Skeduar nën Ideologjia

Vend pa ide

Një nga teoritë klasike të zhvillimit është teoria e varshmërisë, e njohur zakonisht me emrin spanjoll të saj, dependencia, për shkak se origjinatorë të saj ishin ekonomistë dhe sociologë latino-amerikanë që ishin kritikë ndaj teorive të modernizimit që vinin nga SHBA-të dhe Evropa. Duke shikuar realitetet ekonomike në Amerikën latine gjatë viteve 1960 dhe 1970, këta studiues kishin ardhë në përfundim se zhvillimi në Amerikën latine është i pamundur përderisa këto ekonomi funksionojnë si ekonomi satelite të ekonomisë amerikane dhe asaj evropiane. Gjendja e tyre si satelit krijoi varshmëri. Varshmëria ishte ekonomike, për shkak se vendet e Amerikën latine ishin kryesisht eksportues të komoditeteve të lira, që ishin zakonisht prodhime bujqësore ose minerale të papërpunuara, që u shiteshin shteteve të pasura. Këto shtete kishin edhe varshmëri financiare, pasi që për zhvillimin e tyre varëshin nga financimi përmes kredive që siguroheshin nga shtetet e pasura, të cilat këto shtete dhe shoqëri i zhytnin në borxhe pa fund. Dhe varshmëria ishte edhe teknologjike, pasi që këto shtete, edhe kur kishin arritur industrializimin dhe rritjen ekonomike, e kishin të varur industrializmin nga teknologjitë e shteteve të zhvilluara. P.sh., ky është një nga problemet me të cilat sot ballafaqohet Kina, e cila pavarësisht sektorit të madh prodhues dhe eksportues, ende nuk ka kapacitete vetanake për zhvillimin e teknologjisë, të cilën duhet ta blejë nga SHBA-të, Japonia ose Gjermania.

Pavarësisht se disa aspekte të teorisë dependencia janë kritikuar dhe hedhur poshtë që nga koha e artikulimit të saj, ajo megjithatë hedh dritë mbi disa realitete të ekonomisë botërore dhe mundësive zhvillimore të shteteve të periferisë. Por, një nga aspektet e varshmërisë që teoricientët e dependencia nuk e kanë vënë re (ndoshta për shkak se nuk e kishin hasur si dukuri në kohën e tyre dhe në vendet që studionin), është varshmëria në nivel të ideve. Kjo është kur një shtet dhe një shoqëri nuk është vetëm ekonomikisht dhe financiarisht e varur nga ekonomitë e pasura, por që edhe idetë se kah dhe si ta realizojë zhvillimin e saj e mbështet në idetë që vijnë nga jashtë. Kjo lloj varshmërie, dependencia ideore, është shumë më fatale për një vend pasi që ajo shoqëri në një mënyrë heq dorë nga përcaktimi i caqeve dhe synimeve kolektive apo ato caqe dhe synime që i ka ia nënshtron ideve dhe instrumenteve që i importon nga jashtë.

Pikërisht ky është rasti i Kosovës. Po përmendi vetëm tre shembuj, nga sektorë të ndryshëm, sado që mund të merren edhe shumë të tjerë.

E para, një nga elementet fundamentale për një zhvillim të qëndrueshëm është ekzistenca e një administrate publike efektive. Studim pas studimi kanë dëshmuar se një administratë publike efektive, e jokorruptuar, ka efekte të drejtpërdrejta në zhvillimin ekonomik. Një shtet i korruptuar nuk mund të prodhojë zhvillim ekonomik. Çfarëdo rritje ekonomike që e prodhon do të jetë e njëanshme dhe e përqëndruar në një elitë të vogël e të privilegjuar. Dihet se në Kosovë, si në shumë vende tjera, korrupsioni më i madh është në sektorët e administratës ku bëhet prokurimi dhe ndërrojnë duar para nga arka e shtetit në sektorin privat, përmes kontraktimit të punëve dhe shërbimeve të ndryshme.  Në këto raste, zyrtarët publikë gjejnë mundësi që një pjesë të fondeve t’i përvetësojnë, qoftë duke kërkuar “përqindje” nga transaksionet, qoftë duke favorizuar firma të miqëve dhe familjarëve që shpërblehen me tenderë.

Në mungesë të ideve (apo ndoshta në radhë të parë edhe vullnetit!) se si të luftohet kjo dukuri, të masave reformuese që duhet të merren në planin e brendshëm të administratës, në Kosovë vjen Banka Botërore me projekt për përmirësimin e qeverisjes financiare në administratën publike. Problemi nuk është që Banka Botërore vjen me një projekt të tillë, por që administrata jonë publike nuk di si ta luftojë problemin (i cili është problem i brendshëm organizativ, në radhë të parë, para se të jetë vetëm problem me të cilin duhet të merren organet e drejtësisë), dhe as reformat që mund t’i bëjë për t’i pakësuar mundësitë për korrupsion në këtë nivel. Administrata jonë publike, bashkë me qeverinë që e drejton atë, nuk ka ide dhe ato i pret nga Banka Botërore.

Rasti i dytë. Para jo shumë kohe dëgjuam lëvdata nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për suksesin e Kosovës në shtimin e rendimenteve bujqësore gjatë këtij viti. Ministria kërkon t’i marrë meritat për këtë duke thënë se kjo reflekton suksesin e Ministrisë në zbatimin e planit të saj për zhvillimin e bujqësisë. Në fakt, një plan i tillë ekziston dhe është ndoshta plani më i detajuar nga cilido tjetër i punuar për cilindo sektor tjetër të ekonomisë. Dhe, ironikisht, ajo rritje e prodhimit bujqësor që është realizuar në vitet e fundit dëshmon se një shtet që intervenon në ekonomi me planifikim dhe subvencione mund të krijojë rezultate pozitive në zhvillim. Por, ironia tjetër është se plani për zhvillimin e bujqësisë nuk është rezultat i programeve të ideuara nga kjo Ministri dhe as nga qeveria jonë dhe as – larg qoftë – nga ndonjëra prej partive politike në pushtet. Një pjesë e madhe e programit rrjedh nga puna e USAID-it që ka financuar një sërë hulumtimesh të sektorit të bujqësisë të bëra kryesisht nga konsulentë amerikanë. Krejt kjo është në rregull, natyrisht, pasi që asistenca teknike e jashtme nuk është diçka për t’u përjashtuar. Mirëpo, çështja është se qeveria jonë nuk kërkon vetëm asistencë teknike nga jashtë, por që agjensionet nga jashtë t’i tregojnë komplet nga e para se çka duhet të bëjnë në bujqësi. Ministria është pa ide të veta dhe rezulton më shumë si një super-OJQ që implementon projekte në bashkëpunim me donatorët e huaj.

Rasti i tretë është ai i reformës së sistemit zgjedhor. Sërish, idetë e brendshme dhe ekspertiza luajnë rol sekondar, karshi konsulentëve të huaj që u propozojnë qeveritarëve dhe parlamentarëve tanë se çka dhe si duhet të bëjnë reformën zgjedhore. Nuk është larg mendësh që edhe iniciativa për reformë zgjedhore është lansuar nga qarqet diplomatike në Kosovë, pas debaklit të zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar, ndryshe nuk do të kishte as reformë. Sido që të jetë, pasi që reforma është e nevojshme, sërish idetë se cili është qëllimi i reformave, ku duhet të përqëndrohen ato, si duhet të realizohen, janë gjëra që priten nga ekspertët dhe agjensionet e huaja.

