Skeduar nën E majta

A po afrohet momenti i kthesës për Evropën?

Kriza e eurozonës e ka shndërruar Evropën në një kazan me shumë vrima. Sa kujton që mbylle njëren vrimë, sheh se uji rrjedh nga tjetra. Në një pozitë të ngjashme janë liderët evropianë në raport me krizën e eurozonës. Me pakon e fillimvitit u llogarit se problemi i borxhit grek u vu nën kontroll, mirëpo gjendja e fundit e borxheve në Spanjë sërish po ngrit brenga se faza e pauzës së shkurtër nga preokupimi me krizën tashmë përfundoi.

Nga ana tjetër, politika e shkurtimeve të ashpra buxhetore (‘austerity’ në anglisht), e promovuar sidomos nga Bundesbanka dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, si rruga e vetme për daljen nga kriza, është nën thumbin e kritikave gjithnjë e më të ashpra. Është tashmë evidente nga indikatorët ekonomikë se kjo qasje, e imponuar si formulë universale për daljen nga kriza, po e rëndon perspektivën ekonomike të kontinentit.

Sipas parashikimeve të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), rritja ekonomike në eurozonë për vitin 2012, do të jetë në normën negative prej -0,3%. Kjo në kohën kur nevoja më e madhe e kontinentit për të dalë nga kriza është rritja ekonomike. Politikat e shkurtimeve të ashpra buxhetore, si në Greqi, Portugali e Spanjë, ndër vendet tjera, po shihen si një nga shkaktarët kryesorë të recesionit në eurozonë – për të mos përmendur papunësinë, paperspektivën për të rinjtë dhe krizën e përgjithshme sociale që ato kanë shkaktuar në këto vende.

Edhe Britania është në recesion. Ndonëse Britania nuk është anëtare e Unionit Monetar Evropian, për recesionin britanik po fajësohen njësoj politikat shkurtuese buxhetore të kampionit tjetër të ‘austerity’ në Evropë, kryeministri britanik nga radhet e konservatorëve, David Cameron.

Qasja e deritanishme për ballafaqim me problemin e krizës së eurozonës (që përfshin, në radhë të parë, krizën e borxheve të larta publike të shteteve të periferisë, rrezikun që eskalimi i krizës së borxheve paraqet për të adhmen e unionit monetar dhe të monedhës euro, dhe tani edhe problemin e recesionit ekonomik) është karakterizuar nga masat e pjesshme për adresimin e problemit të borxheve.

Nga këto lindën EFSF (Mjeti Evropian për Stabilitet Financiar – fondi për shpëtimin e shteteve në krizë) që derdhi qindra miliarda euro në Irlandë, Portugali dhe sidomos Greqi, propozimi për të ashtuquajturin “pakt fiskal” për eurozonën, që parasheh dënime për shtetet që në të ardhmen tejkalojnë kufizimet e unionit monetar për deficitet buxhetore dhe shkallën e borxhit publik, dhe së fundi pakoja e veçantë e negociuar në fillim të këtij viti për Greqinë, që kërkon nga ky vend implementimin e një plani afatgjatë shkurtimesh buxhetore dhe reformash tjera strukturore në shkëmbim të mbështetjes financiare evropiane.

Megjithatë, përderisa kjo qasje ndihmoi në qetësimin momental të krizës, qëndrueshmëria e kësaj qasjeje po vihet në sprovë.

Janë dy faktorë kryesorë që po e sfidojnë qëndrueshmërinë e qasjes aktuale:

I pari është fakti se kriza e borxheve shumë shpejt mund të dalë nga kontrolli në njërën nga ekonomitë me të mëdha evropiane. Këtij rreziku i kanosen në radhë të parë Italia dhe Spanja, si dy ekonomi me peshë të madhe në eurozonë.

Javën që shkoi Spanja u zu befas me rritjen e normës së interesit për bonot e saj nga 5,1% sa kanë qenë në fillim të këtij viti, në 6%. Sado që kjo nuk është ende afër pikës kulminante të nëntorit të vitit të kaluar, kur normat arriten në afër 7%, ky ndryshim mjaftoi për të nxitur alarm te politikbërësit evropianë se masat reduktuese të kryeministrit Mariano Rajoy, nuk po japin efektin e duhur, nën supozimin se vënia nën kontroll të financave publike do ta kthejë besimin e tregjeve financiare.

Italia paraqet rrezikun e dytë të madh për eurozonën, dhe trendi i rritjes së normave italiane gjatë dy muajve të fundit është po ashtu shqetësues. Ndërkohë që Spanja dhe Italia do të jenë të dyja në recesion sivjet, çështja është vetëm se drastik do të jetë recesioni. Pa bërë fjalë për revoltën sociale që ka kapluar këto dy vende, dhe që në çdo moment mund të rrezikojë stabilitetin e ketyrë qeverive, sidomos në një vend si Spanja, ku papunësia e të rinjve ka arritur në shkallën 50%.

Faktori i dytë është perspektiva e fitores së kandidatit socialist Francois Hollande në garën presidenciale në Francë, dhe humbja e presidentit aktual, Nicholas Sarkozy. Hollande është deklaruar kundër politikave shkurtuese të ndjekura deri tani, duke bërë thirrje për politika që shkojnë në favor të rritjes ekonomike.

Përkrahja për politikat shkurtuese duket se është zbehur edhe në Holandë, pasi që të hënën që shkoi erdhi deri te prishja e koalicionit qeverisës të kryeministrit Mark Rutte, si pasojë e kundërthënieve për masat e reja të shkurtimeve buxhetore. Holanda është një nga shtetet e pakta të eurozonës me financa të “shëndosha” dhe që ka qenë në ballë të thirrjeve për masa të ashpra kursyese në shtetet si Greqia dhe Spanja.

Faktori më i rëndësishëm që jep shenja për një kthesë të mundshme është megjithatë fitorja shumë e mundshme e Hollande në Francë. Me këtë, do të zhbëhet aleanca Sarkozy-Merkel që ka qenë boshti themelor politik i qasjes së gjertanishme, duke sjellë një konfiguracion të ri politik në kontinent, dhe ide të reja për ballafaqimin me krizën.

Ka qenë e qartë që nga fillimi i krizës së eurozonës se masat e pjesshme, çfarë nxiteshin nga Bundesbanka dhe boshti Sarkozy-Merkel nuk do të jenë të qëndrueshme, pasi që eurozona ka nevojë për reforma më të thella institucionale, dhe jo vetëm politika shkurtuese që, në thelb, po tregohen si shkatërrimtare për Evropën. Është indikative se këto ditë, kreu i Bankës Qëndrore Evropiane (BQE), Mario Draghi bëri thirrje për një “pakt të rritjes” për Evropën, ndërkohë që në mbështetje të këtij pakti u paraqit edhe Merkel.

Gjatë majit, CDU-ja e Merkelit do të ballafaqohet me zgjedhje në nivel të landeve në Gjermani, rezultati i së cilave mund të jetë përcaktues për fanatizmin me të cilin Merkel do ta mbrojë vijën e shkurtimeve si zgjidhje.

Është vështirë të thuhet se çfarë do të jetë përgjigja e re ndaj krizës së eurozonës, mirëpo momenti i kthesës po afron shpejt.

Botuar te “Zëri” (Prishtinë), 28 prill 2012 dhe “Gazeta Shqip” (Tiranë), 29 prill 2012.

Periferia e vërtetë e Evropës

Kohëve të fundit dallimi qendër-periferi ka kapluar ligjërimin publik mbi krizën e eurozonës – e përdorur në shkrime edhe nga autori i këtyre rreshtave. Një gjë që duhet theksuar është se një dallim i tillë është relativ – përderisa ne mund të bëjmë dallimin midis qendrës dhe periferisë përbrenda BE-së dhe më saktësisht përbrenda eurozonës (duke dalluar shtetet si Greqia, Portugalia, Irlanda etj. që janë zhvilluar më vonë dhe që aktualisht ballafaqohen me krizë fiskale dhe vendet e zhvilluara më herët dhe në gjendje më stabile financiare si Gjermania, Franca dhe Holanda), nuk duhet harruar se periferia e vërtetë e Evropës vazhdon të jetë zona lindore dhe juglindore e kontinentit, e përkufizuar nga shtetet ish-socialiste të Evropës qëndrore, të vendeve të Baltikut dhe ato të Ballkanit.

Grafikoni i mësipërm, i përgatitur për lëndën time në Binghamton University për Evropën lindore, tregon për hendekun e thellë zhvillimor që ekziston midis këtyre grupeve të shteteve. Grupi i shteteve të përfaqësuara nga shtylla e kaltër janë grupi i shteteve të BE-së deri në vitin 2004. BPV-ja për kokë banori në mesatare për këto shtete në vitin 2010 ka qenë rreth 44.500 USD. Kjo dallon dukshëm nga BPV-ja mestare për kokë banori për shtetet ish-socialiste që iu bashkuan BE-së pas vitit 2004 (Hungaria, Polonia, Çekia, Sllovakia, Bullgaria, Rumania, Sllovenia, Estonia, Latvia, Lituania, të përfaqësuara nga shtylla e kuqe), ku shifra ishte rreth 14.400 USD. Dallimi bëhet edhe më i qartë kur merren parasysh shtetet kandidate dhe ato që synojnë anëtarësi në BE (siç janë vendet e Ballkanit, me përjashim të Turqisë dhe Islandës, të përfaqësuara nga shtylla e gjelbër), ku BPV-ja mesatare për kokë banori është rreth 5000 USD. Tabela e mëposhtme rendit të gjitha shtetet evropiane sipas BPV-së për kokë banori, ku dallimet midis shteteve të qendrës dhe periferisë bëhen shumë të qarta (për shkak të burimit të të dhënave që kam përdorur, në listën e shteteve nuk janë të dhënat për Kosovën).

Çështja është se shtetet më pak të zhvilluara, që prej zgjerimit të parë të BE-së në vitet 1970 (kur në BE u futën vendet si Irlanda, Portugalia dhe Greqia), vendet e reja anëtare kanë parë tek BE-ja një mjet zhvillimor – gjë që ka dalë e saktë për këto shtete, të paktën deri në vitin 2008 kur ajo që mund ta quajmë ‘modeli zhvillimor evropian’ (tregu dhe monedha e përbashkët, lehtësimi i qarkullimit të kapitalit) ka dhënë rezultate relative, sado me kosto të theksuar (shkatërrim i industrive vendore, financiarizimi gjithnjë e më i madh, çmontimi i shteteve sociale dhe mbrojtjes së punëtorëve etj.). Shtetet postsocialiste të anëtarësuara pas vitit 2004, gjithashtu panë një shtim të rritjes ekonomike pas anëtarësimit në BE, gjë që shihet në ngritjen e shkallës së rritjes vjetore të BPV-së në 6-10 për qind deri në vitin e krizës 2008. Sipas një llogarie që kam bërë, bazuar në të dhënat e UNCTAD, përfitimi më i madh i këtyre shteteve të reja anëtare ka ardhë në formën e rritjes së investimeve të jashtme direkte (FDI). Kështu, nëse për shtetet e reja anëtare, niveli i përgjithshëm mesatar i FDI-së ishte rreth 1.880 miliardë USD në periudhën 1994-2003, në periudhën 2004-2008 ky nivel arriti në mbi 6.100 miliardë USD (në vitet e krizës 2008-2010, investimet kanë rënë në rreth 2.800 miliardë USD).

