Statusi si disfatë
Janar 27, 2007
Zyra e kryendërmjetësit të OKB-së për negociatat midis Kosovës dhe Serbisë këto ditë njoftoi se dokumenti i zyrës së tij për statusin e ardhshem të Kosovës do t’u shpaloset negociatorëve kosovarë dhe atyre të Serbisë më 2 shkurt. Agjensitë ndërkombëtare të lajmeve dhe disa gazeta tjera të jashtme kanë njoftuar se propozimi nuk do të përmbajë termin “pavarësi”, por në të njëjtën kohë njeh të drejtën e Kosovës për të kërkuar anëtarësim në institucione ndërkombëtare dhe hapë rrugën për njohje ndërkombëtare nga shtetet tjera.
Dihet gjithashtu se, ndonëse dokumenti i Ahtisaarit pritet që përfundimisht ta hapë mundësinë për shkëputjen formale të Kosovës nga Serbia, ajo gjithashtu do të përmbajë befasitë e pakëndshme që lidhen me autonominë e gjerë të komunave serbe që do të krijohen në Kosovë dhe me statusin e veçantë që do ta gëzojë Kisha Ortodokse Serbe, duke përfshirë këtu edhe krijimin e “zonave të veçanta” rreth objekteve të Kishës.
Për më tepër, publikimi i dokumentit të shumëpritur të Ahtisaarit nuk do të shënojë fundin e këtij procesi të komplikuar diplomatik dhe politik për zgjidhjen e statusit të Kosovës, por vetëm një kthesë në një rrugë që akoma pritet të jetë përplot vështirësi dhe paqartësi.
Kështu, tashmë është e qartë se statusi nuk do të jetë i zgjidhur menjëherë pas daljes së dokumentit ë Ahtisaarit, por mund të zvarritet të paktën deri në mars apo prill, në mos edhe më tej. Është e ditur se asnjë qeveri e Serbisë nuk do ta pranojë një marrëveshje që lejon shkëputjen përfundimtare të Kosovës. Është gjithashtu e ditur se trysnia ruse mbi anëtarët tjerë të Grupit të Kontaktit do të vazhdojë. Kështu që procesi, edhe me daljen e dokumentit të Ahtisaarit, nuk do të përmbyllet akoma.
Në prill, Britania e Madhe merr udhëheqjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, shtet ky i cili është treguar i favorshëm ndaj opsionit të pavarësisë. Udhëheqja e KS-së ia bën të mundur këtij shteti hedhjen në votë të një rezolutë të re për Kosovën, për t’i dhënë peshë ndërkombëtare propozimit të Ahtisaarit, i cili në formën e tanishme mbetët në nivelin e një propozimi, pra juridikisht një dokument i vdekur. Në një situatë të tillë, marrëveshja e Ahtisaarit duhet t’i imponohet Serbisë (ngaqë pritet që pala kosovare do ta pranojë pa vërejtje dhe ankesa). Ndërsa për shtetet e Grupit të Kontaktit që favorizojnë pavarësinë, rruga e preferuar e imponimit është Këshilli i Sigurimit.
Por përbrenda KS-së ekziston kërcënimi i përhershëm i vetos ruse, si anëtare e përhershme e këtij trupi. Rusia disa herë ka kërcënuar se çdo dokument i papranueshëm për Serbinë është i papranueshëm edhe për të, kështu që ky kërcënim mund të eliminohet vetëm nëse ndodhin pazare tjera të një niveli diplomatik midis shteteve të fuqishme, siç është mbështetja amerikane dhe evropiane për anëtarësimin e Rusisë në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT), një nga organizatat më të fuqishme ekonomike ndërkombëtare, gjë që Moska ka synuar vite me radhë, dhe koncesione të tjera që mund të kërkojë Rusia nga Perëndimi në sfera të ndryshme të interesave të saja politike dhe ekonomike.
