Çka do të ndodh pas ardhjes në pushtet të qeverisë së re? ASGJË!

Në fakt, nga ky ndryshim vjen vetëm një e keqe e madhe, e kjo është se TMK-ja humb një udhëheqës të aftë, i cili tash hyn në dallgat e politikës, për t’i hyrë edhe ai një piste që çon në një karrierë të shpejt dhe të shkurtër politike. Sepse ata që hyjnë shpejt në politikë, zakonisht edhe fundin politik e kanë të shpejtë. Në ndërkohë i urojmë Agim Çekut që karriera e tij politike të jetë më e gjatë se ajo e Nexhat Dacit.

Në anën tjetër, komentatorë të ndryshëm të zhvillimeve, shprehin shpresa se ndryshimi i qeverisë mund të çojë në ndryshime më thelbësore në jetën politike të vendit. Mirëpo njëkohësisht vlen diçka tjetër — ka kohë që në Kosovë ndryshimi kërkohet vetëm për hir të ndryshimit. Kështu që, po — ndryshime në jetën politike do të ketë, aq sa për senzacion dhe për atë perversion prej spektakli që është politika e mediatizuar. Por ndryshime të tjera — kjo është shumë më e dyshueshme. Lidhur me këtë, është tepër indikative deklarata e Martti Ahtisaarit, se ndryshimet në qeveri nuk kanë asnjë ndikim në rrjedhën e negociatave me Beogradin. A s’është kjo provë e mjaftueshme se politika kosovare qysh moti është shndërruar në një rend hierarkik, në një nomenklaturë që në thelb e gjitha mendon dhe vepron sipas ca parametrave të caktuar, një paradigme të vendosur qysh moti, që thotë se këtu asgjë thelbësore nuk vendoset vetë? Ahtisaari s’ka nevojë ta dëgjojë qëndrimin e qeverisë së re — ai qysh tani e di qëndrimin e saj, ende pa folur ajo.

Kjo tregon se në Kosovë mund t’i ndërrosh me dhjetëra qeveri, por përsa i përket qëndrimeve thelbësore (siç janë p.sh. rreth pjesëmarrjes pakusht në negociata, apo rreth “nevojës” për decentralizim), ato s’luhaten as edhe për një moment. Qeveritë, si një ent i përkohshëm punësimi për politikanë të karrierës, në fakt vetëm thirren për të kryer punët e tjetrit, për t’u bërë operatorë të “proceseve”, në shkëmbim për mundësinë e përmbushjes së qejfeve e favoreve të ndryshme personale. Pikërisht këtu qëndron shpjegimi për dështimin e Qeverisë Kosumi. Kjo qeveri nuk dështoi sepse nuk kishte program të vetin (asnjë qeveri në Kosovë deri tash nuk ka pasë program të vetin), por sepse deklaratat e saj boshe për ndërtimin e shtetit nuk mjaftonin për menaxhimin e situatës derisa “proceset” po ecnin para. Jo pse ajo nuk ishte në gjendje t’i printe “proceseve”, sepse qeveria në Kosovë nuk e ka atë rol, por se Qeveria Kosumi nuk arriti as ta krijojë përshtypjen se ka kontroll mbi diçka. Kurse sot Kosovës kjo i duhet — një qeveri që krijon përshtypjen e autoritetit. Ndaj dhe nevoja që ajo të pëfshijë njerëz autoritativ.

Megjithatë, t’i kthehemi çështjes së ndryshimeve. Ndryshime në rrafshet tjera shoqërore nuk do të ketë, përkundër pritjeve dhe dëshirave që do të shtohen tani. Në fakt, me Agim Çekun në krye, popullata do të presë mrekullira. Ndërsa mrekullirat nuk do të ndodhin, sepse Agim Çeku është gjeneral me profesion e jo magjistar. (Në fund të fundit, magjia është thjesht një truk optik, ndërkaq Kosova kishte vetëm një mjeshtër për këtë — të ndjerin Ibrahim Rugova). E nga këtu buron rreziku më i madh politik. Përderisa ishte Bajram Kosumi në krye, dukuritë e këqija mund të arsyetoheshin se qeveria është dobët, ministritë nuk dinë të punojnë etj. Kurse sot, këto fjalë do t’i përpijë sorra sepse do të shihet se ndryshimet thelbësore nuk vijnë me ndryshimin e qeverive. Atëherë, nuk do të vihet më në sprovë legjitimiteti i qeverisë, por legjitimiteti i tërë sistemit politik që ekziston sot. Këtu qëndron problemi fundamental.

Kështu, ato që dikur në literaturë quheshin “masa popullore”, sot, në realitetin e një krize mizerable ekonomike, kërkojnë ndryshime të prekshme dhe konkrete dhe të shpejta. Por asi lloj ndryshimesh nuk do të ketë. Thjesht, mekanizmat strukturor për ndryshime të tilla nuk ekzistojnë. Struktura e pushtetit e ndërtuar në Kosovë këto shtatë vitet e fundit nuk është ndërtuar mbi bazën e lëvizjes së gjërave, por të konservimit të tyre. Struktura politike dhe institucionale e ndërtuar në Kosovë ka pasë një dhe të vetmin qëllim, ko-optimin e elitës politike kosovare në shërbim të administratës ndërkombëtare. Në ndëkohë, kësaj elite i është dhënë një rol menaxhues dhe një kinse-rol politik. Mirëpo brenda këtyre strukturave, brenda këtij kuadri institucional, nuk ka politikë të vërtetë. Politika e vërtetë është pikërisht politikë mbi lëvizjen e gjërave, jo e ndërrimit të njerëzve. E sot, politikë në Kosovë konsiderohet pikërisht kjo: ndërrimi dhe lëvizja e njerëzve, rotacioni, rokadat, thjesht për të krijuar iluzionin se këtu po bëhet diçka, se dikush po merr vendime me konsekuencë. Prandaj dhe bisedat politike në Kosovë, në formën më puro të tyre, janë në radhë të parë muhabete dhe thashetheme mbi emrat, mbi njerëz, mbi persona e personazhe, që mbesin pika e parë dhe e fundit e referencës për gjithçka.

Mediat, në anën tjetër, gjithnjë në kërkim të senzacionit, shprehin një tepricë kënaqësie sa herë të ndodhin ndryshime në renditjen e emrave në kolltuqe. Sepse të paktën, në punën e tyre normalisht të mërzitshme, ndodh diçka që ju thyen monotoninë e të raportuarit të deklaratave nga fytyrat e njëjta, deklaratat e të cilëve ata tashmë dinë t’i shkruajnë ende pa i dëgjuar. Por, siç po ndodh, disa tashmë kanë filluar të deklarojnë se me ndërrimet në qeveri dhe kuvend po dëshmohet se në Kosovë po nxë rrënjë demokacia.

Në realitet është e kundërta. Pikërisht ndryshimi kaq i shpejt i qeverisë dhe kreut të Kuvendit, gati brenda natës, janë dëshmi tepër e fuqishme se sa e varur politika kosovare është nga intrigat dhe lëvizjet e prapaskenave. Ato tashmë vetëm po shtohen, ndërsa natyrisht terreni i prapaskenave, sidomos në LDK, tashmë është trazuar dukshëm pas vdekjes së “perdës së madhe” që ishte Ibrahim Rugova. Rugova ishte një “perde e madhe” sepse ato të qeshurat e tij karakteristike, që i dilnin gati si me zor pas deklaratave për pavarësinë e Kosovës, ishin mbulesa më e mirë për katrahurën politiko-organizative të quajtur LDK. Tani, ky përbindësh prej organizate politike natyrisht kërkon të bëjë një spastrim brenda radhëve, pasi që më nuk ka garanca që torta do të jetë gjithnjë e madhe siç kanë qenë në kohën e Rugovës. Kishin arsye të forta pse disa nga anëtarët e lartë të LDK-së qanë me lotë vdekjen e presidentit. Ishin vërtetë lotë të sinqertë.

Në fakt, ngjarja më interesante politike nuk është ndërrimi i qeverisë, por fakti se qytetarët e Hanit të Elezit u ngriten dhe në një aksion proteste me zor hapen rrugën Prishtinë-Shkup. Si dhe akti i solidaritetit i kamionistëve që bllokuan në shenjë proteste magjistralën Prishtinë-Mitrovicë. Në këto raste ndodh politika e vërtetë: bashkim gati-gati spontane njerëzish që lidhen për interesa reale kolektive. E lëvizje të këtilla po ndodhin gjithandej. A duhet përkujtuar protestat që ndodhen para disa jave pothuajse në tërë Kosovën, me rastin e krizës energjetike të KEK-ut? Apo të protestës së vozitësve të kombibusave, që bllokuan rrugën për në Gjilan? Apo të pakënaqësive që po shprehin dukshëm punonjësit e transportit publik në Prishtinë, si pasojë e mosmarrjes së rrogave? Apo e punonjësve të administratës që gjithashtu janë pa rroga? Apo edhe lëvizja e artistëve për kthimin e “Unionit”, që në thelb është një shpërthim shumë më i madh i revoltës mbi gjendjen e mjerë të institucioneve kulturore në Kosovë. Por natyrisht, lëvizje si këto nuk e trazojnë politikën kosovare, pasi që ajo qysh prej kohësh është shkëputur dhe izoluar hermetikisht nga realiteti social, ndërsa bën jetë në një univers paralel të populluar nga diplomatë, administratorë, analistë dhe protagonistë të ndryshëm të prapaskenave, aty ku përditë, në mënyrë të ndërsjelltë, përforcohet iluzioni kolektiv i këtij grupi njerëzish për rëndësinë e vetës së tyre. Ndërsa pikërisht këtu, në këtë indiferencë mahnitëse të politikës karshi zhvillimeve shoqërore, në këtë autonomi ekstreme që politika gëzon nga jeta shoqërore (por sigurisht jo nga jeta ekonomike!), qëndron e përqëndruar e gjithë kontradikta midis realitetit politik dhe realitetit social, një kontradiktë që, po vazhdoi ky avaz, vetëm pret momentit e shpërthimit. Kurse ardhja e një qeverie të re, autoritative por të pa autoritet, paradoksalisht, vetëm e përshpejton ardhjen e momentit të thyerjes politike që do ta ndjejmë. Atëherë do të mund të flasim për evenimente. Në kuptimin e vërtetë dhe historik të fjalës.

Botuar te “Koha Ditore”, 6 mars 2006.

Një veprim që kaloi gati pa hetuar dhe pa shumë bujë këto ditë, kur vëmendja e gazetarëve dhe analistëve politik është përqëndruar te nisja e procesit të negociatave dhe zgjedhjes së kryetarit të ri të vendit, ishte gjesti i PDK-së për përvetësimin e një identiteti ideologjik të partisë. Lideri i kësaj partie, Hashim Thaçi, me praninë e tij si vëzhgues në takimin e Internacionalës Socialiste, dha një indikacion në dukje të qartë për orientimin ideologjik social-demokratik që synon kjo parti. Këtë e konfirmoi edhe zëdhënësja e PDK-së në Prishtinë, duke pohuar në media se “qendra e majtë” është pozicioni ideologjik me të cilën ndjenë afërsi PDK-ja.

Në anën tjetër dihet se, qysh prej kohësh, zyrtarë të ndryshëm të LDK-së me bujë kanë deklaruar për orientimin e djathtë të kësaj partie, apo më saktësisht, një orientim i “qendrës së djathtë”. Tani, sigurisht, edhe LDK-ja post-Rugoviste do ta ndjejë nevojën e qartësimit të saj ideologjik, sidomos në qoftë se statusi i ardhshëm i Kosovës i jep pushtetit vendor tipare të një shteti funksional dhe jo thjesht atij administrativ me të cilin ballafaqohemi sot, dhe mbi këtë parti që aktualisht kontrollon qeverinë do të fillojnë të rëndojnë presionet popullore për performansë dhe rezultate konkrete të qeverisjes.

Duhet sigurisht të theksohet se polet “i majtë” dhe “i djathtë” janë thjesht abstraksione akademike në kontekstin kosovar, ndërsa ato “të qendrës” edhe më të paqarta, nga fakti se në historinë politike të Kosovës, e majta ka qenë e përfaqësuar nga socializmi titist (pa harruar edhe disidentizmin enverist të lëvizjeve ilegale), kurse e djathta në mënyrë përmbajtësore me episodin e okupimit italian e më pas atij gjerman, në trajtën e nazizmit dhe fashizmit. Rrjedhimisht, barra e totalitarizmit — sado që ai titist ishte, të paktën në fazën e mëvonshme, relativisht më i lehtë për t’u bartur se ai stalinist — rëndon mbi supet e ideologjive kosovare, që, mbase, historikisht, janë karakterizuar pothuaja pa dallim nga nacionalizmi. Por nacionalizmi në vetëvete nuk përmban domosdoshmërisht një trajtë konkrete ideologjike. Nacionalizmi jep kornizën historike, atë të bazës popullore mbi të cilën ndërtohet korniza politike e shtetit, por jo edhe përmbajtjen ideologjike të saj, e as vizionin për strukturat politike dhe ekonomike të shoqërisë së ngërthyer nga shteti i ri. Nacionalizmi si doktrinë nuk është përjashtimisht as i majtë e as i djathtë. Janë mjaft të kota dhe thjesht të nxitura politikisht pretendimet se, në historinë moderne të Kosovës, lëvizjet e majta apo të djathta ishin “më patriotike”, “më kombëtare” apo “më nacionaliste”. Nacionalizmi ka qenë fryma emancipuese e çdo lëvizjeje politike moderne në Kosovë, mirëpo nacionalizmi, në kuptimin e ngushtë të tij si doktrinë mbi kombin siç e quan Ernest Gellner, vetëvetiu nuk jep përgjigje mbi pyetjen nëse shteti i ri kombëtar do të jetë një monarki trashëgimtare, një demokraci liberale apo një diktaturë fashiste. Ky është problem i luftës politike gjatë dhe pas krijimit të shtetit, siç dëshmon edhe historia politike e Shqipërisë në periudhën menjëherë pas pavarësisë.

Në anën tjetër, duhet konsideruar se historikisht, modernitetin politik, shoqëror dhe kulturor në Kosovë e ndërtoi një regjim i majtë, i cili Kosovës i dha gjithashtu identitetin e saj politik si njësi territoriale e administrative. Si pasojë, ata që sot pretendojnë çfarëdo orientimi ideologjik, i imponohet një pozicionim karshi kësaj të kaluare. Dhe veçanërisht ato grupe politike që sot pretendojnë një orientim të djathtë liberal, kur fakti qëndron se liberalizmi si doktrinë dhe ideologji nuk ka asnjë histori në Kosovë.

