Drama policore e kolonializmit
Maj 17, 2006
Duke qenë se Kosova gjendet në një gjendje që i ngjan, në shumë aspekte, gjendjes koloniale, mund të mësojmë shumë nga historia e kolonializmit, të paktën në formën e paraleleve që mund të na hedhin dritë mbi situatën tonë, të shpjegojnë disa nga ngjarjet dhe dukuritë. Dhe sigurisht jo vetëm ato politike, por edhe ato shoqërore dhe kulturore. Tek e fundit, politika nuk ngjan jashtë kornizave shoqërore dhe kulturore, prandaj dhe kritika shoqërore dhe kulturore përbën në të njëjtën kohë një kritikë politike të raporteve (të padrejta) të fuqisë që kushtëzojnë gjendjen aktuale tonën.
Shkrimtari i njohur indonezian Pramoedya Ananta Toer ka një numër të madh veprash që ia kushton gjendjes në Indonezi përderisa ky vend ishte koloni holandeze. Toer kishte qenë aktiv në luftën për çlirimin e Indonezisë dhe në fund të viteve 1940 kishte përfunduar në burg, i kapur nga pushteti kolonial holandez, i cili pas 1945 tentonte të rikthente kontrollin mbi Indonezinë pas largimit të japonezëve. Por edhe pas çlirimit përfundimtar të Indonezisë në vitin 1949, Toer kishte përfunduar sërish në burg për shkak të bindjeve të tij politike, kësaj radhe i burgosur nga regjimi puçist i presidentit Suharto në vitet 1960. Pas gati 14 vitesh në burg, Toer u lirua më 1979, ndërsa regjimi vazhdoi ta mbante në arrest shtëpiak deri më 1992. Ndërkohë rinisi botimi i veprave të Toer-it, i cili fitoi dhe famë ndërkombëtare ndërsa emri i tij u propozua disa herë për çmimin Nobël në letërsi. Toer vdiq në prill të këtij viti.
Gjatë kohës në burg Toer kompozoi (në mënyrë gojore, pasi që i ndalohej shkrimi), kuartetin më të njohur të tij, i njohur si kuarteti Buru, që janë vlerësuar si disa nga veprat më të fuqishme të tij. Gjatë viteve 1980 kuarteti më në fund pa dritën e botimit. Kuarteti ka si subjekt jetën në Indonezinë koloniale, ndaj dhe duke u lidhur me tematikën e këtij numri të gazetës, dua të ilustroj disa paralele me gjendjen tonë me njërin nga romanet e këtij kuarteti, me titullin Rumah Kaca (Shtëpia nga xhami).
Ky roman është tregim për një zyrtar të lartë policor indonezian i periudhës së kolonializmit. Personazhi në fjalë është një hetues i policisë koloniale, e cila natyrisht kontrollohej nga pushteti kolonial dhe udhëheqja e saj ishte krejtësisht e përbërë nga kolonistët. Të gjithë vendorët që punonin për policinë ishin policë të ulët ose edhe zyrtarë ndihmës e të tjerë të këtij lloji. Por personazhi kryesor pati një fat të veçantë nga indonezianët tjerë që punonin për policinë. I vlerësuar si i aftë dhe besnik i madh ndaj policisë, udhëheqësia ia dha atij një post të lartë, ai i kryehetuesit të policisë. Ishte ky posti më i lartë që mbante një indonezian në polici, pasi që në të kaluarën ky post rezervohej vetëm për ndërkombëtarët… më falni, kolonistët.