Por në mungesë të lëshimit pe nga Rusisa, përdorimi i vetos nga ajo do ta sillte Kosovën në një situatë shumë paradoksale. Dështimi i një rezolute të re për Kosovën brenda KS-së gjatë pranverës domethënë se në letër do të ekzistojë marrëveshja e Ahtisaarit, por ajo s’do të ketë asnjë fuqi juridike. Në fuqi akoma do të vazhdojë të jetë Rezoluta 1244 e vitit 1999, që Kosovën e lë të sunduar nga UNMIK-u. Zgjidhja atëherë zvarritet deri në qershor, kur Rezoluta 1244 pret skadimin automatik. Në këtë situatë, Kosova vërtetë shndërrohet në një “tokë të askujt”, me të vetmën mundësi njohjen individuale nga shtetet e veçanta si shtet i pavarur – apo, nëse presioni vazhdon dhe rezistencës ruse i bashkohen shtete të tjera, sidomos nga radhet e BE-së, mund të kërkohet kthimi në tavolinën e negociatave për raunde të tjera bisedimesh midis Prishtinës dhe Beogradit. Kuptohet se vazhdimi i bisedimeve do të jetë vetëm në funksion të blerjes së kohës për diplomacinë ndërkombëtare, sepse në asnjë variantë nuk mund të pritet arritja e një marrëveshjeje për statusin midis palëve. Ndërkohë që vazhdimi i bisedimeve është në disfavor të plotë të palës kosovare, sepse në atë rast diplomacia ndërkombëtare mund të kthehet me një strategji tjetër, duke e përjashtuar komplet ndarjen midis Kosovës dhe Serbisë dhe duke imponuar një zgjidhje tjetër që domosdoshmërisht nënkupton ruajtjen e një lloj lidhjeje juridike midis Kosovës dhe Serbisë.
Mirëpo të gjitha këto paqartësi dhe e gjithë pasiguria rreth të ardhmes politike të Kosovës është simptomatike e asaj se si është menaxhuar i gjithë ky proces i ndërlikuar diplomatik dhe politik. Sigurisht se hyrja e shteteve të reja në bashkësinë ndërkombëtare nuk është një ngjarje e përditshme dhe as e shpeshtë. Bashkësia ndërkombëtare e shteteve mbetët një klub ekskluziv ku anëtarësimi mban një çmim të lartë dhe i cili i mohohet shumë grupeve aspirante nëpër botë, pavarësisht legjitimitetit të kërkesave të tyre (kujto këtu rastin e palestinezëve ose të kurdëve). Kështu që mospajtimet që rasti i Kosovës ka ngritur në qarqet e diplomacisë ndërkombëtare nuk është i jashtëzakonshëm dhe krejt i pritshëm.
Mirëpo sigurisht se ajo që spikat më së shumti në këtë proces është roli aspak vendimtar dhe aspak me peshë i palës kosovare. Edhe pas faktit se ajo ka pranuar të hyjë në negociata në kushte krejt të disfavorshme për Kosovën, ajo që nga momenti i parë nuk ka qenë proaktive në proces dhe nuk i ka prirë ngjarjeve, duke u mjaftuar me një pritje pasive të vendimeve dhe lëvizjeve që ndodhin tjetërkund. Ajo e ka pranuar defaktorizimin e vet si një nga premisat fundamentale të procesit, duke ia kaluar barrën e argumentimit dhe mbrojtjes së opsionit të pavarësisë SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe shteteve të tjera që jopublikisht kanë favorizuar këtë opsion.
