Arkiva Kategorie: Kriza e eurozonës

Transformimi i bazës së rritjes ekonomike në Shqipëri pas 2008-ës

një postim të kaluar, kam analizuar trendin e rënies ekonomike në Shqipëri gjatë viteve të fundit. Fatkeqsisht, të dhënat e reja për tremujorin e tretë të vitit 2012, të botuara nga INSTAT, nuk japin shenja të mira përsa i përket ndryshimit të këtij trendi. Duhet patur parasysh se llogaria e Prodhimit Bruto të Brendshëm (PBB-së) të ekonomisë së Shqipërisë, që nxjerr INSTAT-i, bëhet sipas qasjes së prodhimit ose të vlerës së shtuar (value-added). Kjo llogari ka përparësi ndaj formës standarde të llogarisë së shpenzimeve (expenditure approach) sepse na bën të mundur të mësojmë për aktivitetet ekonomike të sektorëve të veçantë të ekonomisë dhe kontributin e tyre në rritjen ekonomike. Andaj, sikur herën e kaluar, mund të shohim kontributin e disa sektorëve kyç në PBB-në e ekonomisë shqiptare gjatë periudhës së fundit raportuese për vitin 2012. Shifrat e raportuara nga INSTAT tregojnë për një rritje të lehtë ekonomike të vit-për-vitshme në çerekun e tretë të vitit 2012 për 2,7%, me rritje prej 5,6% në sektorin bujqësor, 11,4% në sektorin industrial, një rënie prej -16,5% në sektorin e ndërtimeve e kështu me radhë.

Por, llogaria e PBB-së në qasjen e prodhimit gjithashtu regjistron luhatjet sezonale. Dhe, si gjithnjë, me rëndësi është trendi. Shikuar kështu, trendi i rritjes ekonomike në Shqipëri megjithatë vazhdon të shkojë drejt rënies ose, shprehur më saktë, një ritmi më të vogël të rritjes. Më poshtë jepet grafiku që paraqet këto të dhëna.

Trendi i rritjes së PBB-së në Shqipëri, 2005 – T3-2012

Trendi i rritjes së PBB-së në Shqipëri, 2005 – T3-2012

Rënie të veçantë, si në të kaluarën, regjistron sektori i ndërtimeve, i cili për një pjesë të mirë të viteve 2000 ka qenë ndër sektorët më dinamik të ekonomisë shqiptare. Rënia e vazhdueshme e aktiviteteve të ndërtimit regjistrohet në grafikun më poshtë (kaltër). Aty po ashtu shihet trendi relativisht i njëjtë i aktivitetit industrial (kuq) dhe një rikthim i rritjes së këtij sektori pas një rënie serioze gjatë vitit 2011.

Sektori industrial dhe ai i ndërtimeve në PBB-në shqiptare, trendet.

Sektori industrial dhe ai i ndërtimeve në PBB-në shqiptare, trendet.

Se sektori i ndërtimeve, në veçanti, është në rënie, shihet në grafikun më poshtë, që vlerëson këtë sektor që nga viti 2010. Aty shihet se trendi negativ është si afatgjatë ashtu dhe afatmesëm, çka tregon për një rënie të theksuar të investimeve të reja në ndërtime. Si në të kaluarën, lidhur me këtë trend është edhe trendi i rritjes së borxheve të këqija, më të lartat në rajonçka tashmë ka çuar edhe në reagimin e FMN-së, pasi që një pjesë e madhe e kredive në Shqipëri janë derdhur në ndërtime. Sektorin e ndërtimeve e ka dëmtuar edhe zvogëlimi i investimeve publike në infrastrukturë dhe mospagimi i borxheve nga qeveria, pasi që duket që Berisha ka vendosur ta zgjidh problemin fiskal të qeverisë së tij duke mos i kryer detyrimet ndaj kontraktorëve të saj. Ndërkaq, kërkesa private ka mundësi të jetë në rënie edhe nga shkaku i rënies së remitancave, pasi që, sipas disa studimeve, emigrantët janë investues të mëdhej në patundshmëri në Shqipëri (si një formë e kursimit të të ardhurave të fituara jashtë). Goditja e dyfishtë, pra tërheqja masive dhe e njëkohësishme e investimeve publike dhe private nga ndërtimet tregon për një periudhë jashtëzakonisht të keqe për ndërtimtarët në Shqipëri.

Aktiviteti në sektorin e ndërtimeve, T1-2005 – T3-2012

Aktiviteti në sektorin e ndërtimeve, T1-2005 – T3-2012

Trend tjetër shqetësues është sëmundja e inflacionit, që ka kapluar tërë rajonin e Ballkanit. Ky trend po vazhdon në Shqipëri (ndonëse jo në nivele të larta si në Kosovë dhe Serbi), mirëpo, siç tregon grafiku më poshtë, inflacioni gjatë vitit 2012 ka qenë pak a shumë në nivel stabil.

Indeksi i Çmimeve të Konsumit, ndryshimi, janar 2006-nëntor 2012

Indeksi i Çmimeve të Konsumit, ndryshimi, janar 2006-nëntor 2012

Papunësia, ndërkaq, gjithashtu mbetët në nivel të njëjtë prej rreth 13.3%. Ka shpesh akuzime se INSTAT manipulon me të dhënat e papunësisë. Nuk di për vërtetësinë e kësaj. Por, nga ajo që di është se INSTAT definon pjesëtarët e familjeve rurale që jetojnë nga vetëprodhimi bujqësor si “të punësuar”. Kjo dukshëm nënvlerëson numrin e vërtetë të të papunëve, pasi që familjet rurale që jetojnë nga toka dhe vetëprodhimi janë pjesë margjinale e strukturës ekonomike dhe larg së qeni “të punësuar” në kuptimin e pjesëmarrjes në ekonominë formale të punës. Sido që të jetë, më poshtë janë shifrat zyrtare për papunësinë.

Shkalla e papunësisë në Shqipëri, 1997-2012.

Shkalla e papunësisë në Shqipëri, 1997-2012.

Një moment pozitiv në trendet ekonomike në Shqipëri është rritja e eksporteve. Ky është një trend kurioz për disa arsye. E para, se Shqipëria, më tepër se vendet tjera të Ballkanit, zhvillon tregti me Greqinë dhe Italinë, dy nga vendet e prekura thellë nga kriza e eurozonës. E dyta, është fakti se trendi i rritjes së eksporteve e ka ngritur nivelin e eksporteve shqiptare përtej nivelit që kishin para krizës financiare të vitit 2008. Ky nivel ishte tejkaluar qysh më 2010 ndërsa në krahasim me vitin 2007 eksportet janë dyfishuar. Ky fakt më bën të kem pak më shumë optimizëm për ecurinë ekonomike në Shqipëri (në dallim, p.sh., nga Kosova, e cila është në një situatë të dëshpëruar).

Eksportet e Shqipërisë (në miliona euro), 2004-2012.

Eksportet e Shqipërisë (në miliona euro), 2004-2012.

Rritja e eksporteve shqiptare është një zhvillim “kundërciklik” në kontekstin e krizës së eurozonës, siç do ta quanin makroekonomistët. Në rritjen e eksporteve prijnë veçanërisht dy sektorë: ai i metaleve, mineraleve dhe i naftës, por siç shihet më poshtë, ka rritje edhe në sektorët prodhues: atë të këpucëve, i cili është sektor i madh eksportues i Shqipërisë (me prodhime “offshore” për firmat e jashtme, veçanërisht ato italiane), dhe ai i ushqimeve të përpunuara, që duket të jetë një sektor i ri në rritje. Rritja e grupit të parë (mineraleve, metaleve dhe naftës) ka të bëjë edhe me rritjen e çmimeve të këtyre komoditeteve në tregjet botërore (sidomos i naftës), mirëpo rritja e prodhimeve industriale është shenjë e mirë për të ardhmen e rritjes industriale të vendit.

Eksportet e Shqipërisë, sipas llojit (eksportet kryesore), 2008-2012, në miliardë lekë.

Eksportet e Shqipërisë, sipas llojit (eksportet kryesore), 2008-2012, në miliardë lekë.

Shikuar përgjithësisht, kemi disa zhvillime interesante në ekonominë e vendit. Rënies ekonomike të Shqipërisë po i kontribuon tkurrja e ashpër në sektorin e ndërtimeve. Kjo është indikative e dy gjërave. E para, se rritjes ekonomike bazuar në aktivitetet spekulative të ndërtimit dhe një qeverie me projekte të mëdha investuese në infrastrukturë (një pjesë e mirë e financuar me kredi të jashtme), që ka dominuar ekonominë shqiptare nga fillvitet 2000, i ka ardhur fundi. Kostoja e kësaj ende nuk dihet, por ai me sa duket do të paguhet më së shumti nga bankat, që kanë derdhur shuma të mëdha të kredive në këtë sektor, ndërtuesit, që tashmë ballafaqohen me rënie serioze të tregut, por edhe taksapaguesit shqiptarë, të cilët duhet të paguajnë për epshet e mëdha infrastrukturore të qeverisë Berisha. Nga ana tjetër kjo mund të kontribojë në rritjen e vlerës së patundshmërive në vitet që vijnë, që mund të jetë lajm i mirë për shumë familje shqiptare me prona të vogla. Trendi i dytë është që bartës i rritjes ekonomike në periudhën e paskrizës po bëhet gjithnjë e më shumë sektori industrial, veçanërisht ai eksportues. Kjo është shenjë e mirë për perspektivën e zgjerimit të bazës industriale të vendit, veçanërisht kur, sipas sondazheve vjetore të World Economic Forum, në Shqipëri, pronësia vendëse e distribuimit ndërkombëtar të mallrave të eksportit tejkalon të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe shtetet si Sllovenia, Çekia dhe Estonia, ndërsa po renditet gjithnjë e më lartë edhe në shkallën e sofistikimit të proceseve të prodhimit (por, me shtrirje të cekët të zinxhirit prodhues). Sido që të jetë, rritja e eksporteve është zhvillim kurioz pasi që, siç theksova më lartë, kriza e eurozonës ka shkaktuar tkurrje të eksporteve në pothuaj të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor. Mund të jetë kërkesa për mallra gjithnjë e më të lira në ekonomitë e dëmtuara evropiane që po stimulon kërkesën e prodhimeve shqiptare, por sido që të jetë, duket se Shqipëria, në njëfarë forme, po përfiton nga kriza.

Që ky trend të vazhdojë, natyrisht, Shqipëria duhet urgjentisht ta zgjidh problemin e energjisë, e cila po i kushon jo vetëm zhvillimit industrial, por edhe paraqet ngarkesë të përhershme për buxhetin e shtetit dhe problem për rritjen e borxheve edhe ashtu të mëdha publike, pasi që shteti duhet të vazhdojë të bëjë subvencionimin e importit të energjisë. Ky problem është përkeqësuar sidomos pas dështimit spektakular të modelit privatizues/neoliberal të qeverisë së Sali Berishës në këtë sektor (shih edhe këtë).