Thjesht, kjo ngreh një pyetje shumë më fundamentale: a mund të zhvillohet një vend, aq më shumë një vend që pretendon të jetë demokratik, i cili nuk është i aftë të gjenerojë as idetë më elementare për nevojat e veta zhvillimore? Propozimi nuk është që vendi të mbyllet ndaj ideve që vijnë nga jashtë. Mirëpo askund nuk ekzistojnë ide për reforma, për ndryshime, qofshin ato në rrafsh të administrimit publik, qofshin në rrafsh të zhvillimit ekonomik, që vijnë si pako dhe mund të implementohen në cilindo shoqëri pavarësisht kontekstit dhe historisë së atij vendi. Një shoqëri mund të ndërtohet dhe të zhvillohet me asistencë teknike nga jashtë, por nuk mund të ndërtohet dhe të zhvillohet duke ia subkontraktuar tërë projektin zhvillimor agjensioneve zhvillimore, ekspertevë dhe konsulentëve që i thërret nga jashtë – me një fjalë, duke krijuar varshmëri edhe në nivel të ideve.

Vendet si Kosova, që shndërrohen në punishte të agjensioneve zhvillimore dhe presin që çdo ndryshim pozitiv dhe çdo ide për vendin t’u vijë në formën e ekspertizës së jashtme, zakonisht nuk kalojnë mirë. Raste ka të shumta – shikoni kontinentin afrikan, ku miliarda dollarë janë derdhur në projekte zhvillimore që nuk kanë çuar askund. Të paktën, latino-amerikanët, sado që kishin dhe kanë varshmëri ekonomike dhe financiare ndaj SHBA-ve dhe shteteve tjera të zhvilluara, kishin elita të veta intelektuale që ishin në gjendje të prodhonin ide, për atë se si duhet të drejtojnë politikën dhe ekonomitë e tyre. Sot një pjesë e mirë e shteteve latino-amerikane janë në drejtim të mirë të zhvillimit, jo pse përnjëherë u kujtuan t’i ftojnë konsulentët dhe agjensionet e jashtme dhe ato ndërkombëtare që t’ua rregullojnë shtetet dhe shoqëritë, por sepse në radhë të parë krijuan dhe ruajtën autonominë në nivel të ideve, të projekteve politike, ekonomike dhe shoqërore që i synojnë. Tek e fundit ç’i duhet një vendi zhvillimi në aspekte tjera, kur nuk di as të mendojë?

Kolumna javore, Koha Ditore, 2 tetor 2011

Nën robërinë e tregjeve financiare

“Institucionet bankare janë më të rrezikshme për lirinë tonë se sa armatat.” Këto fjalë i ka thënë revolucionari amerikan dhe presidenti i tretë i SHBA-ve, Thomas Jefferson, dhe janë një koment tepër real për gjendjen e sotme në ekonominë botërore, veçanërisht për qendrën euro-atlantike të saj.

“Tregjet e bonove janë shndërruar në sundimtarët e rinjë të Evropës”. Kështu thotë George Irvin nga Universiteti i Londrës, duke komentuar zhvillimet e fundit në Itali, e cila gjatë kësaj javë miratoi një pako shkurtimesh buxhetore prej rreth 40 miliardë eurosh, për të pacifikuar tregjet financiare që kanë filluar të bëhen skeptike për gjendjen e financave italiane, me frikën se Italia mund të marrë rrugën e falimentimit faktit që mori Greqia, Portugalia dhe Irlanda. Problemi me Italinë është se përderisa ndërhyrja financiare në këto ekonomi më të vogla ishte i përballueshëm për Bashkimin Evropian dhe institucionet financiare ndërkombëtare, një falimentim i mundshëm italian do të ishte katastrofik për gjithë ekonominë evropiane. Italia përbën rreth 16% të BPV-së së Eurozonës, kundrejt tre ekonomive tjera që bashkërisht janë vetëm 6%. Siç thotë Andrew Watt nga Instituti Sindikal Evropian, “vinçat ekzistues të Evropës janë tepër të dobët për ta ngritur një gur të tillë”, duke aluduar në mundësitë ekzistuese evropiane për ndërhyrje financiare në Itali.

Mirëpo tregjet financiare nuk kanë vënë në hall vetëm Italinë dhe Eurozonën, e cila tash e dy vite lëngon nga kanceri financiar i borxheve sovrane të euro-periferisë, i cili po rrezikon të shtrihet në ekonomitë më qëndrore evropiane. Një luftë e madhe politike po ndodh aktualisht midis presidentit Barack Obama dhe republikanëve në Kongres, për ngritjen e të ashtuquajturit “kulm të boxhit” i cili kufizon mundësitë ligjore për qeverinë e Shteteve të Bashkuara që të tërheq kredi nga tregjet financiare përmes shitjes së bonove. Qeveria e SHBA-ve është borxhliu më i madh në botë dhe huazon 0,40 dollarë për çdo 1 dollar që shpenzon për financimin e shpenzimeve buxhetore. 2 gushti është dita e caktuar nga sekretari amerikan i Thesarit, Timothy Geithner, kur SHBA-të do të arrijnë kulmin e përcaktuar ligjor të borxhit publik prej 14,3 bilionë dollarëve. Po qe se Kongresi, i kontrolluar në Dhomën e ulët nga republikanët, nuk miraton ngritjen e kulmit ligjor, qeveria e SHBA-ve ligjërisht nuk mund të tërheq më kredi. Kjo përkthehet në pamundësi të qeverisë federale amerikane që të paguajë pensione, të financojë shërbime të brendshme si dhe të paguajë për angazhimet e veta ushtarake nëpër botë.

Skenari është alarmant për shumë arsye, dhe jo vetëm për shkak të pamundësisë së qeverisë amerikane që të financojë angazhimet e veta administrative. Përkundër borxhit të madh, bonot e SHBA-ve deri më tani janë konsideruar nga tregjet financiare si pika zero e investimit të sigurt. Që nga themelimi i saj, qeveria e SHBA-ve historikisht asnjëherë nuk ka dështuar në përmbushjen e zotimeve kreditore. Organizatat e rejtingut kreditor, tashmë kanë paralajmëruar mundësinë që bonot amerikane të humbin rejtingun AAA+ (rejtingu më i lartë), që e mbajnë pandërprerë që nga viti 1911, rejting i cili vlerëson sigurinë e investimit dhe kapacitetet e huamarrësit që ta përmbushë zotimin kreditor. Efekti i kësaj do të shkaktonte një tërmet të sigurt në tregjet financiare dhe do ta shkundte deri në themel ekonominë botërore. Pasojat janë jo edhe krejt të njohura edhe për ekspertët financiarë dhe ekonomistët, pasi që një situatë e tillë do të ishte krejt e re për botën moderne, dhe është vështirë të parashikohen veprimet e tregjeve si pasojë e bllokimit financiar të qeverisë së SHBA-ve, mirëpo një epilog të tillë disa e përshkruajnë si “shpërthim bërthamor” në ekonominë botërore.