Paradoksi është që rritja ekonomike (dhe si pasojë struktura ekonomike e vendeve të reja anëtare) u bë gati krejtësisht e varur nga investimet e jashtme, kështu që, në momentin e krizës së vitit 2008, të gjitha këto vende përjetuan recesion të thellë në vitin 2008 me një krizë të pakapërcyeshme që vazhdon t’i godasë ekonomitë e tyre. Sipas llogarive të UNCTAD, shtetet postsocialiste të Evropës qëndrore dhe juglindore kanë një nga shkallët më të larta të TNI (Transnational Index), që llogarit varshmërinë e punësimit dhe formimit të kapitalit në një shtet nga investimet e jashtme. Nuk kam bërë një llogari rreth kësaj, por duket hipotezë e saktë për Evropën qëndrore dhe juglindore se sa më e transnacionalizuar ose globalizuar ekonomia e atij vendi, aq më i fuqishëm ishte impakti dhe pasojat e krizës globale financiare. Kështu, vendet që dikur merreshin si model i neoliberalizmit lindor, si vendet baltike, në vitin 2008 patën rritje negative nga -14 deri në -18 për qind të BPV-së (krahaso këtë me një ekonomi të paglobalizuar si Shqipëria, ku përkundrazi, në vitin 2008 pati rritje ekonomike). Kështu që, hapja ndaj BE-së, sado që solli beneficione imediate, gjithashtu ekspozoi shtetet e reja anëtare ndaj rreziqeve të cikleve spekulative të kapitalizmit global, çmim që ato po vazhdojnë ta paguajnë sot. Begatia e Evropës shumë shpejt u shndërrua në mjerim.

Aspekti i dytë i ‘modelit zhvillimor evropian’ është fakti se ai nuk solli ndryshim rrënjësor në strukturën ekonomike të vendeve të reja anëtare. Në shtetet ish-socialiste dominojnë sektorët e vjetër industrialë si energjetika, telekomunikimi dhe metalurgjia, pra industritë e trashëguara nga socializmi – industria e lartë teknologjike, që po shërben si motor zhvillimi në Azinë juglindore, nuk ka zënë rrënjë pothuajse fare në Evropën qëndrore dhe juglindore. Në esencë kjo do të thotë se transformimi strukturor ekonomik nuk është dëshmuar si pjesë e ‘modelit zhvillimor evropian’. Ky fakt vërtetohet në mënyrën më të mirë nga shembulli i Greqisë, dhe përvoja e këtij vendi pas hyrjes në unionin tregtar dhe monetar – ajo nuk çoi në ristrukturim ekonomik dhe industrial të Greqisë, ngaqë vendi mbeti me po atë strukturë ekonomike që kishte në vitet 1970 dhe 1980. Thellimi i marrëdhënieve në BE rezultoi në thellim të varshmërisë nga importet dhe nga fuqia financiare e qendrës. Ideja se ristrukturimi ekonomik i Greqisë do të ndodh si rezultat i dhunës së reformave të shkurtimeve buxhetore që po i imponohen Greqisë nga kancelarja Merkel dhe teknokracia e BE-së është në njërën anë iluzive dhe shkurtpamëse, në anën tjetër një akuzë që me vetë ngritjen e saj dëshmon dështimin fundamental të ‘modelit zhvillimor evropian’.

Tashmë që ‘modeli zhvillimor evropian’ është në krizë terminale, pyetja është se çfarë do të thotë kjo për vendet e periferisë. Kam frikën se – pa e elaboruar tepër këtu – se pa një ndryshim radikal në këtë model, pa  formulimin e një modeli të vërtetë zhvillimor që do ta ristrukturojë dhe ribalansojë ekonominë evropiane dhe ta bëjë Evropën në tërësi konkurrente në ekonominë globale (ku synim primar është nivelizimi zhvillimor i gjithë kontinentit evropian), e ardhmja e vendeve të periferisë është e zymtë. Ajo që është në horizont të periferisë së re është zgjedhja midis Greqisë dhe Hungarisë – nënshtrimi ndaj diktateve financiare të BE-së deri në përdhosjen e sovranitetit dhe demokracisë në njërin rast, apo instalimi i një autoritarizmi të ri të djathtë dhe pseudo-demokratik dhe mbrojtës të shtresave të reja të të pasurve në rastin tjetër. Kombinuar me rritjen e popullizmit të djathtë dhe sentimenteve anti-imigrante gjithandej Evropës, po bëhet e qartë që e ardhmja e gjithë Evropës është në sprovë më të madhe se kurdoherë më parë.

Çka simbolizon protesta në Wall Street?

Qe tre javë, disa mijëra protesues janë vendosur me tenda në parkun Zuccotti, në afërsi të qendrës financiare të New York-ut, në Wall Street. Gjatë dy javëve të para protestuesit u injoruan nga mediat e fuqishme korporative dhe protesta u pa si një nga qindra e mijëra protestat e rëndomta që ndodhin anëkënd qytetit të New York-ut gjatë çdo viti, mbi çështje të lloj-llojshme. Mirëpo, gjatë fundjavës së kaluar, gjatë tentim-marshit përmes urës së famshme Brooklyn Bridge drejt Wall Street-it, një përplasje me policinë çoi në arrestimin e 700 vetëve. Që nga ai moment, protesta ka tërhequr vëmendjen gjithnjë më të madhe të mediave, duke e katapultuar ngjarjen, siç është zakoni i mediave (sidomos atyre pamore), nga një protestë margjinale në një temë senzacioni. Në ndërkohë, protesta është përhapur në dhjetëra qytete tjera, ku lëvizje të ngjashme kanë “okupuar” hapësira publike.

 

Senzacioni medial sillet rreth qëllimit dhe kërkesave të protestës. Protestuesit thonë se janë kundër lakmisë dhe korrupsionit në Wall Street. Por protestuesit, ndonëse mirë të organizuar, i janë shmangur qoftë paraqitjes së kërkesave konkrete, qoftë botimit të ndonjë manifesti apo ultimatumi. Motoja e tyre është e thjesht: okupo Wall Street-it! Përtej kësaj gjithçka është e hapur. Një gazetar i kanalit të lajmeve Fox News, me anime politike të djathta, përqeshte protestuesit duke i ndalur ata dhe duke i pyetur se çka kërkojnë. Përgjigjet që jepnin ata ishin gjithçfare (prej kërkesave për ndaljen e luftës në Afganistan deri te ankesat për transportin publik në New York), që i mjaftonte gazetarit cinik të deklaronte se këtu ke një masë protestuesish të rinjë dhe të dezorientuar që në fakt nuk dinë se çfarë duan.

 

Është interesant se në fillet e veta para tre vjetësh, lëvizja djathtiste “Tea Party” që arriti të shndërrohet në krah radikal të Parisë Republikane, nuk pati pritje të tillë nga mediat, ndonëse edhe ajo nisi si një lëvizje amorfe dhe e paqartë në qëllime. Natyrisht, lëvizja Tea Party gjeti mbështetjen e menjëhershme të një numri korporatash të mëdha dhe biznesmenësh të djathtë, që mbushën arkat e këtyre organizatave, me qëllim të dobësimit të presidentit Barack Obama dhe mazhorancës demokrate që asokohe kontrollonte Kongresin. Kjo shtytje financiare dhe organizative i dha mundësi Tea Party që nga një masë jokoherente, shpejt të shndërrohet në faktor elektoral, si dhe të spastrojë imazhin e saj prej një reaksioni racist ndaj një presidenti zezak. “Spin doktorët” medialë, konsulentë të Tea Party të angazhuar nga korporatat e fuqishme bënë çmos që lëvizja të mos diskreditohet dhe të heq nga shfaqja në media elementet e veta raciste. Tea Party tani është shndërruar në faktor legjitim të politikës amerikane, platformë për mobilizimin e pakënaqësive në përkrahje të frymës konservatore dhe politikave lehtësuese për korporatat e mëdha dhe të pasurit, dhe me platformë çmontimin e plotë të sistemeve të mbrojtjes sociale dhe të ridistribuimit në SHBA.

 

Zor që lëvizjes në Wall Street, do t’i dalin në ndihmë korporatat e mëdha, të cilat janë pikërisht në shënjestër të protestuesve. Pyetja që ngelet është se çka paraqet protesta, dhe ku do të çojë ajo? Në krahasim me lëvizjet e mëhershme anti-korporatiste, si ato të lëvizjeve altermondialiste në Seattle në vitin 1999, të cilat etiketoheshin si radikale, ekstremiste, të çmendura etj., lëvizja në Wall Street po fiton simpati të gjerë. Simpatinë ndaj saj e ka shprehur edhe presidenti Obama, ndërsa një numër sindikatash iu bashkuan protestave dhe i përkrahin ato në mënyrë aktive. Një gjë e tillë përputhet edhe me gjendjen ekonomike më 1999 në krahasim me sot. Është lehtë të shprehesh kundër institucioneve qëndrore të kapitalizmit në kohë krize, qoftë vetëm me një gjest simbolik. Shpëtimet bankare me para publike gjatë viteve 2008-09, vazhdimi i pagesës së bonuseve astronomike në institucione financiare në kohë papunësie të madhe, shpëtimi i bankave, bankierëve dhe spekulantëve financiarë në dëm të klasave popullore të cilat po penalizohen më së shumti nga kriza, humbja e qindra mijëra shtëpive, zbehja e perspektivës për punë stabile dhe për karrierë tek një pjesë e madhe e studentëve dhe rinisë amerikane, nga të gjitha këto nuk duhen edhe aq argumente për ta ndezur mllefin kundër Wall Street-it, duke e shndërruar atë në simbol të të gjitha të zezave të periudhës së fundit. Nuk është çudi që një protestë që, në një moment tjetër, do të dukej si radikale dhe krejtësisht ideologjike, tani rezonon në logjikën e shumicës së amerikanëve dhe nxit simpatinë e tyre.

 

Megjithatë, pyetja mbetet, çka kërkon lëvizja në Wall Street? Ekziston një interpretim që kërkon shqyrtim serioz: pretendimi është se në kohën e rrjeteve elektronike e sociale, informimit të shpejt dhe koordinimit virtual, lëvizjet popullore janë gjithnjë e më të decentralizuara dhe në to mbizotëron organizimi horizontal kundrejt atij vertikal. Modeli kryesor është ai në Egjipt: një lëvizje pa lider, pa kryesi dhe pa ndonjë organizatë prijëse, arriti ta rrëzojë një diktator të fuqishëm. Fakti i dytë është se lëvizjet e reja, si ato në Egjipt, Tunizi dhe vende tjera të Lindjes së Mesme, por edhe ato në periferinë e eurozonës, në Portugali, Spanjë e Greqi, janë lëvizje që mobilizojnë kryesisht të rinjtë, kryesisht studentë dhe të diplomuar, por me perspektivë të zbehtë në pikëpamje socio-ekonomike. Ky “kognitariat” (siç i quajnë Michael Hardt dhe Tony Negri), i kyçur intelektualisht dhe i cili frymon natyrishëm në botën e teknologjisë së sotme, ka sens tjetër, më të demokratizuar dhe përfshirës për mobilizimin dhe për veprimin politik. Dallimi megjithatë, me rastet e përmendura është se, në Tunizi dhe Egjipt, kërkesa e protestuesve ishte kërkesa e qartë politike: dorëheqjen e diktatorëve. Është e paqartë se çfarë domethënie ka një lëvizje e tillë në kontekstin politik amerikan, meqë si rregull, një lëvizje në SHBA krijon efekt politik vetëm nëse ka para, ose nëse ka vota (mundësisht dyjat bashkë).