Elementi tjetër është ai politik – ndryshimi i bazës ekonomike gjithnjë ka implikime në koalicionet dominante politike, ashtu siç koalicionet dominante politike ndikojnë në kahjet e proceseve zhvillimore. Një gjë që dihet është se organizatat që përfaqësojnë interesat e kapitalit në Shqipëri janë të fragmentuara (p.sh., ekzistojnë, në nivel nacional, dhjetëra organizata përfaqësuese të biznesit, nga të cilat shtatë përfaqësohen në Këshillin Kombëtar të Punës). Ky fragmentim në nivel formal vetëm më tepër përforcon rëndësinë e lidhjeve direkte personale midis figurave të biznesit dhe të politikës, por që pothuaja pashmangshëm çon në mungesën e koherencës në politikat zhvillimore (siç dëshmon, ndër të tjera, refuzimi i Berishës i kërkesave të komunitetit të biznesit në prill 2012), pasi që interesat e ngushta dhe individuale shpesh bien ndesh me interesat kolektive të kapitalit. Indikative për këtë është edhe mosorientimi i qartë i politikave zhvillimore të qeverisë Berisha, e cila deklarativisht ka synuar gjithçka dhe gjithkë (infrastrukturën, eksportin, energjinë, turizmin, sektorin publik etj.), ndërsa ka akomoduar dhe privilegjuar një grup të përzgjedhur aleatësh (me synimin e zakonshëm korruptiv pasurimin e grupit politik në pushtet, bashkë me miqtë dhe të afërmit).

Sido që të jetë, do të jetë interesante të shihet se çfarë do të ndodh me mundësinë e çelur për ndryshime pas rënies spektakulare të ndërtimeve dhe e ekonomisë spekulative që ky ka gjeneruar për një kohë të gjatë dhe, ta quajmë kushtimisht, grupit politik që e ka përfaqësuar atë. Ndërkohë është e qartë se fraksioni i kapitalit që kontrollon sektorin e eksporteve, nëse vazhdon me trendin e rritjes, do të bëhet faktor gjithnjë e më i rëndësishëm politik, sidomos kur marrim parasysh që deri më tani, shumë prej kërkesave që kanë të bëjnë me lehtësimin e investimeve në industri janë injoruar (shih, p.sh., këtë dhe këtë). Transformimet ekonomike, sidomos gjatë momentit të kthesave dhe ristrukturimeve, janë gjithnjë trazuese për aleancat dominante shoqërore dhe politike, ndërkohë që trendet ekonomike japin shenja se Shqipëria është duke kaluar një periudhë të tillë, ku industritë eksportuese po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për procesin e akumulimit. Ajo që mund të thuhet është se qeverisja e re politike në Shqipëri, që do të formohet pas zgjedhjeve të sivjeme, do të duhet patjetër të thurrë aleancat me fraksionët në rritje të strukturës ekonomike, ose të paktën t’i marrë interesat e tyre në konsideratë (që është indikative nga rastet sikur ai i luhatjes së socialistëve përsa i përket kërkesave të Konfindustrisë për taksën e sheshtë). Sfida kryesore është nëse këto aleanca politike do të jenë mjaftueshëm të qëndrueshme dhe koherente politikisht që ta çojnë vendin drejt një cikli të ri të akumulimit pas atij 2000-2008, e cila do të mbështetet në rritjen e sektorëve prodhues eksportues si tekstili dhe agro-biznesi, jo vetëm në vëllim të eksporteve por edhe në thellimin dhe zgjerimin e zinxhireve të prodhimit (të ashtuquajtur zinxhirit të vlerës së shtuar – value chain). Në qoftë se (1) fillon e zgjidhet problemi i energjisë, (2) krijohen aleancat e duhura politike me sektorët “progresiv” të kapitalit, duke nxitur shtetin që të lehtësojë barrierat fiskale dhe financiare për investime në industritë eksportuese dhe (3) rrethanat në tregjet e jashtme vazhdojnë të jenë të volitshme, Shqipëria ka shans që në periudhën pas vitit 2013, ta kthejë motorin zhvillimor më larg aktiviteteve spekulative dhe “rritjes politike” me investime infrastrukturore dhe shumë më fuqishëm kah eksporti dhe një zhvillim më i qëndrueshëm industrial.

Komponentët e rritjes ekonomike në Kosovë

Dëgjojmë shpesh të trumpëtohet në Prishtinë për faktin se Kosova, gjatë viteve të fundit, ka rritjen më të madhe ekonomike në rajon. Kjo është e saktë, për sa kohë që ekonomitë rajonale janë prekur (në shkallë të ndyshme), fillimisht nga kriza financiare e 2008-ës, dhe më pas nga kriza e eurozonës që ka goditur sidomos disa nga partnerët kryesorë tregtarë dhe investues në rajon, si Greqia dhe Italia. Përderisa Kroacia dhe Serbia kanë përjetuar recesione, Maqedonia dhe Shqipëria rritje të vogla, Kosova për vitin 2012 pritet të regjistrojë rritje prej 3,9% të Prodhimit Bruto të Brendshëm (PBB).

Megjithatë, nuk duhet harruar se rritja ekonomike në Kosovë është pak a shumë afër mesatarës prej 2-4% që është regjistruar në ekonomitë tranzicionale gjatë vitit 2012, siç vlerësohet kjo nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Nga kjo pikëpamje, rasti i Kosovës nuk përbën aspak rast të devijimit nga norma. Aq më tepër që, gjykuar sipas përllogaritjeve të BERZH-it (dhe disa analizave të mia për rajonin e Ballkanit), recesionet ekonomike në periferi të Evropës nga viti 2008 kanë raport të drejtpërdrejtë me ekspozimin e ekonomive kundrejt eurozonës. Rëniet ekonomike, pak a shumë si rregull, kanë qenë më të ashpra në shtetet më shumë të lidhura me eurozonën, si në aspekt tregtar, ashtu dhe atë financiar. Që nga 2008-a, Kosova është kursyer nga goditjet më të rënda të krizës për shkak të ndërvarshmërisë së ulët të ekonomisë së saj me atë të eurozonës dhe të BE-së në përgjithësi. P.sh., Kroacia, e cila eksporton shumë në BE, ka humbur më shumë nga shkaku i krizës evropiane, në terma relativ, se sa Kosova, e cila eksporton shumë pak, sepse Kroacia ka tregje në BE, kurse Kosova jo.

Sido që të jetë, kjo analizë ka më pak të bëjë me atë se ku bën pjesë Kosova në krahasime rajonale, dhe më shumë me komponentët e rritjes ekonomike në Kosovë përgjatë viteve të fundit (deri në vitin 2011, pasi ato të vitit 2012 nuk janë akoma të plota). Në një mënyrë, kjo analizë i shpalos burimet e rritjes ekonomike duke analizuar komponentët përbërës të saj. Në të njëjtën kohë, kjo nxjerr në pah paqëndrueshmërinë e shtegut aktual të zhvillimit ekonomik në Kosovë, pavarësisht rritjes nominale ose reale të PBB-së.

Të nisemi nga termat absolut. PBB-ja në Kosovë është rritur nga 1,9 miliardë euro në vitin 2001 në rreth 4,9 miliardë euro në fund të vitit 2011. Rritja ekonomike në terma të PBB-së ka qenë e vazhdueshme përgjatë viteve të pasluftës. Trendi i rritjes ka vazhduar pas shpalljes së pavarësisë më 2008 dhe i ka mbijetuar krizës financiare të 2008-ës si dhe problemeve të thella ekonomike në Evropë në vitet e mëpasme.

Ajo që na intereson ne është zbërthimi i PBB-së në komponentët e saj. Një paraqitje vizuele e kësaj jepet më poshtë, duke përfshirë të gjitha komponentët e PBB-së para heqjes së importeve (që është pjesë e formulës për llogaritjen e PBB-së).

Komponentët e PBB-së në Kosovë, 2004-2011, para heqjes së importit.

Grafikoni 1. Komponentët e PBB-së në Kosovë, 2004-2011, para heqjes së importit.

Me sa shihet, në terma absolut, pjësen dërrmuese të shpenzimeve që llogariten në PBB e përbën konsumi i amvisërive (household consumption expenditure). Formimi i kapitalit (gross capital formation, që përfshin investimet private dhe ato publike, si p.sh. në infrastrukturë) janë komponenta e dytë, eksportet e treta kurse shpenzimet qeveritare (government, final consumption expenditure) e katërta. Elementi i fundit janë shpenzimet e donatorëve (në këtë rast, pagat e punonjësve për organizatat ndërkombëtare) që siç shihet përbëjnë pjesë gjithnjë e më të vogël të PBB-së.

GDP components share

Grafikoni 2. Pjesëmarrja e kompentetëve të PBB-së, sipas përqindjes.

Një imazh tjetër na paraqitet nëse analizojmë pjesëmarrjen e secilit komponent sipas përqindjes. Nga kjo shohim rritjen më të madhe relative të rolit të investimeve publike dhe të eksporteve kundrejt konsumit të amvisërive si bartëse të rritjes ekonomike (grafikoni 2).

Nga këto dy pamje duket se kemi një ecje të mirë të rritjes ekonomike, me rritjen e investimeve dhe të eksporteve. Mirëpo, siç dihet mirë, një nga problemet kryesore të ekonomisë së Kosovës është deficiti i lartë tregtar. Rritja e vazhdueshme e importeve “han” çdo rritje nominale ekonomike, sepse një pjesë e mbivlerës së krijuar në ekonomi nxirret jashtë vendit. Kjo është arsyeja pse Kosova, në vend se t’i ketë rreth 7,3 miliardë euro PBB në vitin 2011, i ka patur vetëm 4,9 miliardë. Kjo pjesë është “humbur” nga ekonomia e vendit përmes blerjes së mallrave të jashtme. Grafikoni më poshtë ilustron se si, përkundër rritjes modeste të eksporteve, importet janë rritur më shpejt, dhe për pasojë deficiti tregtar nga viti 2004 në vitin 2011 pothuajse është dyfishuar në gati -1,8 miliardë euro.

Deficiti tregtar (eksportet - importet) i Kosovës, 2004-2011.

Grafikoni 3. Deficiti tregtar (eksportet – importet) i Kosovës, 2004-2011.

Roli i shpenzimeve qeveritare në rritjen ekonomike është theksuar shpesh nga vëzhgues të ekonomisë kosovare dhe del në pah edhe nga grafikoni 2. Mirëpo, përtej përshtypjeve sipërfaqësore, për një analizë të mirëfilltë më të rëndësishme janë trendet. Kjo pasqyrohet në grafikonin më poshtë.

Rritja vjetore e konsumit të amvisërive (kaltër), investimeve (gjelbër) dhe shpenzimeve qeveritare (kuq). Vijat e holla shfaqin trendet për secilën.

Grafikoni 4. Rritja vjetore (në përqindje) e konsumit të amvisërive (kaltër), investimeve (gjelbër) dhe shpenzimeve qeveritare (kuq). Vijat e holla shfaqin trendet për secilën.