Siç kanë vënë re analistët e ndryshëm, gjatë tre viteve të fundit ekonomia botërore ka përjetuar një permutacion të krizës financiare të vitit 2008, e cila nga tregjet financiare dhe akterët privatë si bankat dhe korporatat, është mbartur tek financat publike të shteteve. Ndonëse problemi i borxhit publik në SHBA tani për tani është problem politik dhe jo ekonomik (pasi që, në dallim prej vendeve si Greqia, nuk janë tregjet financiare ato që kanë tërhequr besimin e tyre nga bonot amerikane), shumë prej shteteve federale amerikane, shumë nga të cilat nuk kanë mundësi tërheqje kredish sikur qeveria federale, janë në gjendje të rëndë financiare. Masat shkurtuese në nivel shtetesh federale po godasin të gjitha fushat, përfshirë arsimin publik, pensionet, shëndetësinë dhe asistencën sociale. E djathta republikane, si guvernatori i shtetit Wisconsin Scott Walker, po shfrytëzojnë krizën buxhetore të shteteve për të goditur sindikatat e sektorit publik, duke shkurtuar të drejtat negociuese të tyre dhe për shkurtimin e programeve sociale. Në SHBA, si në Greqi dhe shumë shtete evropiane, krizat buxhetore janë përkthyer në luftë kundër klasës së mesme, duke shfajësuar spekulimet financiare të bankave dhe institucioneve financiare si shkaktarë të krizës, dhe duke e hedhur fajin tek angazhimet e shumta sociale të shteteve.

Në ndërkohë, fuqia në ngritje ekonomike në Azi, dhe veçanërisht e Kinës, po paraqitet si mundësi e ‘shpëtimit’ financiar si në SHBA, ashtu dhe në Evropë. Përderisa SHBA-të janë borxhliu më i madh në botë, Kina është kredidhënësi më i madh në botë, dhe ka rol të rëndësishëm në financimin e deficitit amerikan si blerësi më i madh ndërkombëtar i bonove të thesarit amerikan. Përveç kësaj, sipas disa vlerësimeve, investimet e vazhdueshme kineze në bonot evropiane janë ato që kanë ndihmuar që kriza e borxheve sovrane evropiane të mos përkthehet në devalvim të mëtejmë të euros.

Assesi nuk duhet parë sipërfaqësisht zhvillimet e fundit dhe as nuk duhet parë ato si një anomali e përkohshme pas së cilës gjërat do të kthehen në “normalitet”. Jemi në ballafaqim të drejtpërdrejtë me ndryshime të thella strukturore në ekonominë botërore, në të cilat po sfidohen thellë kapacitetet e institucioneve ekzistuese për t’u bërë ballë presioneve ekonomike dhe financiare që rezultuan nga 30 vite sundimi doktrinar dhe politik të neoliberalizmit. E djatha ka përgjigjen e vet: më shumë neoliberalizëm! e cila realisht përkthehet në favorizim të mëtëjmë të interesave të fuqishme të kapitalit karshi klasës së mesme. Dhe shantazhi financiar i shteteve po i detyron, sidomos shtetet më pak të pasura, që t’i nënshtrohen logjikës financiare të neoliberalizmit, ironikisht të implementuara (si në Greqi, Portugali e Spanjë) nga qeveri të majta. Në SHBA, e djathta i është kthyer fuqishëm diskursit të vjetër për “shtetin e madh” i cili duhet të shkurtohet (kuptohet, me shkurtimin e shpenzimeve sociale dhe të drejtave punëtore).

Por përderisa qendra tradicionale euro-atlantike e ekonomisë botërore po vërshohet nga krizat politike dhe rritje të pakënaqësive popullore, në mbrapavijë po shohim një përmbysje graduale të hierarkisë financiare të botës. Kjo po shihet në ndryshimet që po ndodhin që në instrumentin kryesor të neoliberalizimit global financiar dhe ekonomik, Fondit Monetar Ndërkombëtar. Udhëheqësja e re e FMN-së, Christine Lagarde, pritet të krijojë një post të ri të nën-drejtorit, i cili do t’i takojë kinezit Zhu Min, duke reflektuar peshën e shtuar kineze në këtë institucion dhe në ekonominë botërore në përgjithësi.

Krizat politike, sidomos kur ato sjellin në pikëpyetje institucione fundamentale të organizimit politik e ekonomik në shkallë botërore, janë gjithashtu shansa për transformime radikale në hierarkitë dhe strukturat e jetës shoqërore. Kur Jefferson-i tërhoqi vërejtjen për rrezikun që lirisë i paraqesin institucionet bankare dhe financiare, ai e kishte fjalën për fuqinë e lëshimit të monedhës, që sipas tij nuk duhet assesi t’i lihej nën kontroll interesave private, pasi që, siç kishte thënë ai, përmes manipulimeve me monedhë “këto institucione do ta shpronësojnë popullin nga çdo pasuri, deri sa fëmijët e tyre të zgjohen pa strehë mbi kokë në kontinentin që vetë e pushtuan”. Por vërejtja e Jefferson-it mund të vlejë edhe për pushtetin aktual të tregjeve financiare mbi financat publike të shteteve, që përmes kamatave të larta efektivisht po e shpronësojnë publikun nga shërbimet elementare. Zgjidhja e Jefferson-it ka qenë që bankave t’i hiqet e drejta e lëshimit të monedhës, e cila sipas tij duhet t’i takojë popullit – apo, institucioneve publike. Një zgjidhje e ngjashme radikale duket e nevojshme edhe për situatën e sotme, kur nënshtrimi i financave publike ndaj tregjeve financiare dhe i interesave publike ndaj atyre private po kërcënojnë deri në themel jetën ekonomike të globit.

Kolumna javore, Koha Ditore, 17 korrik 2011

Fuqia turke në rajon, fluskë apo realitet?

Kryeministri Hashim Thaçi realizoi këtë javë vizitën e dytë të tij në Turqi, sërish si mysafir i kryeministrit turk Recep Erdogan, i cili kohëve të fundit po dëshmohet si aleati më i ngushtë i z. Thaçi në botën e jashtme. Z. Thaçi deklaroi se vizita e tij në Stamboll, si pjesëmarrës në konferencën e vendeve më pak të zhvilluara, të organizuar nga OKB-ja, ishte për të kërkuar njohje të reja për Kosovën dhe investime. Gjëja më pozitive në këtë mes ishte se kryeministri Thaçi po e sheh Kosovën si vend që i takon shoqërisë së vendeve më pak të zhvilluara, sepse krahasuar me nivelin ekonomik, shkallën e varfërisë dhe mungesën e investimeve, Kosova është më afër vendeve si Etiopia, Eritrea, Somalia, Afganistani, Kamboxhia e Haiti se sa mesatarës evropiane. Se sa njohje të reja ka arritur t’i sigurojë z. Thaçi do ta marrim vesh së shpejti, por se sa investime ka siguruar, këto natyrisht nuk do t’i presim nga klubi i vendeve më pak të zhvilluara, por nga biznesmenët e nikoqirit të konferencës, Turqisë.

Ardhja e kapitalit turk në Kosovë dhe lidhja gjithnjë e më e ngushtë midis kreut të Prishtinës dhe Ankarasë (për të mos përmendur edhe spekulimet e medieve serbe, që nuk duket se kanë ndonjë bazë në realitet, se SHBA do t’ia lëshojë ushtrisë turke kampin Bondsteel), ka nisë të bie në vëmendjen e vrojtuesve të zhvillimeve politike në Kosovë, disa nga të cilët, praninë gjithnjë e më të madhe turke në Kosovë e shohin me dyshim e herë-herë edhe me alarm. Disa po sugjerojnë se kjo ka të bëjë me të ashtuquajturën doktrinë neo-otomane të politikës së jashtme të qeverisë Erdogan, sipas së cilës Turqia synon të shtrijë sërish ndikimin e saj politik, ekonomik e kulturor në zonat e ish-perandorisë osmane. Mirëpo, ajo që duhet theksuar është se doktrina turke do të mbetej vetëm një doktrinë në letër, po të mos ishte kapitali turk i cili po zgjeron dhe shtrinë ndikimin e vet në rajon pavarësisht projektimeve politike e gjeostrategjike në Ankara. Investimet e jashtme të firmave turke janë në rritje; p.sh., një nga interesimet e mëdha të Turqisë në fatin e Libisë ka bëjë me faktin se firmat turke kanë 14 miliardë dollarë investime atje. Në një mënyrë, motori i ekspanzionit turk në rajon, përfshirë edhe në Kosovë, është më shumë kapitali turk se sa politika turke.