 

Zgjedhja në mes shndërrimit në një lëvizje margjinale dhe një lëvizje më të fuqishme politike është dilema e protestës. Ajo për momentin, veten e quan lëvizje jo-politike. Duke marrë parasysh përbërjen demografike të protestuesve – shumica të rinjë boemë, artistë, gazetarë të pavarur, shkrimtarë, dezajnerë dhe të tjerë – duhet përkujtuar atë që Walter Benjamin kishte shkruar për boemët revolucionarë të Parisit të shekullit XIX: “Me paqartësinë e pozitës së tyre ekonomike përkon paqartësia e funksionit të tyre politik” – me një fjalë, sipas Benjamin, duke qenë mangut një pozite të qartë klasore, boemët bredhin lirshëm dhe në mënyrë ambivalente me bindjet dhe lojalitetet e tyre politike. Një lëvizje e fuqishme anti-Wall Street mund të lindë vetëm kur viktimat e vërteta do të paraqiten dhe mobilizohen në lëvizje. Të grumbulluarit në parkun Zuccotti kanë bërë punën e pararojës që hap shtegun për një lëvizje më të madhe. Varet nga ata se nga do ta çojnë momentin që e kanë kapur.

 

Kolumna javore, Koha Ditore, 9 tetpr 2011

 

 

Nën robërinë e tregjeve financiare

“Institucionet bankare janë më të rrezikshme për lirinë tonë se sa armatat.” Këto fjalë i ka thënë revolucionari amerikan dhe presidenti i tretë i SHBA-ve, Thomas Jefferson, dhe janë një koment tepër real për gjendjen e sotme në ekonominë botërore, veçanërisht për qendrën euro-atlantike të saj.

“Tregjet e bonove janë shndërruar në sundimtarët e rinjë të Evropës”. Kështu thotë George Irvin nga Universiteti i Londrës, duke komentuar zhvillimet e fundit në Itali, e cila gjatë kësaj javë miratoi një pako shkurtimesh buxhetore prej rreth 40 miliardë eurosh, për të pacifikuar tregjet financiare që kanë filluar të bëhen skeptike për gjendjen e financave italiane, me frikën se Italia mund të marrë rrugën e falimentimit faktit që mori Greqia, Portugalia dhe Irlanda. Problemi me Italinë është se përderisa ndërhyrja financiare në këto ekonomi më të vogla ishte i përballueshëm për Bashkimin Evropian dhe institucionet financiare ndërkombëtare, një falimentim i mundshëm italian do të ishte katastrofik për gjithë ekonominë evropiane. Italia përbën rreth 16% të BPV-së së Eurozonës, kundrejt tre ekonomive tjera që bashkërisht janë vetëm 6%. Siç thotë Andrew Watt nga Instituti Sindikal Evropian, “vinçat ekzistues të Evropës janë tepër të dobët për ta ngritur një gur të tillë”, duke aluduar në mundësitë ekzistuese evropiane për ndërhyrje financiare në Itali.

Mirëpo tregjet financiare nuk kanë vënë në hall vetëm Italinë dhe Eurozonën, e cila tash e dy vite lëngon nga kanceri financiar i borxheve sovrane të euro-periferisë, i cili po rrezikon të shtrihet në ekonomitë më qëndrore evropiane. Një luftë e madhe politike po ndodh aktualisht midis presidentit Barack Obama dhe republikanëve në Kongres, për ngritjen e të ashtuquajturit “kulm të boxhit” i cili kufizon mundësitë ligjore për qeverinë e Shteteve të Bashkuara që të tërheq kredi nga tregjet financiare përmes shitjes së bonove. Qeveria e SHBA-ve është borxhliu më i madh në botë dhe huazon 0,40 dollarë për çdo 1 dollar që shpenzon për financimin e shpenzimeve buxhetore. 2 gushti është dita e caktuar nga sekretari amerikan i Thesarit, Timothy Geithner, kur SHBA-të do të arrijnë kulmin e përcaktuar ligjor të borxhit publik prej 14,3 bilionë dollarëve. Po qe se Kongresi, i kontrolluar në Dhomën e ulët nga republikanët, nuk miraton ngritjen e kulmit ligjor, qeveria e SHBA-ve ligjërisht nuk mund të tërheq më kredi. Kjo përkthehet në pamundësi të qeverisë federale amerikane që të paguajë pensione, të financojë shërbime të brendshme si dhe të paguajë për angazhimet e veta ushtarake nëpër botë.

Skenari është alarmant për shumë arsye, dhe jo vetëm për shkak të pamundësisë së qeverisë amerikane që të financojë angazhimet e veta administrative. Përkundër borxhit të madh, bonot e SHBA-ve deri më tani janë konsideruar nga tregjet financiare si pika zero e investimit të sigurt. Që nga themelimi i saj, qeveria e SHBA-ve historikisht asnjëherë nuk ka dështuar në përmbushjen e zotimeve kreditore. Organizatat e rejtingut kreditor, tashmë kanë paralajmëruar mundësinë që bonot amerikane të humbin rejtingun AAA+ (rejtingu më i lartë), që e mbajnë pandërprerë që nga viti 1911, rejting i cili vlerëson sigurinë e investimit dhe kapacitetet e huamarrësit që ta përmbushë zotimin kreditor. Efekti i kësaj do të shkaktonte një tërmet të sigurt në tregjet financiare dhe do ta shkundte deri në themel ekonominë botërore. Pasojat janë jo edhe krejt të njohura edhe për ekspertët financiarë dhe ekonomistët, pasi që një situatë e tillë do të ishte krejt e re për botën moderne, dhe është vështirë të parashikohen veprimet e tregjeve si pasojë e bllokimit financiar të qeverisë së SHBA-ve, mirëpo një epilog të tillë disa e përshkruajnë si “shpërthim bërthamor” në ekonominë botërore.

Siç kanë vënë re analistët e ndryshëm, gjatë tre viteve të fundit ekonomia botërore ka përjetuar një permutacion të krizës financiare të vitit 2008, e cila nga tregjet financiare dhe akterët privatë si bankat dhe korporatat, është mbartur tek financat publike të shteteve. Ndonëse problemi i borxhit publik në SHBA tani për tani është problem politik dhe jo ekonomik (pasi që, në dallim prej vendeve si Greqia, nuk janë tregjet financiare ato që kanë tërhequr besimin e tyre nga bonot amerikane), shumë prej shteteve federale amerikane, shumë nga të cilat nuk kanë mundësi tërheqje kredish sikur qeveria federale, janë në gjendje të rëndë financiare. Masat shkurtuese në nivel shtetesh federale po godasin të gjitha fushat, përfshirë arsimin publik, pensionet, shëndetësinë dhe asistencën sociale. E djathta republikane, si guvernatori i shtetit Wisconsin Scott Walker, po shfrytëzojnë krizën buxhetore të shteteve për të goditur sindikatat e sektorit publik, duke shkurtuar të drejtat negociuese të tyre dhe për shkurtimin e programeve sociale. Në SHBA, si në Greqi dhe shumë shtete evropiane, krizat buxhetore janë përkthyer në luftë kundër klasës së mesme, duke shfajësuar spekulimet financiare të bankave dhe institucioneve financiare si shkaktarë të krizës, dhe duke e hedhur fajin tek angazhimet e shumta sociale të shteteve.

Në ndërkohë, fuqia në ngritje ekonomike në Azi, dhe veçanërisht e Kinës, po paraqitet si mundësi e ‘shpëtimit’ financiar si në SHBA, ashtu dhe në Evropë. Përderisa SHBA-të janë borxhliu më i madh në botë, Kina është kredidhënësi më i madh në botë, dhe ka rol të rëndësishëm në financimin e deficitit amerikan si blerësi më i madh ndërkombëtar i bonove të thesarit amerikan. Përveç kësaj, sipas disa vlerësimeve, investimet e vazhdueshme kineze në bonot evropiane janë ato që kanë ndihmuar që kriza e borxheve sovrane evropiane të mos përkthehet në devalvim të mëtejmë të euros.

Assesi nuk duhet parë sipërfaqësisht zhvillimet e fundit dhe as nuk duhet parë ato si një anomali e përkohshme pas së cilës gjërat do të kthehen në “normalitet”. Jemi në ballafaqim të drejtpërdrejtë me ndryshime të thella strukturore në ekonominë botërore, në të cilat po sfidohen thellë kapacitetet e institucioneve ekzistuese për t’u bërë ballë presioneve ekonomike dhe financiare që rezultuan nga 30 vite sundimi doktrinar dhe politik të neoliberalizmit. E djatha ka përgjigjen e vet: më shumë neoliberalizëm! e cila realisht përkthehet në favorizim të mëtëjmë të interesave të fuqishme të kapitalit karshi klasës së mesme. Dhe shantazhi financiar i shteteve po i detyron, sidomos shtetet më pak të pasura, që t’i nënshtrohen logjikës financiare të neoliberalizmit, ironikisht të implementuara (si në Greqi, Portugali e Spanjë) nga qeveri të majta. Në SHBA, e djathta i është kthyer fuqishëm diskursit të vjetër për “shtetin e madh” i cili duhet të shkurtohet (kuptohet, me shkurtimin e shpenzimeve sociale dhe të drejtave punëtore).

Por përderisa qendra tradicionale euro-atlantike e ekonomisë botërore po vërshohet nga krizat politike dhe rritje të pakënaqësive popullore, në mbrapavijë po shohim një përmbysje graduale të hierarkisë financiare të botës. Kjo po shihet në ndryshimet që po ndodhin që në instrumentin kryesor të neoliberalizimit global financiar dhe ekonomik, Fondit Monetar Ndërkombëtar. Udhëheqësja e re e FMN-së, Christine Lagarde, pritet të krijojë një post të ri të nën-drejtorit, i cili do t’i takojë kinezit Zhu Min, duke reflektuar peshën e shtuar kineze në këtë institucion dhe në ekonominë botërore në përgjithësi.

Krizat politike, sidomos kur ato sjellin në pikëpyetje institucione fundamentale të organizimit politik e ekonomik në shkallë botërore, janë gjithashtu shansa për transformime radikale në hierarkitë dhe strukturat e jetës shoqërore. Kur Jefferson-i tërhoqi vërejtjen për rrezikun që lirisë i paraqesin institucionet bankare dhe financiare, ai e kishte fjalën për fuqinë e lëshimit të monedhës, që sipas tij nuk duhet assesi t’i lihej nën kontroll interesave private, pasi që, siç kishte thënë ai, përmes manipulimeve me monedhë “këto institucione do ta shpronësojnë popullin nga çdo pasuri, deri sa fëmijët e tyre të zgjohen pa strehë mbi kokë në kontinentin që vetë e pushtuan”. Por vërejtja e Jefferson-it mund të vlejë edhe për pushtetin aktual të tregjeve financiare mbi financat publike të shteteve, që përmes kamatave të larta efektivisht po e shpronësojnë publikun nga shërbimet elementare. Zgjidhja e Jefferson-it ka qenë që bankave t’i hiqet e drejta e lëshimit të monedhës, e cila sipas tij duhet t’i takojë popullit – apo, institucioneve publike. Një zgjidhje e ngjashme radikale duket e nevojshme edhe për situatën e sotme, kur nënshtrimi i financave publike ndaj tregjeve financiare dhe i interesave publike ndaj atyre private po kërcënojnë deri në themel jetën ekonomike të globit.

