Njohja ndërkombëtare dhe Rezoluta 1244
Shkurt 22, 2008
Miku im Shkëlzen Gashi, kritik i madh, siç kam qenë edhe unë, i proceseve politike për definimin e statusit të Kosovës gjatë dy viteve të fundit, në Kohën Ditore të datës 19 shkurt botoi një koment për situatën e re juridike në të cilën gjendet Kosova pas shpalljes së pavarësisë. Aty ai problematizon çështjen e sovranitetit në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë, që është me vend. Sigurisht se, tashmë që shumica kanë filluar të kthjellen nga festat dhe ahengjet masive për shpalljen e pavarësisë, është koha të ulemi e të shikojmë me seriozitetin e duhur se çfarë në të vërtetë po ndodh me Kosovën si entitet politik.
Pa dashur që të nisi një polemikë të kotë, për shkak të rëndësisë së çështjeve që ngrit, Shkëlzeni bën një numër konstatimesh që sipas meje janë problematike. Është shumë e vërtetë se Kosova nuk do të jetë shtet i pavarur e sovran në kuptimin klasik të fjalës. Kjo është e qartë për të gjithë ata që dallojnë të bardhen nga e zeza. Prania ndërkombëtare e sigurisë, pushteti ndërkombëtar mbi institucionet e zgjedhura të Kosovës, dhe njohja jo e plotë nga bashkësia ndërkombëtare, nuk e bëjnë Kosovën një shtet të pavarur e sovran në kuptimin tradicional të fjalës. Mirëpo kjo nuk do të thotë se shpallja e pavarësisë dhe njohja ndërkombëtare e Kosovës nga shtetet kryesore të rendit ndërkombëtar përbëjnë ngjarje të parëndësishme që nuk transformojnë rrënjësisht pozicionin politik dhe juridik të Kosovës.
Kështu, Shkëlzeni pohon se edhe pas shpalljes, për shkak se pavarësia ndodh mbi bazën e Pakos së Ahtisaarit, Kosova mbetët “në mënyrë fort të sofistikuar nën sovranitetin e Serbisë”. Si argument shtesë për këtë ai përmend mbetjen në fuqi të Rezolutës 1244, e cila e ruan sovranitetin e Serbisë (trashëgimtarës së RFJ-së) në Kosovë.
Pavarësisht përmbajtjes së deklaratës së pavarësisë dhe premisave politike mbi të cilat ajo bëhet, njohja ndërkombëtare e Kosovës si shtet i pavarur anulon realitetin politik të krijuar sipas Rezolutës 1244. Me njohjen ndërkombëtare në kufijtë aktualë, Kosova de facto dhe de jure shkëputet nga Serbia. Nga pikëpamja e ligjit dhe praktikës ndërkombëtare, për shtetet që e njohin e që do ta njohin Kosovën, Kosova është efektivisht një shtet i pavarur, me qeveri të vetën dhe territor të përcaktuar. Prandaj, të thuhet se Kosova mbetët nën sovranitetin e Serbisë, edhe pas njohjes së saj nga SHBA, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Italia e një varg shtetesh tjera më të rëndësishme evropiane e botërore, është të injorosh realitetin e ri që imponon njohja ndërkombëtare. Reaksioni histerik i qeverisë në Beograd tregon qartë se fjala është për një akt të pakthyeshëm dhe historik që Kosovën e vendos përgjithmonë në një raport tjetër karshi Serbisë.
E dyta, njohja ndërkombëtare krijon një realitet të ri në terren që hedh poshtë çfarëdo përmbajtje tekstuale të Rezolutës 1244. Siç e din edhe Shkëlzeni, ligji ndërkombëtar është ligj zakonor, që domethënë se atë e bën sjellja e shteteve, ai nuk bëhet me akte legjislative dhe Këshilli i Sigurimit nuk përbën kurrfarë organi legjislativ për ligjin ndërkombëtar. Çfarëdo që të jetë përmbajtja tekstuale e Rezolutës 1244 (megjithëse tashmë në interpretimin e ri të disa juristëve evropianë, garancat e rezolutës për sovranitetin e Serbisë në Kosovë janë vetëm kalimtare dhe jo të përhershme), njohja ndërkombëtare krijon një realitet të ri në terren, pasi që me këtë akt Kosova vendos marrëdhënie diplomatike me vende të tjera dhe në këtë mënyrë shndërrohet efektivisht në aktor të politikës ndërkombëtare. Ndërkaq, rezolutat e OKB-së nuk janë obligative dhe shkilen vazhdimisht: në fakt, shkelësi më i madh në botë i Rezolutave të OKB-së është Izraeli, por kjo gjë shumë pak i ka bërë dëm aftësisë së këtij shteti që të zhvillojë politika sipas interesave të saj.
Prandaj, të thuhet se edhe pas njohjes ndërkombëtare, Kosova vazhdon të mbetët nën sovranitetin e Serbisë është një konstatim që nuk përkon me realitetin e ri të krijuar. Kosova, me njohje, fiton subjektivitet ndërkombëtar. Të vetmet elemente që e pengojnë hyrjen e plotë të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare do të jenë mosnjohja e Kosovës nga të gjitha shtetet (sidomos Rusisë dhe shtetet satelite të saj), si dhe veton e pritshme të Rusisë për çfarëdo përpjekje për anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Në këtë pikëpamje, Kosova do të shndërrohet në një lloj Taivani evropian: ai do të njihet nga shumica e shteteve, por jo të gjitha shtetet. Por njohja jo e plotë dhe rezistenca e një shteti të madh sikur Kina nuk e ka penguar Taivanin që të zhvillohet e të prosperojë, prandaj edhe rezistenca e Rusisë nuk do të jetë pengesë për Kosovën e cila do të ketë marrëdhënie diplomatike dhe ekonomike me shtetet kryesore të Evropës dhe me SHBA-të. Për më tepër, mosnjohja nga një pjesë shtetesh nuk është fakt i kryer dhe i përhershëm. Me një politikë të mençur, ndoshta një ditë edhe Rusia do të pajtohet me faktin e Kosovës së pavarur dhe do të heq dorë nga nervoziteti i saj i kotë rreth kësaj çështjeje. Dhe për fat të mirë Serbia nuk e ka as përafërsisht forcën dhe influencën globale politike dhe ekonomike të Kinës.