Firmat turke janë në pozitë të jashtëzakonshme për të bërë investime nga fakti se ekonomia turke përballoi më shpejt krizën financiare të vitit 2008, gjë që nuk dëmtoi ekonominë turke në shkallën e dëmit të parë në shumë vende evropiane. Dhe ky trend po vazhdon. Përderisa Eurozona vuan nga stagnimi dhe po përballët me problemin masiv të borxheve sovrane, Turqia shpejt ka rikuperuar rrugën e rritjes që e kishte pasur gjatë gjithë dekadës së kaluar. Kjo situatë i ka konvenuar në veçanti Partisë së Drejtësisë dhe Zhvillimit (AKP) të z. Erdogan, e cila sivjet ballafaqohet me zgjedhje dhe suksesin e saj ekonomik e ka atunë më të fuqishme për të kërkuar besimin për mbajtjen e pushtetit për një mandat të ri. Një nga çelësat e suksesit elektoral të AKP-së në Turqi karshi partive më të vjetra dhe të etabluara të Turqisë, ka qenë suksesi i saj në ngjizjen politike të formulës klasike konservatore në kontekstin turk: kombinimi i një mesazhi konservator që rezonon me shtresat më të varfëra urbane e rurale (që në Turqi kanë gjithashtu tendencë të jenë më konservatore dhe fetare), me politika neoliberale që favorizojnë kapitalin turk. Kjo shihet edhe me faktin se z. Erdogan dhe simpatizantë të partisë së tij nga shtresat intelektuale kanë bërë vazhdimisht përpjekje që AKP-në ta prezantojnë si një variantë islame të Unionit Demokristian të Gjermanisë (CDU). Është pikëpyetje se sa në të vërtetë vlen kjo paralele, ndërsa kritikët pohojnë se programi i AKP-së nuk është asgjë më shumë se sa neoliberalizmi i veshur me petk islam.

Sido që të jetë, ndikimi i shtuar dhe prestigji turk në rajon ka të bëjë më pak me filozofinë politike e shoqërore të z. Erdogan e bashkëmendimtarëve të tij, e më shumë me performansën e shquar ekonomike të Turqisë gjatë kohës së qeverisjes së z. Erdogan. Z. Erdogan pretendon se reformat e tij liberalizuese janë ato që qëndrojnë në bazë të suksesit ekonomik të Turqisë, por duket se kontributin më të madh në këtë sukses, dhe sidomos në rikuperimin e shpejt të Turqisë pas krizës globale financiare, janë reformat makroekonomike të bëra pas kolapsit spektakular të lirës turke në vitin 2001. Në këtë kontekst, Turqia ka shumë të përbashkëta me shtetet tjera në zhvillim si Argjentina, si dhe Korea Jugore dhe vendet tjera aziatike pas kolapseve monetare e bankare të viteve 1997-98. Kolapset e përjetuara nga këto shtete, që interpretohen të jenë pasojë e presioneve që këto kishin patur nga FMN-ja gjatë viteve 1990, përfunduan në reforma që sollen politika konservatore bankare me synim grumbullimin e rezervave dhe rritjen e shkallës së kursimeve dhe shmangien e risqeve të bankave në investime spekulative. Kur kriza globale financiare goditi në vitin 2008, si pasojë e masave të mëhershme këto banka nuk ishin të ekspozuara ndaj kolapsit të tregut të patundshmërive në SHBA, dhe si pasojë nuk u mbetën në dorë të ashtuquajturat “asete toksike” të patundshmërive amerikane, siç ndodhi me shumë banka të mëdha evropiane. Kështu, në krahasim, p.sh., me fqiun e saj Greqinë, që tani po ballafaqohet me një katastrofë të tërë bankare e fiskale dhe në falimentimin faktik të thesarit të saj për shkak të borxheve publike të shtetit, bilansi pozitiv i bankave dhe deficiteve turke e kanë pozicionuar mirë Turqinë që të përfitojë nga cikli i investimeve të pas-krizës, por gjithashtu ia kanë mundësuar z. Erdogan që të shtrëngojë muskujt e politikës turke në rajonin e Mesdheut lindor, përfshirë Afrikën veriore dhe Lindjen e Mesme.

Çështja është se sa mund të zgjas kjo valë e rritjes ekonomike për Turqinë. Revista The Economist tashmë paralajmëron “tejngrohjen” e ekonomisë turke, duke paralajmëruar një rritje më të vogël ekonomike gjatë vitit 2011 dhe rrezikun e shtuar të inflacionit. Siç thekson The Economist, problemi paradoksal i Turqisë nuk është mungesa, por teprica e kapitalit të ardhur nga jashtë. Kjo është arsyja pse vitin e kaluar, Banka Qendrore e Turqisë mori masa për të penguar këtë vërshim të kapitalit, që qëndron në bazë të presioneve të inflacionit. Në të vërtetë, një nga rreziqet e mëdha për Turqinë duket të jetë tejfryrja e sektorit të saj të ndërtimeve dhe patundshmërisë. Sipas Shoqatës së Investitorëve të Jashtëm të Patundshmërisë, Turqia shihet nga investitorët e jashtëm si një nga vendet më të levërdishme të investimeve në patundshmëri. Vitin e kaluar, investimet në patundshmëri formuan rreth 40% të transaksioneve në Turqi; kjo në krahasim me 12% në Evropë, 25% në SHBA dhe 35% në Azi. Kjo derdhje e fuqishme e kapitalit në patundshmëri është shenjë e mundshme e një “fluske” të re spekulative në ekonominë turke. Tashmë janë paraqitë edhe shpërthimet e para të fluskave të tilla, disa nga të cilat shkuan deri në lindjen e skemave piramidale. Muajin e kaluar, një skemë e tillë piramidale implodoi në provincën Diyarbakir, në juglindje të Turqisë. Në këtë vend, çmimet e tokës ishin rritur pesëdhjetëfish në pesë vitet e fundit, çka kishte shtyer banorët që të tentojnë të përfitojnë shpejt përmes shitblerjeve të shpeshta të tokës. Pas shpërthimit të këtij tregu spekulativ në Diyarbakir, çmimet e tokës ranë 80%, duke marrë me vete edhe pasurinë dhe kursimet e shumë banorëve të provincës. Në qoftë se del se Diyarbakir është model, ndoshta paksa i ekzagjeruar, për sektorin turk të patundshmërisë, motori ekonomik i Turqisë do të digjet shpejt. Dhe pa mbështetjen e forcës ekonomike të Turqisë, pretendimet neo-otomane të qeverisë së Erdoganit zor se do të prodhojnë ndonjë ndryshim të qëndrueshëm gjeopolitik në rajon.

Botuar te Koha Ditore, 15 maj 2011

A është qeveria e Kosovës liberale?

