizimi, shthurja e TMK-së, borxhet ndërkombëtare etj., atëherë edhe ata që dikur me entuziazëm ngriteshin pas lidershipit politik kosovar, indinjohen, revoltohen, nervozohen etj. Sfida në politikë është gjithmonë të parashikohen disa rrjedha dhe t’u paraprihet të këqijave, jo që të bëhën revolta pas faktit të kryer. Edhe sot, pas faktit të kryer, kemi shumë të tillë që janë revoltuar për nënshkrimin e Protokollit, ashtu sikur disa ish-pjesëtarë të TMK-së u kujtuan të protestonin kundër përjashtimit të tyre nga puna shumë kohë pasi shpartallimi i TMK-së kishte hyrë si pjesë e marrëveshjes me Ahtisaarin, ndërsa në kohën kur bëhej kjo marrëveshje kishin qëndruar këmbëkryq. Kjo ngjan shumë me skenën komike pas hyrjes së NATO-s në Kosovë në qershor 1999: përderisa trupat e NATO-s hynin dhe po shtoheshin, kolonat e ushtarëve serbë tërhiqeshin nga Kosova duke bërë këngë e valle – edhe pse e kishin humbur luftën.
Andaj, ndoshta para se të merremi me kritikën kundër Protokollit, duhet të merremi me EULEX-in si të tillë. Sot, kundërshtia ndaj EULEX-it paraqitet në terma nacional: EULEX-i është i keq sepse bashkëpunon me Serbinë, mbron serbët në veri etj. Kjo domethënë se sikur të kishim një EULEX “pro-shqiptar”, gjithçka do të ishte në rregull. Ky qëndrim është sa gabim aq edhe politikisht naiv. EULEX-i nuk është problem sepse është pro-serb apo pro-shqiptar. EULEX-i është problem sepse ekziston SI I TILLË. Një analizë kritike e EULEX-it është e domosdoshme jo vetëm për ta tejkaluar një vizion të tillë binar dhe manikeist për të, por edhe për ta refuzuar shantazhin aq të fuqishëm: “Ju jeni kundër EULEX-it? Ju qenkeni kundër Bashkimit Evropian!” Këtij shantazhi duhet t’i jepet një JO e menjëhershme dhe kategorike, dhe kjo bëhet duke problematizuar dhe treguar karakterin thelbësisht racist të EULEX-it.
Ç’është EULEX-i? Siç dihet, misioni formal i EULEX-it është vendosja e sundimit të ligjit në Kosovë duke dhënë përkrahje “teknike” për policinë, gjyqësinë dhe sistemin penal të Kosovës. Por, kjo nuk është e tëra. EULEX-i rezervon, sipas mandatit të PCN-së, Pakos së Ahtisaarit dhe 6-pikëshit të Ban Ki Moon-it, edhe pushtete ekzekutive në Kosovë, të trashëguara përmes Rezolutës 1244 nga UNMIK-u. Statusi juridik i EULEX-it është, sikurse dikur ai i UNMIK-ut, ambivalent dhe jo gjithmonë i përcaktuar. EULEX-i vepron në bazë të Rezolutës 1244, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por ai gjithashtu vepron në bazë të pushteteve që jepen nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, qeveria dhe ligjet e Kuvendit. EULEX-i është mision me pushtete ekzekutive në sistemin penal dhe juridik të Kosovës së pavarur, mirëpo EULEX-i ka në radhët e veta anëtarë nga shtetet që nuk e njohin Kosovën shtet të pavarur, domethënë e njohin si pjesë të Serbisë. BE-ja, nga ana tjetër, nga shkaku i mungesës së koncenzusit brenda shteteve anëtare, ka marrë qëndrim “neutral” karshi statusit të Kosovës.
Por, problemi i EULEX-it shkon edhe më thellë. EULEX-i, bashkë me PCN-në, përbën një entitet me pushtete mbisovrane. Misioni i EULEX-it, ndërkaq, fshehet mbrapa legjitimitetit universal që ngerthen diskursi i “sundimit të ligjit” – sigurisht se askush nuk do pushtete arbitrare dhe të gjithë janë për sundimin e ligjit. Mirëpo vetë ideologjia e EULEX-it na tundon që ta ngrisim kritikën e vjetër marksiste ndaj ligjit: ligji nuk ekziston si normë e izoluar, si rregull formale e mbyllur në vetëvete; përkundrazi, ligji shpreh dhe formalizon, pra institucionalizon dhe legjitimon, një marrëdhënie të caktuar shoqërore. Marrëdhënia themeltare shoqërore e ligjit është raporti që individi ka me sovranin, pra, me shtetin. Sistemi juridik konstituon individët si subjekte juridike, dhe funksioni i ligjit në këtë kontekst është rregullimi i marrëdhënieve midis subjekteve juridike. Por, cili është sovrani në Kosovë? A nuk janë qytetarët e Kosovës subjekte juridike të Republikës së Kosovës, shtet sovran? Formalisht, po, por me EULEX-in, sikur dikur me UNMIK-un, kemi të bëjmë me kthimin në praktikë të konceptit Schmittian të sovranitetit – të sovranitetit si “rregulla e përjashtimit”. Juristi gjerman Carl Schmitt, gjatë viteve 1920 ka zhvilluar konceptin e sovranitetit në të cilin sovrani paraqitet si element jashtë sistemit juridik. Sovrani, sipas Schmitt, nuk është ai që vepron brenda rendit normal juridik, brenda kufizimeve të normave pozitive juridike, por ai që ka të drejtën e pezullimit të së drejtës, pra, të pezullimit të rendit juridik si të tillë. (Ishte pikërisht ky element i kushtetutës së republikës së Weimarit që u shfrytëzua nga Hitleri për marrjen e pushteteve diktatoriale në Gjermani.) Jo sistemi juridik, por fuqia emergjente, “gjendja e jashtëzakonshme” është forma esenciale e sovranitetit, sipas Schmitt-it. Është pikërisht ky koncept që kthehet në praktikën juridike të EULEX-it. EULEX-i pohon se ka mision teknik, këshilldhënës në Kosovë. Kjo është e saktë, për sa kohë që EULEX-i kryen veprime teknike në sistemin juridik të Kosovës. Por kjo nuk është e tëra, për shkak të “fuqive të rezervuara” të EULEX-it që i takojnë sipas Pakos së Ahtisaarit dhe dokumenteve përkatëse. Në çdo moment, EULEX-i gëzon të drejtën e sovranit Schmitt-ian, ai ka të drejtë jo vetëm të pezullojë çfarëdo vendimi të dalur nga sistemi juridik i Kosovës, por edhe të ndërmarrë “masa emegjente” përmes forcave të veta ekzekutive. Për këtë arsye, EULEX-i nuk është thjesht një mision teknik, ai është element mbisovran i cili ka të drejta juridikisht të pakufizuara ndaj vetë sistemit juridik të Kosovës dhe përmes tij, ndaj çdo qytetari të Kosovës.