Nga kjo shihet qartë se rritjet e komponentëve të veçanta, nga viti 2004 nuk janë të barabarta. Konsumi i amvisërive, p.sh., gjatë viteve të krizës globale financiare 2008-09, ka rënë nga 16% në -2% (dhe Kosova nuk qenka prekur nga kriza!), ndërsa ka rënë gjithashtu edhe shkalla e rritjes së investimeve nga 26% në 9%. Por, ato që janë më të rëndësishime këtu janë trendet, që na bëjnë të mundur të dallojmë tendencat afatgjata nga luhatjet e përkohshme vjetore. Është e qartë se përderisa trendi i shpenzimeve të amvisërive është i pandryshuar (“flat” – vija e drejtë e ndërprerë e kaltër), shpenzimet qeveritare janë në rritje të përhershme (vija e drejtë e ndërprerë e kuqe). Në rritje janë edhe investimet, mirëpo edhe këtu, me lehtësi mund të supozojmë se bëjnë pjesë investimet kapitale të qeverisë, dhe veçanërisht pas vitit 2010 autostrada Morin-Merdare. Kjo na bën të konstatojmë se investimet dhe shpenzimet qeveritare janë pak a shumë bartësi kryesor i rritjes ekonomike, pasi që rritja ekonomike nuk po përkthehet në rritje më të madhe të nivelit të konsumit, çka domethënë se në mesatare, amvisëria kosovare nuk po bëhet më e pasur se që ka qenë, pasi që konsumi i vitpërvitshëm, mesatarisht, nuk po ndryshon.

Shifrat tregojnë qartë dallimin midis shkallës së rritjes së konsumit të amvisërive dhe atë të shpenzimeve qeveritare si pjesëmarrëse në PBB. Ndërsa shihet një vijë e qartë ndarëse para dhe pas vitit 2008. Para vitit 2008, rritja e shpenzimeve të konsumit të amvisërive ishte 6-16%, kurse pas vitit 2008, kjo shkallë bie në -2-10%. E kundërta vlen për shpenzimet qeveritare, që pas vitit 2007 (ardhjes në pushtet të qeverive Thaçi 1 dhe 2), rritën 10-17% në vit. Nëse kërkohet shpjegim për rritjen ekonomike në Kosovë pas vitit 2008, është ky.

Ndërsa ka indikacione të qarta në këto të dhëna se rritja ekonomike nuk po përkthehet në përmirësimin e gjendjes ekonomike të familjeve kosovare. Të dhëna solide për të ardhurat në Kosovë për momentin nuk kemi. Mirëpo, mund t’i nxjerrim disa indikacione nga të dhënat me të cilat posedojmë. Periudha pas vitit 2007 shënon një periudhë të rritjes enorme të inflacionit (shih më poshtë). Amvisëritë kosovare (në mesatare) jo që nuk janë bërë më të pasura, por kanë luftuar që t’i mbijetojnë shtrejtimit të përgjithshëm të kostos së jetesës. Logjika është kjo: po të kishim të bënim me një rritje të të ardhurave të familjeve kosovare si rezultat i rritjes ekonomike, do të pritnim një rritje të konsumit pavarësisht inflacionit. Çmimet shtrejtohen, por për shkak se të ardhurat janë më të mëdha, familja mund të konsumojë ato që ka konsumuar, si dhe ta shtojë konsumin edhe më tepër. Mirëpo, ajo që shohim është se pas vitit 2008, rritjet dhe rëniet e shpenzimeve të amvisërive janë diktuar pothuajse krejtësisht nga inflacioni. Këtë e ilustron më së miri sinkronizimi i përkryer që ekziston midis shkallës së rritjes së shpenzimve të konsumit të amvisërive dhe atë të inflacionit në grafikonin 5 më poshtë. Siç shihet qartë, pas vitit 2007, rritjet e shpenzimeve janë pak a shumë baraz me shkallën e inflacionit, që domethënë se “llufti” midis shpenzimeve të domosdoshme dhe atyre të shtuara (të konsumit përtej nevojave bazike), për shumë familje vetëm po zvogëlohet. Para vitit 2007, përderisa inflacioni kishte rritje të vogël, ose madje kishte edhe deflacion (rënie të çmimeve), shpenzimet rriteshin për rreth 5% në vit, që tregon për një lloj pasurimi të amvisërive, që shpenzojnë më shumë se në vitin e shkuar. Mirëpo, pas 2008-ës, rritja e shpenzimeve është shumë afër shkallës së inflacionit, çka tregon se familjet kosovare po detyrohen të shpenzojnë më shumë vetëm që të ruajnë standardin aktual të jetës, ndërkohë që rritjet e shpenzimeve nuk po kompenzohen me rritje të të ardhurave. Thënë troç: familja mesatare në Kosovë nuk ka përfituar fare nga rritja ekonomike në Kosovë nga viti 2008.

Inflacioni në Kosovë nga viti 2002.

Inflacioni në Kosovë nga viti 2002.

Grafikoni 5. Shkalla e rritjes së shpenzimeve të konsumit të amvisërive (kaltër) dhe shkalla e rritjes së inflacionit (kuq). Amvisëria kosovare nuk po pasurohet, por po shpenzon më tepër vetëm që t'i bëjë ballë inflacionit.

Grafikoni 5. Shkalla e rritjes së shpenzimeve të konsumit të amvisërive (kaltër) dhe shkalla e rritjes së inflacionit (kuq). Që nga viti 2007, amvisëria kosovare nuk po shpenzon më tepër sepse po bëhet më e pasur, por po shpenzon më tepër që t’i bëjë ballë inflacionit.

Këtu hyn edhe një element tjetër interesant, që dëshmon për plotësimin e nevojave të financimit të amvisërive në kushtet e inflacionit të lartë. Duket se ekziston një korrelacion i drejtpërdrejtë midis rritjes së konsumit të amvisërive dhe të rritjes së nivelit të borxheve të sektorit privat (shih grafikonin 5 më poshtë). Me fjalë të tjera, për ta mbajtur nivelin e shpenzimeve (për të përballuar shtrejtimin e jetës), amvisëritë kosovare po futen në borxhe gjithnjë e më të mëdha. Duke marrë parasysh se në Kosovë huatë bankare merren me norma ta papara interesi, ngarkimi i amvisërive kosovare me borxhe do të ketë pasoja afatgjata nëse investimet e bëra nga amvisëritë (p.sh., në patundshmëri) nuk ruajnë qëndrueshmërinë e tyre.

Rritja e konsumit të amvisërive në PBB, rritja e importeve dhe rritja e borxhit të sektorit privat.

Grafikoni 6. Rritja e konsumit të amvisërive në PBB (sipër), rritja e importeve (mes) dhe rritja e borxhit të sektorit privat (poshtë).

Rritja vjetore e konsumit të amvisërive dhe e kredive.

Grafikoni 7. Rritja vjetore e konsumit të amvisërive (kaltër) dhe e borxheve në sektorin privat (gjelbër).

Sidomos grafikoni i mësipërm (7) ilustron ndërlidhshmërinë e thellë midis shpenzimeve të amvisërive dhe të rritjes së borxheve të sektorit privat në ekonominë kosovare. Në këtë grafikon, ku tregohet rritja vjetore e këta dy indikatorëve, shihet një sinkronizim relativisht i fortë midis këtyre dyjave, ndërkohë që shkalla e rritjes së borxheve është më e lartë se sa shkalla e rritjes së konsumit. Natyisht, po të kishim të dhënat e vitit 2012, do të kishim një pasqyrë edhe më të plotë. Ndërsa shpresoj që ta plotësojë analizën kur të botohen këto të dhëna, trendet na bën të kujtojmë se ndryshimet nuk do të jenë edhe aq drastike.

Çka domethënë kjo? Natyrisht, kjo është analizë tejët e kufizuar për të ardhë në konstatime solide. Mirëpo, nga këto që shohim këtu i kemi dy përfundime paraprake. E para është se rritja e PBB-së në Kosovë është rezultat kryesisht i rritjes së shpenzimeve qeveritare dhe i investimeve (sidomos atyre në infrastukturë), dhe jo i rritjes së konsumit (çka do të nënkuptonte edhe rritje të të ardhurave) të amvisërive kosovare, që janë në trend të njëjtë prej vitesh. Ky trend madje ishte rrezikuar nga kriza e vitit 2008. Që nga atëherë, amvisëria mestare kosovare nuk shpenzon më tepër se është më e pasur, por sepse duhet t’i bëjë ballë shtrejtimit të kostos së jetesës.

E dyta është se rritja e konsumit po kushtëzohet gjithnjë e më shumë nga kredidhënia, çka nënkupton se një pjesë të rritjes ekonomike po e financon borxhi në rritje i sektorit privat. Ndërkohë që rritja eksponenciale e deficitit tregtar dëshmon se zhvillimi industrial që do të rezultonte në rritje të eksporteve dhe zëvendësim të importeve nuk është duke ndodhur në shkallë të mjaftueshme për të parandaluar rritjen e importeve.

Çka do të thotë kjo në aspektin e një analize ekonomike politike, e cila nuk mund të mjaftohet vetëm me shifra pa analizuar marrëdhëniet shoqërore dhe raportet klasore që konstituojnë strukturën ekonomike? Mund të shtrohet një hipotezë, që besoj se është mjaftueshëm e qëndrueshme: se përfituesit më të mëdhej nga rritja ekonomike në Kosovë (krejt, si gjithnjë, në terma relativ) nuk është familja mesatare në Kosovë, por janë importuesit (si pasojë e tregut në rritje për importe), kontraktorët e qeverisë (si pasojë e rritjes së shpenzimeve dhe të investimeve qeveritare) dhe bankat (si pasojë e rritjes së borxheve). Kemi pra tri fraksione klasore që dominojnë ekonominë kosovare: kompradorët (kapitalistët tregtarë të mallrave të jashtme), kapitalistët politikë (biznesmenët e lidhur sidomos me partinë në pushtet, përfitues nga kontratat qeveritare) dhe kapitali i organizuar financiar (bankat, që në Kosovë janë kryesisht të huaja). Ajo që është e përbashkëta e këtyre tre fraksioneve shoqëroro-ekonomike është rentierizmi. Në terma ekonomik, renta, kundrejt profitit, është përfitim i realizuar përmes aktiviteteve “joproduktive”, në kuptimin ekonomik të fjalës. Çështja është se, në terma ekonomik, ndonëse importuesit, kontraktorët e qeverisë dhe bankat, si organizata komerciale, realizojnë “profit”, ky “profit” rezulton jo nga risku i ndërmarrë nga investimet në krijimin e kapitalit produktiv, por nga kontrolli dhe monopoli mbi resurse të caktuara – rrjedhes së mallrave nga jashtë (kompradorët), kontrolli i parave (bankat) dhe të lidhjeve të privilegjuara politike (kapitalistët politikë). Ndonëse rentierizmi është i pranishëm gjithandej ekonomive kapitaliste, në Kosovë kapitalizmi rentier përbën formën dominante të akumulimit të kapitalit, pasi që sektorët rentierë përbëjnë sektorët më “profitabil” të ekonomisë kosovare.