Por në këtë mori çështjesh mbi orientimet ideologjike të lëvizjeve politike në Kosovë, janë disa probleme shumë më themelore. Po qe se i kthehemi doktrinës së dikurshme marksiste-leniniste, që e para pretendoi, përmes një lëvizjeje të dyfishtë teorike, të jetë jo vetëm një pozicionim ideologjik në vete, por edhe metodë për shpjegimin e burimeve sociale të pozicioneve ideologjike të tjera, atëherë e pranojnë konstatimin se orientimet ideologjike në politikë nuk janë çështje idealizmi e voluntarizmi, pra orientimi ideologjik nuk është i barazueshëm me petkat që ndërrohen simbas rastit, por me strukturat shoqërore që, në një mënyrë, krijojnë premisat për validitetin apo viabilitetin e një doktrine të caktuar politike. Kjo premisë, përkundër problemeve teorike që ka (të cilat nuk është vendi të elaborohen në këtë shkrim), mund të amendohet me një vështrim sociologjik mbi strukturat e socializimit politik të grupeve shoqërore, pra të raporteve të dominimit simbolik dhe epistemik që i japin jetë reprodukimit të strukturave të caktuara mendore, si kategori epistemike të formuara historikisht. Siç argumentoi, ndër të parët, Karl Mannheim, në projektin e tij për themelimin e një sociologjie të dijes, pozicioni strukturor i individit si pjesëtar i një klase të konceptuar relacionalisht, në shumë mënyra determinon pikëpamjen ideologjike që ai formon (gjithashtu në grup) mbi rendin social, ku pozicionet dominante prihen drejt konservatorizmit dhe mirëmbajtjes së raporteve ekzistuese, ndërsa pozicionet e dominuara drejt ndryshimeve radikale të rendit shoqëror. Sociologjia e dijes është mjeti themelor për kontekstualizimin e hapësirës shoqërore (në kuptimin që këtij termi i jep Pierre Bourdieu) në të cilën lindin interesat sociale dhe grupore (të cilat krijojnë kushtet e formimit të atyre që gjuha e rëndomtë gazetareske i quan “interesa personale” të X apo Y politikani), që çojnë në deduksionin e premisave operative ideologjike (dhe jo ato të pretenduara deklarativisht) mbi të cilat ngriten pozicionimet politike të grupeve politike në Kosovë. Ideologjia në këtë rast kuptohet si një pozicionim normativ dhe etik, brenda një game pozicionesh të mundshme, karshi përdorimit të mjeteve politike — shtetit, me një fjalë — për ndërtimin e rendit social, duke konsideruar gjithmonë kontekstin historik dhe konjukturat globale të momentit.

Pra, si shembull, fjala vjen, sot është punë e lehtë të jesh një liberal në një botë ku dominon neo-liberalizmi, nocioni se liria politike garantohet vetëm nga një shtet liberal, se zhvillimi ekonomik vjen përmes reduktimit drastik të intervencionizmit shtetëror në ekonomi dhe në jetën sociale, dhe se për vendet e varfëra, rruga drejt rritjes ekonomike është vetëm dhe vetëm hapja e plotë e tregjeve dhe krijimi i lehtësimeve për investimet nga kompani të jashtme. Natyrisht, siç kanë vënë në pah autorë të ndryshëm, në reprodukimin dhe legjitimimin e këtij diskursi ndërhyn edhe sistemi i lartë akademik, i cili në një mënyrë, në emër të teknokracisë dhe administrimit post-politik, funksionon gati si formë e sofistikuar e indoktrinimit ideologjik, gjer në masën sa përvetësuesit e diskursit në fjalë nuk janë në gjendje ta pranojnë se pozicionimi i tyre është një pozicionim ideologjik, dhe jo thjesht teknik apo teknokratik (siç është popullarizuar sot në Kosovë nën rubrikat teknokratike të “administrimit efektiv” dhe “qeverisjes së mirë”). Dhe nuk është i habitshëm fakti se bartësit më të shquar dhe të sinqertë të kësaj ideologjie, janë të rinjë me grada Masters-i të fituara sidomos në shtetet anglo-amerikane, ku në institucionet universitare dominon, veçanërisht në shkencat politike dhe në ekonomi, si doktrinë gati e natyralizuar, një pozicionim politik neo-liberal. Këtë mund ta them jo vetëm mbështur në studimet që janë bërë nga të tjerët, por edhe nga përvoja ime personale universitare në SHBA.

Duhet theksuar se grupi i lartpërmendur social (dhe, duhet gjithashtu theksuar, se fjala është për një grup, një bashkësi, dhe jo thjeshtë individë të veçantë), në pjesë të madhe nuk bën pjesë në organizimet partiake në Kosovë, por vepron, në forma të ndryshme, në strukturat administrative, jo-politike të pushtetit. Me këtë dua të ndërlidhem me diskutimin e pozicioneve ideologjike partiake në hyrje të këtij shkrimi, për të dhënë një vështrim ndaj pozicioneve të tjera të pretenduara ideologjike në politikën kosovare. Pjesëmarrja e kryetarit të PDK-së në takimin e Internacionalës Socialiste mund të kuptohet si një dëshirë për përvetësimin nga partia të një identiteti social-demokratik, por do të theksoja se fakti i pjesëmarrjes (edhe pse në cilësinë e një vëzhguesi) nuk tregon vetëvetiu se PDK-ja e ka qartësuar, politikisht, qëndrimin e vet si parti social-demokratike, aq më pak të ketë filluar ndërtimin e një mbështetjeje shoqërore për një projekt social-demokratik.

Fillimisht, në shtetet e zhvilluara kapitaliste, partitë social-demokratike janë zhvilluar historikisht si krah politik i lëvizjeve sindikaliste. Rritja e organizimit sindikal, që lindi si pasojë e tentimeve historike për organizim e klasës punëtore (subjektit revolucionar të identifikuar nga Marksi), bashkë me intervenimet e ideologëve si Karl Kautsky (që në fillim të shek. XX zhvilloi një sërë debatesh të furishme me Leninin për rolin dhe nevojën e revolucionit), ishte ajo që solli në jetë social-demokracinë në Perëndim, ndërsa fitorja elektorale e social-demokracisë solli zgjerimin e bazave të demokracisë dhe krijimin e shtetit social në Evropën perëndimore (po atij shteti që sot është në shënjestër të konservatorëve neo-liberalë). Si pasojë, është absurde që një parti, përmes dy-tri gjesteve politike, të profilizohet si parti e “qendrës së majtë”, pa një trajtim substancial të domethënies së social-demokracisë në rrethanat historike dhe aktuale të Kosovës, duke u nisur nga fakti i thjeshtë se sot në Kosovë klasa punëtore është neglizhente, në mos thuaja inekzistente, ndërsa partia që sot pretendon orientim të majtë deri tani jo vetëm që nuk shfaqi asnjë kundërshti, por shpesh edhe aplaudoi, një sërë politikash radikalisht të djathta të implementuara nga administrata ndërkombëtare.

E dyta, kjo domethënë se profilizimi ideologjik (dhe sqarimi i parimeve mbi të cilat ndërtohen pozicionet politike) i një partie nuk bëhet duke marrë parasysh preferencat ideologjike të liderit të partisë (shpesh të ndryshueshme simbas rrethanave dhe momentit), por të frymës dominante politike në gjithë organizatën partiake. Partitë kosovare, që në fund të fundit akoma funksionojnë si asociacione para-politike, nuk e kanë të qartë kolektivisht pozicionimin e tyre ideologjik, duke ilustruar se sa paradoksale është gjendja e partive kosovare, që veprojnë politikisht pa një vetëdije të plotë politike, pa identifikimin e subjekteve shoqërore që ata synojnë t’i përfaqësojnë politikisht dhe pa qartësuar qëllimet përfundimtare të aktivitetit politik (kjo nuk mund të jetë pavarësia e vendit, sepse pavarësia politike për një shoqëri nuk është qëllim në vetëvete, por mjet për realizimin e qëllimeve të tjera). Siç kam shkruar edhe më parë, në të shumtën e rasteve, pozicionimi ideologjik i partive kosovare duhet të konstantohet nga një analizë sociologjike e sjelljeve politike (e nganjëherë edhe me qasje psikoanalitike ndaj fantazive politike që shfaqin liderët partiakë), si dhe duke zbërthyer natyrën e “interesave reale” (në kuptimin strukturor të shprehjes) të cilëve ata u shërbejnë, më shumë se nga leximi i programeve partiake apo i trakteve ideologjike që faktikisht janë inekzistente.

E treta, që është pika me të cilën do ta përmbyll këtë ese, është fakti se në kohën kur pozicionimi neo-liberal, qoftë si një pozicionim i mirëfilltë ideologjik, qoftë si një përvetësim sipërfaqësor i ortodoksisë dominante të riprodhuar nga strukturat globale të dominimit simbolik dhe epistemik, mu në kohën e rritjes marramendëse të pabarazive sociale, në hovin e pandalshëm, që i reziston vetëm një inercion burokratik i trashëguar nga e kaluara, të shkatërrimit dhe degradimit sistematik të institucioneve publike, të një mbështetje parezervë ndaj liberalizimi total ekonomik të shndërruar në pozicion të natyrshëm dhe të pakontestueshëm (të mbështetur paradoksalisht edhe nga humbësit, siç është punëtoria e dikurshme industriale), lindë nevoja për atë që do ta quaja, për rrethanat tona, një të majtë post-majtiste. Kjo e majtë post-majtiste nuk mundet thjesht të përvetësojë etiketime politike sipërfaqësisht të majta, por duhet ta ndërtojë nga e para një pozicion të ri politik, duke identifikuar thellësisht interesat sociale që ajo mund të përfaqësojë, si dhe kahjet politike në të cilat mund ta çojë shtetin për çuarjen përpara të projektit progresiv të së majtës për demokraci me baza të gjera, lirisë politike kombinuar me drejtësinë sociale, si dhe të zhvillimit të mirëfilltë dhe të gjithanshëm shoqëror. Kuptohet, problemet për ndërtimin e një të majte të re, ku padyshim hyn edhe nevoja e ballafaqimit dhe shkëputjes reale nga trashëgimia e majtizmit totalitar (por edhe ballafaqimit të drejtpërdrejtë me tendencat kripto-fashiste që fshihen brenda shumë diskurseve kulturore), nuk janë objekt i këtij shkrimi dhe ato nuk mund të shtjellohen këtu. Por ajo që do ta theksoja është se ndërtimi i një të majte të re në Kosovë është çështje e një projekti të ri shoqëror dhe politik, si dhe domosdoshmërisht edhe një projekt intelektual, por ai definitivisht nuk mund të jetë rezultat thjesht i deklaratave dhe gjesteve politike.

Botuar te “Koha Ditore”, 13 shkurt 2006.

Sot jemi aty ku ishte synuar kolektivisht nga lidershipi aktual politik, pozitë e opozitë — në fillimin e procesit të negociatave për statusin e Kosovës. Përderisa festat e fundvitit shpërqëndrojnë pak a shumë vëmendjen e publikut kosovar dhe diplomatët largohen në pushime, periudha fillestare e takimeve me ndërmjetësit vendosi pak a shumë, në qoftë se jo çfarë konkretisht do të jetë “statusi i ardhshëm” (siç po e quan ndërmjetësi Martti Ahtisaari), atëherë të paktën konturat e procesit negociator. E nga momenti i tanishëm duket qartë një gjë, se ata që presin përsëritjen e historisë, kam përshtypjen se do të zhgënjehën. Nuk do të ketë kësaj radhe takime pompoze në kështjella franceze. Dhe, me sa duket, nuk do të ketë as një marrëveshje pako e cila do të rrumbullaksojë parametrat e statusit të ardhshëm të Kosovës. Në vend të kësaj, do të kemi takime në salla seminarike dhe diskutim të njëpasnjëshëm të të ashtuquajtura “çështje të hapura”, e ato janë decentralizimi, kthimi nga Serbia i të zhvendosurve serbë dhe kufomave shqiptare, doganat dhe pikat kufitare, pranimi i targave dhe dokumenteve të udhëtimit e të tjera të kësaj natyre.

Në realitet, ajo që sot njihet si proces i negociatave për statusin nuk është veçse një ngritje në shkallë më të lartë e procesit të “bisedimeve teknike” të filluara me Serbinë, përmes takimeve të grupeve punuese, qysh në vitin 2003. Mbase lexuesit i kujtohet se kulmi i “bisedimeve teknike”, ishte takimi në Vjenë midis përfaqësuesve të lartë politik të Prishtinës dhe Beogradit, në të cilën delegacionin kosovar e përfaqësonin kryetari Rugova dhe kryeparlamentari Daci. Edhe pse ky takim kishte karakter thjesht formal, ai shënoi hapjen përfundimtare të kanaleve të komunikimit politik midis Prishtinës dhe Beogradit, në nivel të lartë politik, por edhe i dha shtytje dhe legjitimitet të duhur bisedimeve teknike që zhvillohen në nivel ministrash dhe zyrtarësh të ulët.

Negociatat për statusin si bisedime teknike në nivel politik

Lexuesi mund të kujtojë se një nga qëllimet “bisedimeve teknike”, ishte depolitizimi i një sërë problemesh politike midis Kosovës dhe Serbisë, që kishin rezultuar nga rrethanat e reja politike të pasluftës. Këto takime, në themel ishin thjesht një shpenzim i kotë energjie sepse nuk sollën asnjë rezultat të dukshëm, por, nga pikëpamja diplomatike, qëllimi esencial i tyre nuk ishte aq shumë zgjidhja e problemeve se sa hapja e rrugës për ta bërë të mundur momentin e sotëm. Ndërsa metoda për hapjen e kanaleve të komunikimit midis Prishtinës dhe Beogradit ishte pikërisht përmes shpërqëndrimit të problemit të shtetësisë së Kosovës në çështje të veçanta, e devolucionit dhe veçimit të tyre dhe angazhimin e sa më shumë ekipeve të ekspertëve që do të trajtonin probleme të caktuara veç e veç: të zhdukurit, dokumentet e udhëtimit, shkëmbimi i energjisë, trashëgimia kulturore serbe në Kosovë etj. Por mbrapa organizimit të “bisedimeve teknike” fshihej gjithashtu një strategji politike — e shpërqëndrimit politik nga problemi i sovranitetit, që është objekti kryesor i konfiktit midis dy palëve, e shndërrimit gradual të tij nga një çështje politike në një problem që mund të trajtohet gradualisht përmes ndërhyrjeve të pjesshme administrative. Dhe ishte gjithashtu efekti tjetër: përmes zbërthimit të çështjes së shtetësisë në çështje të veçanta administrative, sot është përcaktuar pak a shumë agjenda e negociatave, që tashmë do të mbahet jo më në nivel të ekspertëve dhe nëpunësve ministror por në nivel të lartë politik. Prandaj në negociata nuk do të flitet për shtetësinë e Kosovës, por do të flitet për decentralizimin, për doganat, për kornizën juridike për mbrojtjen e minoriteteve, për njohjen e targave etj. Këtu edhe qëndron e gjithë loja — po të bëhej fjalë për pavarësi, këto gjëra nuk do të ishin çështje bisedimesh sepse pavarësia garanton që zgjidhja e këtyre çështje i takon Kosovës. Në bisedimet mes Kosovës e Serbisë, nuk bëhet fjalë, sikur për dy vëllezër që ndajnë një shtëpi, dhe pastaj ulen për t’u marrë vesh se si do të ndahet malli i mbetur, por si dy vëllezër që akoma jëtojnë në një shtëpi dhe diskutojnë se kujt do t’i takojë cila dhomë.

