Si të tejkalohet epoka post-zhvillimore?
Prill 16, 2009
Kjo që e jetojmë sot lirisht mund të quhet epoka post-zhvillimore. Ideja mbrapa kësaj është se vetë koncepti i zhvillimit është i vdekur. Sot, kur flitet për “zhvillimin”, fjala është zakonisht për “zhvillimin ekonomik”, të matshëm në terma ekonomik, siç është rritja vjetore e Prodhimit Bruto të Vendit (GDP), apo shkalla e investimeve të jashtme. Ky kuptim i ngushtë i zhvillimit është pasojë e hegjemonisë së doktrinave neoliberale, të promovuara nga një numër ekonomistësh dhe institutesh të ndryshme konservatore dhe agjentëve global të neoliberalizmit siç është Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ai redukton konceptin e zhvillimit në një koncept të pastër ekonomik. Ky është koncepti i zhvillimit që është promovuar edhe në Kosovën e pasluftës.
Sot, pas krizës financiare, shumë nga doktrinat e neoliberalizmit janë diskredituar e në tërheqje e sipër. Neoliberalizmi nuk shihet si zgjidhje, po si një nga fajtorët e krizës aktuale. Vetë Alan Greenspan, ekonomist neoliberal dhe guvernator shumëvjeçar i bankës qëndrore amerikane, në një dëshmi dhënë në Kongresin amerikan deklaroi se politikat që ai kishte promovuar për liberalizmin e tregjeve financiare kishte qenë e gabuar. Me një fjalë, ai pranoi se kishte bërë një gabim ideologjik, që kishte besuar në doktrinën neoliberale që tregu funksionon më së miri kur është i pamonitoruar. Tashmë pranohet nga të gjithë se një nga shkaqet themelore të krizës aktuale financiare, që është ndër më të thellat që nga depresioni i viteve 1930, është liberalizimi i tregjeve financiare dhe lejimi i asaj që bankat të shndërrohen në investitorë institucionalë. Produktet inovative financiare që shpesh njihen si “securitization”, krijuan një zinxhir të madh risqesh ekonomike të lidhura për fatin e tregut të patundshmërive në SHBA. Ky treg dëshmoi të ishte i fryrë artificialisht nga investitorët që kërkonin shkalla të larta të profitit dhe nga bankat që kishin derdhur përqindje të madhe të kapitalit të tyre në investime të këtij lloji, prandaj edhe kolapsi i atij tregu tërhoqi me vete një numër të madh institucionesh të mëdha financiare, disa nga të cilat po shpëtohen vetëm falë ndërhyrjes së qeverive në to me para publike.
Samiti i paradokohshëm i G-20-shit gjithashtu dëshmoi kufijtë e doktrinave neoliberale karshi të të ashtuquajturit “model social” të promovuar nga Evropa kontinentale. Shtetet si Gjermania dhe Franca, që përfaqësojnë varianta të ndryshme të “modelit social”, ku shteti përgjithësisht ka një rol më aktiv në drejtimin ekonomik të vendit, ndjehen moralisht të forcuara tani pas pothuajse një çerek shekulli të ofansivës neoliberale kundër shtetit social. Paradokisht, duket se sot, shtetet kontinentale evropiane, të cilat investojnë në arsim, shëndetsi dhe shërbime tjera sociale, janë në pozitë shumë më të fuqishme që ta përballojnë krizën, se sa vendet si SHBA dhe Britania ku politikat neoliberale janë ndjekur më sistematikisht. Padyshim se tash edhe SHBA gjendet para sfidave të mëdha të ristrukturimit institucional karshi krizës e cila rrezikon implodimin pothuajse total të sistemit financiar, e që me këtë t’i bëjë dëme të riparueshme strukturës ekzistuese ekonomike – për të mos folur për pasojat shoqërore dhe politike të një zhvillimi të tillë. SHBA mund të dalë nga kjo krizë, sikur nga depresioni i 1930-ave, me një sistem ekonomik dhe social krejtësisht të transformuar.
Sidoqoftë, një nga viktimat e epokës neoliberale, ku refren ka qenë i ashtuquajtur “globalizim”, ka qenë edhe koncepti i zhvillimit. E përforcuar edhe nga e ashtuquajtur doktrinë e tolerancës multikulturaliste, zhvillimi bëhet i pamendueshëm si koncept, pasi që intervenimi politik në ndryshimin e strukturave tradicionale shoqërore paraqitet nga kjo doktrinë si një cënim i papranueshëm moral karshi kulturës tjetër. Ideologjia neoliberale post-zhvillimore kështu në mënyrë implicite mbështet esencializmat e fundamentalizmave të ndryshëm kulturor e fetar, duke qenë i pajtueshëm kështu me ideologjinë konservatore: “zhvillim po, por duke ruajtur strukturat tradicionale të shoqërisë!” Për ta ilustruar këtë me një shembull konkret, një propozim i paradokohshëm në Arabinë Saudite kishte propozuar që të ndalohet shfaqja e grave në televizion. Një propozim i tillë është krejt i pranueshëm për doktrinën e tolerancës multikulturaliste sepse ajo na detyron të respektojmë kulturën e tjetrit, pavarësisht se në të gratë kanë status dytësor karshi meshkujve, sepse doktrina e tolerancës liberale multikulturaliste thotë që këtë dukuri duhet ta interpretojmë si një dallim kulturor logjika e të cilit është i pakapshëm nga racionaliteti ynë eurocentrik etj.
Kosova, si vend relativisht i varfër, preket direkt nga kjo doktrinë, sepse ajo dikton formën dhe strategjinë e politikave “zhvillimore”. Kjo shihet qartazi. Që nga krijimi i strukturave të reja administrative e politike në vitin 1999, në Kosovë nuk është zbatuar asnjë lloj politike e mirëfilltë zhvillimore.
Çka është zhvillimi dhe çka është politika zhvillimore? Në kuptimin e parë, zhvillimi është transformim jo vetëm ekonomik, pra nuk është vetëm rritje e thjeshtë e aktiviteteve ekonomike, por transformim dhe modernizim i gjithanshëm i strukturës shoqërore. Zhvillimi nuk është (siç kujtojnë disa naivisht) një proces automatik i historisë. Zhvillimi ka kosto ekonomike, por ka edhe kosto politike dhe kulturore. Ai dikton transformime të gjithanshme të shoqërisë.
Projekti socialist në Kosovë ka qenë pikërisht një proces i tillë zhvillimor. Politikat zhvillimore socialiste (nën shtetin e atëhershëm jugosllav), sidomos kur kanë marrë hov pas viteve 1960, nuk kanë qenë politika të thjeshta për rritjen e aktivitetit ekonomik. Ato kanë qenë politika që kanë synuar, brenda kornizave institucionale të shtetit socialist, transformimin e rrënjësishëm të strukturës shoqërore, duke bërë kalimin aq të nevojshëm nga një shoqëri agrare, analfabete, dhe me organizim shoqëror që reflektonte këtë karakter, në një shoqëri të industrializuar, moderne, me organizim burokratik dhe strukturë të punësimit profesional, e organizuar në bazë të solidariteteve të reja shoqërore dhe profesionale. Krejt kjo, natyrisht, ndodhi nën monpolin politik të partisë komuniste, mirëpo për epokën e vet u dëshmua model i suksesshëm – madje, sipas disa llogarive, modeli socialist i zhvillimit në periudhën fillestare të tij tejkaloi me rritje ekonomike edhe disa shtete relativisht të varfëra të Evropës perëndimore, siç ishin Portugalia, Irlanda dhe Norvegjia, ndërsa kishte bërë që ai të imitohet gjithandej Botës së Tretë të dekolonizuar.
Është absurde që në rrethanat e sotme të kërkohet një përsëritje e modelit socialist të zhvillimit. Por çka mund të bëhet është që të shpëtohet nga ai koncepti i zhvillimit si një transformim i gjithanshëm i strukturës shoqërore, madje në shkallë dhe në përmasa edhe më të gjerë se sa ai socialist, duke përfshirë në të aspektet e injoruara nga ai (si p.sh. standardet mjedisore). Kjo nuk është një ëndërr boshe, meqë vlerën e konceptit “të vjetër” zhvillimor e kanë dëshmuar në vitet e fundit edhe shtetet e suksesshme në pikëpamje ekonomike si Korea Jugore, Brazili dhe India, por edhe shtetet e zhvilluara si Gjermania që nuk duan të heqin dorë nga roli i shtetit në rregullimin ekonomik. Në të gjitha këto raste, shteti luan rol qëndror në zbatimin e politikave zhvillimore, apo (në rastin e Gjermanisë) të makro-menaxhimit të ekonomisë, të sistemit arsimor dhe të tregut të punës. Këto politika, në forma të ndryshme, kombinojnë investimet në njerëz, në infrastrukturë dhe në industritë eksportuese për rritje ekonomike që sjell dobi të gjithanshme shoqërore dhe jo vetëm përvetësimin e mbivlerës nga një grup i vogël oligarkësh duke lënë masën e gjerë të shoqërisë në mjerim social edhe ekonomik.
Kjo është edhe leksion për qeverinë aktuale dhe për ato të ardhshmet në Kosovë. Zhvillimi nuk matet me rritjen e buxhetit publik, me shkallën e rritjes ekonomike dhe me kilometrat e rrugëve të asfalltuara. Zhvillimi matet me efektet e ndjeshme, afatshkurtëra dhe afatgjata që një politikë zhvillimore kryen në transformimin e strukturës shoqërore. Zhvillimi, gjithashtu nënkupton se politikat zhvillimore mund të jenë rrjedhojë e një koncepti të gjerë të zhvillimimit e jo e politikave dhe investimeve ad hoc nga buxheti shtetëror, e një lloj Keynes-ianizmi të investimeve publike pa kokë, që është ajo që shohim sot. Për të mos përmend shkallën e tërheqjes së shtetit nga rregullimi ekonomik, dhe për më tepër synimi për të privatizuar edhe ato pak asete publike që i kanë mbetur Kosovës, siç janë energjetika dhe telekomunikimi. Mbi të gjitha, ekziston nevoja që të distancohemi nga retorika boshe e zhvillimit me të cilat shërbehen grupet aktuale politike. Kjo kërkon që fillimisht të bëjmë të qartë se çka nënkuptojmë me zhvillimin dhe çka presim nga ai, në mënyrë që pastaj të vlerësojmë se sa jemi afër begative të premtuara të tij.
