Sfida e shtetit zhvillimor*

Problemi i zhvillimit ekonomik në Kosovë nuk është problem i nivelit të politikave. Ai është problem i strukturës së vetë shtetit.

Në terminologjinë e ekonomisë politike bëhet një dallim midis politikave kuantitative ekonomike dhe politikave strukturore ekonomike. Politikat kuantitative janë politika që synojnë kontrollin e cikleve afatshkurtëra ekonomike përmes ndërhyrjeve kuantitative: stimulimi fiskal (ulja apo rritja e tatimeve dhe/ose e shpenzimeve qeveritare), rritja apo zvogëlimi i normës së kamatave, ndërhyrja përmes politikave monetare; me fjalë të tjera, politika që synojnë orientimin e ekonomisë në njërin apo tjetrin kah përmes menaxhimit të parametrave makroekonomik.

Këto janë politika që në të shumtën e rasteve preokupojnë ekonomistët e rëndomtë dhe burokracinë fiskale të shtetit (si ministritë për financa apo bankën qëndrore), apo edhe politikanët e orientimeve të kundërta ideologjike që shprehin nevojën për masa të njërit apo tjetrit lloj. Këto grupe i gjen shpesh në ballafaqim me problemet ekonomike duke u marrë me nevojën për ose efektet e politikave të kësaj natyre: p.sh., jepen argumente për nevojen e uljes së taksave ndaj bizneseve, në mënyrë që të nxiten investimet; për nevojën që të stimulohet kërkesa përmes rritjes së shpenzimeve publike; debate mbi uljen apo rritjen e TVSH-së apo të akcizes apo të normave të tatimit etj. Në fundament është se debati krejtësisht sillet rreth përdorimit të mekanizmave ekzistues makroekonomik si përgjigje ndaj zhvillimeve ciklike ekonomike.

Politikat strukturore ekonomike janë thelbësisht të ndryshme nga ky lloj politikash. Kuptohet, në ekonomi të avancuara dhe komplekse, çfarë janë p.sh. vendet e Evropës perëndimore apo SHBA-të, debati politik përqëndrohet kryesisht në nivel të politikave kuantitative. Pavarësisht se kriza financiare e vitit 2008 nxiti nevojë për ndërhyrje shumë më të thella shtetërore në ekonomi, debatet megjithatë sillen rreth politikave kuantitative.

Rast konkret është kriza e borxheve sovrane në Evropë. Në njërën anë janë militantët e disiplinës fiskale, siç janë krerët e ministrive të Financave të shteteve si Gjermania dhe Holanda, që kërkojnë reduktime të ashpra të shpenzimeve buxhetore, pavarësisht kostos dhe pasojave ekonomike dhe sociale. Në anën tjetër janë keynes-ianët, që zhvillojnë argumentin që kriza fiskale mund të tejkalohet vetëm përmes rritjes ekonomike, që në periudhë krize arrihet pikërisht përmes ruajtjes së nivelit të lartë të shpenzimeve publike, e jo reduktimit drastik të tyre. Në secilin rast, argumenti nuk është mbi transformimin fundamental të strukturës së ekonomisë, por për menaxhimin e situatës përmes instrumenteve makroekonomike që i posedon shteti: politika tatimore, politikat e shpenzimeve publike dhe politika monetare. Në këta shembuj, struktura ekonomike është komplekse dhe relativisht autonome nga politika ndërsa në ndryshime strukturore shteti mund të ndërhyjë vetëm në margjina.

Në rastin e shteteve në zhvillim, problemi i zhvillimit ekonomik shtrohet në formë krejtësisht tjetër. Ndonëse edhe shtetet në zhvillim (si puna e Kosovës) kanë në dorë instrumente makroekonomike (siç është politika fiskale apo ajo buxhetore), problemet themelore ekonomike të vendeve në zhvillim nuk janë të natyrës ciklike, por strukturore. Me fjalë të tjera, përgjigja e shtetit duhet të orientohet kah transformimi strukturor i ekonomisë, për ta orientuar atë drejt krijimit të mbivlerës dhe shtimit të normës së akumulimit dhe, rrjedhimisht, rritjes ekonomike në përgjithësi.

Me një fjalë, politikat e shtetit duhet të jenë strukturore, të tilla që synojnë transformimin fundamental të përbërjes ekonomike të vendit.

Dallimi mund të përshkruhet edhe në këtë mënyrë. Nëse ti je një shtet, ekonomia e së cilit prodhon një milion automobila, ndërsa ti si qeveri me stimuj fiskal (p.sh., ulje taksash) synon të nxisësh investime tek firmat që ato t’i prodhojnë 1,2 milion automobila, ky është menaxhim makroekonomik i rritjes ekonomike përmes politikës kuantitative. Politika strukturore, ndërkaq, synon që ta krijojë një industri të automobilave aty ku ajo nuk ekziston fare.

Për fat të keq, doktrina e ngushtë makroekonomike që dominon institucionet si Fondi Monetar Ndërkombëtar, e që ka si paradigmë stabilitetin makroekonomik, nuk e bën këtë dallim thelbësor dhe shtetet në zhvillim trajtohen njësoj si ato të zhvilluara.

Duhet të jetë më se e qartë se çfarë gabimi fundamental është ky. Dhe sa i përçudnuar është diskursi ekonomik në ato vende në zhvillim (si puna e Kosovës) ku debati publik dhe politikat qeveritare, të futura në kornizën konceptuale të institucioneve si FMN-ja, përqëndrohen në politika kuantitative, thuajse në Kosovë kemi të bëjmë me një strukturë ekonomike gjermane ose suedeze, apo ku dallimi midis ekonomisë kosovare dhe asaj të Gjermanisë apo Suedisë reduktohet në një shprehje të dallimeve në parametra kuantitativë si bruto prodhimi, deficiti buxhetor apo shkalla e papunësisë.

