Besnik Pula ka doktoruar në sociologji në University of Michigan, SHBA, me specializim sociologjinë historike dhe krahasuese, me fokus në lëvizjet shoqërore, ekonominë politike të zhvillimit dhe analizën e sistemit botëror. Aktualisht është profesor asistent vizitues në Departmentin e Sociologjisë në Binghamton University, si dhe studiues pranë Institute for Public Knowledge në New York University. Studimet për MA i ka mbaruar në Georgetown University pranë Qendrës për Studime Ruse, Eurolindore dhe Euroaziatike, kurse ka diplomuar në shkenca politike në Hunter College (City University of New York). Para fillimit të studimeve të doktoraturës ka punuar në European Centre for Minority Issues duke qenë themeluesi dhe drejtuesi i zyrës së saj në Kosovë. Ka punuar gjithashtu në UNMIK pranë zyrës për përkrahje ligjore dhe të politikave, ku ka qenë i ngarkuar me udhëheqjen dhe riorganizimin e Njësisë për Regjistrimin e OJQ-ve, njësi që vazhdon të jetë pjesë e Ministrisë së Administratës Publike të Republikës së Kosovës. Nga viti 1998 ka qenë bashkëpunëtor dhe kolumnist pranë gazetës “Kohës Ditore“. Gjatë kohës së luftës në Kosovë më 1999, ka punuar si këshilltar politik i Përfaqësisë në Amerikë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, e formuar pas nënshkrimit të përfaqësuesve të Kosovës të Marrëveshjes në Rambouillet. Ka shërbyer si anëtar i bordit pranë Forumit 2015, është anëtar korrespondent i Institutit të Sociologjisë në Tiranë, ndërsa ka bashkëpunuar me organizata të ndryshme kërkimore si Instituti Riinvest dhe KIPRED në Prishtinë. Në vitin 2005 KIPRED ka botuar hulumtimin e tij për organizatat joqeveritare në Kosovë.
Që nga viti 2002 merret aktivisht me studime dhe kërkime shkencore në fushën e sociologjisë historike, politike dhe të zhvillimit. Ka botuar një studim për nacionalizmin dhe zhvillimin në revistën shkencore Theory and Society, ku analizon ligjërimin nacionalist shqiptar të kohës së okupimit italian të Shqipërisë, ndërsa studimi i tij për sistemin paralel në Kosovë është botuar në Nationalities Papers dhe ribotuar në Conflict in South-Eastern Europe at the End of the Twentieth Century (Routledge, 2008), edituar nga Thomas Emmert dhe Charles Ingrao. Në Shqipëri ka botuar studime në revistat Përpjekja dhe Polis. Gjithashtu ka kontribuar me kapituj në librat Sociology and Empire (Duke University Press, 2012) edituar nga George Steinmetz, ku i është botuar një studim krahasimor për urbanizmin italian në Tiranë (Shqipëri) dhe Addis Ababa (Etiopi). Në librin Hegemonic Transitions, the State and Crisis in Neoliberal Capitalism (Routledge, 2008) edituar nga Yildiz Atasoy, ka botuar studimin strukturës juridike të misionit ndërkombëtar në Kosovë, duke marrë për bazë teorinë e Giorgio Agamben për “state of exception.” Ka kontribuar gjithashtu në vëllimin A Case for Kosova: Passage to Independence (Anthem Press, 2007), edituar nga Anna Di Lellio. Ka prezentuar pranë konferencave shkencore, përfshirë konferencat vjetore të Association for the Study of Nationalities (ASN), American Sociological Association (ASA) dhe Social Science History Association (SSHA). Më 2008 punimi i tij është shpërblyer nga Sekcioni për Sociologji Historike dhe Krahasuese të ASA, ndërsa më 2011 po e njëjta organizatë ka shpërblyer disertacionin e tij me çmimin e saj vjetor. Ka qenë një prej themeluesve të Shoqatës Shqiptare të Shkencave Politike ndërsa është anëtar i bordit editorial të Albanian Journal of Politics. Ka qenë gjithashtu një prej themeluesve të Departamentit për Kritikë Sociale në Prishtinë si dhe redaktor i revistës së saj Kritika dhe Shoqëria. Është anëtar bordi i organizatës Demokraci për Zhvillim (D4D).
Përveç punës si asistent pranë Departamentit të Sociologjisë në University of Michigan (2003-05), Besniku ka qenë mësimdhënës i sociologjisë pranë Fashion Institute of Technology (2007), Haverford College (2008-09), Departamentit të Politikës në New York University (2009) dhe Departamentit të Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës (2011).
Disertacioni i tij studion transformimet e marrëdhënieve agrare dhe të institucionit të ligjit, në kalimin e Shqipërisë nga sundimi osman në shtet kombëtar, duke krahasuar efektet e centralizimit administrativ dhe ligjor në sistemin agrar dhe politik të Shqipërisë së ulët me atë të zonave malore, veçanërisht në format e mobilizimit politik agrar. Hulumtimi i tij pranë Arkivit Qendror të Shtetit në Shqipëri gjatë viteve 2005-06 është mbështetur nga programi Fulbright-Hays i Departamentit për Arsim i Shteteve të Bashkuara, International Research and Exchanges Board (IREX) dhe American Council for Learned Societies (ACLS).
Shkrimet në këtë blog janë kryesisht ribotime të artikujve që janë botuar në shtyp.