UP si model politik
Shkurt 27, 2009
Më rastin e trazirave të 1968-ës, psikanalisti Jacques Lacan iu kishte drejtuar masave të studentëve italianë që ishin ngritur në protestë: “si subjektë histerikë, ju kërkoni një Master të ri. Dhe do ta keni!” A s’mund të thuhet e njëjta për studentët e Universitetit të Prishtinës? Por, ajo që Lacan-i kishte parë tek studentët italianë të ‘68-ës në sjelljen e tyre kolektive (ata, të paktën, ishin çuar në protesta kundër padrejtësive që përjetonin), për studentët e UP-së mbi dyzet vjet më vonë mund të vihet re në sjelljen e tyre individuale. Sigurisht, në UP bëhen abuzime të mëdha, ka korrupsion të theksuar, nuk zbatohet respekti elementar për dinjitetin e studentit, profesorët mbajnë dhjetëra poste (shumica e tyre qeveritare dhe partiake). Por nuk është e pështirë sjellja e profesorëve, përmes së cilës nuk shprehet asgjë më shumë përveç faktit se në Kosovë, rrënimi bazës institucionale për punë akademike, shkencore dhe pedagogjike, tashmë ka kapërcyer kulmin. Përkundrazi, e pështirë është sjellja e studentëve, që përballojnë dhunën e hapur që i bëhet ardhmërisë së tyre përmes ankesave dhe ofshamave tashmë neveritëse për korrupsionin, shkeljet, padrejtësitë etj. Me një fjalë, reagimi i tyre ndaj padrejtësisë është histerik. A s’është tragjik fakti që nga viti 1999, në UP nuk u vërejt asnjë shkëndi origjinaliteti politik, aspak përpjekje për ndryshimin e gjërave nga ana e studentëve, asnjë lëvizje për ndryshime rrënjësore në UP, si prelud për ndryshime rrënjësore në shoqëri (me përjashtim, mbase, të lëvizjës jetëshkurtër “Tjetërqysh”)? Është e qartë se tashmë UP është përtej ndryshimeve, përtej reformave. Kjo sepse UP-ja nuk shpreh vetëm realitetin e një universiteti, ai shpreh një realitet shoqëror. Ajo që shohim në UP është arritja e një gjendje të re homeostatike, një balansi të ri forcash, një forme të re e dominimit strukturor.
UP-ja na paraqitet si modeli i ri politik – ajo që shohim aty s’është gjë tjetër vetëm se funksionimi i këtij modeli në praktikë. Pushteti abuzon dhe përdhunon, deri në shkallën sa shkelja e çdo norme është normalizuar. Kurse viktima e këtij abuzimi dhe përdhunimi, viktima që paguan dhe do ta paguaj në vazhdimësi çmimin e shkeljeve dhe përdhunimeve, ofshan, ankohet, dhe aspak fshehurazi. Drama e vërtetë e pushtetit të korruptuar nuk janë vetë aktet e pështira të pushtetit, por është shndërrimi i ofshamës dhe ankesës së viktimave të tij në spektakël, në paradigmën kulturore të shoqërisë. Me një fjalë, është adaptimi nga të dominuarit i pozicionit të subjektit histerik. Në dallim prej Freud-it, që histerinë e përkufizoi nga aspekti i tij simptomatik (dhembje dhe paraliza trupore pa një shkak të dukshëm fizik, shkëputja e egos nga imago e trupit etj.), Lacan-i e përkufizon histerinë si strukturë, si marrëdhënie që subjekti ka me rendin simbolik. Si e tillë, histeria është problemi i pozicionit të subjektit në rendin seksual; histeriku përballet me një dramë të përhershme ekzistencialiste, ai përherë pyet vetën, “jam mashkull apo femër?” Si strategji përballjeje me këtë pasiguri të pozicionit të tij në rendin simbolik, subjekti histerik identifikohet tërësisht me dëshirën e Tjetrit – siç argumenton Lacan duke shfrytëzuar rastin e pacientës së Freud-it Dora, histeriku do ta mbajë gjallë dëshirën e Tjetrit, por nuk do të jetë vetë objekt i asaj dëshire, sepse një gjë e tillë është mbytëse për egon e tij. Nuk është pra, që subjekti histerik ankohet për padrejtësinë e Master-it sepse do ta ndryshojë sjelljen e tij; ai ankohet sepse do ta mbajë të gjallë dëshirën e Master-it për dominim. Ai ankohet me qëllim që ankesa e tij ta ushqejë fantazinë e Masterit për dominim, t’ia bëjë me dije Master-it se ajo që bën është pjesë e jouissance-es (kënaqjes) së tij – e ngjashme kjo me femrën që do ta kryejë aktin seksual me një mashkull, por që, për shkak të normave shoqërore që lehtësinë e pranimit të aktit seksual nga femra e cilësojnë si kurvëri, pajtimin për aktin seksual ajo ia shpreh jo përmes mohimeve – “jo, nuk dua!” (që ushqen fantazinë mashkullore për dhunimin si një akt të kërkuar dhe të pëlqyer nga femra – “nuk e dhunova unë, ajo vetë donte!”). Prandaj dhe ankesat dhe ofshamat e histerikut nuk janë të fshehta (siç janë ato të neurotikut obsesiv), ato janë të hapta, të bëra publikisht, të shpallura deklarativisht sepse për histerikun është me rëndësi që Master-i ta dëgjojë ankesën e tij. Kjo është pjesë e jouissance-ës (kënaqjes) së tij, kjo është simptoma e nevojës që histeriku ta ndjejë vetën përherë si viktimë dhe ta luaj këtë rol karshi Master-it, nga vetë fakti se subjekti histerik nuk mund ta përjetojë vetën ndryshe përpos si viktimë.
Struktura histerike është strukturë e varur nga dominimi – funksioni i diskursit histerik, drama e ofshamave dhe ankesave të pangopshme, është që ta mirëmbajë raportin e dominimit, jo që ta përmbys atë. Studenti prototipik i UP-së, që ankohet për gjithkë dhe gjithçka në UP, ofshan dhe ankohet jo pse do ta përmbysë realitetin që sheh, por shpreh simptomatikisht formën politike që ai realitet përmban. Dhe pse të mos e zbërthejmë këtë formë të realitetit politik duke u nisur pikërisht nga UP-ja, pasi që dikur ishin studentët e UP-së ata që konsideroheshin popullata më subverzive politike. Nga bërthama e subverzionit politik dhe ideologjik, UP-ja është shndërruar në makineri të prodhimit të subjekteve histerike – shprehje kjo e një procesi të përgjithshëm kulturor që vërehet gjithandej. Pozicioni histerik është tashmë pozicioni i gjeneralizuar: dikur, të ankoheshe kundër pushtetit ishte krim i dënueshëm me burg; sot, të ankohesh kundër pushtetit është ushtrim i përditshëm, deri në shkallën e një obligimi shoqëror. Mbase, përderisa subjekti obsesiv ishte pozicioni dominant i totalitarizmit (ku mbizotëronte konspiracioni, dhuna e fshehtë, dosjet sekrete, ku pushteti merrte vendime të mëdha mbrapa skenës përderisa publikisht kultivohej një imazh i caktuar ideologjik etj.), mund të thuhet se subjekti histerik është pozicioni dominant i kapitalizmit të sotëm (ku mbizotëron spektalki, ku vjedhjet dhe korrupsioni janë publik, ku ka vetëm administrim dhe jo më ideologji, ku masa kryesore e shkallës së tragjedive botërore janë lëvizjet e tregjeve globale financiare etj.). Modeli politik i ndërtuar mbi këtë subjekt vepron në Kosovë, por në formën që ia ka përcaktuar historia e tij e veçantë.
Pozicioni histerik nuk ka të bëjë vetëm me shprehjen e realitetit të viktimizimit; përkundrazi, të qenit i viktimizuar është pjesë normale të qenit student i UP-së. Përvetësimi i pozicionit histerik lehtëson përjetimin e të qenit i pafuqishëm; gjeneralizimi i histerisë ndodh njëkohësisht me gjeneralizimin e pafuqisë si normalitet i të qenit qytetar, i shndërrimit në objekt pasiv (në kuptimin e plotë administrativ të fjalës) të pushtetit dhe, njëkohësisht, në subjekt aktiv që legjitimon këtë gjendje.
Por, kjo dukuri, përveç që shpreh këtë lloj logjike shoqërore, ka gjithashtu funksion institucional. UP-ja tashmë, nga një institucion universitar, është shndërruar në një makineri mobilizimi partiak. Dallimi midis pushtetit, kryesive partiake dhe profesoriatit është vetëm dallim formal – në praktikën substanciale, ata janë pjesë e së njëjtës strukturë. Një nga pikëpamjet e sociologut Karl Mannheim për partitë politike ishte se secila parti, me vetë organizimin e vet në strukturë të qëndrueshme hierarkike, zhvillon edhe inteligjencën e saj, intelektualët e vet partiakë. Kjo nuk vlen në Kosovë: partitë nuk kanë inteligjenci, nuk kanë intelektualë – legjitimitetin intelektual ato e huazojnë nga UP-ja, e cila tashmë institucionalisht është shkrirë dhe integruar si pjesë e subordinuar e partive politike. Krerët e partive politike, përmes pushtetit politik dhe atij arsimor që kanë monopolizuar, ndërtojnë konformitet ndaj partitokracisë. Partitokracia kështu shfrytëzon nevojën ekonomike për të prodhuar konformizëm masiv: për studentët që nuk vijnë nga famije ekonomikisht të privilegjuara, partia është i vetmi shpëtim i tyre; karriera e tyre e vetme e mundshme është jo në një ndërmarrje, por në parti, e përmes partisë në pushtet: fillimisht si pjesëtar i hierarkisë së organizatave studentore e rinore, më vonë si anëtar i kuvendit të përgjithshëm të partisë – me shpresën se kjo është rruga që çon në pushtimin e majave të pushtetit. Pushteti ushtron tiraninë e konformizmit duke ofruar vetën si shpëtim nga tmerri që ai vetë shkakton: je viktimë? Ka zgjidhje: bëhu edhe ti pjesë e strukturës, bëhu edhe ti pjesë e hierarkisë, ku është gjithmonë më mirë të jesh atje lart se këtu poshtë. Si mund të jetë ndryshe? Po ata që dikur ishin studentë në UP dhe ankoheshin për padrejtësitë, sot janë asistentë e profesorë në atë universitet, të tjerët ngjiten në poste pushteti, duke bërë po ato për të cilat ankoheshin dikur. Që t’i ikesh dhunës dhe abuzimeve duhet që ti vetë të bëhesh dhunuesi dhe abuzuesi.