Bardhyl Salihu, redaktor i Nismës Ekonomike për Kosovën me seli në Vjenë, ka reaguar ndaj kolumnës sime të datës 24 prill 2011, mbi çështjen e pronësisë shtetërore në ekonomi. Po shpresoj se z. Salihu nuk i ngelet hatri që nuk po i përgjigjem në morinë e çështjeve të ngritura nga ai, disa nga të cilat i kemi debatuar më herët në shkëmbimet tona në Facebook. Po e kthej debatin në një çështje që e konsideroj më eprore, që z. Salihu e përmend  shkarazi në shkrimin e tij. Kjo çështje është nëse qeveria e Kosovës është liberale. Me liberale, aludoj, sikur z. Salihu, në politikat e veta ekonomike, jo në kuptimet tjera që i jepen liberalizmit (siç është liria e shprehjes dhe e shtypit, demokracia përfaqësuese etj.).

Z. Salihu pohon se qeveria e Kosovës nuk është liberale. Kundërshtia e tij është paksa e çuditshme, meqenëse unë, në të vërtetë, nuk kam pohuar se qeveria e Kosovës është liberale, aq sa nuk është, në kuptimin klasik të fjalës, liberale qeveria e konservatorit David Cameron në Britani apo e Angela Merkelit në Gjermani. Neoliberalizmi nuk ka asgjë të bëjë me liberalizmin klasik, dhe kjo është shpesh çështje që shkakton konfuzion.

Historikisht, liberalizmi klasik ka ekzistuar në dy forma. Forma e parë është ajo ideologjike, në të cilën përfshihen mendimtarët e politikës ekonomike britanike, si David Ricardo, Jeremy Bentham e John Stuart Mill (Adam Smith, megjithëse zakonisht përfshihet në këtë shoqëri, kishte një mendim mbi tregun dhe zhvillimin kombëtar që megjithatë dallon nga liberalët klasikë). Roli i tyre në transformimin shoqëror të Britanisë gjatë gjysmës së parë të shekullit XIX është i rëndësishëm, dhe e ka analizuar bukur Karl Polanyi në veprën e tij klasike The Great Transformation (Transformimi i madh), kur flet për lindjen e tregut (dhe rolin primar të shtetit në këtë proces) dhe bashkë me të edhe të asaj që e quan “kredoja liberale”. Pjesërisht në sajë të ideve liberale, pjesërisht si pasojë e pozitës së saj të privilegjuar në ekonominë botërore, Britania e shekullit XIX ishte vend i cili më së afërti përfaqësoi modelin e ekonomisë liberale, me politikat e saj të tregut të hapur, në kohën kur vendet tjera nuk heqnin dorë nga proteksionizmi. Liberalizmi klasik, si sistem formal ideologjik dhe si praktikë politike, shënoi ekzistencën e vet në Britani nga viti 1820 deri rreth viteve 1890. Hegjemonia britanike në ekonominë botërore ishte epoka e artë e liberalizmit klasik, megjithëse edhe aty, një kërkim më i hollë do të gjente shumë politika e ligje (siç është, p.sh., ai për kufizimin e orarit të punës dhe ndalimin e punës së fëmijëve) që nuk përputhen absolutisht me konceptet klasike liberale për tregun, sipas të cilit shteti nuk duhet të vendos asnjë kufizim në marrëdhëniet e punës. Devijimi i praktikës nga doktrina klasike liberale ishte e paevitueshme pasi që, siç argumenton bukur edhe Polanyi, liberalët klasikë kishin ndërtuar një ide për tregun që nuk është asgjë më shumë se një utopi, realizimi i së cilës do të çonte në shkatërrimin e plotë të shoqërisë.

Kur flasim për neoliberalizmin, nuk flasim për liberalizmin klasik, sado që idetë themelore që qëndrojnë mbrapa neoklasicizmit ekonomik, shkollës ekonomike mbi të cilën mbështetet neoliberalizmi, thirren në idetë e liberalëve burimorë. Dosido, neoliberalizmi nuk është ringjallje e as vazhdimësi e liberalizmit klasik, kurse neoklasicistët për shumë kohë kanë qenë (dhe tani duket se po kthehen) në margjinat e mendimit ekonomik. Idetë monetariste të Milton Friedmanit ishin velo shkencore për lëvizjen elitiste të Mont Pelerinit, të themeluar nga ekonomisti Friedrich Hayek më 1947, që trumbëtonte fuqishëm doktrinat neoliberale. Në të vërtetë, vendi i parë ku i vunë në sprovë idetë neoliberale, në formën e politikave ekonomike, nuk ishte ndonjë vend i zhvilluar dhe demokratik, por Çile nën sundimin diktatorial të gjeneralit Augusto Pinochet. Në Perëndim, momenti politik i neoliberalizmit u arrit gjatë viteve 1980, në epokën e Ronald Reaganit në SHBA dhe Margaret Thatcherit në Britani. Mirëpo, siç dëshmon në studimin e saj Monica Prasad, as këta nuk i ndoqen deri në fund idetë strikte të neoklasicizmit. Thatcheri nuk arriti t’i implementojë shumë prej reformave të saj (p.sh., ajo nuk pati sukses në privatizimin e National Health Service, shërbimit publik shënëdetsor britanik), ashtu siç devijoi Reagani nga idetë bazë të shtetit minimalist të neoklasicizmit (me deficitet astronomike publike në SHBA). Megjithatë, projekti politik i neoliberalizmit, që vazhdoi gjithashtu nën ombrellën e të ashtuquajturës “Rrugë të Tretë” të binomit Clinton-Blair, prodhoi efektet e veta: reduktimin e shtetit social, rritjen e pabarazive sociale (me përqëndrimin e pasurisë në elitat e larta ekonomike, stagnimin e të ardhurave të klasës së mesme dhe shtimin e radhëve të të varfërve), intensifikimin e trendit të financiarizimit të ekonomisë, bashkë me intensifikimin e derregullimit financiar, proces që përfundoi me katastrofën e krizës financiare të vitit 2007-08, e që në Evropë vazhdon sot në formën e krizës së borxheve sovrane.

Siç argumentojnë Gérard Duménil dhe Dominique Lévy, neoliberalizmi, përtej një sistemi formal idesh, përfaqëson në radhë të parë një epokë e zhvillimit historik të kapitalizmit në kohën e përballjes me krizën strukturore të shkaktuar nga rënia e përgjithshme e shkallës së profitit, sidomos në SHBA, pas viteve 1970. Për shtetet në zhvillim të periferisë globale, që përgjatë viteve 1980 dhe 1990 iu nënshtruan “shok-terapive” të neoliberalizmit nën patronatin e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, neoliberalizmi u kthye, sërish me ndihmën e teorisë ekonomike, në një doktrinë të caktuar për rritjen ekonomike që arrihet, gjithmonë sipas kësaj doktrine, me hapjen e tregut (eliminimin e barrierave mbrojtëse për ekonominë e vendit), reduktimin e programeve sociale dhe arsimore në emër të disiplinës fiskale, privatizimin e ndërmarrjeve publike/shtetërore në emër të efiçiencës dhe konkurrencës, orientimin e investimeve në infrastrukturë fizike në emër të zhvillimit, dhe mbështetjen e rritjes ekonomike në investime direkte të jashtme. Siç vën re ekonomisti Ha-Joon Chang, ironia e kësaj periudhe është që shtetet që NUK e ndoqen rrugën neoliberale, si Korea Jugore, Taivani dhe Kina, janë ato që shënuan rritjen më të madhe ekonomike gjatë dekadave 1980-90. Shtetet që iu nënshtruan reformave neoliberale, jo vetëm që nuk shënuan rritje ekonomike, por pësuan tkurrje ekonomike dhe varfërim, siç ndodhi gjithandej Afrikës, Amerikës latine dhe vendeve “tranzicionale” të Evropës lindore, përfshirë dhe Rusinë, që është shndërruar në një nga vendet me pabarazitë më të mëdha shoqërore në botë.