Kolumna javore, Koha Ditore, 17 korrik 2011

Kriza ka emër

Varfëria, gjendja e rëndë ekonomike e shumë kategorive shoqërore dhe paperspektiva e një qeverie me shumë plane për privatizime dhe shpenzime gjigande por pa plan dhe strategji zhvillimore, është përdorur jo rrallë viteve të fundit si zë alarmi për situatën aktuale ekonomike në Kosovë. Madje, jo rrallë është ngritur frika për perspektivën e një “shpërthimi social”. Ky alarm u riaktualizua sërish si rezultat i grevave të shumta që kanë ndodhur apo janë paralajmëruar javëve dhe muajve të shkuar dhe atyre në vijim, të kategorive të ndryshme të punonjësve – kryesisht ata të sektorit publik – që kanë të bëjnë kryesisht me ngritjen e pagave dhe sigurimin e të drejtave të tjera të punës.

Padyshim, gjendja në shumë sektorë është jo vetëm alarmante por shokuese. Ndërtimi i sektorëve kyç të administratës dhe të shërbimeve publike në Kosovë që nga viti 1999, ka ndjekur me përpikmëri doktrinën neoliberale mbi tregun e punës, duke krijuar vende pune me kontrata afatshkurtëra, pa mbrojtje pensionale dhe invalidore, pa mbrojtje në punë dhe pa siguri afatgjatë për vendin e punës. Nëse marrim si shembull vetëm gjendjen në polici, një polic jo vetëm që nuk përfiton kurrfarë sigurie në kontratën e tij/saj të punës, por as familja e tij/saj nuk gëzon kurrfarë mbrojtje pensionale në rast lëndimi apo pësimi fatal, përkundër faktit se kemi të bëjmë me një kategori pune me shkallë të lartë rrezikshmërie. Gjendja nuk është shumë më e mirë as në sektorët tjerë, qoftë në administratë, qoftë në arsim apo në shëndetsi.

Në sektorin privat, ndërkaq, gjendja e punëtorëve është e mizershme. Ndonëse ekonomia kosovare dominohet nga bizneset familjare, firmat e mëdha private, p.sh. ato të ndërtimtarisë, të hotelierisë dhe të shitjes së mallrave, jo vetëm që përndjekin dhe pengojnë organizimin sindikal, por nuk ofrojnë asnjë mbrojtje për punëtorët, shumë prej të cilëve janë sezonalë dhe nën mëshirën e punëdhënësit. Femrat përjetojnë represionin dhe abuzimin më të madh, e intensifikuar nga fakti se, përkundër traditës kosovare të punësimit mashkullor në bujqësi dhe në industri të rëndë, shumë sektorë të rinjë si shërbimet konsumatore preferojnë punësimin e femrave, gati tërësisht në pozita sekondare, me efekte të ndjeshme edhe në strukturën familjare. Natyrisht, firmave të mëdha private u konvenon ruajtja e gjendjes së çorganizimit punëtor dhe vakumit ligjor në fushën e mbrojtjes së punëtorit (qoftë në mungesën e legjislacionit, qoftë në mungesën e zbatimit të legjislacionit ekzistues), sepse i ruan kushtet për super-eksploatim që mundëson nxjerrjen e përfitimeve të mëdha në kurriz të punëtorëve. Ndërmarrësi paguan minimumin e mundshëm për djersën e punëtorit, duke mos marrë asnjë përgjegjësi për mirëqenien e punëtorit dhe të familjes së tij/saj. Shteti, kryesisht nga mungesa e vullnetit politik, nuk merr rolin që i takon në ndërmjetësimin e kontratës dhe në përcaktimin e kushteve të punësimit, që, përveç pagesës mbi një minimum të caktuar, detyron punëdhënësin të paguaj kontributet shoqërore, invalidore dhe pensionale për punëtorët, si dhe të garantojë respekt për të punësuarin dhe mbrojtjen e dinjitetit të punës.

Se gjendja ekonomike është alarmante e dëshmon jo vetëm shkalla e papunësisë prej mbi 40%. Një nga gjetjet interesante të sondazheve të UNDP-së të të ashtuquajturit “Paralajmërin të hershëm” janë dy trende: (1) që nga viti 2006 (dmth periudha pak kohë para shpalljes së pavarësisë), shohim një rritje marramendëse të gatishmërisë së qytetarëve për të protestuar kundër gjendjes ekonomike, ku tashmë deri në 80% të popullatës janë të gatshëm për protesta ekonomike dhe (2) që nga e njëjta periudhë, shumica dërrmuese e qytetarëve identifikon drejtpërsëdrejti Qeverisë si përgjegjëse për gjendjen ekonomike, kundrejt përgjegjësisë që më parë ndahej midis Qeverisë dhe prezencës ndërkombëtare në Kosovë, konkretisht UNMIK-ut. Kjo dëshmon një gjë: problemi në Kosovë nuk është vetëm papunësia, por pasiguria dhe perspektiva e zymtë ekonomike. Mbajtja e një vendi të punës nuk përbën kurrfarë garance ekonomike, sidomos në ambientin e sotëm ekonomik të determinuar nga jostabiliteti i tregut të punës. Ndryshe nuk shpjegohet fakti se përqindja e atyre të gatshëm për protesta ekonomike është dyfish më i lartë se përqindja e popullatës së papunësuar. Me një fjalë, nuk janë vetëm të papunësuarit ata që janë të gatshëm të protestojnë, por edhe të punësuarit. Madje, të punësuarit, sidomos në sektorët që gjenden pranë organizimit sindikal, posedojnë gjithashtu edhe mjetet organizative për organizimin e protestave, mjete që të papunët, si një popullatë amorfe dhe e paorganizuar, nuk i kanë. Rreziku i të ashtuquajturit “shpërthim social” vjen nga sektorët e organizuar të punëtorëve dhe i atyre që do të organizohen, e jo të të dëshpëruarve dhe të skamnorëve që gjenden jashtë kuadrit formal ekonomik.

Nga kjo pasqyrë e kemi të qartë që Kosova, ballafaqohet jo me krizë ekonomike, por me krizë sociale. Kriza sociale është cilësisht e ndryshme nga kriza ekonomike. Kjo e fundit ka të bëjë vetëm me aktivitetet ekonomike, të shprehura në një shifër abstrakte (p.sh. përiqindja e ngritjes apo rënies së prodhimit bruto të vendit), por ato, si të tilla, nuk tregojnë asgjë për realitetet shoqërore të një vendi. Aktivitetet ekonomike ndodhin edhe në kushte krize, në kushte katastrofe, në kushte varfërie të skajshme, por edhe në kushte lufte, madje në këto kushte aktivitetet ekonomike mund të jenë shumë profitabile. Aq më tepër që krizë ekonomike zyrtarisht nuk ka, sepse sipas Ministrisë për Ekonomi dhe Financa, Kosova sivjet do të shënojë rritje ekonomike, ashtu siç ka shënuar çdo vit që prej vitit 1999. Aktivitete ekonomike në Kosovë ka, problemi është se brenda çfarë strukture ndodhin, ku gjenerohet mbivlera (profiti) dhe si shpërndahet ajo shoqërisht. Ajo që po bëhet e qartë nga dëshmitë është se kapitalizmi kosovar po shkon drejt përqëndrimit të kësaj mbivlere në duart e një pakice të vogël që, përmes lidhjeve dhe rrjeteve formale dhe jo-formale, po e dominon ekonominë kosovare duke përfituar nga ajo në krah të shumicës së varfëruar dhe të lënë në një gjendje të përhershme të jetës në margjinat e ekzistencës ekonomike.

Në këto kushte, një gjë është pozitive, e ajo është që qytetarët e Kosovës e kanë gjithnjë e më të qartë adresën e përgjegjësisë politike për krizën sociale. Ata janë të gatshëm që pakënaqësitë e tyre t’i kanalizojnë në protesta, si në greva dhe demonstrata. Por, përveç adresës, kjo krizë ka edhe emër, një përfaqësim ideologjik. Ideologjia, duhet patur shumë qartë, nuk është vetëm një përmbajtje formale, një sërë premisash dhe doktrinash mbi rendin shoqëror, por është në radhë të parë FORMA e artikulimit dhe distribuimit të asaj përmbajtjeje, ashtu sikur në ekonomi, vlera e një malli nuk determinohet nga përmbajtja e brendshme e tij, por nga mënyra e prodhimit dhe e shpërndarjes së tij. Patem fatin e mirë që ideologjinë dominante, atë që në emër të lirisë dhe demokracisë ka prodhuar premisat institucionale për krizën e sotme, ta vështrojmë në shfaqje para pak dite nga ambasadori amerikan në Kosovë. Ambasadori ngriti dy ankesa, në dukje të lidhura logjikisht njëra me tjetrën. Ai u ankua se në Kosovë shteti kontrollon së tepërmi ekonominë, duke na e dhënë të kulluar sërish doktrinën neoliberale që bën thirrje për akoma privatizime. Sugjeroi që privatizimet shmangin korrupsionin, ndërsa harroi faktin se vetë dukuria e korrupsionit, jo vetëm në Kosovë por në terë Evropën lindore, lidhet drejtpërdrejtë me procesin e privatizimeve. E dyta, ai kritikoi partitë ekzistuese duke u ankuar se në Kosovë nuk ka parti politike që përfaqësojnë interesat qytetare. Me një fjalë, ai bëri thirrje për akoma privatizime dhe akoma zhveshje të shtetit të Kosovës nga detyrat ekonomike, si dhe bëri ftesë për daljen e partive të reja, padyshim të tilla që do t’i implementojnë pëlqimet ideologjike të ambasadorit, pasi që ato aktualet me sa duket nuk po bëjnë mjaft në këtë drejtim, edhe pse po e ndjekin me përpikmëri programin ekonomik që gëzon përkrahjen e ambasadorit dhe miqëve të Kosovës në institucionet ndërkombëtare financiare. Ambasadori bëri dy gjeste këtu – përveç që artikuloi doktrinën neoliberale në përmbajtjen formale të saj (më shumë privatizime, shtet të tredhur nga funksionet sociale dhe ekonomike, parti që përfaqësojnë interesat qytetare sipas idealit liberal të ambasadorit etj.), ai gjithashtu na e shpërfaqi formulën operuese të ideologjisë neoliberale, e kjo është paraqitja e saj e përhershme në formën e një kritike ndaj rendit ekzistues (po e lëmë mënjanë për momentin faktin se pozicioni nga i cili artikulohet kjo kritikë, ajo e një ambasadori të një shteti të fuqishëm, lë shumë për të dëshiruar për kah ndershmëria, objektiviteti dhe paanësia e asaj që është thënë). Këtu edhe qëndron një pjesë e efektivitetit simbolik të saj – neoliberalizmi mohon në çdo moment realitetin institucional që ai vetë ka prodhuar: krizë sociale, shtet dhe ekonomi të korruptuara, parti politike të deligjitimuara, qeverisje kleptokratike. Karshi këtyre realiteteve, neoliberalizmi thotë: nuk është bërë mjaft, duhet shkuar edhe më tej! Larg këtij deformimi ideologjik, e vërteta duhet të thuhet: kriza ka emër, kurse emri i tij është neoliberalizëm.