Këtu dhe fillojnë kontradiktat dhe peripecitë e personazhit. Si pjesëtar epror i policisë koloniale, atij i detyrohej një ndërveprim dhe shoqërim gjithnjë e më i madh me eprorët policorë, që ishin të gjithë kolonistë holandezë. Në shoqërim me ta, ai gjithmonë ndjente barrën e racizmit kolonial, pasi që pavarësisht nga aftësitë, ai megjithatë ishte një vendor, një lloj tjetër njeriu sipas mendësisë dhe ideologjisë koloniale. Prandaj dhe nuk mund asnjëherë të ndjente afërsi me eprorët në mënyrë njerëzore dhe shoqërore. Pavarësisht postit të tij zyrtar, racizmi kolonial gjithnjë përbente një barrierë në mes të këtij dhe udhëheqësisë koloniale të policisë. Mjaftonte një shikim i vrazhdët, një pyetje më e ashpër nga komandanti holandez dhe në mendjen e tij ky dëgjonte, “çka di ti more xhavanez trutrashë!”. Në përballje me këtë realitet, personazhi filloj të ndjente një hendek të madh midis tij dhe kolegëve kolonistë. Ai filloj t’i urrente ata. I shikonte dhe komentonte idiotësinë e tyre, arrogancën e tyre, bindjen e tyre se janë më të mençur ose më të ditur. Filloi t’i mallkonte ata heshturazi ndërsa në marrëdhëniet zyrtare ishte i obliguar të paraqitej profesional dhe korrekt, të ndrydhte gjithë emocionet dhe urrejtjen e tij ndaj tyre për t’i ruajtur marrëdhëniet me hierarkinë policore.
Si kryehetues vendor, policit në fjalë iu caktua detyra e përgjimit dhe ndjekjes se një grupi nacionalist çlirimtar në ishullin më të madh të Indonezisë Xhava, që sipas informacioneve të policisë kishte filluar veprimtarinë, po përhapte propagandë dhe po planfikonte aksione kundër pushtetit kolonial. Udhëheqja koloniale e policisë kishte vendosur mirë – kush më mirë se një vendor mund të ndjek, spiunojë dhe gjejë informacione mbi grupe dhe lëvizje politike indoneziane? Ky njeh mirë edhe gjuhën, edhe mentalitetin, por edhe metodat e mundshme që mund të përdorin këta. Dhe si një profesionist i mirë, kryehetuesi indonezian pranoi këtë detyrë, detyrë që në fakt nuk mund ta refuzonte edhe po të donte.
Në detyrën e përndjekesit të një grupi çlirimtar vendor, kryehetuesi filloi të ndjente një tjetër sërë kontradiktash. Ky grup kërkonte çlirimin e Indonezisë nga sundimi holandez dhe pavarësinë e Indonezisë. Kryehetuesi nuk dinte nëse simpatizonte kauzën e tyre (në fund të fundit, edhe ky ishte indonezian), në anën tjetër ndjente obligimin e detyrës, e karrierës policore në të cilën ky kishte investuar shumë vite dhe që iu kishte shpaguar me postin e lartë, më të lartin që kishte një vendor. Por në anën tjetër nuk ishte i bindur që metodat e grupit çlirimtar do të jepnin rezultate. Kërkesa për heqjen e sundimit holandez këtij i dukej iluzore (pavarësisht se prania e tij në atë pushtet ndihmonte mirëmbajtjen e sistemit kolonial, por këtë gjë ky nuk e merrte parasysh). Përbuzte, në mendjen e tij, grupin çlirimtar, që këtij iu dukeshin si një grup idealistësh të rinjë që s’kishin punë tjera. Përqeshte metodat e tyre, propagandën e tyre, kërkesat e tyre. Ndërkohë që përcillte çdo informacion që kishte për ta eprorëve të tij të autoriteteve koloniale. Mirëpo edhe ata i dukeshin të paaftë në detyrë. Paaftësia e tyre për të kuptuar pse grupe si ky po paraqiteshin këtij i dukej sa paradoksale aq dhe absurde. Çfarë gomerësh ishin këta kolonistë, që nuk i kuptojnë vendorët! Kështu mendonte kryehetuesi. Ndërsa përqeshte kërkesat dhe luftën e çlirimtarëve. Në realitet, e gjithë kontradikta koloniale luhej si dramë në mendjen e kryehetuesit. Ai përballej me kontradiktat më të rënda të kolonializmit përditë në punën e tij. Nuk gjente vetën as me çlirimtarët, as me pushtetin kolonial, që asnjëherë s’mund ta pranonte këtë si të barabartë. Ai mbeti askund, përderisa shtyu punën e tij të përndjekjes së çlirimtarëve deri në fund. Ai i shërbeu pushtetit kolonial pavarësisht mosbindjes dhe pavendosmërisë së tij. Ai ishte viktimë e situatës koloniale i paaftë të merrte një vendim të vështirë por të prerë mbi rolin e tij politik.