Ajo që dallon, sipërfaqësisht, negociatat e sotme nga bisedimet teknike të djeshme është fakti se sot, në tavolinë është hedhur as-i i krejt kësaj loje, e kjo është çështja e statusit. Por “statusi” nuk është i barasvlefshëm me “sovranitetin”. Në një përkufizim elementar, sovraniteti ka të paktën dy dimensione, atë të brendshëm dhe atë të jashtëm. E para është, siç dihet, shkalla e kufizimeve që një qeveri ka për ta ushtruar pushtetit brenda një territori, e dyta është njohja si palë e barabartë të kësaj qeverie dhe të shtetit që ajo drejton nga shtetet tjera. “Statusi”, në procesin aktual konsiderohet, në radhë të parë, si çështje e sovranitetit të brendshëm, sepse, përkundër faktit qëllimisht të injoruar nga Grupi Negociator i Kosovës, negociatat nuk po zhvillohen në baza neutrale dhe nuk fillojnë nga pika zero, por në kuadër të aranzhmaneve aktuale ndërkombëtare, me bazë Rezolutën 1244, që Kosovën e konsideron territorialisht pjesë të Serbisë. Negociatat për “statusin” nuk janë, në radhë të parë, diskutime për shkëputjen e Kosovës nga Serbia — që do të arrihej me njohjen ndërkombëtare të Kosovës si shtet i pavarur, pas së cilës do të mund të bisedohej për çështjet e mbetura — por përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve të institucionalizuara midis Prishtinës dhe Beogradit, duke trajtuar radhazi të gjitha problemet e natyrës administrative që paraqesin pengesë për një gjë të tillë. Siç paralajmeroi para disa dite Ahtisaari, në janar do të diskutohet decentralizimi, kurse më vonë mund të trajtohet çështja e pjesëmarrjes së Kosovës në institucionet financiare ndërkombëtare. Kjo është, në esencë, strategjia diplomatike e shpërqëndrimit dhe parcializimit të çështjes së statusit, ndërsa ilustron faktin se negociatat e sotme për statusin janë epilogu i bisedimeve të djeshme teknike. Kjo buron edhe nga realiteti i thjesht politik: e nxënë midis sovranitetit të jashtëm të Serbisë dhe kufizimeve të sovranitetit të brendshëm të pushtetit nga UNMIK-u, Kosova do të negociojë për shkallën e autonomisë që do ta ketë nga të dyjat.

Jo çka pas statusit, por çka pas UNMIK-ut?

Por përderisa për publikun kosovar, hapja e çështjës së statusit është e barabartë (të paktën në mendjen e disave) me nisjen e procesit për njohjen e pavarësisë së Kosovës, për diplomatët dhe teknokratët e angazhuar në këtë proces, problemi shtrohet ndryshe. Çështja themelore nuk është se çfarë do të ndodh me Kosovën, por çfarë do të ndodh me Kosovën pa UNMIK-un. Me reformimin apo zhbërjen komplete të UNMIK-ut zhduket edhe tamponi politik që, deri sot, në mënyrë nominale e ka mbajtur Kosovën pjesë të Serbisë, ndërsa ka krijuar mekanizma të bollshëm politik për të kërcënuar dhe shantazhuar liderët politik kosovarë deri në pozitën e një vasaliteti të plotë. Problemi themelor politik për diplomacinë perëndimore është, si të ruhet thelbi i këtij raporti forcash të krijuar gradualisht nga UNMIK-u gjatë këtyre gjashtë viteve, në atë mënyrë që ta bëjë të mundur që, në njërën anë, të mbahet në jetë iluzioni i kosovarëve se kanë një shtet të vetin (shumë nga liderët kosovarë, pozitë e opozitë, ushqejnë këtë iluzion duke deklaruar jo rrallë se Kosova tashmë është e pavarur), kurse në anën tjetër, Serbia t’ia ushqejë opinionit të vet publik idenë se Kosova është akoma pjesë e Serbisë, nga vetë fakti se harta ndërkombëtare akoma e tregon Kosovën si pjesë të territorit të saj.

Problemi themelor pra është, si mund të vazhdojë ky raport tashmë stabil, por pa elementin kyç UNMIK? Qëllimi i negociatave është të çojë në shthurjen sa më të mundshme të tensioneve politike midis Prishtinës dhe Beogradit, vendosjes së një raporti pune, të ridefinohen pozicionet dhe të gjehet një modus vivendi jo domosdoshmërisht i pranueshëm por funksional. Hapi i parë tashmë është arritur. Në fillim të bisedimeve teknike të para disa viteve, liderët kosovarë dhe serbë refuzonin të bisedonin drejtpërdrejtë, kurse sot, ata ngarendin me nxitim para derës së avionit në momentin që Ahtisaari i thërret në takim me palën tjetër. Pas kësaj, çmimi i braktisjes së negociatave për shkak të ndonjë pakënaqësie eventuale do të jetë i papërballueshëm politikisht, sidomos për lidershipin kosovar, për më tepër kur ky i fundit tregon një kujdes obsesiv që ndaj diplomatëve perëndimorë të mos dalë si tepër kundërshtues ose jo-kooperativ.

Në Kosovë shpresat janë ngritur nga fakti se sot, pavarësia nuk është më tabu dhe merret nëpër gojë nga diplomatët gjithnjë e më shumë. Mirëpo kjo vetëvetiu nuk domethënë se kjo zgjidhje është fare pranë, pasi që për të flitet si “një nga zgjidhjet e mundshme”, shpesh e zbutur dhe me formula nebuloze si “pavarësi e kushtëzuar”, “pavarësi pa sovranitet” etj. Lënia hapur e opsionit për pavarësi nuk domethënë se ajo është në agjendë të diplomacisë, por hedhja e saj në tavolinë krijon efekt të dyfishtë politik — në njërën anë shërben si grep për përfshirjen në proces të lidershipit kosovar (duke ia bërë të mundur atyre të pohojnë para publikut se po negociohet për pavarësi), në anën tjetër si kërcënim latent ndaj Serbisë (duke i lënë të kuptojë se, nëse Beogradi shfaq tepër ngurrim për të marrë pjesë në bisedime, Perëndimi mund të marrë hapa të njëanshëm për njohjen e pavarësisë).

Si pasojë, befasia më e madhe për lidershipin kosovar mund të jetë se, pasi të kenë shoshitur dhe eventualisht zgjidhur, me homologët beogradas, të gjitha çështjet “teknike”, siç është riorganizimi territorial dhe rregullimi institucional i Kosovës, pasi të kenë siguruar njohjen e targave dhe dokumenteve të udhëtimit nga Serbia, pasi të jenë marrë vesh mbi pozitën e veçantë juridike të kishave dhe manastireve ortodokse, pasi që Serbia t’ia ketë hedhë një pjesë të borxhit të saj ndërkombëtar Kosovës, çështja e sovranitetit të jashtëm, të njohjes së Kosovës si subjekt ndërkombëtar, mund të mos vije fare në rend të ditës. Tek e fundit, këtë nuk e ka premtuar dhe nuk e premton askush. Tek e fundit, ajo nuk është çështje që zgjidhet në bisedime, sepse dialogu nuk është ai që do ta bindë Beogradin që ta ndryshojë qëndrimin dhe ta pranojë shkëputjen përfundimtare të Kosovës. Ndërkaq, Kosova nuk ka — përkundër iluzioneve që ushqejnë disa — aleatë aq të dedikuar që do ta detyronin Serbinë të heq dorë nga Kosova, ndërsa lidershipi kosovar, me kohë i defaktorizuar nga roli i vet, nuk ka në dorë as më të voglin mjet trysnie që ta imponojë vullnetin e vet. Në këto negociata, lidershipi kosovar është sikur i mbështeturi për mur, që të vetmin atu për ta negociuar e ka jetën e tij.

Sovranitet pa pavarësi

Në vend të kësaj, kam bindjen se marrëveshjet për çështje të njëpasnjëshme do të llogariten si marrëveshje drejt “statusit të ardhshëm”, i cili do të jetë ai që rezulton në përfundim të rendit të takimeve. Kjo mund të jetë një Kosovë me pothuaj të gjitha atributet e një shteti sovran, por pa njohje ndërkombëtare. Për mendimin tim, zgjidhja drejt së cilës po shkohet është Kosova me sovranitet gati të plotë të brendshëm, por pa pavarësi të njohur ndërkombëtarisht. Me një fjalë, çmimi që do ta paguaj Kosova për sovranitetin e saj të brendshëm do të jetë (përveç decentralizimit), heqja dorë nga sovraniteti i jashtëm — që domethënë pamundësia e shndërrimit të kujfive administrativë në kufij ndërkombëtarë, si dhe mosanëtarësimi i Kosovës në OKB. Ndërkohë që Kosova territorialisht do të mbetët pjesë e Serbisë, por institucionalisht do të shtiret si shtet i mëvetshëm — natyrisht, gjer në shkallën e caktuar nga Grupi i Kontaktit. Ndërkaq, hapi i idhët që duhet të kapërdihet për arritjen e këtij “kompromisi historik”, si nga Prishtina ashtu dhe nga Beogradi, do të ëmbëlsohet me ndonjë kredi dhe me premtimin se aranzhmani i arritur vlen deri në anëtarësimin e të dy vendeve në BE, pas një periudhe rreth dhjetëvjeçare.

Mirëpo, përtej realiteteve të ftohta politike, është edhe një element tjetër, brendakosovar, që e bën të konceptueshme këtë zgjidhje. E ai është kapaciteti i pashoq i publikut kosovar për t’u kënaqur me mitologji politike. Kurse çelësi i çdo zgjidhje është, jo Grupi Negociator, që është lehtë të qortueshëm nga Washingtoni dhe Brukseli dhe me pak trysni e vë nënshkrimin në çfarëdo dokumenti, por shkalla e pranimit që ai do të gjejë në Kosovë. Ndërkaq, kam bindjen se shumica e kosovarëve nuk do ta kundërshtonin riintegrimin e tyre në Serbi, me të vetmin kusht që Serbia të mos shfaqet në jetën e përditshme të tyre. Çfarëdo marrëveshje që Kosovën formalisht e mban pjesë të Serbisë, por që nuk detyron kosovarët ta mbajnë flamurin e Serbisë, nuk i detyron të shohin uniforma serbe nëpër rrugë, nuk kërkon që dokumentet e tyre të mbajnë vula të Serbisë dhe nuk kërkon nga ata që ta përdorin monedhën serbe — është një zgjidhje që shumica e kosovarëve, edhe pse nuk do ta presë me entuziazëm, as nuk do ta kundërshtojë, aq më pak deri në pikën e revoltës.

Tek e fundit, kjo ka funksionuar për gjashtë vite me UNMIK-un dhe s’ka asnjë arsye të ndryshojë shpejt. Diplomacia tashmë e ka mësuar këtë leksion dhe do të prihet nga ky parim që kosovarët kanë treguar për thellësinë e vetëdijës së tyre politike. Kosovarëve u pengon prania e hapur, e dukshme, sipërfaqësore e Serbisë. Kjo i tërbon në masën që janë të gatshëm që kundër kësaj, atëherë kur rrethanat janë të volitshme, të bëjnë gjëra të pahijshme, sikur të zbatojnë dhunë. Por atyre mund të mos ju pengojë edhe aq prezenca institucionale, zyrtare e Serbisë, përderisa ajo mbetët e groposur dikund thellë në kuadër të ndonjë dokumenti kushtetues apo traktati diplomatik. Edhe ndonjë zyrë administrative e Serbisë, aty-këtu në ndonjë enklavë, nuk prish punë, siç nuk prish punë as sot. Sepse aq i nevojitet kosovarëve që ta mbajnë në jetë iluzionin se “ne kemi pavarësi”, “ne kemi liri” dhe “ne kemi shtet” (ashtu siç i paskemi sot), krejt kjo përmes manipulimit të aspekteve simbolike, sipërfaqësore të shtetësisë.

Kam shkruar më parë se si për lëvizjen politike kosovare për pavarësi, shteti është reduktuar në një garniturë simbolesh, ritualesh e cermonish. Ai shpallet akoma pa qenë, sepse besohet se shpallja mjafton për ta krijuar. Filozofi Martin Heiddeger ka shkruar se njeriu duhet ta njoh atë që e kërkon, në mënyrë që ta di se e ka. Nuk di sa mund të thuhet se kosovarët, kolektivisht, e kanë të qartë se çka është ajo që e kërkojnë. Për kosovarët, shteti është shenjëzues bosh, pa një substancë definitive, rrjedhimisht edhe pa ndonjë referencë konkrete. Prandaj, tashmë edhe tradicionalisht, emërtimin shtet dhe pavarësi, janë të gatshëm t’ia mveshin çfarëdo situate. Megjithë rrezikun për banalizimin e gjërave, besoj se pohimi vijues përmban një të vërtëtë: për shpirtërisht të dërrmuarin popull të Kosovës, shpresa për shtetin gjithmonë ka qenë, në thelb, liria për ta pasë një ceremoni me flamur, të udhëhequr nga disa burra me tituj shtetëror. Gjithçka tjetër është e negociueshme.

Botuar te “Koha Ditore”, 31 dhjetor 2005.

Rendi aktual shoqëror në Kosovë mbetet i nyjëzuar nga pushteti i aparateve partiake. Aparatet partiake janë strukturat kryesore që monopolizojnë pushtetin politik dhe luftojnë për kontroll ekonomik, dhe si pasojë pengojnë demokratizimin e vërtetë të pushtetit në Kosovë.

Demokracia bazohet mbi qytetarin, mbi të drejtat e tij dhe mbi detyrimet që pushteti ka ndaj atij. Këto detyrime i cakton ligji, që në ideal duhet të përfaqësojë një moral të kodifikuar shoqëror, megjithëse në realitet reflekton luftën midis grupeve politike, të shprehura përmes organizimit partiak. Përmes përfaqësimit, i realizuar përmes mekanizmit zgjedhor, qytetari gjen vetën në një pozitë ku ai është i pretenduar nga forcat politike që marrin pjesë në garën elektorale. Çdo parti pretendon përfaqësimin e qytetarit, ndërsa me një hap të tillë një organizatë partiake legjitimon atë përfaqësim që ajo mëton ta bëjë. Lufta politike transformon, përmes përfaqësimit, interesin e qytetarit, nga një tog interesesh konkrete dhe pragmatike, në një interes abstrakt kolektiv, i cili humb kuptimin origjinal dhe merr trajtën e një ideologjie. Ideologjia është rrafshi simbolik i cili ndërmjetëson midis qytetarit dhe luftës politike që zhvillohet brenda një arene abstrakte por të kufizuar hapësinore (që është shteti), po atë abstraksion me të cilin qytetari mbetët juridikisht dhe sentimentalisht i lidhur përmes përkatësisë qytetare (shtetësisë). Lufta politike gjen përfundimin e përkohshëm në marrjen e përkohëshme të rolit të sovranit nga partia fitimtare, e cila zbaton programin e saj politik karshi një rezistence të pritur nga grupet tjera të shoqërisë.

Kjo më sipër është një model-ideal i funksionit të demokracisë, që na lejon matjen e distancës që ka realiteti aktual politik në Kosovë me demokracinë.

Fillimisht, pushteti politik në Kosovë nuk është i bazuar mbi qytetarin, i cili nuk figuron fare as si kategori juridike. Rendi juridik në Kosovë, i vendosur mbi bazën e Rezolutës 1244 dhe realizuar përmes mekanizmit UNMIK, është juridikisht i vendosur mbi bazën e pezullimit të shtetësisë, që domethënë në të njëjtën kohë pezullim i qytetarit. Shteti i administruar nga një mekanizëm ndërkombëtar kështu efektivisht shërben për de-politizimin e qytetarit. Qytetari, tashmë i transformuar në kategorinë juridike “banor” (resident), nuk gëzon jetë politike sepse ai gjendet përballë një aparati administrativ që, duke suprimuar shtetin, pretendon rol mbi-politik. Kjo formë pushteti nuk është risi në Kosovë por ka histori të gjatë, duke filluar nga administratat koloniale të cilat gjithashtu pretendonin rol administrativ, mbi-politik, karshi subjekteve që sipas doktrinës koloniale ishin të paaftë për sundimin e vetëvetës dhe, në qoftë se nuk ishin të shpallur biologjikisht të pandreqshëm, kishin nevojë për ndërhyrjen e aparatit kolonial për riedukimin e tyre moral e kulturor. Karshi një aparati të tillë, qytetari është politikisht i vrarë, ashtu si një refugjat është person pa përkatësi qytetare dhe si pasojë pa të drejta qytetare — me një fjalë asnjë bashkësi politike nuk ka detyrim ndaj tij.