Botuar te Koha Ditore, 25 shkurt 2010

Kosova në krizën globale financiare

Është bërë e zakonshme nëpër mediume informative që të theksohet rritja e popullaritetit të Kapitalit të Marksit me shpalimin shokant të krizës globale financiare gjatë muajve të fundit. Në anën tjetër, disa nga e majta tashmë kanë filluar të shpallin triumfalisht fundit e projektit neoliberal dhe ardhjen e një epoke të re ku, sipas këtyre, do të shohim ardhjen në shprehje të formave më ‘socialiste’ të organizimit ekonomik, siç janë nacionalizimi i bankave (që tashmë po ndodh gjithandej vendeve postindustriale), taksa në shkallë progresive dhe masa të tjera që i japin fund ekceseve të kapitalizmit financiar që ishin shkaktarët fundamental të krizës aktuale. Në Amerikë kjo frymë ka marrë hov gjithashtu me fitorën elektorale të Barack Obama-s dhe të demokratëve, duke shpallur kështu sipas disave një epokë të re post-neoliberale.

Rreziku i pranimit të kësaj narrative qëndron në atë se ai fokusohet në trendet afatshkurtëra dhe nxjerr krizën aktuale nga kuadri më i gjerë i transformimeve ekonomike që kanë ndodhur gjatë tri dekadave të fundit në vendet e zhvilluara kapitaliste. Padyshim, edhe ekonomistët më të regjur neo-klasikë (baballarët ideologjikë të neoliberalizmi) kanë parasysh se kriza e sotme tejkalon përmasat e një krize “normale” ciklike të akumulimit kapitalist, të të ashtuquajturve “business cycles” në të cilat tregu i riadaptohet një ekuilibri të ri të raportit ofertë-kërkesë. Kriza dhe falimentimi i shpejt i shumë bankave dhe institucioneve financiare dhe e institucioneve të mëdha të siguracioneve sikur American International Group (AIG), në një formë që përnjeherë kanë reduktuar praninë e kreditit në ekonomitë e zhvilluara (aq të domosdoshëm për investime si dhe për mbajtjen e nivelit të konsumit) qartazi shkon përtej një krize afatshkurtër dhe një tkurrje normale ekonomike çfarë pritet prej një recesioni. Intervenimi i paprecedent i shteteve në subvensionimin e humbjeve ekonomike të bankave dhe institucioneve financiare të mëdha dhe humbja e qindra triliardë dollarëve në vlerë të tregjeve globale financiare dëshmon për shkallën e jashtëzakonshme të krizës aktuale. Kjo, natyrisht përbën vetëm efektin ekonomik të krizës. Efekti i tij përmes ngarkesave të përnjëhershme që ajo i ka bërë buxheteve shtetërore, duke shkaktuar rënien e të hyrave tatimore, obligimin për të ndërhyrë me para të reja në ekonomi për të parandaluar një kolaps total ekonomik, ngarkesat e reja në shërbimet sociale si pasojë e rritjes së papunësisë, janë pasojat tjera të krizës të cilat tashmë po gjenerojnë dinamika dhe kriza të reja politike në gjithë globin.

Tashmë për shumëke është gjithashtu i qartë shkaku themelor i krizës. Ishte vetë aparatura globale financiare që, përmes produkteve ‘inovative’ financiare, të të ashtuquajtura ‘securitization’, e nxitur nga korniza e dobët rregullative e favorizuar me dekada nga ideologjia neoliberale (nocioni që tregu nuk ka nevojë për mbikëqyrje sepse vetëvetiu korrekton gabimet e veta etj.) dhe dominancës gjithnjë e më të madhe të kapitalit financiar karshi atij prodhues si motor të akumulimit kapitalist, ajo që ushqeu rritjen spekulative të profitit përmes investimeve financiare. Rritja ndodhi pothuajse krejtësisht në krah të tregjeve të patundshmërisë, ku përhapja e kredive nxiti blerjen masive të patundshmërive, gjë që artificialisht ngriti çmimet e tyre deri në shkallën kur mospagesat e kredive nga blerësit çoi në tërheqjen e tyre nga tregu, ndërsa bankave u mbetën në duar prona të lidhura për letra krediti pa vlerë në treg. Kolapsi i këtij tregu spekulativ, në në vitin 2008 kishte vlerë nominale prej afër 800 biliardë dollarëve (11 herë më e madhe se gjithë ekonomia globale), mbi të cilin ishte ndërtuar ngrehina e re financiare, ishte nyja e parë në zinxhirin financiar që tërhoqi me vete struktura të tëra financiare, duke na çuar në situatën në të cilën gjendemi sot.

Reagimi i disave është që kriza dëshmon për nevojën e rikthimit të rregullimit, kontrollit dhe monitorimit shtetëror të aktiviteteve në tregjet financiare, proces që gjithashtu ndodhi pas kolapsit financiar të viteve 1930. Mirëpo kjo pikëpamje e ngushtë e aspektit rregullativ lë jashtë procesin e transformimeve institucionale të post-fordizmit, ku duhet ta kërkojmë shkakun më të madh të situatës së sotme politike dhe ekonomike. Teoria e fordizmit/post-fordizmit rrjedh nga e ashtuquajtura Régulation School e teorisë ekonomike, por që në dallim prej ekonomisë neo-klasike, koncepton kapitalizmin si një formë ekonomike që është në varshmëri të drejtpërdrejtë me institucionet dhe normat jo-ekonomike. Régulation School merr seriozisht vështrimin e Althusser-it se ajo që e dallon historikisht një formacion shoqëror kapitalist (kundrejt atij feudal etj.) është dominanca e instancës ekonomike mbi instancat tjera shoqërore, dukuri kjo e vënë re për ekonomitë e tregut edhe nga babai i traditës institucionaliste në ekonomi, Karl Polanyi. Kundrejt determinizmit njëkahësh të marksizmit ortodoks (se struktura ekonomike është shkak i superstrukturave shoqërore, politike dhe ideologjike), Régulation School kupton instancat apo fushat e ndryshme institucionale të një formacioni shoqëror si potencialisht autonome, megjithëse të ndërlidhura në mënyrë sistemike, përmes të ‘coupling’ (ndërlidhjeve komplekse kauzale por që megjithatë veçojnë dy sisteme kauzalisht të pavarura). Kjo e bën Régulation School më të afërt me traditën institucionaliste në sociologji se sa me ekonominë neoklasike apo edhe me ekonomitë politike klasike marksiste. Si pasojë, Régulation School thekson se kapitalizmi, në instancë të fundit, varet nga një mënyrë e riprodhimit (mode of reproduction) që krijon kushtet si shoqërore dhe kulturore (përmes vlerave shoqërore, institucionale etj.), si ato ekonomike (të regjimeve të akumulimit të kapitalit) për zgjerimin e qarqeve të prodhimit, qarkullimit dhe konsumimit të kapitalit. Mënyra e riprodhimit përbëhet nga dy elemente: mënyra e rregullimit shoqëror (institucionet, normat shoqërore, ideologjia etj.) dhe nga regjimi i akumulimit (rrjetet dhe strukturat të prodhimit dhe konsumit që mundësojnë akumulimin afatgjatë të kapitalit). Dyja këto struktura kanë pësuar ndryshime gjatë tri dekadave të fundit.

Sipas teoricientëve të Régulation School, ajo që vështrojmë në vendet e zhvilluara kapitaliste, që nga kriza ekonomike e viteve 1970 është një ristrukturim ekonomik që po zëvendëson formën e dikurshme ekonomike të mbështetur në rolin qëndror të shtetit në zhvillimin ekonomik dhe në nivelizimin e ekstremeve të pabarazive shoqërore përmes ndërhyrjeve Keynes-iane, një mënyrë e rregullimit që ata e quajnë Fordizëm, në një formacion të ri post-fordist. Post-fordizmi është pasojë e kontradiktave të vetë fordizmit, por edhe të transformimit në shkallë të rrjeteve të qarkullimit të kapitalit ku një ekonomi relativisht e vetëpërmbajtur kombëtare e një shteti është zëvendësuar me një ekonomi të ndërlidhur globale si një sferë gjithnjë e të unifikuar të investimit, prodhimit dhe konsumimit transnacional të kapitalit. Për dallim nga sistemi fordist, postfordizmi mbështetet në “akumulimit fleksibil”, që domethënë dominancën e kapitalit financiar, fluiditetin (dhe globalizimin) e qarqeve të prodhimit, me pasojë edhe “kazualizimin” e punës nga një garancë shoqërore çfarë ishte në fordizëm në një pozicion të pasigurt dhe të përkohshëm që çon komodifikimin individual në shkallë të reja duke kërkuar nga individi punonjës që të jetë “fleksibil” në tregun e punës për shkak të jostabilitetit të strukturës ekonomike, të ndjekur me erozionin e të drejtave të punës (pjesërisht pasojë e dobësimit të organizimit sindikal), humbjen e vlerës së punëtorit (sidomos në rangjet e ulta të tregut të punës) me automatizimin e procesit të punës dhe bartjes së prodhimit në vendet e Botës së Tretë, bashkë me vlerësimin e punës simbolike (të shërbimeve komplekse) që kërkojnë përgatitje të lartë arsimore, dhe të mënyrave të reja të organizimit të firmave që hierarkitë e pozitave dikur të distribuuar në bazë të stazhit punues e zëvendësojnë me konkurrencën e brendshme të punëtorëve. Roli dhe rëndësia e shtetit kombëtar në rregullimin ekonomik dhe social është debat që vazhdon në mesin e atyre që janë pjesë e Régulation School mirëpo padyshim, roli i shtetit në kushtet e globalizimit të sistemeve financiare është pa asnjë dyshim krejtësisht tjetër nga ai që mund të ishte para tri-katër dekadave, ku planfikimi qëndror në shkallë të shtetit kombëtar akoma ishte i realizueshëm, madje edhe në shtetet perëndimore si Franca, Gjermania apo vendet skandinave. Këtë po dëshmon edhe kriza e sotme ku po shihet se mjetet që shteti posedon janë – sidomos për shtetet më të vogla – shpesh joadekuate për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive një krize që ka si shkak forca që gjenden krejt jashtë sferës së kontrollit dhe jurisdiksionit të tij. Disa parashikojnë se kriza aktuale do të çojë në ngritjen e instancave globale rregullative të kapitalit financiar. Një gjë e tillë mbetët të shihet, megjithëse edhe kjo sjell rrezikun e ndërtimit të një oligarkie financiare që vazhdon t’i lë shtetet më pak të zhvilluara nën mëshirën e institucioneve ndërkombëtare financiare si të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Mirëpo është e qartë se karakteri themelor i krizës aktuale rrjedh nga fakti i vështruar nga teoricientët e Régulation School gjatë dekadave të fundit: se ristrukturimi ekonomik post-fordist po gjeneron, përveç rritjes së pabarazive sociale gjithandej vendeve të zhvilluara dhe të pazhvilluara, gjithashtu dhe krijimin e një strukture ekonomike që, për shkak se mbështetet mbi kapitalin financiar, gjithnjë e më shumë i nënshtrohet ekstremeve të lëvizjeve ekonomike dhe krijon kriza të përmasave globale që nuk kursen asnjë nga vendet që dikur mbijetonin krizat globale të paprekura. Prandaj me të drejtë, Marazzi e quan krizën aktuale “kriza e parë e unifikuar e postfordizmit”. Në dallim prej krizave regjionale (siç ishin recesioni japonez i veteve 1990, kriza financiare në Azinë juglindore në fundvitet 1990, kolapsi financiar në Argjentinë dhe Brazil etj.), kriza e sotme nuk ka kursyer asnjë nga ekonomitë e zhvilluara.

