Skeduar nën Lëvizje shoqërore

Çka simbolizon protesta në Wall Street?

Qe tre javë, disa mijëra protesues janë vendosur me tenda në parkun Zuccotti, në afërsi të qendrës financiare të New York-ut, në Wall Street. Gjatë dy javëve të para protestuesit u injoruan nga mediat e fuqishme korporative dhe protesta u pa si një nga qindra e mijëra protestat e rëndomta që ndodhin anëkënd qytetit të New York-ut gjatë çdo viti, mbi çështje të lloj-llojshme. Mirëpo, gjatë fundjavës së kaluar, gjatë tentim-marshit përmes urës së famshme Brooklyn Bridge drejt Wall Street-it, një përplasje me policinë çoi në arrestimin e 700 vetëve. Që nga ai moment, protesta ka tërhequr vëmendjen gjithnjë më të madhe të mediave, duke e katapultuar ngjarjen, siç është zakoni i mediave (sidomos atyre pamore), nga një protestë margjinale në një temë senzacioni. Në ndërkohë, protesta është përhapur në dhjetëra qytete tjera, ku lëvizje të ngjashme kanë “okupuar” hapësira publike.

 

Senzacioni medial sillet rreth qëllimit dhe kërkesave të protestës. Protestuesit thonë se janë kundër lakmisë dhe korrupsionit në Wall Street. Por protestuesit, ndonëse mirë të organizuar, i janë shmangur qoftë paraqitjes së kërkesave konkrete, qoftë botimit të ndonjë manifesti apo ultimatumi. Motoja e tyre është e thjesht: okupo Wall Street-it! Përtej kësaj gjithçka është e hapur. Një gazetar i kanalit të lajmeve Fox News, me anime politike të djathta, përqeshte protestuesit duke i ndalur ata dhe duke i pyetur se çka kërkojnë. Përgjigjet që jepnin ata ishin gjithçfare (prej kërkesave për ndaljen e luftës në Afganistan deri te ankesat për transportin publik në New York), që i mjaftonte gazetarit cinik të deklaronte se këtu ke një masë protestuesish të rinjë dhe të dezorientuar që në fakt nuk dinë se çfarë duan.

 

Është interesant se në fillet e veta para tre vjetësh, lëvizja djathtiste “Tea Party” që arriti të shndërrohet në krah radikal të Parisë Republikane, nuk pati pritje të tillë nga mediat, ndonëse edhe ajo nisi si një lëvizje amorfe dhe e paqartë në qëllime. Natyrisht, lëvizja Tea Party gjeti mbështetjen e menjëhershme të një numri korporatash të mëdha dhe biznesmenësh të djathtë, që mbushën arkat e këtyre organizatave, me qëllim të dobësimit të presidentit Barack Obama dhe mazhorancës demokrate që asokohe kontrollonte Kongresin. Kjo shtytje financiare dhe organizative i dha mundësi Tea Party që nga një masë jokoherente, shpejt të shndërrohet në faktor elektoral, si dhe të spastrojë imazhin e saj prej një reaksioni racist ndaj një presidenti zezak. “Spin doktorët” medialë, konsulentë të Tea Party të angazhuar nga korporatat e fuqishme bënë çmos që lëvizja të mos diskreditohet dhe të heq nga shfaqja në media elementet e veta raciste. Tea Party tani është shndërruar në faktor legjitim të politikës amerikane, platformë për mobilizimin e pakënaqësive në përkrahje të frymës konservatore dhe politikave lehtësuese për korporatat e mëdha dhe të pasurit, dhe me platformë çmontimin e plotë të sistemeve të mbrojtjes sociale dhe të ridistribuimit në SHBA.

 

Zor që lëvizjes në Wall Street, do t’i dalin në ndihmë korporatat e mëdha, të cilat janë pikërisht në shënjestër të protestuesve. Pyetja që ngelet është se çka paraqet protesta, dhe ku do të çojë ajo? Në krahasim me lëvizjet e mëhershme anti-korporatiste, si ato të lëvizjeve altermondialiste në Seattle në vitin 1999, të cilat etiketoheshin si radikale, ekstremiste, të çmendura etj., lëvizja në Wall Street po fiton simpati të gjerë. Simpatinë ndaj saj e ka shprehur edhe presidenti Obama, ndërsa një numër sindikatash iu bashkuan protestave dhe i përkrahin ato në mënyrë aktive. Një gjë e tillë përputhet edhe me gjendjen ekonomike më 1999 në krahasim me sot. Është lehtë të shprehesh kundër institucioneve qëndrore të kapitalizmit në kohë krize, qoftë vetëm me një gjest simbolik. Shpëtimet bankare me para publike gjatë viteve 2008-09, vazhdimi i pagesës së bonuseve astronomike në institucione financiare në kohë papunësie të madhe, shpëtimi i bankave, bankierëve dhe spekulantëve financiarë në dëm të klasave popullore të cilat po penalizohen më së shumti nga kriza, humbja e qindra mijëra shtëpive, zbehja e perspektivës për punë stabile dhe për karrierë tek një pjesë e madhe e studentëve dhe rinisë amerikane, nga të gjitha këto nuk duhen edhe aq argumente për ta ndezur mllefin kundër Wall Street-it, duke e shndërruar atë në simbol të të gjitha të zezave të periudhës së fundit. Nuk është çudi që një protestë që, në një moment tjetër, do të dukej si radikale dhe krejtësisht ideologjike, tani rezonon në logjikën e shumicës së amerikanëve dhe nxit simpatinë e tyre.

 

Megjithatë, pyetja mbetet, çka kërkon lëvizja në Wall Street? Ekziston një interpretim që kërkon shqyrtim serioz: pretendimi është se në kohën e rrjeteve elektronike e sociale, informimit të shpejt dhe koordinimit virtual, lëvizjet popullore janë gjithnjë e më të decentralizuara dhe në to mbizotëron organizimi horizontal kundrejt atij vertikal. Modeli kryesor është ai në Egjipt: një lëvizje pa lider, pa kryesi dhe pa ndonjë organizatë prijëse, arriti ta rrëzojë një diktator të fuqishëm. Fakti i dytë është se lëvizjet e reja, si ato në Egjipt, Tunizi dhe vende tjera të Lindjes së Mesme, por edhe ato në periferinë e eurozonës, në Portugali, Spanjë e Greqi, janë lëvizje që mobilizojnë kryesisht të rinjtë, kryesisht studentë dhe të diplomuar, por me perspektivë të zbehtë në pikëpamje socio-ekonomike. Ky “kognitariat” (siç i quajnë Michael Hardt dhe Tony Negri), i kyçur intelektualisht dhe i cili frymon natyrishëm në botën e teknologjisë së sotme, ka sens tjetër, më të demokratizuar dhe përfshirës për mobilizimin dhe për veprimin politik. Dallimi megjithatë, me rastet e përmendura është se, në Tunizi dhe Egjipt, kërkesa e protestuesve ishte kërkesa e qartë politike: dorëheqjen e diktatorëve. Është e paqartë se çfarë domethënie ka një lëvizje e tillë në kontekstin politik amerikan, meqë si rregull, një lëvizje në SHBA krijon efekt politik vetëm nëse ka para, ose nëse ka vota (mundësisht dyjat bashkë).

