Logjikë e turbullt
Janar 3, 2008
Mbetet akoma i pashpjegueshëm vendimi i Hashim Thaçit dhe PDK-së që të synojnë një koalicion qeveritar me LDK-në. Gazetarët deri më tani nuk kanë zbuluar ndonjë shpjegim konkret, ndërsa jozyrtarisht përflitet se koalicioni është rezultat i presionit të zyrave diplomatike, sidomos asaj amerikane. Por, as ky shpjegim, në qoftë fare i vërtetë, nuk është krejt i qëndrueshëm. Ndonëse ekzistojnë arsyet pse zyrat diplomatike mund të insistojnë në formimin e një qeverie me bazë të gjerë (një super-koalicion që përfshin të gjitha partitë parlamentare) për të siguruar kohezionin politik gjatë etapës së ardhshme politike si zëvendësim funksional për Ekipin e Unitetit që pritet të shpërbëhet, nuk ekziston asnjë arsye aparente që partner koalicioni për PDK-në të jetë pikërisht LDK-ja. Bile as në negociatat midis partive nuk është vërejtur prania e dukshme e përfaqësuesve diplomatikë. Ndërkaq, zërat brenda PDK-së, sidomos anëtarësia e gjerë dhe elektorati i kësaj partie, japin shenja pakënaqësie të thellë me këtë vendim të kreut të partisë, prandaj edhe vendosmëria e saj për t’i hyrë një lidhjeje të tillë përkundër rrezikut të tjetërsimit të bazës partiake, e shndërron formulën e synuar të koalicionit në enigmë edhe më të madhe.
Për hendekun midis LDK-së dhe PDK-së nuk duhet bërë shumë fjalë, megjithëse në kohën e sotme historia harrohet shumë shpejt kur janë në pyetje interesa të ndryshme, prandaj vlen të përkujtohen disa fakte. Tensionet midis grupit që sot udhëheq PDK-në dhe LDK-në datojnë që nga ditët e hershme të UÇK-së, që vazhduan gjatë negociatave në Rambouillet më 1999 dhe më pastaj në periudhën e pas luftës. Pas zgjedhjeve të dyta parlamentare më 2004, LDK-ja vendosi që ta braktisë formulën e mëhershme të qeverisë Rexhepi, duke lidhur koalicion qeveritar vetëm me AAK-në, për çka u ndezen tensione të reja midis partive të të ashtuquajturit “krah të luftës”, kur PDK lansoi akuza për heqje dorë nga vlerat e këtij krahu ndaj Ramush Haradinajt, për shkak të lidhjes së aleancës me Ibrahim Rugovën. Ndonëse sot aleanca midis PDK-së dhe LDK-së ndodh pa Rugovën, është e qartë se logjika e dikurshme politike po zbehet gjithnjë e më shumë duke çuar në konfiguracione politike që deri para jo shumë kohe kanë qenë të paparamendueshme. Liderët e PDK-së madje tregohen më të pamëshirshëm ndaj ish-bashkëluftëtarit të tyre Haradinaj, duke e përjashtuar edhe një kombinatorikë hipotetike me AAK-në, se sa ndaj partisë së dikurshme të Rugovës, cilësimi i të cilit të UÇK-së, si “lojë e Serbisë” në fundvitet e nëntëdhjeta akoma jehon në veshët e shumë prej ish-luftëtarëve të saj. Por kjo vetëm e vërteton konstatimin se rregullat e lojës politike tashmë kanë ndryshuar drastikisht dhe se kemi hyrë në një periudhë ridefinimi të skenës politike, jo vetëm me rikonfigurimet e forcave politike por edhe të një ndryshimi rrënjësor të strukturës së interesave.