Jo vetëm që ekzistojnë dallime të mprehta strukturore midis ekonomive të zhvilluara dhe atyre në zhvillim, por edhe historia e suksesit në zhvillim na mëson ndryshe. Shtetet që historikisht kanë patur suksesin më të madh në transformim ekonomik janë pikërisht ato që kanë zbatuar politika strukturore ekonomike. Pra ku shteti nuk është vetëm një menaxher që ndërhyn me masa të kufizuara makroekonomike (ndonëse ato nuk janë të parëndësishme), por ku ai luan një rol aktiv në nxitjen e transformimit industrial të vendit. Me një fjalë, ku shteti drejtpërsëdrejti drejton dhe orienton transformimin strukturor të ekonomisë së vendit, duke nxitur krijimin e industrive të reja apo zgjerimin dhe transformimin e atyre ekzistuese, jo vetëm përmes stimujve makrofiskal, por përmes ndërhyrjeve direkte me subvencione, mbështetje organizative, proteksionizëm, dhe lehtësime të tjera të llojllojshme që favorizon ndërtimin e bazës prodhuese.

Ky është përshkrimi që zakonisht futet nën kategorinë e shtetit zhvillimor. Shtet zhvillimor është ai i cili përmes mekanizmave shtetëror nxit transformime fundamentale në përbërjen ekonomike të vendit, duke rritur bazën industriale të vendit dhe duke e bërë atë bazë industriale konkurrente në nivele rajonale dhe globale.

Studimet ekzistuese nuk tregojnë për një model të vetëm të shtetit zhvillimor. Shtet zhvillimor ka qenë Japonia, me avancimin e saj të shpejtë industrial pas vitit 1945; një tjetër shtet ka qenë Korea e Jugut, e cila ka ndjek një trajektore të zhvillimit të shpejt gjatë dhe pas viteve 1960; sot shembulli kryesor është Kina, e cila me një model krejtësisht tjetër ka arritur që nga vendi më i varfër në botë, të katapultojë në ekonominë e dytë më të madhe në botë. Para këtyre, Gjermania gjatë industrializimit të saj të shpejtë gjatë shekullit XIX, apo ekspanzioni i ekonomisë amerikane gjatë New Deal-it të viteve 1930 dhe 1940 tregojnë se shteti zhvillimor nuk është vetëm një karakteristikë aziatike. Mirëpo veçori e të gjitha këtyre rasteve është që shteti ka luajtur rol qëndror në transformim ekonomik, qoftë përmes planfikimit, qoftë përmes orientimit të investimeve në industri të caktuara, qoftë pëmes shpenzimeve publike që i kanë komplementuar sektorët ekzistues ekonomik, siç janë p.sh. investimet në arsim dhe shkencë që janë në funksion të inovacionit dhe zhvillimit teknologjik.

Sido që të jetë, sfida e shtetit zhvillimor nuk është vetëm ekonomike. Shteti zhvillimor është në radhë të parë një problem i shtetndërtimit. Ky problem përfshin strukturimin e shtetit në atë mënyrë që (1) i jep dikastereve ekonomikë jo pronësi dhe kontroll mbi industritë, por fuqi për orientimin dhe bashkërendimin e aktiviteteve të aktorëve ekonomikë; (2) që favorizon planifikimin afatgjatë kundrejt përfitimeve afatshkurtëra; (3) krijon kushte për fuqizim të aktorëve ekonomikë (siç janë firmat industriale) jo vetëm për përmbushje të nevojave lokale (pra për autarki vendore), por për të qenë pjesëmarrës konkurrentë në ekonominë botërore; (4) që gëzon kontroll të konsiderueshëm mbi sistemin financiar të vendit; dhe (5) e demokratizon procesin zhvillimor duke i bërë hisenikë në të jo vetëm kapitalistët, por edhe sindikatat, punëtorët dhe entitetet publike siç janë pushtetet lokale.

Shteti zhvillimor për të cilin bëhet fjalë këtu nuk është ai i cili ushtron kontroll total burokratik mbi një ekonomi që synon autarki të plotë, por ai i cili ka kapacitet të ndërhyjë në koordinimin dhe planifikimin ekonomik përbrenda kornizave të një ekonomie kapitaliste të orientuar drejt konkurrueshmërisë në ekonominë botërore.

Në Kosovë, në rrethanat aktuale politike, dhe në konfiguracionin aktual politik dhe ideologjik, një lëvizje drejt shtetit zhvillimor duket i pamundur. Mirëpo, kjo nuk e pengon elaborimin e shtetit zhvillimor si një projekt politik opozitar dhe alternativ kundrejt asaj që është pa diskutim një model krejtësisht i dështuar ekonomik i aplikuar nga qeveria aktuale. Dhe, sërish duhet theksuar se, nuk ekziston një formulë e vetme e shtetit zhvillimor. Megjithatë, dhe ky është konkluzioni kryesor i këtij trajtimi të shkurtër, shteti zhvillimor na sfidon ta rizbulojmë dhe rimendojnë artin e shtetkrijimit (statecraft), para se të biem në grackën e preokupimit me problemet ekonomike në diskursin ekzistues ekonomik, apo, shprehur ndryshe, të kërkojmë dhe ofrojmë zgjidhje kuantitative për probleme që janë strukturore.

* Shkrimi është botuar me titullin “Sfida e shtetit në zhvillim” te Zëri (Prishtinë), 25 korrik 2012.

About these ads

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Bashkojuni 59 ndjekësve të tjerë

%d bloggers like this: