Të interesuarit që të mësojnë pak më shumë për gjendjen aktuale të marrëdhënieve SHBA-Rusi i ftoj që ta lexojnë këtë editorial nga Zbigniew Brzezinki të botuar në revistën Time.

Lexova me vëmendje analizën e botuar në The Economist të përgatitur nga Economist Intelligent Unit për mundësinë që Rusia të vendos veto ndaj rezolutës së re për statusin e Kosovës, apo që ky proces të vonohet për disa muaj. Në atë moment më shkuan ndërmend dy gjëra. Së pari m’u kujtua titulli i librit të Zizekut të botuar pas katastrofës së 11 shtatorit 2001 në Amerikë – Welcome to the Desert of the Real. Në fakt, titulli është huazim nga filmi The Matrix, ku Morpheus, pasi Neo ta ketë marrë vesh se bota ku kishte jetuar kishte qenë një iluzion virtual ndërsa realiteti i vërtetë ishte një katastrofë, ia thotë po këtë: “Welcome to the desert of the real”. Për Zizekun, “the Real” normalisht ka konotacion Lacanian. Realja për Lacanin nuk është “realiteti” ashtu siç e përdorim këtë fjalë në gjuhën e përditshme, por një mangësi, një traumë e cila plotësohet nga përfytyrimet që pengojnë shfaqjen e reales dhe përbëjnë atë që ne e njohim si “realitet”. Po kjo më shkoi ndërmend si mesazh që duhet t’u thuhet të gjithë kosovarëve – veçanërisht atyre që kanë besuar naivisht se pavarësia është një punë e kryer dhe se gjithçka kryhet lehtë se “ashtu don Amerika”: Welcome to the desert of the real! Sidoqoftë, vetoja ruse, nëse ndodh, do ta ketë anën e saj pozitive sepse do të jetë një zgjim nga gjumi për kosovarët që i janë nënshtruar këtij lidershipi të nënshtruar dhe pa bosht politik.

E dyta, më shkoi ndërmend se në çfarë mënyre jokompetente Perëndimi e ka trajtuar çështjen e Kosovës që nga qershori 1999, por sidomos procesin e negociatave për statusin, duke llogaritur se gjithçka do të shkojë kollaj, do të imponohet Ahtisaari dhe do të hapet një kaptinë e re në marrëdhëniet në Ballkan. Por e kaluara nuk lëshon pe aq kollaj. Në vend të një politike decidive karshi Kosovës (që atë do ta pavarësontë qysh më 1999, ose shpejt pas marrjes nga NATO-ja, kur dhe ka qenë momenti i volitshëm, pa ledhatime dhe dashamirësi ndaj Beogradit), ajo e zvarriti punën e Kosovës me vite duke e zëvendësuar paqen e qëndrueshme me një aparaturë burokratike për ta sunduar Kosovën si një kamp të madh refugjatësh.

Sidoqoftë, në vijim janë disa shënime nga tetori 2005, që i kam shkruar rreth çështjes së negociatave, por që nuk janë botuar askund:

Edhe adresimi i çështjes së statusit të Kosovës nga diplomacia perëndimore vazhdon në po të njëjtën mënyrë siç zhvilluar politika perëndimore ndaj Kosovës që nga përfundimi i luftës — me shenja kontradiktore, pavendosmëri dhe një preferencë perverse për ambiguitete dhe paqartësi.

Tek e fundit, edhe pse zgjidhja e çështjës së statusit është përmendur shpesh vitet e fundit, adresimi i saj nuk u shqyrtua seriozisht nga diplomacia evropiane dhe amerikane deri pas ngjarjeve të marsit 2004. Siç është dëshmuar disa herë gjatë dekadave të fundit në raport me vendet e ish-Jugosllavisë, diplomacia perëndimore reagon vetëm pasi ndonjë akt i dhunshëm të ketë kërcënuar paqen e brishtë. Pastaj, duke luajtur rolin e dyfishtë të një zjarrfikësi dhe pontifi moralizues, merr për të rishqyrtuar politikën e vet të deriatëhershme, për të emëruar ndonjë të dërguar të posaçëm dhe për ta recituar refrenin tashmë të njohur mbi një dekadë e gjysëm: status quo-ja është e paqëndrueshme.