 

Zgjedhja në mes shndërrimit në një lëvizje margjinale dhe një lëvizje më të fuqishme politike është dilema e protestës. Ajo për momentin, veten e quan lëvizje jo-politike. Duke marrë parasysh përbërjen demografike të protestuesve – shumica të rinjë boemë, artistë, gazetarë të pavarur, shkrimtarë, dezajnerë dhe të tjerë – duhet përkujtuar atë që Walter Benjamin kishte shkruar për boemët revolucionarë të Parisit të shekullit XIX: “Me paqartësinë e pozitës së tyre ekonomike përkon paqartësia e funksionit të tyre politik” – me një fjalë, sipas Benjamin, duke qenë mangut një pozite të qartë klasore, boemët bredhin lirshëm dhe në mënyrë ambivalente me bindjet dhe lojalitetet e tyre politike. Një lëvizje e fuqishme anti-Wall Street mund të lindë vetëm kur viktimat e vërteta do të paraqiten dhe mobilizohen në lëvizje. Të grumbulluarit në parkun Zuccotti kanë bërë punën e pararojës që hap shtegun për një lëvizje më të madhe. Varet nga ata se nga do ta çojnë momentin që e kanë kapur.

 

Kolumna javore, Koha Ditore, 9 tetpr 2011

 

 

A do të mbijetojë euroja?

Zhvillimet e javës së fundit duket se japin një përgjigje për pyetjen e mësipërme: po, euroja do të mbijetojë, por si, nuk e dimë akoma.

Të mërkurën që shkoi kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Nicolas Sarkozy, në një takim kyç për të ardhmen e eurozonës, dhanë një deklaratë që me fjalë të tjera bënte të ditur që Greqia nuk do të dëbohet nga eurozona. Infuzioni i vazhdueshëm i eurove për mbajtjen në jetë të financave të shtetit grek duket se do të vazhdojë, jo nga bamirësia gjermane dhe e Bankës Qëndrore Evropiane, por nga çmimi shumëfish më i lartë i largimit të Greqisë nga eurozona. Greqia mund të detryohet të deklarojë falimentim kundrejt kreditorëve të saj, por nuk do të detyrohet ta braktisë euron. Pasojat e dyja këtyre veprimeve janë të rënda për gjithë ekonominë evropiane.

Në rastin e parë, dëbimi i Greqisë nga eurozona do të ishte thellësisht destabilizuese për ekonominë greke. Kthimi në përdorim i dhrahmës do të nënkuptonte kthimin në përdorim të një valute që menjëherë do të shkonte drejt devalvimit. Sado që kjo do të ishte pozitive për ekonominë greke (evropianët do të mund të bënin një pushim të mirë veror në Greqi me disa qindra euro, pra do të stimulohej turizmi, ashtu si eksportet), ngarkesa e rëndë e borxheve prej rreth 350 miliardë eurosh (140% e BPV-së), do të mbetej. Kësaj duhet shtuar edhe koston e tranzicionit nga euro në dhrahma, që do të shkakonte komplikime të mëdha që nga bankat që do të duhej t’i ndryshonin sistemet e kontabilitetit deri tek shitësit më të thjeshtë që do të duhej t’i ripërshtaten një monedhe të re (të vjetër).

Largimi i Greqisë nga eurozona do të ishte destabilizuese edhe për ekonominë evropiane. Gjendja e tanishme, me një situatë buzë grëminës por të paktën akoma jo në rënie, mbetët e tillë falë mundësive të shtetit gjerman që të tërheq fonde nga tregjet e kapitalit, në saje të besimit të tregjeve në financat dhe ekonominë gjermane. Mirëpo, dëbimi i Greqisë do të ngrihte dyshime se një fat i njëjtë do t’i ndiqte edhe shtetet tjera të fundosura nga borxhet, si Irlanda dhe Portugalia. Humbja e besimit në rentabilitetin afatgjatë të monedhës do ta vinte në pikëpyetje fatin e euros si të tillë, duke rrezikuar devalvimin e monedhës dhe inflacion, madje edhe zhbërjen e unionit monetar.

Ky është një epilog i padëshiruar nga liderët evropianë. Mirëpo pavarësisht shenjave se në Berlin dhe Paris ekziston vullneti politik që të ruhet eurozona, takimi i së premtes në Poloni i ministrave të financave të shteteve evropiane nuk prodhoi ndonjë marrëveshje serioze, megjithë qortimit që ata morën nga shefi i Thesarit amerikan, Timothy Geithner, për pavendosmëri, dhe thirrjes që të ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme për shpëtimin e euros. Konkluzat e atij takimi vetëm se shtuan ankthin për falimentimin grek, pasi u vendos që kësti i radhës i ndihmave për Greqinë, i planifikuar për këtë muaj, të shtyhet për tetor. Mirëpo, shumica tashmë kanë pranuar që ardhja e momentit që Greqia do të bëhet e paaftë të paguajë borxhet e veta është vetëm çështje kohe. Se sa i ulët është besimi aktual në perspektivën e financave greke tregon fakti se kamata për bonot njëvjeçare të Greqisë në tregjet e kapitalit aktualisht është në normën 110%. Problemi gjithmonë ka qenë se si do të menaxhohet ky proces pa shkaktuar një katastrofë më të madhe ekonomike dhe financiare për gjithë kontinentin dhe ekonominë botërore në përgjithësi.

Pavendosmëria e shteteve evropiane vjen si pasojë e konsideratave të shumta, ndër të cilat është edhe politika e brendshme e shteteve si Gjermania ku përkrahja për Greqinë po i kushton kancelares Merkel me rënie popullariteti dhe përçarje brenda koalicionit të saj. Zgjidhja më e mirë do të ishte ajo më radikale: krijimi i një unioni të vërtetë fiskal evropian, duke rritur ingjerencat e Bankës Qëndrore Evropiane për të marrë përsipër blerjen e borxheve të shteteve që po lëngojnë më së shumti nga ato. Por, një zgjidhje e tillë do të kërkonte një udhëheqje të vendosur veçanërisht nga Berlini. Kancelarja Merkel nuk është e gatshme që ta rrezikojë pozicionin e saj politik për një hap të tillë, një mungesë lidershipi në një moment kyç historik. Përgjithësisht, një masë e tillë kundërshtohet nga shtetet e qendrës pasi që unioni fiskal do të kërkonte nga ato që të paguajnë për borxhet e shteteve të periferisë, sado që një gjë e tillë do të ishte e logjikshme kur merret parasysh se bankat e qendrës si Deutsche Bank ishin ato që përfituan më së shumti në kohën kur në Greqi dhe shtetet tjera të periferisë derdheshin kredina pa fund, dhe që rrezikojnë të humbin më së shumti në rast të falimentimit të shtetit grek.