Si pasojë e pezullimit të qytetarit, pezullimit të shtetit dhe, si rrjedhojë, pezullimit të politikës, aparati mbi-politik zhvendos fushën e konfliktit politik në sferën e arenës së brendshme qytetare (ajo që Hegeli e quan shoqëri civile/qytetare). I pakontestueshëm nga ana e tij, aparati mbi-politik pretendon se bën zbatimin e drejtësisë në bazë të arsyes mbi-politike, kurse konflikti, tashmë i zhveshur nga kuptimi i tij si konflikt politik, shndërrohet në veçori të shoqërisë qytetare. Atëherë edhe politika zhvishet nga kuptimi i saj si politikë (d.m.th. luftë për pushtet, nëse nisemi nga përkufizimi bazik i Carl Schmidt-it), dhe shndërrohet thjesht në konflikt midis individëve e grupimeve brenda shoqërisë qytetare. Konflikti kështu merr trajtën e konfliktit (ndër-)qytetar. Ky konflikt bazohet mbi principet e dallimit dhe veçimit që gjehen në shoqërinë qytetare (qofshin ato etnike, grupore, familjare etj.), por assesi mbi kategori politike, që siç u tha më lartë janë interesa të shprehura në një rrafsh ideologjik. Në një gjendje të tillë, politika gjen realizimin e saj në mohimin e ekzistencës së vet. Aparati mbi-politik arrin ta përkufizojë shoqërinë qytetare si fushë konflikti, anarkie dhe çrregullimi dhe si të tillë siguron njohjen e vetës si bazë e arsyes. Arsyeja karshi anarkisë ia siguron aparatit mbi-politik pretendimin për një rol mbi-politik karshi konfiktit qytetar, kurse maskimi i esencës politike të këtij raporti karshi subjektit të sunduar është suksesi i hegjemonisë së aparatit mbi-politik.

Në një situatë koloniale (kuptuar në sens analitik, jo historik) maskimi që realizon pushteti e çon qytetarin e shndërruar në subjekt në interiorizimin e inferioritetit të vet karshi aparatit mbi-politik. Qytetari pranon deklasimin e tij në një nën-kategori, pranon arsyetimin për paaftësinë e tij për ta qeverisur vetëvetën dhe nevojën e përhershme për një aparat mbi-politik që do ta qetësojë dhe pacifikojë konfliktin shoqëror. Indikacion i këtij interiorizimi të inferioritetit karshi aparatit mbi-politik është fakti se shumë kosovarë jo që nuk duan largimin e UNMIK-ut, por kanë frikë nga ikja e tij eventuale (apo, sikur klasa aktuale politike, së pari i thonë ik, pastaj thonë, jo, rri — por vetëm si vëzhgues). Hegjemonia e UNMIK-ut krijon iluzionin e një ndarjeje, apo thënë më mirë, një shkarje të thellë (një iluzion që e pranojnë edhe administratorët e saj) midis pushtetit dhe shoqërisë. Pushteti, i paprekshëm dhe i pakontestueshëm nga qytetari, figuron si një kupolë që nga lart ngërthen godinën shoqërore, por që mbetët e veçuar nga ajo në mënyrë permanente. Nga ky pozicion i veçimit, pushteti pretendon rolin e një vëzhguesi, një referi dhe një gjykatësi të paanshëm karshi konflikteve të shoqërisë. Me pretendimin (qoftë edhe implicit në diskursin e tij) se shikon nga lart dhe sheh gjithçka, pushteti paraqitet si arbitër i fundit i konflikteve të pazgjidhshme që terren të vetëm të tyre kanë shoqërinë qytetare. Shteti nuk ka më formën e një arene brenda së cilës zhvillohet lufta politike por formën e një llogori në të cilin pushteti luan rolin e gardianit kurse qytetarët atë të të robëruarve që kanë nevojë për orientim, mbikëqyrje dhe kontroll.

Nga ana e saj, shoqëria qytetare merr trajten e një drame të përhershme Hobbesiane që ka nevojë të përhershme për Leviathan-in e aparatit mbi-politik, një aparat që mbetët gjithnjë në rolin e tjetrit të pashmangshëm (racional) të shoqërisë (irracionale) qytetare. Problemet politike reflektohen në diskursin dominant si probleme të shoqërisë, të defiçiencave të veta, të mungesës së kapaciteteve, të dështimit moral etj., që shkak ka gjithmonë strukturat e veta të organizimit (familjës, fisit, moralit shoqëror etj.) të cilat trajtohen si burim i të gjitha të këqijave (korrupsionit, vjedhjes, varfërisë, dhunës etj.). Shoqëria qytetare, e përkufizuar nga pushteti si e mangët dhe e paaftë, mban soditjen e vet kah vetja, kah thirrjet për reformimin e vetës, për “normalizimin” e vetës, gjë që asnjëherë nuk arrin ta realizojë me mjetet që posedon. Si rezultat i kësaj paaftësie, ajo bie viktimë e një margjinalizimi të dyfishtë — pasi nuk mund ta ndryshojë vetën (d.m.th. pranon përkufizimin e vetës se është e deformuar dhe e mangët), atëherë kërkon “përmirësimin e imazhit” të vet, me fjalë të tjera, të mbulimit të defiçiencave të veta në formën, “të këqij jemi por të paktën le të mos mirret vesh!” Në fund, shoqëria qytetare nuk arrinë ta zhvendos luftën politike në fushën e vërtetë të saj. Ajo këtë nuk e arrinë përderisa ushqen iluzionin se aparati mbi-politik është vërtetë mbi politikën dhe mbi shoqërinë, kurse pranon vendin dhe përkufizimin që asaj ia ka caktuar pushteti.

Çfarë lidhje ka kjo me aparatet partiake? Sikur çdo pushtet kolonial, ai nuk realizohet vetëm, nuk realizohet pa pjesëmarrjen aktive të të sunduarve në ngjalljen e strukturës së saj. Është empirikisht dhe historikisht e qartë se këtë rol në Kosovë e luajnë organizatat që mbajnë emrin parti politike.

Në kontekstin kosovar partitë janë më pak se parti dhe më shumë se parti. Janë më pak se parti sepse kontesti i tyre politik mbetët i parealizuar në plotësi, meqë partive i mohohet marrja përsipër (në trajtë të përkohshme) të rolit të sovranit, të pushtetit. Të privuar nga kjo pozitë, partitë humbin trajtën e forcave politike, që kanë si bazë logjikën e përfaqësimit. Partitë nuk përfaqësojnë askë pos vetëveten e tyre (apo, thënë më saktë, kreun politik të tyre). Partitë kështu institucionalizojnë elitizmin i cili si përfundim ka dëbimin e qytetarit nga pjesëmarrja politike, sepse funksioni i përfaqësimit mbetët i pa realizuar. Qytetari kështu është i dëbuar dy herë, juridikisht nga aparati mbi-politik dhe praktikisht nga partitë. Partitë kështu privatizohen, personalizohen, patronalizohen dhe marrin formën e korporatave (në kuptimin e shoqërive aksionare, ku në vend të aksioneve të kapitalit monetar pretendohet dhe shkëmbehet kapitali shoqëror: i lidhjeve, njoftësive, rrjeteve shoqërore, “klaneve” etj.). Konflikti përbrenda partisë zhvillohet në formën e luftës së grupeve, por të gjitha me synim të njohjes së statusit të klientit (atij që përfiton nga padroni) nga kreu i partisë.

Njëkohësisht, partitë kosovare janë më shumë se parti sepse ato kryejnë funksione që dalin jashtë fushës së përfaqësimit politik. Ato vetë funksionojnë si aparate. Pos kreut politik aparatet partiake ngërthejnë në vete, apo mbesin funksionalisht të lidhura me aparate ekonomike, ku realizohen interesat ekonomike të individëve e grupeve të caktuara brenda dhe afër partisë, dhe me aparate të sigurisë, ku partia si organizim shkel monopolin që duhet ta ketë shteti mbi mjetet e dhunës, duke përvetësuar një pjesë të mjeteve të dhunës brenda suazave të veta. Kjo formë veprimi i imponohet partisë nga fakti se ajo ekzistencën e vet e realizon jo përmes shtetit që garanton integritetin e fushës politike, por në po atë sferë të shoqërisë qytetare ku e ka hedhur pushteti. Në sferën e shoqërisë qytetare, partitë nuk realizojnë vetën si përfaqësuese të qytetarit por si grupe të organizuara që eksploatojnë qytetarin si koncept, ndërsa brutalizojnë ekzistencën e tij reale.

Përmes elitizmit të institucionalizuar, aparati mbi-politik garanton ruajtjen e hegjemonisë së saj, sepse hegjemoninë e saj e realizon pjesërisht përmes elitave që i zbutë dhe përvetëson. Duke siguruar dëgjueshmërinë e elitës, që fillimisht e realizon me kërcënime, por pas kësaj faze fillestare, duke e shndërruar nënshtrimin në vlerë institucionale (me në fjalë, duke e institucionalizuar nënshtrimin), pushteti mbi-politik siguron nënshtrimin e gjithë qytetarisë karshi aparatit të vet. Dëgjueshmërinë qytetare ajo e realizon kur është nevoja vetë (përmes aparatit policor etj.), por në të shumtën e rasteve duke shfrytëzuar aparatet partiake për të riorientuar tensionet politike kah shoqëria qytetare. Ajo ia delegon partive funksionin e administrimit (që e quan “qeverisje”) dhe kështu krijon përfytyrimin e demokracisë, duke e reduktuar demokracinë në një rend burokratik, ndërsa duke e shndërruar shoqërinë qytetare në një rend të administruar nga i cili duket se është eliminuar konflikti politik. Konflikti politik, kur arrin të realizohet në formën e vet të plotë, paraqitet për pushtetin si kërcënim, dhe rrjedhimisht si radikalizëm, si tendencë revolucionare.

Tekst i pabotuar, prill 2005.

Është interesant të vihet re se sa herë që denoncojmë “okupatorin serbomadh”, gjejmë vetën të mbështjellur me gjuhën e leninizmit. Pakkush është i vetëdijshëm për këtë në epokën tonë post-socialiste, apo kur vizionet tona politike i ka pushtuar mitomania liberale e populliste, megjithëse denoncimet e shovenizmit “serbomadh” u dëgjuan edhe këto ditë pas ekskurzionit senzacional të presidentit serb nëpër Kosovë.

Termi “serbomadh” është konstrukt që huazon termin “rusomadh”, atë formë nacionalizmi që Lenini denoncoi ashpër në traktin e tij të famshëm “E Drejta e Kombeve për Vetëvendosje”. Dhe meqë ky dokument shërbeu si bazë e lëvizjës komuniste jugosllave për hartimin e politikës së vet nacionale gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj, çështja jonë kombëtare vazhdon të mbetët e mbërthyer në petkun leninist me të gjitha lakimet, kufizimet dhe potencialet ideologjike që ai i kushtëzon.

Thirrja e Leninit për vetëvendosje kombëtare ishte baza e thirrjes së Titos dhe lëvizjës së tij komuniste, qysh në vitet 1930, për lirinë e shqiptarëve të Kosovës, megjithëse në epokën pas 1945-ës kur komunistet jugosllav moren pushtetin, punët vajtën pak më ndryshe.

Por në atë kohë, Komiteti i Kosovës, i udhëhequr nga patriotët e shquar si Bajram Curri dhe Hasan Prishtina, thirret në gjuhën anti-imperialiste të lëvizjeve progresive të asaj kohe për ta jetësuar parimin e vetëvendosjes për Kosovën. Vetë Bajram Curri thuhet të ketë shprehë admirim të veçantë për Leninin. Ndërkaq, agjitacionin pro-vetëvendosje, lëvizja komuniste jugosllave e vazhdoi përgjatë Luftës së Dytë Botërore. Ishte kjo bazë mbi të cilën Këshilli Nacionalçlirimtar i Kosovës, në vitin 1943 në fshatin Bujan, hartoi dokumentin që shpallte kërkesën e popullit të Kosovës për t’u bashkuar me Shqipërinë. Vetëvendosja leniniste gjeti shprehjen maksimale në këtë dokument. Përgjatë viteve 1990 lëvizja shqiptare për pavarësi u thirr vazhdimisht në dokumentin e Bujanit, në denoncimin e “shovenizmit serbomadh” dhe në insistimin që populli shqiptar në Kosovë gëzon të drejtën për vetëvendosje. Në gjithë këtë rrugëtim historik, hija e Leninit rëndon mirëpo vetë Lenini nuk hetohet. Kurse Lenini është edhe sot me ne.

Siç do të argumentoj në vijim, nuk është problemi në atë që gjuha jonë çlirimtare mbetët e lidhur ngusht me mendimin revolucionar leninist. E këqja është që shpesh nuk jemi të vetëdijshëm për origjinën e doktrinave politike me të cilat shërbehemi, dhe si pasojë edhe të drejtimeve radikale në të cilat mund të orientohet kërkesa jonë aktuale për pavarësi dhe përgjithësisht lëvizja kombëtare në Kosovë — sado që në momentin aktual jemi në një stad tjetër, kur lëvizja e dikurshme është e shpartalluar dhe në vend të saj kemi një luftë pozitash midis grupacioneve në sistemin e ri politik. Me fjalë të tjera, nëse i kthehemi doktrinës origjinale, mund të mësojmë diçka për atë se çfarë përmban në thellësi artikulimi ynë për pavarësi. Sepse kërkesa për pavarësi nuk është kërkesë vetëm për “njohje formale” të shtetit, siç pretendon presidenti kosovar, që nënkupton se liria është këtu, veçse duhet ta fitojë njohjen juridike, që është absurd në vetëvete. Kërkesa për pavarësi është kërkesë për emancipim total kombëtar e shoqëror, e kjo nuk arrihet përmes deklaratave politike dhe akteve zyrtare. Prandaj, ta zgjojmë nga gjumi Leninin e fjetur në mes të doktrinave tona politike, të mësojmë nga ai, pa nevojë që të shndërrohemi në leninistë doktrinarë të stilit enverian.

Çka mund të mësojmë nga Lenini?

Dy gjëra dalin në sipërfaqe pas një gjurmimi arkeologjik të lidhjes së ngushtë midis Leninit dhe kërkesës sonë për pavarësi.

E para, pavarësia e Kosovës domethënë liri për Serbinë. Kur Lenini denoncoi nacionalizmin rusomadh, ai këtë e bëri duke u mbështetur në premisën se një popull që shtyp një tjetër as vetë nuk është i lirë. Për ne, është e qartë se edhe pse Serbia nuk e ka nën pushtet të vetin Kosovën, Kosova akoma ushtron pushtet mbi imagjinatën politike serbe. Kur një president serb vjen në Kosovë dhe u thotë serbëve të Kosovës “kjo është Serbi”, shpërndan flamuj trengjyresh dhe u thotë serbëve se qëndrimi i tyre në Kosovë është në funksion të ekzistencës historike të kombit serb, kjo dëshmon se si Serbia mbetët rob i Kosovës. Prandaj parimi i vetëvendosjes nuk është parim i thjeshtë nacionalist dhe shovenist — thirrja për pavarësinë e Kosovës është edhe thirrje për çlirimin e Serbisë. Veprimtaria jonë politike është e dyfishtë — për emancipimin tonë dhe përmes arritjes së synimit tonë, për emancipimin e armikut. Thirrja për pavarësinë e Kosovës nuk është antitezë e nacionalizmit serb dhe as e identitetit kombëtar serb, por është antitezë e shovenizmit dhe simptomatikës imperialiste që përmban ai nacionalizëm.