Kështu që, përkitazi me qeverinë e Kosovës, ajo pa asnjë mëdyshje nuk është qeveri liberale. Por a është qeveri që zbaton politika neoliberale? Të ndjekesh politika neoliberale nuk nënkupton përpjekje për të ndërtuar një treg të lirë dhe të hapur, siç vënë re edhe z. Salihu, kur përshkruan monopolet dhe privilegjet e ndryshme jo-publike që ekzistojnë në ekonominë kosovare, dhe të tjera që synojnë të krijohen (si p.sh. në sektorin e energjetikës). Në këtë mes mund të përfshijmë edhe kritikën e Lumir Abdixhikut dhe Uk Lushit mbi mundësinë e ekzistencës së një oligopoli bankar. Neoliberalizmi nuk është një deux es machina që botës po ia dhuron tregun smithian; ajo është ideologji e institucioneve dhe fuqive të privilegjuara botërore që implementohet në mjedise me situata definitive politike dhe me marrëdhënie definitive klasore. Neoliberalizmi, nëse mund të shprehem me termet e David Harvey, është një mekanizëm që mundëson atë që ai quan “akumulim përmes shpronësimit” dhe përqëndrimin e shpejt të kapitaleve ekonomike brenda një klase të vogël pronarësh. Në rastin e Kosovës, duhet të pyetemi për situatën e caktuar klasore që krijon kushtet për neoliberalizmin; në njërën anë, një elitë politike e interesuar në nxjerrjen e rentave përmes “tatimeve” joformale që ata ia vendosin aktiviteteve ekonomike, kurse në anën tjetër një ekonomi të dominuar nga kapitali tregtar. Kapitali tregtar, apo, më saktësisht, klasa kapitaliste që është formuar gjatë dekadës së fundit dhe që ka përfituar nga tregu i hapur i Kosovës (në kuptimin e importit të jashtëm), ka interes të drejtpërdrejtë në ruajtjen e monopoleve tregtare, përmes marrjes së eksluziviteteve në treg, dhe përmes pengimit të konkurrentëve prodhues të brendshëm. Kapitali tregtar është ai që mbyt kapitalin prodhues të brendshëm, duke shërbyer si agjent lokal i interesave të kapitalit prodhues të jashtëm. Neoliberalizmi gjen hapësirë në Kosovë pikërisht si pasojë e aleancës, herë të heshtur dhe herë të hapur, midis kapitalit tregtar dhe një elite politike rentiere. Grupi i parë synon ruajtjen e monopoleve tregtare, zvogëlimin ose eliminimin e çdo barriere tregtare të jashtme, dhe nuk ka interes në zhvillimin ekonomik si të tillë; i dyti vepron sipas logjikës grabitçare, dhe te privatizimet dhe shndërrimet e pronës sheh shansa të reja për nxjerrje rentash. Liberalët besojnë se për kapitalizmin është i domosdoshëm tregu i lirë, dhe teoria e tyre nuk e kapërdinë mundësinë që kapitalizmi të ekzistojë pa treg të lirë, për shkak se tregun e konceptojnë si antitezë të shtetit; ekonomistët institucionalistë dhe historikë – përfshirë këtu edhe Marksin – nuk i befason ekzistenca e kapitalizmit pa treg të lirë, meqënesë interesi imediat i kapitalit është krijimi i kushteve për akumulimin e tij, e jo ndërtimi i institucioneve konkurrente të tregut, as i shpërndarjes së barabartë të pasurisë, e as i zhvillimit ekonomik, gjëra që mund të bëhen vetëm nga shteti.

Botuar te Koha Ditore, 8 maj 2011


Dy mitet e sektorit privat

Në emër të tregut të lirë, qeveria dhe zyrtarët e saj shesin jo doktrina por dokrra ekonomike. Na thonë se zhvillimin ekonomik do ta mbështesin në idenë se atë do ta çojë përpara sektori privat, me nënkuptimin se shteti nuk duhet të ketë asnjë rol në ekonomi, përveç atë të një rregullatori bazik që mbron pronën private. Madje, në një dokument të rëndësishëm qeveritar, nën rubrikën “ndërhyrjet e shtetit në ekonomi”, si masë “ndërhyrëse” përfshihet vetëm privatizimi i aseteve publike. Me një fjalë, i vetmi rol i shtetit në ekonomi (sipas doktrinës zyrtare ekonomike të qeverisë), është kalimi i atyre aseteve që tashmë janë në pronësi të shtetit, në pronësi private – dhe mundësisht të kapitalit të huaj. Privatizimi, më shumë se sa politikë që synon ngritje të kapitalit dhe zhvillim ekonomik, prihet nga dëshira për ta çliruar ekonominë nga e keqja e madhe e quajtur shtet.

Kjo është ajo që thuhet në nivel të doktrinës. Doktrinë që është konstruktuar nga ekonomistë të një shkolle të caktuar të mendimit (asaj neoliberale), të cilët atë shkollë e plasuan (megjithëse kohëve të fundit me më pak sukses) si doktrinë zhvillimore në institucionet si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, e që përmes këtyre u filtruan në dokumentet e qeverisë tanë, ku gjen shprehjet si “qeverisje e mirë” (good governance) dhe “sundim i ligjit” (rule of law), shpesh të përpiluara nga këshilltarë me Masterë të përfituar në universitete anglo-amerikane ku doktrina origjinale mësohet jo si teori, por si gjendje natyrore e njeriut dhe e realitetit ekonomik. Me teori ata synojnë konfirmimin e politikave qeveritare, ndërsa kryeministri konfirmon teorinë duke u thirrë në politikat qeveritare.

Por, të shkojmë përtej nivelit të doktrinës e të kalojmë në realitetin ekonomik në Kosovë. Është e vërtetë se në një ekonomi të zhvilluar të tregut, sektori privat është ai në të cilin qëndron dinamika e vërtetë ekonomike. Por kur flasim për Kosovën, harrohet se sektori privat përshkohet nga dobësi të mëdha strukturore. Sektori privat e ka pothuajse të pamundur kalimin në ekonomi në shkallë – 98% e firmave private në Kosovë janë firma të vogla dhe të mesme; shumica dërrmuese syrësh janë firma të vogla me një pronar dhe me jo më shumë se pesë të punësuar (mund të supozojmë që të punësuarit janë kryesisht familjarë të pronarit). Sektori privat vuan nga mungesa e kapitalit; bankat kosovare, përderisa janë disa nga bankat më profitabile në Ballkan, ofrojnë një nga shkallët më të larta të kamatave kreditore në Evropë. Dhe sektori privat investon pak. Mbi 90 për qind e aktivitetit privat që bën pjesë në BPV-në e Kosovës është konsum. Këto të dhëna nuk janë të shpifura por të nxjerra nga të dhënat me të cilat disponon vetë qeveria.