Gjendja në Greqi, ndërkaq, mbetet dëshpruese dhe eksplozive. Protestat, jo rrallë të shoqëruara edhe me dhunë, janë të përditshme, nga biznese të ballafaquara me mbyllje, dhe qytetarë të ballafaquar me zvogëlim rrogash dhe pensionesh, humbje vende punësh dhe shtëpish, si pasojë e masave të ashpra reduktuese të implementuara nga qeveria greke. Vetëm dje, njofton shtypi ndërkombëtar, në Selanik, një burrë 56-vjeçar u hospitalizua si pasojë e përpjekjës së tij për t’u vetësakrifikuar me flakë para një banke. Ky burrë kishte humbur biznesin e tij dhe ishte i zhytur në borxhe, dhe si rrugë të vetme kishte parë flijimin e vetes. Veprimi i tij është i ngjashëm me të riun tunizian, që dogji vetën në shenjë proteste kur humbi tezgën e shitjes, e që u bë simbol i protestave masive që çuan në rënien e regjimit të Ben Alisë. Mirëpo, burri nga Selaniku nuk është i pari – para tij, dy qytetarë të tjerë kishin tentuar të shprehnin indinjatën e tyre në formë të njëjtë, duke treguar shkallën e dëshprimit që ka kapluar një pjesë të mirë të shoqërisë greke.

Ndërkohë, në Greqi dhe në shtetet tjera periferike të eurozonës si Portugalia dhe Irlanda, është në rritje të vazhdueshme lëvizja e të ashtuquajtur të indinjuarve. Qofshin këta të rinjë të papunë, punëtorë të dëbuar, pleq të mbetur me pensione të zvogëluara, apo familje që borxhet u kanë kushtuar me humbje të shtëpive, lëvizja ka marrë përmasa të një revolte qytetare kundër masave drastike që u kanë hedhur si barrë një çmim shumë të rëndë qytetarëve të rëndomtë si pasojë e veprimeve të spekulantëve, bankave dhe qeverive që synonin përfitime fiktive nga spekulimet financiare. Një lëvizje në Greqi, ka marrë modelin nga lëvizjet e ngjashme në Argjentinë dhe Ekuador, ku qytetarët i bënë një “auditim” borxheve publike, duke vënë në sprovë legjitimitetin e borxheve spekulative. Grupe si këto avokojnë për shkëputje nga eurozona, duke marrë sërish shembullin e Argjentinës e cila shpëtoi nga një situatë e ngjashme si Greqia në vitin 2001-02 vetëm pasi shkëputi lidhjen e monedhës së saj me dollarin, lejoi inflacionin dhe një ribalansim strukturor të ekonomisë pa shkurtimet e dhimbshme që i detyrohen Greqisë si pasojë e mospasjes së sovranitetit monetar. Sido që të jetë, fati i euros – dhe i BE-së si të tillë – nuk është duke u përcaktuar vetëm në kancelaritë e kryeministrive dhe ministrive të financave, por në rrugët e Athinës, Lisbonës e Madridit. Që nga themelimi i unionit evropian, fati i kontinentit dhe institucioneve të tij të përbashkëta nuk ka qenë kurrë më tepër në sprovë.

Kolumna javore, Koha Ditore, 18 shtator 2011

Si shpjegohet suksesi i Sllovenisë?

Nuk besoj se ka vend në rajonin e gjerë të Evropës qëndrore dhe Ballkanit që nuk do të dëshironte të ishte sikur Sllovenia, që javën që shkoi kremtoi 20 vjetorin e pavarësisë. Ky vend jo vetëm që ishte i pari shtet i dalur nga ish-Jugosllavia që u fut në NATO dhe BE, por tregoi një zhvillim të qëndrueshëm dhe stabil ekonomik që prej kohës së pavarësisë së saj. Rangimet botërore për demokratizim, sundim të ligjit dhe kontroll të korrupsionit e nxjerrin në ndër të parat në vendet e Evropës lindore. Sipas disa llogarive, jo vetëm që Sllovenia është, për kokë banori, më e pasur se secili shtet tjetër i Evropës lindore, por nëse llogaritet në bazë të vlerës së “Purchasing Power Parity” (paritetit të fuqisë blerëse – PPP), për nga BPV-ja për kokë banori Sllovenia tejkalon Greqinë, ndërkaq i afrohet Italisë. Kësaj mund t’i shtojmë faktin se përkundër goditjes së krizës financiare të 2008-ës, Sllovenia nuk ballafaqohet me problemin e madh të borxheve greke dhe ekonomive tjera periferike të eurozonës. Krejt kjo tregon për një sukses të jashtëzakonshëm të shtetit të ri slloven në pikëpamje e zhvillimit ekonomik, si dhe në standardet e matësve socialë.

Si e arriti Sllovenia këtë? Një studim nga Stephen Crowley nga Oberlin College dhe Miroslav Stanojeviç nga Universiteti i Lubjanës botuar në revistën akademike Politics & Society synon që t’i përgjigjet pikërisht kësaj pyetje. Enigmës së suksesit slloven ia shton fakti se Sllovenia arriti sukses ekonomik duke mos ndjekur ortodoksinë neoliberale që predikohej nga institucionet ndërkombëtare financiare, që për arritjen e tranizicionit të suksesshëm nga socializmi në ekonomi të tregut sugjeronin “shok-terapinë” e privatizimit të shpejtë të ndërmarrjeve prodhuese, thithjen e investimeve të jashtme, uljen e tatimeve dhe “liberalizimin” e tregut të punës, që përkthehet në reduktimin e të drejtave të punëtorëve dhe dobësimin e organizimit sindikal. Sllovenia pati tranzicion jashtëzakonisht të suksesshëm – duke mos bërë asnjërën nga këto. Në fakt, vlera e investimeve të jashtme në Slloveni (FDI), edhe gjatë 2000-ave, ka qenë dhe vazhdon të jenë më e vogël se sa në Kroaci ose Serbi. P.sh., në vitin 2009, 20,5 miliardë dollarë ishte vlera e investimeve të jashtme në Serbi, 36,6 miliardë dollarë në Kroaci, kurse vetëm 15 miliardë dollarë në Slloveni. Ndërkaq, siç vëjnë në dukje Crowley dhe Stanojeviç, Sllovenia pati dhe vazhdon ta ketë shkallën më të lartë të organizimit sindikal nga të gjitha vendet e Evropës lindore, sot anëtare të BE-së, duke treguar se “liberalizimi” i tregut të punës në Slloveni ka qenë shumë më i kufizuar se në vendet tjera.