E dyta, Lenini mund të na mesojë mbi karakterin aktual të lëvizjes kombëtare në Kosovë. Në traktin për vetëvendosjen, Lenini trajton problemin e mbështetjes për kërkesat për secesion për lëvizjen revolucionare pan-evropiane proletare në të cilën ai ishte protagonist. Ai jep argumentin se edhe për proletariatin e nënshtruar, është e domosdoshme të mbështetet nacionalizmi në formën e vet borgjeze, edhe pse ai nacionalizëm do të ketë si rezultat krijimin e një shteti kapitalist me një borgjezi të vetën. Dhe ky është pikërisht problemi me të cilin ballafaqohemi ne sot. Se në të vërtetë, shteti që po krijohet në Kosovë ka në kuadër të tij një shoqëri ku gjithnjë e më shumë vijnë në shprehje dallimet klasore, ku pretendimet patriotike po zhbëhen e zhvishen e po dallohen gjithnjë e më shumë nga pretendimet materiale, nga pretendimet për autoritet, për kapital dhe të një pushteti ku parim themeltar janë një kombinim privilegjesh familjare e klasore.

Për ata që nuk duan të marrin pjesë në këtë valle degjenerimi shoqëror, të shkeljes dhe përdhojsës së qytetarit, të zëvendësimit të formave të vjetra të shtypjes me forma të reja, por që në të njëjtën kohë nuk duan të heqin dorë nga thelbi emancipator i kërkesës për liri dhe pavarësi, përgjigja është gjithashtu për t’u kërkuar në origjinat leniniste: është për t’u përkrahur në mënyrë të parezervë kërkesa për pavarësi, kushdo qoftë artikuluesi i kësaj ideje në këtë moment. Por në të njëjtën kohë kërkohet veprimtaria e përhershme e demaskimit ideologjik — të asaj se si popullizmi kombëtar është vënë në funksion të një revolucioni të heshtur klasor, të vendosjes së formave të reja të autoritarizmit, të korrupsionit sistematik, të zhbërjes së funksioneve të mirëfillta sociale e publike të shtetit, dhe përgjithësisht të luftës klasore — jo të luftës klasore si të tillë por të luftës së vazhdueshme që bëjnë grupet e etabluara politike në Kosovë për t’u shndërruar në klasë. Ky është, me fjalë të tjera, realiteti i luftës sonë kombëtare në kushtet e sotme të Kosovës së shndërruar në zonë periferike të kapitalizmit global.

Tekst i pabotuar, prill 2005.

Kushdo që është i interesuar ta kuptojë politikën e Ibrahim Rugovës, nuk duhet ta lexojë programin e LDK-së, por ‘Interpretimin e ëndrrave’ të Frojdit. Skena politike kosovare është përplot personazhe neurotike, njerëz që ballafaqohen me komplekset e tyre të inferioritetit, me sindromet e persekutimit, viktimizimit, të heroit të cilit nuk i njihet sakrifica, e të çrregullimeve të tjera neurotike që i shfaqin para soditjes së publikut. Për të mos përmendur narcisoidët e shumtë, ata që vetën shpallin të pagabueshëm, të përjetshëm, etj., që përbëjnë një kategori të veçantë në topografinë shoqërore të jetës politike në Kosovë.

Por askush nga këta nuk ka pasë shansën të ndajë jetën e vet psikike me publikun kosovar, aq thellë dhe aq gjatë sa Ibrahim Rugova. Për çdo paraqitje të Rugovës në publikun kosovar, ne hetojmë simptomatikën e neurozave të njeriut që kombinon narcisiodin me pafajshmërinë infantile, sindromin e persekutimit me atë të heroit të pakënduar, e të boemit që me pamjen dhe manerizmat e tij të tepruara mshef inferioritetin dhe ndjenjat e pasigurisë që shpesh krijojnë njerëz të kategorisë së tij sociale, që nga një origjinë obskure fshatare shndërrohen në figura kosmopolitane. Por pavarësisht nga këto, sepse Rugova nuk është i përveçëm me neurozat që ka (të gjithë jemi ngapak neurotik, do të thoshte Lacan-i), ajo që është interesante te Rugova është imagjinarja e tij, ndaj të cilës populli i Kosovës i nënshtrohet tash e pesëmbëdhjetë vjet, si dhe obsesioni i tij i pashuar për simbole, rituale dhe ceremoni.

Imagjinarja rugoviane përbëhet në thelb nga imazhi që ka ai për vetën si shpëtimtar i popullit të lashtë dardan nga varri i historisë evropiane, e që, përmes thirrjeve të vazhdueshme te Papa, do ta lidhë atë sërish me botën e madhërishme krishtere. Mania e tij e dhurimit të gurëve nga “nëntoka e pasur e Kosovës”, në stilin e një guvernatori kolonial që me një gjest të tillë i fton të tjerët ta eksploatojnë popullin që e sundon, është tashmë botërisht e njohur dhe, për të mos thënë, e përqëshur nga shumë diplomatë që vijnë në Kosovë. Qendisja e flamujve dhe vulave presidenciale, që ai ia imponon popullit të Kosovës si simbole zyrtare pa kurrfarë debati publik, është tregues i fuqishëm i autokracisë simbolike që ai ka vendosur mbi identitetin politik të Kosovës. Sikur një diktatoruc i subsaharasë afrikane, i cili në vend të uniformës dhe syzave të zeza ka xhemperin e kuq dhe shallin, Rugova është konstantërisht i preokupuar me petkun e jashtëm të presidencës së tij (që përbëka “kulmin e shtetit” sipas idhtarëve të Rugovës), me simbolet, ceremonitë dhe ritualët kultike, në një formë të shkëputjes ekstreme nga realiteti politik e shoqëror. Në një intervistë të paradokohshme ai madje shkoi aq larg sa që të sugjerojë se shifrat e papunësisë në Kosovë janë të bazuara “në llogaritje të vjetra”, sepse ekonomistët nuk e dikan se Kosova paska një ekonomi në zhvillim të hovshëm. Kjo është distanca të cilin Rugova është i gatshëm ta kalojë për të ikur nga realitetet shoqërore dhe për t’u mbyllur në botën e tij imagjinare të asaj që një analist një herë quajti “mbretëri dardane”.

Pas përpilimit të gradave e dekoratave të shumta që ai do t’ia ndajë kujtdo që mendon se e meriton, në aktin e tij më të fundit, Rugova shpalli një “ditë presidenti”, një festë shtetërore që do ta festojë kë tjetër pos — vetëvetën e tij. Përmbysja e këtillë e kuptimit historik të 24 majit, ditës kur populli i Kosovës doli për herë të parë në votime, dëshmon raportin që Rugova konsideron të ketë me popullin, me masën. Është ai, pastaj është populli në lidhje të drejtpërdrejtë me te, kurse të tjerët janë thjesht garnitura, teatër diplomatik dhe parlamentar, diçka sa për sy e faqe, sa për të thënë se këtu funksionon demokracia. “Formalitete” në terminologjinë rugoviane.

Por obsesioni simbolik i Rugovës është akoma më i madh. Rugova është treguar mjeshtër i rrallë për atë që historiani Eric Hobsbawm quan “shpikje e traditës” — siç është p.sh. darka e lamës, e konceptuar nga Rugova si një festë e barazvlefshme me Ditën e Falemnderimeve në Amerikë. Mania e Rugovës për të huazuar nga simbolika amerikane shihet edhe në tentativën e tij të vazhdueshme për të ndërtuar një “shtëpi të bardhë” të presidentit — por duket se për momentin ai është i kënaqur me renovimin e sallës së tij presidenciale, e pallatin e bardhë do ta ndërtojë sigurisht pas “njohjes formale” të pavarësisë, kohë sigurisht kur ai pret nga “populli” të shpërblehet me presidencë të përjetshme.

Ndoshta nuk është koinçidencë që mësuesi i Rugovës në Francë ishte linguisti Roland Barthes, i cili ishte ndër themeluesit e semiotikës, apo shkencës së studimit të shenjave. Por nuk besoj se Barthes — që politikisht njihej si marksist me prirje maoiste dhe që ka shkruar një libër të tërë për funksionin politik të miteve — e kishte menduar ndonjëherë se një nga ndjekësit e tij do ta përmbyste shkencën semiotike për ta shndërruar në praktikë politike, për ta nënshtruar një popull të tërë ndaj sundimit të imagjinatës personale të një njeriu. Por ky është transformimi personal që mbi pesëmbëdhjetë vjet lidershipi politik nxiten te Rugova. Nga një intelektual guximtar ai u shndërrua në një autokrat që konsideratë të fundit ka rregullin dhe ligjin, të cilat i bën dhe interpreton sipas nevojave të veta, sepse ligji i vetëm për të është vullneti i personal i këtij politikani-artist, që e ndjen nevojën e pashtershme për krijimtari objektesh të kultit politik. Edhe mania e tij, e shfaqur gjatë dy zgjedhjeve në Kosovë, për t’u bërë dhe mbetur president me çdo kusht, madje edhe në dëm të interesave të partisë së tij, është shenjë e degjenerimit personal që pushteti i ka bërë këtij njeriu, por edhe obsesionit të tij — vetëm si president ai është i autorizuar ta nënshtrojë popullin ndaj autokracisë simbolike, të pushtetit të plotë mbi simbolet kolektive, që ai ngreh. Disa përqeshnin Rugovën se insistonte të bëhej president, që sipas Kornizës Kushtetuese është post ceremonial. Pikërisht! Pikërisht kjo është ajo që kërkon Rugova, prandaj insistimi i tij për të qenë dhe mbetur president nuk është aspak i habitshëm, përderisa presidenca dhe asnjë post tjetër ia garanton autokracinë simbolike dhe kënaqjen e përhershme të epshit të tij neurotik të krijimtarisë simbolike.

Megjithatë, fakti që ky njeri vazhdon të gëzojë popullaritet, nëse jo në shumicën absolute, atëherë te një numër të madh kosovarësh, tregon se kur flasim për Rugovën kemi të bëjmë me një dukuri më të gjerë se sa vetëm personale. Sepse njeriu që e nënshtron një publik të tërë ndaj neurozave të veta nuk ka ku të gjejë pëlqim dhe mbështetje pos ndër ata që tek Rugova gjejnë atë që Frojdi quan ego-ideal — egon që shërben si shembull që duhet të ndiqet e të imitohet. Mirëpo nuk është kjo aq shumë shprehje e dëshirës për imitim se sa simptomatikë e luftës për identitet, e theksuar edhe më shumë në këtë periudhë krizash dhe pasigurie fizike, sociale, ekonomike, institucionale e ideologjike. Duket se një pjesë e publikut kosovar ndjen nevojën për ritualistikë, ceremoni dhe simbolizëm, se kjo sjell garancë në qenien e vet e në identitetin e vet në këtë periudhë të posaçme që e definon ajo që kaloi (lufta) e ajo që duhet të vijë (pavarësia) por që emër të vetin nuk ka. Por në të njëjtën kohë projekti simbolik rugovian është simptomatikë e rrymës anti-demokratike që ka pushtuar kulturën tonë politike, e kjo rrymë nuk kufizohet vetëm me Rugovën dhe partinë e tij. Sepse fakti që Rugova është efektiv në projektin e vet politik, tregon se një pjesë e publikut tonë nuk kërkon një shtet si një bashkësi njerëzish të barabartë, por një shtet që nënkupton hierarkinë strikte, të mbështetur në pushtet absolut, në konformizëm dhe në autoritet të pakontestuar personal. Kjo është evidente nga vetë forma e krijimtarisë simbolike të Rugovës, që mund të përmblidhen me një shprehje të vetme: fetishizim i shtetit.

Fetishizimi i shtetit është kuptimi i shtetit i spastruar nga përmbajtja e vet si një bashkësi politike, e zëvendësuar me fetishet mbi autoritetin, mbi hierarkinë dhe, përfundimisht, por në mënyrë të pashprehur, mbi dhunën. Fetishizimi i shtetit e shndërron shtetin në një projekt estetik, në një punë simbolesh, teatri, ceremonie dhe rituali kolektiv. Shteti dhe shoqëria bëhën një dhe e vetme, kurse lideri-artist, Ai që do ta çojë shtetin drejt perfeksionit estetik. Ky perfeksion estetik kulmon me hierarkinë e pacënueshme, me rendin dhe disiplinën, me përuljen ndaj autoritetit dhe me nënshtrimin e publikut ndaj vullnetit të padebatueshëm të liderit-artist. Kjo është formë pushteti, që parësore ka vlerën estetike (shtetin, kombin dhe hierarkinë) e jo atë shoqërore (barazinë dhe solidaritetin).

Estetizimi i shtetit bën që shteti të zhvishet nga funksioni i tij publik dhe e legjitimojnë privatizimin dhe monopolizimin e tij, ashtu siç ka ndodh gjatë këtyre viteve të fundit. Estetizimi i shtetit gjithashtu funksionon si maskë, e tillë që furnizon një justifikim të përhershëm për dëbimin e qytetarit nga shteti, për shpërdorimin e shtetit qoftë për përfitime personale, qoftë për realizimin e fantazive për autoritet dhe dominim nga të cilat lëngojnë shumë burra në Kosovë. Estetizimi i shtetit, që është projekt kolektiv dhe jo vetëm personal i Rugovës (të tillë që e imitojnë edhe rivalët e tij), ia ka marrë frymën projektit për një demokraci autentike, për një shoqëri të lirë e të barabartë dhe për një shtet të drejtë. Estetizimi i shtetit, pos grabitçarëve dhe kompradorëve të brendshëm, gjithashtu ia ka hapë rrugën kapitalit global që të përfitojë nga ky vend i varfër, pa e hetuar askush — ashtu siç bëjnë bankat e huaja dhe fondi i pensioneve kosovare, përmes të cilave në mënyrë të sofistikuar dhe të pahetueshme, kompani të huaja financiare nxjerrin përfitime të majme nga djersa dhe nga kursimet e punëtorëve kosovarë. Obsesioni rreth shenjave dhe simboleve dhe reduktimit të shtetit në vlerë estetike të bëjnë të mendosh dy herë për të ardhmen e këtij vendi, për perspektivën demokratike dhe për rendin social që po ndërtohet në Kosovë. E në këtë pikëpamje, problemi nuk është vetëm i Rugovës.

Botuar te “Koha Ditore”, mars 2005.

Një nga dukuritë më të keqkuptuara dhe të keqinterpretuara, por në të njëjtën kohë të popullarizuara dhe të eksploatuara në Kosovën e pasluftës është shoqëria civile. Shoqëria civile, si shumë kategori tjera shoqërore, është në të njëjtën kohë koncept dhe praktikë. Koncepti mund të veçohet nga praktika vetëm në trajtim abstrakt, në realitet koncepti informon praktikën dhe praktika formon konceptin; përmes kësaj krijohet kuptimi i çdo veprimtarie shoqërore, kështu është edhe në atë sferë të veçantë grupimesh e interesash që mban emrin shoqëri civile.

Në Kosovë, ekzistojnë paralelisht dy imazhe krejtsisht kontradiktore për shoqërinë civile. E para, e afërt me diskursin zyrtar, ekzalton shoqërinë civile si garancë të zhvillimit demokratik të Kosovës, duke e lidhur shoqërinë civile me OJQ, me fondacione, apo edhe me individë të caktuar. Ky imazh, apo, thënë më mirë, kjo ideologji, glorifikon shoqërinë civile si sferën ku gjendet potenciali i zhvillimit demokratik të Kosovës, të ligjit, të drejtësisë dhe barazisë, kundër praktikave të korruptuara që promovojnë partitë politike. Në anën tjetër është imazhi poshtërues, refuzues dhe denigrues i shoqërisë civile. Ky imazh sheh vetë shoqërinë civile si sferë korrupsioni, degjenerimi moral dhe politik, dhe veprimi anti-kombëtar. Shoqëria civile, sipas kësaj pikëpamjeje, është një nga të këqijat që ka plangosur shoqërinë kosovare, dhe që duhet të spastrohet përmes një intervenimi decidiv politik dhe shtetëror.