Kjo është arsyeja e vërtetë pse në UP për gati një dekadë nuk pamë as më të voglën shenjë revolte, as shkëndijen më të vogël të një lëvizjeje shoqërore: përmes kësaj strukture institucionale që shfrytëzon terrorin që përbën deklasimi social dhe ekonomik (pikërisht në mënyrën se si deklasohet, në mënyrën më brutale dhe poshtëruese, ai që merr diplomë dhe përfundon i papunë), kultivohet shpresa e zgjidhjes individuale, duke e ofruar zgjidhjen individuale në formën e partitokracisë. Ambicia partiake për pushtet gjeneron si nënprodukt ambicien personale për pushtetmbajtje, shpresa për pushtetin dhe lidhja me njerëzit e pushtetit ofrohet si e vetmja formë shpëtimi nga terrori i deklasimit. Kështu pra, nga makro-struktura kalojmë në atë që Felix Guattari e quan mikro-fizikë të pushtetit: pushteti vepron në shkallë të vogël, në kapjen dhe orientimin e dëshirave individuale, në zbrapsjen e potencialit mobilizues duke e përvetësuar atë për vete, drejt qëllimeve të synuara nga ajo. Histeria pra nuk është shprehje thjesht e një konfiguracioni psikik. Përkundrazi, ajo gjenerohet në mënyrë strukturore ndërsa shpreh mungesën kolektive të vullnetit për t’u ballafaquar me realitetin që rutinizon dhe banalizon revoltën ndërsa shndërron në normë grumbullin e padrejtësive të vogla që bashkë krijojnë padrejtësitë sistemike.
Botuar te Koha Ditore, 27 shkurt 2009
Disa shënime nga tetori 2007
Gusht 30, 2008
Po i botoj këto shënime pasi ngrisin disa çështje që akoma mbesin të rëndësishme edhe sot. Këto janë shënime të pabotuara nga tetori 2007, katër muaj para shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Ekziston gjithmonë mundësia që të dëshmojmë ndonjë kthesë të paparashikueshme në Kremlin. Presidenti rus Putin, kohëve të fundit ka filluar të bëhët i njohur për gjeste të tilla. P.sh., Putini befasoi edhe njerëzit e rrethit të tij të ngushtë politik me kandidatin që propozoi për kryeministër, duke anashkaluar dy kandidatë favoritë. Apo, këto ditë ai deklaroi se karriera e tij politike mund të mos përfundojë pas skadimit të mandatit të tij si president. Ai sugjeroi se pas zgjedhjeve në Rusi, që do të mbahen vitin që vjen, mund të rikthehet në postin e kryeministrit. Por qëndrimi rus ndaj Kosovës zor se do të marrë një kthesë të tillë. Prandaj llogaria se shkëputja e Kosovës nga Serbia mund të bëhet me një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-ve tashmë bie përfundimisht në ujë. Cili është atëherë hesapi politik për pavarësinë formale të Kosovës? Është e qartë se kjo gjë, nëse ndodh, mund të ndodh vetëm në mënyrë të njëanshme. Mediat ndërkombëtare, ndër to edhe New York Times, njoftojnë se diplomacia evropiane ka filluar, mbase me shtytjen franceze, të llogarisë në shpalljen e njëanshme të pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës. Qëndrimi këmbëngulës amerikan për pavarësinë krijon bindshëm përshtypjen se SHBA-të nuk janë kundër njohjes bilaterale të Kosovës si shtet i pavarur. Prandaj barra kryesore e tie-breaker-it në këtë situatë të komplikuar diplomatike është vendimi evropian për ta mbështetur njohjen e njëanshme të pavarësisë.
Çfarë do të thotë kjo? Një gjë është e qartë. Nxitimi i disa qarqeve institucionale, qeveritare e jo-qeveritare, për t’u marrë me problemin “çka pas statusit”, doli se ishte paksa i nxituar. Sepse problemi themelor politik sot nuk kishte qenë çka pas statusit (që këta të pas-statusit e merrnin si një çështje të kryer), por çka deri te statusi. Apo, më saktësisht, çka deri te pavarësia? Dallimi midis këtyre dy pyetjeve nuk është thjesht semantik. Vetë formulimi i pyetjes i shtron premisat e zgjidhjes. “Statusi” është kuptuar (dhe vazhdon të kuptohet) si një çështje formalo-juridike, si një njohje që i vjen Kosovës nga sipër, nga jashtë. “Pavarësia” ndërkaq, në kuptimin më fundamental të tij, nuk përbën vetëm njohje nga jashtë, por edhe një mëvetësi cilësore politike për një shoqëri që të gëzojë mjetet institucionale të përcaktimit të vetë fatit të saj kolektiv. Kurse mëvetësia politike është diçka që arrihet me veprime, jo diçka që kurorëzohet me bekim nga sipër. Por mos të ndalemi tek finesat filozofike, sepse problemi vazhdon të jetë politik. Kurse pafytyrësia e Serbisë dhe shuplakat e Rusisë mbase kanë qenë një këndellje serioze për opinionin kosovar për domethënien e vërtetë të politikës. Politika nuk është mbizotërimi i koncenzusit, i arritjes së gjërave me pëlqim të gjithanshem, i kënaqjes së secilës palë. Në fund, politika ka qenë dhe mbetët akt i rrëmbimit të asaj që të takon.
Por cilat janë problemet që paraqiten në situatën e shpalljes së njëanshme dhe njohjes bilaterale nga shtete të veçanta? Edhe në situatën e shpalljes së njëanshme, problemi themelor i diplomacisë perëndimore mbetët kontrolli mbi situatën në terren. Çka mund të ndodh në ditën që Kuvendi i Kosovës e shpall pavarësinë e Kosovës? Cili do të jetë, në radhë të parë, reagimi i Rusisë? A do të kundërpërgjigjet Rusia me njohjen e provincave secesioniste në Gjeorgji e Moldovë? Cilat do të jenë implikimet e njohjes së Kosovës për marrëdhëniet ruso-evropiane dhe ruso-amerikane? Por për Kosovën këto çështje janë më pak të rëndësishme. Më e rëndësishme është, cili do të jetë reagimi i Serbisë? Mund të llogarisim pa shumë mëdyshje se reagimi serb nuk do të jetë drejtpërsëdrejti ushtarak. Jo pse Serbisë i dhimbsen shqiptarët, por sepse një konfrontim ushtarak me NATO-n do të ishte një akt auto-destruktiv për Serbinë. Lidershipi në Beograd, megjithëse ka ngritur kokë mjaft, nuk është aq i çmendur që ta dëshirojë skenarin e një lufte të re me NATO-n. Por Serbia ka mjete tjera në dorë. Veprimi i parë i Serbisë do të jetë sipas të gjitha gjasave vendosja e një bllokade ekonomike kundër Kosovës, duke mbyllur qarkullimin për mallra përmes kufirit Kosovë-Serbi. Serbia gjithashtu do të shfrytëzojë arsenalin e saj të mbetur diplomatik, duke dërguar nota proteste dhe duke kërkuar mbështetjen e Rusisë dhe Kinës për mosnjohjen e Kosovës dhe mospranimin e saj si anëtare të OKB-së.
Në anën tjetër, reagimi politik i serbëve të Kosovës nuk është aq i qartë. Veriu mbi Ibër ka gjasa që të veprojë politikisht në mënyrë të mëvetshme, duke mos e njohur jurisdiksionin e pushtetit në Prishtinë (i cili ashtu-kështu nuk ushtron ndonjë autoritet në këtë territor). Pa asnjë dyshim kjo zonë do të vazhdojë të mbetët një problem afatgjatë për Kosovën dhe për rajonin. Por cili do të jetë reagimi i serbëve nën Ibrin? A do të ndjekin ata një skenar të ngjashëm me atë që mund të ndodh në veri, apo do të pajtohen me fatin, duke parë shpëtimin e tyre tek decentralizimi i Planit të Ahtisaarit dhe zënien e vendeve të rezervuara në institucionet në Prishtinë? Çka do të ndodh në rast të ndonjë incidenti nëpër zonat e banuara me serbë, i cili mund të provokojë ndonjë reaksion masiv të popullatës shqiptare, të krahasueshëm me atë të marsit 2004? Në një situatë të tillë, kush do të mund të intervenojë që ta kontrollojë situatën?
Në dallim prej njeriut, i cili lindë dhe vjen në këtë botë i papajisur me kapacitetet për ta siguruar mbijetesën e vet pa kujdesin dhe mbështetjen e të tjerëve, shtetet e reja, dhe sidomos ato që krijohen në rrethana konflituoze, testohen mu në momentin e lindjes. Paradoksalisht, që të bëhet shtet, Kosova duhet të jetë shtet në momentit që shpall vetën si të tillë. Llogaria aktuale politike është bythësëprapi – ta shpallim shtetin, të na njihet, pastaj (sigurisht me ndihmën e miqëve) do ta bëjmë! Kjo logjikë është e rrezikshme, aq sa është politikisht e papërgjegjshme. Sigurisht se roli i Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare është i neglizhueshëm. Por roli i institucioneve politike kosovare brenda Kosovës është kyç. Në momentin që Kosova ka hasur në një bllokadë diplomatike për statusin e saj, ajo është dashur ta fillojë rrugën e kompletimit të kornizës institucionale të një shteti sovran. Periudha e ndërmjetme përbën një oportunitet për të bërë hapa konkret drejt vendosjes së themeleve të një pushteti autoritativ me kapacitete të plota të kontrollit të gjendjes në terren kundrejt çfarëdo situate kontigjente. Por fatkeqsisht, në vend të kësaj ne kemi një kryeministër dhe ministër të Punëve të Brendshme që dëshmojnë pafuqinë e tyre duke dalur dhe protestuar bashkë me qytetarët kundër dukurive që ata kanë për detyrë normative dhe morale (nëse jo krejt kushtetuese dhe ligjore brenda suazave të kompetencave të rezervuara nga UNMIK-u) që t’i luftojnë. Me gjasë, nesër, edhe kur veriu i Kosovës shpall shkëputjen e tij nga territori administrativ i Kosovës, këta mbase po njëjtë do të dalin në rrugë me pankarta në duar. Mos kjo ndoshta është motivi pse qeveria dhe partitë politike me kaq komoditet vëzhgojnë persekutimin që i bëhet Albin Kurtit nga gjyqësia e UNMIK-ut – nuk është se ata duan eliminimin e tij nga skena për shkak të kërcënimit që ai paraqet, por për shkak se duan t’ia zënë vendin, duke dalur ata në vend të tij për t’i udhëhequr protestat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe duke denoncuar institucionet të cilat ata vetë i takojnë. Nejse, nuk dua të bëhem krejt banal, por fantazitë e këtilla gravitojnë jo larg realitetit në Kosovën e sotme.