Si shpjegohet paradoksi slloven? Veçoria kryesore që e dallon Slloveninë nga ekonomitë tjera që kaluan tranzicionin nga socializmi është se organizimi institucional i krijuar në Slloveni i përngjet më shumë asaj që Crowley dhe Stanojeviç quajnë organizim “neokorporatist” ose “ekonomi e koordinuar e tregut”. Ky kategorizim rrjedh nga shkolla e ekonomisë politike “Varieties of Capitalism” (“llojet e kapitalizmit”), e zhvilluar nga politikologu Peter Hall dhe ekonomisti David Soskice, që thotë se e ashtuquajtur “epërsi krahasuese” e një vendi për të qenë konkurrent në ekonominë botërore vjen në radhë të parë nga suksesi i koordinimit të suksesshëm të firmave prodhuese. Sipas Hall dhe Soskice, ndonëse një ekonomi e tregut veçohet nga disa parime bazë (si p.sh. mbrojtja e pronës private, tregu konkurrent dhe puna me pagë), kur flasim për organizimin e ekonomisë së tregut në shkallë nacionale, nuk ekziston një formë e vetme e saj. Veçori kryesore e formave të organizimit të një ekonomie kapitaliste është forma e koordinimit midis firmave, që mund të jetë konkurrente, ose të koordinohet përmes formave jo-konkurrente. Sipas tyre, koordinimi i suksesshëm i firmave është produkt i aranzhmaneve institucionale nacionale, ku rol qëndror koordinues luan shteti.

Sipas kësaj Hall dhe Soskice veçojnë dy forma kyesore të “llojeve të kapitalizmit”: modelin liberal, zakonisht i njohur edhe si modeli anglo-amerikan, i identifikuar me vendet si Britania dhe SHBA-të, dhe modeli neokorporatist ose i ekonomisë së koordinuar të tregut, i identifikuar me vendet si Franca, Gjermania, shtetet nordike, si dhe disa nga ekonomitë e suksesshme të Azisë juglindore si Japonia dhe Korea e Jugut. Bazuar në këtë dallim midis dy modeleve, Crowley dhe Stanojeviç vlerësojnë se nga të gjitha vendet e Evropës lindore që kaluan tranzicion ekonomik gjatë viteve 1990, Sllovenia dallon me faktin se është i vetmi që mori rrugën e zhvillimit neokorporatist, karshi modelit liberal që u adoptua në shumicën e vendeve tjera tranzicionale (si Çekia dhe Polonia apo edhe Shqipëria). Modeli neokorporatist slloven u mbështetet në dy parime: kufizimin e investimeve të jashtme (duke favorizuar privatizimin “e brendshëm” të ndërmarrjeve) dhe ngritjen e institucioneve koordinuese midis kapitalit dhe punës. Kjo, sipas Crowley dhe Stanojeviç nuk ishte pasojë vetëm e koordinimit të suksesshëm midis firmave (që bëhej përmes Odës Ekonomike sllovene), por edhe e fuqisë dhe aktivizmit të lartë sindikal që imponoi një formë të kompromisit social midis shtetit, kapitalit dhe punës në momentin kyç tranzicional në Slloveni. Kulmi i këtij procesi ishte përfshirja e thellë e punëtorëve në proceset e privatizimit si dhe institucionalizimi i Këshillit Ekonomik Social, i cili në dallim prej tregut liberal të punës, rregullon në nivel nacional nivelet e pagave dhe kontratat kolektive të punës.
Cilët faktorë e shtynë Slloveninë që të ndjek një rrugë tjetër të zhvillimit institucional, një rrugë që jo vetëm që ishte e suksesshme, por edhe mundësoi që Sllovenia të bëhet shembull suksesi i tranzicionit? Crowley dhe Stanojeviç argumentojnë se një nga faktorët kyç që çuan Slloveninë në drejtim të neokorporatizmit ishte pikërisht fuqia e organizimit sindikal, që ishte, ironikisht, një trashëgimi e drejtpërdrejtë institucionale nga socializmi jugosllav. Në dallim prej vendeve tjera ish-socialiste të Evropës lindore, organizimi i veçantë i socializmit jugosllav bazuar në modelin e “vetëqeverisjes” kishte futur organizim të fuqishëm sindikal në të gjithë sektorët industrialë. Mirëpo, në dallim, p.sh., prej Polonisë, ku lëvizja Solidarnosc, i cili nga një organizim i madh sindikal u shndërrua në forcë politike, në Slloveni sindikatat mbetën aktive përgjatë periudhës tranzicionale. P.sh., Crowley dhe Stanojeviç dëshmojnë përmes të dhënave se gjatë viteve ‘90, në kohën kur po konstituoheshin institucionet e reja ekonomike të Sllovenisë, numri i grevave dhe protestave punëtore në Slloveni ishte më i lartë se cilido vend tjetër i Evropës lindore. Shkurt, ky organizim i fuqishëm sindikal, detyroi politikën sllovene dhe menaxherët e ndërmarrjeve që të marrin parasysh interesat e punëtorëve gjatë formulimit të politikave të transformimit pronësor, dhe i cili pati si rezultat njohjen e hisës së punëtorëve dhe mbrojtjes së interesave të tyre në ndërmarrjet që po i nënshtroheshin privatizimit. Një gjë e tillë jo vetëm që kooptoi punëtorët dhe sindikatat në procesin e privatizimit, por edhe kufizoi në masë të madhe kalimin e pronësisë së ndërmarrjeve të suksesshme eksportuese sllovene (si Krka dhe Gorenje) en masse në pronë të kapitalit të huaj, duke bërë të mundur që pjesa më e madhe e aseteve produktive sllovene të mbetët në pronësi vendore (p.sh., pjesa më e madhe e aksioneve të Gorenjës mbahen nga “Kapitalska Druzhba”, fondit pensional shtetëror slloven). Ndërkaq, themelimi i Këshillit Ekonomik Social institucionalizoi suksesin e aktivizmit të lartë të sindikatave sllovene në krijimin e një mekanizmi të përhershëm të përfaqësimit të interesave të punëtorëve karshi kapitalit industrial.

Rezultat i këtij procesi nuk ishte vetëm mbrojtja më e madhe e punëtorëve nga procesi i tranzicionit (duke ruajtur kështu substancën e klasës së mesme), por edhe në izolimin e pjesshëm të ekonomisë së vendit nga liberalizimi i shpejt, model që asokohe promovohej nga ekonomistë si Jeffrey Sachs, dhe i cili u implementua në vendet si Rusia me rezultate katastrofike ekonomike dhe sociale, përfshirë kolapsin financiar rus të vitit 1998.

Natyrisht, një faktor i rëndësishëm që i dha epërsi Sllovenisë ishte orientimi i një pjese të industrive të saj prodhuese kah eksporti perëndimor. Lidhjet e industrive përpunuese sllovene me tregjet perëndimore e dallonin Slloveninë qysh edhe në periudhën e ish-Jugosllavisë, në krahasim me industrinë e rendë xehtare të jugut të ish-Jugosllavisë, përfshirë edhe Kosovën, të përqëndruar në nxjerrjen e lëndëve të para dhe shkëmbime tregtare me bllokun sovjetik. Crowley dhe Stanojeviç marrin parasysh këtë fakt, por theksojnë se jo e tërë industria sllovene ishte e përqëndruar drejt eksporteve perëndimore: përveç disa ndërmarrjeve përpunuese që mbështeteshin në teknologji të lartë (si Gorenje), pjesa tjetër e industrive sllovene, sikur ajo e prodhimeve ushqimore dhe e prodhimeve të drurit, ishte e lidhur me tregun jugosllav që gjatë viteve ’90 po shkatërrohej. Përveç kësaj, autorët theksojnë se shumica e grevave dhe protestave punëtore kishin burimin në këto industri, dhe jo në ato eksportuese, mirëpo ishte aleanca e krijuar midis punëtorive të këtyre dy industrive të veçanta ajo që çoi në suksesin slloven.