Në momentin që Hegeli përkufizoi shoqërinë civile si një sferë të veçantë midis aparatit shtetëror, sferës ekonomike të tregut, dhe sferës jopolitike të familjes, shoqëria civile është etabluar si një koncept i pashmangshëm për praktikën liberal-demokratike në Perëndim. Liberalët, duke vazdhuar traditën e Locke-ut, vazhdojnë ta shohin shoqërinë civile si garancë parapolitike për lirinë politike dhe tregun e lirë; ndërkaq Marksi e kritikoi shoqërinë civile si një deformim borgjez i cili fsheh diferencimin dhe eksploatimin klasor dhe koncept që krijon iluzionin e lirisë. Por shoqëria civile mbase do të kishte rënë diku thellë në arkivat e amnezisë filozofike po të mos rigjenerohej nga disidentët e ish-bllokut komunist. Ishin disidentët si Vaclav Havel, Adam Michnik e të tjerë që i dhanë kuptim shoqërisë civile në kohën tonë, duke e elaboruar një sferë parapolitike përmes të cilës mund të sfidohej legjitimiteti i regjimeve totalitare. Dhe ishte pikërisht zaptimi i mëpastajmë i këtij koncepti nga filantropët si George Soros dhe nga agjensitë zhvillimore perëndimore (siç janë USAID, DFID e të tjera) menjëherë pas shembjes së regjimeve komuniste që shoqërisë civile tani i kanë dhënë frymën e biznesit global të OJQ-ve.

Imazhi dual i shoqërisë civile në Kosovë është simptomë pikërisht e përvetësimit të konceptit të shoqërisë civile nga një varg i caktuar fondacionesh, agjensisë zhvillimore dhe OJQ-ve që si funksion kanë zbatimin e “projekteve”. Derdhja e dhjetëra miliona eurosh në emër të “zhvillimit të shoqërisë civile” i kanë shndërruar OJQ-të në aktivitet të levërdishëm ekonomik; nuk ka arsye tjetër pse në Kosovë me dy milionë banorë të ketë 2.300 OJQ, dhe që vetëm për përmirësimin e pozitës së femrave të ekzistojnë në regjistër mbi 150 OJQ. Në vend të bashkimit qytetar dhe shoqërizimit, që përbën esencën e asociacionit në shoqëri civile, OJQ-të në Kosovë kanë marrë karakterin e ndërmarrësisë, të tillë çfarë kanë bizneset e vogla. Ato karakterizohen nga grupe të vogla, nga udhëheqja e tyre në formë biznesi privat, nga mungesa e demokracisë se brendshme, nga mungesa e debatit të hapur brenda OJQ-ve, e nga mungesa e artikulimit të platformave shoqërore, në vend të së cilave artikulohen qëllime të përgjithësuara dhe në formë slloganesh si “demokracia”, “të drejtat e njeriut”, “integrimi i minoriteteve”, “barazia gjinore” e të tjera. E gjithë kjo i jep substancë pohimit se në Kosovë (sikur në shumë vende tjera post-socialiste), shoqëria civile është privatizuar. Në vend se të jetë veprim me orientim publik — të tillë çfarë e kanë konceptuar shoqërinë civile mendimtarët dhe veprimtarët nga Hegeli e këndej, shoqëria civile është shndërruar në veprimtari private. Me fjalë të tjera, ai ka marrë karakter pervers, anti-demokratik.

Simptoma tjetër që dëshmon këtë privatizim të shoqërisë civile është privatizimi i vetë konceptit të shoqërisë civile. Individë, grupe, dhe OJQ të veçanta pretendojnë pronësi mbi konceptin, duke i përjashtuar të tjerët nga shoqëria civile dhe duke privilegjuar vetën dhe njerëzit si ata si bartës të vetëm të qytetarisë dhe demokracisë. Kjo është në thelb burimi i imazhit të dyfishtë të shoqërisë civile të përshkruar më lartë. Shoqëria civile përshkruhet si e mirë apo e keqe sepse vetë kuptimi i fjalës nënkupton një segment të caktuar të shoqërisë kosovare — me fjalë të tjera, një grup të caktuar fondacionesh, OJQ-sh dhe individësh. Varësisht nga pozicioni që merret kundrejt këtij segmenti shoqëror (si bartëse e vlerave demokratike apo si promovuese e aktivitetit të korruptuar), në bazë të kësaj njeriu jep njërin nga vlerësimet për “shoqërinë civile në Kosovë”. Shoqëria civile kështu, pos që është privatizuar, është personalizuar, duke u shndërruar si veçori e individëve të caktuar (zakonisht të definuar nga pozita ku individët në fjalë marrin rrogën), dhe duke humbur karakterin burimor të një sfere shoqërore të hapur për të gjithë qytetarët, ku formohet vetë kuptimi i vlerave të shoqërisë.

Ajo që mendimtarët si Locke-u, Hegeli, Marksi e të tjerë pas tyre kanë definuar si shoqëri civile nuk është ndonjë koncept abstrakt që nuk përkon me asgjë në realitetin shoqëror. Përkundrazi, ata kanë nxjerr në ndërgjegje një sferë që në të vërtetë është karakteristikë e shoqërive moderne — për këtë arsye shoqëria civile, sikurse koncepti i kombit, është koncept i vlefshëm politik dhe sociologjik dhe jo vetëm abstraksion i kotë filozofik. Dhe si shoqëri moderne, shoqëria civile mund të thuhet se ka filluar të ekzistojë në Kosovë, në momentin që proceset e modernizimit kanë rrënuar lokalizmat dhe format arkaike shoqërore për ta konstituuar një publik, si bashkësi, si entitet historik, dhe si medium komunikativ me përmasa nacionale e globale. Shoqëria civile pra nuk përbëhet vetëm një grusht fondacionesh dhe OJQ-sh që kanë vizibilitet medial, por është një sferë e gjerë shoqërore, e tillë që ka ekzistuar para dhe që sot ekziston përkundër emërtimit që i është dhënë në rrethanat e sotme historike. Ajo sot përbëhet nga grupet si ato të viktimave të luftës, të shoqatave të ish-luftëtarëve të UÇK-së, të sindikatave e të organizatave punëtore, të organizmave formalë e jo-formalë që organizojnë jetën shoqërore në fshatra etj. Shoqëria civile ka kuptimit e jetës organizative, të veprimtarisë publike, të aktivizmit qytetar, të vetë qenies qytetar. Është humbje e madhe për vetë grupet që pretendojnë ta përfaqësojnë shoqërinë civile që kanë lejuar që kuptimi i shoqërisë civile të ngushtohet në një terminologji tekniko-administrative: fondacion, grant, projekt, trajnim.

Por si çdo dukuri tjetër shoqërore që hedh faren e antipodit të vet, e njëjta po i ndodh sot shoqërisë civile. Ky antipod po lindë të formën e grupeve qytetare, shoqatave e nismave që po lindin nga preokupimi real me problemet shoqërore e jo nga përllogaritjet buxhetore për grante, që po prodhon artikulime serioze politike e jo gjuhën e klisheve. Këto organizime “parapolitike” (nëse shërbehemi me terminologjinë e socializmit jugosllav), po e sfidojnë politikën në planin ku shihen tepër qartë dështimet e veta: në dështimet institucionale që shihen përditë në arsim, shëndetsi dhe sfera tjera të shërbimeve publike, në shkallën e tmerrshme të pabarazisë sociale, në dështimet flagrante gjatë pesë viteve në sigurimin e një mirëqenieje sociale e materiale të popullatës. Në dallim prej synimit për pushtet apo makinacionit makiavellian për “marrjen e Kalasë nga brenda”, qëllimi i aktivitetit qytetar po bëhet shpërthimi i mureve të Kalasë nga jashtë, të nxjerres së politikës nga klanizimi, izolimi dhe vetëmjaftueshmëria e saj. Demokratizimi i kësaj shoqërie nuk mund të arrihet ndryshe. Ndoshta ka gjasa që shoqëria civile të mos nënkuptojë më angazhimin për projekte e grante, por një emancipim real shoqëror. Mbase edhe termi shoqëri civile, me gjithë konotacionet pozitive e negative që ka fituar, duhet të hidhet poshtë tërësisht, ndërsa vendin e saj ta nxëjë koncepti i qytetarisë, i cili ka të bëjë sa me lirinë individuale po aq me të drejtat që duhet t’i garantojë shteti. Ndoshta më shumë se një koncept më i mirë për shoqërinë civile, na duhet një koncept i ri mbi politikën dhe shtetin.

Tekst i pabotuar, shtator 2004.

Përvjetori i përfundimit të luftës dhe vendosjes së Kosovës nën administrimin e Kombeve të Bashkuara zakonisht është kohë kur UNMIK-u numron të arriturat (e veta) dhe problemet (e kosovarëve) kurse politikanët kosovarë përsërisin qëndrimet e tyre për kalimin e kompetencave dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës. Këtij kori i bashkohen analistët dhe artikullshkruesit e ndryshëm nëpër gazeta, kush duke promovuar grupin e vet politik, kush duke sharë dhe kritikuar të gjithë pa dallim. Sikunder në rastet tjera, ajo që një mik imi quan “terrorizëm i aktualitetit” pengon marrjen më të thellësishme dhe më refleksive me realitetet politike dhe shoqërore të krijuara në Kosovë pas luftës. E gjithë kjo do të reflektohet në diskursin politik, ku të gjitha palët regjistrojnë ankesat, dëshirat dhe synimet, strategjia politike është inekzistente kurse mekanizmi, institucioni, apo organi i vendimit (dhe i përgjegjësisë) si gjithnjë mbetet i paidentifikuar.

Në njërën anë është naiviteti i personalizimit të burimeve të problemeve shoqërore, duke ua hedhur fajin individëve të caktuar apo grupeve të caktuara politike dhe duke iu shmangur zbulimit të shkaqeve strukturore dhe sistemike të realiteteve politike dhe shoqërore në Kosovë. Në anën tjetër, analizat që mëtojnë të jenë më sistematike nuk janë në gjendje ta kapërcejnë nivelin e një kronikimi sipërfaqësor, madje edhe ato me lëshime dhe shtrembërime të qëllimshme. Të gjitha monografitë më serioze që janë botuar në Kosovë rreth problemeve të administrimit ndërkombëtar në Kosovë nuk tejkalojnë shtjellimet empirike të ngjarjeve politike apo të rreshtojnë ndryshimet juridike. Kjo tregon se shtresa dominante intelektuale në Kosovë, ka rënë në një humnerë nga e cila nuk po mund të dalë — kolapsi i saj nuk është vetëm shoqëror, ai është gjithashtu një falimentim intelektual. Ndërkaq problemi i Kosovës së administruar nga UNMIK-u nuk është vetëm problem politik, ai është po ashtu problem intelektual. Mungesa e shtjellimeve substanciale nga shtresa intelektuale e Kosovës është pasojë e mungesës së një kuadri konceptual dhe një baze më substanciale, historike ideologjike se sa programi i ngushtë i nacionalizmit shqiptar i viteve 1990, municioni politik dhe ideologjik i të cilit tashmë është pothuaj krejtësisht i shpenzuar, strategjia dhe taktikat e tij anakronike për situatën aktuale në të cilën gjendet Kosova.

Konteksti politik

Në Kosovë, nga viti 1999 nuk është ndërtuar një shtet me kuptimin tradicional të tij, por një strukturë menaxhuese, me qëllim të menaxhimit politik të një territori dhe një popullate. Ndonëse nocioni i shtetit lidhet me konceptin (që rrjedh nga ligji ndërkombëtar) e sovranitetit, struktura menaxhuese në Kosovë është ndërtuar mbi negacionin e sovranitetit. Negacioni i sovranitetit të jashtëm domethënë negacion i nocionit paralel të tij të brendshëm, atë të qytetarisë, meqë sovraniteti dhe qytetaria (në rastin e demokracisë) janë thellësisht të ndërlidhura. Mohimi i shtetësisë sovrane në Kosovë domethënë mohim i institucionalizimit të statusit të qytetarisë — bazën fundamentale të të drejtave që përbëjnë elementet e institucionalizimit të demokracisë. Në vend të qytetarëve, juridikisht dhe politikisht, popullata e Kosovës bie në kategorinë e një populli të pa-shtet, ndërsa një popullate të pa-shtet i takon për nga definicioni statusi i refugjatit. Në rastin e Kosovës, kosovarët nuk kanë humbur shtetësinë për shkak se kanë ikur nga shteti — atyre, shteti i është suprimuar, ndërsa Kosova e shndërruar në një zonë jashtë-legale. Ky është efekti politik dhe juridik i Rezolutës 1244. Populli i Kosovës është popull refugjat, Kosova është një kamp i madh përqëndrimi humanitar, kurse UNMIK-u mbikëqyres dhe administrator suprem i këtij kampi, vend ku historia është e zyrtarisht dhe institucionalisht e suspenduar.

Qeveria dhe Kuvendi, nuk janë opozitë e kësaj strukture menaxhuese. Përkundrazi, ata janë pjesë integrale e saj, si organizativisht ashtu dhe politikisht. Organizativisht sepse struktura organizative e pushtetit në Kosovë është e tillë që institucionet e Kosovës (të ashtuquajtura Institucione të Përkohsme të Vetë-Qeverisjes — IPVQ) janë shtojcë institucionale e UNMIK-ut. Autoriteti i tyre buron nga UNMIK-u, e jo anasjelltas, që dëshmon dominancën hegjemonike të administratës ndërkombëtare. Nga aspekti politik, ata kryejnë funksionin kyç të legjitimimit të rendit aktual politik e shoqëror. Fakti që Qeveria dhe Kuvendi shpesh marrin qëndrim opozitar kundrejt UNMIK-ut nuk anulon këtë pohim — pikërisht përmes artikulimit opozitar, Qeveria dhe Kuvendi (dhe partitë politike që përbëjnë këto struktura) artikulojnë raportin e varshmërisë që ata kanë ndaj administratës ndërkombëtare. Në këtë mënyrë ata i japin legjitimitetin e nevojshëm strukturës së përgjithshme, të bazuar mbi premisat e mohimit të sovranitetit real dhe të delegalizimit të qytetarisë. Opozita reale e sistemit, opozita radikale-progresive dhe ajo radikale-reaksionare, qëndron jashtë institucioneve në fragmente dhe organizma të ndryshëm formalë e gjysëm-formalë, qoftë edhe si pjesë formale e partive dhe strukturave ekzistuese.

Institucionalizimi provizor

Shteti nuk është kategori e gjeneralizueshme e cila mund të aplikohet pa dallim në çfarëdo skute të botës dhe duke injoruar historinë — përkundrazi, shteti është konstruksion historik që, varësisht nga evolucioni i sistemit ndër-shtetëror (ndërkombëtar), nga transformimet globale ekonomike dhe fluiditeti i kapitalit, si dhe në ndërveprim me historitë dhe kulturat lokale të pushtetit politik, merr trajtë dhe funksion të caktuar. Andaj pohimet se “në Kosovë po ndërtohet shteti” e të ngjashme meritojnë kualifikime të shumta po qe se nuk do të jenë thjesht gënjeshtra. Megjithatë, në vend të fokusit në shtet, fokusi i diskutimit publik duhet të zhvendoset në cilësinë e shoqërisë që po ndërtohet në Kosovë dhe niveli i institucionalizimit të kësaj shoqërie. Shkalla e institucionalizimit nuk duhet të matet nga nocioni shpesh abstrakt i “shtetit”, por në radhë të parë nga institucionalizimi i rendit ekonomik, përfshirë strukturat juridike, monitoruese, kontrolluese dhe drejtuese në këtë sferë. Në një shoqëri që mbijeton nga një ekonomi merkantiliste (tregtare) ligjore apo jashtëligjore, nga të ardhurat e diasporës dhe nga kapitali i derdhur nga administrata dhe institucionet tjera ndërkombëtare, niveli i institucionalizimit ekonomik është krahasimisht minimal.