Sido që të jetë, problemi që shtrohet sot nuk është, a ka mbështetje ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës, sepse mbështetje ka. Gjërat, në këtë rrafsh, tashmë janë të qarta. Problemi prandaj është, a është në gjendje Kosova ta trasojë rrugën e vet drejt pavarësisë së saj. Qytetarët e Kosovës, por në radhë të parë Kuvendi dhe qeveria e saj, me këtë përbërje apo me ndonjë tjetër, duhet të jenë të gatshëm jo vetëm që ta festojnë shpalljen e pavarësisë, por edhe ta marrin mbi vete një përgjegjësi historike për atë se çfarë do të bëhet me Kosovën në minutat, orët dhe ditët pas shpalljes së pavarësisë. Testi i vërtetë politik dhe institucional është jo vetë shpallja, por momenti pas shpalljes. Por në të njëjtën kohë, veprimi i guximshëm i Kosovës drejt mëvetësimit të saj përbën gjithashtu shansën për t’ia kthyer përgjithmonë dinjitetin këtij populli të viktimizuar e gjunjëzuar, dhe momentin kur ai do t’ia dëshmojë vetëvetes se pavarësia nuk është diçka që ishte merituar me vuajtje, me viktimizim, apo me sjellje të mirë, por ardhja e një gjëje, jetësimi i së cilës nuk mund më të presë.
Ideologjia dhe totemizmi në politikën kosovare
Qershor 2, 2008
Në vitet e fundit, është shtruar shpesh problemi i ideologjisë në Kosovë. Disa amatorë të filozofisë tashmë e kanë shpallur gjendjen e sotme historike si post-ideologjike, ndërkohë që problemet politike paraqiten kryesisht si probleme teknike; grupe të caktuara shoqërore, proto-intelektualë të mediave dhe të shoqërisë civile, kanë përqafuar doktrinat e neoliberalizmit, shpesh në kombinim me tezën naive fukuyamiste për fundin e historisë; ndërkohë që partitë, atëherë kur janë marrë seriozisht me ideologjinë, kanë përqafuar orientime nominale dhe jopërmbajtsore të djathta apo të majta (dhe gjithnjë afër qendrës).
Në fakt, në rrafshin politik, të gjitha këto janë vlerësime të sakta. Post-ideologjia është pjesërisht produkt i degradimit institutional dhe kulturor të filozofisë; ndërkohë që proto-intelektualët e shoqërisë civile, oportunizmit të tyre shkurtpamës ia kanë veshur një petk filozofik, ndërsa fundin e historisë e kanë pranuar si zëvendësim për injorancën e tyre ndaj saj; partitë kanë pranuar tezën e fundit të ideologjisë jo nga ndonjë bindje e thellë, por si kompenzim për shpronësimin e tyre nga mjetet e prodhimit ideologjik. Të zhveshura nga ideologjia (madje edhe doktrinat e vjetra nacionaliste tashmë, me censurë zyrtare, po dëbohen nga fusha politike), partitë kosovare, për ndërtimin e identitetit të tyre, detyrohen t’i kthehen formave më elementare të ruajtjes së kohezionit shoqëror; jo ideologjia por totemizmi është ajo që i karakterizon ato.
Të zhveshura nga identiteti ideologjik – rrjedhimisht, edhe nga identiteti shoqëror – partitë e sotme politike janë edhe pa identitet politik. Partitë e sotme i identifikon vetëm raporti i tyre me pushtetin: është ky apo ai në pushtet? Por politikisht, të gjitha partitë janë të lira të pretendojnë se përfaqësojnë gjithkë dhe gjithçka, sepse nuk përfaqësojnë askë konkretisht dhe asgjë politikisht. Deri rishtas të gjitha partitë identifikoheshin me kërkesën për pavarësi, por ky emblem politik tashmë është shpenzuar. Mungesa e bazës shoqërore që i bën ato përfaqësuese të një interesi dhe i jep atyre një identitet politik, i shtyn partitë që identitetin e tyre ta realizojnë në forma të tërthorta, duke anashkaluar tërësisht identifikimet sociale dhe klasore, madje edhe ato nacionale. Për ta legjitimuar vetëvetën si grupime politike, ato i kthehen niveleve më tradicionale, më primordiale, duke kërkuar nga ato që t’i furnizojnë me petkat dhe simbolet që do t’i mbartin në kryëzatat e tyre drejt integrimit në strukturat e kapitalizmit Evro-Atlantik. Politika kosovare vërtetë ka tejkaluar ideologjinë, por ajo nuk ka shkuar përtej ideologjisë; ajo është përfundi saj. Në vend të ideologjisë, politika kosovare shërbehet me totemë.
Siç mësojmë nga studimet e Levi-Strauss-it të shoqërive primitive, totemët që grupet zgjedhin si shenjë përfaqësimi të vetës si grup, janë reflektim i sistemit të klasifikimeve që ata përdorin për ta organizuar rendin shoqëror. Për shembull, në mesin e disa popullatave autoktone të Amerikës Veriore, emrat e fiseve merreshin nga emrat e kafshëve, ndërsa kafshet, bimët apo elementet tjera nga natyra shërbenin si shenja që identifikonin grupin. Nga besimtarët e tyre, totemët konsiderohen të shenjtë. Sipas Durkheim-it, totemi nuk është thjesht objekt; ai përbën, përkundrazi, një koncept, apo, siç e quan Durkheim-i, një përfytyrim kolektiv, i cili jo vetëm simbolizon grupin, por përmes të cilit ai zhvillon ekzistencën si grup. Totemi pra, qoftë ajo një kafshë apo bimë e shenjtë, nuk është objekt i rëndomtë apo i rastit, as nuk është shprehje e irracionalitetit të mendjes primitive që idolizon sendet e natyrës; përkundrazi, ai është emblem që përfaqëson grupin në ekzistencën e tij kolektive. Grupi ekziston përmes totemit, ai njeh veten përmes tij, prandaj dhe totemi i takon sferës së objekteve të shenjta.
Sipas Levi-Strauss-it, në shoqëritë primitive, logjika e organizimit totemik përkon me logjikën e organizimit shoqëror. Totemët kështu determinojnë kufijtë e grupit, mundësitë dhe pamundësitë e lidhjeve që grupet mund të krijojnë me njëra-tjetrën (përmes martesave), aleancat, miqësitë dhe armiqësitë. Në disa shoqëri, pjesëtarët e grupeve mishëronin atë që përfaqëson totemi: p.sh. në mesin e një popullate të caktuar, pjesëtarët e fisit Rakun jetonin nga peshkimi dhe frutat e egra, ata të fisit Puma jetonin në mal dhe jetonin nga gjuetia, ata të fisit Maca e Egër flinin ditën ndërsa natën dilnin në gjah pasi që konsiderohej se kishin sy të mprehtë etj. Përmes totemëve, fiset ndërtojnë koherencën e tyre si grup, formojnë identitetin e tyre grupor, ndërsa dallimi në mes të totemëve simbolizon njëkohësisht dallimin e tyre nga fisi tjetër.
Nuk është kritika moderne e ideologjisë, por logjika primitive e totemëve që shpjegon sistemin e identifikimeve partiake në Kosovë. Sistemi i identifikimeve partiake në Kosovë i ngjan identifikimeve totemike të grupeve primitive, me dallimin që totemët që i shfrytëzojnë partitë kosovare nuk i marrin nga natyra, por nga shoqëria; më saktësisht, nga familja. Klasifikimi i partive kosovare kështu i përngjan një klasifikimi gjenealogjik, edhe pse fjala nuk është për lidhje gjaku, por për lidhje grupore politike.
Për çka është fjala konkretisht? Partitë në Kosovë nuk i dallon ideologjia e as interesat e caktuara shoqërore që ata përfaqësojnë. Jo, ata i dallon në radhë të parë identifikimi me një emër familjar. Emri familjar është në themel të partisë; ai garanton legjitimitetin e saj, ndërsa është shumëfish më i vlefshëm se çfarëdo përcaktimi programor, që edhe nga kreu i lartë i partisë konsiderohet hiç më tepër se një dokument formal. Disa janë habitur se si me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, për të pranishmit, më e rëndësishme ishte përmendja e emrave të caktuar familjarë, se sa substanca politike dhe formalo-juridike e aktit. Por kjo sjellje e pakuptimtë në aspektin politik sqarohet kur merret parasysh aspekti i ritualit totemik. Fiset primitive idolizojnë totemët e tyre, qoftë ajo edhe një macë apo një pemë, dhe i konsiderojnë ata të shenjtë, edhe pse mund të mos kenë ndonjë shpjegim racional për lidhjen e tyre me to. Kjo ndodh sepse aspekti ritualistik i totemëve është i lidhur fundamentalisht me legjitimitetin e ekzistencës së tyre si grup. Pra fjala është për lidhje mitike, ashtu siç partitë kosovare kanë ndërtuar lidhje mitike me familje të caktuara. Duke i mitizuar familjet, partitë mitizojnë edhe vetëvetën e tyre duke zhdukur gjurmët historike të tyre dhe duke i zëvendësuar ato me mite burimore ku ato mund të gjejnë kuptimin parësor të ekzistencës së tyre si grup moral. Dhe partitë politike janë gjithmonë në radhë të parë bashkime morale: asnjë parti nuk mund të ekzistojë vetëm nga interesi i ngushtë, nga paraja, apo nga patronazhi. Paradoksi i partisë është anëtarët dhe krerët e tyre domodoshmërisht besojnë se bashkimi i tyre ka një rëndësi shoqërore dhe historike, pavarësisht nëse në praktikë konkrete, pjesëtarët e saj pjesën më të madhe të kohës e kalojnë në ndjekjen e interesave të ndryshme të ngushta, në afera korruptive, në manipulimin e së vërtetës etj.