Për vendet sikur puna e Kosovës, Sllovenia është shembull se ekziston një rrugë tjetër nga politika tranzicionale e ndjekur në Kosovë, e cila nuk ka treguar pothuajse asnjë sukses në rigjenerimin ekonomik të vendit. Baza industriale e dikurshme është pothuajse e shkatërruar ndërsa ato pak asete të mbetura synohen t’i shiten shpejt dhe lirë kapitalit të huaj. Mirëpo, siç tregon rasti slloven, nuk ishte vetëm dashamirësia e klasës politike sllovene ajo që çoi në suksesin e tranzicionit slloven, por edhe aktivizmi i paepur i sindikatave sllovene për të institucionalizuar mekanizmat për mbrojtjen e interesave të punëtorëve. Megjithëse organizimi sindikal i shumë industrive të vjetra kosovare i mbijetoi presioneve të kohës, një aktivizëm më i madh sindikal në Kosovë deri më tani është treguar – të shprehemi butësisht – tepër i mangët, ndërsa lidershipet sindikale deri më tani tepër lehtësisht janë kooptuar nga qeveritë dhe pushtetet. Çmimi i kësaj në aspektin e zhvillimit të gjithmbarshëm ekonomik dhe social fatkeqsisht është i dukshëm për të gjithë.

Botuar te Koha Ditore, 26 qershor 2011

Problemi grek i Evropës apo problemi evropian i Greqisë?

Kredia 80 milionë dollarëshe që Kosova humbi sivjet nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) duken si para të imta karshi kredisë 110 miliardëshe që vitin e kaluar FMN-ja dhe Bashkimi Evropian (nga kjo shumë, 30 miliardë janë nga FMN-ja) ia ndanë Greqisë për ta shpëtuar vendin nga falimentimi i shkaktuar nga kolapsi i bonove greke. Pakoja e vitit 2010 erdhi me kushte për politika të reduktimeve të ashpra buxhetore, përfshirë zvogëlimin e pagave të sektorit publik, të pensioneve, dhe shitjen e aseteve në pronë shtetërore me vlerë prej dhjetera miliardë eurosh – përfshirë edhe privatizimin e Akropolisit të famshëm të Athinës. Tregjet financiare janë tani në hall se çfarë do të bëjnë politikbërësit evropianë karshi këstit të korrikut, që Greqia duhet ta marrë nga BE-ja dhe FMN-ja, përderisa kryeministri grek Jorgo Papandreu ballafaqohet me një krizë të thellë politike. Greqia është kapluar nga protestat masive të sindikatave, punëtorëve, studentëve, pensionistëve dhe qytetarëve të thjeshtë që refuzojnë shkurtimet e thella të pagave dhe shpenzimeve që qeveria e Papandreut duhet t’i implementojë si kusht për marrjen e kredive shpëtuese. Në ndërkohë, Standard and Poor’s, një nga organizatat që bën vlerësimin e rrezikshmërisë së bonove publike, këto ditë uli bonot greke nga kategoria B në CCC, e paparë për ndonjë shtet të zhvilluar në historinë e re evropiane. Krejt kjo ndodh përderisa Greqia ballafaqohet me mundësinë që thesari i saj edhe de facto të falimentojë gjatë muajit të ardhshëm, duke ndezur një zinxhir të ri krize në ekonominë botërore.

Problemi i borxhit sovran të Greqisë (bashkë me Portugalinë dhe Irlandën që po kalojnë situatë të ngjashme) nuk është vetëm çështje e brendshme e ekonomisë greke, sepse në fundament përbën sprovë për projektin e unionit monetar dhe tregtar evropian. Siç kam shpjeguar në kolumnet e mëhershme mbi problemin e borxheve sovrane evropiane, shkaku i krizës financiare greke nuk është vetëm politika e brendshme e qeverisë greke, por rezultat i drejtpërdrejtë i aranzhmaneve monetare të unionit, e cila me normat e ulta të kamatave të Bankës Qëndrore Evropiane (që favorizoheshin nga shtetet e pasura si Gjermania), nxiti futjen në borxh të shteteve më pak të pasura si Greqia dhe Portugalia, të cilat financoheshin me kredi të lira, kryesisht nga bankat gjermane. Në momentin që tregjet financiare humben besimin në financat greke, normat e kamatave të kërkuara nga bankat u ngriten në numra dyshifrorë, duke tejkaluar mundësitë e shtetit grek për t’i kryer të gjitha obligimet e veta financiare. Kjo detyroi ndërhyrjen financiare të BE-së dhe FMN-së në mënyrë që të shpëtohet thesari grek nga falimentimi i plotë.

Pavarësisht se është zbuluar se qeveria greke ka shtrëmbëruar një pjesë të kontabilitetit të financave të saj publike për t’u kualifikuar për hyrjen në unionin monetar evropian (të cilin e bëri më 2001), kjo vetëm tregon se sa politik është në fund menaxhimi i çështjeve të Bashkimit Evropian, i cili bëri përjashime jo vetëm ndaj Greqisë por edhe ndaj shumë rasteve të tjera, në rregullat gjoja strikte të Bankës Qëndrore Evropiane (BQE) për anëtarësim në unionin monetar. P.sh., përderisa BQE kërkon që deficiti i shteteve të mos tejkalojë 3% të BPV-së së shtetit anëtar dhe që borxhi publik të mos tejkalojë 60% rë BPV-së (në vitin 2010, borxhi grek ishte rreth 140% të BPV-së), një gjë të tillë nuk e kishin respektuar për shumë vite shumë shtete të unionit monetar, përfshirë edhe vendet si Italia dhe Belgjika. Ideja shtytëse mbapa unionit monetar evropian ishte se ai do të çonte jo vetëm në një bashkim monetar të vendeve të BE-së përmes monedhës së përbashkët, por edhe se do të shërbente si mekanizëm për nivelizimin e dallimeve ekonomike midis vendeve të pasura dhe më pak të pasura të BE-së.

Mirëpo siç vënë re revista The Economist, një nga efektet kryesore të futjes së euros në Greqi ishte nxitja e mëtejmë e importeve në një ekonomi që historikisht ballafaqohej me një deficit të lartë tregtar. Por ajo që nuk e thekson The Economist është se në një mënyrë, aranzhmani monetar dhe tregtar i krijuar me euron ishte e dobishme për vendet eksportuese si Gjermania, duke e bërë euron të vlefshme për Gjermaninë në formë të dyfishtë: në njërën anë duke e shfrytëzuar BQE-në si zgjerim të Bundesbankës (përmes së cilës euro në radhë të parë reflekton fuqinë ekonomike gjermane) dhe në anën tjetër si nxitëse e eksporteve, meqënese inflacioni në vendet e periferisë (që ishte pothuajse i menjëhershëm pas hyrjes në qarkullim të euros) krijoi kushtet për nxitjen e eksporteve gjermane drejt periferisë evropiane. Derdhja e kredive gjermane në Greqi, mund të argumentohet, shërbeu për të financuar blerjen e importeve të prodhuesve gjermanë. Konsumi grek kështu kishte vlerë të dyfishtë për ekonominë gjermane: ajo thithte mbivlerën si përmes eksportit të mallrave që i shiteshin Greqisë, ashtu dhe përmes përfitimit të bankave gjermane si financierë të ekonomisë greke. Një gjë e tillë vërtetohet edhe nga të dhënat. Në vitin 2001, para hyrjes së Greqisë në unionin monetar, deficiti tregtar grek ishte rreth 1,5 miliard euro, ndërsa në vitin 2009 kjo shifër pothuajse u trefishua në afër 4 miliardë euro. Ndërkaq, Gjermania është partneri kryesor tregtar i Greqisë për importe.