Për të mos përmendur faktin që gjatë tërë procesit, Ekipi Negociator ka bërë koncesione deri edhe të panevojshme për rrethanat. Flitet madje se edhe zyrtarët e Departamentit amerikan të Shtetit janë habitur nga gatishmëria e tepruar e negociatorëve kosovarë për të lëshuar pe ndaj kërkesave të Beogradit në çështjet “teknike” të decentralizimit. Por kjo sjellje irracionale politike ka shpjegim në atë që mund të quhet “teori e vasalit të zellshëm”. Vasali i zellshëm është ai që i shërben padronit jo vetëm nga detyrimi dhe nevoja, por shërbimin e përbrendëson si dëshirë të veten. Shërbimi i padronit shndërrohet në bërthamën e identitetit personal të vasalit, ndërsa vlerësimi pozitiv i padronit në ushqimin kryesor të qenies së tij. Për më tepër, duke dëshiruar që të tregohet se është shërbëtor shembullor, ai mundohet jo vetëm që t’i plotësojë qejfet e padronit sipas kërkesave që bën ai, por edhe t’u paraprijë atyre. Si rezultat, ai jo vetëm u përgjigjet kërkesave të menjëhershme padronit, por ai aktivisht përpiqet që të anticipojë qejfet e ardhshme të padronit në mënyrë që ato t’i plotësojë para se ai ta këtë bërë kërkesën. Ky zell i tepruar i vasalit madje bëhet i neveritshëm për vetë padronin. E njëjta vlen për Ekipin Negociator të Kosovës, një grup vasalësh të zellshëm që lëshuan pe më tepër se që u kërkua nga ta, vetëm nga anticipimi se kjo mund t’u kërkohet nga padronët ndërkombëtarë, duke tentuar që me servilitetin e tyre të dëshmojnë me çdo kusht dëgjueshmërinë e tyre. Kujtoj këtu një nga vizitat e Ahtisaarit në Prishtinë, ku hamendja kryesore e negociatorëve kosovarë ishte jo si do t’i mbrojnë qëndrimet e tyre dhe interesat e Kosovës, por si do t’i përshtasin qëndrimet e tyre sipas kërkesave të Ahtisaarit — me fjalë tjera, si do ta kënaqin atë. Tashmë flitet se dokumenti i Ahtisaarit do të ketë elemente dukshëm të pakëndshme lidhur me çështjet “teknike”të negociuara, për të cilat publiku kosovar nuk ka qenë i njoftuar me kohë, si p.sh. duke garantuar autonomi të lartë territoriale për komunat e reja serbe të Kosovës dhe duke ua mundësuar këtyre komunave ruajtjen e lidhjeve institucionale me autoritetet e Serbisë.
E dyta, Ekipi Negociator nuk ka tentuar fare, madje i është shmangur me çdo kusht, një mobilizimi të përgjithshëm popullor lidhur me çështjen e statusit të Kosovës, duke privuar vetëvetën nga mjeti ndoshta më i fuqishmi politik që ka në dorë. Në vend të një politike mobilizuese, ajo është mjaftuar me premtime zemërgjera dhe me kërkesa të llojit rugovist të viteve 1990: “vetëm rrini urtë e mbani qetësinë burra, se po kryhet kjo punë!” Sigurisht se kjo indolencë dhe apati popullore e nxitur nga udhëheqësia politike e vendit — pos prishjeve të herëpashershme të kësaj qetësie artificiale nga Lëvizja Vetëvendosje — ka pasur efektet e veta në diplomacinë ndërkombëtare, duke ia hapur rrugën zvarritjeve dhe shtyrjeve të njëpasnjëshme çfarë mund të presim akoma, pasi që mesazhi kryesor politik që ka dalur nga Kosova gjatë vitit të fundit ka qenë ai i një gatishmërie të paparë të elitës politike kosovare për dëgjueshmëri deri në shkallë serviliteti ndaj Ahtisaarit dhe sponsorëve diplomatik të negociatave, dhe i një gatishmërie për të pranuar gjithçka, me kushtin e vetëm që ajo ta mbajë një lloj etikete të pavarësisë, sado të cunguar, kufizuar dhe të kontrolluar.