Arsyet e kësaj janë në radhë të parë strukturore. Në periudhën e imperializmit klasik, fuqitë perëndimore kanë kolonizuar vende nëpër botë në masë të madhe të nxitur nga interesi ekonomik. Si pasojë, ngritja e institucioneve të eksploatimit ekonomik ka qenë primare. Në rastin e Kosovës nuk kemi të bëjmë me një rast të kolonializmit klasik — Kosova nuk është koloni e asnjë shteti. Kosova është, koloni administrative e sistemit ndërkombëtar, juridikisht nën kontrollin e OKB-së, politikisht nën kontrollin e shteteve perëndimore, BE-së dhe SHBA-ve dhe instancave të ndryshme ushtarake, policore dhe burokratike shtetërore dhe ndërkombëtare. Kontrolli politik në Kosovë nuk është hierarkik dhe krejtësisht i centralizuar te një sovran i caktuar — fragmentimi politik i shoqërisë kosovare është më pak rezultat i historisë se sa pasqyrë e shumtësisë së instancave dhe strukturave të ndryshme lokale dhe të huaja, shpesh kontradiktore dhe antagoniste, që dominojnë dhe veprojnë politikisht në Kosovë, dhe krijimi i fushave të shumta dhe kontradiktore të kontestit politik.

Kolonizimi administrativ i Kosovës është pasojë e kompromisit të brishtë të qershorit 1999 që përfundoi luftën në Kosovë. Ai është i një natyre administrative, burokratike me funksion primar menaxhimin politik të një popullate, e jo eksploatimin ekonomik. Prandaj zhvillimi ekonomik është dikund në fund të prioriteteve institucionale të administratës ndërkombëtare. Ajo mund të flasë retorikisht për zhvillimin, mirëpo ajo nuk përbën një interes sistemik të saj. Kontrolli ekonomik bëhet kryesisht në dogana — kjo është metoda mesjetare e vjeljes së të ardhurave për pushtetin, më e afërta me reketin e drejtpërdrejtë. Sistemi fiskal është bazik, strukturat administrative në Kosovë funksionojnë në formën e një organizate të gjerë me sektorë dhe nënsektorë të ndryshëm por me një infrastruktrë minimale ekzekutive/detyruese/ndërshkuese që përbëjnë një shtet. Ndonëse aparatet burokratike shpesh ballafaqohen me kufizime dhe presione të ndryshme politike dhe ekonomike, Kosova paraqet, sipas fjalëve të një analisti, territor ku imagjinata burokratike vepron në mënyrë të pakufijshme.

Etnocentrizmi perëndimor

Para marsit [2004], UNMIK-u përballej me një krizë legjitimiteti. Pas ngjarjeve të marsit, UNMIK-u ballafaqohet me një krizë institucionale. Kriza institucionale e UNMIK-ut është krizë diplomatike për BE-në (kryesisht) dhe SHBA-në (në radhë të dytë), ndërsa kriza diplomatike oportunitet politik për palët tjera të interesuara (Serbinë dhe, në plan të dytë, Rusinë). Ngjarjet e marsit ishin për UNMIK-un dhe palët politike që mbështesin atë, realizimi i ëndrrës së keqe që gjithmonë përsëritet dhe përbëjnë atë që Jacques Lacan në gjuhen psikoanalitike e quan “fantazia fundamentale”, e simptomit ideologjik perëndimor me emrin “Kosovo”. Pa dashur ta minimizoj tragjedinë njerëzore të marsit, ngjarjet e marsit ishin për diplomacinë perëndimore kthimi traumatik (në formë të spektaklit) i dëshirës së shtypur në pavetëdije, realizimi i fantazisë së ndaluar të orgjies sadiste të dhunës “etnike”. Për diplomacinë perëndimore, dhuna kishte karakterin e një spektakli, ku shoku i ngjarjes përcillet me shikimin e hamendur — ashtu sikur disa kontigjentë të KFOR-it, në vend se të ndërhynin, qëndruan anash dhe vëzhguan dhunën nga distanca, sikur ai të ishte një karneval i dhunshëm ballkanik i realizuar për argëtimin e tyre.

Kthimi i traumës së shtypur përcillet me reagim histerik — dhe kjo është pikërisht mënyra se si reaguan zyrtarët e UNMIK-ut dhe diplomacia perëndimore pas ngjarjeve të marsit. Insistimi i shpeshtë se ngjarjet e marsit ishin “të organizuara”, “të orkestruara” etj., janë pjesë e këtij reagimi histerik dhe dëshirës për ta pajtuar fantazinë e “dhunës së përhershme etnike” (ku serbi i egër dhe shqiptari primitiv dora-dorës ndrrojnë rolet e viktimës dhe viktimizuesit, ndërsa evropiani i civilizuar vjen në shpëtim) me kompleksitetin e ngjarjeve të marsit, që si pasojë patën shndërrimin e Kosovës në një vend të paparashikueshëm dhe, si pasojë, të pamenaxhueshëm. Stabilizimi i ngjarjeve të marsit me tregimin narrativ për “dhunën e përhershme etnike” në njërën anë dhe formulës së padefinuar për “ecjen e Ballkanit drejt Evropës” në anën tjetër janë problemi i identitetit me të cilin ballafaqohen jo shqiptarët dhe serbët por Perëndimi në ballafaqim me traumën e vet.

Fantazia e UNMIK-ut dhe diplomacisë perëndimore për “dhunën e përhershme etnike” — një prizëm përmes të cilit realitetet komplekse të Kosovës filtrohen në formula të thjeshta burokratike dhe formulime të shpejta retorike, përbën esencën e etnocentrizmit perëndimor. Problemi i etnocentrizmit nuk është vetëm i shqiptarëve dhe i serbëve dhe nuk ka të bëjë hepërhe me etninë, por me një identitet dhe ideologji kolektive që ka funksion strategjik në ballafaqim me tjetrin — etnocentrizmi perëndimor, i mban serbët dhe shqiptarët robë të etnocentrizmit të tyre. Etnocentrizmi perëndimor shfaqet që nga deklaratat e Javier Solanës kur i thotë liderëve kosovarë se janë ata që duhet ta dëshmojnë pafajësinë e tyre në organizimin e dhunës kundër serbëve, deri te dokumentet qëndrore si ai “Standardet për Kosovën”, ku prizmi etnik shfaros nga topografia politike çdo problem shoqëror në Kosovë, duke e kthyer (me dhunë) çdo çështje në problem të “ndërtimit të shoqërisë multietnike”, pavarësisht nga fakti se kjo shoqëri (e imagjinuar) multietnike është e papunë, e varfëruar deri në ekstrem, e deinstitucionalizuar, e fragmentuar, e degraduar dhe e deklasuar në çdo pikëpamje. Etnocentrizmi perëndimor, ai që është i verbër ndaj rolit dhe pozitës së vet por reagon me frazën mbrojtëse, “ne jemi këtu vetëm për të ndihmuar”, duke mëtuar një epërsi të rrejshme morale (dhe rrjedhimisht duke fshehur epërsinë e vet politike), është ndër problemet kryesore politike në Kosovë sot.

Botuar te “Koha Ditore”, qershor 2004.

Shifra e papunësisë në Kosovë tashmë është bërë e mirënjohur për të gjithë, sa që nuk është e nevojshme që lexuesit të kësaj gazete t’i përshkruhen përmasat katastrofike të këtij problemi. Mirëpo çështja qëndrore që duhet të brejë çdo qytetar të ndërgjegjshëm dhe që nuk ngritet sa duhet në tyreza publike është rreziku që kjo gjendje e papunësisë kronike të bëhet e përhershme. Është e qartë se në qoftë se Kosova do të ngrisë bazat e një ekonomie moderne, do të ketë nevojë për një intervenim shumë më të thellë dhe më sistematik në ristrukturimin ekonomik se sa bëhet sot.

Problemet ekonomike në Kosovë nuk janë shkaktuar vetëm nga mungesa e investimeve, apo nga bllokimi i procesit të privatizimit. Problemet administrative janë një aspekt i vogël i një problemi që është shumë më fundamental. Çështja themelore është se, sidomos gjatë dekadës së fundit, e tërë ekonomia globale po kalon në një transformin të thellë strukturor, të shkaktuar nga procesi i globalizimit dhe deindustrializimit. Kjo paradigmë e deindustrializimit, që ka përfshirë, për arsye të kundërta, edhe shtetet perëndimore edhe ato të bllokut të dikurshëm lindor, limiton dukshëm mundësitë e zhvillimit ekonomik përmes ringjalles së kapaciteteve të dikurshme industriale që kishte Kosova.

Globalizimi dhe deindustrializimi

Kapitalizmi bashkëkohor, që në dekadat e fundit po kalon në një periudhë që analistë të ndryshëm e kanë mbiquajtur periudhë globalizmi, veçohet nga një sërë procesesh fundamentale.

E para është zhvendosja e prodhimtarisë jashtë shteteve të pasura dhe në vendet me krah të lirë pune. Tekstili, pjesët e ndryshme industriale dhe mallrat konsumatore dhe tash së fundi edhe prodhimet elektronike që mbajnë firma amerikane, gjermane apo japoneze, prodhohen në vendet si Kina, Korea Jugore, India dhe shtete latino-amerikane. Kjo ka shkaktuar reduktimin e kapaciteteve prodhuese në shtetet perëndimore, dhe si pasojë rritjen e papunësisë ndër gjenerata që kanë qenë të punësuara në punë prodhuese.

E dyta është procesi i transformimit të ekonomive perëndimore në ekonomi të orientuara ndaj shërbimeve. Konsumatorizimi i shoqërive perëndimore ka bërë që një numër i madh vendesh pune të hapën në shitje. P.sh., në SHBA, në vitin 1950, punëdhënësi më i madh ishte prodhuesi i automobilave General Motors. Në vitin 2004, punëdhënësi më i madh është korporata e hipermarketeve Wal-Mart, që shet mallra konsumi. Në të njëjtën kohë, zhvillimi i sektorëve të shërbimit po ashtu është rritur si pasojë e rëndësinë gjithnjë e më të madhe të sektorit të teknologjisë informative dhe të tregjeve financiare. Njëkohësisht, vendin e prodhuesve industrialë po e nxëjnë industritë që varen nga dija dhe ekspertiza e lartë, siç janë farmaceutika dhe biokimia.

Procesi i njëjtë i deindustrializimit ka prekur thellë edhe vendet e dikurshme socialiste, por për arsye krejt të tjera. Në këto raste kemi të bëjmë jo me një transformim, por me një kolaps ekonomik. Kosova ndoqi këtë rrugë të dytë të deindustrializimit, një rrugë që vetëm u përkeqësua nga represioni dhjetëvjeçar serb dhe nga lufta.

Edhe në periudhën e socializmit, Kosova ishte ndër vendet më të pazhvilluara në Jugosllavi, dhe në vitet 1980 papunësia sillej nga 20 përqind sipas vlerësimeve zyrtare por deri në 40-50 përqind sipas vlerësimeve jozyrtare. Sot, në periudhën e një liberalizimi të mënjehershëm ekonomik, gjendja ekonomike vlerësohet të jetë, për kokë banori, edhe më e rëndë se që ishte në vitin 1989.

Shtylla e dikurshme industriale e Kosovës, e përbërë nga një numër i madh ndërmarrjesh prodhuese dhe të nxjerrjes së lëndëve të para, me përjashtim të një numri të vogël ndërmarrjesh, është shndërruar në një hekurishte që sot duket si mbeturinë nga antikviteti. Privatizimi është shpresë e vogël për ringjalljen e kapaciteteve të dikurshme. Thuhet madje, se shumë nga të interesuarit për blerjen e ndërmarrjeve të dikurshme janë të interesuar jo aq shumë për kapacitetet e tyre prodhuese se sa për vlerën e truallit në të cilën gjenden ato. Kjo domethënë se shansat janë të mëdha se privatizimi, në vend se në ngjalljen e industrive të dikurshme, do të çojë në falimentimin dhe mbylljen përfundimtare të tyre, si dhe eliminimin e çfarëdo shanse për ish-punëtorët që të gjejnë punësim në ish-ndërmarrjet e tyre.

Kjo nuk bëhet vetëm nga dëshira e investitorëve. Klima aktuale ekonomike në botë nuk favorizon prodhimin industrial, përveç nëse ai bëhet për eksport. “Mrekullia aziatike”, e zhvillimit të shpejtë të vendeve si Korea Jugore, Malajzia, Tailanda, si dhe ekonomive në ekspanzion si atyre të Kinës dhe Indisë, është pikërisht prodhimi për eksport. Industria e rëndë, ajo që dominoi në Kosovë para viteve 1990 dhe që ishte bazë e ekzistencës e dhjetëra mijëra familjeve kosovare, është gjithnjë në rënie nga konkurrenca e rreptë globale. Dikur, si pjesë e ish-Jugosllavisë dhe bllokut lindor, Kosova kishte gati të garantuar eksportin e një pjese të prodhimeve industriale, çfarëdo qoftë kualiteti apo sasia. Sot, Kosova gjendet në konkurrencë sa me vendet e rajonit, po aq me vendet e largëta si Kazakstani, Korea apo Hondurasi, ku kapitali i kompanive multinacionale shkon e tërhiqet sipas kushteve të tregut.

Kosova në paradigmën e re

Kjo domethënë se zhvillimi ekonomik i Kosovës nuk mund të ushqehet nga iluzionet për ringjalljen e ekonomisë së dikurshme. Ndërkaq, deri më tani as institucionet kosovare, as shtylla e BE-së e UNMIK-ut nuk kanë ofruar ndonjë plan të qartë strategjik për zhvillimin ekonomik në Kosovë. Ideja dominante në UNMIK, që ka bindur edhe liderët kosovarë dhe një pjesë të opinionit publik, është se krijimi i kushteve juridike dhe të tjera do të tërheqë në mënyrë gati spontane, investitorë të huaj në Kosovë. Kjo është thjesht iluzive. Arsyetimi që jepet shpesh, se investitorët nuk vijnë për shkak të tensioneve politike, nuk qëndron aspak. Investitorët e huaj sot janë aktiv në Irak, dhe nuk tremben nga turbullirat politike siç ndodhen para disa jave në Tailandë apo nga problemet e shpeshta të jostabilitetit në Malajzi, kur kanë interes ekonomik. Kompanitë multinacionale po ashtu nuk janë shoqata humanitare dhe nuk investojnë nga dashamirësia apo nga keqardhja për gjendjen ekonomike të një vendi. Elementi kryesor që tërheq investitorët e huaj janë ose fuqia e shkathtë dhe e lirë e punës, ose nxerrja e lëndëve të para. Kosova sot për sot nuk e ka as njërën as tjetrën.