Pyetja është, sa është i qëndrueshëm ky kurs, në terma të pastër ekonomik? Faktori i parë është se, pa një rritje reale të bazës industriale, investimet qeveritare, sidomos ajo në të cilën është përqëndruar qeveria Thaçi 2 (infrastuktura rrugore), do të paraqesin një barrë gjithnjë më të madhe dhe më të paqëndrueshme fiskale. Shteti i Kosovës, megjithatë, ka kapacitete të ulta financiare (lidhur me këtë shih këtë dhe këtë shkrim timin) dhe nuk përballon dot një rritje të deficiteve çfarë kërkon ruajtja e shkallës aktuale të rritjes së shpenzimeve. Ndërkohë që, struktura e dobët eksporteve (shënim: linku çon në blog-un tim në gjuhën angleze) dëshmon se pozicionimi i Kosovës në ekonominë rajonale, evropiane dhe botërore nuk po tregon shenja përmirësimi. E dyta është se, mbështetja në rëmitanca nuk mund të vazhdojë pafundësisht. Nëse Kosova ndjek trendet e shteteve tjera të rajonit, pas një periudhe, remitancat do të bien, pavarësisht zhvillimeve ekonomike, si pasojë e trendeve demografike. E treta është se, kredidhënia në Kosovë po derdhet kryesisht në ndërtimtari dhe shërbime tregtare, çka dëshmon se nuk ka ndryshim në strukturën e investimeve në Kosovë, jashtë atyre që janë bërë këto dhjetë vitet e fundit. Kjo do të thotë se edhe rritja e kredive, që edhe ashtu është zvogëluar që nga viti 2008, mund të shkojë drejt zvogëlimit të mëtejmë, sidomos nëse ka rritje të kredive të këqija, çka mund të rezultojë në rritjen e mëtejme të normave të interesit (bankat kurrë nuk mund ta ndalin tërësisht kredidhënien, pasi që synimi i tyre është një optimum midis riskut dhe fitimeve nga stoku i kredive, që llogaritet në normën e interesit). Krejt këto dëshmojnë për nevojën për një ndryshim radikal të kursit ekonomik, por i cili domosdoshmërisht duhet të paraprihet nga një thyerje politike e aleancave (eksplicite e implicite) shoqërore e klasore që ruajnë dhe përfitojnë nga struktura e kapitalizmit rentier në Kosovë. Le të jetë ky urimi im jomodest për vitin 2013.

Rënia ekonomike në Shqipëri

Me kohë ishte parashikuar se kriza e eurozonës do të ndikojë negativisht në rritjen ekonomike në Shqipëri. Gjithkush përveç kryeministrit Sali Berisha e kishte pranuar këtë realitet, dhe fakti se rritja ekonomike e Shqipërisë tashmë ka kaluar në trend negativ u konfirmua edhe të dhënat e fundit të nxjerrura nga INSTAT. Sipas INSTAT, në tremujorin e parë të këtij viti, rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) (me qasjen e prodhimit ose “value-added”) në Shqipëri ishte -0,2%. Rënien më të madhe e shënojnë industria dhe ndërtimtaria, dy sektorë kyç të ekonomisë shqiptare. Kjo e fundit veçanërisht ishte e lidhur ngushtë me rritjen ekonomike të Shqipërisë gjatë viteve të fundit, të dëshmuar edhe me boom-in në ndërtim që ka përjetuar ky vend gjatë viteve të fundit.

Se boom-it të ndërtimtarisë po i vjen fundi apo se tashmë edhe ka mbaruar, vërtetohet edhe nga të dhënat e INSTAT-it përsa i përket pjesëmarrjes së këtij sektori në PBB. Grafikoni më poshtë paraqet të dhënat e INSTAT-it, duke shënuar trendin e rënies që ky sektor po përjeton që nga viti 2005. Për shkak se të dhënat përfshijnë lëvizjet sezonale, treguesi kryesor është ai i trendit të përgjithshëm. Përveç se trendi që nga viti 2006 është drejt rënies, shihet se edhe piku i aktivitetit, i arritur zakonisht në mes të çerekut të parë (Q1) dhe çerekut të dytë (Q2) të vitit, është në rënie të vazhdueshme. Ajo që është më shqetësuese është se çereku i parë i këtij viti po shënon rënie, çka mund të paralajmërojë një vit me aktivitet të ulët gjatë këtij viti në këtë sektor.

Rënia në aktivitetet e ndërtimtarisë lidhet gjithashtu me një tregues tjetër, atë të kredive të këqija që sipas Shoqatës Shqiptare të Bankave vijnë kryesisht nga ky sektor. Kështu, rrudhja e kredidhënies (që po ndodh përkundër rritjes së madhe të depozitave, që besohet të jetë kryesisht nga emigrantët që po i sjellin kursimet nga Greqia) po e godet më së shumti këtë sektor. Konservatorizmi bankar pritet të vazhdojë përderisa mbi bankat evropiane rëndon kriza e eurozonës, së cilës akoma nuk po i shihet fundi (dhe, çka është më e keqja, ai fund mund të jetë vetë shpërbërja e Unionit Monetar). Përderisa remitancat janë në ulje, bankat kufizojnë likuiditetin dhe shteti shqiptar përballet me nevojën e servisimit të borxheve (që aktualisht konsumojnë pjesën më të madhe të buxhetit publik), perspektiva ekonomike e Shqipërisë sivjet duket mjaft negative. Një element pozitiv është se eksportet janë në rritje, por edhe ky indikator është mjaft i pasigurt pasi që shumica e eksporteve shqiptare shkojnë drejt Italisë, dhe ky treg mund të tkurret përderisa Italia përballet me recesion.

Ndryshimi vit-në-vit (në përqindje) i pjesëmarrjes së ndërtimtarisë si pjesë e PBB të Shqipërisë, sipas çmimeve të vitit 2005 (lek).

Ndryshimi vit-në-vit (në përqindje) i totaleve të vlerës së shtuar si pjesë e PBB të Shqipërisë, sipas çmimeve (lek) të vitit 2005.

Rënia ekonomike në Shqipëri duhet të çmitizojë çdo pretendim se gjoja ekonomia shqiptare është e izoluar nga kriza e eurozonës. Ajo gjithashtu duhet të çmitizojë pretendimet e qeverisë së Sali Berishës për suksesin e politikave të saj ekonomike në krijimin e një “mrekullie ekonomike” në Shqipëri. Tashmë është evidente se ekonomia shqiptare nuk ka gjeneruar motorë të qëndrueshëm të brendshëm të rritjes që e bëjnë atë të pandikuar nga trendet e ekonomisë evropiane. Për më tepër, trendet e kapura nga indikatorët e INSTAT bëjnë të ditur se rënia e aktiviteteve prodhuese në ekonominë shqiptare janë trend afatmesëm i cili vijon që nga viti 2005 dhe jo rezultat vetëm i krizës imediate në Greqi ose gjetiu në eurozonë.

Trendi rënies në një mënyrë vërteton vartësinë e thellë të vendit nga remitancat, borxhet e jashtme dhe investimet publike. Nuk jam i tillë që jep vlerësime pa mbështetjen e të dhënave, por kam bindjen se nën qeverisjen e Sali Berishës, kjo varshmëri është intensifikuar, dhe jo zvogëluar (p.sh., si tregues i kësaj mjafton të merret parasysh trendi i rritjes së borxhit të jashtëm). Borxhi i jashtëm nuk është medoemos diçka e keqe, por rritja e borxhit pa rritje të aktivitetit prodhues tregon se kapitali i ardhur nuk po përfundon i investuar në zgjerimin e aktiviteteve produktive. Përderisa borxhi i jashtëm shqiptar është rritur që nga viti 2005, aktivitetet prodhuese janë në rënie, siç bëjnë të ditur të dhënat.

Duhet theksuar se përkundër veçantive të veta, Shqipëria nuk dallon nga ekonomitë tjera të Ballkanit dhe statusit të rajonit të një nënperiferie të ekonomisë evropiane, në varshmëri të plotë tregtare dhe financiare me ekonomitë qëndrore të kontinentit. Nga kjo perspektivë, është ndoshta paradoksale se sa pak lidershipet përkatëse të këtyre shteteve kërkojnë adresimin sa më urgjent të krizës ekonomike evropiane. Në të njëjtën kohë, në shprehje është edhe trendi tjetër, ku këto shtete (përfshirë edhe Shqipërinë), të cytur nga kriza aktuale, po synojnë aleanca të reja ekonomike me partnerë jashtë BE-së si Turqia (Shqipëria dhe Kosova), Rusia (Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia), Kazakstani (Maqedonia), apo edhe Kina (të gjithë!). Ky trend është vetëm në fillim, por sa më shumë të zgjasë kriza në Evropë, aq më tepër vendet e nënperiferisë ballkanike do ta kërkojnë shpëtimin për ekonomitë e tyre jashtë BE-së. Kjo vetëm nënvizon edhe kostot gjeopolitike të krizës së eurozonës, megjithëse një diversifikim i shtuar ekonomik tregtar dhe financiar nuk është medoemos zhvillim i keq për këto vende. Tek e fundit, është eksporti në Kinë që po e shpëton ekonominë gjermane, në kohën kur e gjithë BE-ja është në flakë. Por, mbi këto në një shkrim tjetër të ardhshëm!

Shënim: Maqedonia tregon paqëndrueshmërinë e lartë të ekonomive të Ballkanit

Vitin e kaluar, Banka Botërore kishte parashikuar rritje ekonomike në Republikën e Maqedonisë për 3%, ndërsa rritje optimiste prej 4,5% për vitin 2012, duke quajtur Maqedoninë si vendin me rritjen më të madhe në Ballkan për vitin 2012. Parashikimi për vitin 2011 doli të jetë i saktë, por numri në vetëvete fsheh trendin e rënies që shënon tërë vitin 2011. Ndonëse rritja mesatare gjatë vitit 2011 ishte 3,3%, që nga çereku i parë i 2011 (Q1) trendi është negativ, duke vazhduar ritmin e ngadalësimit në çerekun e parë të 2012-ës me rritje negative prej -1,4%. Është vështirë e besueshme se tani Maqedonia do të arrijë rritje prej 4,5% gjatë këtij viti. Në trend negativ të rritjes sivjet është edhe Kroacia, ndërkohë që sondazhet tregojnë për rënie të prodhimit industrial në ekonomitë kryesore të Ballkanit. Në Maqedoni ndikimi më i madh duhet të jetë nga tkurrja e investimeve greke, që gjithashtu po godasin Shqipërinë dhe Bullgarinë. Prodhimi industrial në Maqedoni është rreth 17% më i ulët se sa ka qenë më 2007 ndërkohë që eksportet janë në rënie që nga çereku i dytë i 2011-ës. Në Shqipëri tashmë ndihet qartë efekti i rënies së vazhdueshme të remitancave, që vijnë kryesisht nga Greqia dhe Italia, dy shtete të përfshira nga problemi i borxheve sovrane.