Jo nga një ideologji politike që shpreh një pozicion shoqëror, por nga ideologjia patriarkale e familjes që shpreh një pozicion pseudo-gjenealogjik, partitë nxjerrin legjitimitetin fundamental të ekzistencës së tyre. Familja nuk është ideologji politike (siç është shpesh p.sh. në ideologjitë moderne konservatore), por është politika që është kthyer në ideologji familjare. Pra, fjala nuk është për një lidhje përmbajtësore: identifikimi me familje nuk ka të bëjë me marrëdhëniet e solidaritetit vëllazëror që ato duan të ndërtojnë në shoqëri, që kanë si model marrëdhëniet familjare, por me identifikimet e veçanta që ato nxjerrin nga familjet, që janë dhe vlera që ato pretendojnë të përfaqësojnë shoqërisht. Të zhveshura nga përmbajtja ideologjike, partitë ringjallin primordializmin e emrit familjar në mënyrë që të huazojnë nga ai mjetet simbolike për ruajtjen e kohezionit të brendshëm dhe shprehjen e dallimit të jashtëm nga të tjerët.
Rendi familjar kështu përbën bazën mbi të cilën partitë ndërtojnë koherencën e tyre ideologjike, sepse ato konceptojnë vetën si një shprehje politike e të bëmave që karakterizojnë familjet me të cilat identifikohen (qoftë ajo sakrifica, trimëria, mençuria, pasuria etj.). Por përmbajtja e veçantë e vlerës që duhet të përfaqësojë çdo familje është më pak e rëndësishme, sepse fjala nuk është për një normë detyruese. Përmbajtja e caktuar e vlerës që përfaqëson akëcila familje nuk është me rëndësi primare, madje ato nuk janë as fikse sepse fjala është për objekte shoqërore, interpretimi i të cilëve është i ndryshueshëm. Më e rëndësishme se sa përmbajtja e vlerës është forma e identifikimit me këto vlera. Vetë identifikimi me familjen si burim i moralit individual dhe kolektiv tregon për homologjinë midis rendit familjar dhe rendit partiak – pikërisht ashtu siç Levi-Strauss kishte vënë re homologjinë midis rendit natyror të kafshëve dhe rendit shoqëror të fiseve në shoqëritë e vogla arkaike të Amerikës Veriore. Partia nuk merr nga familja vetëm identifikimin e vet totemik (të emrit, të vlerës së veçantë etj.), por identifikohet edhe me strukturën e saj patriarkale. Autoriteti partiak kështu është homologjik me autoritetin patriarkal në familje, hierarkia familjare e barazvlefshme me hierarkinë partiake. Siç e kishte vënë re Levi-Strauss, aleancat midis fiseve kryhen përmes shkëmbimit të femrave, pra, përmes martesës; aleancat midis partive kryhen përmes shkembimit të posteve shtetërore (mbase s’është krejt rastësi vepra e dezajnerit satirist Xenini, që formimin e koalicionit PDK-LDK e përfaqësoi përmes ritushimit të reklamës së ProCredit bankës ku shfaqet një çift i sapomartuar, me Hashim Thaçin si burrin dhe Fatmir Sejdiun si gruan).
Identifikimi i partive me familje prandaj ka një funksion tjetër shoqëror, që është huazimi nga familja i formës së lojalitetit politik. Forma e lojalitetit politik që përhapet nga ky identifikim, nuk është forma e solidaritet shoqëror të një republike qytetare, por e atij lloj detyrimi që fëmijet ia kanë babait. Ritualet kryesore politike tashmë nuk janë asgjë më shumë se sa rituale respekti ndaj Babait të familjes, prandaj dhe ritualet kryesore politike në Kosovë sot bëhen pranë varrezave…
Sipas kësaj strukture, obligimi politik përjetohet si borxh që secili ia ka Babës, Bacit, Dajës së Madh, autoritet që ka partitë si instrument imponimi në marrëdhëniet shoqërore e që e perverton familjen duke e kthyer atë në instrument politik. Ky konservatorizëm i gjithanshëm që thekson autoritetin patriarkal nuk është i rastësishëm, sepse është krejt ideologjik: lojaliteti i formës familjare kërkohet nga politika në kohën kur vetë ajo i kontribon shkatërrimit të familjes përmes pushtetit të saj mbi jetën ekonomike, mbi mundësitë e jetesës që përbëjnë bazën e ekzistencës së familjes në kuptimin e saj material. Totemizmi politik familjar përqafohet mu atëherë kur familja si koncept shoqëror gjendet në rrezikun e saj më të madh, si pasojë e presioneve të jashtëzakonshme ekonomike. Totemizmi politik familjar ndërton modelin e lojalitetit politik: lojaliteti nga ana e gjinisë bëhet zëvendësim për mungesën e solidaritetit nga ana e qytetarisë. Primordializmi kulturor i politikës kosovare arrin në shkallë të reja: për të, as etnia më nuk mjafton si bazë e veprimit politik, gjë që trazon thellë shpirtrat e akademikëve tanë nacionalist, që i kanë shpallë luftë biblike mullirit të erës që quhet identitet kosovar: ideologjia dominante tashmë ka shkuar përtej (apo, më mirë të themi, përfundi) etnisë dhe kombit, ajo imponon tribalizmin familjar si shenjë identifikimi politik. Për politikën e re kosovare, vula e fisit është simbol më i fuqishëm se sa flamuri i një populli, qytetaria e vlefshme vetëm përderisa ajo përkon me modelin e disciplinës patriarkale të Babës, lideri politik i mirë përderisa mishëron aftësitë Atësore të një Babe të Madh. Mirëpo, me këtë, totemizmi politik familjar nuk duhet të interpretohet si shenjë e fuqisë. Përkundrazi, shfaqja e tij është shprehje e krizës së thellë të autoritetit që ka kapluar këtë klasë politike dhe impotencës së saj të thellë për të vepruar politikisht. Vetëm në kohëra krize, njerëzit e luftojnë ankthin e pritjes duke kërkuar nga thesaret e arkaikës maskat e vjetra, simbolet e lashta dhe flamujt antikë që t’i japin njëfarë kuptimi dramës së tyre historike.
Botuar te Koha Ditore, 1 qershor 2008
Përgjigja e Shkëlzen Gashit
Qershor 2, 2008
Në vijim është përgjigja e Shkëlzen Gashit në debatin tonë rreth sovranitetit pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të botuar nga Koha Ditore. Më poshtë mund ta lexoni të plotë krejt debatin, duke filluar nga shkrimi i parë i Shkëlzenit lidhur me këtë temë. Kërkoj ndjesë nga Shkëlzeni dhe nga lexuesit për postimin tepër të vonë të këtij artikulli.
Sovraniteti i Serbisë dhe sovraniteti i Kosovës
Nga Shkëlzen Gashi
Me dostin tim, Besnik Pulën, jemi dakord se Deklarata e Pavarësisë është Deklaratë e Varësisë për sa i përket ushtrimit efektiv të sovranitetit të brendshëm, jo vetëm për shkak të të ashtuquajturave struktura paralele serbe, por edhe për shkak të kompetencave perandorake që do të ketë PCN-ja. Merreni me mend, në Kushtetutën e Kosovës, më saktësisht në nenin 143, thuhet se në rast të kontradiktës mes Kushtetutës së Kosovës dhe Pakos së Martti Ahtisaarit, do të mbizotërojë kjo e fundit, që do të thotë se Pakoja e Martti Ahtisaarit do të jetë Kushtetuta e Kosovës. Sidoqoftë, çështja ku Besniku dhe unë po dallojmë, ka të bëjë me mbetjen e sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën si tërësi. Në përgjigjen time ndaj përgjigjes së Besnikut, unë argumentova se sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën si tërësi do të jetë shumë i sofistikuar, ndërsa Besniku, në përgjigjen e tij ndaj përgjigjes sime, kryesisht i kualifikoi argumentet e mia si absurde dhe të pabaza. Sido që të jetë, në këtë përgjigje, kryesisht do të fokusohem në përforcimin e argumenteve të mia për sofistikueshmërinë e sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën si tërësi.
Është e saktë se për të ekzistuar efektivisht një shtet sovran, i duhen pushteti brenda territorit dhe njohja ndërkombëtare. Afërsisht 1/3 e territorit të Kosovës kontrollohet në njëfarë mënyre nga Serbia, kurse afërsisht ¾ e territorit të Kosovës kontrollohet nga Prania Ushtarake Ndërkombëtare dhe Prania Civile Ndërkombëtare. Pra, Qeveria e Kosovës nuk ka pushtet sovran në territorin e Kosovës. Të mos harrojmë se UNMIK-u ende ka pushtet në polici, drejtësi, dogana… Po ashtu, Rezoluta 1244 ende është në fuqi dhe, për më shumë, nëse Rezoluta 1244 nuk shfuqizohet më 10 qershor 2008, atëherë, mandati i saj automatikisht zgjatet edhe për një vit. Kurse, në anën tjetër, sa i përket aspektit të dytë, njohjes ndërkombëtare, duhet thënë se ajo ia anulon Serbisë sovranitetin ndërkombëtar mbi Kosovën vetëm sipas shteteve që e njohin Kosovën (njohja është akt diskrecional i shteteve), por jo edhe sipas OKB-së dhe BE-së (ka shumë rëndësi se si do të integrohet Kosova në BE).
Po ashtu, gjasat që Kosova të pranohet si shtet sovran dhe i pavarur në OKB dhe BE janë minimale, për të mos thënë se nuk ekzistojnë fare. Si rrjedhojë, Kosova, përveç që do të jetë e kufizuar në kontrollin e territorit, do të jetë shumë e kufizuar edhe në aspektin e njohjes ndërkombëtare. Tamam ashtu siç e tha Tim Judah para disa ditëve, statusi i Kosovës do të jetë sikur Tajvani për shkak të paqartësisë së statusit ndërkombëtar dhe sikur Qiproja për shkak të ndarjes.