Racizmi i EULEX-it gjehet pra në vetë strukturimin e tij. Nuk është fjala për qëndrimet subjektive të zyrtarëve të EULEX-it – ata jo që mund të mos jenë subjektivisht racistë, ata bile mund të shfaqin motivet dhe dëshirat më të mira për Kosovën, mund të jenë liberalë dhe multikulturalistë që çmojnë traditat kulturore kosovare, që promovojnë tolerancën multikulturore etj. Kjo nuk është esenca. Esenca është te vetë rezoni prapa EULEX-it. Pyetja themelore është, pse ka Kosova nevojë për EULEX? Siç pyet me të drejtë Albin Kurti, pse i duhen Kosovës mijëra policë, prokurorë e gjykatës evropianë, por jo po aq mjekë, arsimtarë, shkenctarë e specialistë të tjerë nga Evropa? Me fjalë tjera, çka është e veçanta e Kosovës që e bën atë të ketë nevojë për një strukturë të mbisovrane që ka si funksion klasifikimin dhe regjimentimin juridik të shoqërisë kosovare? Më saktësisht, me çka arsyetohet marrëdhënia shoqërore prej një sovrani karshi një subjekti juridik që ky mision ka me popullatën vendore në Kosovë?
Nëse mund të përdorim terminologjinë e Michel Foucault-së, funksioni i EULEX-it është “biopolitik”. Siç na përkujton Foucault, ideologjia pozitive e sundimit të ligjit pashmagshëm lidhet me diskursin juridik të kriminalizimit të subjekteve juridike dhe teknologjive të ndërlidhura të kontrollit dhe menaxhimit disiplinor, policor dhe penal të një popullate të caktuar. “Misioni” i EULEX-it pra, më pak se me ideologjinë e tij pozitive, duhet të identifikohet pikërisht me aktin e patologjizimit të shoqërisë kosovare si një element i paasimiluar ndaj ligjit dhe normave juridike. Kjo është, nëse mund të përdorim gjuhën e psikanalizës, e pavetëdijshmja institucionale e EULEX-it – ai vjen në Kosovë për spastrimin e hapësirës shoqërore evropiane nga ato që Zizek i quan “subjekte toksike” – Tjetri (etnik, tribal, fetar) i cili nuk i asimilohet normës, dhe i cili si pasojë ka nevojë për teknologji të kontrollit normativ. Si mund të jetë ndryshe në epokën e multikulturalizmit liberal, i cili i indinjohet shprehjeve të hapura të racizmit dhe për të cilin ndërhyrja e drejtpërdrejtë në vlerat kulturore të Tjetrit përbën akt të papranueshëm? Racizmi i EULEX-it pra nuk është racizëm në kuptimin kulturor të fjalës, por është racizëm që gjehet brenda strukturës së saj institucionale: racizëm që ka bazë ideologjinë e sundimit të ligjit dhe Tjetrin si qenie barbare (etnike, tribale) i cili kërkon zbatimin e dhunës juridike karshi universalitetit të Ligjit Perandorak – Lex de Imperio. EULEX është simptomë e transfigurimeve të sovranitetit që ka nxitur eksperimenti i Bashkimit Evropian, por edhe të tenativës Perandorake për kontroll të kufijve jo vetëm politik, por edhe normativ dhe kulturor të “Evropës”, duke kategorizuar popullatat e pranueshme dhe të papranueshme brenda bashkësisë shoqërore të saj. Ashtu sikur fushatat kundër imigrantëve dhe kundër të huajve, diskurset e kriminalizimit të minoriteteve etnike dhe fetare brenda BE-së, përpjekjet për ndalimin e hyrjes së afrikanëve dhe jo-evropianëve të tjerë brenda BE-së, EULEX-i është shprehje e një racizmi universal evropian karshi Tjetrit dhe duhet të luftohet vetëm si i tillë.