Nuk di si ndjehen policët tanë kur dalin dhe rrahin brutalisht aktivistë të Vetëvendosjes. Por kam përshtypjen se gjendja e tyre është jo fort e pakrahasueshme me ato të kryehetuesit indonezian të pushtetit kolonial, kryepersonazhit të romanit të Toer-it. Athua është rastësi që kundër aktivistëve të Vetëvendosjes, eprorët policorë të UNMIK-ut gjithmonë çojnë policë kosovarë? Athua policët duan ta tregojnë profesionalizmin dhe besnikërinë e tyre duke u dëshmuar para eprorëve ndërkombëtarë me veprimet e tyre, meqë nga po këta eprorë varet edhe karriera e tyre prej policit, çdo mundësi për t’u ngitur në hierarkinë policore? Dhe athua ndjejnë dhe përjetojnë këta policë, sikur personazhi i romanit, në lëkurën dhe mendjen e tyre kontradiktën themelore të përpjekjes sonë të papërfunduar për çlirim? A munden këta të mos përfundojnë në një dramë të rëndë psikike e emocionale si kryehetuesi i Toer-it, por të fillojnë e të mendojnë për rolin e tyre politik?
(botuar te gazeta “Vetëvendosje!”, 16 maj 2006)
Kundër analistit
Maj 9, 2006
Në Kosovë tashmë është etabluar profesioni i “analistit politik”, mirëpo mbetët për t’u themeluar akoma kritika ideologjike dhe sociale e premisave mbi të cilat analistët ndërtojnë analizat e tyre. Kjo analizë e analistëve, një analizë sociale e aktivitetit të analistit që duhet të bëhet paralelisht me analizën e produkteve të tyre ideologjike, përbën njëkohësisht bazën për ndërtimin e një kritike të ideologjisë, kritikën e doksës dominante mbi të cilën është ndërtuar hegjemonia e re politike dhe strukturat institucionale që krijojnë kushtet objektive të reprodukimit të saj. E në këtë gërshëtim strukturash analisti zën një pozicion të veçantë dhe në dukje kontradiktor. Analisti nuk është politikan, mirëpo ai merret me politikën. Analisti nuk është intelektual, mirëpo ai kultivon imazhin e vetës si të tillë. Dhe analisti, ndërsa përpiqet ta paraqesë zërin e një “qytetari të thjeshtë”, nuk është fare i tillë. Pozicioni që gëzon analisti është pasojë e “privilegjeve” të akumuluara shoqërore dhe jo një pozicion shoqëror që ai e okupon si pasojë e rrethanave dhe rastësisë. Analisti flet “në emër të publikut” ose “për interesin e publikut” vetëm pasi të jetë arritur shkëputja e tij nga eksperienca sociale e mesetarës së publikut, pasi ai të jetë ngritur në rangun e një publicisti me të drejtë fjale, autoriteti i të cilit autorizohet nga instancat dominante të sferës publike (redaksitë, pronarët e mediumeve etj.).
Mirëpo analisti në radhë të parë synon një rol politik, edhe pse pa interes të drejtëpërdrejtë politik, që e bën analistin një fetishist të politikës. Por nga aspekti social, pozicioni dukshmërisht kontradiktor i analistit, ai që gjendet, në dukje, edhe brenda edhe jashtë politikës, që është kritik ndaj politikës por gjithmonë afër institucioneve politike, e shndërron veprimtarinë e analistit në një politikë surrogate dhe vetë analistin në një politikan surrogat. Thellimi i analistit brenda strukturave politike, pa pjesëmarrje zyrtare në to, e bën atë komplicit në mirëmbajtjen dhe kyç në legjitimimin e tyre. Në esencë, analisti nuk ka si objekt analizën në kuptimin e zbërthimit të gjendjes politike (diçka që, paradoksalisht, imponon një shkëputje nga rrjedhat e fushës politikës), ai ka analizën si mjet për arritjen e efekteve imediate politike. Kështu, roli i pretenduar si kritik dhe denoncues i politikës (p.sh. denoncuesit të “korrupsionit” të zyrtarëve dhe politikanëve të caktuar, i skandaleve të ndryshme, i kundërshtimit ose përshëndetjes së masave të caktuara etj.) përbën metodën përmes së cilës, analisti synon legjitimitetin publik për veprimtarinë e tij si veprimtari që bëhet për publikun dhe në emër të tij, me analistin si përfaqësues të publikut. Për më tepër, analisti synon, përkundër pretencës për njohuri mbi mesetare për ngjarjet e ditës në politikë, kultivimin e imazhit të tij si një “qytetar i zakonshëm”, dhe kjo kryesisht arrihet