Kjo domethënë se Kosovës i duhen masa të menjëhershme për hartimin dhe implementimin e një strategjie të qartë zhvillimi ekonomik. Ashiqare, pesë vitet e fundit nën administrimin e UNMIK-ut mund të konsiderohen të humbura nga pikëpamja ekonomike, sepse pos një përmirësimi minimal infrastrukturor dhe vendosja e një kuadri gjysmak ligjor, asgjë konkrete nuk është bërë në pikëpamje të zhvillimit ekonomik. Në vend të një ekonomie të organizuar, në Kosovë janë vendosur katër dimensione ekonomike: e para, të një ekonomie tregtare, të bazuar në import dhe shitje për nevoja konsumatore; e dyta, të një kapitalizmi politik, të bazuar në tenderë dhe kontrata nga administrata publike, që janë dëshmuar si fole korrupsioni si për pushtetarë të vendit, si për ata ndërkombëtarë; e treta, ekonomia e nëntokës e përbërë nga kontrabanda dhe tregtia me alkool, cigare, drogë, armë dhe njerëz; dhe e katërta punësimi në UNMIK, organizata ndërkombëtare dhe nëpër OJQ, po ashtu e levërdishme për disa, por një sektor që është gjithnjë e në rënie.

Të gjitha këto, përveç ekonomisë së nëntokës që vazhdon të jetë profitabile por me pasoja të njohura shoqërore e politike, janë ekonomikisht të paqëndrueshme dhe nuk përbëjnë kurrfarë baze për një ekonomi të shëndoshë. Ironikisht, ekonomia e nëntokës është po ashtu ndër më të globalizuarat në Kosovë — ajo përbëhet nga rrjete transnacionale, përfshinë individë pa dallim etnie, qarkullon kapital të shumtë, është efiçiente dhe kërkon shkathtësi të larta organizative dhe drejtuese. Në qoftë se Kosova do të dalë nga dallgat e kolapsit ekonomik, duhet të mësojë pak nga elementet që e bëjnë këtë sektor ekonomik të suksesshëm.

Megjithatë, ekzksiton një nevojë urgjente për marrjen e masave radikale drejt zhvillimit ekonomik. Këtu po përmendi vetëm disa mundësi.

E para, duhet themeluar pa vonesë një Agjensi të Zhvillimit Ekonomik, me detyrë primare zhvillimin ekonomik në Kosovë. Kjo agjensi duhet të jetë jo-politike dhe të këtë në staf ekspertë të huaj — mundësisht jo “ekspertë” të rangut të dytë e të tretë e më të këqij që i sjellë në Kosovë UNMIK-u por të tillë që rekrutohen drejtpërdrejtë nga institucionet e njohura botërore.

E dyta, duke ndjekur një model korean të pjesëmarrjes aktive shtetërore në zhvillimin ekonomik, Agjensia duhet të ketë në dispozicion fonde për garantimin e kredive dhe mekanizma të tjerë organizativ dhe juridik për ngritjen e konsortiumeve ekonomike në Kosovë, që kanë objektiv prodhimin për eksport. Agjensia po ashtu do të duhej të ketë rol në rekomandimin e politikave fiskale, tatimore dhe doganore që do ta stimulonin prodhimin e brendshëm. Stimulimi i prodhimit të brendshëm duhet të jetë prioritet, pavarësisht nga presionet politike, nën emblemën mashtruese të “tregtisë së lirë”, për mbajtjen e Kosovës plotësisht të hapur për import.

E treta, një pjesë e mirë e fondit të suficitit buxhetor duhet t’i përkushtohet ngritjes dhe modernizimit të kapaciteteve arsimore dhe themelimit të instituteve të reja të specializimit shkencor. Qeveria duhet ta ketë prioritet këtë punë dhe jo që sikur tani, këtë punë ta lëjë në dorë të nismës private dhe vullnetit të mirë të disa OJQ-ve.

Pasuria më e madhe që Kosova ka sot është popullata e re. Mirëpo popullata e re është shpatë me dy teha. Po nuk u investua në këtë popullatë, po nuk iu dhanë asaj shkathtësitë dhe njohuritë e nevojshme për të qenë konkurrent në një treg global të punës, Kosova do të vazhdojë të krijojë gjenerata të humbura që të vetmen perspektivë e ka mërgimin, marrjen me punë të pista apo radikalizimin politik. Që ky cikël të ndërpritet dhe që ky potencial njerëzor të shndërrohet në kapital ekonomik është e domosdoshme që kjo popullatë të përgatitet për një ekonomi të re, në të njëjtën kohë që ajo ekonomi gjendet në ndërtim e sipër përmes një intervenimi të matur shtetëror. Kjo domethënë se, ashtu siç vepruan vendet dikur të varfëra si Irlanda dhe siç po veprojnë vendet si Estonia, të stimulohet zhvillimi i sektorëve të rinjë ekonomik, të kyçur në rrjete globale të dijes dhe kapitalit, siç janë prodhimet elektronike, teknologjia informative, farmaceutika dhe biokimia. Kjo paradigmë zhvillimore duhet të zëvendësojnë fantazitë e sotme se shpëtimi ekonomik i Kosovës është rigjallja e “Trepçës” apo “Feronikelit”.

Të gjitha këto janë masa radikale mirëpo Kosova nuk ka rrugëdalje tjetër nëse do të iken nga një e ardhme e përbërë nga pabarazia drastike, skamja, korrupsioni dhe jostabiliteti i përhershëm social e politik. Megjithëse, duhet pranuar, është pak e kotë shpresa se me një administratë të tejburokratizuar si kjo e UNMIK-ut, dhe me klasën ekzistuese politike, e dhënë ndaj prioriteteve tjera, ekziston përkushtimi, vullneti dhe koncepti për një transformim ekonomik në Kosovë. Por ajo që duhet të nënvizohet është se, përkundër pohimeve të atyre që politikat e sotme ekonomike i përshkruajnë si të vetmet zgjidhje dhe të paalternativë, dhe të tjerët që nuk ofrojnë gjë tjetër pos cinizmit — alternativat dhe mundësitë për zhvillim ekonomik ekzistojnë.

Botuar te “Koha Ditore”, maj 2004.

Biçikleta duhet të jetë një nga zbulimet që ka shpëtuar patriarkalizmin shqiptar. Anekdotat janë të vjetra disa dekada, se si femra shqiptare, për t’u arsyetuar para ankesave të burrit me të cilin sapo ka vënë kurorën se nuk qenka e virgjër, i thotë se virgjërinë e ka humbur rastësisht nga biçikleta, gjersa po shkonte në vizitë te tezja. Përballë një arsyetimi të tillë, mashkulli shqiptar detyrohet të besojë se virgjëria e femrës të cilën e ka marrë për grua vërtetë nuk ka rënë pasojë e veprimeve të një mashkulli tjetër, por në një aksident me një objekt të vdekur, siç është biçikleta.

Ndër meshkujt shqiptarë ka shumë që akoma presin të martojnë femër “të praprekur”. Dhe shumë femra janë të gatshme që të ngulin këmbë para bashkëshortit të ri se janë të virgjëra, disa duke u shërbyer me tregime për biçikleta e për objekte të ngjashme për ta “vërtetuar” një gjë të tillë edhe kur kontakti fizik dëshmon të kundërtën. Dukuritë e tilla nuk dëshmojnë aq shumë për naivitetin e meshkujve shqiptarë (që edhe vetë i marrin tregimet për biçikleta me shumë dyshim, por u besojnë se nuk kanë rrugëdalje tjetër), as për humbjen e moralit ndër femra, se sa për forcën e mitit të virgjërisë. Fjala është për forcën e një ideologjie, në këtë rast të një miti të virgjërisë, që është e gatshme të besohet me çdo kusht. Sipas filozofit dhe psikoanalistit Slavoj Zizek, veçoria e ideologjive është se ato thuhen dhe besohen, edhe nëse subjekti ruan një distancë ironike nga ato, dhe në një mënyrë e din se janë të pavërteta. E njëjta mund të thuhet për besimet si ato të virgjërisë femrore para martesës (pa implikime fyese për femrat që vërtetë ruajnë virgjërinë deri në martesë). Për shkak se nocionet si nderi dhe respekti i familjes së vajzës, si dhe ato të burrit, varen nga virgjëria e femrës që ka kaluar në martesë, ekspozimi i virgjërisë si gënjeshtër rrezikon tërë integritetin e moralit tradicional dhe funksionin e rendit shoqëroro-familjar, dhe si rezultat sprovon tërë identitetin gjinor dhe rolin tradicional e të përcaktuar shoqëror të mashkullit e femrës. Prandaj edhe çifti në fjalë është në gjendje ta besojë gënjeshtrën, vetëm që të mos e shqetësojë rrjedhën e riteve dhe ekzekutimin e zakoneve që legjitimohen nën emrin e traditës.

Frojdi thotë se barcoletat shpesh nxjerrin në shesh atë që është në nënvetëdije, prandaj edhe na bëjnë të qeshim, sepse bëjnë të mundur thënien e asaj që përndryshe është e ndaluar të thuhet. Farsa e mitit të virgjërisë është një nga ato pjesë të nënvetëdijes që paraqiten në barcoleta. Ndonëse në Shqipëri tradicionalizmi i rrejshëm ka forcë më pak se në Kosovë, prostituimi i femrës shqiptare i ka dhënë goditjen më të rëndë mitit të virgjërisë. Fatkeqsisht prostiticioni në të shumtën e rasteve nuk është profesion të cilin femrat shqiptare e zgjedhin me vullnet — jo shpesh ato bijnë pre e skemave të drejtuara nga askush tjetër pos meshkuj shqiptarë, të cilët trupin e femrës e kanë shndërruar në objekt të thjesht tregtie. Megjithatë prostituimi i femrës shqiptare i sprovon shumë nga mitet që meshkujt shqiptarët i tregojnë për vetëvetën, ndër to se, pos disa rryspiave të aty-këtushme, femrat shqiptare janë “të paprekura” deri në martesë. Kështu, një nga barcoletat e dëgjuara është ajo e një femre shqiptare që nga Italia i lajmërohet babait, “Baba, mbërrita në Itali, jam në Peskara”. “Qofsh edhe në dhjetë bija ime vetëm na ço lekë”. Nga një pikëpamje psikoanalitike, ajo që na bën të qeshim është jo emri i qytetit nga i cili po lajmërohet vajza, por “sinqeriteti” i padijshëm i babait që ka hequr inhibicionin për ta konsideruar të bijën kurvë dhe këtë nuk e fsheh, si e do zakoni, por e pohon haptazi sikur të ishte diçka normale dhe e pritur.

Barcoleta të ngjashme sot tregohen për femrat “e pamoralshme” kosovare që zhvillojnë marrëdhënie intime me punonjësit ndërkombëtarë në Kosovë. Një nga këto barcoleta është ajo se si pas disa vitesh, nëpër shkollat fillore kosovare do të kemi paralele zezakësh të cilët, do të çohen në këmbë para mësuesës bashkë me nxënësit tjerë për të recituar, “ne kemi prejardhje nga ilirët”. Funksioni i kësaj barcolete nuk është për ta përqeshur “kurvërinë” e femrës aq sa për ta shprehur një mllef — pse me të huajt e jo me meshkuj shqiptarë? Në këtë barcoletë miti i virgjërisë është tretur fare — mashkulli shqiptar e pranon se femra nuk do të presë deri në martesë, por i dëshpëruar kërkon që të paktën, femra shqiptare të gjejë kënaqësinë seksuale me djem si ai (shqiptarë) e jo me “të huajt”, të cilat papritur janë paraqitur si konkurrentë në tregun e çiftëzimit.

Në anën tjetër, nuk ka barcoleta të tilla paralele përsa i përket meshkujve. Për shembull, nuk dëgjohen fare barcoleta për foshnjet shqiptaro-moldaveze, shqiptaro-ruse apo shqiptaro-ukrainase që mund të kenë hapur sytë në këtë botë në saje të një “prezence” tjetër, jozyrtare, ndërkombëtare në Kosovë — atë të prostitutave nga lindja. Kjo sepse miti i virgjërisë dhe ai homolog i tij, i përdorimit të organeve seksuale vetëm për qëllime të riprodhimit, vlen vetëm për femrat shqiptare, e jo për meshkujt, të cilët përkundrazi tërë nocionin e burrërisë e lidhin me virilitetin e tyre.

Qëllimi i kësaj që u tha më sipër nuk është për të dhënë moralizime boshe — ka të tjerë që merren me ato punë — por për të ilustruar një nga format e veprimit të ideologjisë. Sikur në mitin e virgjërisë dhe në tregimin për biçikletë, shpesh thuhen edhe të pavërtetat, besohen edhe të pavërtetat sepse ato kryejnë një funksion që është në fakt politik. Miti i virgjërisë, edhe pse realisht i bazuar në gënjështër, u mundëson meshkujve shqiptarë të besojnë se kanë autoritet të plotë karshi femrës, duke ua robëruar edhe funksionet trupore, sidomos më të ndjeshmën (sensualisht dhe shoqërisht) të riprodhimit dhe kënaqësisë epshore. Në anën tjetër, kjo dëshmon se si ideologjitë nuk janë çështje thjesht manipulimi — ato besohen sepse mbrapa tyre qëndron imperativi se duhet besuar, edhe atëherë kur dihet fare mirë se bazohen në gënjeshtra, të cilat bëhen të besueshme përmes tregimeve fiktive sikur ai për biçikletën.

Tregime për biçikleta përdorë edhe klasa politike kosovare, e cila me gjëra që nuk i beson as vetë hedh pluhur mbi realitetin e brishtë kosovar. E njëjta vlen edhe për ta — ata flasin gjëra që i dinë se nuk janë të vërteta (slloganet si “po integrohemi në Evropë”, “po ndërtojnë shoqëri multietnike”, “po e presim njohjen formale të pavarësisë” e të tilla) sepse ato kanë funksion politik. Dhe në mungesë kundërdiskursesh, ato shpesh besohen edhe nga popullata — jo sepse popullata është naive por sepse ajo dëshiron t’u besojë vlersimeve pozitive dhe prognozave optimiste, veçanërisht atëherë kur gjendet në gjendje të mjerueshme dhe të paperspektivë ekonomike e sociale. Në fakt, mund të thuhet se janë pikërisht njerëzit e tillë që bëjnë revolucione — revolucion nuk bëjnë, siç e thotë një vlerësim stereotipik, njerëz të frustruar që nuk kanë ku ta shprehin mllefin, por ata të cilët më nuk kanë durim ta presin ardhjen e të mirës dhe duan ta shpejtojnë rrotën e historisë për të arritur atje. Natyrisht kjo është pjesë e fantazisë që ndjek çdo projekt revolucionar sepse revolucioni — gjë që u pa edhe pas revolucionit post-socialist, apo edhe atë të pasluftës në Kosovë — pas euforisë, prodhon më shumë dëshprim, vuajtje dhe pasiguri sesa utopinë e shumëpritur. Poenta është se duke u arsyetuar para popullit sikur e porsamartuara me tregimin e biçikletës, vetëm për t’i dhënë ymyt ideologjive të caktuara (Kosovës multietnike, integrimit evropian, idesë se pavarësia tashmë është këtu etj.), klasa politike kosovare ka shansën jo t’i zbusë por t’i shtojë pakënaqësitë dhe revoltën. Duke ndërtuar mite për realitetin aktual, duke tentuar që realitetin ta fsheh nga populli por edhe nga vetja, pjesërisht sepse nuk është e gatshme të heq dorë nga rehatia dhe prestigji i fituar, ajo po i krijon kushtet për rritjen e shansave për destabilitet shoqëror e politik. Por sikur tregimi për biçikletën, tregimet fiktive vazhdojnë të tregohen dhe të besohen.

Botuar te “Koha Ditore,” 3 mars 2004.