(Botuar te Koha Ditore, 12 shtator 2009)
Disa shënime nga tetori 2007
Gusht 30, 2008
Po i botoj këto shënime pasi ngrisin disa çështje që akoma mbesin të rëndësishme edhe sot. Këto janë shënime të pabotuara nga tetori 2007, katër muaj para shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Ekziston gjithmonë mundësia që të dëshmojmë ndonjë kthesë të paparashikueshme në Kremlin. Presidenti rus Putin, kohëve të fundit ka filluar të bëhët i njohur për gjeste të tilla. P.sh., Putini befasoi edhe njerëzit e rrethit të tij të ngushtë politik me kandidatin që propozoi për kryeministër, duke anashkaluar dy kandidatë favoritë. Apo, këto ditë ai deklaroi se karriera e tij politike mund të mos përfundojë pas skadimit të mandatit të tij si president. Ai sugjeroi se pas zgjedhjeve në Rusi, që do të mbahen vitin që vjen, mund të rikthehet në postin e kryeministrit. Por qëndrimi rus ndaj Kosovës zor se do të marrë një kthesë të tillë. Prandaj llogaria se shkëputja e Kosovës nga Serbia mund të bëhet me një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-ve tashmë bie përfundimisht në ujë. Cili është atëherë hesapi politik për pavarësinë formale të Kosovës? Është e qartë se kjo gjë, nëse ndodh, mund të ndodh vetëm në mënyrë të njëanshme. Mediat ndërkombëtare, ndër to edhe New York Times, njoftojnë se diplomacia evropiane ka filluar, mbase me shtytjen franceze, të llogarisë në shpalljen e njëanshme të pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës. Qëndrimi këmbëngulës amerikan për pavarësinë krijon bindshëm përshtypjen se SHBA-të nuk janë kundër njohjes bilaterale të Kosovës si shtet i pavarur. Prandaj barra kryesore e tie-breaker-it në këtë situatë të komplikuar diplomatike është vendimi evropian për ta mbështetur njohjen e njëanshme të pavarësisë.
Çfarë do të thotë kjo? Një gjë është e qartë. Nxitimi i disa qarqeve institucionale, qeveritare e jo-qeveritare, për t’u marrë me problemin “çka pas statusit”, doli se ishte paksa i nxituar. Sepse problemi themelor politik sot nuk kishte qenë çka pas statusit (që këta të pas-statusit e merrnin si një çështje të kryer), por çka deri te statusi. Apo, më saktësisht, çka deri te pavarësia? Dallimi midis këtyre dy pyetjeve nuk është thjesht semantik. Vetë formulimi i pyetjes i shtron premisat e zgjidhjes. “Statusi” është kuptuar (dhe vazhdon të kuptohet) si një çështje formalo-juridike, si një njohje që i vjen Kosovës nga sipër, nga jashtë. “Pavarësia” ndërkaq, në kuptimin më fundamental të tij, nuk përbën vetëm njohje nga jashtë, por edhe një mëvetësi cilësore politike për një shoqëri që të gëzojë mjetet institucionale të përcaktimit të vetë fatit të saj kolektiv. Kurse mëvetësia politike është diçka që arrihet me veprime, jo diçka që kurorëzohet me bekim nga sipër. Por mos të ndalemi tek finesat filozofike, sepse problemi vazhdon të jetë politik. Kurse pafytyrësia e Serbisë dhe shuplakat e Rusisë mbase kanë qenë një këndellje serioze për opinionin kosovar për domethënien e vërtetë të politikës. Politika nuk është mbizotërimi i koncenzusit, i arritjes së gjërave me pëlqim të gjithanshem, i kënaqjes së secilës palë. Në fund, politika ka qenë dhe mbetët akt i rrëmbimit të asaj që të takon.
Por cilat janë problemet që paraqiten në situatën e shpalljes së njëanshme dhe njohjes bilaterale nga shtete të veçanta? Edhe në situatën e shpalljes së njëanshme, problemi themelor i diplomacisë perëndimore mbetët kontrolli mbi situatën në terren. Çka mund të ndodh në ditën që Kuvendi i Kosovës e shpall pavarësinë e Kosovës? Cili do të jetë, në radhë të parë, reagimi i Rusisë? A do të kundërpërgjigjet Rusia me njohjen e provincave secesioniste në Gjeorgji e Moldovë? Cilat do të jenë implikimet e njohjes së Kosovës për marrëdhëniet ruso-evropiane dhe ruso-amerikane? Por për Kosovën këto çështje janë më pak të rëndësishme. Më e rëndësishme është, cili do të jetë reagimi i Serbisë? Mund të llogarisim pa shumë mëdyshje se reagimi serb nuk do të jetë drejtpërsëdrejti ushtarak. Jo pse Serbisë i dhimbsen shqiptarët, por sepse një konfrontim ushtarak me NATO-n do të ishte një akt auto-destruktiv për Serbinë. Lidershipi në Beograd, megjithëse ka ngritur kokë mjaft, nuk është aq i çmendur që ta dëshirojë skenarin e një lufte të re me NATO-n. Por Serbia ka mjete tjera në dorë. Veprimi i parë i Serbisë do të jetë sipas të gjitha gjasave vendosja e një bllokade ekonomike kundër Kosovës, duke mbyllur qarkullimin për mallra përmes kufirit Kosovë-Serbi. Serbia gjithashtu do të shfrytëzojë arsenalin e saj të mbetur diplomatik, duke dërguar nota proteste dhe duke kërkuar mbështetjen e Rusisë dhe Kinës për mosnjohjen e Kosovës dhe mospranimin e saj si anëtare të OKB-së.
Në anën tjetër, reagimi politik i serbëve të Kosovës nuk është aq i qartë. Veriu mbi Ibër ka gjasa që të veprojë politikisht në mënyrë të mëvetshme, duke mos e njohur jurisdiksionin e pushtetit në Prishtinë (i cili ashtu-kështu nuk ushtron ndonjë autoritet në këtë territor). Pa asnjë dyshim kjo zonë do të vazhdojë të mbetët një problem afatgjatë për Kosovën dhe për rajonin. Por cili do të jetë reagimi i serbëve nën Ibrin? A do të ndjekin ata një skenar të ngjashëm me atë që mund të ndodh në veri, apo do të pajtohen me fatin, duke parë shpëtimin e tyre tek decentralizimi i Planit të Ahtisaarit dhe zënien e vendeve të rezervuara në institucionet në Prishtinë? Çka do të ndodh në rast të ndonjë incidenti nëpër zonat e banuara me serbë, i cili mund të provokojë ndonjë reaksion masiv të popullatës shqiptare, të krahasueshëm me atë të marsit 2004? Në një situatë të tillë, kush do të mund të intervenojë që ta kontrollojë situatën?