Ekstremistët qysh moti e kanë mësuar formulën e një diplomati amerikan, i cili pat thënë se interesi i vetëm amerikan në Ballkan është stabiliteti. Leksioni për t’u mësuar është se nëse do vëmendjen e diplomacisë perëndimore, prishe stabilitetin. Në qoftë se këtë e bën me sukses, të nesërmen do të ftohesh në takim me ndonjë diplomat apo të dërguar të posaçëm për ta diskutuar paqen.

Sido që të jetë, procesi i adresimit të statusit të Kosovës është hedhur në binarë, mirëpo i tërë procesi deri më tani tregon simptomat e një mosorganizimi dhe pavendosmërie. E para, është shenjë jo e mirë që çështja e adresimit të statusit i është lënë Kombeve të Bashkuara. Fllimisht, çështja e adresimit të statusit iu la në dorë një emisari të OKB-së, Kai Eide, i cili ishte ftuar që në bazë të vëzhgimeve të tij të jepte sinjalin për fillimin apo jo të adresimit të statusit. Si ndërmjetës në këtë proces, pritet të emërohet një i dërguar i Kofi Anan-it, i cili aktualisht flitet të jetë ish-presidenti finlandez dhe negociatori i paqes së 1999-ës me Millosheviqin, Maarti Ahtisaari. Idealisht nuk do të duhej të ishte kështu, por praktika diplomatike deri më tani tregon se OKB-ja ftohet për të ndërmjetësuar vetëm në ato konfikte ku nuk ekziston ndonjë interes urgjent i fuqive të mëdha.

E dyta, çështja e orareve dhe kohëzimit nuk është përcaktuar. Dikujt akoma mund t’i kujtohen deklaratat diplomatike të vitit të kaluar, kur thuhej se statusi i Kosovës do të jetë i zgjidhur deri në mesin e 2005-ës. Mesi i 2005-ës kaloi ndërsa zgjidhja është shtyer — të paktën nëse mund t’i besohet deklaratave aktuale — deri në mesin e 2006-ës. Por edhe kjo periudhë nuk është stabile. Fillimisht, Serbia është akoma e papërgatitur për bisedime, ndërkohë që flitet që edhe Qeveria e koalicionit e Koshtunicës mund të bie. Jostabiliteti politik në Serbi mund ta vonojë edhe për më tej adresimin e statusit, sidomos nëse atje shpallen zgjedhje të reja dhe, në skenarin më të keq, pushtetin e marrin radikalët sheshelistë.

E treta, ambiguiteti rreth zgjidhjeve të mundshme shkon duke u shtuar. Përveç Zvicrës neutrale që është deklaruar për pavarësinë e Kosovës, asnjë palë diplomatike nuk është deklaruar për preferencën e vet ndaj statusit të ardhshëm. Edhe përfaqësuesi diplomatik amerikan Nicholas Burns deklaroi se për SHBA-të, në tavolinë janë edhe autonomia edhe pavarësia, që megjithatë nuk është qëndrim konkret. Ndërkohë që, ironikisht, mediat flasin për qëndrimet e ndryshme në mbrapaskenën e qarqeve diplomatike, ku gjithnjë e më shumë flitet se zgjidhja e preferuar është një formulë e paqartë: pavarësi e kushtëzuar. Nuk është e qartë nëse theksi në këtë tog vihet më tepër te pavarësia apo të kushtëzimet: me një fjalë, a është fjala për një shtet sovran i cili mbetët i monitoruar, apo për një entitet me pushtet të vetin por pa sovranitet të vetin, zyrtarisht pjesë e Serbisë.

Tek e fundit edhe sundimi nga UNMIK-u është një lloj “pavarësie e kushtëzuar”. Edhe në federatën jugosllave, Kosova ishte një lloj “republike e kushtëzuar”. Të gjitha këto formula ambiguoze deri më tani janë treguar si të paqëndrueshme dhe potencialisht katastrofike.