Një nga teoritë e hedhura që i interpreton zhvillimet e fundit në mënyrë më cinike thotë se Thaçi synon që ta shfrytëzojë dezorientimin aktual të LDK-së pas disfatës në zgjedhje duke e inkuadruar në qeveri dhe me këtë akt ta fusë LDK-në nën kthetrat e tij, duke kontribuar në dobësimin e mëtejmë të kësaj partie. Por lidhja e koalicionit përbën një risk politik shumë më të madh se sa llogaria e supozuar e Thaçit që të veprojë drejt dobësimit të LDK-së. Pavarësisht krizës me të cilën po ballafaqohet LDK-ja, ajo i ngjan organizativisht më shumë elefantit që lëviz ngadalë se sa dinozaurit që është në zhdukje e sipër. LDK-ja ka bazë organizative, militantë partiakë dhe histori që ia garantojnë asaj qëndrueshmërinë si parti për një periudhë afatgjatë. LDK-ja mund të vazhdojë të stagnojë, apo të reformohet dhe të ndryshojë nga brenda, por është gabim i madh të mendohet se ajo do të shkojë drejt margjinalizmit si organizatë politike. Po aq gabim është të llogaritet se me përfshirjen e saj në qeveri, Thaçi do të mund t’i bëjë ndonjë dëm LDK-së. Përkundrazi, të gjitha dështimet e ardhshme të qeverisë së tij do t’i adresohen jo LDK-së por atij personalisht, prandaj risku më i madh i këtij eksperimenti do të mbartet nga ai dhe nga PDK-ja e cila zgjedhësve kosovar i premtoi “ndryshime”, e jo mbajtjen e humbësve zgjedhorë në pushtet.
Gjërat nuk janë më të qarta as nga perspektiva e LDK-së. Hyrja e LDK-së në qeveri nuk ia kthen asaj dot elektoratin e humbur, madje çfarëdo suksesi relativ në qeverisje (ndonëse kjo ka pak gjasa të ndodh, nisur nga rrethanat objektive) do t’i shpaguhet PDK-së e jo LDK-së. Politikisht, LDK-ja ka llogari më të madhe që në vitet që vijnë të qëndrojë në opozitë, duke reformuar partinë dhe duke atakuar qeverinë për dështimet dhe problemet e pashmangshme (as udhëheqsia më e aftë në botë, me mjetet e disponueshme aktualisht, nuk do të ishte në gjendje ta eliminonte korrupsionin, ta zgjidhte problemin e papunësisë dhe të garantonte furnizimin e pandërprerë me rrymë, nëse marrim parasysh vetëm disa elemente bazike që ndikojnë në cilësinë e jetës dhe rrjedhimisht në disponimin e votuesve). Mirëpo në LDK, interesi më i madh i partisë duket se po mbetet peng i interesave më të ngushta të figurave të kryesisë që të sigurojnë ndonjë mandat ministri apo edhe i Fatmir Sejdiut që ta ruajë pozitën e kryetarit të Kosovës, se sa të mendohet strategjikisht për të ardhmen afatgjate të partisë.
Faktori tjetër që ka hapur rrugën e këtyre akrobacioneve është sistemi i ri zgjedhor komunal i cili ka kontribuar në decentralizimin faktik të partive, ashtu që vendimet e qendrave partiake mund të kenë pasoja më të vogla se dikur për partitë në nivelin komunal, e ku si pasojë logjika e koalicioneve nuk pasqyron ato të qendrës por ndjek formula tjera, të diktuara nga raporti lokal i forcave politike. Shenjë e kësaj është gjithashtu fakti se, si pasojë e reformave zgjedhore në nivel komunal dhe të zgjedhjes së drejtpërdrejtë të kryetarëve të komunave, partitë kanë ndjerë dukshëm nevojën që si kandidatë të fusin emra të njohur (p.sh., delegimi i figurave nga qendra me profil të njohur publik për t’u kandiduar në nivel komunal për kryetar komune), duke zëvendësuar logjikën e dikurshme që fitoren në nivel komunal e mbështeste te brandingu i përgjithshëm i partisë, ndërsa lejonte që postet komunale të zaptohen nga anonimusë të ndryshëm që vinin nga margjinat e organizatës partiake, shpesh edhe nga njerëz pa ndonjë përvojë të spikatur politike e as menaxheriale, por që shpërbleheshin me poste komunale nga partia për lojalitetin e tyre ndaj udhëheqsisë partiake (funksionimi i deritanishëm i komunës së Prishtinës në aparat avancimi për kuadrot e ulta të LDK-së është ndoshta më i spikaturi ndër këto). Sido që të jetë, qendra tani është më e lirë të mendojë për formulat e koalicionit pa u brengosur tepër për efektet e kësaj në nivelin lokal, por kjo njëkohësisht do të thotë dhe shkëputje më të madhe të qendrës nga baza e partisë, që mund t’i kushtojë liderëve partiakë me humbjen e legjitimitetit për udhëheqje të partisë apo edhe braktisjen e partisë nga elektorati, si dhe rrezikimin e qendrës nga baza pasi që tani fituesit e niveleve lokale, tashmë me bazë të veten elektorale, janë të gjithë pretendentë të ardhshem potencialë për udhëheqje në qendër.