Në dallim prej njeriut, i cili lindë dhe vjen në këtë botë i papajisur me kapacitetet për ta siguruar mbijetesën e vet pa kujdesin dhe mbështetjen e të tjerëve, shtetet e reja, dhe sidomos ato që krijohen në rrethana konflituoze, testohen mu në momentin e lindjes. Paradoksalisht, që të bëhet shtet, Kosova duhet të jetë shtet në momentit që shpall vetën si të tillë. Llogaria aktuale politike është bythësëprapi – ta shpallim shtetin, të na njihet, pastaj (sigurisht me ndihmën e miqëve) do ta bëjmë! Kjo logjikë është e rrezikshme, aq sa është politikisht e papërgjegjshme. Sigurisht se roli i Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare është i neglizhueshëm. Por roli i institucioneve politike kosovare brenda Kosovës është kyç. Në momentin që Kosova ka hasur në një bllokadë diplomatike për statusin e saj, ajo është dashur ta fillojë rrugën e kompletimit të kornizës institucionale të një shteti sovran. Periudha e ndërmjetme përbën një oportunitet për të bërë hapa konkret drejt vendosjes së themeleve të një pushteti autoritativ me kapacitete të plota të kontrollit të gjendjes në terren kundrejt çfarëdo situate kontigjente. Por fatkeqsisht, në vend të kësaj ne kemi një kryeministër dhe ministër të Punëve të Brendshme që dëshmojnë pafuqinë e tyre duke dalur dhe protestuar bashkë me qytetarët kundër dukurive që ata kanë për detyrë normative dhe morale (nëse jo krejt kushtetuese dhe ligjore brenda suazave të kompetencave të rezervuara nga UNMIK-u) që t’i luftojnë. Me gjasë, nesër, edhe kur veriu i Kosovës shpall shkëputjen e tij nga territori administrativ i Kosovës, këta mbase po njëjtë do të dalin në rrugë me pankarta në duar. Mos kjo ndoshta është motivi pse qeveria dhe partitë politike me kaq komoditet vëzhgojnë persekutimin që i bëhet Albin Kurtit nga gjyqësia e UNMIK-ut – nuk është se ata duan eliminimin e tij nga skena për shkak të kërcënimit që ai paraqet, por për shkak se duan t’ia zënë vendin, duke dalur ata në vend të tij për t’i udhëhequr protestat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe duke denoncuar institucionet të cilat ata vetë i takojnë. Nejse, nuk dua të bëhem krejt banal, por fantazitë e këtilla gravitojnë jo larg realitetit në Kosovën e sotme.
Sido që të jetë, problemi që shtrohet sot nuk është, a ka mbështetje ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës, sepse mbështetje ka. Gjërat, në këtë rrafsh, tashmë janë të qarta. Problemi prandaj është, a është në gjendje Kosova ta trasojë rrugën e vet drejt pavarësisë së saj. Qytetarët e Kosovës, por në radhë të parë Kuvendi dhe qeveria e saj, me këtë përbërje apo me ndonjë tjetër, duhet të jenë të gatshëm jo vetëm që ta festojnë shpalljen e pavarësisë, por edhe ta marrin mbi vete një përgjegjësi historike për atë se çfarë do të bëhet me Kosovën në minutat, orët dhe ditët pas shpalljes së pavarësisë. Testi i vërtetë politik dhe institucional është jo vetë shpallja, por momenti pas shpalljes. Por në të njëjtën kohë, veprimi i guximshëm i Kosovës drejt mëvetësimit të saj përbën gjithashtu shansën për t’ia kthyer përgjithmonë dinjitetin këtij populli të viktimizuar e gjunjëzuar, dhe momentin kur ai do t’ia dëshmojë vetëvetes se pavarësia nuk është diçka që ishte merituar me vuajtje, me viktimizim, apo me sjellje të mirë, por ardhja e një gjëje, jetësimi i së cilës nuk mund më të presë.
Njohja ndërkombëtare dhe Rezoluta 1244
Shkurt 22, 2008
Miku im Shkëlzen Gashi, kritik i madh, siç kam qenë edhe unë, i proceseve politike për definimin e statusit të Kosovës gjatë dy viteve të fundit, në Kohën Ditore të datës 19 shkurt botoi një koment për situatën e re juridike në të cilën gjendet Kosova pas shpalljes së pavarësisë. Aty ai problematizon çështjen e sovranitetit në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë, që është me vend. Sigurisht se, tashmë që shumica kanë filluar të kthjellen nga festat dhe ahengjet masive për shpalljen e pavarësisë, është koha të ulemi e të shikojmë me seriozitetin e duhur se çfarë në të vërtetë po ndodh me Kosovën si entitet politik.
Pa dashur që të nisi një polemikë të kotë, për shkak të rëndësisë së çështjeve që ngrit, Shkëlzeni bën një numër konstatimesh që sipas meje janë problematike. Është shumë e vërtetë se Kosova nuk do të jetë shtet i pavarur e sovran në kuptimin klasik të fjalës. Kjo është e qartë për të gjithë ata që dallojnë të bardhen nga e zeza. Prania ndërkombëtare e sigurisë, pushteti ndërkombëtar mbi institucionet e zgjedhura të Kosovës, dhe njohja jo e plotë nga bashkësia ndërkombëtare, nuk e bëjnë Kosovën një shtet të pavarur e sovran në kuptimin tradicional të fjalës. Mirëpo kjo nuk do të thotë se shpallja e pavarësisë dhe njohja ndërkombëtare e Kosovës nga shtetet kryesore të rendit ndërkombëtar përbëjnë ngjarje të parëndësishme që nuk transformojnë rrënjësisht pozicionin politik dhe juridik të Kosovës.