Kjo “njëfarë pavarësie”, që nuk është fare pavarësi në kuptimin e saktë të fjalës, është arsyeja pse statusi i ardhshem do të jetë një disfatë politike për Kosovën. Me pranimin riorganizimit të thellë territorial në baza etnike, Kosova formalisht e pavarur do të jetë politikisht dhe administrativisht një vend tjetër nga ai që është sot. Për të mos përmendur faktin se edhe më tej, Kosova do t’i nënshtrohet një kontrolli të jashtëm politik, nga misioni i ardhshem i BE-së, që do të jetë vazhdimësia institucionale dhe politike e UNMIK-ut në Kosovë. Në të gjitha dimensionet e mundura, Kosova formalisht e pavarur do të jetë një mini-Bosnjë, e fragmentuar etnikisht, e monitoruar politikisht dhe e trajtuar përherë si një entitet artificial politik. Do të bëhet më se e qartë, edhe për ata me kujtesë shumë të shkurtër historike, se kur në fillim të viteve 1990, populli i Kosovës nisi luftën e tij politike për pavarësi, ajo luftë nuk e kishte për qëllim që Kosovën ta shndërrojë në atë që do ta shndërrojë dokumenti i Ahtisaarit. Kundrejt aspiratave të veta, Kosova do të ketë dështuar. Këtu qëndron esenca e disfatës, edhe në qoftë se kjo disfatë mban maskën e fitorës së “njëfarë pavarësie”.
Botuar te Koha Ditore më 27 janar 2007.
LDK-ja e katërt
Janar 11, 2007
Merret vesh se këto ditë në Prishtinë, i ashtuquajturi krah i Nexhat Dacit në LDK do të ndahet nga kjo parti për ta formuar një parti të re. Akoma nuk dihet emri i kësaj partie të re të përfolur, por siç raportohet, ky krah ka siguruar një numër të mjaftueshëm të deputetëve për ta formuar një grup të vetin parlamentar brenda Kuvendit. Kjo nënkupton edhe paqëndrueshmërinë e koalicionit aktual, pasi që ajo do ta humbasë mazhorancën e nevojshme për mbajtjen e qeverisë – përveç nëse koalicioni zgjerohet për ta përfshirë në gjirin e saj edhe partinë e re (pasi që, siç përflitet, në krahun e Dacit bëjnë pjesë edhe një numër ministrash brenda qeverisë aktuale). Sido që të jetë, spekulimi për konfiguracionet e reja qeveritare është i rëndësisë dytësore. Qeveria aktuale, sikur ato të mëparshme, kanë një mision të madh historik por një funksion të ngushtë politik – ato kanë synuar realizimin e pavarësisë së Kosovës, por politikisht, roli i tyre ka qenë i rendit dytësor në të gjitha proceset e deritanishme politike. Edhe pavarësia formale për të cilën po përflitet në media, është një pavarësi që do të merret përkundër, dhe jo si rezultat, i qeverisë. Roli i qeverive unmikiane ka qenë më shumë ideologjik se sa praktik, më shumë administrativ se sa politik. Kjo e fundit mund të tingëllojë si paradoksale, sepse duket paradoksale të jesh politikisht ideologjik kurse praktikisht administrativ, mirëpo në Kosovë ka ndodhur paradoksi – administrimi është shndërruar në ideologjinë dominante, kurse ideologjia objekti kryesor i administruar. Hapësira për politikë të vërtetë ka mbetur vetëm jashtë institucioneve të administrimit ideologjik.
Sido që të jetë, rikonfigurimet në fushën politike kanë një domethënie të vetën që është shkon përtej asaj se kush dhe cili do t’i mbajë titujt ministror. Kjo sepse kësaj radhe po ndodh një ndarje e vërtetë e partisë më të madhe të Kosovës. Them pikërisht një ndarje e vërtetë sepse ikjet e mëparshme nga kjo parti kanë qenë kryesisht individuale. Në rastin e para disa viteve, Edita Tahiri iku nga partia duke formuar një grup të ri politik, por karriera e saj politike me këtë u shkurtua drastikisht, që u dëshmua në disfatën e partisë së re të saj gjatë zgjedhjeve parlamentare. Ikja e saj e la bazën e LDK-së pothuajse të paprekur. Ikja e saj, sikur e të tjerëve para saj, nuk ishte një ikje nga LDK-ja, por një ikje nga Rugova. Mirëpo nga Rugova tani më nuk mund të iket, tani grupet rivale brenda LDK-së nuk duan të ikin nga Rugova; përkundrazi, ata luftojnë se cili do ta marrë Rugovën me vete.