Ky është miti i parë. Miti i dytë ndoshta është më pak mit se sa paradoks. Argumentin që dëgjojmë shpesh nga kryeministri, ministrat e resorëve ekonomikë dhe aleatët e tyre jashtë qeverisë, që kanë të bëjnë me privatizimin, japin argumentin se privatizimi është i domosdoshëm për shkak se pronësia e shtetit në ndërmarrjet ekzistuese publike është ekonomikisht e dëmshme. Thuhet se është pronësia ajo që shkakton keqmenaxhimin dhe joefiçiencën e tyre. Çuditërisht, ky argument nuk duket se vlen kur është fjala për ndërmarrjet investuese në Kosovë, e që janë pronë e shtetit. Sigurisht, jo e shtetit të Kosovës, por e shteteve të tjera.

Telekomi i Sllovenisë është një nga firmat më të suksesshme të rajonit. Ajo ka investime në Maqedoni dhe në Kosovë, ku posedon operatorin IPKO. Vlera e saj në treg llogaritet në mbi një miliardë euro, ndërsa aksionet e saj tregtohen në bursën e Londrës. 52.5% e Telekomit slloven është pronë direkte e Republikës së Sllovenisë. Rreth 28% të aksioneve u takojnë investitorëve institucionalë slloven, siç është Fondi Kapital, fondet investuese sllovene, firma sllovene dhe individë privatë sllovenë. Vetëm 3.5% e aksioneve mbahen nga investitorë të jashtëm.

Merreni një shembull tjetër suksesi nga rajoni i Evropës qëndrore. Ndërmarrja energjetike ÇEZ është një nga firmat që Çekinë po e shndërrojnë në fuqi rajonale energjetike. ÇEZ vitin e kaluar bleu 70% të pronës të OSSH-së, ndërmarrjen e rrjetit shpërndarës në Shqipëri, dhe ka qenë një nga kandidatët seriozë për marrjen përsipër të projektit “Kosovën e Re”, deri para tërheqjes së saj. Ajo që nuk na tregohet shpesh është se 70% e ÇEZ-it është pronë e shtetit çek. Na dilka se edhe ndërmarrjet në pronësi shtetërore na qenkan të pranueshme për të hyrë në tregun e Kosovës. Me rëndësi vetëm që këto ndërmarrje shtetërore të mos jenë në pronësi të shtetit të Kosovës.

Dhe nuk është e vërtetë se Kosova nuk ka kapital për të bërë investime në asetet e saj strategjike. P.sh., nevojat për energji në rajon dhe Evropë do të vazhdojnë të rriten, ndërsa Kosova është një nga vendet e pakta të Ballkanit që do të investojnë në krijimin e kapaciteteve të reja prodhuese. Rreth një miliard euro të Fondit Pensional dhe atij të privatizimit rrinë fjetur nëpër banka ose të investuara në tregje të jashtme. Në vend se këto fonde të angazhohen dhe të investohen në fusha me një profitabilitet të garantuar, siç është energjetika e Kosovës, nga ato përfitojnë ekonomitë tjera, ashtu siç do të përfitojnë të tjerët duke ia shitur Kosovës rrymën e saj.

Tregu i telekomunikacionit në Kosovë është relativisht i nënzhvilluar. Vetëm 6% e popullatës ka qasje në telefoni fikse, kurse sipas Internet World Stats, e cila monitoron qasjen e vendeve botërore në Internet, më pak se 21% e popullsisë është e kyçur në Internet (në krahasim me mesatarën e BE-së që është rreth 58%). Ky është një treg potencial në rritje, përfitimi nga i cili do t’i jepet firmës e cila do të kontrollojë 75% të aksioneve në Telekomin e Kosovës.

Vendet si Sllovenia dhe Çekia vepruan mençur duke ditur se asetet e tyre kryesore do të gëlltiteshin shpejt nga kapitali i huaj, sikur ai gjerman ose austriak, sikur të mos merrnin masa për mbrojtjen e tregjeve dhe aseteve të tyre. Sllovenia dhe Çekia – dy nga ekonomitë më të suksesshme që kaluan me më pak vështirësi tranzicionin ekonomik, vepruan me politika që mbrojten tregun e vet, shfrytëzuan kapacitetet e shtetit për të mobilizuar kapitalin dhe për të përforcuar industritë e tyre tradicionale dhe për t’i riorganizuar ato në baza komerciale, dhe jo vetëm aq, t’i bëjnë ato konkurrente në tregun evropian. Athua ku do të ishin Sllovenia dhe Çekia sot, sikur si plan për “zhvillim ekonomik”, si puna e qeverisë sonë, do ta kishin shitjen e 70, 80 ose 100 për qind të industrive të tyre kryesore dhe humbjen e kontrollit nga asetet kryesore ekonomike? Le të na përgjigjen ata që thonë se pronësia shtetërore qenka e dëmshme për zhvillimin ekonomik.

Botuar te Koha Ditore, 24 prill 2011

Politika fiskale “sot për nesër”

Kryeministri në largim bëri një gjest të pazakontë për një kryeministër që është në dorëzim të detyrës, qoftë edhe nëse pret të rizgjedhet për një mandat të ri: marrjen e një vendimi unilateral për rritjen e pagave të një pjesë të sektorit publik. Hashim Thaçi arsyetohet se po vepron në bazë të premtimit parazgjedhor. Me këtë z. Thaçi dëshiron të tregojë se është politikan që i mban premtimet. Por, ky gjest i z. Thaçi jo vetëm që vendos një precedent të mbrapshtë institucional, por gjithashtu mbart rreziqe të mëdha politike dhe financiare për vendin. Megjithëse ka njerëz që mund të jetojnë me slloganin “sot për nesër”, dmth, të shpenzojnë krejt që i kanë tani, e të mos mendojnë si do t’ia dalin nesër, një gjë e tillë nuk mund të merret si model për politikën fiskale të një shteti.

Është e vështirë për këdo në kushtet dhe standardet e Kosovës që të zhvillojë argument kundër rritjes së pagave të sektorit publik. Sidomos në kohë kur çmimet e konsumit për shportën elementare janë rritur për 6,6% brenda vitit dhe mbi 10% prej kohës kur z. Thaçi ka marrë drejtimin e qeverisë. Këtë e ka të qartë edhe z. Thaçi, i cili gjendjen ekonomike të shumë familjeve në Kosovë e shndërroi në objekt të fushatës elektorale. Duke e kthyer premtimin në një vendim qeveritar, ai qet edhe opozitën e tij në pozitë të vështirë, meqë çdo kundërshtim lehtë mund të interpretohet si angazhim kundër rritjes së standardit të jetesës për policët, zjarrfikësit, arsimtarët dhe shërbyesit e tjerë civilë. Megjithatë, opozita është treguar e matur dhe një pjesë e reagimeve kanë treguar ku në të vërtetë qëndron problemi me vendimin e z. Thaçi për rritjen e pagave. Duhet të theksohen kryesoret prej tyre.