Kështu, Shkëlzeni pohon se edhe pas shpalljes, për shkak se pavarësia ndodh mbi bazën e Pakos së Ahtisaarit, Kosova mbetët “në mënyrë fort të sofistikuar nën sovranitetin e Serbisë”. Si argument shtesë për këtë ai përmend mbetjen në fuqi të Rezolutës 1244, e cila e ruan sovranitetin e Serbisë (trashëgimtarës së RFJ-së) në Kosovë.
Pavarësisht përmbajtjes së deklaratës së pavarësisë dhe premisave politike mbi të cilat ajo bëhet, njohja ndërkombëtare e Kosovës si shtet i pavarur anulon realitetin politik të krijuar sipas Rezolutës 1244. Me njohjen ndërkombëtare në kufijtë aktualë, Kosova de facto dhe de jure shkëputet nga Serbia. Nga pikëpamja e ligjit dhe praktikës ndërkombëtare, për shtetet që e njohin e që do ta njohin Kosovën, Kosova është efektivisht një shtet i pavarur, me qeveri të vetën dhe territor të përcaktuar. Prandaj, të thuhet se Kosova mbetët nën sovranitetin e Serbisë, edhe pas njohjes së saj nga SHBA, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Italia e një varg shtetesh tjera më të rëndësishme evropiane e botërore, është të injorosh realitetin e ri që imponon njohja ndërkombëtare. Reaksioni histerik i qeverisë në Beograd tregon qartë se fjala është për një akt të pakthyeshëm dhe historik që Kosovën e vendos përgjithmonë në një raport tjetër karshi Serbisë.
E dyta, njohja ndërkombëtare krijon një realitet të ri në terren që hedh poshtë çfarëdo përmbajtje tekstuale të Rezolutës 1244. Siç e din edhe Shkëlzeni, ligji ndërkombëtar është ligj zakonor, që domethënë se atë e bën sjellja e shteteve, ai nuk bëhet me akte legjislative dhe Këshilli i Sigurimit nuk përbën kurrfarë organi legjislativ për ligjin ndërkombëtar. Çfarëdo që të jetë përmbajtja tekstuale e Rezolutës 1244 (megjithëse tashmë në interpretimin e ri të disa juristëve evropianë, garancat e rezolutës për sovranitetin e Serbisë në Kosovë janë vetëm kalimtare dhe jo të përhershme), njohja ndërkombëtare krijon një realitet të ri në terren, pasi që me këtë akt Kosova vendos marrëdhënie diplomatike me vende të tjera dhe në këtë mënyrë shndërrohet efektivisht në aktor të politikës ndërkombëtare. Ndërkaq, rezolutat e OKB-së nuk janë obligative dhe shkilen vazhdimisht: në fakt, shkelësi më i madh në botë i Rezolutave të OKB-së është Izraeli, por kjo gjë shumë pak i ka bërë dëm aftësisë së këtij shteti që të zhvillojë politika sipas interesave të saj.
Prandaj, të thuhet se edhe pas njohjes ndërkombëtare, Kosova vazhdon të mbetët nën sovranitetin e Serbisë është një konstatim që nuk përkon me realitetin e ri të krijuar. Kosova, me njohje, fiton subjektivitet ndërkombëtar. Të vetmet elemente që e pengojnë hyrjen e plotë të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare do të jenë mosnjohja e Kosovës nga të gjitha shtetet (sidomos Rusisë dhe shtetet satelite të saj), si dhe veton e pritshme të Rusisë për çfarëdo përpjekje për anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Në këtë pikëpamje, Kosova do të shndërrohet në një lloj Taivani evropian: ai do të njihet nga shumica e shteteve, por jo të gjitha shtetet. Por njohja jo e plotë dhe rezistenca e një shteti të madh sikur Kina nuk e ka penguar Taivanin që të zhvillohet e të prosperojë, prandaj edhe rezistenca e Rusisë nuk do të jetë pengesë për Kosovën e cila do të ketë marrëdhënie diplomatike dhe ekonomike me shtetet kryesore të Evropës dhe me SHBA-të. Për më tepër, mosnjohja nga një pjesë shtetesh nuk është fakt i kryer dhe i përhershëm. Me një politikë të mençur, ndoshta një ditë edhe Rusia do të pajtohet me faktin e Kosovës së pavarur dhe do të heq dorë nga nervoziteti i saj i kotë rreth kësaj çështjeje. Dhe për fat të mirë Serbia nuk e ka as përafërsisht forcën dhe influencën globale politike dhe ekonomike të Kinës.
Në aspektin e ushtrimit të brendshëm të sovranitetit, është e qartë se Kosova do të vazhdojë të jetë e kufizuar në një numër dimensionesh. Në këtë pikëpamje Kosova do t’i përngjet më shumë Bosnjës, i cili është shtet i njohur ndërkombëtar, por i kufizuar nga brenda sipas provizioneve që rrjedhin nga Marrëveshja e Dayton-it dhe pushtetit ndërkombëtar që ajo vendos atje. Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar do të jetë pushtet kryesor përsa i përket zbatimit të çështjeve të “Interesit Vital” siç i përkufizon edhe draft-Kushtetuta e Kosovës, dhe do të ketë autoritete të gjera ekzekutive në këtë pikëpamje, që janë superiore karshi organeve të zgjedhura të Kosovës. Gjitashtu, prania ndërkombëtare e sigurisë dhe kufizimet drastike për Forcën mbrojtëse të Kosovës (përfshirë numrin e ushtarëve dhe llojet e armatimit) gjithashtu paraqesin një pengesë që Kosova të ushtrojë sovranitet të plotë në aspektin e brendshëm.
