Dikujt mund t’i duket paradoksal propozimi që gjatë vitit të kaluar ia pata bërë Albinit për qëllimin përfundimtar të Lëvizjes Vetëvendosje! Gjatë vitit 2006, kur po bëhej e qartë se të paktën në disa qarqe të bashkësisë ndërkombëtare po përkrahej ideja për shkëputjen formale të Kosovës nga Serbia – gjë që tashmë po propozohet tërthorazi në letrën e Ahtisaarit – insistimi i Lëvizjes në pavarësi ndërsa kundërshtonte negociatat dukej paradoksal. Kjo për arsyen se Lëvizja kundërshtonte negociatat që, tashmë po merrej vesh, ishin dezajnuar nga sponsorët diplomatik të tyre që, në njëfarë forme, ta pavarësonin Kosovën nga Serbia. Problemi pra nuk ishte pavarësia formale (tek e fundit, po arrihet ajo që kërkonte vazhdimisht Ibrahim Rugova, “njohja formale e pavarësisë”), prandaj pavarësia nuk do të duhej të ishte aspak në thelb të mesazhit politik të Lëvizjes. Përkundrazi, propozimi im për Lëvizjen ka qenë ky: që të radikalizoheshin kërkesat, mesazhi themelor i Lëvizjes do të duhej të ishte “Jo Pavarësi! Vetëvendosje!”

Në slloganin e mësipërm qëndron e kondensuar e tërë problematika e procesit aktual nëpër të cilin po kalon sot Kosova. Dhe unë në këtë pikë duhet të them se shpreh pajtimin tim të plotë me diplomacinë ruse, ndonëse nuk ndaj motivet cinike dhe interpretimet selektive të saj: PO, Kosova nuk është rast i veçantë, por ËSHTË precedent në botë. Të pakten, DUHET TË JETË precedent në politikën botërore. Një luftë progresiviste politike në Kosovë nuk mund ta kishte për qëllim një objektiv të ngushtë politik, një parim të kufizuar politik që vlen vetëm për kohën dhe hapësirën e vet imediate, të tillë çfarë e kanë konceptuar negociatorët kosovarë në konceptin e tyre të pavarësisë. Jo, liria e Kosovës nuk duhet të jetë një eveniment politik me relevancë vetëm për hapësirën tonë dhe atë të rajonit ballkanik. Liria dhe çlirimi i Kosovës duhet të bëjë jehonë duke ngjallur shpresën e të gjithë popujve të vegjël dhe të shtypur në botë që sot luftojnë për pavarësinë e tyre, për emancipimin dhe lirinë e tyre. Vetëm atëherë liria e Kosovës do të mund të ishte një dukuri e përmasave të historisë botërore, dhe jo vetëm një eveniment lokal politik.

Pikërisht për këtë arsye pata insistuar që projekti themelor politik i Lëvizjes duhet të jetë jo pavarësia, por pikërisht vetëvendosja. Duke e lënë anash këtë parim, pikërisht kjo na kërcënohet sot: një pavarësi e jashtme pa vetëvendosje të brendshme.

Ç’është vetëvendosja? Vetëvendosja është një koncept që është popullarizuar në fillim të shekullit XX nga presidenti amerikan Woodrow Wilson (i cili më vonë u pendua për të) dhe nga Lenini, sidomos përmes traktit të tij të famshëm, “E drejta e kombeve për vetëvendosje” (për të cilën nuk ishte penduar asnjëherë). Mirëpo mishërimi dhe konkretizimi i vërtetë i vetëvendosjes si praktikë dhe si parim është bërë në periudhën e luftërave çlirimtare të dekolonizimit. Është periudha midis viteve 1950-1960, ndoshta një nga periudhat më progresive të shekullit XX, kur vetëvendosja u shndërrua në një parim themelor të ligjit ndërkombëtar, që, bashkë me zgjerimin e konceptit të të drejtave të njeriut, mund të thuhet se ishte një nga elementet më emancipuese të sistemit ndërkombëtar gjatë gjysmës së dytë të shek. XX.

Në kohërat tona të cinizmit postmodern dhe relativizmit liberal, barra ka rënë mbi popujt e shtypur të kësaj epoke dhe forcat progresive brenda tyre që ta mbrojnë dhe avancojnë konceptin dhe praktikën e vetëvendosjes. Fatkeqsisht, popujt e shtypur të epokës sonë jo vetëm që nuk arriten të krijojnë ndonjë aleancë mes vete, as të shprehin solidaritetin me njëri-tjetrin në mënyra të tjera, por madje në mënyrë cinike minuan projektet politike të njëri-tjetrit (kujtoj këtu kundërshtimin e fuqishëm që bënë intelektualë si Edward Said dhe idhtarë të tjerë të çështjes së palestinezëve ndaj intervenimit të NATO-s në Kosovë, si dhe akuzat e ndyra që ata përdorën kundrejt shqiptarëve të Kosovës dhe veçanërisht UÇK-së). Dhe as kosovarët nuk kanë shfaqur ndonjëherë ndonjë interesim të veçantë për fatin e palestinezëve, të tamilëve, ose të çeçenëve.