Unë kam argumentuar se mandati mbi të cilin ndërtohet PUN-ja tregon për vazhdimësinë e sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën për shkak të mungesës së marrëveshjes të llojit Status of Forces Agreement (SOFA). Nëse PUN nuk mund të ketë një marrëveshje të llojit Status of Forces Agreement (SOFA) me Kosovën për shkak se, siç po thotë Besniku, NATO-ja vazhdon në Kosovë ta ketë rolin e një pranie paqeruajtëse, atëherë, përse duhet të vazhdojë të jetë valide edhe më Marrëveshja Teknike Ushtarake e nënshkruar më 9 qershor 1999 mes Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë (KFOR) dhe Qeverisë së Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Republikës së Serbisë?
Deklarata e Pavarësisë së Kosovës thotë se Kosova do të veprojë në pajtueshmëri me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së (Deklarata i referohet tri herë Rezolutës 1244), e, kjo rezolutë i referohet Marrëveshjes Teknike Ushtarake të Kumanovës. Prandaj, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Zdravko Ponos, dhe komandanti i KFOR-it, Xavier Bout de Marnhac, do të mbajnë takimet e tyre të rregullta në aeroportin e Nishit, ashtu sikundër vepruan më 26 shkurt 2008 (nëntë ditë pas ‘pavarësisë’), sikurse që ministrat serbë do ta vizitojnë Kosovën pa leje nga Prishtina. Pra, Deklarata e Pavarësisë së Kosovës është cotradictio in adjectio sepse, përveç Rezolutës 1244 dhe Pakos së Martti Ahtisaarit, ajo thotë se do t’i përmbahet Aktit Final të Helsinkit, e sikundër dihet, Akti Final i Helsinkit thotë se kufijtë ndërkombëtarë mund të ndryshohen vetëm me pajtimin e të dyja palëve. Në vijim të kësaj, kufiri mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka ndryshuar, por ka mbetur ashtu siç ka qenë (kufi administrativ). Këtë e ilustron edhe fakti se Presidenti i SHBA-ve, George Bush, pas takimit me kryeministrin e Republikës së Çekisë, Mirek Topolanek, gjatë vizitës së këtij të fundit në kryeqytetin amerikan, hodhi poshtë konstatimin se ka pasur ndryshim kufijsh në Evropë (www.rtklive.com).
Interpretimi se FSK do të jetë segment i institucioneve të mbrojtjes të Serbisë, Besnikut i duket absurd, por, në të vërtetë, ky interpretim nuk është absurd, por absurd është përmbajtja e Pakos së Martti Ahtisaarit, sipas të cilës duhet të krijohet një Këshill i Përbashkët Implementues mes FSK-së dhe Minsitrisë së Mbrojtjes së Republikës së Serbisë. Përse ka nevojë të bëhet një gjë e tillë? Çfarë do të thotë formimi i një këshilli të tillë? Sipas meje, pushteti civil i Serbisë mbi FSK-në do të jetë i atillë çfarë ka qenë pushteti civil i Unionit Serbi Mali i Zi mbi organet e mbrojtjes të Republikës së Malit të Zi.
Argumentin tim për mbetjen e Kosovës si tërësi në mënyrë të sofistikuar nën sovranitetin e Serbisë për shkak të mosndarjes së pasurisë, aseteve dhe arkivave mes Serbisë e Kosovës dhe ndarjes së borxhit mes Serbisë e Kosovës, Besniku jo vetëm që e cilëson si të pabazë, por edhe e deformon. Besniku thotë se ndarja e Kosovës po konsiderohet ndërkombëtarisht si ndarje nga Serbia e jo nga ish-Jugosllavia, prandaj dhe Kosova nuk merr pjesë të barabartë në çështjet e sukcesionit të ish-Jugosllavisë. Ç’është e vërteta, procesi i sukcesionit të ish-Jugosllavisë ka përfunduar që moti dhe dihet se Kosova nuk ka marrë pjesë në këtë proces për shkak se, veç tjerash, nuk është konsideruar si element konstituiv i Jugosllavisë. Besniku pretendon se kemi ndarje jo të barabartë të pasurisë, mirëpo kjo, sipas tij, nuk e anulon faktin e divorcit. Në fakt, sikur të ndahej pasuria, asetet dhe arkivat në mënyrë jo të barabartë do të ishte pak më mirë, por problemi qëndron në faktin se ato nuk janë ndarë fare, e do të duhej të ndaheshin po të ndahej Kosova nga Serbia. Mirëpo, Pakoja e Martti Ahtisaarit parasheh vetëm ndarjen e borxhit mes Serbisë e Kosovës.
Me pak fjalë, statusi i pranisë ushtarake ndërkombëtare; themelimi i Këshillit të Përbashkët Implementues mes FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Serbisë; dhe mosndarja e pasurisë, aseteve, arkivave dhe ndarja e borxhit e bëjnë sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën (si tërësi) të sofistikuar. Besniku jo që nuk e rrëzon asnjërin prej këtyre argumenteve, por, për më shumë, argumentin tim për mosndarje të pasurisë, aseteve, arkivave dhe ndarje të borxhit edhe e përforcon duke e deformuar.
Pra, këto janë argumentet e mia. Besniku mund të vazhdojë të mendojë ndryshe nga unë për këto çështje. Koha do ta tregojë dhe dëshmojë se kush ka pasur të drejtë. Me këtë përgjigje, sa më përket mua, përfundon kjo polemikë (tërë polemika mund të gjendet në ueb faqen www.besnikpula.com), e cila, për mendimin tim, duhet të shërbejë si shembull se si duhet polemizuar. Po ashtu, për fund, e falënderoj përzemërsisht Besnikun për këtë polemikë, por edhe redaksinë e gazetës KOHA Ditore për hapësirën e dhënë.
Sovraniteti i Kosovës dhe sovraniteti i Serbisë
Shkurt 27, 2008
Rezoluta 1244 dhe njohja ndërkombëtare (nga Shkëlzen Gashi)
Shkurt 25, 2008
Nga një lexim i kujdesshëm i shkrimit të mikut tim Besnik Pula, të botuar në gazetën Koha Ditore të datës 21 shkurt 2008, vërehet qartë se ai dhe unë jemi në të njëjtat valë për pjesën më të madhe të problemeve që ai i trajton në shkrimin e tij. Sidoqoftë, për një trajtim më adekuat të tematikës se sa sovrane do të jetë Kosova, për mendimin tim, do të ishte mirë të merren katër kuptimet e termit sovranitet, që i jep Stephen Krasner në librin e tij të tilluar Sovereignty: Organized Hypocrisy: sovraniteti legal ndërkombëtar; sovraniteti westphalian; sovraniteti i ndërvarësisë; dhe sovraniteti i brendshëm. Meqë ra fjala, kuptimit të fundit të termit sovranitet, pra sovranitetit të brendshëm, Besniku i është referuar në magjistraturën e tij brilante me titull Contested Sovereignty and State Disintegration: The Rise of the Albanian Secessionist Movement in Kosova, të mbrojtur në Georgetown University. Sidoqoftë, le t’i trajtojmë me radhë këto kutpime të sovranitetit në rastin e Kosovës.
Për sa i përket sovranitetit të brendshëm, që është organizimi formal i autoritetit dhe aftësia e autoritetit për të ushtruar kontroll brenda shtetit, duhet thënë se Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (PCN) jo vetëm që do të jetë autoriteti final sa i përket interpretimit të Planit të Martti Ahtisaarit (e drejta për të gjykuar në shkallë të fundit, sipas Jean Bodin është prerogativë e sovranitetit) por, ai edhe do të ketë fuqi të përjashtojë nga detyra secilin zyrtar nëse kundërshton Planin e Ahtisaarit. Po ashtu, Kuvendi i Kosovës, jo vetëm që nuk mund ta miratojë Kushtetutën e Kosovës pa miratimin e PCN-së, por, për më keq, nëse ka kontradiktë mes Kushtetutës së Kosovës dhe Planit të Martti Ahtisaarit, ky i fundit mbizotëron. Sipas Pakos së Ahtisaarit, për miratimin, ndryshimin apo shfuqizimin e ligjeve kërkohet edhe shumica e anëtarëve të Kuvendit, të cilët mbajnë ulëse të rezervuara apo të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve, të cilat nuk janë në shumicë. Edhe Jean Bodin në librin e tij “Sovraniteti” thotë se shenja e parë e sovranitetit nënkupton pushtetin për të vendosur ligje. Për më shumë, PCN-ja do të ketë të drejtën, nëse është e nevojshme, të anulojë çdo veprim, që ndërmerret nga autoritetet e Kosovës. Sovraniteti i ndërvarësisë ka të bëjë me kapacitetin e autoritetit lokal për të kontrolluar qarkullimin e informatave, të mirave, njerëzve, kapitalit përmes kufijve të shtetit. Kapaciteti për këto kontrollime, në të vërtetë, i takon Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar sepse ai ka kompetenca në sferën e sundimit të ligjit, gjyqësi, polici, dogana, shërbime korrektuese…
Në vijim të kësaj, ai do të ketë autoritetin e emërimit të drejtpërdrejtë të udhëheqësve të doganave, tatimeve, privatizimit, financave dhe thesarit. E, sikundër thotë Jean Bodin-it, emërimi apo shkarkimi i zyrtarëve kryesorë është element i rëndësishëm i sovranitetit.
Kuptimi i tretë i sovranitetit sipas Krasnerit është sovraniteti westphalian, i cili i referohet mosndërhyrjes së ndonjë autoriteti të jashtëm brenda shtetit. Në këtë pikë, Kosova duhet të ketë sovranitet vetëm sa kanë shtetet sovrane dhe të pavarura përreth. Mirëpo, ç’
është e vërteta, Kosova do të ketë ndërhyrje nga dy autoritete të jashtme: Misioni i BE-së (i cili do operojë në bazë Rezolutës 1244 gjegjësisht pikës 10 dhe 17 të kësaj rezolute), që me kompetencat që ka është Qeveri e njëmendtë e Kosovës, kurse Qeveria formale e Kosovës do të jetë agjension i këtij misioni; dhe Republikën e Serbisë, që do të ketë të drejtë të ketë marrëdhënie të drejtëpërdrejta me entitetin serb në Kosovë (afërsisht 1/3 e territorit të Kosovës), duke i financuar komunat serbe në Kosovë, pothuajse në çdo sferë të jetës.