Së pari z. Thaçi bën një precendent të rrezikshëm politik dhe institucional. Një kryeministër nuk mund të sillet sikur paraja publike është pronë private e tij me të cilën ai mund të disponojë ashtu si do ai vetë. Siç dihet, si në shumicën e vendeve parlamentare, buxheti publik i Republikës së Kosovës miratohet nga Kuvendi, prandaj çdo ndryshim dramatik i alokimeve buxhetore, siç bën një vendim i tillë, duhet të marrë mandatin e Kuvendit. Aq më tepër që tani Kosova hyn në ujëra të rrezikshëm politik dhe institucional nëse kryeministri, sidomos kur ka legjitimitet të kufizuar (si rezultat i faktit se ai vepron si udhëheqës i një qeverie kujdestare në kohën derisa të konstituohen Kuvendi dhe qeveria e re), merr vendime unilaterale për ndryshimin e politikave buxhetore të shtetit. Z. Thaçi, me ndihmën e ministrit të tij të financave, ndoshta mund të gjejnë paratë për të mbuluar pagesat për janar dhe eventualisht për muajin shkurt për punonjësit që presin të përfitojnë nga ky vendim. Mirëpo, angazhimi për rritje pagash nuk është angazhim i përkohshëm, por një ngarkesë e përhershme buxhetore e cila duhet të përfshihet në të gjitha planifikimet e ardhshme buxhetore dhe i cili do të kërkojë një rialokim të ri të resurseve të brishta financiare të shtetit të Kosovës. Me këtë veprim, z. Thaçi e nxjerr Kuvendin e ardhshëm para aktit të kryer, duke e detyruar atë që të aprovojë rritje buxhetore pa kurrfarë konsultimi paraprak me të dhe pa kurrfarë debati publik mbi pasojat e një mase të tillë.

Ç’është më e keqja, ky vendim nuk është pa kosto edhe në statusin ndërkombëtar të vendit. Vendimi efektivisht zhbën marrëveshjen që kjo qeveri ka nënshkruar me Fondin Monetar Ndërkombëtar, në të cilin qeveria ka premtuar mosrritjen e shpenzimeve buxhetore në administratën publike si kusht për pranimin e kredive. Problemi nuk është vetëm tek prishja e një marrëveshjeje ekzistuese, por edhe besimi që FMN-ja do të ketë në të ardhmen ndaj qeverisë së Kosovës (meqë ajo tregohet labile dhe e gatshme t’i shkel marrëveshjet me institucione financiare kur këtë e kërkojnë interesat dhe kalkulimet afatshkurtëra politike). FMN-ja, dorën në zemër, nuk është institucion për t’u admiruar nëse je shtet në zhvillim, megjithatë vlerësimet e tij gëzojnë peshë të madhe në institucionet financiare dhe qarqet ndërkombëtare të biznesit. Si pasojë, humbja e besimit tek FMN-ja mundet shumë shpejt të reflektojë negativisht edhe në këto qarqe, që mund të vijnë në përfundim se Kosova nuk është shtet që i qëndron besnike angazhimeve të saja. Pas zgjedhjeve të dështuara, bujës ndërkombëtare mediale që ka bërë raporti senzacional i Dick Marty-it, përcjell edhe me reagimet diplomatikisht të pamatura të z. Thaçi (disa nga të cilat çuan në ofendimin e shtetit zvicërran), dhe që i bënë dëm reputacionit politik të vendit, gjëja e fundit që i duhet Kosovës është që të tregohet edhe si shtet financiarisht i papërgjegjshëm.

Aq më tepër që ky vendim hap terrenin për probleme më të thella ekonomike. Z. Thaçi nuk ka dhënë shenja, në qoftë se politika e vendit ecen drejt rikonstituimit të një qeverie të re nën udhëheqjen e tij, se ai ka ide të reja për kahjen ekonomike të vendit, duke marrë parasysh se politika e deritanishme është treguar pa rezultate. Z. Thaçi është mjaftuar me premtime të mëdha në formë slloganesh, si liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi në BE dhe NATO. Por, përsa i përket kursit ekonomik të vendit, z. Thaçi nuk është dëgjuar të japë shenjë për asnjë lloj ndryshimi. Edhe pse z. Thaçi, në formimin e tij personal politik, ka bërë një rrugëtim të gjatë nga majtizmi i rinisë së tij si aktivist i Lidhjes Popullore të Kosovës drejt socialdemokracisë dhe “Rrugës së Tretë” të laburizmit blairian të Internacionales Socialiste për të përfunduar në cilësimin më të ri të qeverisjes së tij si të qendrës së djathtë, petku i ri liberal-djathtist i z. Thaçi nuk është dëshmuar mu aty ku pritet nga liderë të këtij profili, që është rritja e sektorit privat. Perspektiva ekonomike mbase do të ishte më e mirë sikur z. Thaçi t’i mbetej besnik deri në fund petkut më të ri ideologjik që ai ka përqafuar së fundmi, por kjo nuk është ajo që është dëshmuar gjatë tri viteve të fundit të tij në qeverisje.

Ekonomisti Lumir Abdixhiku, me të cilin përndryshe kemi dallime të thella teorike, ka vënë dukje se politika ekonomike e qeverisë së kaluar ka qenë një politikë e mbështetur tërësisht në shpenzime publike. Në këtë pikë kemi pajtim të plotë: gjatë qeverisjes së tij, z. Thaçi nuk ka treguar asnjëherë vizion dhe politikë të qartë për rritjen e sektorëve kyç ekonomikë, ato që gjenerojnë mbivlerë për ekonominë dhe rrjedhimisht, çojnë në rritje të qëndrueshme ekonomike përmes të cilës do të përfitonin në standard të gjithë qytetarët e Kosovës. Megjithatë, duhet ta konsiderojmë mundësinë se edhe kjo politikë nuk ishte rezultat i ndonjë strategjie të menduar zhvillimore nga ana e qeverisë Thaçi, por thjesht një instrument që i ra në dorë si pasojë e rrethanave, pjesërisht si pasojë e situatës në të cilën gjendej vendi pas shpalljes së pavarësisë, ku përnjëherë u hoq barra e buxheteve publike të mbikëqyrura nga UNMIK-u, u fleksibilizuan shpenzimet ndërsa u përfituan edhe një sërë beneficionesh financiare për shtetin e Kosovës si pasojë e anëtarësimit në FMN dhe Bankën Botërore. Ndonëse shpenzimet buxhetore janë instrument i vlefshëm i rritjes ekonomike në kohë krize (gjë që dihet që nga Keynes-i, teoritë e të cilit përnjëherë u ripopullarizuan pas krizës financiare të 2008-ës), ato gjithnjë shihen si instrument i përkohshëm i stabilizimit të mjedisit makroekonomik. Shpenzimet pa mbulesë të cilësdo qeveri mbartin rreziqe të arritjes së pikës ku kontrollimi i shpenzimeve kërkon që të shkohet drejt masave drastike reduktuese në të gjitha shërbimet publike. Me ngarkimin e pakontrolluar dhe të padisiplinuar të buxhetit, siç bëri tani së fundi dhe siç kishte bërë me rastin e nënshkrimit të kontratës për ndërtimin e autostradës Vermicë-Merdar, z. Thaçi rrezikon ta çojë vendin drejt një situate ku shteti i Kosovës nuk do të jetë i aftë t’i përmbush obligimet e veta financiare, diçka që do të çonte jo vetëm në krizë institucionale, por në një shpërthim të sigurt të paqes sociale.

Barra e rreziqeve që mbart rritja unilaterale dhe e pambuluar e shpenzimeve buxhetore dhe cenimi i integritetit financiar të shtetit, në rastin e Kosovës është më e madhe dhe më e lartë se sa fati i një kryeministri apo një qeverie. Të gjithë qytetarët e Kosovës kanë nevojë për rritje të ardhurash dhe rritje standardi; ky veprim i shpejtuar i z. Thaçi, i bërë në bazë të kalkulimeve të tij afatshkurtëra politike, vë në rrezik arritjen e mu kësaj.

Botuar te Koha Ditore, 9 janar 2010

Ndiqe

Get every new post delivered to your Inbox.

Join 101 other followers