Sigurisht se në negociata futen edhe palë që janë në luftë, por ajo që vlen për çfarëdo negociate, kur ajo nuk bëhet midis të barabartëve, është se cila palë i vendos kushtet. Në negociatat midis Kosovës dhe Serbisë, kushtet i vendosi një palë e tretë, UNOSEK-u i mbështetur nga Grupi i Kontaktit, që përcaktoi jo vetëm që palët duhet të takohen në bisedime, por edhe substancën e asaj që do të bisedohet (decentralizimin, rregullimin e brendshëm territorialo-administrativ dhe kushtetues të Kosovës). Pikërisht këto kushte ishin esenca e mohimit të vetëvendosjes – parimi i vetëvendosjes, siç është artikuluar p.sh. në Rezolutën 1514 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, i garanton popujve të çliruar LIRI TË PLOTË, PA KUSHTE, që domethënë se është populli sovran ai që vendos për rregullimin e brendshëm të shtetit në formim e sipër. Sigurisht se praktika historike ka qenë më e komplikuar (duke çuar në lindjen e diktaturave të egra post-koloniale apo të formave të reja kontrollit dhe influencës neo-imperialiste), por të paktën, parimi i njohur nga kjo rezolutë dhe të tjerat sikur ajo ka qenë ai i një lirie pa kushte që shtetet e reja në mënyrë të mëvetshme të organizojnë jetën shoqërore dhe politike të tyre. Mirëpo, është me rëndësi të theksohet kjo – kur them në mënyrë të mëvetshme nuk domethënë në mënyrë që refuzon çdo ndihmë ose ndërhyrje nga jashtë. Përkundrazi, mëvetësia domethënë edhe posedimin e autonomisë për të zgjedhur (dhe jo për t’u imponuar) modalitetet e asistencës dhe mbështetjes që merren nga jashtë. Çdo “mbështetje” apo “ndihmë” që “pranohet” me detyrim ose nën kërcënime mbetët në kuadrin e një raporti vasal, të pabarabartë, pavarësisht se liderët tanë retorikisht flasin për “miqësi” dhe “aleanca” që nuk janë aspak të tilla.

Është pikërisht në këtë pikëpamje që rruga që do të ndjek Kosova do jetë një rrugë e një pavarësie pa vetëvendosje – e një statusi formal të pavarur që imponohet dhe mbikëqyret nga jashtë, dhe i cili përcakton kushtet e veta. Substanca e dokumentit të Ahtisaari-t është rregullimi i brendshëm kushtetues dhe territorialo-administrativ që do të ketë Kosova, duke përjashtuar shprehimisht (në të fshehurën pikë 3.9 të Aneksit I) të drejtën e referendumit për akëcilin aspekt të marrëveshjes. Dhe jo vetëm përsa i përket decentralizimit, që për mua është problemi më i vogël: dokumenti propozon një mbikëqyrje dhe kontroll të gjithanshme politike dhe ushtarake të Kosovës, duke i imponuar jo vetëm kufizime drastike në mbrojtje (me shpërbërjen e TMK-së dhe krijimin e një ushtrie që numron më pak se një batalion i rregullt i ushtrive normale, të armatosur lehtë), por edhe një prani, mbikëqyrje dhe kontroll të thellë dhe të gjithashëm mbi tërë sistemin politik, juridik dhe ekonomik të Kosovës. Mbrojtja, ligji, ekonomia, administrata shtetërore, janë këto shtyllat kryesore të një shteti të pavrur – këto JANË shteti, “substanca e shtetit” siç shprehën negociatorët kosovarë (përkundrazi, mund të thuhet se neve po na imponohet pikërisht një shtet pa substancë). Sigurisht, ka raste historike kur kanë ekzistuar shtete që nuk kanë gëzuar kontroll të plotë mbi këto fusha – këto shtete janë njohur historikisht si shtete të okupuara ose si shtete koloniale. Lidhur me këtë, duhet shtuar: është më se e qartë se njohuria historike dhe teorike përbën bazën për çdo veprimtari politike, thjesht në mënyrë që politika të mos degjenerojë në një lojë fjalësh dhe retorikash çfarë është sot. Aspirtatat tona politike nuk mund t’i kuptojmë ndryshe, dhe ato duhet kuptuar në esencë dhe jo vetëm shqiptuar për hir të obligimit. Njohuria teorike dhe historike janë të pazëvendësueshme për veprimtari të qartë politike – jo indoktrinimi por njohuria e mirëfilltë kritike!

Megjithatë, një gjë është e qartë: pavarësia ahtisaariane e Kosovës përbën disfatën historike të vetëvendosjes dhe dëshmon paaftësinë tonë për ta mbrotjur dhe jetësuar këtë parim universal. Dështimi ynë për ta shndërruar në universale luftën tonë politike, dhe si pasojë për të qenë pjesë e universales, është dështim gjithashtu për ta gëzuar lirinë ashtu siç kuptohet ai si parim universal. Dhe liria mund të jetë vetëm universale, ose s’mund të jetë fare. Pavarësia ahtisaariane e Kosovës përbën heqjen dorë nga vetëvendosja dhe si pasojë, heqje dorë nga liria që na takon, zëvendësimin e saj me një liri të cunguar dhe të ngushtuar, që, rrjedhimisht, nuk përbën fare liri. Pavarësia ahtisaariane e Kosovës përbën përdhosjen e vetëvendosjes dhe legjitimimin e praktikave neokoloniale që nisen me UNMIK-un dhe që do të vazhdojnë në forma të tjera, duke nxitur gjithashtu forma të reja të rezistencës dhe rebelimit, çfarë do t’i dëshmojmë në vitet që vijnë.

Vetëvendosja ka qenë mesazhi radikal i lëvizjes me këtë emër, dhe vetëvendosja është vërtetë një koncept radikal në rrethanat tona politike. Ai është një mesazh që niset nga një realitet konkret dhe partikular por me një domethënie universale që tejkalon situatën ku lindë, por edhe veçantinë e kohës sonë, për të qenë një jehonë që trashëgohet nëpër breza në Kosovë por edhe përtej saj. Prandaj unë i mbetem besnik bindjes sime se akoma, mesazhi më radikal politik që mund të ekzistojë në Kosovë sot është ky: AS PAVARËSI JO, VETËVENDOSJE!

Botuar te gazeta Vetëvendosje!