Në aspektin strukturor, ajo çfarë bën kriza aktuale është sjell në pikëpyetje gjithë rolin e kapitalit financiar në sistemin aktual ekonomik global. Siç bëjnë të ditur historianët ekonomik, roli i kapitalit financiar ka pësuar shpërthim që nga vitet 1970 duke përfshirë sot të gjitha aspektet e aktivitetit ekonomik. Në SHBA, p.sh., në vitin 1947 sektori financiar përbënte rreth 2,5 % të Prodhimit Bruto të Vendit (GDP), ndërsa në vitin 2006 kjo kishte arritur në mbi 8 %, duke bërë që shërbimet financiare të marrin pjesë me afër 40 % në strukturën e profiteve korporative. Rritja e sektorit financiar ndodhi gjatë dhe pas krizës së viteve 1970, paralelisht me ngritjen ideologjike të neoliberalizmit. Si pasojë, sot, në ekonomitë e zhvilluara, çdo veprim ekonomik, që nga investimi deri tek konsumi i produkteve, varen drejtpërdrejtë nga kapitali, në radhë të parë në formë të kreditit, i siguruar nga sistemi financiar. Prania e madhe e kreditit ka çuar gjithashtu në rënien e nivelit të kursimeve, jo vetëm në vendet e zhvilluara por edhe në shoqëritë si Japonia dhe Korea Jugore që dikur njiheshin për shkallë të larta kursimi. Kursimi mund të duket si gjithnjë e më i panevojshëm për shoqëri ku te kredia arrihet lehtë dhe përdorimi i tij është i thjeshtë për çdo aspekt të investimit dhe konsumit. Mirëpo, kjo logjikë dëshmohet problematike në momentin që, siç ndodhi tani, krediti zhduket nga ekonomia si pasojë e humbjeve të mëdha në investime spekulative që tërheqin me vete banka të tëra dhe gjithë bazën e kapitalit që furnizon ekonominë me kredi.

Kjo ka çuar në një ndërhyrje të paparë të shtetit në shpëtimin e bankave dhe institucioneve të tjera financiare për subvencionimit dhe pjesëmarrjes direkte të shtetit në pronësinë e tyre. Në këtë pikëpamje, është përmendur shpesh fantazma e socializmit: a është e mundur se edhe në një vend si Amerika, fillon nacionalizimi i bankave dhe kompanive të mëdha? Mirëpo paradoksi i asaj që po shohim është vënë re nga të tjerët: nëse ky është ‘socializëm’, është i tillë vetëm për kapitalistët. Shteti fut paratë publike në shpëtimin e investitorëve spekulativ, duke shpërblyer riskun e tyre. Arsyetimi është se po të lihen të kolapsonin institucione bankare si Citigroup, Bank of America apo AIG, shoku ekonomik që do të shkaktohej në gjithë ekonominë amerikane dhe globale do të ishte katastrofik, duke marrë me vete në varr sektorë të tërë të ekonomisë dhe duke çuar në nivele të papara të papunësisë që nga depresioni i viteve 1930. Kapitalizmi është bërë tepër i madh për veten e tij, që bën të domosdoshme socializimin e humbjeve të mëdha ekonomike në shkallë historikisht të paparë, në mënyrë që të evitohen kriza edhe më të rënda ekonomike dhe shoqërore.

Ku i gjejnë këto transformime vendet në zhvillim si Kosova? Shoku i krizës është ndjerë në gjithë vendet “tranzicionale” të Evropës lindore në formën e rëniës së aktivitetit ekonomik, devalvimit valutor dhe rrezikut të vazhdueshëm të dështimit të sistemit financiar. Zhvillimi i tillë detyroi që, në vlugun e krizës në mars të këtij viti, shefat e gjithë bankave qendrore të vendeve evro-lindore të mbajnë një samit të përbashkët për të siguruar për stabilitetin e vazhdueshëm të sistemeve të tyre financiare, pas të dhënave alarmante për rrezikun e kolapsit financiar të lëshuara në fillim të këtij viti. Kriza ekonomike në Evropën lindore është e lidhur ngushtë me fatin e ekonomive të Evropës qendrore, të dominuar nga Gjermania dhe, më pak, nga Austria. Megjithëse rreziqet e kolapsit financiar janë evituar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) parasheh një rënie mestatare prej 5.2 % për prodhimit bruto (GDP) në gjithë rajonin, që përfshin edhe Ballkanin. Ironikisht, kjo rënie është më e madhe në shtetet baltike, që dikur merreshin si modele të transformimit të suksesshëm në ekonomi të tregut. Rënia e GDP-së në këto shtete për këtë vit sillet prej 10-12 %, fakti i varshmërisë së tyre të thellë me ekonominë globale. Edhe pse efektet e krizës kanë bërë që edhe FMN-ja të zbusë insistmet në balansimin e buxhetit dhe të tolerojë deficitet buxhetore që kanë rezultuar si pasojë e krizës ekonomike, në disa vende kriza financiare po përdoret politikisht si arsyetim për politika shumë më drastike buxhetore. Përderisa në vendet e zhvilluara shihet rëndësia e shpenzimeve buxhetore për rigjenerim ekonomik (si p.sh. në SHBA, ku qeveria miratoi shpenzime me vlerë rreth 800 miliard dollarë) në vendet e vogla kriza çon në shtrëngimin e mëtejmë të shpenzimeve publike. P.sh., për këtë vit, kryeministri estonez ka kërkuar reduktime në shpenzimet buxhetore prej 12 %, duke marrë shkas se kriza shërben “për zvogëlimin e mëtejmë të shtetit” siç ka deklaruar ai. Kurse, përderisa shtetet e vogla baltike dhe ato të Evropës qendrore dhe lindore ballafaqohen me krizën, shtetet me zhvillim të mesëm si Brazili dhe India synojnë që të dalin nga kriza me një rol më qëndror ekonomik dhe politik. Si përfundim, mund të themi se “kriza e unifikuar e postfordizmit” nuk po çon drejt një unifikimi në formën e masave politike që po merren nga shtetet, as në lindjen e një makro-strukture rregullative botërore, por në fragmentimin e mëtejshëm ekonomik dhe politik (të parë edhe në paaftësinë e BE-së për t’u përgjigjur, si bllok, krizës, duke i detyruar shtetet anëtare në marrjen e masave vetanake). Globalizimi ekonomik, ironikisht, po çon në fragmentimin e vazhdueshëm politik, me efekte që do të vërehen edhe gjeopolitikisht, por edhe në lëvizjet shoqërore brenda vetë shteteve. Mirëpo, ky fragmentim nuk po shkon drejt krijimit të autarkive të reja të ekonomive kombëtare (siç ndodhi në prag të Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore), por të ndarjes së globit në sisteme regjionale ekonomike të organizuara si bllok rreth një ekonomie të zhvilluar me rol dytësor prodhues dhe konsumues për shtetet periferike, me varshmëri të madhe te kapitali i jashtëm financiar për sigurimin e investimeve.

Ku qëndron Kosova në këtë mes? Me disa përjashtime (p.sh., fondin pensional), kriza ka kursyer Kosovën më masë të madhe për shkak të izolimit të saj relativ nga sistemi financiar global dhe qarku i investimeve spekulative që çoi në krizën aktuale. Mirëpo, izolimi i Kosovës, sado është një përparësi, është gjithashtu një problem, sepse mosintegrimi sado periferik në blloqet regjionale ekonomike po çojnë në shndërrimin e Kosovës në një vrimë të zezë në hartën ekonomike të Evropës, me probleme ekonomike që, prej prizmit evropian (siç është papunësia prej mbi 40%), duken se, edhe në kushtet e krizës aktuale, i takojnë një planete tjetër.

Problemi themelor është se Kosova nuk ka kapacitete të planifikimit dhe zbatimit të një programi zhvillimor ekonomik. Në dallim prej shumë vendeve të rajonit, Kosova nuk ka një agjension të zhvillimit ekonomik, as programe efektive që shkojnë drejtë nxitjes së eksportit si bazë për rritje ekonomike, ndërsa eksporti është nyja themelore që krijon lidhjet midis ekonomisë vendore dhe tregut global. Mirëpo problemi nuk është vetëm institutional, ai është edhe ideor – me një elitë të korruptuar politike dhe një sistem të dështuar të studimit të lartë universitar dhe akademik, Kosova nuk ka as kapacitetet e nevojshme intelektuale për t’u përballur me sfidat e zhvillimit ekonomik. Lëvizjet shoqërore, ndërkaq, mbesin tepër të fragmentuara dhe të paafta për krijimin e një platforme progresive që zhvillimin ekonomik do ta kishte bazë parësore të politikës. Si pasojë, edhe në kushtet e krizës aktuale globale, Kosova mbetet peng i zbatimit të politikave ekonomike të institucioneve globale financiare si FMN (në të cilën Kosova para pak kohe fitoi anëtarësinë). Problemi kryesor është se politikat e FMN-së nuk kanë synim zhvillimor – ato synojnë, në parim, stabilitetin makro-ekonomik të vendit, brenda disa kornizave konservatore ekonomike (mbrojtja nga deficitet buxhetore, stabiliteti i valutës, që në Kosovë nuk përbën problem për shkak të përdorimit të euros, dhe nga presionet e inflacionit), që i konsiderojnë si krjim të kushteve për investime. Mirëpo, sipas këtyre parametrave, mjedisi ekonomik në Kosovë ka qenë stabil që nga periudha e menjëhershme e pasluftës. Ndërsa problemi qëndror ekonomik në Kosovë vazhdon të jetë paaftësia e lidershipit politik për të kaluar nga një politikë konservatore e stabilitetit makro-ekonomik, çfarë favorizohet nga FMN, në një politikë aktive të zhvillimit që i jep shtetit rol qëndror në orientimin e programeve zhvillimore ekonomike.

Botuar te Ekonomia, qershor 2009

Si të tejkalohet epoka post-zhvillimore?

Kjo që e jetojmë sot lirisht mund të quhet epoka post-zhvillimore. Ideja mbrapa kësaj është se vetë koncepti i zhvillimit është i vdekur. Sot, kur flitet për “zhvillimin”, fjala është zakonisht për “zhvillimin ekonomik”, të matshëm në terma ekonomik, siç është rritja vjetore e Prodhimit Bruto të Vendit (GDP), apo shkalla e investimeve të jashtme. Ky kuptim i ngushtë i zhvillimit është pasojë e hegjemonisë së doktrinave neoliberale, të promovuara nga një numër ekonomistësh dhe institutesh të ndryshme konservatore dhe agjentëve global të neoliberalizmit siç është Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ai redukton konceptin e zhvillimit në një koncept të pastër ekonomik. Ky është koncepti i zhvillimit që është promovuar edhe në Kosovën e pasluftës.

Sot, pas krizës financiare, shumë nga doktrinat e neoliberalizmit janë diskredituar e në tërheqje e sipër. Neoliberalizmi nuk shihet si zgjidhje, po si një nga fajtorët e krizës aktuale. Vetë Alan Greenspan, ekonomist neoliberal dhe guvernator shumëvjeçar i bankës qëndrore amerikane, në një dëshmi dhënë në Kongresin amerikan deklaroi se politikat që ai kishte promovuar për liberalizmin e tregjeve financiare kishte qenë e gabuar. Me një fjalë, ai pranoi se kishte bërë një gabim ideologjik, që kishte besuar në doktrinën neoliberale që tregu funksionon më së miri kur është i pamonitoruar. Tashmë pranohet nga të gjithë se një nga shkaqet themelore të krizës aktuale financiare, që është ndër më të thellat që nga depresioni i viteve 1930, është liberalizimi i tregjeve financiare dhe lejimi i asaj që bankat të shndërrohen në investitorë institucionalë. Produktet inovative financiare që shpesh njihen si “securitization”, krijuan një zinxhir të madh risqesh ekonomike të lidhura për fatin e tregut të patundshmërive në SHBA. Ky treg dëshmoi të ishte i fryrë artificialisht nga investitorët që kërkonin shkalla të larta të profitit dhe nga bankat që kishin derdhur përqindje të madhe të kapitalit të tyre në investime të këtij lloji, prandaj edhe kolapsi i atij tregu tërhoqi me vete një numër të madh institucionesh të mëdha financiare, disa nga të cilat po shpëtohen vetëm falë ndërhyrjes së qeverive në to me para publike.