përmes formave gjuhësore që nxjerr në përdorim analisti, pra me denoncimet dhe sulmet që kryen ai kundër politikës, jo rrallë duke përdorur një “gjuhë popullore”, me një fjalë, duke denocuar apo aplauduar politikën në mënyrën që atë do ta bënte ky i ashtuquajtur “qytetar i zakonshëm” i fantazisë ideologjike të analistit (dosido një konstrukt kulturor dhe jo krejt personal i analistit). Duke ndërtuar identitetin e vet në kundërshti me imazhin e “qytetarit indiferent”, analisti projekton premisat sociale dhe ideologjike të rrethit të tij social (analistë të tjerë, gazetarët, politikanët etj.) mbi gjithë shoqërinë, duke ndërtuar dhe imponuar përmes vetë formës së diskursit të tij idealin e qytetarit kritik, të qytetarit publik që është përherë në mbikëqyrje të veprimtarisë së shtetit dhe i njohur me problemet e shoqërisë. Analisti kështu, në njëfarë mënyre, imponon vetën si qytetarin ideal dhe gjuhën e tij si gjuhë ideale politike, ndërsa pozicionin e tij e afirmon si pozicion etik dhe a-politik. Mirëpo pikërisht përmes refuzimit të kategorizimit të tij politik, analisti arrin dhe efektin më të madh politik, arrin që diskursin e tij ta paraqesë si një diskurs të pastër moral, të pa-ideologjizuar dhe të pa ngarkuar politikisht, një gjuhë të pastër “vlerësuese” dhe “gjykuese”. Dhe përmes pretendimit se gjuha e tij është një gjuhë neutrale e denoncimit, analisti krijon dhe atë iluzion të nevojshëm për ta kultivuar imazhin si përfaqësues i zërit publik, përderisa ky imazh pasqyrohet edhe si ego-imazh që ai ndërton përmes vetë-përfaqësimit që bën ai përmes mediave, të cilin ai e merr si pasqyrë të rolit të tij – me një fjalë, ai i bindet ideologjisë së vet mbi rolin e tij, e nuk e sheh se ky rol është në fakt efekt i strukturës, të cilës i takon vetë – pikërisht sikur në atë tregimin e Pascalit mbi mbretin legjendar që besonte se është mbret jo për shkak të besimit që subjektet e tij kanë për të (se mandatin për pushtet e ka nga Zoti), por për shkak të atributeve të veçanta të tij (se është vërtetë ai i dërguari i Zotit).
Në konfiguracionin e sotmën shoqëror dhe institucional, në gjendjen e sotme “strategjike” në mes të fushave përmes së cilave kryhet dominimi (institucionet politike, ekonomia, mediat etj.), në të cilin ekziston një ndërvarshmëri e thellë në mes të politikës dhe mediave, dhe si rrjedhojë e ekonomisë dhe politikës, roli i analistit sot është shndërruar në rol kyç për racionalizimin dhe përligjen e dominancës të strukturave politike, të legjitimimit të vendimeve të caktuara politike, të arsyetimit të përjashtimeve që bëhen në fushën politike dhe në procesin e vendimmarrjes në politikë, me një fjalë, analisti është shndërruar në zëdhënësin ideologjik të pushtetit të sotëm. Meqë ka kohë që politika jonë është “de-ideologjizuar” (p.sh. politikanët nuk merren dhe nuk botojnë trakte politike, pushtetarët nuk ndjejnë obligimin e shpjegimit dhe përligjes së vendimeve të tyre para publikut, programet politike të partive nuk vlejnë fare si pika reference në vendimet politike, UNMIK-u dhe instancat ndërkombëtare trumpetojnë një ideologji në dukje të pastër teknokratike etj.), këtë mangësi të fushës politike e mbush analisti, i cili përmes diskursit të tij mbush boshllëqët ideologjike që mbetën nga veprimtaria politike e pushtetit, atë tepricë që ngelet jashtë kuadrit të diskursit zyrtar. Kështu, paradoksalisht, edhe kundërshtia që analisti ia bën masave të pushtetit shkon në shërbim të mirëmbajtjes së tij, janë në shërbim të sigurimit të reprodukimit të tij, pasi në esencë diskursi i analistit, edhe kur është kundërshtues, ka si premisë paradoksale nocionin se pushteti është fundamentalisht i drejtë dhe i mirë, dhe se çdo shkelje përbën një devijim nga norma, me një fjalë, se problemi është i përmbajtjes dhe jo i formës. Pushteti kështu, përkundër mangësive që vëren analisti, është i ndreqshëm dhe i përmirësueshëm, edhe atëherë kur ky përmirësim nuk arrihet asnjëherë.