Euro qëndron në themel të problemit grek. Siç shpjegon Andrew Watt nga Instituti i Unionit Tregtar Evropian, një shtet që posedon monedhë të vetën nuk mund të falimentojë: problemit të obligimeve financiare – ato, kuptohet, që i përmbush me monedhë të vetën – shteti mund t’i përgjigjet duke shtypur para të reja (të cilat shkaktojnë telashe tjera, si devaluim dhe inflacion), por që ulin normën nominale të kamatave dhe me këtë ulin shkallën e borxhit si përqindje të BPV-së. Devaluimi ndërkaq, çon në ristrukturimin tregtar të vendit, pasi që ul çmimet e eksportit. Kjo është një nga arsyet pse SHBA-të, borxhi i së cilës në korrik pritet të tejkalojë shumën e 14 bilionë dollarëve (rreth 70% e BPV-së), nuk e ka hallin e njëjtë si Greqia megjithëse ballafaqohet me problemin e njëjtë të borxhit të lartë publik. Në mungesë të instrumentit të politikës monetare, ristrukturimi i vetëm i mundur i ekonomisë është ai i brendshëm (që ekonomistët ortodoksë e quajnë “rritje të konkurrueshmërisë”), që domethënë shkurtime të dhimbshme të shpenzimeve, luftë kundër të drejtave të punëtorëve, privatizim i aseteve dhe shkurtime tjera që, në efekt çojnë në recesion të mëtejmë ekonomik, i cili e dobëson më tej aftësinë e shtetit për t’i paguar borxhet. Pikërisht kjo edhe ndodhi – BPV-ja greke u zvogëlua për mbi 5% gjatë këtij viti si pasojë e masave reduktuese të qeverisë së Papandreut, kurse pakënaqësia politike në Greqi, siç pamë këto ditë nga Athina, ka arritur në nivel para-revolucionar.

Çështja kryesore që ngrit Watt – e që nuk po merret parasysh nga politikbërësit evropianë – është se problemi grek nuk duhet të trajtohet si deri më tani, një problem i veçantë i financave greke, por si problem kolektiv i unionit monetar. Zgjidhja, sipas Watts, është që unioni monetar të funksionojë si një sferë e vërtetë e bashkuar ekonomike dhe që BQE-ja të marrë përsipër për një periudhë të caktuar të gjitha borxhet sovrane të vendeve të eurozonës. Mirëpo, kjo do të nënkuptonte që barra për problemet e Greqisë dhe shteteve periferike të eurozonës të shpërndahet në të gjitha ekonomitë e eurozonës dhe që për situatën aktuale të mos ndëshkohen me varfërim ekonomik qytetarët grekë, portugezë, irlandezë e të tjerët të periferisë së eurozonës. Kjo padyshim nuk është diçka që dëshirojnë vendet e pasura, veçanërisht Gjermania, që nuk ka interes që të dëmtojë eksportet e veta në emër të unionit monetar. Por, kjo ngrit një problem shumë më fundamental, dhe ky është se sa është Bashkimi Evropian në të vërtetë bashkim i një kolektiviteti të ri politik dhe ekonomik, dhe sa është vetëm një koleksion i shteteve me interesa të veta të veçanta. Dita-ditës – dhe ky është leksioni kryesor i Greqisë për të gjithë ne – po mësojmë se realiteti, fatkeqsisht, po përkon gjithnjë e më shumë me përshkrimin e dytë.

Botuar te Koha Ditore, 19 qershor 2011

Pakti i pakënaqësisë evropiane

Edhe një qeveri evropiane rrëzohet si pasojë e krizës së borxheve sovrane. Pasi dështoi në miratimin e pakos së katërt të radhës të reduktimeve buxhetore dhe ngritjes së tatimeve, bie qeveria socialiste e Jose Socrates-it në Portugali dhe vendi tani shkon drejt zgjedhjeve. Jostabiliteti financiar i Portugalisë ishte pritur, andaj edhe çështja e intervenimit financiar të BE-së u përfshi menjëherë si temë në samitin e krerëve evropianë të mbajtur të enjten dhe të premtën.

Në përpjekje për ta evituar situatën e Greqisë dhe të Irlandës, Portugalia kishte marrë një sërë reduktimesh të ashpra buxhetore, përfshirë zvogëlimin e pensioneve, reduktimin deri në 5% të rrogave në sektorin publik, shkurtime deri në 15% të buxheteve në sektorin publik dhe rritje tatimesh. Këto masa janë të ngjashme në ashpërsi me ato që iu imponuan Greqisë dhe Irlandës (dhe të cilat po i ndjek edhe Spanja) në përpjekje për t’i vënë nën kontroll shpenzimet publike pas kolapsit të aftësive huamarrëse të këtyre shteteve. Tani, borxhi i Portugalisë për këtë vit llogaritet të jetë 87,9% e Prodhimit Bruto të Vendit (PBV), kurse për 2012 pritet të arrijë deri në 88,1% të PBV-së. Llogaritet se BE-jë duhet t’i derdhë rreth 100 miliardë euro në Portugali për ta shpëtuar vendin nga falimentimi.

Vazhdimi epizodik, i mundimshëm dhe gati i pafund i krizës së borxheve sovrane i shteteve të jugut të Evropës dhe të Irlandës është alarmant jo vetëm për Evropën por për gjithë ekonominë globale. Steven Schaefer nga revista Forbes thotë se për ekonominë globale, kriza e borxheve sovrane është krizë mbart rrezik më të madh se sa katastrofa në Japoni apo lufta në Libi dhe efekti i saj në çmimet e naftës, sepse rrezikon që ta çojë ekonominë globale drejt përsëritjes së skenarit të kolapsit financiar të vitit 2008, me gjithë dëmet e saj të gjithanshme globale ekonomike. Në kolumnën e kaluar kam theksuar rritjen e vazhdueshme të çmimeve për gjëra elementare si komoditetet ushqimore, dhe një situatë e tillë vetëm sa do të ashpërsohet nëse kriza vazhdon me trendin ekzistues.