Mirëpo më shumë se kufizimet juridike të përcaktuara në Pakon e Ahtisaarit, sfida kryesore për arritjen e kontrollit të plotë mbi territorin e saj (gjë që përkufizon një shtet sovran) do të jetë vazhdimi i funksionimit të strukturave paralele administrative të Serbisë në Kosovë. Sipas Ahtisaarit, ato struktura duhet të shkrihen dhe të legalizohen si pjesë e administratave të reformuara e të decentralizuara komunale. Mirëpo rezistenca e Serbisë dhe e serbëve lokalë, sidomos në veri, i shndërron ato në një sfidë afatgjatë për vendosjen e pushetit të Prishtinës në gjithë territorin e Kosovës. Një shpresë është se serbët, sidomos në jug të Ibrit, do ta shohin dëmin e madh që ju shkakton getoizimi nëpër enklava, varshmëria në strukturat paralele dhe izolimi nga jeta shoqërore dhe politike në Kosovë. Por në anën tjetër, Serbia, siç paralajmëroi edhe qeveria e Beogradit dhe gjesti i Serbisë që të dërgojë ministrin e saj në Mitrovicë në ditën kur Kosova shpallte pavarësinë, tregojnë se Serbia nuk do të heqë dorë nga këto struktura dhe forma aktuale e funksionimit të tyre. Megjithatë, ekzistenca e “zonave gri” të ushtrimit të pushtetit nëpër territorin e Kosovën nuk e anulon realitetin juridik se i gjithë territori i Kosovës njihet si pjesë e një shteti të vetëm me të drejtë ushtrimi të pushtetit në gjithë territorin.
Sido që të jetë, e ardhmja e organizimit të brendshëm administrativ e territorial të Kosovës nuk është çështje e mbyllur njëherë e përgjithmonë. Shumë do të varet edhe nga lëvizjet politike në terren. Në praktikë, rolin dhe pushtetin e PCN-së dhe EULEX-it nuk do ta përckatojnë vetëm teksti literal në Pakon e Ahtisaarit dhe dokumente tjera, por edhe pozicionimi politik që karshi tyre marrin institucionet e Kosovës. Po qe se institucionet e Kosovës i nënshtrohen lehtësisht dhe i japin atij hapësirë të madhe të veprimit, PCN-ja kollaj do të shndërrohet në një PSSP të ri kurse EULEX-i në një UNMIK të dytë (ashtu dhe siç ndodhi në muajt e parë të UNMIK-ut – realiteti politik në muajt pas qershorit 1999 ishte shumë fluid dhe i papërcaktuar, derisa partitë kosovare nuk ia dhuruan UNMIK-ut pushtetin). Presioni politik mund të bëjnë të mundur që EULEX-i të mos jetë një mision pa afat, dhe që gjatë kohës së tij në Kosovë të orientojë presionin e tij drejt shpërbërjes së strukturave paralele. Mirëpo sido që të jetë me punët rreth organizimit të brendshëm të shtetit, njohja ndërkombëtare është një fakt i pandryshueshëm dhe juridikisht i paanulueshëm. Prandaj, domethënia dhe rëndësia e saj politike nuk bën të minimizohet, nëse për asgjë tjetër atëherë për hir të betejave politike që akoma mbesin për t’u bërë. Ato beteja tashmë do të zhvillohen në një kontekst radikalisht tjetër politik, dhe përfundimisht jashtë orbitës së sovranitetit ndërkombëtar të Serbisë mbi Kosovën.
Botuar te Koha Ditore, 21 shkurt 2008.
———–
Në vijim është artikulli origjinal i Shkëlzenit, i cili ka qenë shkak i shkrimit të mësipërm. Ai botohet këtu për hir të lexuesve që janë të interesuar në ndjekjen e debatit.
Një analizë për Rusinë nga Economist
Gusht 28, 2007
Numri i ri i revistës The Economist jep një vështrim interesant për politikën gjithnjë e më imponuese të Rusisë. Artikulli mund të lexohet këtu. Sipas saj, një nga shkaqet e kësaj është mbushja e aparatit shtetëror rus me ish-pjesëtarë të KGB-së. Vizioni i tyre për marrëdhëniet globale është i ashpër, ndërsa ata duan që Rusia të rikthejë rolin e saj të një superfuqie, me rival kryesor Perëndimin. Por megjithë fuqinë në rritje të Rusisë, artikulli numron dobësitë strukturore të këtij shteti. Pavarësisht nga kjo, gjykuar nga kjo situatë duket se Kosova do të jetë vazhdojë të jetë viktimë e politikës gjithnjë e më arrogante ruse në marrëdhëniet e saj me Perëndimin.
Marrëdhëniet ruso-amerikane
Qershor 10, 2007
Të interesuarit që të mësojnë pak më shumë për gjendjen aktuale të marrëdhënieve SHBA-Rusi i ftoj që ta lexojnë këtë editorial nga Zbigniew Brzezinki të botuar në revistën Time.
Pse Kosova duhet të jetë precedent
Maj 25, 2007
Një nga argumentet e përsëritura shpesh dhe që përdorët kundër pavarësisë së Kosovës është se pavarësia e Kosovës do të përbënte një precedent të rrezikshëm për rajone tjera ku zhvillohen konflikte secesioniste. Ndërsa, si përgjigje ndaj kësaj kritike, anëtarët Ekipit të Unitetit me vendosmëri ngulin këmbë se Kosova nuk përbën kurrfarë precendenti, se Kosova është rast i veçantë me karaktertistika të veta etj. Sigurisht se ky insistim në veçantinë e Kosovës ka edhe dobinë e saj politike dhe mund të krijojë edhe një lloj satisfakcioni personal te “baballarët themelues të shtetit” të Kosovës, që mund të besojnë se janë pjesë e një procesi të veçantë që po e çon në përfundimin e vet një mision historik për çlirimin e Kosovës nga sundimi i Serbisë.