Në fund, kemi sovranitetin legal ndërkombëtar, që i referohet njohjes legale të shteteve nga shtetet tjera. Nuk ka asnjë dilemë se njohja e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur nga një varg i shteteve më të fuqishme në botë, përbën një hap tejet të rëndësishëm (që nuk mund të minimizohet në asnjë mënyrë) duke e vendosur Kosovën në raport tjetër karshi Serbisë, por jo në raport mes dy shteteve sovrane e të pavarura. Në aspektin e sovranitetit legal ndërkombëtar, Kosova ka pozicion pothuajse identik me Tajvanin sepse që të dy këto entitete kanë gjysëm-subjektivitet ndërkombëtar, ngase nuk janë anëtarë në organizatat ndërkombëtare sikur OKB-ja apo OSBE-ja. Në të vërtetë, Tajvani është në pozicion më të mirë se Kosova sepse nuk ka mision ndërkombëtar që e sundon sikur Kosovën dhe nuk ka entitet kinez brendapërbrenda sikur që ka Kosova entitetin serb. Në anën tjetër, BiH, edhe pse e ndarë brendapërbrenda sikur Kosova, për sa i përket sovranitetit legal ndërkombëtar, për dallim prej Kosovës, ka subjektivitet të plotë ndërkombëtar (këtu po dallojmë Besniku dhe unë), ngase është anëtar i organizatave ndërkombëtare si OKB, OSBE dhe i njohur ndërkombëtarisht nga Serbia e Kroacia.
Një tjetër dallim mes Besnikut dhe meje konsiston në atë se ai, siç duket, është përkrahës i shkollës konstituive të së drejtës ndërkombëtare për sa i përket njohjes së shteteve të pavarura dhe sovrane, e unë përkrahës i shkollës deklarative. Unë mendoj se njohja nuk mund dhe nuk e krijon shtetin, pra njohja nuk është konstituive, por është thjesht deklarative. Sikundër pat thënë edhe Robert Badinter në mendimin numër një, efektet e njohjes nga shtetet tjera janë krejtësisht deklarative. Shteti duhet të ekzistojë paraprakisht. Njohja e shtetit nuk është asgjë tjetër veçse deklarim se sipas shtetit A, ekziston shteti B. Andaj, njohja ndërkombëtare prej disa shteteve, përbën realitet të ri, por jo realitet të ri në terren, ashtu siç po pretendon Besniku. Konventa për të Drejtat dhe Detyrat e Shteteve, e njohur si Konventa e Montevideos, precizon se, përveç territorit dhe popullsisë, entiteti që tenton të bëhet shtet sovran dhe i pavarur duhet të ketë nën kontroll atë territor. Pra, shteti duhet të ekzistojë njëmend, e vetëm pastaj të shpallet ekzistenca e tij dhe të kërkohet njohje nga komuniteti ndërkombëtar. Kontrolli i territorit është shumë më i rëndësishëm sesa njohja ndërkombëtare. Serbia, për shembull, nuk e ka parë njohjen ndërkombëtare të Bosnjë dhe Hercegovinës si një ngjarje që do të ndryshonte ndonjë gjë në realizimin e planit të saj. Për më shumë, Millosheviq edhe ka bërë shaka duke thënë se edhe perandori romak Kaligula e ka deklaruar kalin e tij për senator, por kali i tij asnjëherë nuk është bërë senator, andaj e njëjta gjë do të ngjajë edhe me Alia Izetbegovicin: ai do të ketë njohje ndërkombëtare, por jo shtet. Çeshtja e sovranitetit nominal të Serbisë mbi Kosovën është komplikuar jashtëzakonisht shumë, duke u bërë sfidë për shumë ekspertë të së drejtës ndërkombëtare. Në të vërtetë, kjo edhe është arsyeja përse në shkrimin tim, ‘Deklarata e Varësisë’, të botuar më 19 shkurt 2008 në KOHA Ditore (Timothy Garton Ash në shkrimin e tij të botuar më 21 shkurt në Los Angelos Times të titulluar ‘The Kosovo precedent’
thotë se Deklarata e Pavarësisë është po ashtu deklaratë e varësisë) kam thënë se Serbia do të ketë sovranitet në mënyrë fort të sofistikuar mbi Kosovën. Këtu është dallimi kryesor mes Besnikut dhe meje. Ja përse mendoj se sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën do të jetë i sofistikuar:
Në bazë të të ashtuquajturës ‘Deklaratë për Pavarësinë e Kosovës’ Prania Civile Ndërkombëtare (PCN) dhe Prania Ushtarake Ndërkombëtare (PUN), të themeluara në bazë të Rezolutës 1244, duhet të mbesin në Kosovë për të zbatuar përgjegjësitë e dhëna sipas Rezolutës 1244 dhe Planit të Martti Ahtisaarit. Nëse Kosova është shkëputur de facto e de jure nga Serbia, ashtu siç pretendon Besniku, atëherë, përse Prania Ushtarake Ndërkombëtare duhet të qëndrojë në Kosovë në bazë të Marrëveshjes së Kumanovës, të nënshkruar mes NATO-s dhe RFJ-së, e jo në bazë të SOFA-s (“Status of Forces Agreement”
) të nënshkruar mes NATO-s dhe Kosovës dhe, për më keq, ta zbatojë Rezolutën 1244, e cila, përveçse garanton sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë, parasheh kthimin e qindra (jo mijëra) forcave serbe në Kosovë. Pra, nuk është ndryshuar Rezoluta 1244, por është ndryshuar interpretimi i saj.
Sipas Planit të Martti Ahtisaarit, Kosova nuk do të ketë ushtri, por Forcë të Sigurisë, e cila do të jetë kryesisht përgjegjëse për përgjigjen ndaj krizave, asgjësimin e mjeteve eksplozive, mbrojtjen civile, pra, me pak fjalë, Forca e Sigurisë do të ketë për obligim të përmbushë funksione të sigurisë, që nuk janë të përshtatshme për policinë apo organizatat tjera të zbatimit të ligjit dhe, më e rëndësishmja, Prania Ushtarake Ndërkombëtare (PUN) do të ketë autoritet ekzekutiv mbi FSK-në. PUN-ja do të vazhdojë t’i zbatojë praktikat e vëna në funksion të Komisionit të tanishëm të Përbashkët për Implementim me Republikën e Serbisë. Me kalimin e kohës, ashtu siç parasheh Plani i Martti Ahtisaarit, veprimtaritë e Komisionit të Përbashkët për Implementim do të bëhen pjesë e një Komisioni të Përbashkët Ushtarak të ri, që do të përfshijë autoritetet nga Kosova dhe Serbia, në kuadër të të cilit do të trajtohen çështje ushtarake dhe të sigurisë me interes të përbashkët. Për më shumë, PUN-ja në koordinim me PCN-në do t’
i përcaktojnë masat për krijimin e mirëbesimit midis FSK-së dhe institucioneve të mbrojtjes të Serbisë. Kjo, për mendimin tim, tregon se FSK do të jetë segment i institucioneve të mbrojtjes të Serbisë, duke e bërë kështu sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën tmerrësisht të sofistikuar.
Një tjetër element, që e forcon argumentin tim se sa vështirë i hetueshëm është sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën, ka të bëjë me borxhin ndërkombëtar. Plani i Martti Ahtisaarit nuk parasheh ndarjen e pasurisë, aseteve dhe arkivave sepse kjo do të mund të ngjante vetëm nëse Kosova do të shkëputej prej Serbisë. Për më keq, Kosova do të marrë pjesë vetëm në ndarjen e borxhit ndërkombëtar të Serbisë. Kjo ngjet sepse Kosova mbetet e lidhur me Serbinë. Meqë jemi tek kjo problematikë, më duhet të them se, për mendimin tim, Kosova nuk do të duhej të pranonte marrjen pjesë në procesin e trashëgimit të Jugosllavisë (ndarja e pasurisë, aseteve, borxhit) sepse atëherë do ta mohonim faktin se Kosova është okupuar më 1912. Në vijim të kësaj, është me rëndësi të përmendet se Letonia, Lituania dhe Estonia kanë refuzuar të marrin pjesë në procesin e trashëgimit të BRSS-së, që u pat definuar në marrëveshjen e bërë në Alma Ata (kryeqytetin e dikurshëm të Kazakistanit), me arsyetimin se në rast se pranojmë të jemi edhe ne trashëgimtarë të BRSS-së, sikundërqë kërkon Rusia, atëherë, pranojmë se kemi qenë themelues të BRSS-së, e jo të okupuar nga BRSS-ja.
Krejt në fund, Besniku thotë se në praktikë rolin dhe pushtetin e PCN-së dhe EULEX-it nuk do ta përcaktojë vetëm teksti literal i Planit të Martti Ahtisaarit dhe dokumentet tjera politike, por edhe pozicioni politik që karshi tyre do të marrin institucionet e Kosovës. Logjikisht do të duhej të ishte kështu, por në rastin tonë nuk do të jetë kështu, në radhë të parë, për shkak të mungesës së forcës, e sikundër e din Besniku, politika pa forcë është sikur muzika pa instrumente, e mbi të gjitha, nuk do të jetë kështu sepse, përveç që kemi politikanë të padijshëm e servil, ne kemi edhe politikanë të korruptuar, e si rrjedhojë të shantazhuar.
Njohja ndërkombëtare dhe Rezoluta 1244
Shkurt 22, 2008
Miku im Shkëlzen Gashi, kritik i madh, siç kam qenë edhe unë, i proceseve politike për definimin e statusit të Kosovës gjatë dy viteve të fundit, në Kohën Ditore të datës 19 shkurt botoi një koment për situatën e re juridike në të cilën gjendet Kosova pas shpalljes së pavarësisë. Aty ai problematizon çështjen e sovranitetit në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë, që është me vend. Sigurisht se, tashmë që shumica kanë filluar të kthjellen nga festat dhe ahengjet masive për shpalljen e pavarësisë, është koha të ulemi e të shikojmë me seriozitetin e duhur se çfarë në të vërtetë po ndodh me Kosovën si entitet politik.