Dhe, kësaj radhe, jo pa pasoja politike. Siç u theksua, kriza e borxheve sovrane po shfrytëzohet maksimalisht për goditjen politike të sektorit publik dhe shërbimeve nga të cilat përfiton më së shumti klasa e mesme dhe të varfërit. Kjo situatë e denigrimit të vazhdueshëm social dhe ekonomik e popullatave evropiane nuk mund të vazhdojë pa ndonjë plasaritje politike. Kjo shihet në protestat dhe grevat e vazhdueshme (me të cilat është përballur edhe Portugalia), por edhe në pakënaqësitë në Gjermani, ku qytetarët kanë fituar bindjen se me paratë e tyre po paguhet për papërgjegjësinë financiare të Irlandës dhe shteteve të Evropës jugore.

Në fakt, realiteti është ndryshe, dhe këtë na e tregon askush tjetër pos investitorit George Soros. Sipas tij, kriza e borxheve sovrane nuk është në të vërtetë krizë e financave shtetërore, por krizë bankare dhe monetare. Sipas Sorosit, bankat gjermane kanë një përgjegjësi të madhe në gjenerimin e krizës aktuale. Bankat gjermane janë ato që kanë investuar më së shumti në blerjen e bonove të vendeve të Evropës jugore (të ashtuquajtura PIIGS – Portugalia, Irlanda, Italia, Greqia dhe Spanja). Kjo është bërë në radhë të parë për shkak të rregullave të vendosura nga Banka Qendrore Evropiane, që barazoi blerjen e bonove shtetërore të të gjitha vendeve të Eurozonës, nën supozimin se këto vende do të ecin drejt një konvergjence ekonomike, pra një barazim midis nivele të zhvillimit dhe kornizave makroekonomike të tyre. Kjo, natyrisht, nuk ndodhi, por ndodhi futja masive e kapitalit bankar gjerman në sistemet financiare të vendeve të PIIGS, gjë që çoi në uljen e normave të kamatave në këto vende, që si pasojë pati boom-in artificial në ndërtimtari dhe patundshmëri (ngjashëm me boom-in e rrejshëm në sektorin e patundshmërive dhe ndërtimeve në SHBA, që çoi në kolapsin financiar të 2008-ës). Paratë që Gjermania i paguan për të mbuluar borxhet e PIIGS (në rastin konkret, të Greqisë, Irlandës dhe tani Portugalisë) janë, siç vë në dukje Sorosi, para që kanë për qëllim të shpëtojnë në radhë të parë bankat gjermane.

Situata e krijuar po imponon atë që shumë po e quajnë “two-speed Europe” (Evropa në dy shpejtësi), apo një ndarje e re e Evropës në një qendër ekonomike të dominuar nga Gjermania dhe pjesërisht nga Franca dhe një periferi ekonomike të shteteve tjera. Në rrafshin ekonomik, ajo po imponon masa drastike reduktuese dhe barrë të lartë ekonomike në të gjitha vendet e PIIGS, me shkurtimet drastike buxhetore që po kap furishëm të gjitha shtresat sociale. Masat reduktuese buxhetore janë lojë në të cilën humbin të gjithë – ato jo vetëm kanë efekt të gjerë në rëndimin e menjëhershëm të jetës së qytetarëve por edhe ulin perspektivën ekonomike duke shkaktuar thellim të krizës ekonomike dhe rritje të papunësisë. Krerët e BE-së janë në përpjekje të vazhdueshme për ta adresuar këtë situatë, dhe samiti i javës së kaluar është në vazhdën e negociatave për një reformë ekonomike të BE-së. Gjermania dhe kancelarja e saj Angela Merkel është në epërsi të veçantë për imponimin e kësaj agjende, atë që po quhet “pakt i konkurrencës”, por që tani njihet me emrin “Pakti-Euro-Plus”, që u miratua të premten nga shtatëmbëdhjetë shtetet e Eurozonës, plus gjashtë shtete që nuk e përdorin euron – përfshirë Danimarkën, Poloninë, Rumaninë, Bullgarinë, Latvinë dhe Lituaninë. Propozimi origjinal i kancelarës Merkel ishte për masa që do të krijonin një mekanizëm të “qeverisjes ekonomike” në Eurozonë, duke harmonizuar shkallat e tatimeve dhe të deficiteve, por tani përfshin vetëm disa elemente që duhet të harmonizojnë politikat tatimore në këto vende, si kusht për të përfituar nga mekanizmi i ri i stabilizimit financiar i BE-së, të financuar kryesisht nga Gjermania.

Çështja e vërtetë është nëse popullatat evropiane do të jenë të gatshme të vazhdojnë të përballojnë barrën ekonomike të reduktimeve buxhetore, shkurtimit të shërbimeve, zvogëlimit të pensioneve dhe të rritjes së papunësisë që sjell tkurrja e vazhdueshme ekonomike dhe masat drastike të reduktimeve. Në realitet, kemi të bëjmë me krizën e parë të thellë ekonomike dhe financiare që nuk kufizohet me shtete të caktuara, por me të cilën ballafaqohet i gjithë kontinenti. “Pakti-Euro-Plus” kështu shpejt mund të përkthehet në paktin e pakënaqësisë evropiane. Në kohën kur po mbahej samiti i liderëve evropianë, rreth 20.000 protestues të organizuar nga sindikatat belge marshuan në Bruksel për të protestuar kundër politikave të reja ekonomike që po imonohen pothuajse në mbarë kontinentin, protesta që eskaluan në dhunë. Nuk është larg mendësh që, nën presionin e masave të reja, pakënaqësitë popullore që aktualisht po i shohim në Lindje të Mesme dhe në vendet e Afrikës veriore të fillojnë ta kapërcejnë Mesdheun dhe të vërshojnë edhe shtetet evropiane, me një sprovë edhe për drejtimin e ardhshëm të BE-së.

Botuar te Koha Ditore, 27 mars 2011

Rëndësia e revolucionit në Egjipt

Titulli më i mirë për revolucionin në Egjipt ishte ai i revistës humoristike amerikane “The Onion”: “Të shpresojmë se populli i Egjiptit nga kjo do të përfitojë diçka më shumë se vetëm demokraci”. E vërteta është se Mubaraku u shporr nga posti i presidentit, atë që e mbajti për tridhjetë vjet dhe nuk e lëshoi deri sa vendosmëria e popullit të Egjiptit nuk e mbështeti për muri dhe e la pa rrugëdalje tjetër. Natyrisht, dikush pret të dalin detajet e fshehta të mbrapaskenës. A ishte presioni i armatës që e bëri Mubarakun të heqë dorë më në fund? Çfarë roli në këtë proces luajten amerikanët, që ishin aktivë mbrapa skenës, sidomos në kontaktet e thukëta që ekzistojnë midis kreut të lartë të armatës egjiptase dhe Departamentit amerikan të Mbrojtjes? Por kërkimi i detajeve të takimeve dhe marrëveshjeve të mbrapaskenës tashmë është i parëndësishëm. Sepse të gjitha ato ishin intervenime të fundit për ta nxjerr jashtë kufomën politike të Mubarakut, frymën e të cilit ia zuri populli i Egjiptit me lëvizjen e tij masive.

Sigurisht, ajo që është më e rëndësishme është se çfarë do të ndodh tani e tutje. Sepse megjithëse Mubaraku ra, mbetët akoma që vlerat e revolucionit egjiptas të institucionalizohen në një kushtetutë dhe një rend shoqëror të ri për Egjiptin.