Samiti i paradokohshëm i G-20-shit gjithashtu dëshmoi kufijtë e doktrinave neoliberale karshi të të ashtuquajturit “model social” të promovuar nga Evropa kontinentale. Shtetet si Gjermania dhe Franca, që përfaqësojnë varianta të ndryshme të “modelit social”, ku shteti përgjithësisht ka një rol më aktiv në drejtimin ekonomik të vendit, ndjehen moralisht të forcuara tani pas pothuajse një çerek shekulli të ofansivës neoliberale kundër shtetit social. Paradokisht, duket se sot, shtetet kontinentale evropiane, të cilat investojnë në arsim, shëndetsi dhe shërbime tjera sociale, janë në pozitë shumë më të fuqishme që ta përballojnë krizën, se sa vendet si SHBA dhe Britania ku politikat neoliberale janë ndjekur më sistematikisht. Padyshim se tash edhe SHBA gjendet para sfidave të mëdha të ristrukturimit institucional karshi krizës e cila rrezikon implodimin pothuajse total të sistemit financiar, e që me këtë t’i bëjë dëme të riparueshme strukturës ekzistuese ekonomike – për të mos folur për pasojat shoqërore dhe politike të një zhvillimi të tillë. SHBA mund të dalë nga kjo krizë, sikur nga depresioni i 1930-ave, me një sistem ekonomik dhe social krejtësisht të transformuar.

Sidoqoftë, një nga viktimat e epokës neoliberale, ku refren ka qenë i ashtuquajtur “globalizim”, ka qenë edhe koncepti i zhvillimit. E përforcuar edhe nga e ashtuquajtur doktrinë e tolerancës multikulturaliste, zhvillimi bëhet i pamendueshëm si koncept, pasi që intervenimi politik në ndryshimin e strukturave tradicionale shoqërore paraqitet nga kjo doktrinë si një cënim i papranueshëm moral karshi kulturës tjetër. Ideologjia neoliberale post-zhvillimore kështu në mënyrë implicite mbështet esencializmat e fundamentalizmave të ndryshëm kulturor e fetar, duke qenë i pajtueshëm kështu me ideologjinë konservatore: “zhvillim po, por duke ruajtur strukturat tradicionale të shoqërisë!” Për ta ilustruar këtë me një shembull konkret, një propozim i paradokohshëm në Arabinë Saudite kishte propozuar që të ndalohet shfaqja e grave në televizion. Një propozim i tillë është krejt i pranueshëm për doktrinën e tolerancës multikulturaliste sepse ajo na detyron të respektojmë kulturën e tjetrit, pavarësisht se në të gratë kanë status dytësor karshi meshkujve, sepse doktrina e tolerancës liberale multikulturaliste thotë që këtë dukuri duhet ta interpretojmë si një dallim kulturor logjika e të cilit është i pakapshëm nga racionaliteti ynë eurocentrik etj.

Kosova, si vend relativisht i varfër, preket direkt nga kjo doktrinë, sepse ajo dikton formën dhe strategjinë e politikave “zhvillimore”. Kjo shihet qartazi. Që nga krijimi i strukturave të reja administrative e politike në vitin 1999, në Kosovë nuk është zbatuar asnjë lloj politike e mirëfilltë zhvillimore.

Çka është zhvillimi dhe çka është politika zhvillimore? Në kuptimin e parë, zhvillimi është transformim jo vetëm ekonomik, pra nuk është vetëm rritje e thjeshtë e aktiviteteve ekonomike, por transformim dhe modernizim i gjithanshëm i strukturës shoqërore. Zhvillimi nuk është (siç kujtojnë disa naivisht) një proces automatik i historisë. Zhvillimi ka kosto ekonomike, por ka edhe kosto politike dhe kulturore. Ai dikton transformime të gjithanshme të shoqërisë.

Projekti socialist në Kosovë ka qenë pikërisht një proces i tillë zhvillimor. Politikat zhvillimore socialiste (nën shtetin e atëhershëm jugosllav), sidomos kur kanë marrë hov pas viteve 1960, nuk kanë qenë politika të thjeshta për rritjen e aktivitetit ekonomik. Ato kanë qenë politika që kanë synuar, brenda kornizave institucionale të shtetit socialist, transformimin e rrënjësishëm të strukturës shoqërore, duke bërë kalimin aq të nevojshëm nga një shoqëri agrare, analfabete, dhe me organizim shoqëror që reflektonte këtë karakter, në një shoqëri të industrializuar, moderne, me organizim burokratik dhe strukturë të punësimit profesional, e organizuar në bazë të solidariteteve të reja shoqërore dhe profesionale. Krejt kjo, natyrisht, ndodhi nën monpolin politik të partisë komuniste, mirëpo për epokën e vet u dëshmua model i suksesshëm – madje, sipas disa llogarive, modeli socialist i zhvillimit në periudhën fillestare të tij tejkaloi me rritje ekonomike edhe disa shtete relativisht të varfëra të Evropës perëndimore, siç ishin Portugalia, Irlanda dhe Norvegjia, ndërsa kishte bërë që ai të imitohet gjithandej Botës së Tretë të dekolonizuar.

Është absurde që në rrethanat e sotme të kërkohet një përsëritje e modelit socialist të zhvillimit. Por çka mund të bëhet është që të shpëtohet nga ai koncepti i zhvillimit si një transformim i gjithanshëm i strukturës shoqërore, madje në shkallë dhe në përmasa edhe më të gjerë se sa ai socialist, duke përfshirë në të aspektet e injoruara nga ai (si p.sh. standardet mjedisore). Kjo nuk është një ëndërr boshe, meqë vlerën e konceptit “të vjetër” zhvillimor e kanë dëshmuar në vitet e fundit edhe shtetet e suksesshme në pikëpamje ekonomike si Korea Jugore, Brazili dhe India, por edhe shtetet e zhvilluara si Gjermania që nuk duan të heqin dorë nga roli i shtetit në rregullimin ekonomik. Në të gjitha këto raste, shteti luan rol qëndror në zbatimin e politikave zhvillimore, apo (në rastin e Gjermanisë) të makro-menaxhimit të ekonomisë, të sistemit arsimor dhe të tregut të punës. Këto politika, në forma të ndryshme, kombinojnë investimet në njerëz, në infrastrukturë dhe në industritë eksportuese për rritje ekonomike që sjell dobi të gjithanshme shoqërore dhe jo vetëm përvetësimin e mbivlerës nga një grup i vogël oligarkësh duke lënë masën e gjerë të shoqërisë në mjerim social edhe ekonomik.

Kjo është edhe leksion për qeverinë aktuale dhe për ato të ardhshmet në Kosovë. Zhvillimi nuk matet me rritjen e buxhetit publik, me shkallën e rritjes ekonomike dhe me kilometrat e rrugëve të asfalltuara. Zhvillimi matet me efektet e ndjeshme, afatshkurtëra dhe afatgjata që një politikë zhvillimore kryen në transformimin e strukturës shoqërore. Zhvillimi, gjithashtu nënkupton se politikat zhvillimore mund të jenë rrjedhojë e një koncepti të gjerë të zhvillimimit e jo e politikave dhe investimeve ad hoc nga buxheti shtetëror, e një lloj Keynes-ianizmi të investimeve publike pa kokë, që është ajo që shohim sot. Për të mos përmend shkallën e tërheqjes së shtetit nga rregullimi ekonomik, dhe për më tepër synimi për të privatizuar edhe ato pak asete publike që i kanë mbetur Kosovës, siç janë energjetika dhe telekomunikimi. Mbi të gjitha, ekziston nevoja që të distancohemi nga retorika boshe e zhvillimit me të cilat shërbehen grupet aktuale politike. Kjo kërkon që fillimisht të bëjmë të qartë se çka nënkuptojmë me zhvillimin dhe çka presim nga ai, në mënyrë që pastaj të vlerësojmë se sa jemi afër begative të premtuara të tij.

Kujt i duhet shteti?

Është interesant të shtrohet kjo pyetje sot: kujt i duhet shteti? Shteti nuk është mistifikim, as ndonjë substancë magjike; ai nuk është simbol, as altar para të cilit duhet përkulur e falur. Shteti është krijesë shoqërore; si e tillë, ai është një krijesë materiale me funksion dhe rol të caktuar në marrëdhëniet shoqërore.

Rolin e shtetit më së miri do ta kuptojmë duke u nisur nga realiteti i grevave, të cilat i kemi përjetuar shpesh në Kosovë në vitet e fundit, duke filluar nga punonjësit e arsimit, deri te ata të shëndetsisë e të shërbimeve publike – të gjithë këta sektorë të rrezikuar nga ritmi i pandalur i privatizimeve dhe shkatërrimit të sektorit publik, bosht ky i politikës neoliberale të institucionalizuar në Kosovë nën petkun e “modernizmit” të ekonomisë (lexo: zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve monetare në të gjitha sferat e jetës). Por dukuria e grevave të shpeshta të punonjësve publikë dhe kundërthëniet rreth tyre kanë nxjerr në shesh një të vërtetë të thjeshtë: se populli i Kosovës tashmë është ndarë në dy grupe sociale, në ata që kanë dhe ata që nuk kanë nevojë për shtetin. Ndërsa disa kanë nevojë për funksionin efektiv, të drejtë dhe gjithpërfshirës të shtetit, siç janë grevistët të cilët presin shpërblim adekuat për punën që kryejnë si shërbëtorë civilë dhe publikë, për të tjerët shteti është thjesht një instrument, për disa edhe një pengesë.

Është bërë një fakt pothuaj evident se gjatë viteve të pasluftës në Kosovë ka lindur një klasë njerëzish e cila realisht nuk ka nevojë për shtetin. Të mbështetur materialisht dhe ekzistencialisht në tregun e një variante primitive por megjithatë të globalizuar të kapitalizmit, duke jetuar brenda kornizave ekonomike por jashtë kushteve materiale në të cilat jetojnë shumica e popullsisë kosovare, kjo klasë, me prejardhje nga më të ndryshmet sociale, familjare e rajonale, gradualisht po realizon nevojat e veta jashtë kuadrit të shtetit publik, për të jetuar në një univers paralel të jetës së bollëkut midis varfërisë dhe degradimit social të përmasave katastrofike. Të siguruar nga sigurime private, të izoluar nëpër rezidenca gati të blinduara, tani edhe të shkolluar nëpër shkolla private, ky grupim shoqëror shkon gjithnjë e më tepër duke u shkëputur nga fati i njeriut mesatar në Kosovë (në qoftë se mund të thuhet se ekziston vërtetë një mes në rangun e shkallëve sociale në Kosovë, e karakterizuar sot më shumë se kurrë nga pabarazia drastike). Kjo është klasa që prodhoi tregu i pasluftës, një treg që mbështetet në parimin e nënshtrimit ndaj më të fortit, e në shfrytëzimin e mizeries skamnore të të dobëtit kundër tij, e për të cilën nevoja për shtet shkon duke u minimalizuar, pos kur vetë shteti përbën shans për nxjerrjen e përfitimit material në kurriz të thesarit publik që shteti administron. Interesi universal dhe i dyanshëm i profitit i bën edhe dallimet midis partive gjithnjë e më të parëndësishme për këtë grupim shoqëror sepse çdo parti, kur nuk është drejtpërsëdrejti në shërbim të tyre, hap krahët për ta, sepse kjo klasë komunikon me gjuhën universale të parasë të kuptuar nga çdo kllapë liderësh politik, burokratësh partiak e nëpunësish ministror.