Pa dashur që të nisi një polemikë të kotë, për shkak të rëndësisë së çështjeve që ngrit, Shkëlzeni bën një numër konstatimesh që sipas meje janë problematike. Është shumë e vërtetë se Kosova nuk do të jetë shtet i pavarur e sovran në kuptimin klasik të fjalës. Kjo është e qartë për të gjithë ata që dallojnë të bardhen nga e zeza. Prania ndërkombëtare e sigurisë, pushteti ndërkombëtar mbi institucionet e zgjedhura të Kosovës, dhe njohja jo e plotë nga bashkësia ndërkombëtare, nuk e bëjnë Kosovën një shtet të pavarur e sovran në kuptimin tradicional të fjalës. Mirëpo kjo nuk do të thotë se shpallja e pavarësisë dhe njohja ndërkombëtare e Kosovës nga shtetet kryesore të rendit ndërkombëtar përbëjnë ngjarje të parëndësishme që nuk transformojnë rrënjësisht pozicionin politik dhe juridik të Kosovës.
Kështu, Shkëlzeni pohon se edhe pas shpalljes, për shkak se pavarësia ndodh mbi bazën e Pakos së Ahtisaarit, Kosova mbetët “në mënyrë fort të sofistikuar nën sovranitetin e Serbisë”. Si argument shtesë për këtë ai përmend mbetjen në fuqi të Rezolutës 1244, e cila e ruan sovranitetin e Serbisë (trashëgimtarës së RFJ-së) në Kosovë.
Pavarësisht përmbajtjes së deklaratës së pavarësisë dhe premisave politike mbi të cilat ajo bëhet, njohja ndërkombëtare e Kosovës si shtet i pavarur anulon realitetin politik të krijuar sipas Rezolutës 1244. Me njohjen ndërkombëtare në kufijtë aktualë, Kosova de facto dhe de jure shkëputet nga Serbia. Nga pikëpamja e ligjit dhe praktikës ndërkombëtare, për shtetet që e njohin e që do ta njohin Kosovën, Kosova është efektivisht një shtet i pavarur, me qeveri të vetën dhe territor të përcaktuar. Prandaj, të thuhet se Kosova mbetët nën sovranitetin e Serbisë, edhe pas njohjes së saj nga SHBA, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Italia e një varg shtetesh tjera më të rëndësishme evropiane e botërore, është të injorosh realitetin e ri që imponon njohja ndërkombëtare. Reaksioni histerik i qeverisë në Beograd tregon qartë se fjala është për një akt të pakthyeshëm dhe historik që Kosovën e vendos përgjithmonë në një raport tjetër karshi Serbisë.
E dyta, njohja ndërkombëtare krijon një realitet të ri në terren që hedh poshtë çfarëdo përmbajtje tekstuale të Rezolutës 1244. Siç e din edhe Shkëlzeni, ligji ndërkombëtar është ligj zakonor, që domethënë se atë e bën sjellja e shteteve, ai nuk bëhet me akte legjislative dhe Këshilli i Sigurimit nuk përbën kurrfarë organi legjislativ për ligjin ndërkombëtar. Çfarëdo që të jetë përmbajtja tekstuale e Rezolutës 1244 (megjithëse tashmë në interpretimin e ri të disa juristëve evropianë, garancat e rezolutës për sovranitetin e Serbisë në Kosovë janë vetëm kalimtare dhe jo të përhershme), njohja ndërkombëtare krijon një realitet të ri në terren, pasi që me këtë akt Kosova vendos marrëdhënie diplomatike me vende të tjera dhe në këtë mënyrë shndërrohet efektivisht në aktor të politikës ndërkombëtare. Ndërkaq, rezolutat e OKB-së nuk janë obligative dhe shkilen vazhdimisht: në fakt, shkelësi më i madh në botë i Rezolutave të OKB-së është Izraeli, por kjo gjë shumë pak i ka bërë dëm aftësisë së këtij shteti që të zhvillojë politika sipas interesave të saj.
Prandaj, të thuhet se edhe pas njohjes ndërkombëtare, Kosova vazhdon të mbetët nën sovranitetin e Serbisë është një konstatim që nuk përkon me realitetin e ri të krijuar. Kosova, me njohje, fiton subjektivitet ndërkombëtar. Të vetmet elemente që e pengojnë hyrjen e plotë të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare do të jenë mosnjohja e Kosovës nga të gjitha shtetet (sidomos Rusisë dhe shtetet satelite të saj), si dhe veton e pritshme të Rusisë për çfarëdo përpjekje për anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Në këtë pikëpamje, Kosova do të shndërrohet në një lloj Taivani evropian: ai do të njihet nga shumica e shteteve, por jo të gjitha shtetet. Por njohja jo e plotë dhe rezistenca e një shteti të madh sikur Kina nuk e ka penguar Taivanin që të zhvillohet e të prosperojë, prandaj edhe rezistenca e Rusisë nuk do të jetë pengesë për Kosovën e cila do të ketë marrëdhënie diplomatike dhe ekonomike me shtetet kryesore të Evropës dhe me SHBA-të. Për më tepër, mosnjohja nga një pjesë shtetesh nuk është fakt i kryer dhe i përhershëm. Me një politikë të mençur, ndoshta një ditë edhe Rusia do të pajtohet me faktin e Kosovës së pavarur dhe do të heq dorë nga nervoziteti i saj i kotë rreth kësaj çështjeje. Dhe për fat të mirë Serbia nuk e ka as përafërsisht forcën dhe influencën globale politike dhe ekonomike të Kinës.
Në aspektin e ushtrimit të brendshëm të sovranitetit, është e qartë se Kosova do të vazhdojë të jetë e kufizuar në një numër dimensionesh. Në këtë pikëpamje Kosova do t’i përngjet më shumë Bosnjës, i cili është shtet i njohur ndërkombëtar, por i kufizuar nga brenda sipas provizioneve që rrjedhin nga Marrëveshja e Dayton-it dhe pushtetit ndërkombëtar që ajo vendos atje. Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar do të jetë pushtet kryesor përsa i përket zbatimit të çështjeve të “Interesit Vital” siç i përkufizon edhe draft-Kushtetuta e Kosovës, dhe do të ketë autoritete të gjera ekzekutive në këtë pikëpamje, që janë superiore karshi organeve të zgjedhura të Kosovës. Gjitashtu, prania ndërkombëtare e sigurisë dhe kufizimet drastike për Forcën mbrojtëse të Kosovës (përfshirë numrin e ushtarëve dhe llojet e armatimit) gjithashtu paraqesin një pengesë që Kosova të ushtrojë sovranitet të plotë në aspektin e brendshëm.
Mirëpo më shumë se kufizimet juridike të përcaktuara në Pakon e Ahtisaarit, sfida kryesore për arritjen e kontrollit të plotë mbi territorin e saj (gjë që përkufizon një shtet sovran) do të jetë vazhdimi i funksionimit të strukturave paralele administrative të Serbisë në Kosovë. Sipas Ahtisaarit, ato struktura duhet të shkrihen dhe të legalizohen si pjesë e administratave të reformuara e të decentralizuara komunale. Mirëpo rezistenca e Serbisë dhe e serbëve lokalë, sidomos në veri, i shndërron ato në një sfidë afatgjatë për vendosjen e pushetit të Prishtinës në gjithë territorin e Kosovës. Një shpresë është se serbët, sidomos në jug të Ibrit, do ta shohin dëmin e madh që ju shkakton getoizimi nëpër enklava, varshmëria në strukturat paralele dhe izolimi nga jeta shoqërore dhe politike në Kosovë. Por në anën tjetër, Serbia, siç paralajmëroi edhe qeveria e Beogradit dhe gjesti i Serbisë që të dërgojë ministrin e saj në Mitrovicë në ditën kur Kosova shpallte pavarësinë, tregojnë se Serbia nuk do të heqë dorë nga këto struktura dhe forma aktuale e funksionimit të tyre. Megjithatë, ekzistenca e “zonave gri” të ushtrimit të pushtetit nëpër territorin e Kosovën nuk e anulon realitetin juridik se i gjithë territori i Kosovës njihet si pjesë e një shteti të vetëm me të drejtë ushtrimi të pushtetit në gjithë territorin.
Sido që të jetë, e ardhmja e organizimit të brendshëm administrativ e territorial të Kosovës nuk është çështje e mbyllur njëherë e përgjithmonë. Shumë do të varet edhe nga lëvizjet politike në terren. Në praktikë, rolin dhe pushtetin e PCN-së dhe EULEX-it nuk do ta përckatojnë vetëm teksti literal në Pakon e Ahtisaarit dhe dokumente tjera, por edhe pozicionimi politik që karshi tyre marrin institucionet e Kosovës. Po qe se institucionet e Kosovës i nënshtrohen lehtësisht dhe i japin atij hapësirë të madhe të veprimit, PCN-ja kollaj do të shndërrohet në një PSSP të ri kurse EULEX-i në një UNMIK të dytë (ashtu dhe siç ndodhi në muajt e parë të UNMIK-ut – realiteti politik në muajt pas qershorit 1999 ishte shumë fluid dhe i papërcaktuar, derisa partitë kosovare nuk ia dhuruan UNMIK-ut pushtetin). Presioni politik mund të bëjnë të mundur që EULEX-i të mos jetë një mision pa afat, dhe që gjatë kohës së tij në Kosovë të orientojë presionin e tij drejt shpërbërjes së strukturave paralele. Mirëpo sido që të jetë me punët rreth organizimit të brendshëm të shtetit, njohja ndërkombëtare është një fakt i pandryshueshëm dhe juridikisht i paanulueshëm. Prandaj, domethënia dhe rëndësia e saj politike nuk bën të minimizohet, nëse për asgjë tjetër atëherë për hir të betejave politike që akoma mbesin për t’u bërë. Ato beteja tashmë do të zhvillohen në një kontekst radikalisht tjetër politik, dhe përfundimisht jashtë orbitës së sovranitetit ndërkombëtar të Serbisë mbi Kosovën.
Botuar te Koha Ditore, 21 shkurt 2008.
———–
Në vijim është artikulli origjinal i Shkëlzenit, i cili ka qenë shkak i shkrimit të mësipërm. Ai botohet këtu për hir të lexuesve që janë të interesuar në ndjekjen e debatit.