Pikërisht për këtë arsye, kësaj radhe nuk kemi të bëjmë me një ikje nga LDK-ja në stilin e Edita Tahirit dhe të gjithë ish-drejtuesëve të tjerë që braktisën këtë parti vit pas viti. Kësaj radhe kemi të bëjmë me një çarje, një frakturë brenda vetë trupit partiak (që u dëshmua edhe nga dhuna e manifestuar gjatë kuvendit të partisë). LDK-ja, nga gjiri i saj, po e lindë LDK-në e katërt.
Pse them LDK-në e katërt? Sepse deri tani i kemi pasur edhe tri LDK-ja tjera. Të gjitha vetitë që i ka mishëruar LDK-ja– si organizatë politike: informalizmin, jotransparencën, liderizmin dhe pseudodemokracinë e brendshme; politikisht: mosgatishmërinë për të vepruar, konfuzionin ideologjik dhe nënshtrimin servil ndaj UNMIK-ut dhe diplomacisë perëndimore – me kohë i kanë përvetësuar si të vetat tri partitë tjera kryesore, PDK-ja, AAK-ja dhe ORA. Për të mos thënë se të gjitha këto parti janë në esencë parti lideriste. Jo domosdoshmërisht në kuptimin që këto parti, si organizata partiake, kanë trajtuar liderët e tyre sikur LDK-ja Rugovën, por në faktin se Rugova ka përfaqësuar për liderët e partive tjera modelin e liderit që duhet imituar. Si ndryshe shpjegohet intelektualizmi patetik i Thaçit, aura e paprekshmërisë e Haradinajt, dhe rugovizmi i vonshëm i Surroit? A nuk janë këta tre trashëgimtarët më të denjë të liderizmit rugovist? Këta, te Rugova kanë parë Tjetrin e tyre, dhe duke bërë përpjekje që ta minojnë rolin e tij politik, kanë përvetësuar sjelljet e tij politike. Konkluzioni i tyre i përbashkët, por të cilin e kanë arritur secili në rrugë të vet, ka qenë se për ta mposhtur Rugovën, për ta zëvendësuar atë, duhet të bëhesh sikur ai, duhet të “titoizohesh” si lider, ashtu siç LDK-ja e “titoizoi” Rugovën. Natyrisht se për këtë gjë, ata e kanë fajësuar popullin. Populli, si një njerkë e keqe, i ka detyruar këta që të rugovizohen.
Këtij grupi liderësh dhe partish do t’i bashkohet LDK-ja e katërt e Nexhat Dacit. Mirëpo ndryshe nga partitë tjera që janë shndërruar në LDK, kjo LDK e katërt del drejtpërsëdrejti nga gjiri i vetë LDK-së. Pikërisht për këtë arsye, dinamika, por edhe rëndësia e kësaj ngjarje është krejt tjetërfare. Kjo sepse rugovizmi i LDK-së së katërt të Dacit është i drejtpërdrejtë dhe autentik – kjo parti, në të vërtetë, mëton të jetë, siç thonë nismëtarët e saj, “ndjekësja e vërtetë e frymës dhe vizionit të Rugovës”, duke shkuar deri aty sa që emrin e Ibrahimit të fusë edhe si pjesë në një nga emrat e propozuar të partisë. Kjo parti nuk do ta zëvendësojë aurën rugoviste duke u bërë një kopje e zbehtë e LDK-së së udhëhequr dikur nga Rugova, qëllimi i saj është përkundrazi një parti që sublimon Rugovën në simbolizmin themelor që justfikon vetë qenien e partisë. Partia e Dacit do të jetë partia e vërtetë e fesë rugoviste. Për nga forma, LDK-ja përçahet ashtu sikur është përçarë çdo lëvizje fetare pas vdekjes së profetit. Po ky ishte fati i krishtërimit pas Krishtit (ndarja në ndjekësit e mësimeve të Palit kundrejt gnostikëve), apo edhe e islamit pas Muhametit (ndarja midis sunitëve dhe shiitëve, ndjekësve të imamit Ali). Dhe meqë për LDK-në, Rugova kishte po këtë rol dhe pozitë, atë të një profeti shekullar dhe modern të identitetit nacional të Kosovës, LDK-ja e sotme ndahet pikërisht mbi këto baza – midis besimtarëve të Rugovës dhe besimtarëve të vërtetë të Rugovës. Ndërsa liderët e opozitës së LDK-së janë bërë rugovistë duke qenë anti-Rugova, lëvizjet politike që do ta dalin nga LDK-ja janë parti që do ta kultivojnë rugovizmin pa Rugovën. Problemi i tyre është, cilën variantë të rugovizmit do ta kultivojnë?