Kjo situatë paksa absurde, ku luhet me gjysëm-argumente dhe “debate” gjoja intelektuale por ku jepen deklarata që kanë funksione politike (siç bëhet rëndom në politikë), është e papranueshme për këdo që do t’i hedh një vështrim të drejtë çështjes së precedentit për të cilën bëhet fjalë këtu. Për ata që pohojnë se Kosova do të jetë precedent, përgjigja është, po! – jo vetëm që do të jetë por edhe duhet të jetë. Për ata që kujtojnë se Kosova është rast i veçantë, përgjigja është jo! – mos kujtoni se historia ka krijuar ndonjë përjashtim për ju dhe se pasojat e kësaj që po bëni do të jenë pa jehonë në historinë e sistemit ndërkombëtar. Në fakt, pikërisht ky është mesazhi universal (universal sepse tejkalon partikularitetin e Kosovës) përbrenda projektit politik për pavarësinë e Kosovës – Kosova nuk lufton për pavarësinë e saj vetëm për përmbushjen e ndonjë interesi të ngushtë të vetin politik (apo të shqiptarëve të Kosovës në veçanti), por sepse pavarësia e Kosovës është çështje drejtësie. Kurse drejtësia është drejtësi sepse bëhet mbi parime të vlefshme për gjithkë dhe në çdo kohë. Kosova, në momentin që ndahet përfundimisht nga Serbia, do të jetë precedent i një parimi të drejtësisë për çlirimin e popujve të shtypur që duhet të universalizohet në analet e ligjit ndërkombëtar. Në realitet, kjo do të ndodh përkundër dëshirave dhe vullnetit të cilitdo.
Pikërisht këtu, në këtë universale, qëndron mesazhi universal i parimit të vetëvendosjes. Nuk mund të thirresh në parime universale për kërkimin e një të drejte që i takon vetëm një grupi partikular – me fjalë të tjera, nuk mund të thuash se Kosovës i takon vetëvendosja pa e artikuluar dhe mbrojtur konceptin e vetëvendosjes si koncept global që i ka takuar dhe potencialisht i takon edhe të tjerëve. Ndryshe argumenti për vetëvendosje humbë forcën morale të tij dhe shndërrohet në një manipulim cinik të argumenteve që bëhet në kuadrin e një realpolitike të intersave partikulare, të tillë çfarë bën p.sh. Rusia me gjoja “brengën” e saj për precendentin që u bëka Kosova, duke u thirrur në rastet e krahinave pro-ruse që kërkojnë pavarësi (siç janë Transnistria në Moldavi dhe Abkhazia dhe Osetia Jugore në Gjeorgji), por duke “harruar” rastin e Çeçenisë, Dagestanit, Tatarstanit apo të krahinave tjera përbrenda federatës ruse që sot ose nesër mund të kërkojnë shkëputje nga Rusia.
Në fakt, ishte pikërisht një aktiviste e njohur dhe e respektuar ruse për të drejtat e njeriut, Galina Starovoitova, e cila u vra me motive politike në vitin 1998 nga disa ish-pjesëtarë të shërbimit sekret rus, ajo që gjatë një periudhe studimi në vitin 1997 pranë Institutit amerikan për Paqe punoi një studim që mëtonte të jepte kriteret që duhet plotësuar për aplikimin e të drejtës për vetëvendosje. Starovoitova, si etnografe dhe ish-këshilltare e presidentit rus Boris Jelcin për çështje të minoriteteve, ishte shumë e vetëdijshme për karakterin multinacional të federatës ruse dhe se me shpërbërjen e konglomeratit multinacional të Bashkimit Sovjetik, presionet secesioniste nga grupet më të vogla nacionale nuk do të pushojnë. Në vend të masave të represionit dhe luftës, ajo propozoi masën radikale të vetëvendosjes për krahinat dhe territoret që kanë ngelur në shtetet e reja të dalura nga shpartallimi i BRSS-së e që synojnë pavarësi të veten. Problemi, sipas asaj, ishte artikulimi i kritereve konkrete që duhet të plotësohen në mënyrë që një territor të mund të kërkojë në mënyrë legjitime ushtrimin e të drejtës për vetëvendosje. Sipas Starovoitovës, këto kritere ishin: (1) patolerueshmëria e sundimit nga një qendër tjetër, pavarësisht karakterit dhe formës së sundimit; (2) e drejta historike, domethenë e një vazhdimësie historike të banimit të një territori nga një grup i caktuar etnik; (3) përbërja etnike e territorit, ku ekziston një mazhorancë e theksuar; (4) deklarimi i vullnetit të popullit përmes një referendumi ose një instrumenti tjetër plebicitar; dhe (5) gatishmëria e shtetit të ri për t’i marrë përsipër obligimet dhe pasojat për të ardhmen politike dhe ekonomike të vendit. Sigurisht se këto kritere autorja nuk i ka shpikur nga asgjëja, por rrjedhin nga precedentet historike të pavarësimit dhe të vetëvendosjes, një koncept me histori të konsiderueshme në mendimin politik modern, që përfshin emra si presidenti i dikurshëm amerikan Woodrow Wilson (i cili më 1919 invokoi këtë parim për ta shpëtuar Shqipërinë nga coptimi) deri te Lenini, i cili tentoi që çështjen e vetëvendosjes ta trajtojë në kuadrin e ideologjisë revolucionare marksiste.