Komentatorët gjithnjë e shohin rënien e Mubarakut në kontekstin e regjimeve autoritare të Lindjes së Mesme. Thonë se rënia e Mubarakut është moment i rëndësishëm për tërë botën arabe, sepse shënon momentin kur e ashtuquajtur “valë e tretë” e demokratizimeve, e filluar me rëniën e regjimeve autoritare në Portugali, Spanjë dhe Greqi në vitet 1970 dhe e vazhduar në Amerikën latine dhe Evropën lindore për gjatë viteve 1980 dhe 1990, më në fund kaplon edhe Lindjen e Mesme dhe Afrikën veriore. Bota arabe kështu, sipas kësaj logjike, i kthehet “normalitetit” politik dhe institucional: demokracisë liberale. Akoma mbetet të shihet procesi i tranzicionit të pushtetit në Egjipt, i cili medoemos do të ndiqet nga hartimi i një kushtetute të re për ta zëvendësuar kushtetutën autoritare të Mubarakut. Armata, e cila tani për tani është autoriteti më i lartë politik në vend, me sa duket do të ketë rol udhëheqës në këtë proces, dhe mbetet të shihet nëse tranzicioni do të vazhdojë me një marrëveshje midis forcave të opozitës për hartimin e kushtetutës së re të Egjiptit. Në këtë proces, ekzistojnë tri rreziqe. E para, është që forcat e ish-regjimit të rigrupohen dhe të rivendosin dominancën politike në vend, përmes Partisë Nacionale Demokratike të drejtuar deri në javën e kaluar nga Mubaraku. Në këtë parti ndikim mund të kenë sidomos elementet e klasës afariste që kanë përfituar nga regjimi i Mubarakut, dhe të cilët duan të sigurojnë pozitat e tyre politike dhe ekonomike në epokën pas Mubarakut. Rreziku i dytë është nga vetë armata. Në Egjipt, armata nuk është thjesht një formacion ushtarak, dhe sidomos pas paqes me Izraelin misioni i saj ka qenë gjithnjë e më i ngushtë. Nën Mubarakun, armata është lejuar që të angazhohet ligjërisht në aktivitete afariste si pronare firmash dhe konkurrente për tenderë ndërtimi dhe të ngjashme, me çka shumë nga gjeneralët e saj janë shndërruar gjithashtu në biznesmenë. Me këtë udhëheqje, armata me çdo kusht do që të ruajë këtë pozitë të privilegjuar. E treta do të jetë gatishmëria e opozitës për ta përfshirë në tyrezë bisedimesh Vëllazërinë Muslimane. Çdo tentativë për ta përjashtuar Vëllazërinë nga një pakt kushtetues post-Mubarakian (sidomos nëse në këtë bëhet presion nga SHBA) do të rezultojë në radikalizimin dhe antagonizimin e këtij elementi që megjithatë është pjesë e botës së re politike të Egjiptit. Populli i Egjiptit, ai që me revoltën e tij ishte shkaku themelor dhe motori kryesor i revolucionit, duhet të jetë i kujdesshëm që procesi i ndryshimeve radikale të shkojë deri në fund dhe që revolucioni të mos kidnapohet nga askush.

Sido që të jetë, pavarësisht renditjes së forcave të brendshme politike në Egjipt, vetë rrëzimi me kryengrithe popullore të Mubarakut shënon një moment të ri në historinë e Lindjës së Mesme. Me shumë të drejtë, në Lindjen e Mesme tani pyeten se cili vend e ka radhën? Shtetet arabe të Lindjes së Mesme janë përplot diktatorë që jo vetëm se nuk kanë sunduar shtetet e tyre me dekada, por që nisen procesin e krijimit të dinastive politike deri sa këtë proces nuk e ndali vrulli i revoltave popullore. Në Siri, pas vdekjes së presidentit Hafez al-Assad më 2000, i cili këtë vend e sundoi që nga viti 1971, postin e tij e trashëgoi i biri Bashar. Në Libi, Muamar Gadafi përgatit për fron birin e tij, Mutasimin. Në Tunizi dhe Egjipt, Ben Ali dhe Mubarak gjithashtu përgatitnin të bijtë e tyre për trashëgimin e fronit presidencial, deri sa nuk u dëbuan nga pushteti. Diçka e ngjashme përflitet për Jemenin. Në Jordani dhe Arabi Saudite një gjë e tillë është e garantuar ligjërisht, meqë këto vende janë monarki. Diktatorë dhe regjime autoritare në këto vende ka mjaft, dhe shembulli që dha populli i Tunizisë dhe tani ai i Egjiptit do të ndjellë frikë të mjaftueshme te të gjithë këta se sundimi i tyre nuk është edhe aq i garantuar dhe aq i përhershëm.

Por lëvizja në Egjipt nuk është pëfundimi i vonuar një historie të demokratizimit që më në fund arrin në botën arabe. Përkundrazi, ngjarjet në Egjipt janë spektri i një vale të re të lëvizjeve demokratike popullore në shekullin XXI. E veçanta e Egjiptit është se revolucioni atje ndodhi në kushte krejt të tjera nga revolucionet e Evropës lindore më 1989. Në dallim prej vendeve të Evropës lindore që i takonin një blloku armiqësor ndaj SHBA-ve, Egjipti është shtet klient i SHBA-ve. Mubaraku ishte në pushtet pjesërisht si pasojë e mbështetjes politike, ushtarake dhe financiare që gëzonte ky autokrat nga Washingtoni. Revolucioni ishte tjetërfarë edhe nga të ashtuquajtura revolucionet me ngjyrë (sikur ai në Ukrainë ose Gjeorgji, apo rënia e Millosheviqit në Serbi), ku financimi dhe përkrahja perëndimore luajti rol kyç në organizimin e opozitës dhe në përcaktimin kahjes së zhvillimeve të mëpastajme. Leksioni këtu është i dyfishtë, si për regjimet autoritare e të korruptuara sikur atij të Egjiptit, ashtu dhe për politikën e jashtme perëndimore. Për të parët, është se fshehja prapa mbështetjes perëndimore nuk i përligj të këqijat e këtyre regjimeve. As mbështetja e jashtme, e as aparati represiv i brendshëm nuk i bën ata imun nga kryengritja popullore. Për të dytet, është se mbështetja e autokratëve dhe liderëve të korruptuar është në kundërshtim jo vetëm me vlerat perëndimore në të cilat thirren këto shtete dhe që i predikojnë botës, por është pengesa kryesore për arritjen e aspiratave demokratike të popujve të botës. Prandaj edhe leksioni kryesor dhe më i madhi i Egjiptit është për popujt e botës që synojnë demokraci reale kundër regjimeve represive dhe padrejtësive sociale: nuk ka forcë që mund të ndalë dhe as të pengojë shpërthimin popullor për demokraci, liri dhe barazi.

Botuar te Koha Ditore, 13 shkurt 2011

Ndiqe

Get every new post delivered to your Inbox.

Join 101 other followers