Në anën tjetër, papërmirësueshmëria e pushtetit nuk merret si problem politik por si çështje që kërkon racionalizime dhe interpretime të një rendi tjetër. Dhe në këto raste problemi zakonisht paraqitet si problem kulturor. Nuk është çudi që denoncimi më i fuqishëm i politikës është pikërisht denoncimi kulturor, një denoncim i kulturës që besohet të ngërthejë politikën. Në një perversion të çuditshëm të marksizmit ortodoks, në të cilën ekonomia përbën strukturën mbi të cilën ndërtohet superstruktura e institucioneve politike, analisti kulturor sheh të keqen tek struktura kulturore e cila shihet si përgjegjëse për prodhimin e imperfeksioneve në superstrukturën politike. Si pasojë, edhe debatet më të ashpra lidhen pikërisht me problematikën e kulturës (si nocion i gjerë), e arritur kjo përmes abstraktimit të kulturës si një entitet i veçantë nga politika, thuase kemi të bëjmë me dy objekte të ndryshme madje edhe të kundërta, e jo një dallim historik në mes të instancave ose fushave të ndryshme, dallimi në mes të cilave është vetëvetiu një produkt i pushtetit (‘pouvoir’ në kuptimin Foucault-ian të termit). Dhe kjo është arsyeja pse debatet kulturore shpesh arrijnë në pikën e ripërtërirjes së modeleve totalitare të mendimit, me gjithë kontradiktat e tyre – politika e keqe është produkt i kulturës së keqe, e për ndreqjen e kulturës së keqe kërkohet intervenimi politik. Qarku ideologjik kështu i afrohet strukturës formale të fashizmit, i cili kërkon një Sundimtar të Fortë për të ardhur dhe me vullnetin e tij të çeliktë të kthejë gjërat në vend të vet.
Sidoqoftë, pozicioni ortodoks – dhe, si pasojë, konservator – i cili adopton analisti i imponohet atij, nganjëherë pavarësisht dëshirave të tij. Analisti, si çdo autor tjetër, nuk e thotë “atë që dëshiron”, diskursi i tij nuk ka referenca arbitrare dhe krejt subjektive por objektive dhe ndërsubjektive, ai i referohet një “realiteti politik” jashtë vetës së tij, realitet i cili vihet para interpretimit të analistit dhe që ai i jep kuptim përmes aktit interpretues. Dhe këtë interpretim ai ia ofron një lexuesi ose dëgjuesi, një konsumatori të veprës së tij. E kjo domethënë se analisti gjithmonë shkruan për kënaqësinë e një Tjetri, simpatinë e të cilit e synon, mbase edhe në mënyrë të pavetëdijshme. Diskursi i analistit kështu i ngjan diskursit të histerikut (siç e përkufizon atë Lacan), pasi që analisti, sikur histeriku, e ofron vetën si objekt për kënaqësinë e Tjetrit, apo, më saktë, e ofron diskursin e tij si objekt për kënaqësinë e Tjetrit. Në diskursin e tij ai projekton Tjetrin, lexuesin dhe konsumatorin e produktit ideologjik të tij, nevojën për dije politike të të cilit ai do ta plotësojë me diskursin e tij. Analisti kështu nuk shkruan e thotë “atë që dëshiron”, por, paradoksalisht, atë që Tjetri kërkon nga ai (pikërisht sikur në formulën Lacaniane a /A, objekti që jepet si pasojë e kërkesës së Tjetrit, në formën se si histeriku i nënshtrohet Tjetrit). Siç shkruan Zizek: “përkitazi me çdo ‘luajtje të rolit’, pyetja është: për kë subjekti po e luan këtë rol? Soditja e cilit merret parasysh kur subjekti identifikon vetën me një imazh? Kjo zbraztësi midis mënyrës që unë shoh vetën dhe pika nga e cila shikohem për të qenë i pëlqyeshëm për veten është kyçe për kuptimin e histerisë” (1989:106). Analisti kështu sheh vetën të pëlqyeshëm nga lexuesi/dëgjuesi, i cili në esencë mbetët një konstrukt i fantazisë së analistit dhe jo një person empirik.