Veprimet e vetëdijshme materialiste (të përllogaritjes ekonomike dhe logjikës së akumulimit të pafundëm) të kësaj klase bashkëjetojnë me të pavetëdijshmën e efektit material të saj (të kostos shoqërore që paguhet), ndërsa skamja e tjetrit arsyetohet me gjuhën e tregut të lirë dhe zhvillimit ekonomik. Ndërsa kjo klasë, e shprehur politikisht në formën e pushtetit aktual, paraqet pikëmbështetjen e forcës anti-publike në Kosovë, sepse mekanizmi i tregut, i qarkullimit të pakontrolluar të kapitalit, e i shitblerjes së gjithçkaje (madje edhe të dijes akademike që i vihet në shërbim), është e vetmja vlerë sublime të cilës i nënshtrohet kjo klasë. Patriotizmi dhe nacionalizmi nuk janë antipodë të kësaj klase sepse patriotizmi dhe nacionalizmi nuk janë për ta vlerat e një shteti dhe të një shoqërie por marka të një kamuflazhe retorike nën të cilën fshihet veprimtaria anti-shoqërore dhe anti-publike e strukturave aktuale të pushtetit. Patriotizëm anti-shtetëror dhe nacionalizëm anti-kolektiv, ai që mbetët i cunguar në simbole e kremta e jo në substancë shoqërore, jo në solidaritet e bashkësi por në legjitimimin e autoritetit paternalist e të pakontrolluar dhe të nënshtrimit të shumicës përderisa këtë e kërkon interesi material dhe kalkulimi sipas aritmetikës së pazarxhiut. Kjo është esenca e strukturës shoqërore që po ndërtohet sot në Kosovë.

Mosnevoja për shtet për këtë klasë është e dyfishtë. As shteti i së drejtës, as shteti social nuk është i nevojshëm për këtë shtresë. E shtetin e definojnë pikërisht drejtësia dhe barazia (e mundësive në qoftë se jo e rezultateve) të cilin ai është i obliguar të krijojë në shoqëri. E para nuk i duhet sepse për drejtësi nuk ka nevojë, e kur ka këtë e zgjidh zyrtarisht përmes kanaleve jozyrtare (edhe policët dhe gjykatësit kanë çmim, apo jo). Kurse shteti social është edhe më pak i nevojshëm, apo i nevojshëm vetëm për t’i qetësuar shpirtërat e masës, për t’i dhënë lëmoshë sa një familjeje skamnore, gati njëjtë një familje pensionisti, mësuesi apo nëpunësi komunal, të cilëve u thuhet se mizeria e tyre nuk është çështje kolektive por problem personal i tyre. 

Antiteza e shtetit nuk është anarkia, por shoqëria e nënshtruar ndaj forcave shoqërore të cilat ajo, kolektivisht, nuk është në gjendje t’i vëjë nën kontroll, të forcave të cilat do ta shfrytëzojnë shoqërinë, për t’i marrë të gjitha që ajo jep për t’i mos dhënë asaj asgjë mbrapa. Kjo është natyra e shtetit (apo e jo-shtetit) i cili po ndërtohet sot në Kosovë — një shtet anti-publik, anti-kolektiv, privatist e nepotist në kuptimin më të ngushtë fisnor e familjar, i mbështetur në gllabërimin e edhe asaj grimce të mbetur që është e përbashkët, kolektive, vetë nocioni i së cilës po bëhet gjithnjë e më arkaik dhe i pakuptimtë. Korrupsioni është vetëm një shenjë e suksesit e këtij projekti të pashpallur për ta degjeneruar atë që është publike, është shenjë se tregu po funksionon jashtëzakonisht mirë, sepse edhe ligji dhe organet e tij për të janë fleksibil, të kapërcyeshëm dhe kurdo të disponueshëm para ankandit. Korrupsioni është shenjë e tregut që i ka futë brenda suazave të veta edhe strukturat e shtetit, se shteti në vend se ta kontrollojë tregun është vetë i kapërdirë nga tregu, kur edhe strukturat më të larta shtetërore kanë çmim. Korrupsioni është pika bashkuese e politikës zyrtare ekonomike dhe ekonomisë jozyrtare politike që bëhet sot në Kosovë, ajo që ka ngritur gllabërimin dhe prostitucionin e pushtetit, përdhosjen e ligjit dhe prishjen e solidaritetit, në vlerat më të larta patriotike e në virtytet më të çmuara kombëtare.

Kjo rrymë shoqërore e politike përbën forcën themelore që i jep shpirt e mish vazhdës së shkatërrimit të po atyre institucioneve që për një dekadë, në kushtet më të vështira e më të rrezikshme i bënë ballë një pushteti të egër represiv të Serbisë millosheviqiane. Po atyre institucioneve që dje ekzistonin si mburrje dhe pararojë e e rezistencës e që sot gjallërojnë si një barrë kolektive e dhembjes dhe e turpit — arsimit, sistemit shëndetsor, universitetit e të gjitha institucioneve tjera që lindën në kohë të vështira, mbijetuan kohë edhe më të vështira që vetëm sot në kohën e “çlirimit” të kalojnë nëpër duart e kasapit të quajtur pushtet politik, për t’i degjeneruar, diskredituar, demoralizuar e skamnuar. Kjo nuk është thjesht çështje teknike kompetencash, reformash e finesash të tjera juridiko-administrative, as çështje buxhetesh e e ndarjes së të hollave, fjala është te një logjikë e caktuar pushteti e autoriteti që rrënon, degjeneron dhe privatizon në emër të popullit atë që është publike, atë që i takon atij e për të cilën shteti është kujdestar.

Klasa akumuluese (lumpenborgjezia e re e kapitalizmit kosovar), partitë paternaliste që arkën publike e trajtojnë si pronë private, dhe struktura administrative ndërkombëtare që në emër të progresit ka institucionalizuar konservatorizmin neoliberal si parim operacional të organizimit shtetëror, janë bashkuar në një aleancë të heshtur por megjithatë të përbashkët për ta shndërruar shoqërinë kosovare në një moçal mbi të cilin fluturojnë pehlivanet, në një pazar korbash e një djerrinë të moralit kolektiv. Këtij triumvirati, secilit për një varg motivesh e interesash të ndryshme, i intereson demokracia formale, demokracia përderisa ajo nuk përbën një forcë kundër tyre, një demokraci që ekziston në rrafshin simbolik, në formën e slloganeve dhe të premtimeve megallomane, në formën e demagogjisë dhe të “zgjedhjes” midis jo-alternativave, por që është i ndrydhur në rrafshin institucional, në rrafshin e marrëdhënieve shoqërore e të rendit social, në rrafshin e politikës publike e të pushtetit politik. Sot kur Kosova gjendet në prag të zgjidhjes së “statusit”, harrohet se as pavarësia formale, nën kushtet aktuale, nuk përbën revolucion, nuk do t’i ndryshojë drastikisht raportet shoqërore ndërsa shoqëria kosovare do të vazhdojë të jetojë nën dominancën e po të njëjtës strukturë shoqërore, po të njëjtës logjikë të intensifikimit marramendës të pabarazive sociale dhe po të njëjtës ideologji destruktive anti-publike, mbase edhe i përforcuar nga një autoritarizëm gjithnjë e më i hapur dhe arrogant. Nuk është çudi që vetë nocioni i pavarësisë, i nënshtruar ndaj formulimeve juridike dhe interpretimeve kavaliere politike e diplomatike, është zhveshur nga dimensioni normativ i tij, nga asociacioni i tij me lirinë kolektive e me solidaritetin shoqëror, për t’u reduktuar dhe shabllonizuar në gjuhën teknike të “statusit” e të çështjeve juridike të lidhur me të — një akt administrativ që zbatohet nga një komision pothuajse teknik e administrativ (që është Ekipi i Unitetit) e jo një akt politik që ndryshon thelbin e formacionit aktual shoqëror. Kjo gjuhë politikisht demobilizuese i shërbën strukturave dominante, sepse një mobilizim real kolektiv për pavarësi do të ishte në të njëjtën kohë mobilizim kundër kësaj forme të pushtetit anti-publik dhe anti-qytetar dhe e strukturave që e mbështesin, pushtet nga i cili përfiton një pakicë e vogël ndërsa nga shumica kërkohet që ta gjejë ngushllimin në gjeste verbale dhe t’i bëjë ballë vuajtjeve si gjoja çmim që po paguhet për të ardhmen. 

Por ku qëndron antipodi, apo cila është ajo forcë antagoniste shoqërore që mund t’i kundërvihet kësaj rryme që po shkatërron çdo formë të jetës kolektive, të asaj që përbën esencën e një shoqërie të organizuar e të një kombi të institucionalizuar? Cilat janë ato grupime e shtresime që, përkundrazi, kanë nevojë për shtetin, për institucionet e tij si vërtetë institucione me cilësi publike e kolektive e jo si resore të klaneve partiake e të interesave të profitit? Nuk është populli, të paktën jo i kuptuar në abstrakt, të paktën jo popull që konceptohet si një subjekt unitar, i pandryshueshëm dhe një krijesë që ekziston pothuajse jashtë procesit real historik. “Populli” si subjekt është një mistifikim që i konvenon retorikës politike të triumviratit të lartpërshkruar, ndërsa edhe argati më i pashkolluar e din se raporti i secilit me shtetin është i ndryshëm, se dikush është i varur nga shërbimi që ai jep, nga një shkollë apo shtëpi shëndeti që ai ndërton, e se për dikë institucionet publike janë objekt denigrimi e talljeje, lluks ky i mundësuar nga fakti që për dikë janë gjithmonë afër shërbimet superiore të privatnikut që ky ka aftësi t’i paguajë. Kujt i duhet shteti? I duhet pikërisht atyre shtresave dhe atyre segmenteve të shoqërisë, atyre klasave që kanë nevojë për shtetin si mburojë, si mbrojtje e si institucion që i shërben atyre për nevojën elementare të zhvillimit të një jete dinjintoze. Këta janë arsimtarët, punëtorët, punonjësit publikë dhe sindikatat që i tubojnë këta, janë nxënësit, studentët dhe konsumatorët e thjeshtë, janë tregtarët e vegjël, bujqit dhe argatët e pazareve të punës, janë artistët, të papunët, pensionistët, bonjakët e të sëmurët e spitaleve, janë viktimat e luftës dhe ata që akoma jetojnë në streha refugjatësh, ata që nuk mund të dalin nga qarku i urrejtjes e ato që i nënshtrohen dhunës në shtëpi, të gjithë këta “njerëz të vegjël” e “të parëndësishëm”, që megjithatë përbëjnë shumicën dërrmuese, kanë nevojë për shtetin, për funksionin dhe funksionimin e tij, për drejtësinë e ligjit dhe sundimin e drejtësisë. Vetëm një lëvizje e vërtetë sociale e përbërë nga po këta “njerëz të vegjël” mund ta hapë mundësinë për ndërtimin e një shteti që bën punë të mëdha.  

Botuar te Koha Ditore, 7 korrik 2007

Ndiqe

Get every new post delivered to your Inbox.

Join 101 other followers