Sigurisht se lexuesi mund ta ketë vërejtur një lajthitje në numrimin e partive. Nëse partia e re e Dacit do të jetë LDK-ja e katërt, tri LDK-të tjera janë PDK-ja, AAK-ja dhe ORA, ku mbeti atëherë LDK-ja e vërtetë? A domethënë kjo se LDK-ja origjinale është LDK-ja e pestë? Përgjigja është jo: pas ndarjes së grupit të Dacit, LDK-ja e vërtetë nuk do të jetë më as LDK-ja e parë e as e pesta. Mirëpo kjo kërkon një shtjellim tjetër.
Përderisa LDK-ja ka qenë modeli themelor i organizimit partiak dhe Rugova modeli i vetëm i liderit politik, partitë tjera në mënyrë gati të pavetëdijshme janë modeluar sipas atij kallëpi. Mirëpo përderisa ato mbesin të ngarkuara me barrën e historisë së pavetëdijshmës së tyre, kurse partia e ndjekësve të Dacit gjen në idolatrizimin e Rugovës vlerën e vetme të saj politike, LDK-ja e vërtetë shkon, paradoksalisht, duke u de-LDK-izuar. Pas frakturës së brendshme, kjo parti nuk do të jetë më ajo që ka qenë.
Paradoksalisht, LDK-ja tashmë po merr tipare krejt tjera si formacion politik. Është e vetmja parti kosovare, brenda së cilës ka pasur një konkurrencë dhe ballafaqim real politik. Është e vetmja parti ku njerëzit që deri më tani kanë qenë anonim dhe të panjohur, kanë ardhur në krye të partisë. Dhe është e vetmja parti që, tash pasi Fatmir Sejdiu ngriu postin e kryetarit të partisë, do të udhëhiqet formalisht nga Ekrem Kryeziu, një figurë që personifikon antitezën e karizmës dhe liderizmit. LDK-ja po burokratizohet si parti, por në kuptimin e mirëfilltë të fjalës – ajo po shndërrohet në një makinë anonime dhe impersonale organizative që prodhon efekte pa nevojën që veprimet e saj të bekohen nga një figurë e përmasave mistike në krye të saj. Po shndërrohet në një makinë të vërtetë politiko-organizative. Partia që dikur ishte partia e vullnetit të Rugovës, po shndërrohet në partinë e vullnetit të asnjërit specifik. A s’është kjo esenca e revolucionit që në fillim të shekullit XIX, lindja e burokracisë moderne i bëri sundimit të monarkizmit absolutist? Sovrani nga një subjekt u shndërrua në emër – burokracia ekzekuton vullnetin e sovranit, por paradoksalisht qenia e tij konkrete bëhet irrelevante. Kujtoni këtu praktikën pothuajse universale moderne të vendosjes së portretit të kreut të shtetit (personifikuesit të sovranit) nëpër zyrat e ndryshme qeveritare. Përshtypja që krijohet nga kjo është se këto zyra shtetërore shfaqin në ambientet e tyre pamjen e sovranit, në mënyrë që të tregojnë se po veprojnë në emër të tij, pra po e zbatojnë në praktikën e tyre burokratike vullnetin e tij. Por a s’është realiteti krejt i kundërt nga kjo përshtypje? Larg së qeni implementuese të vullnetit të sovranit, këto zyra veprojnë përkundër dëshirave dhe vullnetit të tij, bëjnë një jetë të vetën, duke bërë gjëra në emër të sovranit krejt jashtë dëshirave, madje edhe jashtë dijenisë së tij (kujtojeni këtu korrupsionin nëpër zyra të ndryshme shtetërore, ndërsa vetë kreu i shtetit përherë flet se si po merren masa kundër korrupsionit). Emri i sovranit kështu shërben, paradoksalisht, si një mbulesë universale për veprime që nuk janë aspak të tijat, ndërsa esenca e shtetit modern gjendet (siç e kishte vënë re Hegeli dhe dramatizuar Kafka) aspak në figurën e sovranit por pikërisht në anonimitetin e këtyre zyrave. Kjo e shpjegon se pse prioriteti i parë i çdo kreu të ri të shtetit është reforma – që do të thotë se kreu i shtetit do të përpiqet (sërish) që t’i ndalojë zyrat e ndryshme administrative të shtetit që të bëjnë çfarë duan vetë, pra që ta përdorin emrin e sovranit për të vepruar si të duan, një përpjëkje që në mënyrë të paevitueshme çon në dështim.