Sido që të jetë, rasti i Maqedonisë ilustron paqëndrueshmërinë e madhe ekonomike të vendeve të Ballkanit në kushtet e krizës së eurozonës. Spiralja e tëposhtëzes ekonomike, një ‘tipping point’ nga trendi pozitiv në atë negativ mund të arrihet shpejt, që në shtetet me papunësi të madhe krijon degjenerim të shpejt të gjendjes sociale të popullatës dhe jostabilitet politik. Tkurrja ekonomike gjithashtu shkakton problem në qëndrueshmërinë e shpenzimeve publike dhe në shërbimet si arsimi dhe shëndetësia, si dhe në investimet kapitale. Këto probleme bëhen më të ndërlikuara në shtetet me nivel të lartë të borxheve.

Mësimi kryesor që duhet të nxirret nga rasti i Maqedonisë është se përderisa kriza në eurozonë vazhdon, secili vend i Ballkanit i nënshtrohet rrezikut të madh të përkeqësimit të shpejt të gjendjes ekonomike.

Remitancat në Shqipëri

Remitancat janë një nga motorët kryesor të rritjes ekonomike në Shqipëri. Si ekonomi, Shqipëria ka një vartësi të lartë në remitancat e emigrantëve jashtë vendit. Në disa sondazhe del se ekzistenca e një çereku të njësive familjare në Shqipëri varen nga remitancat, që është një nga shkallët më të larta në botë (në këtë kategori hyn edhe Kosova), ndërkohë që llogaritet se vendi ka rreth një milion emigrantë që punojnë jashtë vendit, kryesisht në Greqi dhe Itali. Kriza ekonomike në Greqi dhe Itali tashmë po tregon efektet e veta në remitanca, që janë në rënie e sipër që nga viti 2007. Të dhënat e mëposhtme nga Banka e Shqipërisë tregojnë për këtë rënie të vazhdueshme të remitancave. Ky është një tregues i keq për ekonominë shqiptare, pasi që pritet që remitancat të vazhdojnë trendin e rënies edhe gjatë këtij viti.

Pasojat e përjashtimit të Greqisë nga eurozona

Të hënën që shkoi, gjatë një vizite në një shkollë të mesme në Berlin, kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se “Greqia do të jetë gjithmonë anëtare e BE-së”. Pyetja në fakt ishte nëse Greqia do të vazhdojë të mbetët pjesë e unionit monetar evropian, me euron si monedhë të përbashkët. Përgjigja e znj. Merkel lë të nënkuptuar se çfarë mendon ajo për perspektivën e Greqisë si anëtare të eurozonës.

Po atë ditë, në takimin e ministrave të financave të vendeve të BE-së, diskutimet u përqëndruan më shumë në kufizimin e dëmit që do të bëjë dalja e Greqisë nga eurozona, se sa përpjekjet për mbajtjen e këtij vendi brenda unionit monetar.

Zhvillimet politike në Evropë kanë krijuar një moment kthese në kontinent. Mirëpo Evropa është ende para udhëkryqit, dhe zhvillimet e ditëve dhe javëve që vijnë do të jenë përcaktues për fatin e unionit monetar, por edhe BE-së në përgjithësi.

Më 6 maj, në Francë ndodhi fitorja e pritshme e socialistit Francois Hollande në garën presidenciale, duke privuar nga mandati i dytë (për herë të dytë në historinë e Republikës së Pestë të Francës) Nicholas Sarkozy-in nga radhët e konservatorëve. Në Greqi, ndërkaq, uragani politik i zgjedhjeve të 6 majit i dha fund dominancës disa dekadëshe të dy partive të mëdha, Demokracia e Re dhe PASOK, duke sjellur në radhë të dytë me numër votash grupin e majtë Syriza.

I ashtuquajtur pakt fiskal i Evropës, si dhe marrëveshja e veçantë për borxhin grek e arritur në fillim të këtij viti në mes të fuqive të qendrës dhe qeverisë Papademos në Athinë, po sfidohet si në qendër nga fitorja e Hollande në Francë, ashtu dhe në periferi nga fuqia elektorale e Syriza-s dhe grupeve të tjera që janë kundër masave të thella shkurtuese që i imponohen shtetit grek në kthim për infuzionin e vazhduar të parave nga Banka Qëndrore Evropiane (BQE), Mjeti Evropian për Stabilitet Financiar (EFSF) dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Problemi është se pa këtë infuzion parash Greqia do të kolapsojë financiarisht. Sipas një memorandumi të qeverisë greke, pa të hyrat nga BE-ja dhe FMN-ja, deri në korrik thesari grek do të jetë bosh.

Këtu qëndron i tërë problemi. Merkel, ashtu si ministri i saj i financave Wolfgang Schaeuble dhe shefi i Bundesbankës Jens Weidmann, vazhdojnë të ngulin këmbë se respektimi i marrëveshjes, që i kërkon Greqisë të shkurtojë buxhetin e saj për 325 miliardë euro gjatë tri viteve të ardhshme, është absolutisht i nevojshëm që Greqia të vazhdojë të marrë infuzionin e parave nga fondet evropiane, të financuar kryesisht nga Gjermania dhe shtetet tjera të qendrës.

Nga ana tjetër, implementimi i programit të shkurtimeve po tregohet shkatërrimtar për Greqinë. Që nga viti 2010, kur filloi implementimi i shkurtimeve, ekonomia greke është në tkurrje të thellë, të krahasueshëm vetëm me depresionin kapitalist euro-amerikan të viteve 1930. Deri në vitin 2015, vlera e ekonomisë greke llogaritet të zvogëlohet deri në një të pestën e vlerës së saj më 2008. Përveç shkurtimeve drastike, Greqisë, ashtu si shteteve të tjera të periferisë si Spanja, Portugalia dhe Italia, po i kërkohen të ashtuquajtura “reforma strukturore”, që në thelb kanë të bëjnë me shkurtimin e të drejtave të punëtorëve (p.sh., zvogëlimin e pagave dhe lehtësimin e përjashtimeve nga puna), nën konceptin neoliberal të nxitjes së “konkurrueshmërisë”. Përveç kësaj, siç argumentojnë edhe komentatorët liberalë siç është p.sh. revista The Economist, shkurtimet buxhetore në periudhë krize ekonomike janë vetëvrasëse – sa më e tkurrur ekonomia, aq më i lartë niveli i borxheve. Shkurtimet përkeqësojnë mundësitë e shtetit grek për t’i servisuar borxhet e veta. Madje, edhe masat aktuale të shkurtimeve parashihen se deri më 2015 do ta zvogëlojnë barrën e borxhit grek nga rreth 160% në “vetëm” 120% të Bruto Prodhimit të Vendit.

Qorrsokaku politik në të cilin gjendet Evropa sot është rezultat i jogatishmërisë, sidomos në Gjermani dhe shtetet tjera të qendrës, për reforma më të thella dhe më serioze në Evropë. Zgjidhja për Greqinë dhe për vendet tjera të periferisë nuk janë imponimet e masave drastike shkurtuese, që do t’i çojnë këto shtete në një katastrofë ekonomike dhe shoqërore, barra e së cilës do të paguhet në radhë të parë nga gjenerata e re (papunësia ndër të rinjët nën moshën 25 vjeçare është deri në 50% në shtetet si Spanja dhe Greqia). Ndër zgjidhjet është edhe lansimi i eurobond-eve, apo bono të përbashkëta të unionit monetar të lëshuara nga BQE-ja, që është një nga propozimet e presidentit të porsazgjedhur francez Hollande. Merkel, ndërkaq, ka bërë të qartë kundërshtimin e saj ndaj një mase të tillë, për faktin e qartë se Gjermania do të duhej të mbarrte barrën më të madhe të një mase të tillë, duke marrë përsipër detyrimet e borxheve greke.

Alternativa tjetër, më e rrezikshme por siç po duket gjithnjë e më e mundshme, është përjashtimi i Greqisë nga eurozona. Znj. Merkel dhe ministrat evropianë të financave tashmë kanë thyer tabunë e këtij skenari, që deri para disa muajve përflitej vetëm në margjina (këtë javë, revista Der Spiegel në ballinën e saj deklaroi që ka ardhur koha për largimin e Greqisë nga eurozona). Mirëpo, kostoja e përjashtimit të Greqisë do të jetë katastrofike, në radhë të parë për Greqinë, por pastaj edhe për pjesën tjetër të shteteve në rrezik si Spanja dhe Italia.

Një analizë të thellë të pasojave ekonomike të përjashtimit të Greqisë nga eurozona e ka bërë Willem Buiter nga banka amerikane Citi. Sipas tij, përjashtimi i Greqisë nuk kërkon asgjë më shumë se sa ndërprerjen e ndihmave evropiane, që do ta linte Greqinë në krizë likuiditeti, pa mundësi për të bërë pagesat e pensioneve dhe shpenzimeve të tjera (pasi që formalisht, sipas traktateve në fuqi, Greqia nuk mund të përjashtohet). Kjo esencialisht do ta detyronte Greqinë që të nxirrte monedhë të vetën, zhvleftësimi drastik i së cilës kundrejt euros (sipas Buiter, deri në 40%, e ndoshta edhe më shumë) do të shkaktonte një zinxhir falimentimesh në tërë ekonominë greke nga firmat që kanë kontrata me detyrime në euro. Përveç kësaj, zhvleftësimi i monedhës së re do të krijonte rrezikun e kolapseve bankare, nga vajtja masive e depozitorëve për t’i tërhequr depozitat e tyre. Hiperinflacioni mund të pasojë gjithashtu. Thellimi i depresionit ekonomik të Greqisë është i pashmangshëm.

Rreziku më i madh i përjashtimit të Greqisë nga eurozona është rritja e gjasave që paniku të kaplojë investitorët edhe në shtetet e tjera në rrezik. Kjo domethënë se kostot e borxheve do të rriteshin në shkallë të papërballueshme edhe për vendet si Spanja dhe Italia. Gjermania do të përballej me influks masiv të eurove nga investitorët që do të synojnë sigurinë e këtij vendi, por me rrezikun e mbivlerësimit të euros (dhe rrezikun e inflacionit edhe më të madh në një vend që përdorë euron si Kosova), që do të dëmtojë eksportet gjermane dhe rrezikojë recesionin në atë vend. Nga ana tjetër, duket se marrëveshja e fillimvitit ka bërë mjaft që të mbrojë bankat gjermane dhe ato të tjera nga rreziku i kolapsit grek. Kjo për faktin se kreditë private ndaj Greqisë tashmë janë vetëm 36 miliardë euro, pasi që pjesën tjetër të totalit të 511 miliardë eurove i ka marrë përsipër BQE-ja, FMN-ja, ESFS-ja dhe entitetet tjera publike të BE-së.

Një faktor tjetër është se përjashtimi i Greqisë nga eurozona do të ketë efekt jashtëzakonisht negativ në të gjitha ekonomitë ballkanike, për shkak të peshës ekonomike që ky vend ka në gadishull. Shqipëria do të goditet jashtëzakonisht keq, jo vetëm nga fakti i remitancave që do të jenë në rënie e sipër (edhe nga fakti se monedha e re greke do të jetë e zhvlerësuar kundrejt euros dhe rrjedhimisht edhe ndaj lekut), por edhe nga fakti se kaosi bankar mund të kaplojë edhe katër nga bankat e mëdha greke që operojnë në Shqipëri, duke destabilizuar edhe më tej financat e brishta të shtetit shqiptar, i cili mund të gjendet para një situate emergjente financiare me mundësi shumë të vogla intervenimi.