Thaçi gjithashtu mund të llogarisë se një koalicion i qëndrueshëm dhe afatgjatë me LDK-në përbën garancë për të ardhmen e tij politike. Shpesh harrohet fakti se Thaçi është relativisht i ri në moshë, dhe ai duhet të llogarisë se si do t’i kalojë jo vetëm 3-4 vite në qeveri, por 20 vitet e ardhshme në politikë. Një koalicion me LDK, në qoftë se tregohet i suksesshëm, mund të çojë në lindjen e një blloku të ri politik rreth këtij boshti partiak i cili, duke pasur mbështetjen e shumicës së elektoratit, Thaçit do t’i garantonte udhëheqje për një kohë të gjatë. Por me këtë vlen edhe llogaria e kundërt – dështimet në qeverisje do të paguhen bashkërisht nga të dyja këto parti me diskreditimin e përbashkët të tyre dhe hapjen e mundësisë për mobilizimin e elektoratit nga një forcë e tretë politike. A do të jetë kjo forcë e tretë një nga ato ekzistueset, apo do të jetë një formacion i ri politik është akoma herët të thuhet, por ironia është se koalicioni i “të mëdhejve” PDK-LDK i shkon më së shumti për shtati partive dhe lëvizjeve politike që mbesin jashtë kësaj formule dhe që dëshmohen të afta në mobilizimin e elektoratit në periudhën e ndërmjetme duke ofruar një platformë alternative politike, nisur po ashtu nga fakti se në periudhën që vjen, të dy këto parti do të identifikohen thellë me formulën ahtisaariane të sundimit të mëtejmë ndërkombëtar të Kosovës në sferat kyçe të shtetësisë, siç janë gjyqësia dhe siguria, për të mos përmendur kornizën e dështuar ekonomike dhe sociale e cila do të mbetët thelbësisht e pandryshuar edhe në periudhën e pritur të shtetësisë formale.
Por ndoshta arsyeja më fundamentale që funksionon si shkak i suspendimit të çdo logjike racionale politike mbase është fakti i pasigurisë së thellë për të ardhmen. Në muajt që vijnë Kosova do të hyjë në një periudhë me rreziqe të mëdha, dhe Thaçi dhe PDK-ja nuk dëshirojnë të ballafaqohen vetëm me këto rreziqe e as të bartin pasojat e mundshme të tyre. Fjala nuk është vetëm për rreziqet e natyrës sociale dhe ekonomike, pasi që në këtë pikëpamje Kosova ballafaqohet me probleme afatgjatë dhe të pazgjidhshme gjatë një mandati qeveritar, por për rreziqet më të drejtpërdrejta për sigurinë dhe stabilitetin e vendit nga kërcënimet që do të vijnë pas shpalljes së pritshme të pavarësisë. Serbia tashmë haptazi ka kërcënuar se në rast të shpalljes së njëanshme të pavarësisë, do ta organizojë pushtetin e Serbisë në zonat e banuara nga serbët. Këto ditë sekretari i Ministrisë serbe për “Kosovë dhe Metohi” madje ka paralajmëruar planin e Serbisë duke deklaruar se edhe në rast të shpalljes dhe njohjes së Kosovës si shtet, “serbët që jetojnë në Kosovë do të vazhdojnë të jetojnë në Serbi”, një kërcënim i drejtpërdrejtë për copëtimin territorial të Kosovës. Mbase edhe të vetëdijshem se ardhmëria imediate e Kosovës është e pasigurt, Thaçi dhe PDK-ja detyrohen që të sigurojë mbështetjen e LDK-së në mënyrë që përgjegjësinë për të ardhmen e vendit ta ndajnë bashkë me armikun e vet të dikurshëm politik. Por lidershipi i vërtetë nënkupton, sidomos në situatën e komplikuar në të cilën gjendet Kosova, jo vetëm synimin e meritave, prestigjit dhe vëmendjes që shoqëron marrjen në dorë të timonit të pushtetit, por edhe marrjen përsipër të përgjegjësisë së plotë për vendin, ndërsa kapja dorë për dore me humbësit zgjedhor dhe oponentin më të madh politik tregon se kjo gatishmëri aktualisht nuk gjendet brenda PDK-së.
Botuar te Koha Ditore, 3 janar 2008