Në aspektin e ushtrimit të brendshëm të sovranitetit, është e qartë se Kosova do të vazhdojë të jetë e kufizuar në një numër dimensionesh. Në këtë pikëpamje Kosova do t’i përngjet më shumë Bosnjës, i cili është shtet i njohur ndërkombëtar, por i kufizuar nga brenda sipas provizioneve që rrjedhin nga Marrëveshja e Dayton-it dhe pushtetit ndërkombëtar që ajo vendos atje. Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar do të jetë pushtet kryesor përsa i përket zbatimit të çështjeve të “Interesit Vital” siç i përkufizon edhe draft-Kushtetuta e Kosovës, dhe do të ketë autoritete të gjera ekzekutive në këtë pikëpamje, që janë superiore karshi organeve të zgjedhura të Kosovës. Gjitashtu, prania ndërkombëtare e sigurisë dhe kufizimet drastike për Forcën mbrojtëse të Kosovës (përfshirë numrin e ushtarëve dhe llojet e armatimit) gjithashtu paraqesin një pengesë që Kosova të ushtrojë sovranitet të plotë në aspektin e brendshëm.
Mirëpo më shumë se kufizimet juridike të përcaktuara në Pakon e Ahtisaarit, sfida kryesore për arritjen e kontrollit të plotë mbi territorin e saj (gjë që përkufizon një shtet sovran) do të jetë vazhdimi i funksionimit të strukturave paralele administrative të Serbisë në Kosovë. Sipas Ahtisaarit, ato struktura duhet të shkrihen dhe të legalizohen si pjesë e administratave të reformuara e të decentralizuara komunale. Mirëpo rezistenca e Serbisë dhe e serbëve lokalë, sidomos në veri, i shndërron ato në një sfidë afatgjatë për vendosjen e pushetit të Prishtinës në gjithë territorin e Kosovës. Një shpresë është se serbët, sidomos në jug të Ibrit, do ta shohin dëmin e madh që ju shkakton getoizimi nëpër enklava, varshmëria në strukturat paralele dhe izolimi nga jeta shoqërore dhe politike në Kosovë. Por në anën tjetër, Serbia, siç paralajmëroi edhe qeveria e Beogradit dhe gjesti i Serbisë që të dërgojë ministrin e saj në Mitrovicë në ditën kur Kosova shpallte pavarësinë, tregojnë se Serbia nuk do të heqë dorë nga këto struktura dhe forma aktuale e funksionimit të tyre. Megjithatë, ekzistenca e “zonave gri” të ushtrimit të pushtetit nëpër territorin e Kosovën nuk e anulon realitetin juridik se i gjithë territori i Kosovës njihet si pjesë e një shteti të vetëm me të drejtë ushtrimi të pushtetit në gjithë territorin.
Sido që të jetë, e ardhmja e organizimit të brendshëm administrativ e territorial të Kosovës nuk është çështje e mbyllur njëherë e përgjithmonë. Shumë do të varet edhe nga lëvizjet politike në terren. Në praktikë, rolin dhe pushtetin e PCN-së dhe EULEX-it nuk do ta përckatojnë vetëm teksti literal në Pakon e Ahtisaarit dhe dokumente tjera, por edhe pozicionimi politik që karshi tyre marrin institucionet e Kosovës. Po qe se institucionet e Kosovës i nënshtrohen lehtësisht dhe i japin atij hapësirë të madhe të veprimit, PCN-ja kollaj do të shndërrohet në një PSSP të ri kurse EULEX-i në një UNMIK të dytë (ashtu dhe siç ndodhi në muajt e parë të UNMIK-ut – realiteti politik në muajt pas qershorit 1999 ishte shumë fluid dhe i papërcaktuar, derisa partitë kosovare nuk ia dhuruan UNMIK-ut pushtetin). Presioni politik mund të bëjnë të mundur që EULEX-i të mos jetë një mision pa afat, dhe që gjatë kohës së tij në Kosovë të orientojë presionin e tij drejt shpërbërjes së strukturave paralele. Mirëpo sido që të jetë me punët rreth organizimit të brendshëm të shtetit, njohja ndërkombëtare është një fakt i pandryshueshëm dhe juridikisht i paanulueshëm. Prandaj, domethënia dhe rëndësia e saj politike nuk bën të minimizohet, nëse për asgjë tjetër atëherë për hir të betejave politike që akoma mbesin për t’u bërë. Ato beteja tashmë do të zhvillohen në një kontekst radikalisht tjetër politik, dhe përfundimisht jashtë orbitës së sovranitetit ndërkombëtar të Serbisë mbi Kosovën.
Botuar te Koha Ditore, 21 shkurt 2008.
———–
Në vijim është artikulli origjinal i Shkëlzenit, i cili ka qenë shkak i shkrimit të mësipërm. Ai botohet këtu për hir të lexuesve që janë të interesuar në ndjekjen e debatit.