Por, që t’i kthehemi epokës tonë historike, Starovoitova me qëllim vuri një paralele midis shpërbërjes së ish-BRSS-së dhe procesit të dekolonizimit në Afrikë dhe Azi gjatë mesit të shekullit XX, ku dhe u kristalizua për herë të parë në ligjin ndërkombëtar e drejta e vetëvendosjes, e artikuluar dhe e përfshirë në një numër rezolutash dhe traktesh ndërkombëtare të OKB-së. Por në rrethanat e ish-BRSS-së (dhe, mund të shtojmë ne, të ish-Jugosllavisë, një lloj mini-perandorie multinacionale socialiste e llojit të vet), çështja e aplikimit të parimeve të vetëvendosjes nuk ishte punë e thjeshtë. Edhe në BRSS, si në ish-Jugosllavi, republikave ju njoh ndërkombëtarisht e drejta e shkëputjes, por jo krahinave dhe entiteve tjera të rangut të dytë, megjithëse lëvizje secesioniste linden në shumë nga këto territore. Shikuar në këtë kontekst, rasti i shkëputjes së Kosovës nga Serbia hyn si pjesë e procesit historik të shthurjes perandorake postsocialiste dhe të ndërtimit të një arkitekture të re të sovranitetit që ngritet mbi gërmadhat e sistemit të vjetër të federalizmit multinacional. Në zonën e vendeve ish-socialiste, secesionizmi ishte një dukuri e gjithanshme, por që mori kahe të ndryshme, diku duke kaluar në aranzhmane të reja institucionale (sikur shkurorëzimi paqesor çeko-sllovak, federata e re ruse apo autonomitë e ndryshme territoriale në kuadërtë shteteve të reja), diku duke çuar në luftë (si në rastin e ish-Jugosllavisë). Kjo është ajo që e karakterizon procesin e “dekolonizimit” postsocialist.
Sigurisht se kur çështjen e Kosovës e shikojmë në këtë kontekst global historik, dhe e bëjmë një lloj sociologjie historike të problemit, e kuptojmë se rasti i saj nuk është unik, e kjo gjë bëhet paksa cenuese për termet singulare me të cilat ne kemi dëshirë ta shohim rastin e Kosovës (se pavarësia është “rezultat i luftërave heroike dhe shekullore të popullit për liri” e deklamacione të ngjashme demagogjike dhe pseudo-historike me të cilat ia bëjmë qejfin vetes). Kosova ka qenë dhe është në vazhdim një simptomë e ndryshimeve dhe të rirregullimit global të post-1989-ës, reperkusionet e së cilës po i ndjejmë akoma dhe disa nga kontradiktat e së cilës akoma mbesin të hapura. Kjo domethënë se që ta kuptojmë rastin e Kosovës në plotësi, nuk mjafton të lexohet historia e popullit shqiptar, por duhet të kuptohen dhe interpretohen në thellësi ndryshimet thelbësore historike në dekadat e fundit dhe gjatë shekullit të kaluar. Kjo është e vemtja mënyrë për zhvillimin e një politike progresiviste që dëshiron që Kosova të shërbejë si frymëzim dhe shembull botëror për të gjithë ata që aspirojnë për lirinë dhe pavarësinë e vendeve të tyre.
E njëjta mund të thuhet për të drejtën e intervenimit të jashtëm çfarë bëri NATO-ja në Kosovë më 1999 – një nga argumentet e atëhershme kundër intervenimit ishte se po bëhej fjalë për një precendent të rrezikshëm, sepse po cenohej sovraniteti i një shteti të pavarur (Serbisë), ndërsa po mbështetej – ndonëse jo në mënyrë eksplicite – lufta e Kosovës për pavarësi. Edhe në këtë rast mund të themi, pse jo? Pse të mos ekzistojë një instrument ndërkombëtar i cili do të intervenojë në rastet e rënda të luftës gjenocidale kundër një popullate civile, dhe një instrument gjithashtu ndërkombëtar i cili bën të mundur dhe normalizon ushtrimin e të drejtës për vetëvendosje? Jo pa arsye, procesi që mund ta çojë Kosovën në pavarësi, po tërheq vëmendjen dhe po ngrit shpresat e vendeve të ndryshme që nga Transnistria dhe Abkhazia deri te Tamilët në Indi dhe Shrilankë, kurdët në Irak dhe pakistanezët në territoret e okupuara, e deri te baskët në Spanjë. Kosova nuk ka asgjë të veçantë që të gëzojë ndonjë privilegj në përpjekjen e saj për pavarësi kundrejt këtyre grupeve në pozita të ngjashme. Secesioni duhet të kalojë nga një tabu politike në institucionalizimin e vet konkret në përmasa ndërkombëtare.
Në vitin 1900, bota kishte 57 shtete. Në vitin 2000, ky numër arriti në rreth 192. Fragmentimi horizontal i botës në entitete më të vogla, ndërsa përforcohet integrimi vertikal në institucione ndërkombëtare dhe rajonale, nuk duhet të shikohet si një gjë medoemos e keqe, por ndoshta si e vetmja rrugë për krijimin e një rendi të drejtë dhe paqesor ndërkombëtar.
Por, edhe një herë, mesazhi themelor është ky: ndarja e Kosovës nga Serbia është dhe duhet të jetë precedent. Mbase në këtë rast kemi të bëjmë me atë që Hegeli e quajti “dinakëria e arsyes” – Ideja universale ecen drejt zhvillimit në misionin e saj botëror-historik, ndërsa ata që e zbatojnë janë, në njëfarë mënyrë, “vegla” të saj. Në qoftë kështu, t’i çojmë implikimet e Idesë deri në fund!
Botuar te Koha Ditore, 25 maj 2007.