Përveç dëmeve të pallogaritshme ekonomike, përjashtimi i Greqisë nga eurozona do t’i bëjë dëm afatgjatë euros, por edhe projektit evropian. Kataklizma e përjashtimit grek (pasi që edhe Syriza, si shumica e grekëve, janë kundër daljes së Greqisë nga eurozona) do të jetë e barabartë me një epizod lufte; do të duhen gjenerata të tëra që grekët të kthejnë besimin tek Brukseli dhe Berlini si partnerë të besueshëm. Euroskepticizmi do të kaplojë edhe vendet tjera, sidomos ato në periferinë e gjerë (si ato të Evropës lindore dhe të Ballkanit), që mund të konstatojnë se BE-ja nuk përbën partneritetin dhe prosperitetin e sigurt që simbolizonte dikur. Tregjet financiare, ndërkaq, mund të humbasin besimin në euron, duke vënë në sprovë statusin e saj si valutë rezervë botërore, dhe duke e reduktuar euron në pak a shumë një monedhë regjionale me bazë gjermane.

Pasojat e daljes greke nga eurozona do të jenë katastrofike për të gjithë. Në dy palë zgjedhje regjionale, në Schleswig-Holstein dhe Nordrhein-Westfalen, CDU-ja e Znj. Merkel humbi, me mundësinë që CDU-ja të ballafaqohet me humbje edhe në zgjedhjet nacionale më 2013, kundrejt forcave si SPD-ja, që është kundër vijës aktuale. Mirëpo nëse znj. Merkel nuk lëshon pe, edhe ndryshimi i kreut në Berlin do të jetë tepër vonë për Greqinë, dhe tepër vonë për Evropën.

Botuar te “Gazeta Shqip” (Tiranë), 17 maj 2012.

A po afrohet momenti i kthesës për Evropën?

Kriza e eurozonës e ka shndërruar Evropën në një kazan me shumë vrima. Sa kujton që mbylle njëren vrimë, sheh se uji rrjedh nga tjetra. Në një pozitë të ngjashme janë liderët evropianë në raport me krizën e eurozonës. Me pakon e fillimvitit u llogarit se problemi i borxhit grek u vu nën kontroll, mirëpo gjendja e fundit e borxheve në Spanjë sërish po ngrit brenga se faza e pauzës së shkurtër nga preokupimi me krizën tashmë përfundoi.

Nga ana tjetër, politika e shkurtimeve të ashpra buxhetore (‘austerity’ në anglisht), e promovuar sidomos nga Bundesbanka dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, si rruga e vetme për daljen nga kriza, është nën thumbin e kritikave gjithnjë e më të ashpra. Është tashmë evidente nga indikatorët ekonomikë se kjo qasje, e imponuar si formulë universale për daljen nga kriza, po e rëndon perspektivën ekonomike të kontinentit.

Sipas parashikimeve të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), rritja ekonomike në eurozonë për vitin 2012, do të jetë në normën negative prej -0,3%. Kjo në kohën kur nevoja më e madhe e kontinentit për të dalë nga kriza është rritja ekonomike. Politikat e shkurtimeve të ashpra buxhetore, si në Greqi, Portugali e Spanjë, ndër vendet tjera, po shihen si një nga shkaktarët kryesorë të recesionit në eurozonë – për të mos përmendur papunësinë, paperspektivën për të rinjtë dhe krizën e përgjithshme sociale që ato kanë shkaktuar në këto vende.

Edhe Britania është në recesion. Ndonëse Britania nuk është anëtare e Unionit Monetar Evropian, për recesionin britanik po fajësohen njësoj politikat shkurtuese buxhetore të kampionit tjetër të ‘austerity’ në Evropë, kryeministri britanik nga radhet e konservatorëve, David Cameron.

Qasja e deritanishme për ballafaqim me problemin e krizës së eurozonës (që përfshin, në radhë të parë, krizën e borxheve të larta publike të shteteve të periferisë, rrezikun që eskalimi i krizës së borxheve paraqet për të adhmen e unionit monetar dhe të monedhës euro, dhe tani edhe problemin e recesionit ekonomik) është karakterizuar nga masat e pjesshme për adresimin e problemit të borxheve.

Nga këto lindën EFSF (Mjeti Evropian për Stabilitet Financiar – fondi për shpëtimin e shteteve në krizë) që derdhi qindra miliarda euro në Irlandë, Portugali dhe sidomos Greqi, propozimi për të ashtuquajturin “pakt fiskal” për eurozonën, që parasheh dënime për shtetet që në të ardhmen tejkalojnë kufizimet e unionit monetar për deficitet buxhetore dhe shkallën e borxhit publik, dhe së fundi pakoja e veçantë e negociuar në fillim të këtij viti për Greqinë, që kërkon nga ky vend implementimin e një plani afatgjatë shkurtimesh buxhetore dhe reformash tjera strukturore në shkëmbim të mbështetjes financiare evropiane.

Megjithatë, përderisa kjo qasje ndihmoi në qetësimin momental të krizës, qëndrueshmëria e kësaj qasjeje po vihet në sprovë.

Janë dy faktorë kryesorë që po e sfidojnë qëndrueshmërinë e qasjes aktuale:

I pari është fakti se kriza e borxheve shumë shpejt mund të dalë nga kontrolli në njërën nga ekonomitë me të mëdha evropiane. Këtij rreziku i kanosen në radhë të parë Italia dhe Spanja, si dy ekonomi me peshë të madhe në eurozonë.

Javën që shkoi Spanja u zu befas me rritjen e normës së interesit për bonot e saj nga 5,1% sa kanë qenë në fillim të këtij viti, në 6%. Sado që kjo nuk është ende afër pikës kulminante të nëntorit të vitit të kaluar, kur normat arriten në afër 7%, ky ndryshim mjaftoi për të nxitur alarm te politikbërësit evropianë se masat reduktuese të kryeministrit Mariano Rajoy, nuk po japin efektin e duhur, nën supozimin se vënia nën kontroll të financave publike do ta kthejë besimin e tregjeve financiare.

Italia paraqet rrezikun e dytë të madh për eurozonën, dhe trendi i rritjes së normave italiane gjatë dy muajve të fundit është po ashtu shqetësues. Ndërkohë që Spanja dhe Italia do të jenë të dyja në recesion sivjet, çështja është vetëm se drastik do të jetë recesioni. Pa bërë fjalë për revoltën sociale që ka kapluar këto dy vende, dhe që në çdo moment mund të rrezikojë stabilitetin e ketyrë qeverive, sidomos në një vend si Spanja, ku papunësia e të rinjve ka arritur në shkallën 50%.

Faktori i dytë është perspektiva e fitores së kandidatit socialist Francois Hollande në garën presidenciale në Francë, dhe humbja e presidentit aktual, Nicholas Sarkozy. Hollande është deklaruar kundër politikave shkurtuese të ndjekura deri tani, duke bërë thirrje për politika që shkojnë në favor të rritjes ekonomike.

Përkrahja për politikat shkurtuese duket se është zbehur edhe në Holandë, pasi që të hënën që shkoi erdhi deri te prishja e koalicionit qeverisës të kryeministrit Mark Rutte, si pasojë e kundërthënieve për masat e reja të shkurtimeve buxhetore. Holanda është një nga shtetet e pakta të eurozonës me financa të “shëndosha” dhe që ka qenë në ballë të thirrjeve për masa të ashpra kursyese në shtetet si Greqia dhe Spanja.

Faktori më i rëndësishëm që jep shenja për një kthesë të mundshme është megjithatë fitorja shumë e mundshme e Hollande në Francë. Me këtë, do të zhbëhet aleanca Sarkozy-Merkel që ka qenë boshti themelor politik i qasjes së gjertanishme, duke sjellë një konfiguracion të ri politik në kontinent, dhe ide të reja për ballafaqimin me krizën.

Ka qenë e qartë që nga fillimi i krizës së eurozonës se masat e pjesshme, çfarë nxiteshin nga Bundesbanka dhe boshti Sarkozy-Merkel nuk do të jenë të qëndrueshme, pasi që eurozona ka nevojë për reforma më të thella institucionale, dhe jo vetëm politika shkurtuese që, në thelb, po tregohen si shkatërrimtare për Evropën. Është indikative se këto ditë, kreu i Bankës Qëndrore Evropiane (BQE), Mario Draghi bëri thirrje për një “pakt të rritjes” për Evropën, ndërkohë që në mbështetje të këtij pakti u paraqit edhe Merkel.

Gjatë majit, CDU-ja e Merkelit do të ballafaqohet me zgjedhje në nivel të landeve në Gjermani, rezultati i së cilave mund të jetë përcaktues për fanatizmin me të cilin Merkel do ta mbrojë vijën e shkurtimeve si zgjidhje.

Është vështirë të thuhet se çfarë do të jetë përgjigja e re ndaj krizës së eurozonës, mirëpo momenti i kthesës po afron shpejt.

Botuar te “Zëri” (Prishtinë), 28 prill 2012 dhe “Gazeta Shqip” (Tiranë), 29 prill 2012.

Bedri Hamza apo Deutsche Bank? (Pjesa 2)

një shkrim timin nga janari i këtij viti kisha sugjeruar se për ta parashikuar gjendjen ekonomike dhe financiare të Kosovës, është më mirë të shikohet gjendja financiare e Deutsche Bank, bankës më të madhe në Gjermani dhe një nga bankat më të mëdha evropiane, se sa kursimet e aty-këtushme të ministrit të Financave të Kosovës Bedri Hamza.

Tashti, mora ta shikoj këtë raport në mënyrë pak më formale. Në grafikonin e më poshtëm paraqitet një krahasim midis vlerës së aksioneve të Deutsche Bank në bursën e New York-ut (NYSE) dhe të hyrave në Kosovë në formën e remitancave nga Gjermania (sipas të dhënave të botuara nga Banka Qëndrore e Kosovës). Gjermania përbën burimin më të madh të remitancave në Kosovë, me rreth 35-50% të vlerës së përgjithshme të tyre. Duhet ta pranoj se sipas kësaj analize formale kisha pasë vetëm pjesërisht të drejtë. Siç tregon grafikoni, vlera e aksioneve të Deutsche Bank dhe nivelit të remitancave është mjaft ngusht i koordinuar gjatë vitit 2009, viti i rimëkëmbjes nga kriza e madhe financiare e vitit 2008. Në periudhën më të fundit, pra në vitin 2011, vihet re një shkëputje kur vlera e aksioneve të Deutsche Bank është në rënie, ndërkohë që remitancat nga Gjermania shkojnë duke u rritur.