Dhe pikërisht përmes konstruktimit të këtij konsumatori si një subjekt të padijshëm, atë figurë stereotipike injorante dhe të pashije që duhet të përfaqësojë “popullin”, analisti mbron vetën nga paraqitja e vetës si i dalur nga normat e përgjithshme politike, ato norma të cilat garantohen nga ekzistenca e po këtij Tjetri (që është Tjetri i Madh, që Lacani e simbolizon me shënjuesin e fallusit [Φ], si garantor i kuptimit gjuhësor). Ky Tjetri i padijshëm, i pashije dhe konservator i fantazisë ideologjike të analistit kështu paradoksalisht ia imponon analistit kufijtë e gjuhës së tij, sepse analisti, për të arritur efektin e dëshiruar retorik, pohon qëndrimin e tij në pritje të reagimeve të Tjetrit, duke i paramenduar dhe llogaritur ato reagime paraprakisht në fantazinë e tij. Gjuha e analistit kështu kufizohet nga Tjetri, me një fjalë, Tjetri ia imponon kufijtë e diskursit, normat e saj të patejkalueshme, norma që në vetëvete bëhen të padiskutueshme. Ndërkaq, këto norma përcaktojnë kufijtë e diskursit analitik mbi politikën, apo, nëse mbështetemi në terminologjinë e Bourdieu-s, doksën e saj klasifikuese – pozicionet ortodokse dhe heterodokse në fushën politike, pozicionet konservatore dhe heretike. P.sh. derisa ishte gjallë, pozicionimi kundër Rugovës kaloi nga një akt heretik çfarë mund të ishte në një moment, në një akt të zakonshëm rutinor për disa segmente shoqërore. Me një fjalë, qëndrimi heretik u shndërrua në një lloj mode, që domethënë se vetë pozicioni “kritik” kundër Rugovës në fakt u shndërrua në ortodoksi, në një ritual të pjesëmarrjes politike (pjesëmarrjen në politikë në cilësinë e “kundërshtarit të Rugovës”).
Larg së qeni një autor origjinal, vetë kushtet e pjesëmarrjes në aktivitetin që ai bën ia kushtëzojnë analistit që të jetë i varur nga strukturat dominante diskurzive dhe kategoritë formale të mendimit që imponojnë ato, pasi që ai shërbehet me to në konstruktimin e diskursit të tij, e siç dihet, kategoritë dhe konceptet e mendimit (siç janë ato të pashmangshmet e kohës sonë, p.sh. demokracia, shteti, korrupsioni, pavarësia etj.) nuk janë struktura neutrale gjuhësore, ato mendojnë të menduarën për subjektin, apo, thënë më shkurt, ato ia sigurojnë subjektit rehatinë e konformizmit dhe të mosmenduarit. Me përdorimin e lirshëm të kategorive dominante nga analisti, kategori që merren si të mirëqena, të natyrshme dhe transparente, lexuesi nuk ftohet në sfidimin e bazamenteve konceptuale të mendimit të tij, në rivlerësimin e orientimit të tij etik dhe të sqarimit të dëshirave dhe synimeve të tij politike në raport me gjendjen, ai thjesht ftohet për të marrë pjesë në një ritual ku do të konfirmojë paragjykimet e veta mbi të ndodhurat dhe kahjen e gjërave dhe viktimizimin e pashmangshëm që ato prodhojnë. Dhe pikërisht këtu qëndron konservatorizmi radikal i analistit – jo te diskursi i manifestuar i tij, te përmbajtja formale e tij (qëndrimet politike që merr etj.), por në reprodukimin jokritik të kategorive që janë produkte të vetë strukturave të pushtetit, strukturave në shumtësinë e tyre. Analisti, ai që paraqitet në rolin e kritikut më të madh të pushtetit, kështu paradoksalisht bëhet operatori më efikas i hegjemonisë së tij.