Ky lloj revolucioni është pikërisht ajo që po ndodh me LDK-në. Pas vdekjes së Rugovës, shumë pjesëtarë të LDK-së kanë konsideruar se Rugova tashmë po shkon drejt një sublimimi, drejt një shenjtërimi për t’u hyjnizuar përherë si themelues i shtetit. Por jo – domethënia e vërtetë e vdekjes së Rugovës nuk është sublimimi i tij, por, paradoksalisht, sublimimi i LDK-së. Pas Rugovës, LDK-ja shndërrohet në diçka që nuk ka qenë, kurse Rugova edhe në jetën e tij të amshueshme mbetët po ai i njëjti. Mbase, kjo qëndron në thelb të ndarjes brenda LDK-së: pas Rugovës, ndarja është midis rugovistëve dhe LDK-istëve.
Mirëpo a është kjo shenjë se LDK-ja po shndërrohet në një Parti të Shtetit, nëse me shtetin e kuptojmë pikërisht atë forcë anonime dhe impersonale shoqërore që zbaton vendimet gjithashtu impersonale të sovranit (kujtojeni këtu idealin e anonimitetit të ligjeve dhe të drejtësisë, që duhet ta përfaqësojë Shteti)? Të mos e harrojmë edhe origjinën e vërtetë (dhe të ndrydhur dhe të papërmendur) institucionale (nëse jo politike), të LDK-së, Lidhjen Socialiste të Popullit Punonjës, atë aparatin burokratik parapolitik të socializmit që kishte për qëllim organizimin e masave punonjëse drejt ofrimit të një opozite (fiktive) karshi Partisë Komuniste. Burokratizimi përfundimtar i LDK-së kështu përbën një kthim në origjina (apo, më saktë, kthimin e vetë origjinës), një shndërrim në po atë institucionin anonim parashtetëror që kishte qenë dikur, me një funksion të pastër burokratik, një trup politik me emër por pa subjekt. Nuk ka më LDK të Rugovës, Rugova është ai që ka qenë i LDK-së.
Këtu qëndron edhe perspektiva e kësaj partie, që shkon drejt realizimit të vetës si Parti, ndërsa grupi politik i Dacit, mbrapa misticizmave dhe kultit do ta fsheh faktin se është një grup pa një substancë reale politike, apo që do të jetë pikërisht një parti e kultivimit të kultit. Kjo çarje e LDK-së është edhe çarje përbrenda vetë idesë rugoviste, që ka qenë gjithnjë kontradiktore, gjithnjë ambivalente midis idealit për demokraci që ka përfaqësuar dhe realitetit kultik, liderist dhe autoritar që ka mishëruar. Partia e vërtetë Shtetit do të jetë ajo që do ta arrijë vizionin rugovist duke e tejkaluar Rugovën e misticizmave që legjitimonin arbitratitetin autoritar dhe lirimin nga barra e përgjegjësisë politike, por duke e ruajtur atë lëvozhgën e jashtme të rugovizmit që simbolizonte shansën për demokraci dhe vetësundim të këtij populli. Ka ardhur koha që të ndahen rugovistët, në mënyrë që të lindë një parti e vërtetë e shtetit.
Botuar te Koha Ditore më 11 janar 2007.