Duhet të sqaroj se ky është vetëm një eksperiment dhe me këtë nuk po sugjeroj një marrëdhënie shkak-pasojë, në kuptimin që vlera e aksioneve të Deutsche Bank duhet të merret si tregues i saktë i nivelit të remitancave në Kosovë, pasi që kjo nuk rezulton as në të dhënat e paraqitura këtu dhe as (të paktën, unë besoj) nuk do të ishte lehtë e shpjegueshme teorikisht, për shkak të faktorëve të shumtë ndërmjetës. Me këtë vetëm dua ta ilustroj një formë se si fati ekonomik i Kosovës është ngusht i lidhur me atë të Evropës dhe Gjermanisë në veçanti (dhe më tej me ekonominë botërore dhe krizën e kapitalizmit global) dhe për këtë arsye besoj se grafikoni e bën këtë gjer në një shkallë të caktuar.

Grafikoni paraqet vlerën e aksioneve të Deutsche Bank të tregtuara në NYSE (vija e kaltër) krahasuar me nivelin e remitancave nga Gjermania në Kosovë (vija e gjelbër), gjatë periudhës 2009-2011 (T3). Në të majtë është vlera e remitancave në miliona euro, kurse në të djathtë është vlera e aksioneve në USD. Vlerat janë të ndryshme por për këtë krahasim na interesojnë se sa të koordinuara mes veti janë lëvizjet e tyre.

Periferia e vërtetë e Evropës

Kohëve të fundit dallimi qendër-periferi ka kapluar ligjërimin publik mbi krizën e eurozonës – e përdorur në shkrime edhe nga autori i këtyre rreshtave. Një gjë që duhet theksuar është se një dallim i tillë është relativ – përderisa ne mund të bëjmë dallimin midis qendrës dhe periferisë përbrenda BE-së dhe më saktësisht përbrenda eurozonës (duke dalluar shtetet si Greqia, Portugalia, Irlanda etj. që janë zhvilluar më vonë dhe që aktualisht ballafaqohen me krizë fiskale dhe vendet e zhvilluara më herët dhe në gjendje më stabile financiare si Gjermania, Franca dhe Holanda), nuk duhet harruar se periferia e vërtetë e Evropës vazhdon të jetë zona lindore dhe juglindore e kontinentit, e përkufizuar nga shtetet ish-socialiste të Evropës qëndrore, të vendeve të Baltikut dhe ato të Ballkanit.

Grafikoni i mësipërm, i përgatitur për lëndën time në Binghamton University për Evropën lindore, tregon për hendekun e thellë zhvillimor që ekziston midis këtyre grupeve të shteteve. Grupi i shteteve të përfaqësuara nga shtylla e kaltër janë grupi i shteteve të BE-së deri në vitin 2004. BPV-ja për kokë banori në mesatare për këto shtete në vitin 2010 ka qenë rreth 44.500 USD. Kjo dallon dukshëm nga BPV-ja mestare për kokë banori për shtetet ish-socialiste që iu bashkuan BE-së pas vitit 2004 (Hungaria, Polonia, Çekia, Sllovakia, Bullgaria, Rumania, Sllovenia, Estonia, Latvia, Lituania, të përfaqësuara nga shtylla e kuqe), ku shifra ishte rreth 14.400 USD. Dallimi bëhet edhe më i qartë kur merren parasysh shtetet kandidate dhe ato që synojnë anëtarësi në BE (siç janë vendet e Ballkanit, me përjashim të Turqisë dhe Islandës, të përfaqësuara nga shtylla e gjelbër), ku BPV-ja mesatare për kokë banori është rreth 5000 USD. Tabela e mëposhtme rendit të gjitha shtetet evropiane sipas BPV-së për kokë banori, ku dallimet midis shteteve të qendrës dhe periferisë bëhen shumë të qarta (për shkak të burimit të të dhënave që kam përdorur, në listën e shteteve nuk janë të dhënat për Kosovën).

Çështja është se shtetet më pak të zhvilluara, që prej zgjerimit të parë të BE-së në vitet 1970 (kur në BE u futën vendet si Irlanda, Portugalia dhe Greqia), vendet e reja anëtare kanë parë tek BE-ja një mjet zhvillimor – gjë që ka dalë e saktë për këto shtete, të paktën deri në vitin 2008 kur ajo që mund ta quajmë ‘modeli zhvillimor evropian’ (tregu dhe monedha e përbashkët, lehtësimi i qarkullimit të kapitalit) ka dhënë rezultate relative, sado me kosto të theksuar (shkatërrim i industrive vendore, financiarizimi gjithnjë e më i madh, çmontimi i shteteve sociale dhe mbrojtjes së punëtorëve etj.). Shtetet postsocialiste të anëtarësuara pas vitit 2004, gjithashtu panë një shtim të rritjes ekonomike pas anëtarësimit në BE, gjë që shihet në ngritjen e shkallës së rritjes vjetore të BPV-së në 6-10 për qind deri në vitin e krizës 2008. Sipas një llogarie që kam bërë, bazuar në të dhënat e UNCTAD, përfitimi më i madh i këtyre shteteve të reja anëtare ka ardhë në formën e rritjes së investimeve të jashtme direkte (FDI). Kështu, nëse për shtetet e reja anëtare, niveli i përgjithshëm mesatar i FDI-së ishte rreth 1.880 miliardë USD në periudhën 1994-2003, në periudhën 2004-2008 ky nivel arriti në mbi 6.100 miliardë USD (në vitet e krizës 2008-2010, investimet kanë rënë në rreth 2.800 miliardë USD).

Paradoksi është që rritja ekonomike (dhe si pasojë struktura ekonomike e vendeve të reja anëtare) u bë gati krejtësisht e varur nga investimet e jashtme, kështu që, në momentin e krizës së vitit 2008, të gjitha këto vende përjetuan recesion të thellë në vitin 2008 me një krizë të pakapërcyeshme që vazhdon t’i godasë ekonomitë e tyre. Sipas llogarive të UNCTAD, shtetet postsocialiste të Evropës qëndrore dhe juglindore kanë një nga shkallët më të larta të TNI (Transnational Index), që llogarit varshmërinë e punësimit dhe formimit të kapitalit në një shtet nga investimet e jashtme. Nuk kam bërë një llogari rreth kësaj, por duket hipotezë e saktë për Evropën qëndrore dhe juglindore se sa më e transnacionalizuar ose globalizuar ekonomia e atij vendi, aq më i fuqishëm ishte impakti dhe pasojat e krizës globale financiare. Kështu, vendet që dikur merreshin si model i neoliberalizmit lindor, si vendet baltike, në vitin 2008 patën rritje negative nga -14 deri në -18 për qind të BPV-së (krahaso këtë me një ekonomi të paglobalizuar si Shqipëria, ku përkundrazi, në vitin 2008 pati rritje ekonomike). Kështu që, hapja ndaj BE-së, sado që solli beneficione imediate, gjithashtu ekspozoi shtetet e reja anëtare ndaj rreziqeve të cikleve spekulative të kapitalizmit global, çmim që ato po vazhdojnë ta paguajnë sot. Begatia e Evropës shumë shpejt u shndërrua në mjerim.

Aspekti i dytë i ‘modelit zhvillimor evropian’ është fakti se ai nuk solli ndryshim rrënjësor në strukturën ekonomike të vendeve të reja anëtare. Në shtetet ish-socialiste dominojnë sektorët e vjetër industrialë si energjetika, telekomunikimi dhe metalurgjia, pra industritë e trashëguara nga socializmi – industria e lartë teknologjike, që po shërben si motor zhvillimi në Azinë juglindore, nuk ka zënë rrënjë pothuajse fare në Evropën qëndrore dhe juglindore. Në esencë kjo do të thotë se transformimi strukturor ekonomik nuk është dëshmuar si pjesë e ‘modelit zhvillimor evropian’. Ky fakt vërtetohet në mënyrën më të mirë nga shembulli i Greqisë, dhe përvoja e këtij vendi pas hyrjes në unionin tregtar dhe monetar – ajo nuk çoi në ristrukturim ekonomik dhe industrial të Greqisë, ngaqë vendi mbeti me po atë strukturë ekonomike që kishte në vitet 1970 dhe 1980. Thellimi i marrëdhënieve në BE rezultoi në thellim të varshmërisë nga importet dhe nga fuqia financiare e qendrës. Ideja se ristrukturimi ekonomik i Greqisë do të ndodh si rezultat i dhunës së reformave të shkurtimeve buxhetore që po i imponohen Greqisë nga kancelarja Merkel dhe teknokracia e BE-së është në njërën anë iluzive dhe shkurtpamëse, në anën tjetër një akuzë që me vetë ngritjen e saj dëshmon dështimin fundamental të ‘modelit zhvillimor evropian’.

Tashmë që ‘modeli zhvillimor evropian’ është në krizë terminale, pyetja është se çfarë do të thotë kjo për vendet e periferisë. Kam frikën se – pa e elaboruar tepër këtu – se pa një ndryshim radikal në këtë model, pa  formulimin e një modeli të vërtetë zhvillimor që do ta ristrukturojë dhe ribalansojë ekonominë evropiane dhe ta bëjë Evropën në tërësi konkurrente në ekonominë globale (ku synim primar është nivelizimi zhvillimor i gjithë kontinentit evropian), e ardhmja e vendeve të periferisë është e zymtë. Ajo që është në horizont të periferisë së re është zgjedhja midis Greqisë dhe Hungarisë – nënshtrimi ndaj diktateve financiare të BE-së deri në përdhosjen e sovranitetit dhe demokracisë në njërin rast, apo instalimi i një autoritarizmi të ri të djathtë dhe pseudo-demokratik dhe mbrojtës të shtresave të reja të të pasurve në rastin tjetër. Kombinuar me rritjen e popullizmit të djathtë dhe sentimenteve anti-imigrante gjithandej Evropës, po bëhet e qartë që e ardhmja e gjithë Evropës është në sprovë më të madhe se kurdoherë më parë.

Bedri Hamza apo Deutsche Bank?

Urimi i parë për vitin e ri, Kosovës i erdh në formën e raportit të fundvitit nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) për gjendjen ekonomike dhe fiskale të vendit. Ndonëse raporti nuk është bombastik, ai përmban një numër paralajmërimesh për rreziqet që e presin Kosovën gjatë vitit 2012.

Ashtu siç pritej, gjendja e pafavorshme ekonomike në kontinentin evropian pritet të reflektojë negativisht në ekonominë kosovare. FMN-ja tashmë ka zvogëluar parashikimin e saj për rritje ekonomike në vitin 2012 nga 5 në 4 për qind. Në radhë të parë, këtu demitizohen pretendimet e dikurshme të qeverisë për rritje ekonomike 7-8 për qind, ndonëse sikur për rënien e vazhdueshme të investimeve të jashtme, qeveria do të pretendojë se kjo rezulton nga kriza ekonomike në Evropë, gjë që nuk qëndron fare. Tashmë mund të thënë se kur flisnin për rritje ekonomike, mendjen në fakt e kanë patur tek inflacioni, për çka kjo qeveri mund të krenohet se po then rekorde.

Sido që të jetë, fakti se do të vazhdojë të ketë rritje ekonomike është lajm i mirë për vendin, sidomos në kontekstin e një ekonomie evropiane në krizë. Mirëpo shkalla e rritjes ekonomike në vetëvete nuk tregon asgjë për cilësinë e zhvillimit ekonomik që po ndodh. Ta zëmë, edhe investimi në ndërtimin e burgjeve regjistrohet si rritje e BPV-së së një vendi, por për një vend që rritë BPV-në e saj duke investuar vetëm në burgje dhe duke rritur numrin e gardianëve të punësuar nuk mund të thuhet se ka zhvillim cilësor ekonomik. Aq më pak mund të flitet për cilësinë e jetës në një shoqëri të tillë, ku nevoja për burgje dhe gardianë është aq e madhe. Sido që të jetë, jemi në një situatë pak a shumë të ngjashme, ku investimet në burgje në rastin konkret të Kosovës mund t’i zëvendësojmë me investime në asfallt, dhe atë në vetëm një rrugë, autostradën Morinë-Merdarë, investim që për vitin 2012 do të vazhdojë të kushtojë mbi 20 për qind e gjithë buxhetit të paraparë për qeverinë qëndrore. Me fjalë të tjera, investimet kapitale vazhdojnë të jenë motori kryesor i rritjes ekonomike në Kosovë, gjë që është e paqëndrueshme aq më shumë kur investimet po bëhen në infrastrukturë dhe asete të tjera joproduktive, aq më tepër kur kjo infrastrukturë në vetëvete nuk pritet të nxisë ndonjë zhvillim tjetër ekonomik. Këto ditë doli lajmi se investimi prej tetë milionë eurosh në Parkun Industrial në Drenas po del një investim i dështuar, pasi që nuk ka biznese të interesuara që të vendosen në atë lokacion. Ky pak a shumë mund të merret si model i politikave “zhvillimore” të qeverisë aktuale, i cili investimet i bën sipas kalkulimeve politike, dhe i cili në vend se të investojë në mbështetjen direkte të zhvillimit industrial, investon në projekte të padobishme nga pikëpamja ekonomike dhe që në fund sjellin vetëm humbje.

Shkalla e papunësisë në Gjermani, Zvicër, Itali dhe Greqi, 1999-2010 (në përqindje).

Shqipëria po ballafaqohet me vështirësi të mëdha fiskale dhe ekonomike në vitin 2012, ndërsa shkalla e rritjes ekonomike në Shqipëri, që mbeti një nga më të lartat në Evropë përgjatë viteve të krizës financiare 2008-10, tashmë pritet të bie dukshëm si pasojë e efekteve të masave shkurtuese në Greqi dhe Itali. Rripi tashmë është shtrënguar dhe problemet buxhetore në Shqipëri tashmë kanë çuar në shkurtime serioze të shpenzimeve, me mundësi që këto shkurtime të shkojnë edhe më thellë, veçanërisht nga fakti se qeveria e Sali Berishës nuk mund të mbulojë deficitet përmes shitjes së aseteve publike, ngase nuk i ka mbetur pothuajse asgjë më për të privatizuar. FMN-ja ndërkaq ka të drejtë kur sheh rritjen ekonomike në Kosovë në varshmëri të plotë nga remitancat që vijnë nga Gjermania dhe Zvicra. Me fjalë të tjera vetë rritja ekonomike në Kosovë është një lloj “knock-off effect” i rritjes ekonomike dhe papunësisë së vogël në këto dy shtete. Gjermania vazhdon t’i bëjë ballë problemeve që kanë shumë vende evropiane, si pasojë e fuqisë së vazhdueshme të eksporteve gjermane (Gjermania është, pas Kinës, eksportuesi i dytë më i madh në botë). Këto ditë doli lajmi se papunësia në Gjermani ka rënë në nivelin më të ulët që nga fillimi i viteve 1990. Zvicra gjithashtu mbetet e mbrojtur nga problemet e shumë vendeve evropiane, ndihmuar edhe nga fakti se Zvicra nuk është e ngarkuar me problemin e euros. Fati se Kosova ka shumicën e emigrantëve të saj në Gjermani dhe Zvicër (dhe jo në Itali dhe Greqi si Shqipëria) është faktor kyç në faktin se luhatjet ekonomike në Evropë kanë patur një efekt më të zbutur në rritjen ekonomike në Kosovë. Ironia qëndron te ajo se profitet dhe vlera e aksioneve të Deutsche Bank, dhe jo raportet dhe politikat e Bankës Qendrore të Kosovës, Ministrisë së Financave apo Ministrisë për Zhvillim Ekonomik, janë indikatori më i mirë se si do t’i ketë punët Kosova gjatë 2012-ës. Deutsche Bank nuk ka investime dhe as interesa të drejtpërdrejta në Kosovë, mirëpo është një nga fascilituesit më të mëdhej financiarë të eksporteve gjermane, si dhe një nga institucionet bankare më të ekspozuara ndaj krizës së borxheve sovrane. Nëse njëri nga këta faktorë cënon bilansin dhe profitet e Deutsche Bank-ës (dhe rrjedhimisht ekonominë gjermane), Ministria e Financave e Kosovës shumë shpejt do të ballafaqohet me rënie të të hyrave dhe krizë buxhetore.(1) Le të lutemi pra për suksesin e vazhdueshëm të kapitalizmit gjerman!

Megjithatë, sado që Kosova duhet t’i falemndërohet qëndrueshmërisë ekonomike të Gjermanisë dhe Zvicrës në kushte krize (dhe punëtorisë kosovare në këto vende që përmes remitancave vazhdon ta mbajë të gjallë ekonominë kosovare), politikat ekonomike vazhdojnë të jenë në duar të qeverisë dhe ato ndërlidhen ngushtë me udhëzimet, parametrat dhe kërkesat e FMN-së.

Një gjë që del qartë nga raporti është se qeveria i ka bërë “detyrat e shtëpisë” përsa i përket mbajtjes së shpenzimeve dhe bilansit buxhetor në rend sipas kërkesave të FMN-së. Siç dihet, FMN-ja ka kërkuar nga qeveria e Kosovës një disiplinë të jashtëzakonshme fiskale si pasojë e prishjes së marrëveshjes për kredi nga ky institucion dhe kalimin e Kosovës në status të monitorimit. Përmbushja e kritereve rigoroze të FMN-së tashmë është kusht nëse qeveria do të ketë sërish mundësi të financohet nga FMN-ja, dhe qeveria arriti të tejkalojë krizën e mundshme buxhetore të shkaktuar nga dështimi në shitjen e PTK-së (jo pse privatizimi ishte politikë e drejtë, por se qeveria kalkulonte që deficitin e vitit 2011 ta mbulojë me shitjen e këtij aseti). Mirëpo, krejt kjo vjen me një çmim të madh në pikëpamje ekonomike dhe sociale: ngrirje të rrogave në sektorin publik, vështirësi në financimin e beneficioneve për veteranët e luftës, reduktime të ashpra në investime kapitale (me përjashtim të autostradës Morinë-Merdar), vonesat në kryerjen e pagesave për bizneset kontraktore të qeverisë, dhe manovrime të ndryshme ku borxhet e një dikasteri mbulohen me transferte të brendshme nga kontoja e një tjetri. Nuk e dimë ende (dhe kjo nuk theksohet në raport) nëse për financimin e buxhetit 2011 është prekur fondi rezervë. Disa prej këtyre nuk theksohen në raport, por janë të ditura për të gjithë ata që kanë ndjekur gjatë vitit mënyrën e qeverisjes së financave publike nga kjo qeveri.

Mirëpo, vargu i problemeve ekonomike dhe financiare për vitin 2012 është i madh. Vështirësitë janë strukturore, ndërsa shkurtpamësia dhe moskalkulimi se vendi mund të ballafaqohet me probleme ekonomike, e ka lënë qeverinë me shumë pak hapësirë që të manevrojë në rrethanat me të cilat ballafaqohet vendi tani. FMN-ja tashmë kërkon disiplinë të jashtëzakonshme fiskale dhe buxhetore, duke e bërë vitin 2012 – ashtu siç paralajmërohet në buxhet – një vit me më pak investime, më pak rritje të shpenzimeve dhe një varfërim të përgjithshëm si pasojë e paaftësisë për ta përballuar inflacionin e madh i cili pas llogarive të ciklit të fundit matës mund të rezultojë në 8 ose 9 për qind gjatë vitit 2011, një nga normat më të mëdha të inflacionit në rajon dhe Evropë. Nga raporti, gazetarët dhe redaksitë mediale gjithashtu do ta kuptojnë pse qeveria hoqi dorë nga premtimi i saj për heqjen e TVSH-së për mediat. Për të siguruar qëndrueshmërinë fiskale të vendit, FMN-ja kundërshton çfarëdo zvogëlimi të TVSH-së, ndërkohë që për nevojat e financimit buxhetor qeveria u detyrua të ngris tatimet sikur ato në të ardhura dhe në duhan. Gjatë këtij viti qeveria gjithashtu do të ngris çmimin e energjisë elektrike, ndërkohë që tashmë është në presion të madh që ta realizojë pa vonesa privatizimin e PTK-së dhe Distribucionit të KEK-ut.

Problemi kryesor, natyrisht, është se raporti i FMN-së kap një tren në lëvizje – aty përshkruhen parametrat e ecjes si shpejtësia dhe sa me mjeshtri treni i kap kthesat, por nuk vlerësohet kahja dhe as ku çojnë përfundimisht binarët. Kjo është me rëndësi të theksohet, pasi që ndodh shpesh që gazetarët dhe analistët e ndryshëm medialë t’i marrin vlerësimet e FMN-së si fjala e fundit përsa i përket suksesit apo dështimit të politikave ekonomike të vendit. Ndërkaq, problemi më kryesor i kësaj qeverie nuk janë gjithmonë keqkalkulimet në vlerësimin dhe zbatimin e politikave ekonomike (sado që edhe ato janë, ta themi modestisht, jo të rralla), por ai më esencial i modelit zhvillimor që ajo ka përpara, i cili nuk po sjell rezultate dhe është i paqëndrueshëm.

Vlera në dollarë e aksioneve të Deutsche Bank AG gjatë një viti, të tregtuara në NYSE (sipas Bloomberg).

(1) Logjika është si në vijim: problemet e shtuara të Deutsche Bank, si banka më e madhe gjermane, mund të merren si indikator për gjendjen e ekonomisë gjermane, që mund të dëmtohet qoftë nga rënia eventuale e eksporteve gjermane, apo nëse kriza e eurozonës dëmton bazën e kapitalit të Deutsche Bank. Nëse Gjermania bie në krizë ekonomike, kjo domethënë shtim të papunësisë atje, që domethënë rënie e remitancave në Kosovë, që domethënë ulje e konsumit në Kosovë, që domethënë rënie e importeve, që domethënë rënie e të hyrave tatimore në buxhetin e Kosovës.

Kolumna javore, Koha Ditore, 8 janar 2012.

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Bashkojuni 59 ndjekësve të tjerë

%d bloggers like this: